Ambasadori Donald Lu ka reaguar në Facebook pas përzgjedhjes së anëtarëve të KLP dhe KLGJ, pavarësisht se nuk u votuan në Kuvend për mungesë kuorumi.
Emrat u përzgjodhën me short pasi mazhoranca dhe opozita nuk e gjetën konsensusin për të miratuar një listë të përbashkët.
Opozita votoi kundër duke akuzuar se qeveria kërkon të vërë në dorë drejtësinë e re. Diplomati amerikan thotë se politikanët shqiptarë kanë frikë nga drejtësia.
Në mesazhin e publikuar nga Ambasada Amerikan ën Tiranë, Lu thotë se, politikanët kanë frikë nga reforma në drejtësi, por, kjo reformë ka hedhur sot një hap të rëndësishëm.
“Politikanët, në të majtë dhe në të djathtë, kanë frikë nga reforma në drejtësi. Mos u përqëndroni në lajmin e keq se politikanët dështuan sërish të bashkëpunojnë në përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së.
Përqëndrohuni në lajmin e mirë se Kushtetuta e kishte parashikuar këtë gjë dhe sot i përzgjodhi anëtarët në mënyrë rastësore. Unë kam më shumë besim në një përzgjedhje të rastit sesa në përzgjedhjen nga politikanët. Reforma në drejtësi ka hedhur një hap përpara”,- shkruan ambasadori Donald Lu në Facebook.