NGA FRAN CAMAJ/*
Për të shkruar për jetën dhe veprën e një heroi e atdhetari të madh, siç është trimi i Malësisë e luftëtari i gjithë shqiptarisë, heroi ynë Dedë Gjo’ Luli, është detyrë e vështirë ngase gjithmonë rrezikon të mos thuash diçka të re. Them kështu sepse me këtë temë janë marrë shumë historianë, letrarë, skulptorë, piktorë, muzikantë e krijues të tjerë nga fusha të ndryshme. Nga ana tjetër është obligim i yni, ngase sado që është shkruar e thënë për të dhe meritat e tij njerëzore, kombëtare e patriotike, megjithatë ende ka çka të thuhet.
Dede Gjo’ Luli ka lindur ne Bardhaj te Hotit, në vitin 1840. Ishte i vetmi djalë e Gjonit dhe i Lulë Keqes nga Shkreli. Deda kaloi fëmijëri të vështirë, sepse babai i vdiq kur ai nuk i kishte mbushur as dy vjet, kurse e ëma u martua pas një kohe të shkurtër për të dytën herë, në fshatin Spi, po ashtu në Traboin. Sipas zakonit që mbretëronte atëherë në Malësi, në rast të martesës së nënës, fëmijët vazhdonin të jetonin në shtëpi të babait. Në rastin konkret për Dedën u kujdes axha i tij Gjelosh Luli e posaçërisht e shoqja DilëHasanja nga Kastrati, grua burrëreshë e me nam në atë kohë. Qysh herët u dallua ndër të gjithë shokët me zgjuarsi, pjekuri, aftësi dhe guxim, veti këto të cilat do t’ i tregojë në praktikë gjatë tërë jetës së tij të gjatë 75 vjeçare. Mbase ishte djalë i vetëm dhe pa baba e me nënë të martuar, Deda u martua tepër i ri me Prenë Gjeloshen, të bijën e Gjelosh Marashit nga Gruda, përndryshe një familje ndër më të përmendurat e këtij fisi. Me të pati dy vajza Naren e Mrinë (të dyja u martuan në Triesh) dhe dy djem- Kolën e Gjergjin, të cilët, ashtu si pothuajse e tërë familja Luli, u sakrifikuan në lule të rinisë për atdhe. Deda në moshë të re mori armën, të cilën askurrë nuk do ta heq nga krahu deri në ditën e vdekjes. Në moshën 22 vjeçare, konkretisht në vitin 1862, kur OsoKuka me shokët luftonin me guxim të madh në kullën e Vraninës, të rrethuar nga Ushtria malazeze, Dedë Gjo Luli, me disa trima të tjerë malësorë, i shkoi atij në ndihmë.
Rikthesë të madhe në angazhimin e mëtejmë të Dedë Gjo’ Lulit bëri pjesëmarrja e tij në Lidhjen e Prizrenit. “Si plak i dytë në Hot dhe i parë në Traboin, Dedë Gjon Lulit i takonte me përfaqësueTraboinin në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” Me të kthyer nga ky takim i rëndësishëm të prijësve shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare, ai me shokët e vet iu përvesh punës për të organizuar malësorët në luftë kundër armikut shekullor. “Dedë Gjo’ Luli, tashmë i formuar politikisht dhe me eksperiencën e fituar në vitet 1878-1881, iu bashkua Lidhjes Shqiptare të Pejës. Ai qe një nga udhëheqësit dhe veprimtarët më të shquar të saj në ato vise dhe të lëvizjes shqiptare në tërësi.” Natyrisht se nga takimet e tilla u njoh me trimat dhe patriotët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, të cilët shihnin rrezikun e copëtimit të trojeve shqiptare pas Kongresit të Berlinit. Dedë Gjo’ Luli ishte ndër luftëtarët më të dalluar kundër pushtimit osman të Shqipërisë, por edhe kundër shteteve fqinje që shikonin momentin e volitshëm për të kapur ndonjë pëllëmbë më shumë nga kjo tokë. “Vala e protestave u përhap si flaka në të gjitha trojet shqiptare. Përfaqësuesit e popullit iu drejtuan ditë e natë Kongresit të Berlinit dhe Fuqive të Mëdha. Të gjitha këto protesta, memorandume e vendime i kishte nënshkruar edhe Dedë Gjo’ Luli i Hotit.” Historiani i mirënjohur shkodran Romeo Gurakuqi është marrë me angazhimin e hershëm të Dedë Gjon Lulit në mbrojtjen e tokave shqiptare. Ai sjell dy dokumente, të panjohura deri tani, të cilat flasin për angazhimin patriotik dhe luftarak të tij disa vite pas Kongresit të Berlinit, konkretisht në vitin 1883. Në atë kohë Valiu i Shkodrës bënte përpjekje të mëdha që ta shtrinte sundimin e vet edhe në Malësi, gjegjësisht të fuste aplikimin e vendimeve të Komisionit të Xhibalit, kurse nga ana tjetër Turqia filloi bisedimet me Malin e Zi për caktimin definitiv të kufijve mes dy vendeve, ngase prijësit dhe patriotët shqiptarë nuk pajtoheshin që tokat e tyre t’ u falen të tjerëve. “Prijësit malësorë, pa ngurrim, i thanë Bedri Pashës (komisionarit) dhe Valiut të Shkodrës se, meqenëse toka e prekur prej kësaj vije kufitare u përkiste fiseve të tyre dhe askujt tjetër, ata nuk do të lejonin transferimin e saj në duar të tjera. Ata gjithashtu i vunë në dijeni këto autoritete se do të ktheheshin menjëherë në shtëpitë e tyre për t’ u bërë gati për rezistencë nga çfarëdo lloj krahu që mund të vinte sulmi.” Si gjithherë, turqit u përgjigjën me sulme brutale. Disa taborre të ushtrisë, në krye me gjeneralin famëkeq Hafiz Pashën, ia mësynë Malësisë. U bënë masakra të mëdha ndaj popullatës së pambrojtur të kësaj krahine, edhe pse burrat e këtij vendi bënë rezistencë të madhe. Sipas historianit Gurakuqi, “ Pikërisht gjatë kësaj kohe krerët malësorë i drejtuan dy memorandume përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkodër…” Memorandumi i parë mban datën 9 qershor, kurse i dyti 26 qershor 1883. Të dy këto memorandume i nënshkroi edhe Dedë Gjon Luli, i cili pas shtypjes së kryengritjes, u arratis në mal me shumë prijës të tjerë malësorë. Angazhimi i mëtejmë luftarak e patriotik i Dedë Gjon Lulit është i madh, pa asnjë rënie deri në ditën e vdekjes. Pothuajse nuk mund të flitet për ndonjë ngjarje të rëndësishme në Malësi e të mos përmendet emri i tij. Bashkëpunonte ngushtë me udhëheqësit hotianë e malësorë (Çun Mulen, Marash Ucin, TringëSmajlen, Dedë Nikën, Gjon Ujkën, PjetërZefin, LucëMark Gjeloshin, Mirash Palin, Mirash Lucën, TomëNikën, Mehmet Shpendin), por edhe me “Luigj Gurakuqin, HilMosin, RistoSiliqin, NikollëIvanajnMarkKakarriqin nga Shkodra, SaliHidën nga Elbasani, Fadil Toptanin nga Tirana e deri te IsmailQemalin nga Vlora e të tjerë” , me kosovarët Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, me mirditorin Prend Doçin dhe me shumë figura të tjera të shquara të pendës dhe të pushkës nga e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare jashtë kufijve zyrtarë. Angazhimi më i madh patriotik e luftarak, aftësitë organizative dhe guximi i madh te trimi Dedë Gjon Luli do të vijnë në shprehje gjatë Kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911. Do të shohim më vonë se sa në këtë kohë do të vijë në shprehje edhe vigjilenca e tij para shumë dredhive dhe kurtheve që i përgatiteshin atij, malësorëve dhe popullit shqiptar në Stamboll dhe Cetinë, por edhe në vendet tjera fqinje dhe në qendra të ndryshme botëror. Viti 1910 atë e gjen në Mal të Zi, ku kishin ikur shumë patriotë shqiptarë, por edhe një numër i madh i refugjatëve malësorë. Mbreti i Malit të Zi NikollaPetroviq ishte shumë dinak dhe me mjete e metoda të llojllojshme u mundua ta kthejë Dedën për vete, siç kishte kthyer shumë të tjerë. Ai madje mundohej ta bind atë dhe udhëheqësit tjerë të kryengritjes që të luftojnë nën flamurin e Malit të Zi. Dedë Gjon Luli e kuptoi menjëherë qëllimin djallëzor të mbretit të Malit të Zi dhe i kthen përgjigje negative:“Takena mësy si kufitar që të kemi, e tuemendu se luftojmë kundër njianmiku të përbashkët. Pasi puna qëndruaka ndryshe, duhet ta dish se shqiptarët kanë luftue e derdh gjak, jo të përfitojë Mali i Zi në kurriz të tyne e të përfitojë toka shqiptare…” Ka mbetur e njohur në popull edhe përgjigja tjetër e Dedës kralNikollës “Për mik të pranoj, por për vëlla e zot shtëpie askurrë për jetë”. Më në fund këtë e pranon edhe historiografia bashkëkohore malazeze. “KralNikolla u ka propozuar atëherë shqiptarëve që të luftojnë nën flamurin e Malit të Zi, por ata e kanë refuzuar këtë ofertë. Esenca e politikës malazeze ndaj lëvizjes në Shqipëri ka qenë bashkimi i pjesës veriore të Shqipërisë Malit të Zi”. Në mënyrë të ngjashme shkruan edhe Atë DonatKurti në gazetën “Hylli i dritës”, në vitin 1937/11 fq.521-523 “Do pasë parasysh se Mali i Zi, u kishte çilë rrugë malcorve, jo pse donte të mëkambejnjiShqipni e lirë, por pse donte me e mbajtëzjarmin ndezë kundra Turkis e me gjuejtë peshk në ujë turbullt. Malcorët gjatë ksajë kryengritjeje luftuen për nji ideal, luftuen vetëm për pamvarsin e Shqypnis.” Edhe këngëtari popullor i kushton një këngë kësaj problematike, duke e konsideruar mbretin e Malit të Zi njeri dinak, që mundohet të fusë përçarje në mes të shqiptarëve të feve të ndryshme, kurse Dedë Gjon Lulin njeri vigjilent, që nuk tradhtohet lehtë nga intrigat e tij.
KralNikolla kopil kopilit
i dha armë tetanëkshtënimit
tanë kshtënimit armë i ka dhanë
mei vra turqit ku mej zanë.
Këngëtari popullor e kupton qëllimin e mbretit Nikolla se ai nuk mendonte për turqit, por për shqiptarët e fesë islame, andaj i vë në gojë udhëheqësit të vet Dedë Gjon Lulit këtë përgjigje mbretit të Malit të Zi:
Dedë Gjon Luli burr dai
i thotkralit ën Ceti
i vras turqit e Azisë
por jo vllaznit e Malsis.
Vetëm këto vargje flasin mjaft për vigjilencën e Dedë Gjon Lulit, por edhe të popullit të cilit i printe dhe i cili i thuri këto vargje kaq domethënëse. Dedë Gjon Lulin u mundua ta kthejë për vete edhe Porta e lartë, por ai nuk gënjehej lehtë. Përfaqësuesi i Bedri Pashës e luti me para, duke menduar se ai do t’ i marrë dhe do të veprojë për interesa të Perandorisë, ngase ishte në gjendje të keqe materiale, por Deda ia ktheu: “ Hami dreq lirat e tua. Shqipninë as nuk e shes, as nuk e fali.”
Emri i Dedë Gjon Lulit është i lidhur ngushtë me Kryengritjen e Malësisë të vitit 1911. Në të vërtetë nuk mund të flasësh për këtë ngjarje kaq të rëndësishme në historinë shumëshekullore të popullit tonë e të mos përmendësh rolin vendimtar të tij si komandant, ushtar e strateg e mbi të gjitha si largpamës e atdhedashës. Ngritja e flamurit në Bratilë, afër Deçiqit, paraqiste gëzimin më të madh të Dedë Gjon Lulit, ngase edhe më herët ishte angazhuar me tërë forcën e vet që aty të valëvisë vetëm flamuri shqiptar e asnjë tjetër. Kjo ishte fitore e madhe, jo vetëm e Malësisë, por e tërë shqiptarisë, ngase për herë të parë, pas një kohe shumë të gjatë, valoi flamuri kombëtar në një territor të çliruar, edhe pse vetëm për një kohë të shkurtër. Dedë Gjon Luli është bashkautor dhe nënshkrues i shumë memorandumeve, kërkesave, protestave dhe kuvendeve që u organizuan aso kohe në Malësi dhe në mbarë Shqipërinë, por edhe jashtë vendit. Është ndër nënshkruesit e memorandumit të Cetinës, që iu drejtua Fuqive të Mëdha më 30 mars 1911, autor i të cilit ishte Luigj Gurakuqi. “Sipas këtij memorandumi kërkohej që të manifestohej kombëtarizimi shqiptar si në fushën territoriale, si në fushën e arsimit, si në fushën e administratës, po ashtu edhe në atë ushtarake…” Dedë Gjon Luli mori pjesë edhe në Kuvendin e njohur të Greçës në qershor të vitit 1911 dhe u angazhua mjaft që në memorandumin, që u miratua njëzëri, të futen kërkesat me karakter gjithëkombëtar e jo vetëm lokal. Pasi u njoftua me përmbajtjen e Memorandumit të Greçës, Sulltani dërgoi përfaqësuesin e vet që të bisedojë në Podgoricë me krerët e kryengritjes, në mesin e të cilëve ishte edhe Dedë Gjon Luli. “Pyeti këta zotërinj nëse atë që përmendin i duan për vete apo për gjithë Shqipërinë?”- e kishte porositur Sulltani të dërguarin e vet. Në këtë pyetje Deda ishte përgjigjur : “Ato pikat që janë në Librin e Kuq i dona ma parë për vedi, mandej për Shqipni mbarë.” Për këtë shkruan edhe historiani Gazmend Shpuza: “Ky program për meritë, në radhë të parë të udhëheqësit kryesor të saj, Dedë Gjon Luli, u bë flamur i një kryengritjeje që i detyroi autoritetet civile dhe ushtarake osmane, jo vetëm të ulen në tryezën e bisedimeve me kryengritësit malësorë, por edhe të bëjnë lëshime jo të vogla, të cilat i hapën rrugën sendërtimit të autonomisë së Shqipërisë.”
Këto raste dhe shumë të tjera tregojnë qartë se Dedë Gjon Luli nuk luftonte vetëm për Hotin e Malësinë, por për gjithë shqiptarinë. Ai i dha çka kishte Shqipërisë dhe popullit shqiptar. I fali atdheut të dy djemtë: Gjergjin, i cili u vra më 20 shtator të vitit 1912 në vazhdim të kryengritjes dhe Kolën, të cilin e helmuan në Vlorë më 1918 kur ishte duke u kthyer nga Italia ku e kishin internuar. Me vrasjen e Kolës mbyllet përgjithmonë dera e familjes së ngushtë të Dedë Gjon Lulit, kurse nga familja e gjerë e Lul Doçit Dedvukajt, për ideale të larta kombëtare, u sakrifikuan edhe shumë burra e trima të tjerë. Nikë Gjelosh Luli, që pati nderin ta ngrejë Flamurin e Skënderbeut në Bratilë më 6 prill të vitit 1911, u vra një muaj më vonë, më 3 maj të vitit 1911, kurse i biri i tij, Luc Nishi në Suka të Moksetit në vitin 1920, në moshën 21 vjeçare, kur u hodh në grykë të topit të forcave serbe për të penguar depërtimin e tyre në Shqipëri. Gjok Luli, plagoset në luftën e Koplikut e pastaj internohet, kurse i biri i tij, i famshmi kapedan Gjelosh Luli, u vetsafrikua për ideale kombëtare në vitin 1947. Për atme e atdhe u sakrifikua edhe vet Dedë Gjon Luli në moshën 75 vjeçare. E vrau dora e zgjatur serbe në Mirëditë, më 24 shtator të vitit 1915. “Në vjeshtën e vitit 1915, në bjeshkët e Mirëditës ushtria shoveniste serbomadhe e vrau mizorisht atdhetarin e shquem, luftëtarin e flaktë për lirinë e Shqipërisë Dedë Gjo’ Lulin.” Lidhur me vrasjen e heroit tonë Dedë Gjon Lulit ka pasur edhe mendime tjera të ndryshme, por askush nuk e sjell në pyetje datën, vendin dhe dorën e zezë që ia shkurtoi jetën këtij patrioti e tribuni të popullit tonë. “Më 24 shtator të vitit 1915, pikërisht këtu e 90 vjet më parë, u vra Dedë Gjo’ Luli nga dora e kriminelit serb kapidanGjura, i cili ishte me një kompani ushtarësh serbë në vendin e quajtur Sheshaz. Luftëtarët e Dedë Gjo’ Lulit, që e shoqëruan deri në vdekje, për ta mbrojtur nderin e Mirëditës, edhe ata u vranë në mbrojtjen e heroit tonë kombëtar. Ata i therën me bajoneta dhe i hodhën në Shpellën e Akullit, në Malin e Shënjetit. Atdhetarët mirditas, që u sakrifikuan në mbrojtjen e Dedë Gjo’ Lulit, janë:
1. Mark llesh Doda
2. Ndue Kol Pjetri
3. Zef Ndue Gjoka
4. Preng Qup Deda
5. Bib Marlula
6. Llesh Doda
Pra, kjo është e vërteta historike e vrasjes së atdhetarit Dedë Gjo’ Luli. Çdo falsifikim që është bërë në të kaluarën nga pseudohistorianët, shërbëtorë të regjimit më të egër pansllavist të diktatorit Enver Hoxha, nuk do të ketë vlerë as peshë historike. Aq më pak kur tentohet të mbillet përçarje në mes Malësisë e Mirditës, këtyre dy krahinave heroike.” Tetë vjet më vonë, më 1923 eshtrat e tij u sollën në Shkodër, ku u bë rivarrimi me nderime të mëdha, si e meritojnë njerëzit e mëdhenj, që tërë jetën ia kushtojnë çështjes kombëtare e ai kësaj çështjeje i kushtoi edhe më shumë se jetën e vet. “Nga ana e saj Shkodra e nderoi vetëmohimin e familjes Gjo’ Luli. Në maj të vitit 1923, me përpjekjet që banë e bija Nareja dhe e reja Nora, (bashkëshortja e Kolës), u bartën prej Oroshit eshtrat e Dedës dhe prej Vlore ata të Kolës dhe u sollën në Shkodër.” Atëherë në Shkodër edhe u formua Komiteti “Dedë Gjo’ Luli”, i cili duhej të ndërtonte përmendoren e prijësit të Malësisë e luftëtarit të Shqiptarisë. “Luigj Gurakuqi, i zgjedhur bashkë me AvniRustemin e RistoSiliqin anëtarë nderi të komitetit, shkruante: “…due të shtoj dy fjalë edhe mbi dy inisiativa të tjera që janë marrë; me i ngritun një monument edhe kreshnikut tonë me famë botërore Skënderbeut e malcorit të madh Dedë Gjo’ Luli…” Patrioti tjetër i shquar, AvniRustemi, do të shkruante që nga Roma: “Gëzohem që u muarinisiativa për t’ i ngrehur një monument Burrit pa frikë e pa njollë të malësive tona, që kështu të jehojë emri i të ndjerit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni emëruar si pjesëtar nderi.” Për heroin tonë Dedë Gjon Lulin kanë folur e shkruar shumë mendimtarë e patriotë të kohës së tij dhe më vonë. Për plakun e Vlorës, IsmailQemajlin, “Dedë Gjo’ Luli asht pushkë e ngrehun për Shqipninë”, për Atë MarinSirdanin “ Dedë Gjo’ Luli asht kreshnik i Malëcisë”, për AvniRrustemin “ …asht burrë i pa frikë e i pa njollë i maleve tona”, kurse për historianin e njohur kroat, MillanShufllajn familja Luli ka qenë “…derë e parë nëpër shekuj”. Fishta i madh heroit tonë i ka kushtuar këngën e 28 të “Lahutës së Malëcis’” prej 770 vargjesh. Për të Dedë Gjo’ Luli është “Shpatë e gjallë e burrë si motit”. “Mos vallë në jetën e tij pasqyrohet tragjizmi i Shqipërisë në të kaluarën?”- pyet gjuhëtari i madh shqiptar Eqrem Çabej. Edhe studiuesit dhe historianët bashkëkohorë, në çfarëdo rasti, flasin me nderim dhe fjalë të zgjedhura për trimin Dedë Gjon Luli. “ Deda ishte jo vetëm një organizator i shquar, udhëheqës me përvojë dhe ushtarak i zoti, por njëkohësisht edhe një personalitet i pjekur politikisht, falë kjo pjesëmarrjes në tubime të ndryshme politike dhe kontakteve me rilindësit ideologë.” “Dedë Gjon Luli bën pjesë në atë plejadë udhëheqësish popullorë, si Bajram Curri, Isa Boletini, IdrizSeferi, Alush Taka, MuharremRushiti e të tjerë, të cilët dhanë një ndihmesë të pallogaritshme për shkrirjen e programit të rilindje Kombëtare me luftën e armatosur të masave dhjetëra mijëshe të kryengritësve.” “Dedë Gjo’ Lulin e njohu dhe respektoi mjedisi si askënd tjetër në kohën e tij. Ishte burrë në zë, fjala e tij kishte peshë shumë të madhe në tërë Malësinë. Ishte ndër figurat më të mëdha që pati Malësia në kohën e tij…” “Heroi i Popullit Dedë Gjo’ Luli pati dy jetë: atë fizike (1840-1915) dhe atë artistike. Kjo e dyta, nëpërmjet “Lahutës së Malcis”, vazhdon gjer në ditët tona.” “Historia shkruhet me emra. Kryengritjen e 1911-ës e bënë malësorët që kishin prijës. Atë e udhëhoqi Dedë Gjo’ Luli me trimat malësorë të Hotit, Grudës, traboinas etj.” “DedëGjo Luli nuk qe vetëm burrë i fjalës e i gishtit. Atij ia priste mendja përtej tehut të taganit.” “Falë veprimtarisë së gjatë atdhetare mbi 50 vjeçare, në shërbim të përpjekjeve të popullit të tij për liri, pavarësi e bashkim kombëtar, trimi traboinas i Hotit, Dedë Gjo’ Luli rreshtohet padyshim midis figurave më të shquara të kombit.” Këto janë vetëm disa nga shumë mendime e vlerësime të shprehura kohëve të fundit të studiuesve shqiptarë për figurën e shquar të prijësit të Malësisë dhe luftëtarit të shqiptarisë, Dedë Gjon Lulit, emri i të cilit do të jetojë sa të jetojë Shqipëria dhe populli shqiptarë e ata do të jetojnë përgjithmonë.
BURIMET E AUTORIT
1. Historia e Shqipërisë, Vëllimi II, Tiranë 1965
2. Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e MalësisësëMbishkodrës 1911”, PHOENIXSHKODRA, 2002
3. Pal Doçi, “DedëGjo’ Luli”, Tiranë, 2003
4. KristaqPrifti, “LidhjaShqiptare e Pejës”, Toena, Tiranë, 2002
5. GjergjNikprelaj, “Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, Gjonlekaj Publishing CO, NjuJork, 2004
6. GazmendShpuza, “Nëpragtëpavarësisë, Eagel Press, NjuJork, 1999
7. DalipGreca, Gazetashqiptaro-amerikane “Illyria” New York Nr. 919, Mars 2000
8. “DedëGjon Luli-90 vjetori i vrasjes”- Konferencëshkencorepërkujtimore, ILLYRICUMI, Tuz, 2006
9. “Kryengritja e Malësisë 1911”, materialet e Simpoziumitshkencor, ILLYRICUM, Tuz, 2001
10. Grupautorësh, “IstorijskileksikonCrne Gore”, Redakcija “Vijesti”, Podgoricë, 2006, Rrëshen-Mirditë, 24-25 korrik 2006
* Kumtese e mabjtur ne Konferencen kushtuar 100 vjetorit te vrasjes se Dede Gjo Lulit, organizuar ne Royal Regency Hotel, Yonkers, NY nga Shoqata “Malesia e Madhe” ne New York