• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA SHQIPTARE – MBUSHI 107 VITE NGA DITA E THEMELIMIT

April 28, 2019 by dgreca

– FAIK KONICA:UNE “NUNI” I VATRES- SI MODEL SHERBYEN DY ORGANIZATA IRLANDEZE:THE GAELIC DHE SINN FEIN-

Nga Dalip Greca*/

Rrugën e bashkimit të shoqërive shqiptare që vepronin në SHBA në fillim të shekullit XX e shtroi gazeta “Dielli”, e cila aso kohe ishte gazetë e Shoqërisë ”Besa-Besën”.Veçanërisht në vitet 1910-12, ideja e bashkimit ishte e nxehtë, por Faik Konica e kishte rrahur problemin e bashkimit të shoqërive që vepronin në Amerikë që në një kryeartikull të botuar në “Dielli” më 29 tetor 1909. Ai propozonte themelimin e një shoqërie të madhe dhe të fortë kombëtare, rreth së cilës duhej të mblidheshin të gjithë shqiptarët e  Amerikës.
       Sipas ish editorit të gazetës “Dielli”, Refat Xh Gurazezi, ky propozim gjeti qysh atë kohë bekimin e disa atdhetarëve, por u deshën plot dy vjet që të realizohej, nga që u pengua nga disa që nuk kishin besim tek bashkimi. Kur Kristo Floqi, editori i fundit i “Diellit”, përsa kohë qe organ i Shoqërisë “Besa- Besën”, e ripërsëriti këtë kërkesë, Fan Noli në Diellin e 18 janarit 1912, i përgjigjej editorit se kishte dhe pëlqimin e  Faik Konicës për t’u takuar e për të biseduar rreth bashkimit. Noli i thoshte editorit se; ai dhe Konica ishin gati kurdoherë që të merrnin pjesë në bisedimet për bërjen e bashkimit të shoqërive shqiptare, por me këtë kusht: të bëhej një punë e pëlqyer dhe serioze, dhe jo qesharake. Pas shumë debatesh në shtyp e me takime, më në fund u arrit që me 24 Dhjetor 1911 të organizohej mbledhja e parë në Rathbone  Hall, 724 Washington St., Boston, Mass. At u bë takimi i parë që i priu bashkimit. Mbledhjen e thirri Shoqëria “Besa-Besën” dhe e kryesoi si çermen Kristo Floqi. U rrahën debate në atë mbledhje për çështjen e bashkimit.Marko Adams u ngrit në atë mbledhje pas debateve dhe propozoi ngritjen e komisionit të bashkimit. Komisioni i zgjedhur në atë mbledhje përbëhej nga: Faik Konitza, At Fan S Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi.Këtij komisioni iu besua bashkërendimi me shoqëritë për problemin e bashkimit. Ky komision bëri disa takime.U diskutuan format e bashkimit dhe qëllimet e shoqërisë së përbashkët që do të ngrihej.

SHOQATAT QE U SHKRINE NE FEDERATEN”VATRA”

Me 17 mars 1912, në sallën e Kishës së Shën Gjergjit, në 227 Tremont St., Boston, Mass, u mbajt mbledhja e parë, ku morën pjesë katër anëtarët e komisionit të bashkimit dhe delegatët e shoqërive të ndryshme. Shoqëritë që morën pjesë në këtë mbledhje ishin:”Komiteti Flamur’ i Krujës” i New England-it,”Kombëtare” e Worcester-it,”Mirëbërse” e Syracuse-it,”Mall’ i Mëmëdheut dhe Përlindja” e Jamestown-it, “Dallëndyshja” e New York-ut, dhe “Besa-Besën” që botonte “Diellin”. Më vonë u bashkuan dhe shoqëri të tjera që mbetën jashtë siç ishte Shoqëria e Skënder Beu” e Gary-it Indiana. Sipas Refat Gurazezit, Shoqëria “Mbarësia” e Luarasit kishte dhënë fjalën për pjesmarrje, por delegati i saj nuk u duk, ndërsa”Shoqëria “Mirëbërse” kish zgjedhë delegate At’ Naum Çeren, por ai ish i zënë dhe dërgoi në vend të tij, Kostë Kotën. Shoqëria korçare ”Arsimi” u tëhoq mënjanë nga bashkimi për shkak të statusit të saj kulturor.
Vendimet e kësaj mbledhjeje janë të shënuara në Rekordin IV dhe mbajnë nënshkrimet e të dy palëve, komisionit të bashkimit; Faik Konicës, Fan Nolit, Kristo Floqit dhe Paskal Aleksit. Nga shoqëritë kanë firmosur delegatët; Elia Tromara,Lambi Çikozi, Kristo Kirka,Kostika Treska dhe Kostë Kotta.
Mbledhja e dytë e përbashkët e komisionit të bashkimit dhe delegatëve të shoqërive është mbajtur të dielën e 24 marsit 1912 dhe arriti në këto përfundime:

1- Shoqëria Federale që do të formohej do të kishte dhe gazetën “Dielli”, me konditën që gazeta do të mbahej me të ardhurat e saj nën kontrollin moral të Shoqërisë.

 2-Z. Faik konitza dhe Kristo Floqi muarën përsipër të bënin Kanunoren provizore inglisht tek një avokat i dëgjuar i Bostonit.

3-U votua një shumë prej $25 për shpenzimet e  para të Kanunores.

4- Në mbledhjen tjetër do të votohej Kanunorja dhe do të pagëzohej Shoqëria e re.

 5-Mbledhja e tretë u vendos që të mbahej të dielën e ardhshme në orën 2-6 pas dreke.

MBLEDHJA THEMELUSE
 
Diskutimeve e debateve u erdhi fundi dhe bashkimi po shfaqej në mes shqiptarëve të Amerikës. Vjen 31 marsi 1912 dhe shoqëritë shqiptare e shohin veten bashkë në Federatën Pan-Shqiptare. Refat Gurazezi argumentoi se përdorimi i fjalës federim në vend bashkimit, sikur e çau akullin e mospajtimeve. Në mbledhjen themeltare, Faik Konitza shtroi për bisedim dy emra për ta pagëzuar Shqoërinë; “Parmenda” dhe “Vatra”, e para në kuptimin kulturor, e dyta në kuptimin patriotik, që të mblidheshin rreth saj të gjithë shqiptarët si në një familje, pa ndryshim besimi në mes tyre, si nga ana fetare ashtu dhe ajo politike. Të gjithë pëlqyen të dytën, “Vatrën” dhe ashtu brohoritën për emrinin e  ri:Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA.
Rekordi i mbledhjes themeltare është shkruar nga dora e Faik Konicës, i cili ishte sekretar i Komisonit të Bashkimit.

Në Rekordin IV, shkruhet:
Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e shoqërive, në mbledhjen që mbajtën të dielën e 31 marsit 1912, pasi biseduan çështjen e kanunores, të emrit dhe pagesës së Shoqërisë Federale që do të formohet, morën këto vendime:
1- U votua një shumë prej $ 70.00 për njohjen e shoqërisë nga shteti i Massachusetts.
2-Shoqëria u quajt”Federata Pan –Shqiptare e Amerikës VATRA”
3-Pagimi do të ishte $3 për mot dhe $1 për hyrjen e anëtarëve të rinj.
4-Mbledhja tjetër do të bëhej me 9 prill në sallën e Kishës së Shën Gjergjit, ora 6 P.M.
5-Çështja që do të bisedohej në mbledhjen pasuese do të ishte Kanunorja.
Në fund të rekordit janë emrat që kanë firmosur. Për Komisionin e bashkimit: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konitza dhe Paskal Aleksi. Pas tyre emrat e delegatëve pjesmarrës:Elia Tromara, Lambi Çikozi, Kristo Kirka, Kosta Vasili, Koste Kotta. 
Data, 31 mars 1912.
Në takimin e 9 prillit u diskutua një pjesë e kanunores, e cila përfundoi në mbledhjen pasuse.(rekordi VII)
Mbledhja tjetër u mbajt me 14 prill dhe diskutimet janë të shënuara në rekordin VIII. Pasi u miratua plotësisht Kanunorja, u morën vendimet e mëposhtme:
Çdo delegat të sillte në mbledhjen tjetër një raport të plotë, ku të tregonte:
1-Numrin dhe emrat e anëtarëve që përfaqësonte së bashku me kapitalin që kishte shoqëria.
2- Të mbahej një mbledhje me 28 prill për të zgjedhur një komision të hëpërhëshëm të Federatës i cili të vepronte  gjerësa të organizoheshin degët plotësisht.
Mbledhja u bë me 28 prill dhe zgjodhi këta zyrtarë të komisionit:Fan S. Noli-sekretar, Lambi Çikozi-arkëtar,Faik Konitza dhe Kristo Floqi-organizatorë të degëve, Kristo Kirka-manager i “Diellit”, Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasil-mbikqyrës të gazetës.
Sipas rekordeve të nënshkruara prej anëtarëve të komisionit dhe delegatëve të shoqërive, provohet se VATRA u themelua zyrtarisht me 31 mars 1912 dhe me 13 qershor të atij viti u njoh nga shteti i Massachusetts.
Ndërkohë që shoqëria Besa-Besën, që ishte ndër shoqëritë kryesore që u shkri në Vatër dhe botuse e gazetës ”Dielli” mbledhjen e  fundit të saj e ka bërë me 28 prill 1912.Pas këtij takimi ajo dorëzoi gjithëçka në Vatër, gazetën, mobliljet e zyrës, arkën prej $374.85 etj.Kryetar i parë i Shoqërisë Besa_Besën qe zgjedhur Fan S. Noli më 1907, më 1908 Kristo Kirka.Nga maji 1910 e deri më 28 prill 1912 kryetarë të saj kanë qenë Josif Pani dhe Kolë Rodhja, i cili nuk ishte në mbledhjene  fundit pasi gjendej i burgosur në Gjirokastër.
Komisioni I përkohshëm I Vatrës e bëri mbledhjen e  parë me 2 korrik 1912 dhe mori vendimin që Kuvendi I parë I Vatrës të mbahej me 14 korrik të atij viti.Ajo mbledhje ngarkoi Faik Konitzën që të interesohej për përgatitjen e Vulës së Vatrës, Lambi Çikozi mori përsipër të përgatiste kopsat me monogramet F.S.V dhe Kristo Kirka të shtypte Kanunoret shqip.

FAIK KONICA:UNE “NUNI” I VATRES- SI MODEL SHERBYEN DY ORGANIZATA IRLANDEZE:THE GAELIC DHE SINN FEIN

Shpesh janë bërë debate për autorësinë e Vatrës. Kristo Floqi shkruante me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë se ai ishte gur-themeli i Vatrës dhe se Konica dhe Noli, nuk i ishin përgjigjur fillimisht në mbledhjen e parë. Këto Floqi i shkroi edhe në revistën “Hylli i Dritës”, madje shumë vite më vonë, e publikoi artikullin e tij edhe “Shenjëzat” që botonte Ernest Koliqi në Romë. Ish Editori i Diellit,Refat Gurazezi, që e shkroi Historinë e Vatrës në faqet e Diellit, replikon me Floqin dhe e cilëson si vetëmburrje dhe të pavërtetë deklarimin e ish editorit Floqi, të cilit gjithësesi nuk mund t’ia mohosh kontributin sepse në kohëbashkimin e organizatave në VATËR, ai ishte editor i DIELLIT, dhe ai i dërgoi ftesta për mbledhjen e parë, por që fara e bashkimit ishte hedhur herët, vecanërisht nga Konica, këtë nuk mund ta mohojë kush.

 Faik Konica na ka lënë dëshminë e tij të botuar në Dielli, dhe për hirë të dëshmisë autentike e sjellim të plotë:Boston 31 mars 1922; Jam ndodhur këtu edhe në të parën edhe në të dytën nga këto data(diskutim për 28 prillin apo 31 marsin si ditë themelimi). Dhe si një nga “nunët” e Federatës sonë VATRA, të cilën e kryesoja edhe aherë si sot, më bie shorti të thom ca fjalë për nisjet e kësaj shoqërie me famë: CA FJALE, se historia e plotë e VATRES është tepër e madhe që të hyjë në garth të ngushtë të një artikulli; e ka vendin e saj në një librë që do t’botojë nonjë ditë Federata mi historin’ e përgjithshme të Shqipëtarëve t’Amerikës, histori që do t’përmbledhë të ngjarat jo vetëm të ç’do dege po të ç’do shoqërie tjatër këtu, të ç’do grupi, të ç’do kollonie, me business-et e ndryshme, fabrikat ku kanë punuar Shqipëtarë, shkollat ku kanë mësuar, etj…, në një fjalë një histori që do të jetë si pasqyra e jetës që kanë rojtur djemt’ e Shqipërisë më kët’anë të Oqeanit(Sa keq që nuk u plotësua kjo dëshirë e Faik Konicës. Ka copëza historie, por jo një të plotë-dg). Trimëria e Shqiptarëve t’Amerikës, të cilët me djersët, krahët, dhe zemrën e tyre, e kanë shpëtuar në disa raste Shqipërinë, meriton pa dyshim nderimin e një historie të veçantë. Po këtu, siç thamë më sipër, do të shkruajmë vetëm një artikull për nisjet e VATRES.

Para se të vij n’Amerikë, kisha rojtur disa vjet n’Ingli dhe atje kisha vënë re anallogjin’ e madhe që kish Irllanda kundrejt Inglisë me Shqipërinë kundrejt Turqisë, me ndryshimin që Irllandasit, të frymëzuar nga një idealismë të pavdekur, po lëftojin qindëra vjet për çlirimin e tyre. Nisa pra të studioj organizatat e këtij populli të çuditshëm, dhe veçan dy: the Gaelic Leagueedhe Sinn Fein, e para për të përhapur kulturën me anë të gjuhës nacionale, e dyta për të ndarë Irllandën nga Inglia. Organizimi dhe kanunëria e VATRES u-inspirua gjer më një pikë nga të dy shoqëritë irishe, dhe prandaj VATRA ka pasur dhe ka në gji të saj dy tendenca që rrjedhin nga inspirata e parë e tyre: tendenca kulturale dhe tendenca politike, nga të cilat e funtmia ka mbretëruar shumë vjet, dhe tani del në shesh edhe e para, e penguar aqë kohë me padrejtësi dhe për dëm të popullit.

Më 9 të Vjeshtës së Mesme 1909, zbrita në Boston nga vapori Ivernia(që është një tjatër emër i Irllandës), edhe mora në dorë redaksin’ e Diellit, të cilin gjer ahere (numur 29) e kish shkruar me talent At Fan S. Noli. Dielline zotonte dhe e mbante shoqëria Besa-Besën, e cila qendrën e kish në Boston, po anëtarët i kish më të shumët në rrethet: në Natick, në Cochituate, në Brockton, në Framingham, në Marlboro, në Lynn, në Worcester, në Southbridge, etj., dhe ca të pakë anëtarë shumë më lark. Përveç shoqërisë Besa-Besën, kish n’Amerikë edhe disa shoqëri të tjera, ca për interesat e një fshati ose të një qyteti, ca edhe me qëllim të përgjithshëm. Po shoqëria Besa-Besën, si proprietare dhe botonjëse e Diellit, çquante përmi të gjitha dhe kish një rëndësi të veçantë. 

Si u-vendosa në Boston dhe u njoha me patriotët që mirjin pjesë në lëvizjen kombëtare, nisa të përhap iden’ e bashkimit të shoqërive; po, ndonëse e pëlqejin të gjithë, asnjë s’dukej gati të bëjë çapin e duhur. Me shoqërin’ e Jamestown-it ish bërë fjalë dhe më parë, po s’kish dalë gjë. Shoqëria korçare Arësimiish ajo që çfaqte dëshirën më të madhe për një bashkim, dhe pata shumë herë fjalime të pëlqyera për këtë çështje me kryetarin e ahershëm Z. Nik Dishnicë. Po dhe këto fjalime vanë humbur. Dhe’u nuk ish dhe i gatitur miaft për lulëzimin e mendimit.

Disa javë pas ardhjes s’ime këtu, këshillova të mbahet një mbledhje e shoqërisë Besa-Besënpër të biseduar vetëm këtë çështje, edhe atje çfaqa idenë që shkaku i mosbashkimit të shoqërive ish se shoqëritë s’dojin të humbisjin qënien e tyre duke u-çdukur në gji të njërës vetëm, të shoqërisë Besa-Besën; dhe proponova një zgjidhje më të pëlqyer: jo bashkimin, po federimin.

Kjo fjal’ e fundit, federimi, u përdor’ ahere për herën e parë për këtë çështje, dhe është për çudi kur dëgjon njeriu një pakicë analfabetësh të thonë se iden’ e VATRES e mbollnë nj’a dy njerës të cilët ose s’kishin ardhur ende n’Amerikë, ose rrojin jashtë lëvizjes dhe lark qendrave shqipëtare. Po një nga karakteristikat e barbarëve, që është dhe e foshnjave, është moskuptimi i mësimeve që rrjedhin nga kronologjia, nga datat. Ja për kujtim historie raporti i shkurtër i botuar te DielliNo. 44, më 28 të Jenarit 1910 (faqe 3, shtyllë 5):

PLEQESIA E BESA-BESES. – “Pleqësia e Besa-Besësmbajti një mbledhje të Dielën e shkuar në zyrë të Diellit. Ishin në mbledhje: Z. Kisto Kirka, kryetari; Z. George Konda, arkëtar; Z. Nikolla Tromara, sekretar; edhe ZZ. Andrea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir, pleq. ZZ. Fani Kosta, nënëkryetar, edhe Maqi Thanas, plak, s’muntnë të vijnë. Në mbledhje muarnë pjesë edhe i Përnd. At Fan S. Noli me drejtorin e DiellitZ. Faik Konitza. U panë hesapet, dhe u bisedua çështja e federimit (lidhjes) së shoqërive kombëtare t’Amerikës. Mbledhja zgjati 3 or’ e gjysmë.”

Kjo mbledhje munt të quhet i pari çap për të themeluar në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës një federatësi “Vatra”. Për fat të zi, dolli ca ditë më vonë një pengim i papritur. Mbledhja u mbajt më 28 të Jenarit; më 25 të Shkurtit, Diellibotonte demicjen e Drejtorit. Një mosmarrëveshje me kryesin’ e shoqërisë Besa-Besënshkakëtoj heqjen t’ime. U-vendosa përsëri nga anëtarët si drejtor, dhe vazhdova në këtë ofiq, me Z. Josif Pani si kryetar të Shoqërisë, gjer më 1 të korrikut 1910. Ahere, gazeta pushoj, dhe u botua tre muaj e gjysmë më vonë përsëri me At Fan S. Nolin si editor dhe me Z. Lambi Çikozin si Manager.

Si hyri ajo grindje në mes, ra edhe idea e themelimit të Federatës; dhe sado që më vonë lidha përsëri marrëdhëniet personale më të mira me ata nga të cilët isha ndarë nga moskuptime politike dhe jo gjë tjatër, bisedimi i 28 Jenarit 1910 mbeti pa pemë.

Në fund të motit 1911, ndodhesha në Cambridge, Mass.; vija rrallë në Boston, dhe s’piqesha me njeri, as kisha nge’ të marr pjesë në nonjë bisedim. Diellin, nga i cili kishte dalë(ishte larguar) edhe Fan Noli, nuk e këndoja, nga frika se mos harroja shqipen. Një ditë mora një letrë ku më ftojin në një mbledhje delegatësh, për të themeluar një “Komitet Qendror”. Idea s’m’interesonte as pakë; dhe në mbledhje, e cila u mbajt me 24 të Shën-Endreut në Rathbone Hall, nuk u ndodha, sado që isha emëruar delegat i shoqërisë Skënder-Beunë Gary, Indiana. Si duket, kjo ide e Komitetit Qendrorkish qenë biseduar pa rreshtur nga shqiptarët; dhe te DielliNo. 126 (30 Vjesht’ e III, 1911) u botua një Kanunore e Komitetit Qendror, të cilën duhet ta këndojë ç’do njeri që do të studiojë historin’ e themelimit të VATRES; do të shihni atje se ay projekt është aqë lark nga organizimi i Federatës s’onë, sa është lark Ballkani nga Irllanda.

Më 11 të Jenarit 1912, Diellinjihte dështimin e Komitetit Qendrordhe na e vente fajin At Fan Nolit edhe mua. Më 18 të Jenarit, Diellibotonte një letrë nga At Fan S. Noli, i cili, duke folur edhe n’emër tim, thosh se ishim gati të piqeshim për të biseduar, po “me konditën që të bëhet një gjë serioze dhe jo për të qeshur.”

Vetë shkova në Boston, u poqa me Z. Lambi Çikozin, manager-in e Diellit, edhe me Z. Kristo Kirka, kryetarin e shoqërisë Arësimi. I gjeta plot me dëshirë për të themeluar një organizatë serioze. U poqa me miq të tjerë, dhe i gjeta gjithë n’atë mendje. Vendosa ahere të trazohem.

Nismë të bëjmë mbledhje të dëndura, dhe në njërën shtrova ndryshimin në mes të një shoqërie qëndrore edhe të një shoqërie federale, me përfundimin që forma e fundit fitoj pëlqimin. Në një tjatër, si pas porosisë që kisha marrë nga delegatët, shtrova dy emëra për pëlqim: Parmendaedhe Vatra, i pari me kuptimin ideal të kulturës së mendjes e të shpirtit, i dyti me një kuptim më patriotik. U pëlqye i dyti. Dhe ashtu Federata “Vatra”, me emër dhe me formë, dolli në shesh. Në mbledhje themeltare të Marsit 31, 1912, ndodheshin këta zotërinj, si komision dhe delegatë: At Fan Noli dhe ZZ. Lambi Çikozi, Kristo Kirka, Faik Konitza, Elia Tromara, Kosta Vasil, Dr. Kost Kotta, Kristo Floqi, Paskal Aleksi. Te Kalendari i bukur i VATRES, 1918 gjenden shumë hollësira për nisjet e VATRES. 

Për emërin, formën federale, kanunoren, regulloren, edhe shpiritën e parë të VATRES, jam responsibleunë. Po e drejta është që VATRA, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajsh, u ngjall, u rrit, u madhua, u bë një forcë e madhe nga Fan Noli dhe Veteranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe n’atë shvillim unë s’kam patur as një pjesë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Dalip Greca-Vatra 107 Vjet

GEZUAR- PER SHUME MOT PASHKET ORTODOKSE!

April 27, 2019 by dgreca

GEZUAR- PER SHUME MOT PASHKET ORTODOKSE!/

Federata Pan Shqiptare e Amerikes “VATRA” dhe Gazeta “DIELLI” urojne besimtaret Orthodoks: Per shume Mot Pashket!

Filed Under: Vatra Tagged With: VATRA-DIELLI-PASHKET ORTODOKSE

Demokracia nuk mund te ndertohet nga po ata qe ndertuan diktaturen

April 27, 2019 by dgreca

Nga Thanas L. GJIKA/
Shteti diktatorial te punesonte sa per te mbajtur gjalle veten dhe familjen. Ky shtet permes ndeshkimeve te drejta e te padrejta kishte arritur te krijonte psikozen e terrorit dhe te frikes se mos edhe ti e pesoje si ata qe u burgosen, u internuan, u vrane… Keshtu qe per te mos humbur punen poziten, karieren, shumica e nepunesve, policeve, artisteve, studiuesve, etj i ishin nenshtruar kesaj psikoze dhe punonin per te siguruar nje emer “sa me te mire” tek nena parti, e cila me ane te syrit dhe veshit te Sigurimit, mblidhte te dhenat dhe jepte vendimet. Pra shumica dermuese e qytetareve qe nuk u arrestuan /internuan/ pushkatuan per agjitacion e propagande, e kishin humbur moralin e shendoshe qytetar . Ata kane bere jeten e frikamanit e te te nenshtruarit dhe te sherbetorit ndaj partise shtet. Te gjithe keta, kuptohet bashke me mua, duhet te kishim kerkuar te falur ne vitet 1992-1993 dhe te mos perpiqeshim te merrnim poste e detyra shteterore, te mos viheshim ne lista zgjedhore. Por Ramiz Alia me besniket e tij punuan per te mos u kryer kjo kerkese e te falurit (katarsa). Keta punuan per ta demtuar e deformuar rrugen qe duhej te merrte demokratizimi i shoqerise dhe shtetit tone. Punuan sipas planit qe “Shqiperine ta gezonin komunistet besnike te kupoles dhe bijte e tyre”.
Keshtu qe, sot kur vijojne ta mbajne pushtetin bijte e po asaj klase, ka te drejte Visar Zhiti kur shkruan se “demokracia nuk mund te ndertohet nga po ata njerez qe ndertuan diktaturen”.
Sot njerez si Edmond Caja, Spartak Braho me gjithe mbeshtetesit e tyre dhe komentuesit, nuk kane turp te qendrojne ne pozita sulmi, te shajne e shpifin, me nje gjuhe te ulet, ne vend qe te ulin koken me turp dhe te kerkojne me vonese te faluren per ato qe bene. Kurse qytetaret e shquar si Visar Zhiti, Agron Tufa, Kastriot Dervishi, etj permes veprave letrare, intervistave, studimeve shkencore, perpiqen me seriozitet, maturi e humanizem te vene ne dukje krimet e komunizmit qe u kryen ne vitet 1941-2019 dhe te kerkojne denimin e tyre. Fatkeqesisht neper gazeta e televizione njerezit qe mbrojne kete kauze te drejte perbejne pakicen, por pavaresisht nga ky fakt, kauza e ketyre njerezve do te fitoje, sepse koha punon per denimin e krimeve te komunizmit, ndryshe nuk nuk mund te behet Shqiperia si duhet, nuk mund te hyjme ne Europe…



Filed Under: Opinion Tagged With: Thanas Gjika- Visar Zhiti-Agron Tufa

Dritan Demiraj: Negociata mes palëve për të zgjidhur krizën politike

April 27, 2019 by dgreca

Nga Rudina DERVISHI/ Zeri i Amerikes/

Dritan Demiraj, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, thotë se vendimi i paprecedentë i opozitës për të djegur mandatet ishte mënyra e vetme për të detyruar largimin e qeverisë Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të drejta. Ish ministër i Brendshëm në kohën e qeverisë së tranzicionit në vitin 2017, zoti Demiraj thotë se parregullsitë e shumta të cilat u dokumentuan nga Partia Demokratike, megjithëse nuk u përfillën nga faktori ndërkombëtarë, nuk mund të injorohen më gjatë, pasi krimi ka kapur shtetin. Por a e ka opozita forcën e duhur për të detyruar largimin e qeverisë Rama? Kolegia Rudina Dervishi bisedoi me zotin Demiraj për strategjinë e Partisë Demokratike për të zgjidhur krizën politike në vend.​

Zëri i Amerikës: Së pari doja t’u pyesja për vendimin e paprecedentë të Partisë Demokratike për të dorëzuar mandatet. Si e shihni ju këtë hap? A do të ishte i mundur pamundësimi apo pengimi i zhvillimit të zgjedhjeve duke mos shkelur ligjin?

Dritan Demiraj: Opozita prej kohësh ndodhej në një pozicion që nuk i ishte lënë asnjë hapësirë për zhvillimin e misionit kushtetues të saj. Prej muajsh zoti Rama ka marrë të gjithë pushtetet, pushtetin gjyqësor, legjislativ, ekzekutiv dhe Partia Demokratike në vazhdimësi, edhe në kuadrin e këtyre zhvillimeve të fundit në lidhje me Bashkimin Evropian që presim ftesën, ka qënë gjithmonë pjesëmarrëse aktive për të bashkëpunuar dhe kooperuar me maxhorancën. Sigurisht që është një vendim i vështirë, i paprecedentë në historinë 29 vjeçare të demokracisë shqiptare, por që opozita kishte të gjithë të drejtën që të merrte një vendim të tillë në mënyrë që t’i thoshte Ramës që duhet që edhe ne të dëgjohemi. Në rast se kalojmë prapa në vitin 2017, opozita nuk po kërkon asgjë më tepër sesa zgjedhje të drejta, po kërkon një parlament legjitim.

Zëri i Amerikës: Dua të ndalemi tek qëndrimi i Uashingtonit. Përmes Departamentit të Shtetit apo edhe ambasadës amerikane e ka kritikuar vendimin e daljes nga parlamenti. Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit Palmer gjatë vizitës së fundit në Tiranë u shpreh se djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve janë thelbësisht mjete në kundërshtim me praktikat demokratike dhe i bëri thirrje opozitës të riangazhohet në sistemin politik. Duket se opozita nuk ka një mbështetje nga ndërkombëtarët. Cila është strategjia e partisë suaj?

Dritan Demiraj: Strategjia e Partisë Demokratike është një strategji e qartë. Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian në vendet e tyre kërkojnë zbatimin e ligjit, kërkojnë që demokracia të mos jetë fasadë dhe në këtë kuadër Partia Demokratike nuk po kërkon asgjë më tepër por zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme. Në vitin 2017 u bë një marrëveshje, pati një marrëveshje midis zotit Basha dhe zotit Rama dhe siç jeni në dijeni u krijua një qeveri teknike me pjesëmarrjen e pesë portofoleve jo pak të rëndësishme. Por koha për të cilën u zhvillua kjo marrëveshje tregoi që ishte e shkurtër dhe zoti Rama nuk tregoi seriozitet në zbatimin saj pasi të gjitha pikat për të cilën u dakortësuan të dy liderat, u shkelën.

Zëri i Amerikës: Po, ju në atë kohë keni qënë edhe ministër i Brendshëm. Jeni në dijeni të problemeve apo parregullsive që u vunë re. Megjithatë si shpjegohet që opozita i zbuloi këto shkelje pas dy vjetësh. Duket paksa ironike që duke qënë bashkë-organizatorë të këtyre zgjedhjeve, tani po kaloni në këto masa ekstreme?

Dritan Demiraj: Jo më lejoni t’ju korrigoj. Nuk është aspak e saktë që këto probleme u diskutuan apo u shfaqën pas dy viteve. U krijua një task-forcë në datën 5 qershor deri në 25 qershor. Qëllimi, objekti dhe misioni i kësaj task-force ishte monitorimi i zgjedhjeve. Kjo task-forcë u keqpërdor nga zoti Rama. Asnjë nga ministrat e Partisë Socialiste nuk mori pjesë në task-forcë dhe më lejoni tju sjell në vëmendje se në raportin përfundimtar të kësaj task-force ka dalë që gjatë kësaj periudhe 20 ditore ka patur 595 denoncime nga ana jonë, vetëm e ministrave që përfaqësonin Partinë Demokratike mbi mandatet, mbi përdorimin e policisë në zgjedhje për përdorimin e grupeve kriminale, përdorimin e parave të pista të cilat ishin siguruar nëpërmjet trafikut të drogës dhe përdorimit të administratës publike.

Zëri i Amerikës: Duket se ka në fakt pakënaqësi me qeverisjen socialiste, megjithatë opozita nuk ka qënë në gjendje të tërheqë masën e duhur të të pakënaqurve që protestat të arrijnë të detyrojnë largimin e zotit Rama. A mendoni se opozita vuan nga mungesa e besimit?

Dritan Demiraj: Përsa i përket kësaj që sapo thatë ju është krejtësisht e kundërta. Sidomos në tre muajt e fundit opozitës i janë shtuar me dhjetra mijëra mbështetës, jo vetëm të djathtë apo të qendrës por edhe të majtë. Situata e Shqipërisë sot është dramatike, situata e rendit është katastrofale, këtë e tregoi edhe sulmi apo grabitja në aeroportin e Rinasit. Kemi vrasje pafundësisht, 11 në Shkodër, zero zbulueshmëri, kemi mbi 80 vrasje në Vlorë – pra pasojat e kanabizimit kanë sjellë të gjitha këto të këqija për shoqërinë shqitare. Politika drejtohet nga krimi. Në një moment kur krimi bëhet më i fortë se qeverisja, ky është problem i madh. Dhe unë gjykoj se Shqipëria, padiskutim që zoti Rama ka përgjegjësinë kryesore por edhe opozita, të gjithë së bashku të bashkëpunojmë për daljen nga kriza dhe për ta mbyllur përfundimisht këtë periudhë tranzicioni për Shqipërinë. Shqipëria është antare e Natos, kontribuon me misionet e veta në misionet ndërkombëtare, pra ka treguar në sektorë të caktuar që është një shtet i cili mundet ndihmojë në siguri. Një nga vizitat dhe arsyet që unë sot kisha një takim të rëndësishëm në departamentin e Shtetit ishte edhe kjo – sesi mund të gjendet rruga e bashkëpunimit midis opozitës dhe maxhorancës. Unë besoj që Shqipëria nuk ka nevojë për parlament fallco, qeveri fallco, opozitë fallco. Shqipëria ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme, të realizojë reformat e duhura në mënyrë që edhe ne si gjithë shtetet e tjera të ecim përpara dhe të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian.

Filed Under: Politike Tagged With: Kriza politike-VOA

KOSOVA KËRKON TË ZHDUKURIT E LUFTËS SË PARA 20 VITEVE

April 27, 2019 by dgreca

-Dita e të pagjeturve të Kosovës-27 Prilli, 20 vjet pas luftës ende mbi 1.600 të zhdukur/

 -Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve/

-Në tubimin në Mejë morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip S. Kosnett/

 MEJË, 27 Prill 2019-Gazeta DIELLI/  Dita e të pagjeturve të Kosovës – 27 Prilli, me mesazhe për zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në qershorin e para 20 viteve, shënohet sot me tubimin përkujtimor në Kompleksin Memorial në Mejë, komuna e Gjakovës.

Në tubimin në Mejë morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip S. Kosnett.

PRESIDENTI THAÇI: FATI I TË PAGJETURVE DUHET TË ZBARDHET  URGJENTISHT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, para familjarëve të të pagjeturve dhe të pranishmëve të tjerë ka thënë se kaluan njëzet vite dhe ende pasojat e luftës nga shteti i Serbisë janë të freskëta, për familjet e të pagjeturve dhe gjithë qytetarët e Kosovës dhe ndërgjegjen demokratike të botës.

 “Serbia kreu spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Vrau 13 mijë e pesëqind civilë, gra pleq dhe fëmijë. Kreu mbi 400 masakra anembanë Kosovës, duke përshirë edhe Mejën këtu, ku sot jemi. Vrau 1250 fëmijë. Aparati i shtetit të Serbisë dhunoi 20 mijë gra shqiptare. Dëboi mbi 800 mijë shqiptarë nga shtëpitë dhe pronat e veta”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se, për fat të keq, ky gjenocid as nga drejtësia lokale e as  nga ajo ndërkombëtare nuk u ndëshkua.

 “Sikur po kalon në heshtje ndërkombëtare, me tendenca të baraspeshës. Pra, ndëshkimi i gjenocidit serb është zero. Qytetarët e Kosovës e duan të vërtetën dhe drejtësinë”, ka theksuar ai.

I pari i vendit ka thënë se fati i të pagjeturve duhet të zbardhet urgjentisht, i çdo etnie.

 “Kishim shpresuar se në dialogun e Brukselit kjo do të ishte pika e parë, midis dy shteteve tona. Por, Serbia ka kushtëzuar këtë proces”, tha presidenti Thaçi dhe shtoi se, “Kosova nuk do të pranojë proces të kushtëzuar, as në takimin e Berlinit e as gjetiu”.

Kreu i vendit e ka inkurajuar Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për iniciativën që Parlamenti i Kosovës në një të ardhme të afërt të nxjerrë rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Presidenti Thaçi duke shprehur falënderimin e tij për prezencën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett, ka thënë se kjo prezencë këtij tubimi i jep kuptim të veçantë, rrit shpresat për drejtësi, nderon viktimat dhe lehtëson dhimbjet për familjet e të pagjeturve.

 “U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës që na qëndruan afër në momentet më të rënda që kemi përjetuar”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar se populli i Kosovës do të jetë përjetë mirënjohës dhe falënderues ndaj SHBA-së.

KRYEMINISTRI HARADINAJ: QEVERIA DO TA RREGULLOJË STATUSIN LIGJOR TË PERSONAVE TË ZHDUKUR DHE TË MARTIRËVE TË KOMBIT 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, 
theksoi se Ligji për Personat e Zhdukur është ligj i ri i cili është në diskutim publik i cili ka për qëllim rregullimin e statusit të personave të zhdukur dhe të martirëve të kombit. 

Kryeministri Haradinaj tha se në këtë ligj nuk ka mekanizëm që do t’i ndalohet pensioni familjeve të personave të zhdukur pas gjetjes së të zhdukurit siç ka ndodhur deri më tani.

Duke shpjeguar procedurat e Ligjit për Personat e Zhdukur, kryeministri Haradinaj theksoi se ligji në gjysmën e dytë të qershorit dërgohet në Parlament, duke vlerësuar se me këtë Kosova dhe populli i saj po i dalin zot dhe po i njohin të drejtën, pra statusin ligjor të personave të zhdukur dhe familjeve të martirëve.

 “Me Ligjin e ri ka rritje të mbështetjes shëndetësore, mbështetjes në arsim, e drejta e bursës, përparësi në sistemimin në konvikte, në shërbimet sociale, transport falas, lehtësira në Doganë dhe obligime tjera tatimore, lehtësira në pagesa të rrymës dhe shërbime tjera komunale, në shërbime shëndetësore në ato primare, sekondare dhe terciare”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se familjet do të kenë përkrahje të merituar, të dinjitetshme dhe të vazhdueshme institucionale.

Përmes këtij Ligji, kryeministri Haradinaj tha se ju garantohet drejtpërdrejt pjesëmarrje aktive në procesin e ardhjes së të vërtetës për më të dashurit e familjarëve. Poashtu rregullohet përkrahja e shoqatave që në të ardhmen mos të mbetet vetëm në vullnet të kryetarëve të qeverive.

Kryeministri Haradinaj duke shprehur përkushtimin e Qeverisë tha se pas rregullimit të statusit të kategorisë së viktimave të dhunës seksuale të luftës, tani po rregullohet edhe kategoria e personave të zhdukur, pra të pagjetur dhe martirëve dhe Qeveria e vendit do t’i kryej detyrat e saj dhe do t’i garantoj status ligjor personave, familjeve dhe të gjithë atyre që janë kategori e personave të pagjetur dhe të martirëve.

KRYEPARLAMENTARI VESELI: MEJA ËSHTË SHENJË E LIRISË SONË

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  tha se në Mejë çdo vit flasim dhe ndajmë dhembjen si komb.

“Meja është shenjë e lirisë sonë. Monument i një populli që me asnjë çmim nuk pranoi nënshtrimin.
Ne çdo vit kujtojmë e ata që kryen këto krime ikin dhe mohojnë. Por, ne asnjëherë nuk do të ndalemi të kërkojmë drejtësi për 186 masakrat e kryera në Kosovë. Nuk duam hakmarrje, duam drejtësi”, tha kryeparlamentari Veseli.

Nga një fjalë në këtë tubim përkujtimor mbajtën edhe  ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe përfaqësuesi i shoqatës “27 prilli 1999 – Mejë” Zeqë Tahiri.

FJALA E AMBASADORIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË KOSOVË, PHILIP KOSNETT, GJATË PËRKUJTIMIT TË PËRVJETORIT TË 20-TË TË MASAKRËS NË MEJË, 27 PRILL 2019

Mirëmëngjesi, z. President, z. Kryetar i Kuvendit, z. Kryeministër, zonja dhe zotërinj. Kam nderin që jam sot këtu, duke përfaqësuar popullin amerikan, për ti nderuar të gjithë ata që e humbën jetën këtu.

Realiteti i krimeve të kryera në Mejë është aq i tmerrshëm sa që e kam të vështirë ta di çka mund të them që mund të ketë rëndësi. I kujtoj fjalët e presidentit Abraham Linkoln në letrën që ia kishte dërguar një nëne që kishte humbur pesë djem: „E kuptoj sa të dobëta dhe të padobishme mund të jenë fjalët e mia, me të cilat do të përpiqesha t’ua tërhiqja vëmendjen nga pikëllimi prej një humbjeje aq dërrmuese“.

Megjithatë, më lejoni të reflektoj çka nënkupton sakrifica juaj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ti shpreh disa mendime se si të gjithë përpiqemi ta ndërtojmë të ardhmen më të mirë duke u përballur sy më sy me të kaluarën.

Së pari, të mos lejojmë askënd të harrojë apo mohojë arsyen pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pjesë në përdorimin e domosdoshëm dhe legjitim të forcës nga ana e NATO-s si mjeti i fundit për ti dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për zgjidhje paqësore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vepruan në mbështetje të civilëve të pambrojtur. Vepruam në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit për rajonin. Këto qëllime i pasqyrojnë thellësisht vlerat amerikane. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare, e meritojnë për të jetuar me dinjitet në liri dhe siguri.

E dimë se ka njerëz që do të mohonin realitetin e dokumentuar mirë të mizorive të kryera në Mejë dhe vendet tjera në Kosovë. Mohimi i këtyre ngjarjeve përdhos kujtimin e të vdekurve, ua rihap plagët të gjallëve dhe e kthen rajonin prapa në përpjekjet për të ndërtuar shtete demokratike në paqe me njëri-tjetrin. Pranimi i krimeve kundër njerëzimit të kryera këtu dhe në pjesë të tjera të këtij vendi është jetik për të siguruar që ato të mos përsëriten kurrë më.

E dyta, askush të mos dyshojë sa e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën – dhe fqinjët e Kosovës – mbetet e qëndrueshme. Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata që vdiqën që Kosova të jetë e lirë.

E kjo më sjell te pika e tretë: rëndësia për tu përballur me të kaluarën për ta trasuar rrugën kah e ardhmja më e mirë. Amerika është krenare me trashëgiminë e të arriturave të vendit tonë gjatë më shumë se dy shekujve të pavarësisë. Por, edhe historia jonë i ka kapitujt e saj të errët, përfshirë padrejtësitë ndaj amerikanëve indigjenë dhe shtypjen e afrikano-amerikanëve.

Përgjatë viteve, amerikanët janë përmirësuar në përpjekjet për të pranuar dhe mësuar nga e tërë historia jonë – e mirë dhe e keqe – duke e korrigjuar cilësinë e teksteve shkollore dhe muzeve tanë dhe duke u bërë më të hapur në diskursin tonë politik. Sepse siç ka thënë aktivistja për të drejtat civile, Ajda Uells, para më shumë se një shekulli: „Mënyra më e mirë për ti ndrequr të këqijat është duke ndriçuar të vërtetën mbi to“.

Trauma e të kaluarës së Kosovës prek çdo cep të këtij vendi – nga veriu në jug – dhe shtrihet përtej kufijve të saj. E kam parë të njëjtën dhimbje që e shoh sot këtu edhe në fytyrat e familjeve të personave të pagjetur dhe në ato të të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës nga shumë rajone e komunitete.

Prandaj, për hir të gjeneratave që vijnë pas, e nxis popullin e Kosovës dhe fqinjët tuaj të pranoni dhe të diskutoni drejtpërdrejt për çastet e errëta të historisë suaj të përbashkët.

Për disa, kjo do të thotë pranim të realitetit të fushatës së spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Milosheviqit, që rezultoi me vrasjen dhe zhdukjen e mijërave dhe për tu siguruar që përgjegjësit të japin llogari të plotë.

Për popullin e Kosovës, duhet të nënkuptojë që ju dhe demokracia juaj ti përmbahet një parimi më të lartë dhe të sigurojë llogaridhënie për të gjithë ata individë që kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës, përkundër realitetit të hidhur se shumë fajtorë tjetërkund i janë shmangur drejtësisë deri tash.

E për Kosovën dhe Serbinë duhet të nënkuptojë përkushtim të përtërirë për ti gjetur dhe kthyer trupat e të pagjeturve duke punuar në mirëbesim me bashkësinë ndërkombëtare për të bërë publike dhe për të vepruar në bazë të gjitha informatave në dispozicion.

Fjalët e fundit do t’ua drejtoj të mbijetuarve – juve që jeni mbledhur sot këtu dhe të gjithë të mbijetuarve të krimeve që i kujtojmë sot.

Zonja dhe zotërinj, përgjegjësia për ta çuar Kosovën përpara drejt të ardhmes më të mirë nuk mund të bjerë vetëm mbi udhëheqësit politikë. Barra për të bie edhe mbi ju, si qytetarë të lirë në demokraci dhe si të mbijetuar që e dini çka do të thotë të përjetosh dhunën për shkak të përkatësisë etnike, fetare apo për shkak të gjuhës.

Përderisa i kujtoni krimet kundër familjeve dhe komunitetit tuaj, me respektin më të thellë ju lus që po ashtu të ngrini zërin në emër të atyre nga komunitetet e tjera që i kanë humbur të dashurit.

Ju ftoj t’ua shtrini dorën atyre që e ndajnë dhimbjen dhe pikëllimin tuaj, pa marrë parasysh komunitetin, gjuhën, fenë e tyre. Ju nxis të takoheni me njëri-tjetrin dhe të gjeni gjuhë të përbashkët.

Sepse jeni ju, të mbijetuarit, që keni autoritetin moral për të folur për një Kosovë njëmend përfshirëse, ku të gjithë qytetarët ndjehen në shtëpi dhe të lirë për të jetuar, punuar dhe për tu lutur së bashku në paqe me fqinjët e tyre.

Jeni ju, të mbijetuarit, që keni forcën për ta ndërtuar vendin në përputhje me fjalët e vetë Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës: „Të zotuar për tu përballur me trashëgiminë e dhimbshme të të kaluarës së afërt në frymën e pajtimit dhe faljes. Të përkushtuar për të mbrojtur, promovuar dhe respektuar shumëllojshmërinë e popullit tonë”.

Duke punuar për këtë vizion, ju e vazhdoni punën që NATO-ja e ka filluar 20 vjet më parë.

Më lejoni ta përmbylli me fjalët e poetes amerikane, Maja Anxhellu: “Historia, pavarësisht dhimbjes dërrmuese, nuk mund të zhbëhet. Por, nëse përballet me guxim, nuk ka nevojë të përjetohet sërish”.

 NË MEJË, NË LËNDINËN E PIKËLLIMIT, PARA 20 VITEVE, FORCAT SERBE MASAKRUAN E ZHDUKËN 377 SHQIPTARË QË I RRËMBYEN NGA KOLONA E REFUGJATËVE

 Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, para 20 viteve,  në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.

Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur nga familjarët në rrethojat e Kuvendit e qeverisë kosovare dhe te Obelisku i të Pagjeturv i ngritur aty në sheshin kryesor të Prishtinës, ku sot bëhen edhe homazhe.

HOMAZHE NË PRISHTINË TE MONUMENTI I PERSONAVE TË PAGJETUR

Së bashku, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zyrtarë të tjerë institucionalë, sot në mëngjes në Prishtinë kanë bërë homazhe te Monumenti i të Pagjeturve në nderim të tyre, me rastin e 27 Prillit, Ditës së të Pagjeturve.

Gjatë ditës kanë marrë pjesë në Tubimin Përkujtimor për shënimin e Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, në Mejë të Gjakovës. Ky shënim përkujtimor është organizuar nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, Shoqatën ’27 Prilli 1999 – Mejë’, Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizatat tjera vendore e ndërkombëtare

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari-Kosova- Dita e te pagjeturve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1033
  • 1034
  • 1035
  • 1036
  • 1037
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT