Shkruan
Shkruan:Eugen SHEHU
28 nëntori i vitit 1912,do të mbetet për ne shqiptarët si një kryedatë e pamortshme.Ajo do të shërbejë kurdoherë për ne si një tempull në pragun e të cilit,përpara se të hyjmë do të dëgjojmë sigurisht gjëmimet shekullore të historisë.Paskëtej pas trokitjes sonë në këtë tempull,do të na shfaqet e madhërishme ajo epope të cilën e quajmë ende sot “Mëvehtësia e Shqipërisë”. 28 nëntori i vitit 1912 tregoi tek e mbramja se populli ynë edhe pse i robëruar nëpër shekuj,nuk ishte pajtuar me këto robëri në dejet tonë zgjohej liria,në shpirt,kuraja dhe guximi i madh për sakrifica e sublime. Se sa është dimensioni i saj tek e fundit u provua me rastin e 100 vjetorit një hegjemonizim i paparë i kombit tonë , sikur tu rrëfente pushtuesve dhe armiqëve tanë që nga ajo kohë e gjerë më sot dhe në të ardhmen se dimensioni patriotik e atdhetar i shqiptarëve është i pashuar i një trupi që i mungojnë gjymtyrët e prera padrejtësisht dhe dinakërisht,ishin mesazhet e përcjella nga Vlora, Prizëreni e Shkupi se Kombi ynë nuk do ti flakë tapitë e përgjakura për pronat që na i ka falur Zoti.
SHTEGU NGA VINTE DATA 28
Mendoj se në këtë shteg,të parat hapa i hodhën burrat e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Iljaz Pashë Dibra,Abdyl Frashëri,Jakup Ferri,Sulejman Vokshi,Ymer Prizëreni ideuan pavarsinë e trojeve arbërore.Guximi i tyre i pashoq,në thelb do të ishte zjarri i pashuar i shqiptarizmës,do të ishte klithma e lirisë në muzgun e gjatë.Hapat e tyre të parë,do të ftonin në këtë rrugë të gjatë e të vështirë,krejt ata shqiptarë në zemrat e të cilëve rilindete ideali i shenjtë i mëvehtësisë.Ata ishin të parët.Pas hapave të tyre ngarendën me mijëra që nga Plava në Prevezë,që nga Vlora e në Mitrovicë nga Shkodra e në Shkup.Gjaku i lidhte shqiptarët jo vetëm nëpërmjet shungullimave të historisë por sidomos në emër të së ardhmes që trokiste.Në qershorin e vitit 1911,në Gërçe u firmos prej krerëve të Malësisë së Shkodrës e Kosovës memorandumi i cili do të merrte më pas emrin e vetë Gërçes.Aty Ded Gjo Luli e trimat që e rrethonin,bashkuan gjokset dhe pushkët duke treguar tek e mbramja se ndryshimet e mëdha do të vijnë përmes ideve,shpresave por edhe flijimeve të mëdha. Kërkesat e memorandumit të Gërçes ishin ultimative dhe krejtësisht të shprehura për “Mëvetsinë e Shqipërisë”.Ato kërkesa suallën përshtjellime të mëdha në rrjedhat politike të Portës së Lartë e cila mbante peng lirinë e popullit tonë në saj të manipulimeve dhe qëllimeve të vërteta të Fuqive të Mëdha si edhe interesave të tyre në Ballkan.Por zgjimi me krisma tashmë kish pushtuar krejt Kosovën.Isa Bolentini në krye të trimave të tij,po merrte pëllëmbë për pëllëmbe tokën e shenjtë të Mitrovicës.Kalaja e tij,atje në Boletinin e largët ishte kthyer në bastion të patundur.Mbi supet e atyre kullave ranë rrëbeshet e topave dhe predhave të Xhavit Pashës.Muret u rrënuan po thmelet mbetën.Brenda imazhit të atyre themeleve,brenda atij zjarri dhe hiri të mbetur,gjalloi kurdoherë pema e lirisë.Sythet e kësaj pene kanë në farën e tyre hovet e jetës shqiptare.
Ndërkaq në Shkup,Hasan Pristina,Nexhip Draga,Sali Gjuka e Bajram Curri,kanë firmosurr një peticion ku i drejtohen Evropës se lufta e shqiptarëve nuk bëhet për hesap të askujt,veç të pavarsisë të trojeve arbërore.Tashmë edhe Evropa duhej të kujtonte se era e re e ndryshimeve që kish nisur të fryjë në Ballkanin e trazuar,nuk mund të kishte epilog tjetër veç lirinë aq shumë të ëndëruar si një Komb i shtypur dhe i sunduar. Dervish Hima dhe Faik Konica,me pendën e tyre i drejtoheshin forcave përparimtare të kohës që të mbështetnin moralisht Shqipërinë,ngase Rusia,Serbia,Greqia e Franca,hidhnin mjergull pa ndërprerë mbi të shkuarën dhe të ardhmen shqiptare.Fehmi Zavallani e Gjergj Qiriazi nuk munguan të ngrenë në trevat shqiptare të Maqedonisë,Komitetet e Shpëtimit duke propaganduar në popull idetë e mëdha të rilindjes sonë kombëtare.Ndërsa Luigj Gurakuqi do të ndërmerrte fushata në Rumani,Itali e Stamboll,duke i thirur ndërgjegjes së shqiptarëve të atejshëm që këta të grumbullonin para e të mblidhnin armë për kryengritjen që po trokiste.Ka qenë pikërisht kjo veprimtari e gjërë atdhetare që ka sensibilizuar atdhetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë:kështu,në një letër që Françesko De Rada (nipi i Jeronin De Radës) i dërgonte Luigjit, thuhej ; “Sytë e botës janë sjellur nga ju dhe ,nëse do arritni të bëni një lidhje,Turqia pa tjetër do largohet”.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi L. Gurakuqi,dosja 36,dok.74,letra 14 qershor 1911).
Në Shkodër e në Vlorë në Manastir e Ferizaj,deri në Korfuzin e largët,populli i revoltuar u ngrit në këmbë.Ai parandjente furtunën që do të niste.Ai kërkonte armë,ai u thoshte bijve të vet trima ; Përpara në udhëhiqni,aty ku do hidhet hapi i juaj,aty është besa e jonë,është ndera dhe jeta jonë ! Historia po thërriste këta burra.Shumë prej tyre u përgjigjën.Në shtator të vitit 1912,Porta e Lartë e thirri Ismail Qemalin duke i propozuar postin e Ministrit të Jashtëm të Perandorisë.Mirëpo burri i shqipërisë iu përgjigj ; “ Ju falenderës.Nuk mund të pranoj pse ka ardhur ora që Shqipëria të shkunde zgjedhën”.Dhe burri i Shqipërisë,linte kolltukun gjithë ate nderë të Perandorisë, e merrte udhët e Evropës.Ai donte të bindëte këtë Evropë se shqiptarët vlejnë të fitojnë lirinë e tyre,meqë këtë liri ata askurrë se pritën si dhuratë nga askush por kurdoherë ngarendën drejt saj duke lënë prapa lumenj të tërë gjaku.Po ndërsa Evropa i fliste burrit shqiptar me gjuhë diplomatike, bashkëatdhetarët e tij i ngrinin moralin duke u bashkuar me ide dhe veprime.Nuk mund të jetë e rastit që me 5 nëntor 1912,Ismail Qemali nga Bukureshti,telegrafonte në Durrës ; “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar.Telegrafoni kudo,të kenë besim të plotë,ndë fatin e atdheut”(Arkivi Qendror i Shtetit fondi 245/1,dosja 1,fleta 14 ).
Bijtë e Shqipërisë erdhën nga çdo vis i largët për në folenë e tyre.Së thelli,në shpirt ata ndjenin drithërimat që u falte çasti i madh.Vinin lugjeve vinin maleve,herë në këmbë,herë në kuaj e në qerre,herë përmes pusive të ngritura.Se pusitë e errëta nuk mund të duronin dritën që do të buronte pas asaj dite fatlume.Vinin të lodhur prej brengave,prej halleve por me besimin e madh në shpirt se këto brenga të tyre personale do të shëndroheshin një ditë në gazin madhor të nënlokes së tyre.Vinin edhe pse e dinin se plumbi mund t’ua merrte jetën.Por ata ç’prej bëlbëzimeve të para,ç’prej ninullave të para të djepit,jetën e tyre ja patën falur Shqipërisë.me këtë rast,revista “Ylli i Mëngjezit” do të citonte ; “ç’ka bërë Ismail Qemali sot për Shqipërinë,ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij,ate mund ta gjykoje vetëm ai njeri që pa veprat e tij… Kur dualën nga Durrësi ishin 40-50 shpirt,të gjithë të armatosur me malihere.Udhës pastaj hasën në të tjera delegatë nga vise të largëme dhe u bënë qindra.Duke shkuar nëpër fushat e Myzeqesë në të cilat,veç ujrave dhe baltarvet kemi edhe vise të bukura që s’gjenden në botë,arritëm në 13 të vjeshtës së tretë,me 11 të natës allafranga në Vlorë “.(Revista “Ylli i Mëngjezit” faqe 198 – 30 nëntor 1913 )
Fund nëntori i Vlorës së vitit 1912,njëherazi do të shërbente si një ogur,i bardhë në kapërcyell të dy epokave.Këtë e parandjenë krejt shqiptarët dhe jo vetëm ata që ishin në Vlorë.Kudo në çdo vis të atdheut tonë,ndërsa vraponte lajmi për rrëzimin e mbrame të despotizmit osman sheshet gjëmonin nga thirjet për Flamurin.Mezi e prisnin bashkëkombasit e mij këtë ditë ngase me flamurin kuq e zi lidhje jo vetëm e sotmja e tyre por edhe e kaluara e largët,e hidhur,e zezë si nata.Simbolika e Flamurit tonë,i kish kapërcyer prej kohësh kornizat e thata të ceremonialeve,kjo simbolikë ishte lidhur me një simbiozë të çuditshme me egzistencën fizike të shqiptarëve në trojet e tyre.Por,e parë në një rrafsh më të gjërë,data e 28 nëntorit e vitit 1912 pos të tjerave zbuloi edhe një mit të përgjumuar e të dhunuar të shqiptarëve siç ishte ai i bashkimit ndër vedi.Dhe kjo përgjumje ka arsyet e veta.Kur Turqit e vjetër e të rinj,kur carët e vjetër e të rinj,kur knjazët e vjetër e të rinj,nuk na i dualën dot me pushkë e me topa,ata përdorën njëmijë e një dredhi duke infiltruar ndër ne,përçarje fetare,fisnore e krahinore.Mirëpo duhet të pranojmë se jo pak gjak u derdh prej hakmarrjes së verbër e të imponuar, në udhët që të shpinin në kullat tona.Odat e tyre të larta e të ftohta e ruajnë ende në kujtesë klithmën e gjakut,klithmën e jetës së prerë në mes të vllaut prej vllaut. Vlora e vitit 1912,i mblodhi burrat shqiptarë,i brohoriti e derdhi lot dashurie për ta,ngase pa se flamuri kuq e zi vinte në duart dhe shpirtërat e bashkuar të tyre në agim të shekullit të ri,shqiptarët i flakin tutje mëritë,historitë mëkabre të gjakut duke dëshmuar rilindjen shpirtërore të kombit të tyre.Duart e shtërnguara të tyre flakin një të kaluar të nëpërkëmur në emër të një të ardhmjeje dinjitoze.
“Na u duk sikur dera e zotit e këputi zinxhirin e skllavërisë,sikur dullëm nga terri në dritën e bekuar të diellit,zemrat na u mbushën me gaz e shpresë.Qysh të mos lindësh këtë ndjenjë duke parë sqenën e prekshme të vëllazërimit : Myftiu i Dibrës Vehbiu që u përqafua me Ipeshkivin e Durrësit Don Nikoll Kacerrin,ortodoksi beratas Bab Dud Karbunara,mjekër – gjati,që puthi në ballë katolikun shkodran Luigj Gurakuqi, Isa Bolentini që puthi dorën Ismail Qemal Beut të Vlorës… A s’ishte për të derdhur lot gëzimi ? “. ( “Skënderbeu “ 1468 – 1968 – Boston , faqe 156 ).
VIZATIM PËR AKTIN MADHOR
Ndërsa burrat e Shqipërisë,shkonin në Vlorë,të tjerë trima kishin nisur përleshjet me serbo-malazezët.Bajram Curri dhe Elez Isufi,shkruanin faqe të reja heroizmi në anët e drinit dhe Hasan Ferri në krye vullnetarëve të Plavës e Gucisë,kundërsulmonte forcat disa mijëshe të Knjaz Nikollës e Idriz Seferi tmeronte shkijet e krajlëve,derisa Isa Boletini përparonte drejt Vlorës.Porta e Lartë e Dyzuar në vendimet e saj për pavarsinë e Shqipërisë,mbante të mbyllur në burgun e Kalemejdanit në Beograd,Hasan Prishtinën,Nexhip DragënDed Gjo Lulin dhe dhjetra luftëtarë e prijsa të Kosovës.Në rrafsh të Dukagjinit e në Pejë,në Drenicë e Tetovë,çetat e komiteteve shqiptare,në thirjet e tyre të dala shpirti kërkonin një orë e më parë që në qiejt shqiptare të valvitej flamuri Kuq e Zi. „E ëndëruar nga vjershtëtarët dhe e dëshiruar nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve,që vuanin e digjeshin nëpër burgjet e errëta e që qanin e renkonin nëpër shkretinat e largëta,të ndjekun e dëbuem prej Atdheut të dashun,mëvehtësia e Shqipërisë na dukej të gjithëve si një dëshirë e paaritshme,si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfërinë tonë,si një pemë e ëmbël dhe e shijshme“
(L.Gurakuqi,Mëvehtësia e Shqipërisë,“Përlindja e Shqipërisë“ nr.26 vjeshtë e tretë 1913 ).
Kësisoj po afronte ora e madhe.Disa kalorës dibranë lajmërojnë se për në Dibër duhen flamurë shqiptarë ngase serbët hidhen në sulm me preteks të turqisë.Disa dhjetra ushtarë serb mbërijnë edhe në Krujë por këtu,atdhetarët shqiptarë u dalin përpara me flamurin kuq e zi duke u treguar fqinjëve grabitqarë të tyre se ata vetë janë në luftë me Perandorinë.Serbët e kuptojnë nga ky moment se jetët e tyre s’kanë më vlerë..Në mesditën e 28 nëntorit,tellalli me një zë ndryshe nga ditët e tjera,lajmëronte nëpër rrugët e Vlorës se do të shpallet Shqipëria më vehte.Njerëzit mezi prisnin të mbaronte fraza e tij, e kapnin për supe e përqafonin,s’mungon t’i hidhnin edhe ndonjë lekë për lajmin e mirë që paraprisnin.
„ Kuvendi Kombëtar i përmbledhur prej delegatëve të të gjitha viseve të Shqipërisë këtu në Vlorë,u hap sot n’orën 4 pas dreke në shtëpi të z. Xhemil Beut. Z. Ismail Qemal Beut si nisjator i parë i mbledhjes mori flaën e i tregoi delegatëvet qëllimin e kuvendit,domethënë që të përpiqen së bashku e të marin masat e nevojshme për të shpëtuar Shqipërinë mag rreziku i madh ku ndodhet sot.Si e kërkon rruga e zakoni u nis pastaj vërtetimi i kartave të delegatëve emrat e të cilëve janë këta :
Nga Berati : z.z. Iljaz Bej Vrioni,Hajredin Bej Cakrani,Xhelal Bej Skrapari,Dud Karabunara,Taq Tutulani, e Sami Bej Vrioni,ky i fundit pritet të vije.
Nga Dibra :z.Myfit Vehbi Efendiu
Nga Durrësi: z.z.Abaz Efendiu,Mustafa Agai e Jahja Efendiu,i cili pret të vijë.z.Don Nikollë Kacerri nga ana e Arqipeshkopit të Durrësit për të Shqiptarët katolikë që ndodhen nën urdhërin e tij.
Nga Elbasani : z.z. Shefqet bej Daiu,Lef Nosi,Qemal Beu e Mid’hat Bej Frashëri.
Nga Gjirokastra me telegrame :z.z. Azis Efendiu,Veli Efendiu,Elmaz Efendiu.
Nga Ipeku (Peja,vrej.ime):z.z.Rexhep Beu,Bedri Beu,Sali Gjuka, e Mid’hat bej Frashëri.Këta zotërinj janë edhe delegatët e Gjakovës të Plavës e Gusinjës.
Nga Kruja : z.z.Abdi Bej Totani e Mustafa Asim Efendiu.
Nga Lushnja : z.z. Qemal Beu,Ferid Bej Vokopola,Nebi Efendi Sefa.
Nga Ohri e Struga : z.z. Xhemal Beu,Ymer Beu e Ibrahim Efendiu.
Nga Tirana : z.z. Abdi Bej Totani e Murat Bej Totani.
Nga Vlora : z.z. Ismail Qemal Beu , Zyhdi Efendiu ,Aristidh Ruci,Qazim Kokoshi, Jan Minga,Eqrem Beu…Si u mbaruan këto punë z. Rexhep Beu mori fjalën e tha që si Kryetar i Kuvendit të zgjidhet z.Ismail Qemal Beu,si shkronjës i parë z.Luigj Gurakuqi e si shkronjës i dytë z.Shefqet Bej Daiu. Delegatët e pëlqyen këte kërkim dhe emëruan të propzuarit me të përplasur duarsh “
( Gazeta “ Përlindja e Shqypnisë “ , viti i dytë , datë 31 janar 1914 ).
Pas kësaj,përfaqsuesit e krejt trevave shqiptare në këtë kuvend madhor,do të dilnin në ballkonin e shtëpisë,të brohoritur prej turmës disa mijëshe të popullit të Vlorës.Kësulat e bardha vlonjate tundeshin në ajër dhe thirrjet për flamurin përplaseshin me shushurimën e dallgëve të detit.I thellë posi deti,do të mbetej gëzimi i këtij muzgu në memorjen historike të vlonjatëve.Sado që stuhitë u përpoqën për ta shkulur,valvitja e tij u ndje në gjoksin e shqiptarëve ashtu si klithma e pulëbardhës në gjoks të detit. Në ballkonin e shtëpisë dykatëshe,burrat vunë në mes kryetarin e sapo zgjedhur të Kuvendit.Me duar që i dridheshin prej emocioni,me zërin pothuaj mallëngjyes,plaku Ismail Qemali do të bënte që njerëzit të lotonin dersa kumtonte ; “ Vëllezër Shqiptarë !
Oh sa të lumtur e ndjej vehten sot,që shoh,këtu në Vlorë,kaq burra shqiptarë të mbledhur tok duke pritur me kureshtje dhe padurim përfundimet e kësaj mbledhjeje historike për fatin e Atdhgeut tonë të dashur.Plot me gaz e me lot në sy nga mallëngjimi,pra,po dal këtu para jush që tju gëzoj me sihariqin e madh,se sot,edhe këtë minutë,kongresi spalli Mëvehtësinë e Shqipërisë,duke lajmëruar gjithë botën mbarë,për këtë punë e duke më ngarkue mua Kryesinë e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë së Lirë… Duke përfunduar,nuk më mbetet gjë,veçse t’i drejtojë një lutje Zotit të Madh,që bashkë me bekimet e Tij,që i lyp të na jap,për të qenë të denjë të kësaj dite,të pranoje që këtej e tutje të jem unë dëshmor i parë i Atdheut,ashtu si pata nderin e fatin që të jem i pari të puth e të bëj të valvitet i lirë Flamuri i ynë në Atdheun tonë të Lirë.Rroftë Flamuri,Rroftë Shqipëria !.
( Ismail Qemali , Kujtime , botuar në Toronto , faqe 254 ).
Askush më pas këtyre fjalëve nuk mund ta përmbante do vehten.Flamuri nisi të rrihte palët nën erërat e vjeshtës së tretë dhe shqiponja në te dukej nga çasti në çast se do të niste fluturimin për në qiellin e lirë të Shqipërisë.Ndërsa delegatët kishin mbështetur duart tek njëri tjetri,në litarin e flamurit,prej sheshit u shtuan thirjet : “Rroftë Flamuri i Shqipërisë,valoftë për gjithë jetë,sa të rrojë bota !.Një orë më pas,në portin e vogël të Vlorës,u ngrit një tjetër Flamur Kuq e Zi.Edhe pse u qëllua prej disa vaporeve të Perandorisë nga deti,Flamuri rrahu palët duke shtuar së tepërmi entuziazmin e njerëzve.Një javë më pas,duke nisur nga numëri i votave të fituara prej delegatëve,me votim të fshehtë,u formua Qeveria e cila përbëhej : “ Ismail Qemali – Kryeministër dhe i punëve të jashtme,Mehmet Pashë Kallkandelleli – Ministër i Luftës. P.Poga Gjirokastra – Ministër i drejtësisë.Myfit Bej Libohova – i Punëve të Brendshme. L.Gurakuqi – Ministër Ministër i Arsimit.Abdi Bej Totani – i financës.Pandeli Cale – i Bujqsisë.Mit’hat Frashëri i Punëve Botërore. Lef Nosi – i Postavet “.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi 71 , dosja 1 , documenti nr. 2-4043 ).
POST VLORE
Lindja e shtetit të parë shqiptar do të gëzonte së pari vetë kombin.Ky akt i ngjante lindjes së një fëmije të bukur të një shtëpie të madhe ku sejcili don të shohë,ta prekë,t’i gëzohet.Dhjetra telegrame urimi mbërritën nga gjithë viset shqiptare,dhjetra fjalë zemre u nisën madje edhe prej kolonive shqiptare në mërgim.Në urimin e tyre,nxënësit dhe mësuesit e kolegjit të Shën Mitër Koronës shpreheshin :”Ju kini zbukurue shpirtin me virtyte patriotike e qytetënimi e ju lutemi me i shfaqun Qeverisë suej lavdat për veprën energjike”.(Arkivi i Institutit të Historisë,dok,historike 1924. nr. 11 faqe 339 ). Megjithatë ky entuziazëm qe fare i shkurtër.Fuqitë e Mëdha duke u ndodhur përpara faktit të këtyre,menduan të ridiskutonin mbi kufijtë e Shqipërisë.Në këtë riparje të tyre strategjike dhe ato të ditës.Nga ana tjetër,aleanca krishtere ballkanike nuk rreshtën invazionet luftarake duke dashur të mbysin që në djep foshnjën e lindur.Flota luftarake greke e cila patrullonte disa milje larg Gjirit të Vlorës,nuk lejonte asnjë anije të huaj të ankërohej në portin e Vlorës,mandej në disa raste (kuptohet me porosi të Athinës) ajo godiste pa asnjë shkak qytetin e bukur të Vlorës i cili skish mundësi me çfarë ti përgjigjej këtij agresioni. Edhe forcat serbe nisën sulme të rrepta sidomos në anët e Drinit duke mos kursyer as foshnjat në djep.Qeveria e sapodalë nga kuvendi historik,filloi të organizojë ushtrinë ,xhandarmërinë,të çelë shkolla e të marë në duar pushtetin.Por arka ishte bosh,askush nuk ndihmonte,Europa plakë përkundej në mendimet e zeza se shqiptarët nuk dijnë të qeverisin.Plaku i urtë Ismail Qemali,së bashku me Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin,muarrën rrugët e Europës të shtyrë prej iluzioneve të bukura,por dinakëria Franko-Ruse kishte bërë të veten.
“Ne menduam se duhej të shpresonim që një popull që paraqiste vlera të veçanta për shkak të vjetërsisë,guximit dhe shërbimeve që i kish sjellë Evropa…do të lejohesh më së fundi që të bëhesh zot në shtëpinë e vet dhe do të ruante pavarsinë kombëtare”.(Ismail Bej Vlora, Kujtime,faqe 271).
Anipse u sulmua,dita e 28 nëntorit e vitit 1912,ajo ri ndezur e do të rijë ndezur edhe në ardhmërinë e kombit tonë.Kjo datë emblematike rezonon jo vetëm si simbol por si thirrje që nuk hesht kurrë për bashkimin dhe prosperitetin e kombit tonë.Andaj kujtesa kombëtare vetëm mund të fyhet prej indiferencave të tilla konjukturale politike.Por gjithsesi ajo nuk haron të dënojë,28 nëntori,sot e nesër pret realizimin e saj.Për komunistët ma i rëndësishëm është 29.nëntori ditë që i bashkon me armiqët tanë shekullorë srbosllave që e quajnë si “ditë e bardhë” se sa 28.nëntori.i lavdisë kombëtare. Datat komuniste janë datat e zisë kombëtare,që duhen flakur një orë e ma parë.Urime 28.nëntori.për jetë të jetëve deri në realizimin e aspiratave tona Një Komb Një Flamur Një Shtet.
Bern-Zvicër