
Zef Pergega/
…njё moment i gёzuar nё kishёn e “Shёn Thomait” ne Detroit…
Kisha “Shën Thomai” është më shumë se një ndërtesë, që në majë të kulmit të saj ka një kryq apo në hyrje adresën e objektit kishtar. Ajo është një simbol i qëndrueshmërisë së komunitetit shqiptar në diasporë, një dëshmi se edhe larg atdheut, identiteti mund të jetojë dhe të lulëzojë. Dhe pikërisht në këtë qëndron vlera e saj më e madhe: në aftësinë për të mbajtur të bashkuar një komunitet, duke i dhënë atij jo vetëm besim, por edhe kuptim.
Në dritën e qirinjve predikohet feja e Jezu Krishtit në gjuhën shqipe dhe kjo duhet theksuar në gjuhën tonë amtare, e cila flitet me fanatizëm dhe që të mbush me frymë. Aty nuk thuhej “Rroftë Partia”. Parësia e tyre ishte atdheu, gjuha shqipe dhe misioni i saj kristian. Sot, në një komunitet gjithnjë e më të konsoliduar shqiptar në Michigan, Kisha Ortodokse “Shën Thomait” vazhdon të mbetet një shtyllë e rëndësishme e unitetit kombëtar. Ajo nuk është vetëm një trashëgimi e së kaluarës, por një institucion aktiv që përshtatet me kohën, duke mbajtur të forta vlerat themelore. Në një botë ku identitetet shpesh zbehen, kjo kishë mbetet një kujtesë e fortë se rrënjët nuk humbasin, ato ruhen, kultivohen dhe trashëgohen.
Nuk kisha shkuar ndonjëherë në këtë kishë. Ose, më saktë, nuk më ishte dhënë rasti. Ka qenë një telefonatë e Mondi Rakaj, si një vlerë e qetë shpirtërore, atdhetare, përbashkuese komunitare, me cilësinë për ta demonstruar më së miri “Vatrën” e Nolit dhe të Konicës, i cili më ftoi të shkonim në festën e “Shën Thomait” me rastin e 97-vjetorit të themelimit të saj nga Fan Noli. Nolianët shqiptarë ishin njerëz të urtë, të komunikueshëm, të qytetëruar, që e donin me shpirt fenë e tyre dhe kombin shqiptar. Në tavolinë ishim me Modin, Konsullin e nderit Ekrem Bardha, me biznesmenin Lumani dhe me aktivistin Dragush Beqiraj. Mondi më prezantoi me një djalosh të ri, plot vullnet e mirësi, kryetarin e këshillit të kishës, 27-vjeçarin Aleksandër Kume, me të cilin folëm mbi mundësinë e zhvillimit të projekteve në fushën e kulturës kombëtare, për ta bërë më të bukur atmosferën dhe për t’i shërbyer misionit të kësaj kishe.
Aty u ndjeva me të vërtetë në kishë, aty ku nuk kishte vend fjala politikë e patronazhistë. Këshilli i ri nuk kishte rrënjë të komunizmit dhe të patronazhizmit, të cilët nuk kishin mundur të çelnin filizin e helmit dhe të përçarjes, siç ndodh në jetën tonë komunitare, ku këta tipa janë më të preferuarit, edhe pse baballarët e tyre i kanë duart me gjakun e 140 priftërinjve, 28 imamëve dhe 7 liderëve ortodoksë, që sakrifikuan jetën për fe e atdhe.
Një atmosferë nderimi vura re, që këshilli, prifti dhe kryetari Kume, që për gati 30 vjet nuk e kam ndeshur në institucionet e tjera të kultit, përveç përçmimit, fyerjes dhe poshtërimit, aty u shfaqën në këtë kishë shqiptare, për Mondi Raken, i cili u ka qëndruar pranë, thua se ky njeri ka një mision fetari; pse jo, misioni i mirë i ka brenda atdheun dhe fenë, për Ekrem Bardhën, i cili në moshën 95-vjeçare, i pandarë nga jeta komunitare, mori pjesë në këtë festë të shenjtë të vëllezërve tanë ortodoksë.
Kënaqësi të takosh në këtë kishë Niko Bulkën, nipin e shkrimtarit të madh satirik të kombit Nonda Bulka, ose Fishta i Jugut. Ai, me një dashamirësi deri në shenjtëri, flet për unitetin në këtë kishë, pastërtinë e misionit, për meshën në gjuhën shqipe dhe për programe që do të ndikojnë në bashkimin në një jetë të gjallë komunitare. Këtu zhvillohej demokracia e brendshme, ku prioritet merrte dija dhe jo injoranca. Ata nuk kishin frikë nga dija dhe nga mençuria; përkundrazi, i frymëzonin ato. Dhe pikërisht për ta zhvilluar këtë ide apo program të Zotit, vetë i Plotfuqishmi kishte dërguar si prift të ri shqiptarin me një botë të madhe, Juxhin Shkurti.
U mbusha me frymë në prezencën e këtyre njerëzve, ku ndezëm një qiri që do të na mbajë të lidhur me këtë kishë. Urime festën. Faleminderit për pritjen e ngrohtë. Faleminderit, Mondi, për këtë ditë që na e bëre të gëzuar!