Shkruan: Xhemail Peci/
Në një ditë marsi, lajmi i dhembshëm preku zemrat e gjithë atdhetarëve, brenda dhe jashtë atdheut. Njeriu fisnik e bujar, njeriu besnik e atdhetar, njeriu i brumosur me frymën e shenjtë të atdhedashurisë, njeriu i vlerave më sublime që mund të mishërojë një personalitet pooliedrik, njeriu që kishte ardhur në jetë kur ende në Drenicë e gjithandej Kosovës po dëgjoheshin krismat e rezistencës së paepur kundër hordhive barbare, u nda nga kjo jetë e vajti në përjetësi në një prej datave më të veçanta të historisë sonë kombëtare, me 7 mars, në ditën e mësonjtores shqipe e në ditën e mësuesit, datë kjo e mishëruar me gjakimin e pareshtur të një kombi të përvuajtur, për dritën e diturisë, për arsimimin dhe përparimin e mëtejmë shoqëror e kombëtar. Një datë dhe një numër që pos me historinë lidhet aq fort me mitet dhe me legjendat, dhe kjo nuk është rastësi.
Nuk ka dyshim se në traditën ripërtëritëse për një identitet me dinjitet të theksuar, pagëzimi merr gjithmonë përmasat e një përjetësimi. Vatra atdhetare e cila e rriti, sofra bujare e cila e ushqeu, Drenica kreshnike që e nxorri nga gjiri i saj prej zjarrit të pashuar mëmëdhetar, jo vetëm që e kishte pagëzuar por edhe kishte paralajmëruar sërish, se çka ka në emër ka edhe në zemër.
Dhe si do ta pagëzonin ndryshe, e si do ta përjetësonin më bukur idealin e madh të ripërtëritjes së vlerave më sublime të trinmërisë e të bujarisë, përpos me një emër të madh e nga një derë e fisme, përpara të cilit brezat e shqiptarëve mëmëdhetarë kanë pasur një nderim dhe respekt nga më të veçantët.
Pagëzimi ishte në të vërtetë vetë bekimi që iu dha, duke ia vënë emrin që mbeti emblemë e përjetshme e të gjitha kokave kryengritëse në detin e plisave të bardhë të Kosovës martire: Ahmet.
Ahmet Delia ia kishte çartur krajlit të Serbisë ushtrinë me tehun e sakicës. Si një levend që zbret nga epokat dhe shekujt e kreshtave të bardha të Shqipërisë së gjithë shqiptarëve, si një kreshnik që del nga mitet dhe legjendat për të hyrë sa në histori po aq edhe në përjetësi, Ahmet Delia ngriti lart flamurin e rezistencës e të qëndresës kombëtare duke u bërë burim frymëzimi për brezat.
Ahmet Qeriqi, me penë e me pushkë, ia ka çjerrur maskën dhe ia ka çartu Jugosllavisë themelet e saj prej krimesh të panumërta. Që të dy, Agmet Delia me sakicë dhe Ahmet Qeriqi me penë e me fjalën e tij të mençur, rrijnë roje përmbi këto troje të lara me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë që ka nxjerrur toka stërgjyshore.
Që të dy janë sogjetarë amshimi me zemër-thirrjet që e sotmja, e nesërmja dhe ardhmja e jonë të jenë vetë bashkimi. Bashkimi mendor dhe bashkimi shpirtror i shqiptarëve në një shtet me identit dhe me dinjitet kombëtar, sepse as Ahmet Delia e as Ahmet Qeriqi, nuk kanë luftuar kurrë për pushtet, por para së gjithash e mbi të gjitha, për mëvehtësi kombëtare, për liri dhe për një shtet të mirëfilltë në të cilin atdheu dhe kombi do të nxirrnin pararojën e tij të mirëfilltë atdhetare dhe intelektuale, elitën e tij të ëndrruar nëpër breza e të gatuar nëpër kulla e kështjella, nëpër oda e nëpër universitete.
Koha e përligji pagëzimin e bartur ndër breza e ndër shekuj. Koka kryengritëse nuk u ul kurrë, nuk u mposht e nuk u nënshtrua. Përkundrazi, u shumëfishua fara e atyre që e bën me besa-besën, ja të rrojmë e ja të vdesim!
As Ahmet Delia e as Ahmet Qeriqi, nuk e kanë dashur kurrë lirinë si lëmoshë. As bashkëluftëratët e tyre, as bashkëmendimtarët e tyre, e as bashkudhëtarët e tyre.
Ahmet Qeriqi sa i penës ishte edhe i pushkës, sa i kuvendit aq edhe i malit, sa prijatar po aq edhe vizionar, sa misonar po aq edhe parlamentar, sa fisnik po aq edhe bujar, sa demokrat po aq edhe elitar, sa politikan aq edhe shkrimtar, sa eseist aq edhe polemist, sa publicist aq edhe kronist, sa burrëror po aq edhe parimor, sa eshkë po aq edhe unor e strall, sa gojëmjaltë po aq edhe i paepur, sa i mençur po aq edhe trim, sa i patundur në qëndrimet e tij politike po aq edhe i palëkundur në veprimtarinë e tij poliedrike.
Ai është, siç do të shprehej Risto Siliqi, kronisti i ditëve të përgjakshme, sepse kur rrahu topi me duhi, siç do të shkruante Hilë Mosi në poezinë e tij emblematike për Kosovën, Ahmet Qeriqi i dha zë e i dha zemër, i dha krahë e i dha shqpirt një kombi të tërë, fatin e të cilit e kishin nëpërkëmbur aq egërsisht dhe aq padrejtësisht, nëperkat e asaj diplomacie të cilën Xhorxh Fred Uilliams e pat quajtur me të drejtë diplomacia e Europës së shastisur, me të vetmin qëllim, i cili mjerisht po ngre kokën edhe sot në disa përpjekje tinëzare, për ta shëndruar një komb të shumëvuajtur, siç do të shprehej Dom Ndre Zadeja, në ‘turma të përgjakura’, pa shtet, pa dinjitet, pa të ardhme dhe pa siguri, në fatin e tij të prerë me gërshërët e fuqive të mëdha…
Si Mihal Grameno në malet e Mashkullores, Ahmet Qeriqi do të ngjitej me pushkë e me penë, me mendje e me zemër, me mish e me shpirt në malet e Berishës, në atë që Mitrush Kuteli e ka quajtur në mënyrë aq domethënëse ‘Në një cep të Ilirisë së Moçme, për t’i dhënë besë e shpresë një tempulli që do të merrte përmasat e Orakullit të Dodonës: Radios Kosova e Lirë!
Ai dhe bashkëluftëtarët e tij, ai dhe bashkëmendimtarët e tij, ai dhe bashkudhëtarët e tij, kishin një qëllim sa të shenjtë po aq edhe të përbashkët: gjaku i një kombi duhet të flas me një zë e të mos shkoj kot.
Ai u vu në shërbim të këtij qëllimi, me gjithë dijen dhe kulturën e tij, me gjithë intelektualizmin dhe atdhetarizmin e tij.
Ahmet Qeriqi u vu në shërbim të një misioni kaq fisnik me mish e me shpirt, sepse që në hovet e tij djaloshare, që në vrullin e rinisë së tij, ai e ka ditur shumë mirë dhe ka besuar fort se pushtuesve shekullorë të tokave tona, një ditë do t’u vinte fundi.
Tërë jeta e tij, tërë veprimtaria e tij politike, atdhetare, intelektuale, letrare e publicistike kishte një qëllim, vetëdijësimin dhe organizimin e popullit drejt çlirimit përfundimtar.
Në veprimtarinë e tij politike ai ka qenë i prirur prej parimit të përbashkimit të forcave kombëtare, pra synimi i tij kryesor ka qenë bashkimi dhe çlirimi kombëtar. Ndërkaq, lajmtotivi i tij kryesor ka qenë parimi i Pashko Vasës se ‘urdhrat e ndërgjegjës kombëtare duhet të na vijnë për krerë e të na bindin për ushtarë’!
Në veprimtarinë e tij mjaft të frytshme letrare, ai ka dëshmuar dhuntinë e tij krijuese në fusha të ndryshme si romani, kritika, recensionet, kronikat, fejtonet, polemikat, vështrimet e vlerësimet e shumta që ka bërë, duke e shpalosur ndjenjën e theksuar kombëtare por edhe duke mbrojtur vlerat e mirëfillta estetiko-letrare, së bashku me trashëgiminë shpirtrore e kulturore të kombit tonë.
Ai ka mbrojtur me devotshmëri të lartë traditën dhe kulturën tonë të mirëfilltë kombëtare, ka mbrojtur me argumente të qarta e me fakte të shumta historinë dhe krenarinë tonë kombëtare, ai ka vlerësuar drejt dhe e ka ngritur lart, duke e përjetësuar në vazhdimësi figurën e luftëtarit të lirisë, si mishërim i ardhmërisë dhe i krenarisë sonë kombëtare për dinjitet e për shtet.
Ai i ka njohur mjaft mirë si rrethanat politike të kohës-protagonist dhe promotor i së cilës ka qenë që prej fillimit, njëlloj sikurse edhe etapat e historisë sonë kombëtare përgjatë gjatë gjithë shekujve. Në veprimtarinë e tij atdhetare, ai është shquar për guximin e tij, për vizionin e tij, për këmbëngulësinë e tij, për parimin e tij, për papërkulshmërinë e tij, për gatishmërinë e tij të sacrificës si dhe për qartësinë e mendimit e të veprimit politik e atdhetar, drejt konsolidimit të forcave përparimatre kombëtare në shërbim të çështjes shqiptare.
Me fjalën e tij të mençur, me mendimin e tij të bluar mirë, me atdhetarizmën e tij të gatuar thellë, ai ka ndikuar në mendjet dhe në zemrat e njerëzve e të masave të gjëra popullore. Me fisnikërinë dhe me bujarinë e tij, me shpirtbardhësinë dhe shpirtmadhësinë e tij, me mençurinë dhe me trimërinë e tij, ai ishte bërë prej kohësh një shembëlltyrë e veçantë prej atdhetari, një emër emblematik prej veprimtari, një mishërim i krenarisë dhe i largpamësisë kombëtare.
Në veprimtarinë e tij letrare, ai ka dëshmuar se fjala është kreshta më e lartë. Ai e ka dashur dhe e ka çmuar fjalën e shkruar njëlloj sikurse edhe fjalën e folur. Në të parën është shquar për kah dhuntia e tij krijuese, në të dytën për kah oratoria e tij ku ka spikatur gjithmonë maturia e tij, mençuria e tij, mendjemprehtësia e tij. Ai e ka dashur fjalën e gdhendur artistike sepse ai ka besuar në peshën e fjalës, e veçmas ka besuar shumë në flatrat e fjalës shqipe, të cilës i ka dhënë gjithmonë kuptim të ri, domethënie të re, jehonë të re dhe jetë të re.
Ahmet Qeriqi ka pasur një dashuri proverbiale jo vetëm për lirinë por njëlloj edhe për librin. Madje ai e ka dashur librin në përmasat e një simboli të pazëvendësueshëm të dijes, të dritës e të diturisë. Dashuria e tij e madhe për librin, shafqet në veprat që ka shkruar dhe botuar, por edhe në përkujdesin dhe përkushtimin që ka dëshmuar duke botuar librat e të tjerëve.
Ai ka tubuar rreth vetes, pra reth Radios Kosova e Lirë, ashtu sikurse pararendësit e tij, njerëzit e penës por edhe njerëzit të cilëve u ka rrahur e u rrah zemra gjithmonë për të mirën e atdhuet e të kombit tonë. Me qindra janë artikujt e tij në mbrojtje të kauzës sonë kombëtare, të historisë e të trashëgimisë sonë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të së drejtës sonë historike dhe gjeografike. Me qindra janë librat të cilat janë botuar nën përkujdesin e tij dhe me përkushtimin e tij të veçantë. Me mijra janë portretet e luftëtarëve të paepur të lirisë, të heronjve e të dëshmorëve, që shpalosen, lartësohen e përjetësohen gjithmonë, falë nismës dhe kujdesit të tij të jashtëzakonshëm.
Ahmet Qeriqi është një personalitet i jashtëzakonshëm i kohës dhe i tokës që e lindit dhe e rriti. Gjakimi i tij i përhershëm për lirinë, për dijen dhe për dritën, për kulturën dhe për artin, për fjalën e folur bukur e me shije, me kulturë dhe me dinjitet, me përkushtim moral dhe profesional, si dhe gjakimi aq i veçantë për letërsinë, janë lajmtmotivet kryesore të jetës dhe të veprës së tij.
Fjalët tona janë të pakta për ta përshkruar në plotni një madhështi që jetoi e veproi me krenari, por që gjithmonë diti dhe arriti që me modesti të bëjë për vete njerëzit dhe shokët, brezat dhe shtresat e shumta të popullit.
Ai është një shtatore e gjallë e atdhetarizmit, një zjarr i pashuar që ka ndriçuar e ka për të ndriçuar gjithandej për jetë e mot. Emri i tij dhe vepra e tij shumëfishojnë dashurinë për atdheun, kurse përmasa kombëtare e personalitetit të tij prej atdhetari të devotshëm dhe prej intelektuali të mirëfilltë i tejkalon shumë herë përmasat e një monumenti.
Që në fillet e studimeve në Degën e Letërsisë e të Gjuhës Shqipe, të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ai ishte bërë jo vetëm një emër i njohur por edhe aq shumë i dashur për ne. Fakti që ne po studionim ku kishte studiuar edhe ai, na motivonte edhe më shumë, na nxiste më shumë, na shtynte të përkushtohemi më shumë. Ai kishte hyrë kështu në auditorët e ligjëratave tona, kishte hyrë në mendjet dhe në zemrat tona rinore, ai ishte bërë kështu një emër i përveçëm frymëzimi dhe ne po studionim bashkë me të, bashkë me emrin e tij. Ahmet Qeriqi ishte bërë udhërrëfyes i brezave. Krenaria e tij kombëtare si dhe veprimtaria e tij atdhetare, rriste shpresat dhe zgjonte ndjenjat. Qëndrimi i tij dinjitoz e gjithmonë në krah të përvuajturve e të shtypurve, e bënte edhe më të dashur personalitetin e tij, e rriste edhe më përmasën e idealit të tij, dhe na bënte të kuptonim se ishte edhe një histori ndryshe përpos asaj zyrtare, se ishte edhe një letërsi ndryshe, se ishte edhe një brezni ndryshe, e cila çmimin e paqes nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë kurrë ta blejë me çmimin e dinjitetit kombëtar.
Që atëherë e edhe sot, por edhe mot, emri dhe vepra e tij do të frymëzojnë e do udhëzojnë drejt, gjithmonë me ballin lart. Prandaj, bashkëluftëtarët e tij, bashkudhëtarët e tij, bashkëmendimtarët e tij, populli liridashës e mirënjohës për të cilin punoi e veproi tërë jetën e tij, e ka shprehur dhembjen e tij të thellë për ndarjen e tij nga ne, por gjithsesi edhe krenarinë e theksuar që e patëm në mesin tonë, dhe që e njohëm si të tillë, gjithmonë ballëlartë në krenarinë e ligjshme të të qenunit shqiptar.
Homeri ka një varg shumë domethënës, kur ia falë Zeusit epitetin nga më të rrallët që mund të haset në letërsinë botërore: ‘Rrrufeflakërues’!.
Në sfondin e përpjekjeve të pareshtura të brezave dhe të gjeneratave të shqiptarve atdhetarë, u shfaqën për të satën herë rrufeflakëruesit e tij, bartësit e idealeve, Promethejtë që mblodhi atdheu rreth vetes. Besa e maleve i priu luftës me shpatë, pena e Rilindjes Kombëtare Shqiptare i priu pushkës, sepse Elena Gjika i shkruante Jeronim De Radës se ‘lëvizjes politike duhet t’i paraprijë lëvizja kulturore.’
Në sfondin e luftës për liri u shfaq sërish simbolika e frymëzimit, ajo e luftëtarit të përmasave epike, e qëndresës së pathyeshme. Kosova u vu mes Scillës dhe Haridbës. Laokonti sërish mes gjarprinjve. Përmasa ishte sërish epike. Në sfond sopata e Ahmet Delisë si sfidë ndaj padrejtësisë së pareshtur. Kokat kryengritëse sërish në ballë të detit me plisa të bardhë. Me shpatë e me sopatë, me pushkë e me penë, në mal e në qytet, në fushë e në auditore, në fshat e në qytet, në ilegalitet e në kazamatet e bastiljave të Beogradit, zyrtarisht ‘për veprimtari armiqsore’ e shqiptarisht për bashkimin e tokave arbërore, i përjashtuar nga shkolla e i arrestuar, i burgosur e anatemuar, i rrethuar me gjarpërinj e me sprija, me udbashët e Josip Brozit e me zgaqët (siç i ka mallkuar aq bukur poeti e poligloti Dom Ndre Mjeda), agjitator e propagandor, iniciator e kordinator-themelues i Organizatës për Çlirim e Bashkim Kombëtar, herë në Prishtinë e herë në Shkup e në Tetovë, here brenda atdheut e herë jashtë tij në veprimtarinë e bujshme atdhetare e politike, i etur për dije, për dritë e për liri, në katedra e në shkolla, ligjërues e frymëzues, i papërkulur e i pathyeshëm, i edukuar me frymë kombëtare për çështjen e madhe shqiptare, por i pajisur edhe me kulturën fetare të mirësisë në shërbim të të njerëzisë, Ahmet Qeriqi ishte një vetëdije e lartë e atdhetarisë, por gjithsesi edhe një vetëdije elitare politike e intelektuale, një shembull frymëzimi e udhërrëfimi për ne dhe për brezat që do të vijnë.
Viktor Hygo me të drejtë ka thënë se në momentin e vdekjes, nejrëzit e mëdhenj lindin. Prandaj, me të drejtë mund të thuhet se për njerëzit si Ahmet Qeriqi, toka ka më shumë nevojë se qielli!
Asdreni ka shkruar për të mos harruar kurrë: ‘Trashëgim ju lëmë shpirtat tanë!
Ahmet Qeriqi na la trashëgim jo vetëm Kosovën e Lirë por edhe firmamentin e tij se Dielli shndrit edhe përmbi Epir. Nuk është prandaj rastësi që në poetikën e pagëzimit të fëmijve të tij, ka aq shumë profeci, ka aq shumë përjetësi.
Duke shprehur sërish ndjenjën e dhembshurisë më të thellë, por edhe të krenarisë, të respektit e të mirënjohjes pa kufi, si për veprimtarinë e tij të veçantë atdhetare ashtu edhe të admirimit për dhuntinë e tij letrare, së bashku me falenderimet pa fund që nuk ma ktheu kurrë – as edhe një herë të vetme qoftë edhe një shkrim për botim, e them me devotshmëri se nuk do të rreshtim së shkruari në adresën e Radios Kosova e Lirë, në e-mailin e saj.
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi për atdhetarin dhe intelektualin e paepur Ahmet Qeriqi!
I qoftë i lehtë Dheu i Kosovës, të cilën e deshti aq shumë, për lirinë, mëvehtësinë dhe përparimin e së cilës jetoi e punoi, me mish e me shpirt.
DRITË I BËFTË SHPIRTI!
Nderim, respekt dhe mirënjohje pa kufi, për të dhe për gjithë familjen e tij!
Londër, 7-24 mars 2025