Ne Foto:Grupi i Grave deputete te Kuvendit te Kosoves priti në një takim lamtumirës ambasadoren e SHBA,Tracey Ann Jacobson/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Korrik 2015-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pati sot takimin përshëndetës me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.
“Ajo po largohet për në detyrën e saj të re, duke lënë prapa një kontribut shumë të çmuar në proceset e përparimit të vendit tonë”, shprehet kryeparlamentari kosovar.
“Unë e falënderova znj. Jacobson për kontributin e saj, ndërsa ajo më premtoi se do të mbetet një mike e përhershme e Kosovës, ashtu siç janë edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Veseli në ‘Facebook’.
Edhe Grupi i Grave Deputete, kryesuar nga Blerta Deliu-Kodra, priti sot në një takim lamtumire ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
“Në emër të grave deputete dua t’ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme që ju si ambasadore, por edhe i gjithë stafi juaj, i ka dhënë fuqizimit të gruas në Kosovë, përkrahje e cila është dhënë direkt nga Ambasada, apo përmes projekteve të USAID-it dhe NDI-is, të cilat vazhdojnë të jenë partnerë të fuqishëm për avancimin e gruas”, u shpreh Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se, Grupi i Grave Deputete është grup gjithëpërfshirës i të gjitha grupeve parlamentare dhe komuniteteve, grup i cili ka arritur që për çështje me interes për gruan t’i tejkalojë dallimet politike, etnike e religjioze.
Ambasadorja Jacobson tha se ky është takimi it fundit në Kuvend para se të largohet nga Kosova. Ajo vlerësoi lart punën e grupit të Grave, si grup gjithëpërfshirës, i cili është zë i fuqishëm për gruan dhe demokracinë, për mirëqenien e gruas, fëmijëve dhe zhvillimin e vendit.
Në takim deputetet shprehën fjalë falënderimi edhe për përkrahjen e përhershme që SHBA-ja i ka dhënë dhe i jep Kosovës.
Ambasadores iu dhurua një mirënjohje për kontribut të palodhshëm për të drejtat e grave dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre efektive në jetën shoqërore e politike në Kosovë.