Abdurahim Ashiku/
Po shfletoj kronikën e djeshme të përurimit të lapidarit të ri për betejën e Lanë Lurës (Qafë Gëlqeres) dhe një nga një fotot e celularit që një mik mi dërgoi në adresën time të ngushtë.
Midis autoriteteve, me emër dhe mbiemër të përveçëm, më dalin në sy drejtues të qarkut e të bashkisë, nëpunës zyrtarë shtetëror…
Nuk më del asnjë deputet, as i majtë dhe as i djathtë.
Nuk më del asnjë autoritet zyrtar i Lurës.
As drejtues i njësisë vendore, kryetar, sekretar, zyrtar…
As edhe një kryeplak apo kryeplakë nga Fushë Lura, Krej Lura, Arrmolla, Gurë Lura, Pregj Lura, Ndërshena…
Nuk ishin as mësuesit dhe nxënësit e shkollave nëntë vjeçare e të mesme (a ka shkollë të mesme në Lurë?) të cilët mund të merrnin leksionin më domethënës të historisë, trimërinë e gjyshërve të tyre që luftuan e derdhën gjakun që vendlindja e tyre të ishte Shqipëri e jo Serbi…
Nuk më del asnjë drejtues shoqatash të shumta me emër … Lura…
Nuk më del asnjë biznesmen nga ata që kanë makina malore e autobusë për të mbledhë lurasit (si i mbledhin në votime) nga janë e nga s’janë (veçanërisht ata të Gjirit të Lalëzit) dhe e mbushin cep më cep fushën…
Për të mos u ngrënë hakun ishin dy përfaqësues të shoqatës “Lura jonë”, Kadri Hasdede dhe Tom Kaçorri. Shënoni në protokoll…
Në Lanë të Lurës u bë dasmë…
Ishin të ftuarit…
Munguan të zotët …
Në Lanë Lurë munguan lurasit…
Në Lanë të Lurasit, siç shkruan në një koment Bashkim Mashkulli, mungonin dibranët, ata të rrënjës, personalitetet e Dibrës së Madhe…
Çudi dibrane në katror.
NJË PYETJE PËR ARKITEKTË E NDËRTUES POPULLORË
Ma thoni sinqerisht, e jo si patronazhistë partiakë
Lapidari i ngritur në vitet ’80-të në kujtim të betejës së Lanë-Lurës, ishte i tëri prej hekuri e betoni, ngulur në shkëmb një metër thellë…
Në vitin 1992 u shkul dhe u copëtua bashkë me pllakën e mermerit.
U shkul natën që kriminelëve historikë mos u dilte surrati…
Lapidari i ri i përuruar dje. Pllaka informuese, e kritikuar paraprakisht edhe për drejtshkrim të gabuar të gjuhës shqipe, siç e shikoni në fotografi është e mbështetur në dy këmbë hekuri L – 3, mbi një shtresë betoni të varfër.
Pyes: A do ti rezistojë kjo pllakë përkujtimore erërave të forta, pikës poligon i erërave dhe furtunave të njohura të Lanë Lurës?
A do ta mbajnë në këmbë pllakën ato dy këmbë hekuri?
A do tu rezistoj agjentëve të njohur atmosferikë?
Nuk pyes për “kapuçonët” e anti shqiptarizmës. Ata i kanë edhe ditën, edhe natën, të tyre?
Thjeshtë për kërshëri po pyes…
Abdurahim Ashiku
28 tetor 2021