*Cila është e vërteta e rezistencës shqiptare në 7 prill 1939?/
* Replika e Faik Konicës në “The New York Times” për pushtimin fashist/
Nga Dalip Greca/
E fshehta e rezistencës shqiptare me 7 prill qëndron ende e kyçur në arkivat italiane. Media fashiste u përpoq që të fshihte të vërtetën duke u përpjekur që ta paraqiste pushtimin si një dëshirë të vetë popullit shqiptar.
Këtij qëllimi i shërbeu më pas edhe skenari i Asamblesë Kombëtare, ku Xhafer Ypi lexoi mesazhin, ashtu siç e kishin përpiluar italianët.Madje edhe kur iu dorëzua kurora Mbretërore Viktor Emanuelit, është i njëjti kujdes, “gjithëçka ka ardhur nga dëshira e shqiptarëve për t’u bashkuar me Italinë”.
Gazetat italiane, edhe ata që guxonin të kritikonin veprimet aventuriere të Duçes, e fshehin rezistencën. Ja se si e jep tablon e pushtimit shtypi italian : “Katër të shtëna, dhe operacioni “Shqipëria “arkivohet. Ishte një luftë pa luftë, por regjimi është në delir. “Bota duhet ta dinte,” bërtet Mussolini nga ballkoni i tij i famshëm, “se ne kemi fuqinë të shtyjmë përpara.” (ital. “tireremo diritto”).
Më 16 prill, Viktor Emanuali, disi i hutuar, pranon kurorën shqiptare. Shtypi i regjimit flet për “sukses pa precedent”, por fitimet politike janë zero.“ Pra gati asgjë për rezistencën shqiptare. Ajo injorohet me qëllim.”.Po cila ishte e vërteta?
Ka një polemikë interesante të Faik Konicës me botusin e gazetës “The New York Times” për vërtetësinë e përrallave italiane për bashkimin vullnetar të Shqipërisë me Italiane dhe për vërtetësinë e rezistencës së 7 prillit 1939.
Replika e Faik Konicës në “The New York Times” për pushtimin fashist
Me 31 maj 1939, Faik Konica, i dërgonte një letër botuesit të gazetës “The New York Times” të titulluar ”Pushtimi Italian i Shqipërisë, i rishqyrtuar”. Konica e falenderon botuesin për informacionin e botuar nga gazeta e tij më 30 maj 1939 prej korrespondentit të saj në Romë, ku shkruhej ”Forcave të armatosura shqiptare iu është kërkuar të bashkohen me forcat italiane”. Faiku shkruan:” Si në tekst, ashtu edhe në titujt ju vini, fjalët ”iu është kërkuar”,- në thonjëza-një shenjë pikësimi që nuk është përdorur kurrë më saktë se këtu.”Përmes stilit të vet të njohur, mjeshtri diplomat e publicist, sjell për lexuesit ngjarjet e pas perdes diplomatike të fashizmit, kur thotë se “Qeveria e Shqipërisë pa dyshim që s’flet me zërin e vet.Ajo është e detyruar të thotë se Poli i Veriut përputhet me Ekuatorin nëse kështu thotë Italia. Duke satirizuar qeverinë italiane dhe agresionin e saj, Faiku shkruan se “Unë mendoj se shumë njerëz duhet ta kenë ndryshuar mendimin që ka mbizotëruar deri më sot se italianët, si komb, janë inteligjentë, pavarësisht nga karakteristikat e tjera jo mikluese.” Fjala dominuese nëpër gazeta i paraqet ata të neveritshëm, shton Faiku.
Zemërgjërsia e tyre, sipas Konicës matet me agresionin që kryen në Shqipëri.Duke folur për qëndresën shqiptare me 7 prill dhe përpjekjen italiane për ta mohuar atë, Konica shkruan:”Italianët, në dëshirën e tyre të pashpresë për ta bërë botën të besojë se nuk ishin agresorë, por miq të thirrur nga populli për ndihmë, shpallin me paturpësi se nuk pati fare rezistencë.Nga ana tjetër, shqiptarët llogarisin rreth dymbëdhjetë mijë italianë të vrarë; dhe grekët si fqinjë të afërt dhe vëzhgues, janë dakort.
Megjithatë, arsyeton Konica, le t’i marrim këto shifra të ekzagjeruara nga emocioni. Ai shkruan se ka në dorë letra nga të huaj neutralë dhe të painteresuar, që u ndodhën në Durrës në kohën e agresionit.Nuk mund t’i bëj publike këto letra, por mund t’ia tregoj një përfaqësuesi të akredituar në Tiranë. Faiku thotë se ata e çojnë numrin e të vrarëve vetëm në Durrës, minimumi në një mijë ushtarë italianë.Por nga ana tjetër, italianët deklarojnë se në të gjithë Shqipërinë janë vrarë vetëm 25 ushtarë italianë dhe se këtë e kanë bërë “banditët” edhe pse ndërmjet të vrarëve kishte edhe studentë.Konica shton, për hirë të argumentit le të pranojmë shifrat e italianëve; por kemi të drjtë për disa konkluzione. Meqenëse zbarkimi u bë në katër pika, në çdo pikë duhet të jenë vrarë mesatarisht nga gjashtë vetë; dhe meqë dihet me siguri se italianët disa herë qenë të detyruar të tërhiqen në anijet e tyre, mund të themi me të drejtë se sa herë vritej një ushtar, të tjerët ia mbathnin.
Konica ironizon: Nëse kjo është e vërtetë , Italia duhet të ketë dërguar në Shqipëri kampionët e vrapimit, që e kishin treguar më parë veten në Guadalajara (Lufta Civile Spanjolle).
Qëndresa e 7 prillit
Historiografia komuniste thuajse e ka lënë anonime rezisitencën e 7 prillit. Ajo gati të gjithë rezistencën e lë pa emër. Është vlerësuar vetëm Mujo Ulqinaku, i cili është heroi i pa kontensuar edhe në ditët e sotme sepse me gjakun e vet dëshmoi rezistencën shqiptare. Mirëpo në jetëshkrimin e Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, ai paraqitet gati i shkëputur. Mujo Cakuli(Ulqinaku) jepet si një nënoficer i shkëputur nga të tjerët, që nuk i përkiste asnjë ushtrie, madje ai qenkish vënë në krye të marinarëve të braktisur, që oficerat i lanë dhe ikën. Ai sipas Enciklopedisë shqiptare, vrau dhejtëra fashistë.
Asnjë fjalë për të tjerët në rezistencë. Injorohet kontributi i komandantit të 7 prillit, majorit Abaz Kupi.
Nga ana tjetër as italianët, nuk ia patën njohur qëndresën Abaz Kupit, por atë vetë, e patën shpallë si shumë të kërkuar, ndërsa familjen ia internuan.Anglezët e luftës së Dytë Botërore, përkundrazi, e kishin vlerësuar lartë qëndresën e Abaz Kupit.
Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte pas luftës ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri ai e përshkruan kështu: “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim. Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam pasur shumë raste bashkëpunimi”. Në letrën e Abaz Kupit flitet për qindra të vrarë nga italianët. Gjithësesi shifra nuk është e konfirmuar. Ndërsa Enver Hoxha, që fillimisht ia njohu qëndresën Abaz Kupit, shkruantë se ishin qindra të vrarë ditën e erzistencës. Nga ana e tij Zavalani, në historinë e Shqipërisë, nuk jep shifra, por pohon rezistencën.
Enver Hoxha e pat ngritur në qiell heroizmin e Abaz Kupit në vitet e para të luftës, por më pas ai e shpalli armik.
Enver Hoxha për Abaz Kupin (i paçensuruar)
Se kush ishte Abaz Kupi i vërtetë, para se Enver Hoxha të çensuronte veten e tij, mjafton që të sjellim të plotë, artikullin e shkruar nga vetë ai dhe botuar në gazetën “Zëri i Popullit” Nr. 13-14 shkurt 1943.
Artikulli mbante titullin” Bazi i Canes, Myslym Peza, Baba Faja Martaneshi”. Ky artikull u ribotua pas luftës në librin “Enver Hoxha-Vepra, Vell I, por pa pjesën që fliste për Bazin e Canes.Artikulli nuk ka nevojë të komentohet, majfton që të çojmë ndërmend kalvarin e Familjes Kupi, përplasjen e saj nëpër kampe internimi e burgje, më keq se ç ‘kishte vepruar fashizmi. Enveri ia mohoi Bazit të Canes edhe Durrësin, edhe Krujën, edhe betejat e tjera.
***
Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parrullë:Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.
Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.
Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte ne Molo me qindra të vrarë.
Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej:Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.
Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vëlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’termbeshin, sado që ishin një grup njerëzish.
Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.
Në emigracion këtj s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me bashkue forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë.
Fashtrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.
Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.
Merlika i lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për me ndjekë çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij me i vra e varë.
Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.
Fashizmi dhe Mërlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.
Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.
Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.
Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u godit nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.
Ky ishte rezultat i Kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhëtarëve.
Viktor Daragjati says
Deri sa te hapen arkivat nuk mund te diskutohet me kompetence historike as te merret seriozisht para sysh se çka ka mendue e pse Enveri. Abaz Kupi asht nji figure me randesi kombetare por ai ishte i lidhun me politiken Zogiste. Kurse Enveri ishte i lidhun me politikem Marxiste-Staliniste-Panslaviste. Pra idealet e Abaz Kupit pajtohen ma fort me idealin e nji Shqipinje e pamvarun dhe me nji liri demokratike. Me gjith ate duhet te vehet ne dukje se deri me 6 Prill Italia drejtonte Akademine Ushtarake Shqiptare dhe e financonte qeverine e Zogut. Si mas analistave Britanik, Abaz Kupi majti nji rrezistenze simbolike dhe çellimi praktik i sai ishte me i dhan kohe mretit me u strehue ne Greqi.