Nga Frank Shkreli/
Javën e kaluar, Z. Servet Pëllumbi, një ish-funksionar i lartë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në një intervistë televizive zbardhi mëtej dokumentin e Ramiz Alisë, të bazuar në platformën e Mikhail Gorbaçovit, të ashtuquajturën “Katovice” duke rrëfyer vendimin e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë për të zbatuar vendimin sekret të Byrosë politike të Shqipërisë, në lidhje me këtë platformë. Në Shqipëri gjithnjë duket si tabu përmendja e këtij këtij dokumenti, dhe si rrjedhim tërheq vëmendje e interesim sado herë që përmendet. Është i rëndësishëm fakti që Z. Servet Pëllumbi, i cili ka qenë pjesmarrës dhe është në dijeni të plotë të ngjarjeve të 20 e sa viteve të jetës politike në Shqipëri, flet për këtë fenomen të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare. Deklaratat e tija kanë peshë dhe janë një kontribut në diksursin politik për zbardhjen e së vërtetës së historisë moderne të vendit. Platforma “Katovice”, në të vërtetë, ishte sajuar nga ish-udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçev. Duke parë se komunizmi si ideologji dhe sistem qeveritar kishte dështuar anë e mbanë ish perandorisë sovjetike, ai në vitin 1987, mblodhi ish-udhëheqsit e partive komuniste në Katowice të Polonisë për tu paraqitur atyre platformën e kalimit nga komunizmi në “demokraci’’.
Megjithëse Partia e Punës e Ramiz Alisë nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Katowicës, pasi e konsideronte veten gjithnjë si shpëtimtarja e fundit e marksizëm-leninizmit në botë, Zoti Pëllumbi thotë se megjithëkëtë platforma “Katowice” i kishte ardhur Ramiz Alisë nga Gorbaçovi dhe sipas tij, diktatori komunist shqiptar e zbatoi atë me përpikmëri — në mendimin tim më me përpikmëri se në çdo vend tjetër komunist të Europës. Zoti Pëllumbi drejton gishtin ke Ramiz Alia, si njeriu i cili në bazë të plaformës “Katowice”, megjithëse në prapaskenë, luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit edhe pas vitit 1990 duke caktuar udhëheqsit e partive politike, si dhe reformat që duhen bërë në fushën ekonomike dhe politike të vendit. Për mua elementi më i rëndësishëm në këtë platformë është amaneti i Ramizë Alisë se si të trajtohen (ose jo) ish-të përndjekurit politikë. Pyetjes së gazetarit në televizionin “Channel One”, nëse Ramiz Alia kishte gisht në zbatimin e platformës “Katovice” në Shqipëri, ish-udhëheqsi socialist, Z. Servet Pëllumbi, ndër të tjera tha këto: “Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri. Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87. Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë. Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete. Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës. Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji. Dokumenti që po ju tregoj është një facsimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike”, tha ai në intervistën televizive për “Channel One”.
Në përgjigje të gazetarit, nëse ka ndonjë pikë referimi ndaj këtij dokumenti, Zoti Pëllumbi tha se dokumenti është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë në vitin 1989, nga i cili ai lexoi në ekran pjesët më thelbësore të dokumentit, bazuar në materialet e Gorbaçovit ku sipas tij, thuhet: “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?” Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”. Dhe kështu u bë. Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”. Momenti i dytë është ai i të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”. Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”. Dhe më në fund, sipas Z. Servet Pëllumbi, Ramiz Alia ka thënë se sipas kësaj strategjie, “brenda dy tre legjilstaurave do kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.
Megjithëse kam besim tek deklarata e Z. Servet Pëllumbi, është shumë vështirë të zbulohet e vërteta mbi zbatimin e këtij dokumenti, siç është vështirë të zbulohet e vërteta për shumë gjëra të historisë komuniste dhe post-komuniste të Shqipërisë. U mbetet historianëve të paanshëm që më në fund të hedhin dritë mbi këtë fenomen dhe të tjerë të kësaj natyre. Por një gjë është e qartë. Nëqoftse Ramiz Alia kishte gisht në vendosjen e udhëheqsve të Shqipërisë post-komuniste dhe në krijimin e partive politike, historia e 20-viteve të fundit tregon se amaneti i ish-udhëheqsit komunist shqiptar – në bazë të platformës “Katovice” — është zbatuar si një skenar i ndjekur me përkushtim,pa ndryshuar pikë as presje. Mund të ketë qenë këjo një koincidencë, ose mund të ketë qenë një aksident historik, që gjërat në Shqipëri të kenë rrjedhur pothuaj përpikëmërisht në përputhje me strategjinë e platformës “Katovice”.
Në vizitën e parë në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991, me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishim dëshmitarë të një vendi të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, por njëherazi u gjëndëm edhe përball një populli plotë pritje, i cili ëndërronte për një të ardhme më të mirë, për një jetë të lirë dhe në drejtësi. Shqiptarët dëshironin integrimin me Perëndimin, rivendosjen e pronës private, të demokracisë, të zbatimit të ligjit. Dëshironon lirinë e shtypit, gjykata të pavarura dhe privatizim. Por sot pas 20 e sa vjetësh, megjithë dukjet dhe retorikën demokratike, Shqipërisë fatkeqsisht i mungon substanca e vlerave të vërteta demokratike dhe është kaplluar nga një kulturë politike e rrënjosur në mos besim dhe mungesë tolerance ndaj kundërshtarit politik, që e ka lënë vendin pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.
Sipas Z. Servet Pllumbi, në skeletin e programit të Ramiz Alisë thuhet se “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin”, një amanet ky që është mbajtur, pasi jo vetëm që ata nuk kishin asnjë mundësi që të merrnin pushtetin, por ata u anashkaluan dhe as nuk u pranuan si pjesë e qeverive të 20-viteve të fundit. Është e mundur që asnjë përson nga rradhët e të ish-përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe as nga bijtë e bijat e tyre të kësaj shtrese të shoqërisë së vuajtur shqiptare të ketë pasur përgatitjet dhe kualifikimet e duhura për ndonjë detyrë me rëndësi në qeveritë socialiste dhe demokratike të 20-viteve të fundit? Kombi shqiptar do të përparojë vetëm atëherë kur të gjithë trajtohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Vetëm atëherë kur nuk bëhen përjashtime, por kur të inkurajohet pjesëmarrja dhe përdorimi i talentit dhe potencialit të plotë të çdo personi pa marrë parasyshë të kaluarën familjare ose bindjet politike të tij. Kombi do të përfitojë dhe të shkojë përpara vetëm atëherë kur të tërheq talentet më të mira nga të gjitha shtresat e shoqërisë – pa ndonjë barometër politik – me qëllim realizimin e ëndërrave të shqiptarëve të para 20-viteve dhe vetëm në këtë mënyrë Shqipëria dhe Shqiptarët do të jenë në gjëndje të përballojnë sfidat e mëdha tani dhe në të ardhëshmen. A është e drejtë që bijtë dhe bijat e të përndjekurve të mos përfshihen në qeverisjen e Shqipërisë demokratike? Fatkeqsisht praktikat e qeverive të 20-vietve të fundit, më shumë kanë ndarë e përçarë se sa kanë bashkuar e pajtuar.
Trashëgimia komuniste nuk mund të zhduket lehtë, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada ç’prej rënjes së komunizmit zyrtar. Këjo trashëgimi është pjesë përbërse e individëve, e grupeve dhe klasave shoqërore shqiptare dhe si e tillë, këjo trashëgimi fatkeqsisht është vendosëse për fatin e shqiptarëve tani dhe në të ardhmen. Sidomos në Shqipëri, përballimi me të kaluarën duket se është tepër i vështirë — mos i pamundur — pikërisht për ndasitë e mëdha që kanë ekzistuar dhe që ekzistojnë midis viktimave dhe atyre që në emër të regjimit komunist dhunuan dhe shkelën të drejtat njerëzore të këtyre viktimave, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim. Shoqëria shqiptare ka nevojë për krijimin e një hapsire të lirë publike ku qytetarët mund të debatojnë të pa penguar dhe pa ndërhyrje mbi çështjet e rëndësishme për fatin e tyre. Martin Luter Kingu ka thënë se, “Jeta jonë fillon të marrë fund, pikërisht në ditën kur ne heshtim për gjërat e rëndësishme.
Z. Servet Pëllumbi hapi një debat për një gjë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare të 20-viteve të fundit. Dhe në një seminar të organizuar ditët e fundit nga Ambasada e Polonisë në Tiranë mbi standardet e të drejtave të njeriut dhe bashkpunimin me shoqërinë civile, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut është problemi kryesor politik dhe ekonomik që pnegon zhvillimin normal të vendit duke thënë se “familja europiane, ku dëshirojmë të rikthehemi pas një mungese të gjatë dhe ku aspirojmë të jemi të barabartë mes të barabartëve, kërkon ndërgjegjësim të madh të shoqërisë, promovimin e një barazie, tolerancë dhe gjithpërfshirje më të madhe se ai me të cilin është mësuar shoqëria tradicionale shqiptare”.
Si e sheh Shqipëria të ardhmen e saj gjatë 20-viteve të ardhëshme? Cilat janë vlerat dhe objektivat mbi të cilat do të ndërtohet këjo e ardhëme. A do të jenë gjithëpërfshirëse a po do të vazhdojnë të jenë përjashtuese? Pa vlera dhe pa ideale të përbashkëta dhe pa të drejta të barbarta për të gjithë, përfshirë dhe ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, por sidomos bijtë dhe bijat e tyre, të cilët janë në moshën për të kontribuar — dhe pa marrë parasyshë amanetin e Ramiz Alisë — duhet të kenë të drejtën e konkurencës që t’i shërbejnë Atdheut në çdo kapacitet dhe detyrë për të cilën kanë kualifikimet e nevojshme. Për ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të çalojë drejtë përparimit, zhvillimit dhe integrimit europian për të cilin ka aq shumë nevojë.
Arben Kallamata
Zbardhet letra që Sekretari i Parë i KQ të Bashkimit Sovjetik, Mikail Gorbaçov i ka drejtuar Sekretarit të Parë të KQ të kallamataPPSH-së, Ramiz Alia.
Shtator 1989
I dashur tavarish Ramiz,
Po ju dërgoj këtë letër dhe materialin përcjellës, megjithëse Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe Partia e Punës së Shqipërisë nuk kanë marrëdhënie. Kjo nuk na pengon ne, komunistët rusë, që të ruajmë respekt, nderim dhe dashuri të veçantë për komunistët shqiptarë dhe të shqetësohemi seriozisht për fatin e tyre. Në fakt, e ardhmja e komunistëve shqiptarë është preokupimi kryesor për ne në këto ditë kur komunizmit në përgjithësi duket se po i vjen fundi dhe kur unë, personalisht, po ndikoj më tepër se kushdo për shpejtimin e këtij fundi.
Megjithëse ju nuk pranoni të vini në mbledhjet tona (pavarësisht nga lutjet e vazhdueshme), ne e ndjejmë për detyrë t’iu njoftojmë, pasi e kemi të qartë që ju jeni fanar ndriçues i komunizmit staliniano-enverist në Europë dhe në Botë, ideale për të cilat, siç dihet, unë s’kam pikë konsiderate.
Prandaj, më lejoni t’iu informoj për marrëveshjen e Katovicës, Poloni, ku ne, udhëheqësit e vendeve komuniste diskutuam në fshehtësinë më të madhe dhe vendosëm për të ardhmen e secilit vend.
Kuptohet, qëllimi i këtij plani është që të lëmë në pushtet komunistët. Për këtë, vendosëm pranimin e sistemit shumëpartiak në të gjithë vendet ish-komuniste, me kusht që ne t’i organizojmë vetë partitë e ndryshme duke vënë njerëz të caktuar në krye të tyre. Këta njerëz s’ka nevojë të jemi ne. S’ka nevojë të jenë as fëmijët apo farefisi ynë. Po cilët do të jenë ata? Këtë do ta shpjegojmë më poshtë.
Duhet sqaruar që në fillim se ne bëmë disa përjashtime nga përpjekjet tona. Për shembull, menduam që të mos e çajmë fare kokën për Gjermaninë Lindore, pasi nuk kemi ndonjë dashuri të veçantë për komunistët gjermanë dhe s’kemi përse i ndihmojmë ata të rrinë në pushtet. Megjithëse gjermanolindorët kanë qenë shumë afër Moskës, ne duam më shumë komunistët shqiptarë dhe elementë të caktuar në Partinë tuaj. Po kështu, nuk kemi ndonjë dashuri të veçantë as për komunistët polakë, çekosllovakë, dhe hungarezë. Vullnetarisht kemi hequr dorë edhe nga ndihma për komunistët e vendeve Balltike, pavarësisht se këto vende janë ende pjesë e BS dhe shumë anëtarë partie atje janë rusë etnikë. Të gjithë këta do t’i lëmë në dorë të borgjezisë evropiane, SHBA-ve dhe imperializmit në përgjithësi. Ndërsa komunistët jugosllavë i kemi bezdi, prandaj kemi vendosur t’i vëmë në sherr me njëri-tjetrin, që të vriten e të sakatohen, dhe që pastaj nga Jugosllavia të dalin gjashtë-shtatë shtete me të cilat nuk kemi vendosur ende ç’do të bëhet. Sa për Rumaninë, vendosëm të dënojmë me vdekje Çausheskun dhe të shoqen, dhe të ndihmojmë komunistët rumunë që nuk janë në pushtet tani.
Të gjitha këto masa i morëm megjithëse shkojnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat gjeopolitike të Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik. Por për ne, hëpërhë, kanë më shumë rëndësi disa komunistë ose elementë të caktuar me prirje të veçanta, të cilët kemi vendosur t’i bëjmë trashëgimtarë të pushteteve në Rusi, Ukrainë, Bullgari, Rumani, Moldavi, Azerbajxhan, Armeni, Turkmenistan, Kazakistan dhe, veçanërisht, në Shqipëri. Ekspozenë e mëposhtme po e përqendroj te Shqipëria, pasi kjo lidhet drejtpërdrejt me ju. Dua t’ju siguroj se mbledhja e fshehtë e Katovicës, nga gjashtë ditë punimesh, katër ia kushtoi Shqipërisë dhe atyre shqiptarëve që do të trashëgojnë pushtetin aty.
Ja çfarë vendosëm:
Shokët shqiptarë, për të ruajtur pushtetin duhet të pranojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe pluralizmin politik. Ne e dimë se sa e vështirë është të pranoni respektimin e të drejtave të njeriut, pasi kjo bie kryekëput në kundërshtim me idetë bazë të marksizëm-leninizmit dhe me të gjitha instinktet tuaja, por jemi të bindur që ju do të gjeni forca ta pranoni këtë formalisht, ndërkohë që realisht do të vazhdoni të mos i respektoni ato.
Pika më e nxehtë është pluralizmi politik. Ne ju udhëzojmë që të jeni të fundit në Europë që ta pranoni pluralizmin politik. Kjo do t’ju japë përparësi të mëdha. Gjithashtu, ju udhëzojmë t’i organizoni vetë partitë politike, të ndara në dy kampe të mëdha – të majtë dhe të djathtë. Këtu duhet të luani me kujdes. Në partitë e majta duhet të fusni elementë anti-komunistë (për shembull, ish-ministra të brendshëm, ish-bij komunistësh, mbështetës të flaktë të Enver Hoxhës, etj). Në krye të tyre mund të zgjidhni ndonjë anti-komunist të thekur nga Fakulteti i Ekonomisë, apo Shkolla e Partisë Vladimir Iliç Lenin. Duhet një njeri inteligjent që të ketë qejf të prishë para, që luan kumar, dhe që s’ka skrupuj, Për shembull Fatos Nano, për të cilin pjesëmarrësit e mbledhje së Katovicës kanë adhurim të veçantë. Ky do të jetë i përkohshëm/i përhershëm, pasi do të luajë vetëm një rol kalimtar në shndërrimin e partisë suaj nga Parti e Punës së Shqipërisë, në Parti Socialiste të Shqipërisë, por edhe do të aktivizohet më vonë duke u rikthyer në pushtet. Nano dhe gjithë të tjerët do të zëvendësohen përfundimisht me njeriun për të cilin ne jemi vërtet të shqetësuar dhe për të cilin kemi vendosur që ta trashëgojë realisht pushtetin dhe pasurinë në Shqipëri.
Rreth Partisë kryesore të Majtë, do të krijoni parti të tjera të majta satelite, në krye të të cilave mund të jenë ish-ministra Kulture, apo eksponentë të tjerë anti-komunistë të Partisë suaj. Partitë e majta do të jenë anti-komuniste.
Nga ana tjetër, partitë e djathta do të jenë pro-komuniste. Për këtë do të duhet të dërgoni një numër të pakufizuar agjentësh të fshehur në këto parti. Në krye të partisë më të madhe të djathtë, të cilën mendoj ta quani Partia Demokratike, kemi menduar të jetë mjeku dhe kryeagjenti komunist rus, kardiologu Sali Berisha. Pjesëmarrësit e Katovicës janë shumë të impresionuar nga mundësitë dhe ambiciet e tij politike dhe shumë të shqetësuar që ai të arrijë të trashëgojë një pjesë të pushtetit në Shqipëri. Krahas tij në atë parti mund të fusni arkitektë, ish-të burgosur politikë, mjekë me shumicë, matematicienë dhe pedagogë nga fakultetet e tjera. Por duhet që të gjithë të jenë komunistë të vendosur.
Pra, pamja do të jetë kjo – nga njëra anë partitë komuniste/antikomuniste dhe nga ana tjetër partitë antikomuniste/komuniste. Në krye të këtyre partive do të jenë gjithmonë njerëzit tanë.
Po me ju, njerëzit që sot për sot keni pushtetin në Shqipëri, me anëtarët e byrosë politike, me shoqen Nexhmie Hoxha dhe familjen e tyre, me ju personalisht, ç’do të bëhet? Juve kemi vendosur t’iu sakrifikojmë pjesërisht. Nuk do t’ju lëmë në duart e turmave, që t’ju shqyejnë fare, por do t’ju mbrojmë. Ju mund të hani nga një ose dy vjet burg secili, por kjo është lule po ta krahasosh me krimet që keni kryer gjatë dyzetepesë vjetëve në pushtet.
A do ta pranoni ju një zgjidhje të tillë? Natyrisht që do ta pranoni, pasi ju sugjerohet nga Bashkimi Sovjetik, që ju keni që në 1960-ën që e dëgjoni me vëmendje, sidomos kur ju thotë që të lini pushtetin. Gjithashtu, ne e dimë shpirtin tuaj vetëmohues. Kur të merrni vesh se në interes të kujt do të organizohet e gjithë kjo, do të hidheni përpjetë dhe do t’i thoni të gjithë burgut “Hapu!”
Ja si do veproni. Hapi i parë do të jetë organizimi i hyrjes në ambasada të disa mijëra njerëzve. Me këtë, do të largoni nga Shqipëria elementët më të rrezikshëm. Në krye të tyre do të vini Syçin e Kinostudios.
Pas kësaj, do të organizoni lëvizjen studentore. Gjeni dikë nga krahina e Doktorit që ta vini në krye të saj. Ti, shoku Ramiz, do të bësh një mbledhje me përfaqësuesit e studentëve dhe pastaj do të pranosh pluralizmin. Këtu fillon loja, pasi do futësh në veprim Berishën, që të dalë në krye të studentëve. Ndërkohë, do fillosh të ngresh Nanon që të dalë në krye të PPSH-së. Me të dalë në skenë partitë kryesore, vazhdo me ato anësore. Organizoni sa më shumë parti që të jetë e mundur.
Filloni të lironi pak e nga pak nga burgu të dënuarit politikë. Fillimisht ata do të shkojnë me partinë antikomuniste/komuniste, ndërsa më vonë do kalojnë me partinë komuniste/antikomuniste. Kuptoni?
Nanon, pasi ta ketë kthyer Partinë e Punës në Parti Socialiste do ta sillni për nja një vit në pushtet. Lëreni të vjedhë ca nga ndihmat, pastaj, hiqeni, dhe vini Berishën. Këtij do t’i mbushni mendjen që ta fusë Nanon në burg. Bindeni që t’ju rrasë edhe ju nga pak në burg.
Berishën lëreni nja pesë vjet në pushtet, pastaj rrëzojeni. Rrëzimin do t’ia bëni në mënyrë sa më spektakolare, mundësisht me fishekzjarrë ose me të shtëna kallashnikovësh në ajër. Zhurma duhet të jetë sa më e madhe, pasi këtu fillon përgatitja e ardhjes së Mesias, të dërguarit të Kominternit, në pushtet. Ardhja e Mesias do të jetë graduale, e natyrshme. Në fillim do të zëvendësoni Berishën me ndonjë njeri të panjohur nga Gjirokastra. Pastaj ktheni në pushtet Nanon, të cilin do ta keni nxjerrë nga burgu gjatë kohës së fishekzjarrëve.
Nano di vetë si të veprojë. Do t’ua sjellë njerëzve në majë të hundës, duke hedhur para nëpër kazino, duke ndërruar gratë, duke bredhur sa andej-këndej dhe duke mos bërë asnjë kokërr pune. Ndërkohë, Mesia do të fillojë të grumbullojë gjithmonë e më shumë pushtet.
Tani erdhi koha t’ju zbulojmë kush do të jetë Mesia e komunizmit kapitalist. Mbledhja e Katovicës është e mendimit që, për Shqipërinë ky njeri të jetë Ilir Meta. Të gjitha lëvizjet do të bëhen në mënyrë që të përfitojë sa më shumë pushtet dhe para Ilir Meta. Në fakt, ky është edhe thelbi i Katovicës – lënia trashëgim e pushtetit komunist Ilir Metës.
Ilir Metës i duhen nja dy vjet si kryeministër, sa t’iu mbushë mendjen njerëzve që mund ta bëjë atë punë dhe sa të krijojë mbështetje. T’i jepet ndihmë e pakursyer këtij komunisti internacionalist të talentuar i cili, më mirë se kushdo do të dijë t’i nxjerrë bojën të ashtuquajturës demokraci perëndimore. Pas Ilir Metës, vini Majkon nja dy vjet të tjerë dhe pastaj sillni përsëri Nanon. Ky do ta bëjë aq baltë, saqë do të hapë dy shtigje të rëndësishme: nostalgjinë e njerëzve për Berishën, dhe përçarjen brenda Partisë Socialiste.
Kështu do të krijohet mundësia që PS të ndahet në dysh dhe në krahun e vogël të saj të dalë Ilir Meta, tashmë i fuqizuar ekonomikisht si milioner dhe bos. Në krahun tjetër do të vihet dikush që duket sikur s’ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste dhe me politikën, Edi Rama. Po, po, Edi Rama, basketbollisti, piktori, ai djali i gjatë. Mos u çudisni, Katovica ka shumë konsideratë për të.
Berishën lëreni nja tetë vjet në pushtet, por jo në pushtet të pakufizuar. Lëreni në pushtet të kushtëzuar. Të kushtëzuar nga aleanca me Ilir Metën. Ky do të dijë ta kthejë administratën në korrupsion të kulluar dhe ta vërë në shërbim të tij. Korrupsioni do t’i rrisë atij pushtetin dhe paranë dhe, nga ana tjetër, do t’i nxjerrë bojën sistemit demokratik, duke i bërë njerëzit që ta shohin me nostalgji komunizmin. Më vonë Metën do ta ndani nga Berisha dhe do t’ia bashkoni Ramës. Në këtë mënyrë, Berisha do të humbasë zgjedhjet, por do të krijohet situata ideale, të cilën e kemi planifikuar me aq hollësi ne në Katovicë. Do të krijohet gjendja kur asnjë nga partitë e mëdha, as partia komuniste/antikomuniste dhe as partia antikomuniste/komuniste nuk do të jenë në gjendje të krijojnë qeveri pa përkrahjen e Ilir Metës – Mesias së Marksizëm-Leninizmit në Shqipëri. Vetëm ky do të jetë në gjendje t’ua zvjerdhë demokracinë shqiptarëve dhe t’i bëjë ata të qajnë për Enver Hoxhën. Natyrisht, do të kenë kaluar njëzet e ca vjet; ca nga ju do të kenë vdekur; por kujtimi i shokut Enver, që ne rusët e duam aq shumë, do të bëhet gjithmonë e më i dashur.
Shkurt, për Katovicën ka rëndësi jetike që në Shqipëri të mbretërojë Mesia Ilir Meta.
Ne kemi besim se shokët shqiptarë, Byroja Politike e Partisë së Punës së Shqipërisë, Ju personalisht shoku Ramiz dhe vetë Shoqja Nexhmije do ta përqafoni planin tonë dhe do të dini se si të veproni për t’ia trashëguar pushtetin në Shqipëri Ilir Metës. Ju urojmë punë të mbarë dhe suksese.
Rroftë Internacionalizmi Proletar! Lavdi Marksizëm-Leninizmit fitimtar! Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë! I përjetshëm qoftë kujtimi i shokut Enver Hoxha! Poshtë imperializmi amerikan dhe social-imperializmi sovjetik! Uuups! Rroftë shoku Ilir Meta!
Shënim: Origjinali në rusisht i kësaj letre gjendet në arkivin personal të zotit Mikail Gorbaçov. Me kërkesën e një grupi të interesuarish, ai pati mirësinë të na e nisë me email.