POEZI TE ZGJEDHURA NGA POETET E MEDHEJ/
Perkth. në kohën e rinisë nga Agim Xh. Dëshnica/
George Gordon – Lord Byron*/
AJO SHËTIT
NDËR BUKURI
-nga Meloditë Hebreje
I
Ajo shëtit ndër bukuri,
Në natë pa re, me qiell ndër yje;
Në mug, shkëlqim, çdo mirësi
Has pamjen e ato dy sy;
Me dritë të ngrohtë gjithë butësi,
Që Zoti heq nga ditë mërzije.
II
Rreze më pak, hije më tepër!
E brishta bukuri -pa emër!
Kreli zi, valëvitet lehtë,
A shdritje e këndshme mbi fytyrë,
Ku n shpesh shprehen mendimet qetë,
E pastër, e dashur, strehë e tyre
III
Nën vetull, në buzë dhe në faqe,
Sa ëmbëlsi shfreh fjalë e saj!
Buzagazi joshës, ngjyrat përflakje,
Rrjedh ligjerim të mirash pa skaj!
Mendim i shtruar mbi gjithçka,
Zemra që dashuron s’ka faj!
Edgar Allan Poe/
LIQENI
Në të rit e mi isha fatlum,
Kur shkoja shpesh diku,
Në liqen me kënaqësi,
Aq i dashur me atë vetmi,
Me shkëmbinj të zinj breg më breg,
Pishat pirgje nga shtegu në shteg.
E kur nata mbulonte gjithçka,
Aty përqark e gjithkah
E hovshëm era misterioze
Frynte e shfrynte melodioze.
Ah! n’ato çaste, rrija zgjuar
Nga ai tmerr liqeni të vetmuar.
Por dridhma s’më shtinte aspak,
Ndieja veç ëndje të vakët,
Siç ndiej një thesar nën dhe,
Apo lajkën që përkëdhel,
Mësimin që s’mora vesh at’botë,
As të dashurisë edhe e ytja qoftë.
Vdekja dergjej mbi valët helm
Dhe një varr n’atë gji të thellë,
E dikujt që për ngushëllim,
Përpiqej me përfytyrim,
Në vetmi të krijonte një Eden,
Me shpirt në të mugtin liqen.
LORENZO STECCHETTI*
KUMBON NE RRUGE NJE ORGANETE
Kumbon në rrugë një organetë,
dritare e hapur, mbrëmja sa ka ardhë
çohet mbi fusha e vjen te dhomëz e shkreë
aromë bujare, pranvere të bardhë.
S’e di përse më dridhen gjunjët sot,
s’e di përse më mbushen sytë lot.
Ja, kryet ula, mbi dorën time,
për ty, që je aq larg, bie në mendime.
VAU
Lum që zbret Bolonje gjithë shkëlqim,
Lum i pastër dritë, vjen e shkon i qetë
O lum i dashur, lum i vendit tim.
Ti më rrite, të jem sot poet:
Kallmishteve mike në lulëzim,
Hijeve të fshehta me fresk në çdo breg,
Në blerimin e dendur, bukurinë,
Për herë të parë, njoha dashurinë.
Mbi të artën ranë në ato bregore
Me mërmërimë uji ikte ngadalë
E në va përmes rrjedhës shkumbore
Duhej të hidheshim në breg përballë.
Ajo këndonte e kënga gazmore
Shuhej diku në ultësira pastaj.
Flokartën e bukur, sa fort e doja.
T’i hapja zemrën, as mundja, as guxoja.
Ecnim krah për krah të lumturuar,
Me përkëdhelitë e ditës së re,
Të dy përmes heshtjes të harruar,
Nën hije rrapesh me kryet në re.
Nga veshje e saj e flokrat e praruar,
Përhapej erë lulesh gjithandej,
Erë nga shtati i hajthëm plot shëndet,
Që hyn në shpirt nga udhë e fshehtë.
Dhe ja, atje, buzës lumit në va,
Vrik na rrëmbeu po një mendim të dy,
Të pavendosur u ndalëm një çast
Mes turpit e gazit në buzë, faqe e sy.
Ishim vetëm e askush nuk na pa,
Të skuqur flakë, u pamë sy më sy
E kur ujrat murmurinin më pranë,
Duhej të hidheshim në breg matanë.
Pasi mora zemër, eja, i thashë,
Në krahët e mi të të mbart përtej,
Ajo tha po, qeshi e drejt më pa.
Një ëndje të panjohur ndonjëherë,
Ndjeva teksa më përshkoi shtatin
Fjala u mek, gjuha ndër buzë u mpi,
Zemra hidhej e rrihte fort në gji.
U ula e çorapet hoqa mbi bar;
Ajo me sytë përdhe, unë vështroja.
E mora në krahë e eca në va,
Me vashën, që aq shumë e dashuroja!
E së fundmi u ndodha afër saj,
Në gjirin që dridhej, teksa e shtrëngoja,
E trembur, pëllumbeshë e rrallë,
E rrëmbyer, e mbartur nëpër zall.
E ç’ngjau më pas? E ndjeu me dridhtim
Uji pastër dritë, në rrjedhën e qetë,
Ti më i dashuri lum i vendit tim,
Ti që më rrite, të jem poet:
E dinë kallmishtet në lulëzim,
Hijet e freskia përtej në breg
Blerimi i dendur me gjithë bukurinë,
Ku për herë të parë, njoha dashurin
FJODOR I. TJUTÇEV
———–
D E T I
Sa bukur nëpër natë, o det me valë!
Këtu-shkëlqim atje-në blu dhe terr!
Në dritë të hënës, posi qenie e gjallë,
Shfreh, vezullon, ecën e frymë merr.
Në pambarim, në hapësirë nget,
Lëvizje, dritë, gjëmë dhe shamatë,
Shkëlqim i zbehtë derdhet përmbi det…
Sa bukur-në shkretirë, nëpër natë.
O valë madhështore, o valë deti,
Kjo festë ç’është e për kë kremtojnë?
Suvalat sulen me rropamë e dritë,
Dhe yjet sipër, ndjejnë e vështrojnë.
Te ky shkëlqim e te kjo trazirë,
I humbur si në ëndërr, po qendroj,
Oh! në magjinë e tyre me sa dëshirë,
Të mundja, gjithë shpirtin të mbuloj.
———–
LI BO (701-762)/
PI VETEM
Mes lulesh vendosa poçen,
Kur nata ish e qetë.
Dhe shtruar nisa të pi verë
Pa mik i mbetur shkretë.
Të pinim bashkë i thirra hënës,
Në orë të mirë përmbi dhe,
I çova fjalë hijes sime
E tok u bëmë tre.
A mundet të pijë hëna,
Pyes unë për një çast,
Dhe hija ime, që s’më ndahet
E shpesh më qepet pas?
Me hënën, hijen pa nguruar,
Në natën me qeti,
Gjersa të vijë sërish pranvera
Të pinim rashë në ujdi.
Ia mora këngës, pas avazit,
Lëkundej hënë e artë.
Kërcej, kërcen dhe hija ime
Pa zhurmë dhe e gjatë.
Gëzuam çakërqejf, të tre,
U dehëm për bukuri.
E pasi paq u pimë u ndamë
Gjithkush në fat të tij.
I mbetur vetëm prapë,
më duhet t’endem nëpër jetë.
Gjersa të shihemi ndër yje,
te Kashtë e Kumtrit vetë…
***
VAN VEJ ( 701-761)
NE NJE KASOLLE MALI
Në mes të jetës mbërrita e tani
Në heshtje të vërtetën po kërkoj.
Maleve Zhunan jetoj në shkretirë
E paqe e dëshiruar më pushtoi.
I vetëm shkoj shetis në male thellë,
Kur vjen më merr i ëmbli frymëzim.
Nuk paska qenë e kotë çdo trazirë,
Kujdesjet e dikurshme pa kuptim.
Shpeshherë atje mbi rrëpirë,
Prej nga buron lumi shkumë e valë
Ndalem, e shoh si ngrihen nga luginat
Të bardha borë retë palë, palë.
E rastësisht takohem me druvarin,
Me të ia nis bisedës zemërhapur.
Pa bëj shaka e qesh dhe s’merret vesh
Se ora e kthimit për shtëpi ka ardhur.