PRESIDENTI TRUMP E SHEH ME OPTIMIZËM RIHAPJEN E EKONOMISE, GUVERNATORËT KËRKOJNË FONDE FEDERALE /
NGA DALIP GRECA/
Presidenti Trump edhe në daljen e së Dielës(19 Prill 2020) u shfaq optimist për mposhtjen e koronavirusit, i cili siç tha ai, e arriti kulmin dhe tash një pjesë e shteteve do të nisin rihapjen.Betejën e Amerikës me COVID-19 presidenti e cilësoi pozitivisht të kontrolluar, duke e krahasuar SHBA-në me Gjermaninë.
Duke filluar nga e hëna Teksasi dhe Vermont do të nisn rihapjen e bizneseve, ndërkohë që bashkia e Jaksonville në Florida e nisi rihapjen me hapjen e plazheve. Presidenti porositi se nuk duhet të hiqet dorë nga distancimi. Lidhur me protestat e së dielës në Teksas, Indiana etj, apo edhe ato në Michigan, Ohio, Utah, etj. gjatë ditës së dielë, presidenti tha se ata kanë të drejtën e tyre që të kërkojnë heqjen dorë nga mbyllja dhe hapjen e bizneseve për ringritjen e ekonomisë.
Mirëpo jo të gjithë shtetet mendojnë si presidenti. Governatorët në të dy krahët politik thanë të Dielën se qeveria federale duhet të rritë mbështetjen e saj për shtetet që përpiqen të fillojnë testimin masiv të koronavirusit për të krijuar siguri në rihapjen e ekonomisë. Ata kërkuan fonde federale dhe testime masive.I ashpër ishte në reagimin e tij Guvernatori Nga Virginia, Ralph Northam (Demokrat), i cili i quajti pretendimet e administratës Trump për burime të mjaftueshme”mashtruese”. Gjithësesi shenjë pozitive është fakti se administrata e presidentit Trump dhe drejtuesit e kongresit janë afër arritjes së një marrëveshje për të siguruar edhe 400 miliardë dollarë plus për të rinovuar fondet për një program kredie për biznesin e vogël.
Me gjithë këmbënguljen e presidentit për hapjen e ekonomisë, rreth 60 përqind e votuesve në Sh.B.A janë shumë të shqetësuar për rihapjen e menjëhershme të ekonomisë, sipas një anketimi të NBC News dhe Wall Street Journal.
Edhe New Yorku, qendra e pandemisë, është një ndër ata shtete që e kundërshtojnë hapjen e menjëhershme si në nivel qyteti ashtu edhe në nivel shteti.
Edhe pse Shteti ka një ulje graduale të përditshme të numrit të vdekjeve, si guvernatori Cuomo ashtu edhe kryebashkiaku Bill De Blasio nuk e shohin të afërt rihapjen, edhe pse kanë caktuar 15 majin si kufi të mundshëm.
Zyrtarët në Albany dhe në Manhatatn ende paralajmërojnë se New York City dhe pjesa tjetër e shtetit nuk janë të gatshëm të rihapin bizneset, shkollat apo të lejojnë grumbullimet.
Kryetari i bashkisë Bill de Blasio paralajmëroi të Dielën se me ardhjen e motit të pranverës, qyteti do të kërkojë më shumë zbatimin e rregullave të distancës sociale.
Po si është tabloja e betejës kundër COVID-19 në New York? Të Shtunën, numri i vdekjeve prej koronavirusit në shtetin e New York-ut ra nën 550 për herë të parë në mbi dy javë, të Dielën me 19 prill shifra u ngrit pak dhe shkoi në 627(numri i përgjithshëm i të vdekurëve 18 mijë e 298, ndërkohë që numri i të vdekurve të rinj për SHBA të Dielën u raportu në shifrat 1 mijë e 539, dhe në total 40 mijë e 533), ndërsa numri i të infektuarëve të rinj për New York ishte rreth 1 mijë më pak se një ditë më parë,por kriza nuk ka përfunduar, spitalet ende raportojnë rreth 2,000 pacientë të rinj COVID-19 në ditë.
De Blasio tha se joshja nga moti i ngrohtë i pranverës i njujorkezëve do të jetë një sfidë e vështirë, por ai paralajmëroi se nuk do të ketë lëshime. Ai kujtoi se rregulli, distancimi, do të mbrohen nga policia dhe shkelsit e rregullit do të përballen me gjoba deri në 1 mijë dollar. Kryebashkiaku nxiti qytetarët që nëse shohin grumbullime të fotografojnë dhe të njoftojnë autoritetet.
Në bashkitë e qytetit kanë humbur jetën nga beteja me COVID-19 rreth 13,000 njujorkezë, që nga 1 marsi, kur u raportua rasti i parë i koronavirusit. Shteti i New Yorkut ende ka problem me shifrat e vdekjeve për shkak se më shumë se 4,000 vdekje në New York City, që u raportuan se vdiqën nga virusi në çertifikatat e vdekjes, por që nuk u konfirmuan nga një test laboratori. Më shumë se 2,700 persona kanë vdekur në shtëpitë e pleqve në New York, shifër kjo më e lartë se në çdo shtet tjetër.
Një problem i rëndë për New York-un ka qenë dhe mbetet numri i lartë i oficerëve të Departamentit të Policisë të infektuar me COVID-19, por që fatmirësisht këtë javë ka filluar të bjerë ndjeshëm. Sipas Associated Press, departamenti më i madh i policisë ka raportuar se rreth 5,324 mbrojtës të rendit me uniformë të policisë ishin të sëmurë deri të shtunën, shifër kjo që përbën rreth 15% të forcës policore, por kjo shifër është më e ulët se ç’ishte që nga 9 prilli.Deri më tani, më shumë se 2,000 pjestarë të NYPD të testuar pozitivë janë rikthyer në punë, pasi kaluan karantinën dhe u shëruan.
Problemi më i madh për New Yorkun është përballja me deficitetet e mëdha në buxhet. Kryebashkiaku De Blasio tha gjatë të Dielës se nuk po bëhet sa duhet nga Qeveria Federale për të ndihmuar financat e zonave të goditura nga pandemia. Ai i është drejtuar Presidentit Trump dhe adminsitratës së tij me pyetjen: A doni ta shpëtoni New York City apo po i thoni New York-ut të bjerë i vdekur?
Gjuha dramatike e De Blasio erdhi gjatë konferencës së tij për shtyp të Dielën, pasi ai paralajmëroi javën e kaluar se planifikoi të shkurtojë 2 miliardë dollarë të tjerë nga buxheti i shërbimeve komunale të qytetit për shkak të rënies ekonomike. Ai tha se qyteti ka të ngjarë të humbasë të paktën $ 7.4bn në të ardhura tatimore gjatë vitit fiskal aktual dhe atë të ardhshëm.
De Blasio ka kritikuar paketën e lehtësimit të koronavirusit që Trump nënshkroi muajin e kaluar, duke thënë se New York-u mori vetëm 1.4 miliardë dollarë nga stimuli, krahasuar me rreth 58bn dollarë për industrinë e linjave ajrore. De Blasio i dërgoi një mesazh të hapur administrates, dhe i bëri jehonë një titull të gazetës Daily News në New York gjatë krizës së falimentimit të qytetit të viteve ’70, pasi Gerald Ford aso kohe ka mbajtë një fjalim në 1975, duke thënë se ai do të vinte veton ndaj një projekt-ligji federal që do të ndihmonte në shpëtimin e New York City nga falimentimet.De Blasio përdori shkrimin e Daily News që kishte në ballinë atë kohë titullin :
“Ford to City: Drop Dead “! De Blasio: “Pra, pyetja ime është, Z. Trump, Z. President, do të shpëtoni Nju Jork City apo po i thoni Nju Jork-ut që të bjerë i vdekur?