nga Albert HABAZAJ /studiues*/
Politikani. Ali Asllani u shkollua në Vlorë, Janinë dhe Stamboll. Pas studimeve të larta në Stamboll, u dërgua të kryente stazhin në prefekturën e Janinës. Më 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës si përfaqësues i klubit “Bashkimi” të Janinës. Më 1910, pas internimit, u kthye në Stamboll. Nga fundi i vitit 1912, u emërua nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të vilajetit të Konjës. Pasi mori lajmin e ngritjes së flamurit në Vlorë, u kthye në vendlindje. Ismail Qemali i besoi detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, si dhe të këshilltarit të kryeministrit. Gjatë kësaj kohe, kryen edhe detyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës. Shoqëria “Përlindja kombëtare”, gjatë Luftës së 1920 – ës, e ngarkoi me detyrën e hartimit të programit, kurse Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” e zgjodhi kryetar të “Katundarisë së Vlorës”. Në vitet tridhjetë Ali Asllani përfaqësoi Shqipërinë në misionet diplomatike jashtë vendit si konsull në Trieste dhe ambasador në Sofie e në Athinë.
Mund të pohohet, se periudha e Rilindjes është dhe djepi ku u përkund Ali Asllani. Qëllimi politik i lëvizjes kombëtare – pavarësia, ishte arritur dhe shqipja qe bërë gjuhë zyrtare. Intelektualët shqiptarë filluan, ndoshta për herë të parë, të shohin se mundësitë e zhvillimit letrar e kulturor ishin të pakufizuara. Këtë e dëshmon krijimtaria e tre poetëve: Çajupi në Egjipt, Mjeda në Shkodër dhe Asdreni në Rumani.
Portreti poetik i Ali Asllanit nuk u mjaftua vetëm me mallin romantik të poetëve të mëparshëm. Në poezitë patriotike, si “Ç’do të thotë patriot?”, “Gjoni”, “Dëshpërim dhe shpresë”, “Buza ime kur do qeshë?”, “Do na bënet Shqipëria?”, “Sazani”, “Ismail Qemali”, “Unë dhe bota”, e sidomos vjersha e famshme “Vlora, Vlora!”, “Ah ky vend …” etj., të realizuara gjatë viteve 1916 – 1924, tok me idealizmin romantik kombëtar, dallohen dhe ngjyrat shqetësuese qytetare të krijuesit. Poezia “Vlora – Vlora” u bë himn e kushtrim në luftën për dëbimin e pushtuesit. Kur preken interesat e Atdheut, ai del në skalionin e parë të protestës dhe shkruan: “Shtatë prill / kopilove, o kopil / e u lute, u këpute / njëqind pashë në dhé u fute!”.
Poeti patriot. Tema atdhetare në poezinë e Ali Asllanit pati dy kulme: Ciklin për Luftën e Vlorës dhe poemën “Hakërrimi”. Në ciklin kushtuar Luftës së Vlorës, sundon dufi dhe sulmi ndaj armikut, lufta e përgjakshme e mbarë popullit, entusiazmi dhe heroizmi i luftëtarëve shqiptarë. Te “Hakërrimi” kanë ndryshuar situatat; s’ka më entusiazëm e dufe fitoresh mbi armikun. Poeti u vërsulet shërbëtorëve të fashizmit, “çakenjëve” që presin errësirën për të pasur “gostitë e veta”: “Hani pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka / të pa bukë ju gjeti dreka, milioner’ ju zuri darka …” Ky teh i stigmatizimit të shërbëtorëve të fashizmit, futja në përmasa të mëdha e personazhit negativ të botës shqiptare, i jep dimensione të reja jo vetëm poezisë së tij, por gjithë poezisë shqiptare të kohës.
Poeti lirik. Ky poet është zëri më i bukur lirik i kohës që jetoi, një mjeshtër i fjalës në poezitë e dashurisë. Është ky poet qejfli që i këndon aq bukur vashës, guguftusë me atë ngjyrë të llahtarshme të dashurisë. Është ky Ali Asllan që këndon me po atë bukuri vendlindjes, fshatit Vajzë, Vlorës së mrekullive që, siç thotë autori, ka shkuar gjer në fund të botës, por “si Vlorën time s’pashë!” Dashuria për vendlindjen është sa e thjeshtë në të shprehur, aq e madhërishme në të ndjerë: “Vlorën, vetëm Vlorën/ Thelb e kam në zemër./ Ditën e kam dritë,/ Natën e kam ëndërr”.
Ndonëse, Ali Asllani ka shkruar lirika dashurie të ndjera – nënvizon prof. Aurel Plasari – ai përmendet veçanërisht për “Hanko Hallën” me ritmin e gjallë njëmbëdhjetërrokësh e me fjalorin e pasur popullor. “Hanko Halla” është një rrëfim plot humor në vargje, që pasqyron mundimet dhe frikën e një zonje energjike nga derë e madhe, që është vazhdimisht në mospajtim me modat e mënyrat që sjell në jetë rinia e që, njëherazi, vë në lojë konservatorizmin e vet. Robert Elsie, në veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare”, shkruan: ““Hanko Halla” hyn në radhën e poezisë më të mirë të këtij zhanri në letërsinë shqiptare”. Poema rrëfimtare “Hanko Halla” shquhet për satirën e hollë dhe frymën e ngrohtë popullore: “Hedhur si lastare, hedhur si billonja; / Zonjat mu si çupa, çupat mu si zonja;/ Palët mu si valët, shkon e vjen një tjetër,/ Duket thanë e kuqe edhe femr’e vjetër!/ Dhe ajo që duket, ëngjëlleshë e butë,/ Në një shishe brenda dy shejtanër futë!/ Llëra lakuriq, këmba lakuriq,/ Demek, sa për mua… edhe burri vdiq!”. Me këtë poezi kaq lirike, në kohën kur Shqipëria qe katandisur “flamur zhele – zhele” i skamjes, varfërisë dhe injorancës, kur për shqiptarin drita e begatia e jetës qe “mollë e ndalueme”, siç thotë “uragani i ndërprerë”, Migjeni, ai duket sikur jeton në një vend dhe në një kohë tjetër nga ajo që gjejmë në veprën e Migjenit dhe të shkrimtarëve të tjerë realistë të mesit të viteve ’30.
Kjo vepër humoristike me Hankon krijoi tipin e gjyshes sonë dhe përmes kësaj poeti mishëroi kompleksin e ndjenjës e të mendimit me një gjuhë të thjeshtë e të bukur, plot fytyra plastike dhe krahasime poetike. Në të gjithë poemën përshkohet një frymë stërgjyshore shqiptare, që thithet me buzën në gaz e pa keqdashje nga çdo zemër vajzërore e djaloshare.
Ali Asllani hyri në historinë e letërsisë shqiptare me një tufë poezish. Poeti nuk kërkon brumë për poezinë e tij më larg nga zemra e vet, e cila nuk rreh për askënd dhe asgjë tjetër pos për një vashë guguftu. Nuk është e papritur që lumturinë jetësore e barazon me vashën dhe para vetes nuk shtron ideal më të lartë se këtë. Pra, ai këndon për veten, për lumturinë e tij dhe vetëm ta dojë guguftuja e çdo gjë vete si mos më mirë.
Figuracioni i pasur, rimat e zgjedhura dhe organizimi i përsosur akustik i vargut të poezisë dashurore i sigurojnë asaj një vlerë të pamohueshme artistike. Natyrshmëria dhe qartësia e shprehjes, pasuria, pastërtia dhe afërsia me gjuhën e unifikuar letrare pa dyshim i mundësuan një jetë të gjatë veprës së tij. Poezia dashurore e Ali Asllanit, edhe ajo liriko – epike në përgjithësi, është si një vajzë e bukur në kohë të lulëzimit e pjekurisë së saj femërore, që s’ia shohim dot veset, sepse na verbon bukuria. Ali Asllani kuptohet dhe vlerësohet i plotë si njeri, si poet, si shtetar e diplomat, për synimet e shumanshme që i vuri vetes dhe i realizoi mjeshtrisht në kohën, në të cilën jetoi, punoi dhe shkroi, ku gjurmët e tij të dukshme vazhdojnë të na lënë një frymë të ngrohtë.
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.