Kryeministri Rama zhvilloi sot, e Hene 21 Shtator, një takim me ambasadorin amerikan në vendin tonë Donald Lu. Në takimin e mbajtur në kryeministri, ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.
Po sot, ambasadori amerikan ka zhvilluar një takim dhe me Presidentin Bujar Nishani. Për të dy takimet nuk ka pasur njoftime për temat e diskutuarat nga Zyrat e Shtypit. Ndërsa në orën 13:30 Ambasadori i SHBA ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.
Burime jo zyrtare nga Kryeministria thanë për mediat se në takim është diskutuar për vizitën që pritet të bëjë këto ditë në SHBA kryeministri Edi Rama. Megjithatë, vizita e kryeministrit në SHBA nuk mund të ketë qenë temë e takimit të ambasadorit Lu dhe me Presidentin, apo dhe me kreun e Kuvendit. Ka diçka që nuk thuhet, porse kanë filluar fjalët e para të dalin për një ndryshim në Qeveri. Kush ikën edne nuk dihet, komenton ne botimin e saj ne online gazeta Koha Jone !
Duke pasur parasysh dhe zhvillimet e fundit, akuzat për trafikun e drogës dhe dekriminalizmin, duket se takimet e sotme nuk janë zhvillime rutinë. Diçka po luhet në politikë. Pas takimeve të tilla gati urgjente, gjithmonë fshihen lëvizje të forta në politikë.
Prej ditësh ambasadori i SHBA-së ka qenë tepër aktiv lidhur me largimin e zyrtarëve të korruptuar dhe inkriminuar. Javën e kaluar ambasadori zhvilloi takime të veçanta me kryetarin e Opozitës Lulzim Basha, por dhe me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në ministrinë e këtij të fundit. Gjithashtu aktivitete publike të ditëve të fundit përcolli apelin për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi, luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.