ANTON ÇEFA/
Tubëz lirike/
(Nga permbledhja poetike e pabotueme : “Ritme kalese”)/
Poeti/
Nëpër shpirt udhëton/
dhe i falë jetës/
nji kuptim prej andrre/
qi dhemb./
Lejleku/
Lejlek,/
O shpend i urtë,/
i madhërishëm nën pelerinë të bardhë/
e shpirt prej bore./
Me krahë të leht
qiellnajesh t’mjegullueme flutron
i tretun malli
po rishtas kthen n’fole
Lejlek, o shpend i urtë,
me shpirt prej bore,
mësoma, të lutem,
artin e vështirë të kthimit!
Lule kumbonët
Mëngjesi davariti yjet.
Në kopsht ,
lule kumbonët hapin gojët mavi
plot vezullime.
Aromat ,
kundërmim dëshirash të mshehta
dhe fjalësh të pathëna ,
dihasin në kercellin e blertë të mendimit tim.
Shpirti im gjithnji gjen paqe
në bukuritë qi pluskojnë papritmas
në gojët e hapura.
Akuarel
Fort po shndrit njaj diell.
Bardhësi alpine shtrihet mbi lugina
N’ ortek të borës uluron ulkonja
Pezull jeta varet mbi greminë
Edhe pse dielli shndrit.
Djegie me hyjzit e natës
Fije përrallash të lashta
digjen me hyjzit e natës.
Flakë tingujsh ndigjoj
e zanesh të hershme
ku janë gdhendë fytyrat e trembuna
të stinëve
qi dikur kanë qenë të mijat
e tash përndezen n’kujtesë
si përrallat e lashta
qi digjen me hyjzit e natës.
Te dera e jetës të kam pritur
Ndër ninëza agimesh
vezullon universi i blertë i jetës.
Atje te dera e saj
të kam pritur,
Evë e Afërditë !
Shpirt prej arome trëndafili,
trup prej tuli bore t’ përndezur,
më ke pritur,
Evë e Afërditë !
Te dera ku brenga e mallit rri zgjuar
e ernat përkëdhelin gjijtë e andjes njerëzore,
jemi takuar,
njerëzorja Evë,
hyjnorja Afërditë !
Brymë e borë
A je brymë, moj, a je borë
Mall i brishtë e brengë e bardhë
Brishtësi me pah prej bryme
Bardhësi me zdritje bore
Brymë e borë
Ti bukuria!
Ti . . .
Ti që në dekorin e dhimbjes sime,
me duer të brishta,
vizaton fytyrën tande
si padashur,
ti që në brigjet e andrrës sime
hedh nji klithm ë pulbardhe,
si pa u kujtuar,
ti që me kurmin tand t’përflakur
përndez delire në damarët e mi,
si pa u menduar,
je vetë dashuria
e unë jehonë e saj.
Prehje
Po prehem në kolltukun e zvërdhamë
Të mungesës sate.
Hije e dridhshme lamtumire
E varun diku në gjysmë errësinën e dhomës,
Ikja jote.
Aroma e trupit tand erë mersine,
Riti i lashtë i puthjeve qi s’e tret koha,
Moria e fjalëve pa mbarim
E gjurmët e kambëve lakuriqe
Mbi qylymin e blertë të kujtesës
Prehen me mue
Në kolltukun e zvërdhamë të mungesës sate.
Ma e dhimbshme ikja jote
Në pohimin e vështirë:
Çdo gja në këtë jetë asht ikje.
Nji dritë
Pertej pamjes sime
nji dritë qi shihet,
nuk shihet
më prekë, nuk më prekë
retinën e synit.
E ndjej, nuk e ndjej
gjallërinë e saj gjithmonë në lëvizje,
dridhet, nuk dridhet
rrugicave t’errta
të qenies.
Dritë qi shihesh,
nuk shihesh,
e ndjej, e perndjej
gjallërinë tande gjithmonë në lëvizje.
E ndjej, e perndjej
në dridhjet ma t’mshehta
të pulsit
të ndjenjës
të shpirtit.
E ndjej, e perndjej
në dridhjet ma t’shpeshta
të frymës
të fjalës
të jetës.
Pertej pamjes sime
valë qi kapen, nuk kapen
prej synit
ndriçojnë, hijesojnë
çdo skutë
t’vetdijes
të andrrës
t’dalldisë.