Disa OJQ në Sanxhak kërkojnë që regjioni i Sanxhakut, i cili shtrihet në dy shtete, Serbi dhe Malit të Zi, të formohet një rajon i veçantë ndërkufitar./
Shkruan : Ismet Azizi/
Mijëra njerëz nënshkruan për vetëm disa orë një peticion që do t’u dorëzohet qeverive të këtyre vendeve duke kërkuar leje për të formuar , siç thonë organizatorët , rajonin ekonomik të Sanxhakut!Ky regjion kishte me përfshirë një pjesë të Serbisë dhe Malit të Zi, dhe komunat që hyjnë në të janë; Novi Pazari, Tutini, Nova Varoshi, Priboji, Prijepole, Sjenica, Rozhaja, Plevla, Bijelopola, Berana dhe Plava.Prapa këtij peticioni qëndron një grup i organizatave joqeveritare të Sanxhakut.
Shkalla e lartë e papunësisë, emigrimi, ekonomia dhe turizmi i shkatërruar janë karakteristikë e pothuajse të gjitha qyteteve në Sanxhak. Qytetet kufitare të Serbisë dhe Malit të Zi janë lënë krejtësisht pas dore nga qeveritë duke i detyruar të kërkojnë një jetë më të mirë në një vend tjetër të Bashkimit Evropian. Vitin e kaluar nga pjesa malazeze e Sanxhakut emigroi në 2.5% të popullsisë, ndërkohë që këtë vit ky numër mund të jetë dyfishuar.
Një zgjidhje është formimi i eurorajonit ndërkufitar të Sanxhakut i cili do të mundësonte të gjitha qyteteve thithjen dhe tërheqjen mjeteve të mëdha nga fondet e BE-së të destinuara për rajonet ndërkufitare, që jashtëzakonisht do të ndihmojnë zhvillimin e të gjitha qyteteve të këtij rajoni.
Rajoni ndërkufitar i Sanxhakut nuk do të ndikojë në ndryshimin e kufijve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, në të vërtetë ky kufi do të mundësoj krijimin e rajonit ndërkufitar me modelin e BE-së.
Propozimi për formimin e eurorajonit të Sanxhakut para disa ditëve ka rrjedhë në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Rozhajës me rastin e emigrimit masiv, i cili iu është përcjellë qeverisë së Malit të Zi.
Të përkujtojmë lexuesit se para se me u mbajt referendumi për pavarësinë e Malit të Zi është nënshkruan një marrëveshje në mes të presidentit të BS Rafet Husoviq dhe Presidenti DPS Milo Gjukanoviq e cila garanton formimin e rajonit ndërkufitar të Sanxhakut
Në lidhje me këtë peticion, analisti politik Branko Radun thotë për gazetën “Naše novine” se kjo iniciativë është hipokrite sepse boshnjakët kanë përkrahur ndarjen e Malit të Zi nga Serbia, dhe ndarjen e tyre në të dy shtete.
Një nga nismëtarët e këtij projekti Zaim Çelebiq thotë për portalin Rozhaje Fri, se formimi i këtij rajoni do të kontribuon në krijimin e një mjedisi të favorshëm biznesi dhe do të hapte mundësinë e aplikimit të drejtpërdrejtë në fondet e BE-së.
Zëvendëskryeministri dhe lideri SDPS Rasim Lajiq tha se bëhet fjalë për njerz jo relevant dhe politikisht krejtësisht të parëndësishme, dhe se nuk e merrë seriozisht peticionin.
– Peticioni vetëm i sjell dëm shtetit tonë , sepse këtë trevë e paraqet si një rajon jo stabil, duke i larguar investitorët e mundshëm. Ndërsa investitorët janë të nevojshëm, sepse nuk është një zonë shumë e varfër. Megjithatë, kërkesat e tilla janë joreale dhe nuk do t’i përkrah askush në Serbi dhe Mal të Zi – tha zëvendës kryeministri Rasim Lajiq.
Rasim Ljajiq është një mjek i cili kurrë nuk e ushtroi profesionin e tij. Pas formimit të PAD (SDA), lider i së cilës ishte Alia Izetbegoviq, i pakënaqur me tretmanin që e kishte, por edhe për t’u vënë në shërbim të politikës së Beogradit, kishte formuar partinë SDP (PSD). Këtu mori përkrahjen e madhe të serbëve duke u vu krejtësisht në shërbim të politikës zyrtare serbe dhe së voni edhe në mbrojtjen e kriminelëve të cilët po përballën ende me drejtësinë në gjykatën e Hagës.
Boshnjakët, në krye me Myftiun Zukorliq, i cili kurrë nuk ka mohuar prejardhjen e tij shqiptare, kohëve të fundit i ka kapluar një dëshirë separatiste (ndarëse) nga sllavët dhe gjithnjë e më shpesh po deklarohen se janë me prejardhje ilire. Bile edhe janë paraqitur me kërkesat e tyre për heqjen e prapashtesës (ić dhe vić ) nga mbiemrat e tyre, të cilin veprim tashmë kanë filluar ta bëjnë.
Zukorliq është themelues i një numri të institucioneve në Sanxhak. Ai ka themeluar mediumin e parë Islam në Sanxhak, “Zërat e Islamit”, ku ishte redaktor i parë. Ai filloi aktivitetet në fushën e botimeve, krijoi “El Kelimeh”, shtëpinë të suksesshme botuese në rajonin e Sanxhakut dhe më gjerë, si dhe mejtepin për moshën parashkollore dhe shkollore, në të cilën Bashkësia Islame u afirmua në rajon.
Ai arriti medresenë ta bëjë të pavarur – e cila ishte paralele e ndarë e Medresesë së “Allaudin” të Prishtinës – të cilën e emëroi me emrin e medresesë së dikurshme “Gazi Isa-beg“ dhe është një nga arsyet kryesore për zhvillimin e saj të shpejtë. Dekani i parë i Fakultetit të Studimeve Islame, Presidenti i Universitetit Ndërkombëtar të Novi Pazarit dhe themeluesit të tij, dhe institucionin kulmor gjithë boshnjak, Akademinë e Shkencave dhe Arteve, Fondacionit Kombëtar Boshnjak si dhe Kongresit Botëror Boshnjak, me një rast pat deklaruar: “Ne nuk do ta shpallim Autonominë. Ne po krijojmë Autonominë e Sanxhakut”.
Se a do të ndodhë që sanxhaklinjtë do ta jetësojnë autonominë e tyre, mbetët të shihet në të ardhmen.