Nga Jolanda LILA/
Në një ceremoni të organizuar në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Memli Krasniqi ka ndarë çmimet e letërsisë, ku pos Agim Vincës, me çmime janë shpërblyer edhe: Drenusha Zajmi-Hoxha, Sabit Rrrustemi ,Adem Gashi, Merxhan Avdyli, Flamur Maloku i Izet Sylaj.Agim Vinca është shpallur fitues i çmimit “Azem Shkreli”, çmim i ndarë për vepër jetësore, e ndarë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, në mesditën e së premtes. Ky çmim është ndarë me vendim të jurisë profesionale në krye me Osman Gashin, ndërkaq, çmimin për vepër jetësore e ka ndarë i pari i MKRS-së, Memli Krasniqi, i cili, sikurse Agim Vincës dhe fituesve të tjerë në kategori të ndryshme u ka uruar për shpërblimet.
Në këtë ceremoni, më të mirët në letërsi kanë dalë: në kategorinë e romanit, Drenusha Zajmi-Hoxha, për romanin “Krrokama”, në kategorinë e poezive juria ka vendosë që këtë çmim ta ndaj për dy autorë: Sabit Rrrustemi për përmbledhjen me poezi “Murale shpirti”, dhe Adem Gashi për veprën “Nuk ka kthim lejdi”. Kurse në kategorinë e kritikës poashtu juria ka ndarë këtë çmim për dy autorë: Merxhan Avdyli për “Dritësime letrare”, dhe Flamur Maloku për librin “Polisemia e Veprës”. Ndërkohë, në këtë vit është ndarë edhe çmimi për përkthimin më të mirë, çmim që i është ndarë Izet Sylaj, për romanin e përkthyer Mathias Wnard.
Fituesi për vitin 2013 në çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, Agim Vinca, u shpreh të jetë i kënaqur me marrjen e këtij çmimi që mbanë emrin e njërit nga shkrimtarët më me zë në Kosovë, Azem Shkrelit.
“Librat e Azem Shkrelit i kam lexuar qysh se isha fëmijë, nën dritën e llambës në vendlindjen time. Qysh atëherë ende më kujtohet disa nga vargjet e poezisë së tij. E them sinqerisht se Azemi është një nga shkrimtarët që më ka ngjallur dashuri për letërsinë. Veprat e tij ende vazhdojnë t’i rezistojnë kohës. Të marrësh një çmim të tillë, aq më shumë në prag të përvjetorit të gjashtë të Pavarësisë së Kosovës, idenë e të cilës e frymëzuan pikërisht njerëzit e penës, shkrimtarë dhe intelektualë është nder dhe krenari, por edhe një ndjenjë ngadhënjimi”, u shpreh Vinca.
Nga ana tjetër, Ministri i Ministrisë së Kulturës, Memli Krasniqi, duke iu uruar suksese për këto çmime laureatëve të sivjetshëm, ka deklaruar se të shkruash në këtë kohë është goxha sfiduese, sepse teknologjia është duke e sfiduar në vazhdimësi letrën.
“Ajo që neve na bën të lumtur si ministri dhe mua personalisht si ministër është fakti që në këto vite ne kemi bërë përpjekje të rëndësishme që kemi arritur të institucionalizojmë vlerësimin dhe respektin për artistët dhe krijuesit përmes çmimeve vjetore për letërsi dhe në fusha të tjera kulturore”, u shpreh ministri Krasniqi, duke shtuar më tutje se “Libri po ballafaqohet me sfida por ne viteve të fundit jemi munduar që bashkërisht, duke gjetur edhe përkrahjen e nivelit më të lartë qeveritar, që të rrisim mbështetjen për librin. Këtë vit kemi vazhduar trendin e rritjes së fondit të librit, duke e rritur në 100 mijë euro fondin për botimin e titujve të rijnë”. Kurse, Osman Gashi, udhëheqësi i jurisë profesionale, i ka propozuar Ministrisë së Kulturës që të vazhdojë të ndajë këso çmime edhe në vitet e ardhshme.
“Jam shumë i sigurte që prurjet e sivjetme kanë qenë jashtëzakonisht të mira dhe ne si juri kemi pasur kënaqësi t’i lexojmë dhe vlerësojmë ato shkrime konkurrente. Ne si juri propozojmë që të vazhdohet me ndarjen e këtyre çmimeve edhe në të ardhmen”, tha ai. Për ndarjen e çmimeve në letërsi pos Osman Gashit në juri kanë qenë të përfshirë edhe Binak Kelmendi, Sabile Keçmezi – Basha, Adem Zejnullahu dhe Bagzad Baliu. Çmimi për vepër jetësore ka edhe vlerën monetare prej 5 mijë eurove, kurse çmimet pasuese nga 2.500 euro.
Fjala e Prof.Agim Vincës në ceremoni:
Familjarë të Azem Shkrelit,
Zoti Ministër i Kulturës,
Miq dhe kolegë!
E ndiej veten të nderuar që më jepet Çmimi “Azem Shkreli” jo vetëm pse është çmimi më i lartë letrar në Kosovë, por edhe për shkak se mban emrin e shkrimtarit ndaj veprës së të cilit kam ushqyer gjithmonë një konsideratë të veçantë, poetit, prozatorit, dramaturgut dhe publicistit Azem Shkreli.
Librat e Azem Shkrelit i kam lexuar qysh si fëmijë, nën dritën e llambës, në vendlindjen time. Isha ende nxënës i shkollës fillore kur më ranë në dorë Bulëzat (1960) dhe Karvani i bardhë (1961) e, pak më vonë, edhe Engjujt e rrugëve (1963). Qysh atëherë i mbaj mend vargjet: “Gëzimi, thonë, nuk matej kur jam le/ Nji natë fresku me hanë./ Nana n’krye tim s’ka ba kurr be – / Paç mbet pa nanë./ Me ‘i tubë delesh n’sukë heret jam rreshkë,/ Kur isha ende vocrrak./ Shtëpinë e kam atje ndër curra, n’bjeshkë,/ Dhe kangën e gurit mbi prak”. Me këto vargje hapet poemthi Këngë për vete, në të cilin subjekti lirik, malësori i ri poet, që zbret në qytet, shpalos botën dhe unin e tij pa kurrfarë kompleksi: “N’qytet kam ardhë me ‘i gjysë opinge. E dij/ N’përulje s’mundem m’u kotë./ Lavdet ua fali tjerëve. Mos me pi/ Betue jam – në gotë./ Zotnit s’i njof. As s’lodhem pse Krishti s’rruhet./ (Ferrin me mëkate kam m’e fikë!)/ E kur zgërdhihet jeta, ndojherë – duhet/ Venë Khajami, nji pikë!/”, për ta përmbyllur, pak a shumë, rrëfimin me një porosi, që peshon rëndë, sa gurët e vendlindjes: “Prej këshillës s’nji miku mbaj mend dy urti:/ N’këndove – këndo për jetën./ Poetët duhet ta kenë nji perëndi/ Dje tjetër s’ka: T’VËRTETËN”.
Sado të thjeshta, në mos edhe naive që mund të duken sot këto vargje, të shkruara në fillimet krijuese të poetit, ato shprehin frymën e artit poetik të Azem Shkrelit, por edhe thelbin e misionit të poetit: të kënduarit për jetën dhe të besuarit në një nga vlerat e saj më sublime: Të Vërtetën.
Volteri i madh thoshte se E vërteta, Liria dhe Virtyti janë tri gjëra për të cilat e vlen të jetohet dhe të luftohet, ndërsa bashkëkombësi i tij më i ri, Romen Rolani, nënvizonte se puna krijuese është “gëzimi i jetës” dhe se të krijosh do të thotë “ta vrasësh vdekjen”. (Créer, c’est tuer la mort).
E them sinqerisht se Azem Shkreli është një nga shkrimtarët tanë, të këtij krahu, që tek unë ka ngjallur dashurinë për letërsinë: dëshirën për të lexuar dhe dëshirën për të shkruar. Dhe tok me këtë dëshirë, sa të bukur, aq edhe të vështirë, edhe pasionin për fjalën, ndjenjën, mendimin, por edhe për heshtjen e bukur, heshtjen që flet, që është e kundërta e fjalamanisë dhe llomotitjes. E, Azem Shkreli, poeti i E di një fjalë prej guri dhe Nga Bibla e heshtjes, si rrallë ndonjë krijues tjetër yni, mund të shërbejë si shëmbëlltyrë nga ky aspekt. Përgjegjësia ndaj fjalës në përgjithësi dhe ndaj fjalës së shkruar në veçanti është një nga mesazhet më të fuqishme të veprës së tij.
Azem Shkrelin e kam njohur fillimisht nëpërmjet librave, por më vonë do të më lidhë me të një miqësi e gjatë dhe e frytshme ndër vite e dekada. Sa e sa ndeja e biseda, sa e sa udhëtime nëpër Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, pjesëmarrje në manifestime kulturore, në tribuna publike, në orë letrare, në promovime librash, në aksionin e madh për pajtimin e gjaqeve etj.
Dua të veçoj me këtë rast një episod, që nuk e kam evokuar në kujtimet që kam shkruar për të.
Unë jam bërë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në kohën kur Azem Shkreli ishte kryetar i saj. Sapo kisha botuar librin tim të dytë me poezi, Bregu i mallit (1975), recensentë të të cilit kishin qenë Fahredin Gunga e Azem Shkreli, kurse redaktor Anton Pashku. Asnjëri nga ata fizikisht nuk është më në mesin tonë, por vepra e tyre dhe standardet që krijuan, vazhdojnë t’i rezistojnë kohës. Në recensionin e shkurtër, me të cilin mbështeste botimin e librit, Azemi, ndër të tjera, shkruante: “Mendoj se ka në të vargje të bukura, lirikë të hollë, motive dhe ide interesante. Mund të përmenden edhe kualitete të tjera të kësaj poezie”. Kaq mjaftonte nga ai, nga pena e tij, që libri të botohej. E të botoje libër në atë kohë, aq më tepër duke qenë krijues i ri e i panjohur, nuk ishte punë e lehtë, ndërsa të anëtarësoheshe në Shoqatën e Shkrimtarëve atëbotë ishte më vështirë se të hysh sot në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Por edhe më nder, gjithsesi.
Dhe ja tek jemi sot, pas kaq shumë vitesh. Ai në amshim me Aliun, Dinin e të tjerë, kurse unë Laureat i Çmimit që mban emrin e tij – për Vepër Jetësore.
Të marrësh një çmim si ky, aq më shumë në ditën e Pavarësisë së shtetit tënd, idenë e të cilit e frymëzuan para së gjithash njerëzit e penës, shkrimtarët dhe intelektualët, është nder dhe krenari, por edhe një ndjenjë ngazëllimi e rezignimi bashkë. Thuhet se çmimet letrare zakonisht kanë kuptim në moshë të re, sepse nxisin energjitë dhe vullnetin për punë krijuese. Me një fjalë janë stimuluese. Te unë dhe kolegët e mi që me këtë çmim janë nderuar para meje dhe tek ata që do të nderohen më pas, ky çmim mund të jetë stimulues në një kuptim tjetër: për rrumbullakimin e veprës dhe përfundimin e projekteve, që presin dorën dhe mendjen e krijuesit. Njeriu, pavarësisht nga mosha, gjithmonë mendon se veprën e vet më të mirë do ta krijojë në të ardhmen. Po të mos ishte kjo bindje, as që do të kishte kuptim puna krijuese.
Çmimet letrare, sikurse edhe mirënjohjet e tjera publike, as nuk e rrisin dhe as nuk e ulin vlerën e një vepre (në kuptimin e opusit krijues), por ato e kthejnë për një çast vëmendjen e publikut kah ajo; i bëjnë jehonë asaj. E kjo s’është pak dhe as e parëndësishme në kohën tonë, kur njerëzit janë tjetërsuar në masë të madhe prej vlerave shpirtërore, që janë të përhershme e tejkohore, duke i zëvendësuar shumë herë ato me vlera të përkohshme e efemere. Më kot qortimi i poetit: “Sa poshtë paskam rënë duke u ngjitur këtij Olimpi të rrejshëm” dhe besimi, qoftë edhe iluzor, se botën do ta shpëtojë bukuria: “Mësojeni kohën të mos i hajë të vetët/ Ç’u shemb shëmtie do ta ngrenë poetët”.
Dhe, krejt në fund, më lejoni që, siç është zakon në këso rastesh, të bëj edhe disa falënderime.
Falënderoj së pari nominuesin, Shoqatën e Shkrimtarëve “Jakup Ceraja” nga Mitrovica, e cila më ka propozuar për Çmimin “Azem Shkreli” për Vepër Jetësore, duke e shoqëruar propozimin e saj me një arsyetim të denjë për adresën që i drejtohej;
Falënderoj Jurinë, e cila, në një konkurrencë të fortë, u përcaktua për mua, duke vlerësuar punën dhe krijimtarinë time;
Falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe njeriun që është në krye të saj, ministrin Memli Krasniqi, i cili, tok me stafin e tij, kanë dëshmuar se dinë t’i çmojnë vlerat që janë krijuar në Kosovë në të kaluarën, në kushtet e robërisë e të censurës dhe që vazhdojnë të krijohen në liri e pa censurë në Republikën e Kosovës, e cila këto ditë shënon 6-vjetorin e lindjes së saj si shtet.
Njëherësh shfrytëzoj rastin t’i përgëzoj kolegët e mi fitues të çmimeve për veprat më të mira letrare nga fusha e poezisë, e prozës, e kritikës letrare dhe e përkthimit letrar të botuara gjatë vitit 2013 dhe t’u uroj suksese të reja në të ardhmen.
Ju falemnderit për durimin dhe mirupafshim në raste të tjera të ngjashme!