
Prof. Afrim Krasniqi/
LIIB mbaroi në 1945. Jemi 81 vjet më vonë. Revista më e madhe gjermane, Der Spiegel ka krijuar një database online, përmes të cilës qytetarët e sotëm gjermanë mund të ballafaqohen me të kaluarën e gjyshërve të tyre. Baza referuese, qindra mijëra dosje zyrtare të organizatës SS me miliona karta anëtarësie të partisë NSDAP (Partia Naziste). Përmes kërkimit në database qytetarët mund të kërkojnë emrat e paraardhësve të tyre për të zbuluar nëse kanë pasur lidhje apo anëtarësim në SS ose Waffen-SS.
Kjo nuk quhet keqpërdorim i historisë dhe as hakmarrje, quhet transparencë, informim dhe reflektim. I bën mirë shoqërisë, të djeshmes, të sotmes dhe të ardhmes.
Kur bota ndryshon ne vetëm shohim, komentojnë, presim të vij vetë ndryshimi. Nuk përpiqemi të ndryshojmë, nuk mësojmë, nuk reflektojmë. Shqipëria pati një periudhë të gjatë diktatoriale. 36 vjet më vonë ende nuk është ndarë realisht me të kaluarën, përmes transparencës, informimit dhe reflektimit. Jemi herët, – thonë autoritetet e sotme me karrierë të emëruar politike në regjimin e djeshëm (edhe të sotëm). Dhe vijojnë të riciklojnë vetveten me antivlerat & mitet ideologjike të së kaluarës! Për rrjedhojë, në dallim nga vendet e tjera ish komuniste ne ende nuk kemi ende database shteruese të të vrarëve politikë, të varreve të pagjetura, të vrasësve që u promovuan me karriera politike, as, as, as, as, deri edhe të strukturës shtet/parti që inicoi, drejtoi dhe realizoi ato. Kemi fjalime, show, ceremoni edhe nga institucionet që paguhen me taksat tona të bënin “hapjen”, “ndarjen”, “reflektimin”. Dhe vijojmë të nderojmë ata që krijuan dhe drejtuan diktaturën / Sigurimin / strukturën e dhunës.
Mësimi gjerman për ne? Brezat e rinj duhet të kenë informacion si u vendos regjimi diktatorial, cila ishte struktura e tij, cilët e ndërtuan dhe e drejtuan, cilët ishin anëtarët e partisë shtet dhe të Sigurimit, cilët ishin viktimat dhe disidentët, cilat ishin aktet e gabuara dhe pasojat, nëse pati aspekte pozitive apo negative, nëse trashëgimia e të kaluarës në regjimin stalinist i bën pasardhësit krenarë “në anën e duhur të historisë” apo i ndihmon të kuptojnë realisht përgjegjësinë e paraardhësve të tyre, të mësojnë dhe të reflektojnë. Jo pwr hakmarrje as konsum ditor, por pwr transparencë, informim dhe reflektim. Si në rastin gjerman, kjo do i bënte mirë shoqërisë, të djeshmes, të sotmes dhe të ardhmes.
Një shoqëri e hapur, demokratike, me integritet dhe fuqi pozitive reformuese duhet të bazohet mbi të gjitha te vlerat, ndershmëria, aftësia e mendimit kritik, reflektimit dhe përgjegjshmëria. Është një shprehje e Der Spiegel, që kam përshtypjen se vlen më shumë për vende si Shqipëria sesa atje.