• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2026

Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet

January 21, 2026 by s p

 2.12.1944 – 26.01.2006 

Apo “Apostuli i madh i jodhunës së kohës sonë!” 

(Citat nga dekorata e nderit, për Dr. Ibrahim Rugovën, më 1996, nga Universiteti i Parisit) 

Dr. Ibrahim Rugova, u pa e përjetua nga njerëzit si engjëlli hyjnor dhe himnizua edhe si “Profet” planetar, ndërsa nga figurat e shquara botërore u vlerësua edhe si “Gandi i Ballkanit”.

Nga entet më të shquara arsimore dhe institucionet më të larta ndërkombëtare të dijes, u emërtua “Apostull i Jodhunës” (Universiteti i Parisit).

-Zëri i arsyes, maturisë e paçes (SHBA), dhe

-Ma i “Dijtuni, e ma i Urti i të gjithëve”(At Zef Pllumbi), etj. 

Nga të dhënat biografike të Presidentit historik të Republikës së Kosovës, mësojmë se, Dr. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit1944 në fshatin Cerrcë, të qytezës së Istogut, familja e të cilit, aty kishte zbritur nga fshati Malaj i krahinës së Rugovës. Por jeta e tij, dëshmohet se u përshkua me vuajtje e sakrifica të pafund dhe vetëm 13 muaj e 6 ditë, pasi ai ishte lindur, komunistët serbo-jugosllavë, më 10 janar të vitit 1945 i vranë të atin Ukë Rugova e gjyshin Rrustë Rugova dhe trupat e tyre nuk u gjetën më kurrë. 

Pas kryerjes së shkollimit fillor e të mesëm dhe përfundimit me sukses të fakultetit të letërsisë në Prishtinë, Rugova në vitet 1976-1977, vazhdoi studimet postdiplomike nën përkujdesjen e Prof. Roland Barthes-it, në “Ecole Pratique des Hautes Etudes” në Paris. 

Më 1984 Ibrahim Rugova, mori titullin e doktoratës në letërsi, në Universitetin e Prishtinës. Kurse më 1988 Dr. Rugova do të zgjidhej kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, periudhë kur edhe nisi rezistenca e vërtetë publike anti-serbe dhe kthye në fenomenin më të fuqishëm të njohur deri atëherë të lëvizjes gjithëshqiptare kundër sundimit komunist serbo-jugosllav të Kosovës. 

Ndërsa më me 23 dhjetor të vitit 1989, nën organizimin e Dr. Rugovës formohet LDK, partia e parë politike post-komuniste, apo “Lëvizja mbarëpopullore e shqiptarëve nën okupimin serbo-jugosllav, si dhe u vendosën themelet e para të Republikës së Kosovës, mbi të cilat qëndron edhe sot, shteti ynë i lirë, sovran dhe i pavarur.

Nën udhëheqjen e dr. Ibrahim Rugovës u përgatit programi legjislativ dhe krijua bazamentin kushtetues për zgjedhjen e institucioneve shtetërore dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. 

Më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kurse më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, u bë shpallja e Kosovës Republikë, dhe votimi i Kushtetutës së re, të saj. 

Ndërsa për t`iu kundërvënë edhe me pushkë dhe fizikisht Serbisë, Presidenti dr. Ibrahim Rugova, në marrëveshje me Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë Ramiz Alinë, më 1992 do të dërgonte njësitet e para të vullnetarëve dardan të stërviteshin nën kujdesin e oficerëve të lartë ushtarak shqiptar, në krye të të cilëve ishin edhe drejtuesit e mëvonshëm të UÇK-së, si; heronjtë më të devotshëm të luftës çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, Sali Qeku, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani dhe shumë luftëtar, heronj e dëshmorë të lirisë, të cilët u vranë për liri në Kosovë.

Luftë plot vuajtje e sakrifica gjatë së cilës udhëheqës të lartë ushtarak e logjistik të saj, fatkeqësisht u vranë edhe në Shqipëri, si Ilir Konushevci, i rënë në një pritë të organizuar, në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, afër Bajram Currit, aty ku me se paku pritej, nga dora e zgjatur e tradhtisë kombëtare, bashkë me mjekun Hazir Mala, derisa po udhëtonin me një kamion të mbushur me armatim të destinuar për luftëtarët kryengritës në Kosovë, si dhe ministri i mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi, i vrarë më 21 shtator 1998 pak para mesnate në Tiranë, vetëm pak kohë, pasi kishte marrë vendimin për tu futur në Kosovë dhe udhëhequr luftën në terren, vrasja e të cilit, me gjithë dekadat e kaluara në kohë, vazhdon të mbetet mister edhe sot. 

Rugova ishte edhe presidenti i parë i Kosovës së lirë dhe të sapo çliruar nga okupatori serb, i cili megjithëse në shtator të vitit 2005, u diagnostikua me kancer, nuk hoqi dorë nga angazhimi për jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës, deri në frymëmarrjen e tij të fundit. 

Çmimet e ndara dedikuar personalitetit sublim dhe hirësisë shembullore të tij, për veprimtarinë e shquar  në shërbim të atdheut dhe miqësisë së shkëlqyer që ai krijojë me burrështetasit më të mëdhenj botëror të kohës, që nga Bill Klinton, Toni Bler, Zhak Shirak-u, Medlin Olbrajt etj:

-Në vitin 1998, dr. Ibrahim Rugova u nderua nga qyteti i Münsterit në Gjermani, me Çmimin e Tolerancës. 

Kurse nga Parlamenti Evropian, ku krahas burrështetasve më të shquar evropian e botërore qëndron krenarisht edhe ekspozitura e ndritshme e fotografisë së tij, dr. Rugova mori Çmimin Saharov! 

Është me rëndësi të veçantë të ceket se dr. Rugovës iu dedikuan edhe epitetet të veçanta nga personalitete të shquara dhe institucione të mirënjohura botërore si në certifikatën e ndarjes së doktoratës së nderit, nga Universiteti i Parisit, për Dr. Ibrahim Rugovën, më 1996, ku thuhet: “Ai është një nga Apostujt e mëdhenj të jodhunës së kohës sonë”! 

Këshilla jetike dhe porosi jetësore e Dr. Rugovës për bashkëkombësit si dhe maksima e paharrueshme e Dr. Ibrahim Rugovës për shqiptarët ishte: “Secili qytetar, çdo mëngjes duhet të ngritët nga gjumi me mendimin se çfarë pune të mirë mund të bëjë sot, për vendin e vet!” 

Çmimet ndërkombëtare në nderim të Dr. Ibrahim Rugovës: 

-Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë. 

-Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë. 

-Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian. 

Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall edhe qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe (Brescia) Breshia. 

-Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë. 

-Në vitin 2004, Dr.Ibrahim Rugova, më 2 shkurt të vitit 2004, në Atverpen të Belgjikës, u shpall Senator Nderi i Evropës nga Senati i BE-së dhe Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi, çmim që kanë marrë vetëm personalitetet si ish presidenti i SHBA-ve Roland Regan, Kancelari gjerman Helmut Kohl, mbreti spanjoll Huan Karlos, Otto von Habsburg dhe Emil Konstatinesku. 

Dr. Ibrahim Rugova u nderua gjithashtu edhe nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. 

-Më 9 shtator të vitit 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës. 

-Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me mirënjohje të veçantë për afirmimin e parimeve të demokracisë dhe udhëheqjen frymëzuese politike. 

Dr. Ibrahim Rugova vdiq, pas një sëmundje të rëndë më 21 janar të vitit 2006, ndërsa në përvjetorin e vdekjes, presidenti i atëhershëm Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë, me të cilin nderohen figurat historike në vendin tonë, për “vepra trimërie, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”

Dr. Rugova ka shkruar edhe 10 vepra letrare:

– “Prekje lirike”, Rilindja, Prishtinë, 1971.
– “Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),

– “Kah teoria”, Rilindja”, Prishtinë, 1978.
– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni)”, Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
– “Strategjia e kuptimit”, Rilindja, Prishtinë, 1980.
– “Vepra e Bogdanit 1675-1685”, Rilindja, Prishtinë, 1982.
– “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986.
– “Refuzimi estetik”, Rilindja, Prishtinë, 1987.
– “Pavarësia dhe demokracia”, Fjala, Prishtinë, 1991.
– “Çështja e Kosovës”, Dukagjini, Pejë, 1994.

Ndërsa Kompleti i veprave të dr. Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, u botua më 2005 në Prishtinë.

Të tjerët për Dr. Ibrahim Rugovën: 

– Shtetet e Bashkuara, pas vdekjes së Dr. Rugovës deklaruan se kanë humbur një mik të vërtetë i cili ishte zëri i arsyes, maturisë dhe paqes! 

– Bill Klinton do ta cilësonte Dr. Rugovën si shembullin më sublim dhe udhërrëfyes për njerëzimin që i duhej botës demokratike”. 

– Toni Bler në kujtimet e tij thotë: Dr. Rugova mu lut, që ti ndihmoja, të mos vuanin njerëzit e tij në Kosovë, dhe unë i premtova Dr. Rugovës se do ta ndihmoja! 

– Ish ndërmjetësuesi dhe diplomati i shkëlqyer amerikan, Richard Hoolbruk i cili la gjurmë të thella në historinë e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, deklaronte se; Kosova nuk do të ekzistonte fare-shtet, pa këmbëngulësinë e presidentit Dr. Ibrahim Rugova! 

– Ndërsa At Zef Pllumi për Dr. Ibrahim Rugovën tha; “U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim, vizionin europjan. 

Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve! 

Lavdi të përjetshme jetës dhe veprës së “Apostullit të madh të Jodhunës”, “Zërit të arsyes, maturisë e paçes” dhe ma të “Dijtunit, e ma të Urtit të Kosovës”- Dr. Ibrahim Rugova! 

 Gani Qarri  Cyrih, 21 Janar 2026 

Filed Under: Komente

ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE

January 20, 2026 by s p

Fuat Memelli/

Mbresa nga romani i shkrimtarit Shefqet Meko.

Shefqet Mekon e kam njohur vite më parë. Të dy gazetarë, vërtet të ndryshëm në moshë, por të përkushtuar për të lënë ndonjë gjurmë në median shqiptare. Jeta e solli të mërgonim, si “ikanakë” të shekullit 21-të siç shkruan Shefqeti, por ai gjithçka e mori me vete, jo një “trastë kujtimesh” por një “hambar” të madh të mbushur me ndodhi, fate, njerëzish, apo ngjarje si në atdheun amë edhe këtu në Amerikë.Gazetar impulsiv, me interesa të gjëra shpirtërore, shkruan, polemizon; nuk di të heshtë, i nxitur nga e tashmja, por edhe nga e shkuara….me shikimin nga të dyja anët, si në Shqipëri ashtu edhe në Amerikë.

Ndërkaq gazetaria e ka mbërthyer fort pas letërsisë, pas prozës artistike, apo publicistikës dhe deri tash ka botuar dhjetë libra, romane, tregime, novela, të cilat janë pritur me interes, madje romani “Viza amerikane” ka kaluar Atllantikun dhe i përkthyer në anglisht, është paraqitur në disa ekspozita të librit deri në Kinën e largët.

Kohët e fundit shkrimtari Shefqet Meko ka botuar romanin “Nishani” , një subjekt interesant që merr jetë nga Pogradeci dhe krahina e Mokrës. Ky roman është një kronikë e marrëdhënieve në familje, është provë e dinjitetit, sakrificës për të përballuar goditjet e fatit që është pjesë e jetës sonë.

Rreth “nishanit”, kësaj shenje-enigmë në trupin e Dorina Moravës, është edhe epiqendra e romanit. Libri është i ndarë në 22 kapituj. Megjithëse episodet duken të ndarë, ata i bashkon një fill, ai i jetës së Dorinës, shumica në Shqipëri, një pjesë edhe në Amerikë. “ Zhiva e tensionit” për fatin e Dorinës dhe të bashkëshortit, Agonit, të vjehrrës Fatime, apo prindërve të saj, vajzave binjake, etj, sa vjen e ritet. Ndër episodet e para të romanit, është ai i njohjes së papritur së Dorinës me profesion farmaciste, me Agon Shkëmbin, me profesion inxhinier pyjesh. Gradualisht ngjizet dashuria e tyre. Me që ai jetonte larg saj, vjen dhëndër (ose kollovar siç i thonë në Shqipëri) në shtëpinë e nuses ku jetonin edhe dy prindërit e saj.

Nëna e tij mbeti vetëm dhe Agoni ngul këmbë që edhe ajo të vinte aty. Dhe kështu ndodhi. Ky fakt e mërziti Dorinën, pasi “u mbush shtëpia me tre pleq” ndërkohë që ajo donte të jetonte veçmas me të shoqin.

Por historia e nënës Fatime përbën në thelb intrigën e romanit, që të shtyn ta lexosh me kureshtje dhe një shqetësim të brendshëm për mënyrës se si rrjedhin ngjarjet. Nënë Fatimja është “kurban” i rastësisë, lakmisë dhe egoizmit. Në të vërtetë është një histori që nuk zhbëhet dot kurrë. Në thelb është një ngjarje dramatike, provë qëndrese dhe morali për vete familjen e Agon Shkëmbit. Kam përshtypjen se nënë Fatimja është një figurë e njohur në letërsinë shqipe, madje edhe në trashëgiminë gojore.

Duke “udhëtuar” në faqet e romanet ndesh të papritura të tjera të ngarkuara me dramacitet. Një ditë prej ditësh për të “shlyer mëkatin”, vjen në shtëpinë e Dorinës Llazi Kodra, personi që kishte bërë “gjëmën” në maternitet sepse pati ndërruar fëmjën e lindur të regullt nga nënë Fatimeja , kur ishte vajzë e re dhe e pamatuar. E kishte ndërruar me një foshnjë të vdekur për t’ja dhënë kundrejt pagesës, të jatit të Dorinës me që nuk kishin fëmijë.

Doemos Llazar Kodra do që të shlyejë mëkatin, madje të kthejë edhe të hollat që u kishte marrë prindërve të Dorinës, që tashmë kishin ndërruar jetë. Pas këtij rrëfimi si dhe ato që i kishte treguar më parë vjerra -nënë për nishanin, Dorina bindet se çfarë kishte ngjarë me trupin e saj. Mëdyshjet që e kishin munduar prej vitesh u zbardhën. Por, siç thotë populli “u hoq gozhda, por mbeti vrima”, mbeti plaga në thellësi të shpirtit të saj.

Për bukurinë e tyre, për krahasimet e spikatura, për mendimin filozofik që përcjellin, shumë fjali të mbeten në mendje: ”Retë e bardha si ameba gjigande vijonin të luanin me hënën.” “Kishte nevojë të ulërinte sa ta çante qiellin e asaj nate”. ”Njeriu është si një pus i thellë ku nuk arin dot t’i shohësh fundin.” “Ndarja në një martesë ferr, është shpëtim.” Ashtu si në romnet e tjerë edhe “Nishani” të çon sa në Shqipëri edhe në Amerikë, pasi janë realitete që Shefqeti i njeh mirë duke u bërë pjesë e pandarë në krijimtarinë e tij. Diku ai thotë: ” Fatkeqësisht në vendin tonë shqiptarët dehen me politië e gënjeshtra, ndërsa në Amerikë ka punë, para dhe liri.” Por, le të mos zgjatemi më, pasi diku kam lexuar “bukuria qëndron në shkurtësinë e gjërave.” Pas ”Nishanit” , Shefqeti me siguri do na gostitë me krijime të tjera të bukura.

Filed Under: LETERSI

“Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”

January 20, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi

SHBA-ja po përballet me një nga shpërthimet më të rrezikshme të dimrit, teksa Vorteksi Polar – një masë gjigante ajri arktik – është zhvendosur nga Poli i Veriut drejt jugut, duke bllokuar vendin në temperatura ekstreme, erëra shkatërruese dhe stuhi dëbore që po paralizojnë jetën e përditshme.

Vorteksi Polar është një rreth i madh ajri jashtëzakonisht të ftohtë që zakonisht rrotullohet mbi Arktik. Kur ky sistem dobësohet ose zhvendoset, ajri polar “shkëputet” dhe zbret drejt jugut, duke sjellë temperatura nën zero, erëra të forta dhe kushte ekstreme dimërore në SHBA, Evropë dhe Kanada. Meteorologët e përshkruajnë këtë fenomen si një burg akulli që hap dyert dhe lëshon të ftohtin ekstrem mbi qytetet.

Whiteout dhe përplasje masive në Michigan

Pasojë direkte e këtij ftohti ekstrem ishin kushtet whiteout, ku bora dhe era zhdukën plotësisht pamjen. Në Michigan, mbi 100 automjete u përplasën zinxhir në autostradën Interstate 196, në Zeeland Township, duke krijuar një skenë kaotike që autoritetet e quajtën “jashtëzakonisht të rrezikshme”.

Aksidenti ndodhi në Interstate 196, në Zeeland Township, Michigan, rreth orës 10:19 paradite me orën EST. Rruga është mbyllur për të gjithë qarkullimin. Zyra e Sherifit të Qarkut Ottawa dhe Menaxhimi i Emergjencave të Qarkut Ottawa njoftuan se autobusë po transportojnë njerëzit e bllokuar në rrugë larg vendit të aksidentit. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të qëndrojnë në automjetet e tyre derisa të kenë mundësi të hipin në autobus.

Shkollat Publike të Hudsonville dhe shërbimet e transportit publik të Holland, Michigan, po ofrojnë transport drejt Shkollës së Mesme Hudsonville.

Policia e Shtetit të Michiganit vlerëson se 30 deri në 40 kamionë të mëdhenj (semi-trucks) ishin të përfshirë në përplasje. Shumë persona janë lënduar, por nuk janë raportuar viktima.

Kushtet whiteout kanë shkaktuar disa aksidente të hënën, me disa prej tyre që përfshinin 15 automjete ose më shumë. Një pjesë e rrugës U.S. Route 131 është mbyllur në Kalamazoo, Michigan, për shkak të aksidenteve të shumta.

Kamionë të mëdhenj kanë qenë të përfshirë edhe në aksidentet në zonën e Kalamazoo-s, me disa kamionë që janë kthyer anash (jackknifing) në rrugë.

Policia e Shtetit të Michiganit konfirmoi se 30–40 kamionë të mëdhenj ishin të përfshirë në aksident, disa prej të cilëve u kthyen anash si lodra nga era e fortë. Dhjetëra persona u lënduan, por për mrekulli nuk pati viktima. Autostrada u mbyll plotësisht, ndërsa autobusë emergjence u dërguan për të shpëtuar shoferët e bllokuar mes stuhisë së borës.

Amerika nën akull

Më shumë se 230 milionë amerikanë u zgjuan me temperatura nën zero. Në Mesperëndimin e Sipërm, ndjesia e ftohtit nga era arriti deri në -40 gradë, duke krijuar kushte ku ngrirja e lëkurës mund të ndodhë brenda 10 minutash. Qytete të mëdha si Chicago, Milwaukee dhe Minneapolis u shndërruan në zona rreziku ekstrem.

Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërime për stuhi dimërore, erëra të dhunshme dhe dëborë nga efekti i liqeneve, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Më e keqja ende nuk ka ardhur

Meteorologët paralajmërojnë se një valë e dytë arktike po vjen, edhe më e fortë, duke mos i lënë rajonit kohë për t’u rimëkëmbur. Ky “pushtim i akullit” mund të sjellë stuhi të reja dimërore edhe në Jug dhe në Bregun Lindor — zona që rrallë përballen me dëborë të tillë.

Vorteksi Polar është zgjuar dhe Amerika është futur në një betejë të ashpër me dimrin.

Filed Under: Analiza

Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

January 20, 2026 by s p

Mihal Ciko

Gazetar/

Pjesa II e trilogjisë mbi gjuhën dhe diasporën shqiptare/

Në një kohë kur shqipja po zbehet gjithnjë e më shumë në diasporën shqiptare, ekziston një përjashtim domethënës që nuk mund të injorohet: diaspora kosovare. Në shumë vende të Europës dhe më gjerë, kosovarët vazhdojnë ta flasin, ta transmetojnë dhe ta mbrojnë shqipen edhe te brezat e rinj.

Kjo nuk është rastësi. Është pasojë e historisë.

Për kosovarët, gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë e vetëkuptueshme. Ajo është ndaluar, përjashtuar dhe përndjekur. Ka qenë shenjë identiteti, por edhe arsye ndëshkimi. Pikërisht për këtë arsye, shqipja nuk u përjetua si diçka që “do të ishte aty gjithmonë”.

Kur një komunitet e kupton se gjuha mund t’i merret, ai mëson edhe ta ruajë.

Diaspora kosovare nuk e mori shqipen me vete si element folklorik, por si vijë mbrojtjeje.

Familja si bastion i shqipes

Në diasporën kosovare, familja mbetet hapësira kryesore e gjuhës. Shqipja flitet në shtëpi, në komunikimin e përditshëm, në marrëdhënien prind–fëmijë. Kalimi në gjuhën e vendit pritës ndodh, por jo duke zëvendësuar shqipen.

Kjo nuk është thjesht zgjedhje personale. Është normë e heshtur komunitare. Prindi që nuk ua transmeton fëmijëve shqipen nuk shihet si “modern”, por si i shkëputur.

Në këtë kuptim, familja kosovare në diasporë funksionon si institucion gjuhësor, jo si hapësirë e paqëndrueshme.

Komuniteti që e mban gjuhën gjallë

Ndryshe nga shumë pjesë të diasporës shqiptare, diaspora kosovare ka ndërtuar struktura reale: shkolla shqipe, shoqata aktive, media komunitare, aktivitete të rregullta kulturore dhe fetare.

Shqipja nuk mbetet vetëm brenda mureve të shtëpisë. Ajo dëgjohet, përdoret dhe normalizohet në hapësira publike. Kjo i jep gjuhës funksion shoqëror dhe e bën pjesë të jetës së përditshme të fëmijëve.

Një gjuhë që ka hapësirë publike, ka të ardhme.

Ideologjia e rezistencës

Në thelb të këtij modeli qëndron një ideologji e qartë: shqipja nuk negociohet. Nuk justifikohet, nuk relativizohet, nuk shtyhet për më vonë.

Mesazhi është i thjeshtë:

“Nëse humbim gjuhën, humbim veten.”

Kjo vetëdije nuk është produkt i fushatave apo strategjive shtetërore. Është përvojë e jetuar. Dhe pikërisht për këtë arsye është e fortë.

Shembulli i diasporës kosovare rrëzon një nga justifikimet më të përdorura: se asimilimi gjuhësor është i pashmangshëm. Nuk është.

Dallimi nuk qëndron te vendi ku jeton diaspora, por te mënyra si e koncepton gjuhën: si barrë, apo si vijë mbrojtjeje.

Diaspora kosovare tregon se ruajtja e shqipes është e mundur edhe larg atdheut, edhe nën presion të fortë integrimi. Kërkon vetëdije, strukturë dhe bindje.

Në një kohë kur flitet shumë për diasporën shqiptare, ndoshta është momenti të shikojmë aty ku gjuha nuk po humbet – dhe të pyesim veten pse.

Sepse një diasporë që mbron gjuhën, mbron edhe të ardhmen e saj.

Filed Under: Sociale

“Exodus” – rrugëve të Çamërisë

January 20, 2026 by s p

Luan Rama/

Nuk mund të ndërtohet e ardhmja mes dy popujve tanë fqinj pa e pranuar këtë njollë historike.

Në arkivin e United Nations, një mori fotografish fëmijësh mu shfaqën papritur duke vështruar përtej viteve, përtej kohës. Janë të mbijetuarit, të handakosurit, ata që mundën ti shpëtojnë masakrës barbare të kolonel Zervës dhe kolonel Kamaras, që në shoqërinë e peshkopit të Filatit i shohim të zbresin të armatosur kalldrëmeve të qytezave çame në atë prag të fundit të luftës, në mars të vitit 1944 dhe në shtatorin e vitit 1945. Zbrisnin për zgjidhjen finale të çështjes çame : « Në Greqi këtej e tutje nuk do të dëgjohet më fjala shqipe » – betohej Zervas. « Në Greqi duhet të banojnë vetëm grekë dhe asnjë komunitet tjetër jo grek ! » Ishte « çështja finale » që na kujton barbari të tjera të kohës së vjetër dhe të mesit të shekullit XX në Europë.

Fotografitë kanë mbishkrimet e tyre : S-0800-001-03-2. United Nations Archives. UNRRA… S-0800-001-13-3 UNRRA; S-0800-001-13-4 UNRRA… Disa prej tyre janë pa emrin e autorëve, por vetëm me kode, pra të fotografuara nga fotografë zyrtarë të dërguar nga UNRRA. Të tjera janë me titujt “Chams refugees in Kavaja”, march 1945 ». Të tjera fotografi janë fiksuar në Vlorë… Fotografët përtej Atlantikut ishin dërguar në kampin e refugjatëve të ngritur në Kavajë për të fotografuar në fundin e vitit 1945. Madje disa prej tyre mbajnë dhe emrin e fotografit të njohur shqiptar Vasil Ristani, siç shkruhet poshtë fotografive.

Vështrojini fotografitë, vështrojeni trishtimin dhe dhimbjen e thellë të syve të atyre fëmijëve, shumica këmbëzbathur e pa ngrënë, pa patur kohë të marrin rroba e bukë në arratinë e madhe. Janë mijra fëmijë të një eksodi që askush nuk e kishte menduar se kjo mund të ndodhte në mbarimin e luftës çlirimtare, në mesin e shekullit XX. Shumica janë jetimë. Duket sikur mbartin në kurriz ende prindërit e tyre masakruar me thika dhe armë dhe hedhur pastaj në gropa. Supet u rëndojnë nga tragjedia që mbartin ende. Ju mungojnë nënat dhe baballarët, gjyshe apo gjyshër që s’do të mund ti shohin më, veç në ëndërr. Në sytë e tyre tashmë është ngjizur veçse një histori krimi, madje ngjizur gjer në ashtin e tyre të njomë që mjerisht ata do të rriten me këtë kujtim të pashqitur që një ditë s’do ta shohin më veç pas vdekjes së tyre. Dhe me pafajsinë e tyre në celuloidin e filmit ata akuzojnë! Histori të tilla nuk mund të shuhen. Për to nuk mund të heshtet. Populli menjëherë e ngre martirin në këngë. Dhe populli çam, edhe pse i ç’rrënjosur nga barbaria e një republike greke, këngët e këtij eksodi i ka të shumta, sepse njerëzit jetuan dhe jetojnë ende me tragjeditë dhe dramat e popullit të tyre.

Shumë nga këta fëmijë të këtyre fotografive sot janë 85-90 vjeçare. Disa prej tyre i kam takuar. I kam dëgjuar në funerale apo në dasma, në dëshmitë e tyre të filmuara. Ata nuk i kanë harruar ato ditë dhe nuk duan ti harrojnë. Janë fjalë amaneti për brezat. Të tjerë “fëmijë-90 vjeçarë” do ti gjeni në filmat e realizuar për tragjedinë çame. Ata flasin dhe dëshmojnë aty për atë ç’kanë parë dhe udhëtimin e tyre të tmershëm për të mbijetuar dhe ardhur drejt nënëmadhes Shqipëri, në Qafë Botë apo drejt Koskës, për të arritur në Vërvë, Dishat, Sopot, Konispol, të tjerë drejt Murzinës për të zbritur në Sarandë dhe fjetur më së fundi në fushat e Shqipërisë. Si mund ta harronin atë eksod? Si? Bahije Memko nga Paramithia, që atëherë ishte veçse 9 vjeç, ende e kujton kur kishte përballë fytyrën e Zervës me mjekrën e gjatë dhe sytë e tij të egër, skuqur nga gjaku. Gjithçka e ka të gjallë, vrasjen e babait, masakrën dhe trupat e të vrarëve mbledhur në shtëpinë e madhe të Tahir Muhamedinit. “Unë isha 7 vjeç, – thotë Fadil Nuriu, po nga Paramithia dhe sytë i lëshojnë lot. – Burrat i çuan në thertoren e qytetit. Atje i vranë. Nënën time e dogjën dhe disa ditë më vonë ajo vdiq duke na thënë: Shkoni, ikni, shpëtoni sa më parë! Pastaj ne morrëm arratinë për të ardhur në Shqipëri”. – Dhe unë isha 8 vjeç, – thotë Kadrie Osmani, nga Spathari. – “Rruga kur iknim drejt Sajadhes ishte mbushur me kufoma…” – “Ndërsa unë isha 9 vjeç, thotë Nafije Nafizi nga Arpica. – Mijra herë e kam parë fshatin në ëndërr dhe shpesh qaja dhe në gjumë”. Sejko Hasani kujton puset e Mazrekut dhe të vrarët… Qindra dëshmi janë mbledhur nga gazetarja Luli Progni. Të gjithë kujtojnë atë largim të tmerrshëm dhe shpirti u kullon ende plagë. Edhe pse në fund të jetës, ata kujtojnë dhe i dëshmojnë sot historisë.

Eksodi nuk harrohet, ashtu siç nuk e harrojnë hebrenjtë eksodin e tyre biblik, siç nuk e harrojnë eksodin qindra mijra armenë që morrën rrugën e shpëtimit; siç nuk e harrojnë dhe popuj të tjerë. Por ndryshe nga ta, eksodi çam ndodhi në kohë paqeje, ndodhi nga një vend fqinj që mbahej si republikë, një vend ku shqiptarët u bashkuan me grekët për të luftuar fashizmin dhe ushtrinë hitleriane. Po, ky ishte një eksod i vërtetë, një spastrim etnik. Dhe sytë e fëmijëve në këto fotografi e thonë menjëherë këtë. Janë sy që dëshmojnë për barbarinë. Një nga këta fëmijë e takova në Salem të Bostonit. “Doja të kthehesha të shihja shtëpinë në Çamëri, – më pohoi, por grekët më thanë: “Ti ke qenë fashist dhe s’ke më vend në Greqi!” – “Unë fashist, një 6 vjeçar?”, – qeshi hidhur ai.

I shoh sot këto fotografi të arkivit të UNRRA-s dhe ndjej një dhimbje të madhe. Ja një fëmijë 7 vjeçar që mban në kurriz një vogëlush 2 vjeçar. Me siguri jetim, me siguri është vëllai i tij që ka mbajtur rrugës duke ardhur në Shqipëri. Imagjinoni një çast këtë fëmi në rrugëtimin e gjatë mes zjarresh e krismash me dhjetra e dhjetra kilometra, përmes natës së errët duke kapërcyer atë luginë që më pas hyri në historinë e re me termin “Lugina e Vdekjes”. Oh, ç’udhë e përgjakur, përmes vdekjes dhe stuhisë për të mbërritur në tokën e shpëtimit. Të tjera fotografi parakalojnë para syve të zbathur, të xhveshur, fytyra të përhumbura që ende nuk e besojnë se përse ndodhi kjo gjëmë, kjo hata, ndërkohë që tek dikush bëhej dasëm, diku tjetër flinin ku një nënë përgatiste një fli për të nesërmen, një tjetër ujiste mullagat dhe borzilokun në parvazet e shtëpisë…

Përse ata ushtarë të popullit fqinj zbarkonin ashtu si skifterë të zinj dhe therrnin këdo, përdhunonin, sakatosnin, prisnin trupat e njerëzve të pafajshëm dhe gjaku kullonte mbi lumin Kalama, në brigjet e Çamërisë së paqtë buzë Jonit. Përse? Përse intelektualët e shquar të Greqisë nuk e ngritën dorën dhe zërin kundër barbarisë, përse nuk shkruan një pamflet të paktën për këtë akt të barbarisë që kryhej para syve të tyre. Një ditë ata e kanë kuptuar këtë, por u ka ardhur turp ta pranojnë fajin e tyre. Ishte gjeografia e madhe dhe e tmerrshme e krimit nga Paramithia në Margëlliç, Igumenicë, Margëlliç, Filat, Lopës, Varfanj…

I vështroj këta fëmijë ashtu në turma, dhe më ngjan se ata pyesin: “Po tani? – thonë sytë e tyre, vallë a do të kthehemi në shtëpitë tona? Kërkëllimat e armëve nuk dëgjohen më, as zërat e çjerrë të kolonel Zervës, Samaras,Vitos apo Harrallambopullos. Stuhia e tmerrshme duket se ka pushuar!”

Në një nga fotografitë fëmijët qeshin. Nuk qeshin me fatin e tyre por me fotografin e huaj që po i fotografon. Askush si duket nuk i ka fotografuar më parë dhe kjo e qeshur nuk është e qeshura e lumturisë, nuk është fytyra e gëzimit por fytyra e kureshtjes. Nuk di nëse ata njerëz që kam njohur dhe më kanë treguar për atë kohë krimi kur fëmijë nxitonin drejt Shqipërisë, gjenden midis këtyre fotografive. Arkivat flasin edhe pse në arkivat greke nuk i tregojnë këto foto të krimit… Por a mund të fshihet historia? A mund të fshihen nga kujtesa e botës këto fytyra të Exodus?… ”Chams refugees. March 1945 ». S- 13.07, S-13.08… S. 13.28.

Çfarë duhet më tepër për ta pranuar krimin dhe për të kërkuar pardonin e madh?

Gjithë këta fëmijë janë aty, ngjizur në celuloidin e filmit dhe dëshmojnë me ekzistencën e tyre. Ti shpëtosh vdekjes së sigurtë është në fund të fundit dëshmija më direkte dhe e pakundërshtueshme edhe pse Republika greke mohon gjithçka, hesht për gjithçka dhe nuk do të përmendet më emri “çam”, “Çamëri” !

Tashmë shumë dhjetvjeçarë kanë kaluar dhe këta fëmijë të dikurshëm e të mbijetuar me shijen e hidhur të shkrumit dhe të zjarrit po vdesin një nga një, gjersa një ditë s’do të mbesi më askush nga ata. E megjithatë në sytë e tyre kanë mbetur të ngjizura ditët dhe netët e eksodit ku një kosë vdekjeje i ndiqte nga pas. Por edhe kështu, përmes fotografisë ata dëshmojnë gjithnjë. Ata akuzojnë. “Exodus” është një referencë për kohën që jetojmë, për atë që s’duhet të ndodhë më.

Sytë e këtyre fëmijëve na shfaqen sot nga gjumi i arkivave dhe duket sikur na thonë: “Po ju pse heshtni? Përse nuk flisni? Keni kaq kohë që nuk flisni!…

Ju grekë, shqiptarë, ballkanas, europianë, popuj të botës, përse kjo indiferencë dhe heshtje e gjatë për këtë krim që u është fshehur. Çdo eksod është njê plagê e pashërueshme në zemër të njerëzimit! Nuk mund të ndërtohet e ardhmja mes dy popujve tanë fqinj pa e pranuar këtë njollë historike, këtë krim të pashoq në historinë midis grekëve dhe shqiptarë. Në histori, luftrat e përbashkëta na kanë bashkuar, krimet na kanë ndarë. Por tashmë është koha e pardonit dhe e të ardhmes sonë të përbashkët.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT