Nga Astrit Lulushi/
Për një person që kryesisht lexon, Betim Muço (1947 -2015) është autori i shumë librave në poezi e prozë, që nga fundi i viteve 1960, shkruar të gjitha në kohën e lirë, sepse me profesion ai ishte shkencëtar i fizikës nukleare. Libri i tij i fundit “Yjet janë fare pranë” (2017), u bë një dedikim për Betim Muçon, sepse ai vdiq papritur, pa mundur të shkruajë faqet e fundit. Dhe padashur të trazojmë kujtimet, ishte bashkëshortja e tij, Marta, e cila bëri të mundur që romani të përmbyllej e botohej.
“Yjet janë fare pranë” është roman historik-autobiografik, ku kujtimet e fëmijërisë, Betim Muço i ndërthurr aq mjeshtërisht me ato të pastajme; që nga fillimi dhe ndryshimi i një sistemi, jeta në tranzicion dhe mërgimi. Autori e gërsheton punën e tij në një institucion shkencor, me bukurinë e punës së një poeti e shkrimtari.
Librat e Betim Muços, të gjitha, rreth 30, mund të dashurohen në mënyrë të barabartë nga lexuesit fëmijë, të rinj e të moshuar. Librat e tij për të gjitha moshat, shijohen nga një rreth i gjërë lexuesish. Për këtë arsye (ose ndonjë tjetër), duke patur parasysh betejat e ashpra ideologjike (lufta me bërryla) të shkrimtareve të asaj kohe, librat e Betim Muços nuk provuan suksesin e menjëherëshëm që duhej të kishin. Lavdet përzgjidheshin vetëm për pak shkrimtarë, fama e të cilëve ulej e ngrihen sipas fatit të elitës komuniste. Por këtë shpërfillje, Betimi e përdori si nxitje e frymëzim; dhe tani shohim se bashkëshortja e tij, Marta Muço, qëndroi përkrah tij si personi më i rëndësishëm i këtij suksesit. Ishte Marta, e cila pas botimit të disa librave në poezi e prozë që Betimi la pas, shkroi edhe faqet e fundit të romanit “Yjet janë fare pranë”, e pajisi me një parathënie dhe e botoi atë në Tiranë, “Është një këngë e bukur për dashurinë njerëzore”, thotë Marta, siç janë të gjitha librat e Betimit. Edhe një shkollë sot në kryeqytet mban emrin e tij.