Si u caktua 4 Korriku 1776, Dita e shpalljes së Pavarësisë së SHBA/
Nga Shefqet & Herion Kercelli/
Populli amerikan feston Ditën e Pavarësisë më datën 4 korrik të cdo viti. Sot, të gjithë amerikanët e shohin 4 korrikun e vitit 1776, këtë ditë të madhe, si dita që përfaqëson Shpalljen e Pavarësisë dhe lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një komb i pavarur. Në fakt ka pasur mjaft ngjarje dhe një periudhe kohore prej dhjetra vitesh deri në ligjërimin e kësaj date si dita e pavarësisë së SHBA. Fillimisht Kongresi Kontinental e formuloi dokumentin e pavarësisë së SHBA më 2 korrik 1776. Por, nuk u caktua kjo datë si dita e pavarësisë. Ndërkohë nuk u caktua as dita e fillimit të Revolucionit Amerikan, në prill të vitit 1775, si ditë e pavarësisë. As dita kur Thomas Jefferson shkroi dokumentin e parë të Shpalljes së Pavarësisë në qershor 1776. Gjithashtu as data e 2 gushtit 1776, kur dokumenti u firmos nga të gjithë delegatët dhe as nëntori i 1776, kur ju kërkua Britanisë së Madhe të njohë pavarësinë e shtetit të ri.
Cfarë ndodhi në 4 Korrik 1776?
Kongresi Kontinental e shpalli Aktin final të Pavarësisë më 4 Korrik 1776. Delegatët e shteteve federale punuan disa ditë derisa më 2 korrik 1776, ranë dakort me të gjitha redaktimet dhe ndryshimet e draftit përfundimtar, kështu e miratuan atë përfundimisht. Vërtet 4 korriku i 1776-ës, u bë dita e shpalljes së Pavarësisë, por kopja e parë e dokumentit final e shkruajtur me dorë dhe e zbukuruar u firmos në gusht 1776. (Kopja origjinale është e ekspozuar në Arkivat Kombëtare në Washington, D.C.). Në gusht 1776 mbi Bordet Dunlap, u printuan kopje të dokumentit origjinal që u shpërndanë e qarkulluan në gjithë shtetet përbërës të SHBA. Në SHBA festohet Dita e Kushtetutës më 17 Shtator të cdo viti, pra përvjetori i datës kur ky dokument themelor është firmosur, jo dita kur ajo është aprovuar. Në qoftë se do ishte ndjekur kjo praktikë e njejtë për Shpalljen e Pavarësisë, për anollogji i binte që Dita e Pavarësisë të festohej më 2 Gusht të cdo viti, pra ditën e firmosjes së këtij dokumenti themelor nga gjithë delegatët e Kongresit Kontinental.
Por si u bë 4 Korriku një ditë pushimi kombëtar?
Gjatë 15 -20 viteve të para mbas Shpalljes së dokumentit të shkruar, qytetarët amerikanë nuk e festonin atë në shumicën e tyre. Ishte një ditë shumë e re dhe mjaft ngjarje ndodhën më pas në kombin e ri. Vitet 1790 e më pas ishin periudhë e konflikteve e ndodhive të padëshërueshme, ndaj shpallja e kësaj dite ishte e diskutueshme. Ndërsa një parti, ajo e Demokrato-Republikanëve, admironte Jeffersonin dhe Shpalljen e kësaj dite, partia tjetër, Federalistët, mendonin se shpallja favorizonte ndikimin francez dhe injoronte Britanikët, pra, shkonte kundër politikave aktuale të shtetit të ri. Në vitin 1817, John Adams u ankua me një letër ku thuhej se Amerika dukej e painteresuar në të shkuarën e saj. Por, shpejt kjo situatë do ndryshonte. Pas Luftes së vitit 1812, partia Federaliste dhe partitë e reja të viteve 1820-1830 e konsideronin veten si trashëgimtare të Jefferson dhe Demokrato-Republikanëve. Kështu kopjet e printuara të Shpalljes së Pavarësisë filluan të qarkullojnë përsëri, të gjitha me datën e 4 Korrikut 1776, të vendosur në krye. Vdekja e Thomas Jefferson dhe John Adams më 4 Korrik 1826, rizgjuan dhe nxitën idenë për të caktuar 4 Korrikun si datë për të festuar shpalljen e pavarësisë. Në vitet e mëpasme festimet për 4 korrikun u zgjeruan në gjithë shtetet dhe përfshinë shumicën e banorëve. Kjo datë u ligjërua përfundimisht në vitin 1870, pothuajse njëqind vjet pas nënshkrimin të aktit të pavarësisë. Në këtë vit séanca e parë e Kongresit e deklaroi 4 Korrikun, si ditën e pavarësisë dhe ditë pushimi kombëtar, si pjesë e një projektligji që zyrtarisht njohu disa ditë pushimi, përfshirë dhe festën e Krishtlindjeve. Me tej legjislacioni për ditët e pushimit kombëtar, duke përfshire 4 Korrikun, u zgjerua në vitet 1939 dhe 1941. Dita e sotme, 4 korrik 2015, dita simbol e pavarësisë së SHBA, festohet nga gjithë populli amerikan bashkë me miqtë dhe aleatët e tij, ku populli shqiptar, vecanërisht shqiptaro-amerikanët zenë një vend nderi.