LONDER : Diplomatët e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, Me 26 prill 2013, morën pjesë në një meshë të veçantë ceremoniale në Kishën italiane të Shën Pietrit në Londër të cilën e mbajti Eminenca e Tij, Kardinal Renato Raffaele Martino, Priori i Madh i Urdhrit të Shenjtë Konstantinian të Shën Gjergjit, Presidenti Emeritus i Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe Paqes dhe Këshillit Papnor për Migrantët, një nga figurat më të shquara të Vatikanit. Kjo meshë organizohej nga Delegacioni i Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës i Urdhrit Kostantinian të Shën Gjergjit, i kryesuar nga z. Anthony Bailey OBE, me rastin e ditës së Saint George, shenjtorit protektor të Anglisë.
Gjatë kësaj ceremonie u dekoruan me tituj nderi disa figura të shquara që kanë kontribute e merita të veçanta në jetën civile ose fetare të Anglisë. Ambasadorit të Shqipërisë z. Mal Berisha iu dorëzua nga Kardinal Martino titulli “Commendatore” i Urdhrit Mbretëror të Franceskut I dhe dekorata kalorsiake përkatëse. Ky titull, i dyti në hierarkinë e Urdhrit të themeluar në 1829 nga Mbreti i Dy Sicilive Francesku I, nderon individë me merita në jetën publike, shkencore, artistike, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare dhe kombëtare.
Në Britaninë e Madhe janë dekoruar në të kaluarën nga Urdhri Mbretëror Francesku I figura si Baronesha Thatcher, Sir Gavin Arthur, ish-Lord Mayor i City of London, ish-Arqipeshkvi i Canterbury-it Dr Rowan Williams, Duka i Westminsterit, etj.
Ky dekorim vjen pas shumë veprimtarishë të spikatura që Ambasada Shqiptare në Londër ka organizuar duke e bërë të njohur Shqipërinë në këtë vend si dhe duke shtuar një interes më të gjërë rreth vendit tonë. Ajo përbën gjithashtu një vlerësim për vetë diplomatët dhe punën e Ambasadës aq sa edhe për progresin që Shqipëria ka bërë në të gjitha fushat, e veçanërisht për historinë e saj unike të tolerencës fetare midis qytetarëve të saj me besime të ndryshme.