Nga Astrit Lulushi/
Me 13 prill 1920 – Esad Pashë Toptani ndërmerr një përpjekje të re (të fundit) me dhunë për t’u bërë mbret i Shqipërisë së tij të mesme. Qeveria në Tiranë paralajmëroi popullatën kundër pjesmarrjes në veprimet e Esadit, duke thëne se ai financohej nga jugosllavët, të cilët kishin pretendime e tyre ndaj Shqipërisë veriore.
Lëvizja esadiste u shkatërrua nga forca të armatosura, të komanduara nga Bajram Curri, nën urdhërat e Ahmed Zogut si ministër i Brendshëm. 72 udhëheqës kryesorë esadistë – përfshi ish prefektët e Tiranës dhe Durrësit, shefin e xhandërmarisë së Shijakut, si dhe nipin e Esadit, Veli bej Kruja – dolën para një gjykate ushtarake dhe u dënuan në burgun e Kalasë, Gjirokastër.
Gjatë kësaj kohe Esad Pasha kishte shkuar në Paris, Francë, ku pas një muaji (13 qershor) do të vritej me atentat nga Avni Rustemi – student shqiptar – i cili “kishte ardhur në Paris për të vrarë një tradhëtar të kombit të vet”, do të shprehej avokati. Gjykata franceze e shpalli Avniun fajtor për vrasje politike dhe e dënoi atë me gjobë (1 frank).
Rustemi 24 vjeçar, pagoi gjobën, u lirua në sallën e gjyqit, dhe u kthye në Shqipëri ku u prit si hero; qeveria i lidhi pension; më pas u bë anëtar udhëheqës i Klubit Bashkimi, i Partisë Demokratike të Fan Nolit, dhe anëtar parlamenti. Edhe Rustemi me atentat u vra; u qëllua me plumba në Tiranë më 20 prill 1924, dhe vdiq në spital pas dy ditësh nga plagët e marra; vdekja e tij do të shfrytëzohej politikisht, dhe demokratë erdhën në pushtet duke përmbysur me dhunë një qeverie të zgjedhur.(Ne Foto:Esat Pasha ne Selanik)