Nga Keida Kostreci/Zeri i Amerikes/Analisti Agron Alibali, paraqiti gjejtjet e tij gjatë punës për librin në shqiptaro-amerikan “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”, një një aktivitet në Bibliotekën e Kongresit, në Uashington. Si studiues jo vetëm i figurave historike por edhe së drejtës ligjore dhe kushtetues, duke folur për Zërin e Amerikës, ai mori shkas nga tradita diplomatike e trashëguar nga figura si Konica dhe Musine Kokalari, për të theksuar se reformat në Shqipëri duhet të jenë produkt i brendshëm bazuar në traditën kombëtare.
Duke bërë një lidhje mes atyre kohëve dhe situatës së sotme politike në Shqipëri, zoti Alibali thotë se kontributi i Konicës, ishte në mbështetje të një doktrine kushtetuese moderne, mbështetur në traditën vendase.
Ai i referohet madje edhe shkrimtares dhe aktivistes antikomuniste dhe antifashiste, Musine Kokalari, e cila në një dokument që i paraqiti me kolegët e saj misionit amerikan dhe britanik në vitin e vështirë 1945, shprehej se do të bëheshin përpjekje që reformat “të mbështeteshin në traditën vendase”.
Ndërsa në Shqipëri së fundmi ka pasur debate ldhur me shkallën e angazhimit të Ambasadorëve të huaj, përfshirë atë amerikan, Donald Lu në politikën shqiptare dhe në përpjekjet për reformën e drejtësisë, zoti Alibali shpreh vlerësimin më të lartë për rolin e diplomatëve amerikanë në lidhje me Shqipërinë, megjithatë shton se:
“Do të ishte një gjë shumë, shumë e bukur dhe vërtet e vlerësueshme që çdo diplomat i huaj në republikën e Shqipërisë të veprojë në bazë të rregullave diplomatike dhe të konventës së Vienës për marrëdhëniet diplomatike dhe kodit të hershëm zakonor diplomatik”.
Zoti Alibali e pranon se ka munguar mbështetja e politikës në vend për të luftuar korrupsionin që ai thotë se është shpërndarë pothuajse në çdo pjesë të jetës shqiptare, dhe se klasa politike e vendit ka pasur më shumë se një herë mundësi që ta zgjidhë këtë çështje, por ai këmbëngul që kushtetuta duhet të reflektonte parimet e qenësishme të së drejtës krahasimore dhe të jetë e kuptueshme nga populli.
“Gjendja e jashtëzakonshme sigurisht që kërkon masa të jashtëzakonshme mirëpo unë kam mendimin që një reformë e suksesshme në drejtësi dhe në kushtetutë dhe në sistemin e zgjedhjeve nuk mund të kryhet nga lart dhe nga jashtë, duhet të kryhet nga brenda dhe nga poshtë dhe të jetë gjithëpërfshirëse”.
Zoti Alibali thotë se reforma mbetet një problem i brendshëm, pasi është për qytetarin shqiptar i cili duhet “të ishet i pari që përfshihet në këtë reformë dhe ai duhet të jetë përfituesi i parë”.