*Delawie: Parlamenti nuk është vend i armëve e dhunës
*Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie u bën thirrje partive që të gjejnë zgjidhje/
Ambasadori Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie u ka bërë thirrje partive politike që të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar. Ai i ka bërë këto thirrje pas një takimi me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga lidhur me ngjarjet e fundit në Parlamentin e Kosovës, ku opozita hodhi sërish gaz lotsjellës për pamundësuar mbajtjen e seancës.
Ambasadori Delawie u tha mediave se partitë politike duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të dalë nga situata politike në të cilën ndodhet Kosova.
“Para së gjithash, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet e saj demokratike. Unë besoj që parlamenti është vend për diskutim, debat, si dhe për mos pajtueshmëri. Por, jam i sigurt që ai nuk është vend për armë, dhunë dhe pengim”, tha ambasadori Delawie duke bërë thirrje që të mos rrezikohet e ardhmja e Kosovës.
“Do të doja të inkurajoja të gjitha partitë që të marrin frymë thellë, ta pyesin vetën se a po i ndihmojnë veprimet e tyre të ardhmes së Kosovës si demokraci evropiane, apo po rrezikojnë izolimin. Dua të inkurajoj të gjitha partitë të gjejnë një mënyrë për të ndihmuar parlamentin, krijuesin e demokracisë së Kosovës, që t’i kthehet rendi”, tha ambasadori Delawie.
Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë dhe shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.
APartitë në pushtet ndërkaq po i bëjnë thirrje opozitës të lejojë debatin në parlament, duke tërhequr vërejtjen se bllokimi i punës së tij është shembull i dëmshëm për të ardhmen.