• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Susanne Schütz: Kush përballet me të shkuarën, ka edhe një të ardhme

January 31, 2019 by dgreca

“Edhe muret kanë veshë” – Krijohet arkivi i dëshmive gojore të represionit komunist në Shqipëri. Gjermania e mbështet procesin me infrastrukturë dixhitale.

Nga Ani Ruci/DW/

1 Dossje

Një arkivë e pazakontë dixhitale dëshmish gojore nga të mbijetuarit e përndjekjes dhe terrorit komunist po ngrihet në Tiranë përmes platformës “Edhe muret kanë veshë”, pjesë e procesit të lustracionit që po zhvillohet në Shqipëri. Ky proces nisi shumë vonë: 25 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, kohë gjatë së cilës krimet e komunizmit, për dy dekada e gjysmë në demokraci, mbetën jashtë vëmendjes së publikut dhe ҫdo qasjeje reflektuese.  Këtë po e bën tani të mundur, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) i ngritur më 2016, përmes hapjes së arkivit të dosjeve sekrete për publikun dhe krijimit të Arkivit të dëshmive gojore. Infrastruktura moderne dixhitale për këtë të fundit është donacion nga Gjermania, që ka mbështetur procesin e lustracionit dhe dhurimin e aparaturavedixhitale që në ngritjen e Autoritetit. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, theksoi të martën, (29.01) rëndësinë e zbardhjes së të shkuarës, në fjalën e saj në ceremoninë e donacionit të pajisjeve moderne për arkivën e dëshmive gojore.

Albanien Sussane Schuetz deutsche Botschafterin in Tirana (DW/A. Ruci)Ambasadorja e RFGJ, Susanne Schütz në ceremoninë e AIDSSH

” Unë e di, pak më shumë, sepse jam gjermane, se të merresh me të shkuarën tënde të errët mund të jetë e dhimbshme, por mjaft e rëndësishme për një fillim të ri shoqëror. Shumëkush mund të kishte preferuar t’i vinte kapak së shkuarës, të niste prej zeros dhe kësisoj t’ia linte harresës ҫështje të tilla si përgjegjësia dhe vuajtjet individuale. Ky nuk është një proces i thjeshtë.  Bindja ime është që një shoqëri duhet të përballet me të shkuarën, në mënyrë të hapur dhe të sinqertë.  Përvoja jonë tregon se vetëm kush njeh të shkuarën e tij dhe përballet me të ka edhe një të ardhme.”

Sa e errët ka qënë e shkuara e regjimit komunist në Shqipëri?

Perceptimet për të shkuarën komuniste janë të ndryshme në Shqipërinë e sotme. Sipas një studimi të Pranisë së OSBE-së në Tiranë, të kryer më 2016 del se njerëzit ose nuk dinë asgjë për represionin dhe përndjekjen politike nga ish-Sigurimi, ose japin shifra shumë të ulta, ose shumë të larta. Kjo ndarje është e kuptueshme në kushtet e mungesës së të drejtës për informim, përtej propagandës së regjimit komunist. Por me hapjen e dosjeve dhe deklasifikimin e dokumentave sekrete, 1944-1991, tabloja e së shkuarës së regjimit komunist në Shqipëri shfaqet sterrë e zezë. Gentiana Sula, Kryetarja e  AIDSSH thotë për DW: ”

“Janë 212 mijë dosje të ish Sigurimit, 250 mijë kartela individuale, 15 mijë dosje hetimore gjyqësore, 21 mijë dosje të personave të përndjekur, mijëra regjistra, procesverbale, akte normative, në total 32 milionë faqe dokumenta të hartiara nga ish-Sigurim i shtetit , nga 1944-1991 , në një Shqipëri që nuk i kalonte 3 milionë banorë. Pët të gjithë këtë dokumentacion kemi detyrim ligjor ta ruajmë, administrojmë, përpunojmë dhe ta vemë në dispozicion të publikut”, thotë për DW , drejtuesja e Autoritetit , Gentiana Sula.

Kultura e Kujtesës dhe konsolidimi i saj në Shqipëri

Platforma dixhitale “Edhe  muret kanë veshë” është pjesë e projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar ”që AIDSSH po zbaton që prej një viti me mbështetjen  UNDP dhe Italisë. Rrëfime të padëgjuara kurrë më parë, histori autentike persekutimi dhe terrori politik po mbushin nga dita në ditë arkivën dixhitale të dëshmive gojore. Një shans më shumë për kërkimin shkencor, edukimin qytetar krahas qasjes së lirë tek arkivi i dosjeve dhe dokumentave të tjera të ish -Sigurimit. Një shans më shumë për të krijuar dhe konsoliduar kulturën e kujtesës që në Shqipëri mbeti e pazhvilluar për 28 vjet.

” Një kulturë aktive e të kujtuarit është e rëndësishme. Që edhe të rinjtë që nuk e  kanë përjetuar vetë, regjimin e Hoxhës, t’u mprehet vetëdija se paqja dhe pluralizmi demokratik, toleranca mes njerëzve, të pranuarit e njëri-tjetrit në historinë e Europës nuk kanë qenë – dhe vazhdojnë të mos jenë ende- diҫka e vetëkuptueshme”, tha Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

Drejtuesja e Autoritetit thotë DW se klikuesit e website dhe media sociale për platformën dixhitale “Edhe muret kanë veshë” përbëjnë 40 % të totalit dhe janë rini deri nga 18- 24 vjeҫ. Ajo thotë se ideja për ta ngritur këtë arkivë erdhi nga interesi i madh i rinisë dhe qytetarëve.

” Kur qytetarët, ish-viktima të persekutimit, vijnë për të parë dosjet e tyre konstatojnë që në to është vetëm një pjesë e historisë, përqasja denigruese, përbaltjja që ish-Sigurimi i bënte viktimës për të përligjur  persekutimin, burgosjen dhe pushkatimin. Por historia është shumë më tepër sesa ajo që është në dosje. Në to mungon përjetimi i viktimës, ҫfarë ka ndodhur para arrestimit dhe më pas. Dëshmitë gojore e bëjnë të plotë historinë,” thotë për DW, Gentiana Sula.

Albanien, Albanien, Deutschland spendet digitales Equipment für die Oral History der Opfer der kommunistischen Geheimpolizei (DW/A. Ruci)Gentiana Sula, drejtuese e AIDSSH

Shoqëria drejt rivendosjes së ekuilibrit

Dosjet e pahapura të ish-Sigurimit kanë qënë mjet presioni politik për 25 vjet. Në shtypin postkomunist dilnin emra politikanësh, zyrtarësh të lartë, figurash publike që akuzoheshin se kishin dosje si bashkëpunëtorë të policisë sekrete, ish-Sigurimit. Akuzat dhe kundërakuzat mes palëve, të pavërtetuara për 25 vjet në demokraci shkaktuan një atmosferë të sëmurë në shoqëri dhe humbjen e ekuilibrit të saj.  AIDSSH po tenton të sjellë të vërtetën e asaj që ka mbetur e dokumentuar pas një kohe kaq të gjatë mungese ligji për hapjen dhe administrimin e dosjeve sekrete, djegies apo shkatërrimit të tyre gjatë  trazirave të 1997. Shkurt histori sa më të plota viktimash,  reabilitimin e tyre dhe ndjesën morale të atyre persekutorëve  që janë gjallë. Gjithë ky proces do të lehtësojë rivendosjen e ekuilibrit të prishur të shoqërisë shqiptare. Dhe tregues të ekuilibrave të prishur nuk mungojnë. Ditët e fundit, një prokuror, Bujar Sheshi 61 vjeҫ, aplikoi për të qenë anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, një nga institucionet më të rëndësishme të Drejtësisë së reformuar në Shqipëri. Por nga verifikimi i AIDSSH rezultoi, se kishte qenë i rekrutuar si  si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, në moshën 18 vjeçare.

“Kemi edhe raste të tjera si ai i prokurorit Sheshi, që nuk e pranojnë që kanë qenë të rekrutuar nga ish-Sigurimi. Pse? Mendojnë se sistemi i  automatizonte si të tillë. E mohojnë, është një peshë e madhe psikologjike për ta përballuar para familjes, fëmijëve. Por ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit nuk duhet të jenë pjesë e drejtësisë së reformuar. Qytetarët duan drejtësi të pastruar nga njerëz të implikar në ish-policinë sekrete të regjimit komunist, duan të  kenë besim, në një drejtësi të re, që i shërben demokracisë” thotë për DW, Gentiana Sula.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ani Ruci, Arkivi I deshmive gojore, Perballja me te shkuaren, Susanne Schutz

Taksa e dialogu me Serbinë sjellin përplasje në koalicion Kosovar

January 31, 2019 by dgreca

Brenda koalicionit qeverisës në Kosovë ka ndarje të thella sa i përket taksës doganore ndaj Serbisë dhe thirrjeve për pezullimin e saj. Kjo ka bërë që të lëkundet koalicioni, duke rrezikuar rënien e qeverisë.

Nga Bekim Shehu/

1 Qeveria e Kosoves

Dallimi në qëndrime i udhëheqësve kryesorë politikë në Kosovë për taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe idetë e ndryshme për qasje që duhet të ketë Kosova në dialog me Serbinë, bëri që të ketë angazhim të shtuar të ambasadorit  amerikan në Kosovë, Philip Kosnet. Ky i fundit takoi së bashku Presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetarin e kuvendit Kadri Veseli dhe njërin nga udhëheqësit e ekipit negociator Fatmir Limaj. Nuk u dha asnjë deklaratë pas takimit.

Rrezikohet qeveria në Kosovë

Gjatë të enjtes kryeministri, Ramush Haradinaj paralajmëroi mundësinë që nëse vazhdojnë mospajtimet rreth taksës, mund të  ketë vendime të tjera politike, duke aluduar në mundësinë e  prishjes të koalicionit. “Ne jemi në procese reale politike, të gjitha janë të mundshme në javët dhe ditët që vijnë. Nëse mospajtimet vazhdojnë mund të rezultojnë edhe me vendime të tjera”, tha Ramush Haradinaj për mediat. Ai tha se është i interesuar për një marrëveshje me Serbinë por, siç tha “pa shkëmbim territoresh dhe pa asociacion të komunave me shumicë serbe”. “Ne nuk e kushtëzojmë dialogun me vendime të qeverisë. Jam për rikthim të dialogut por vendimet janë tonat. Dje kemi pasur takime me partnerët, kemi folur për sfidat, nuk jemi pa sfida. Kemi kërkesa për t’i dhënë shanse dialogut. Jam për dialogun, por, se kuptoj pse ndërlidhet taksa me dialogun. Është një kërkesë e vazhdueshme për tërheqje të taksës. Një marrëveshje mes dy vendeve mund t’i zgjidh të gjitha çështjet, dhe ekonominë e lirë”, këmbëngul Haradinaj.

Presion nga SHBA

Presioni amerikan ndaj Kosovës përkatësisht kryeministrit që qeveria e tij ta heqë taksën ndaj prodhimeve serbe në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut, ka vazhduar edhe në nivele shumë të larta të administratës së presidentit amerikan Donald Trump. Mediet në Prishtinë shkruajnë se  këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, John Bolton, ka pasur mbrëmë telefonata me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ramush Haradinaj vazhdon të mbajë qëndrimin e ngurtë, që siç thotë “taksa ndaj prodhimeve serbe mund të hiqet vetëm atëherë, kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Presidenti Thaçi nuk flet për taksën, por kërkon që Kosova të unifikojë qëndrimin dhe të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë.

Kosovo erhöht Einfuhrzölle - Ramush Haradinaj spricht auf der West-Balkankonferenz in Österreich (picture-alliance/AA/A. Kiyagan)

Takimin me ambasadorin Kosnet, Presidenti Thaçi e quan “një takim normal”. “Takimet e tilla ndodhin shpesh, janë takime të rregullta edhe me ambasadorin e Amerikës po edhe me liderët politikë në përkushtimet që kemi në udhëheqje të shtetit, gjithmonë në konsultim të ngushtë me SHBA-në. Kosova është dhe do jetë fryt i Amerikës dhe s’ka kush që e prish këtë bashkëpunim me SHBA-në”, tha Presidenti Thaçi pas një ceremonie përkujtimore.

Propozim tjetër nga Kadri Veseli

Para disa ditësh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli propozoi që taksa ndaj prodhimeve serbe të pezullohet për 120 ditë, me shpresën që Serbia të reflektojë nga ana e saj për këtë periudhë në raport me Kosovën drejt arritjes së një marrëveshje finale. Kadri Veseli, tha në një televizion lokal që “SHBA janë garantuesit e pavarësisë së Kosovës dhe ai është në gjendje ta lërë politikën vetëm që Kosova të mos ketë marrëdhënie të këqija me SHBA-në”. SHBA e BE po këmbëngulin aktualisht që Kosova ta heq taksën ndaj  mallrave  të Serbisë. Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë i ngrirë për shkak të tensioneve që u krijuan pas lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL,  ndërsa, si kundërpërgjigje Kosova vendosi taksë 100% për mallrat e Serbisë.

Kosovo Präsident Hashim Thaci | ARCHIV (Reuters/L. Hasani)

Takim i partnerëve të koalicionit

Gjatë mbrëmjes së të mërkurës partnerët kryesorë të koalicionit, PDK, AAK, Nisma, AKR, zhvilluan një takim të gjatë. Zhvillimet e fundit politike në vend, funksionimi i institucioneve, përmbushja e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakoja e ligjeve përcjellëse, platforma e dialogut dhe në fund çështja e taksës ishin temat qendrore të takimit.

Liderët e partive politike pjesë e koalicionit qeverisës u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA dhe BE. “Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, u tha pas takimit në një komunikatë për medie.

Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë

Partitë politike opozitare nga ana e tyre kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Haradinaj dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. LDK dhe Vetëvendosja thonë se kjo qeveri nuk po mund ta kalojë e vetme Buxhetin, ka tensionuar raportet me faktorin ndërkombëtar dhe duke qenë që nuk i ka votat e mjaftueshme në parlament, atëherë, kjo tregon sipas opozitës që “qeveria Haradinaj, nuk e përfaqëson shumicën”. (DW)

Filed Under: Featured Tagged With: në koalicion Kosovar, Taksa e dialogu me Serbinë sjellin përplasje

Haradinaj: Po na kërkohet të japim veriun për njohje nga Serbia

January 31, 2019 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe një herë se heqja e tarifës doganore për mallrat e Serbisë lidhet me njohjen e shtetësisë së Kosovës.1 Haradinaj 3

“Nëse duan të rikthejnë tregun, ne e duam njohjen, nuk jam duke tepruar apo duke u prishur me ndonjë mik, ne po veprojmë ashtu siç vepron bota moderne, më jep njohjen- ta kthejë tregun”, është shprehur Haradinaj gjatë një fjalimi në një akademi përkujtimore në Junik.

Ai ka kritikuar liderët politikë, përfshirë edhe ata që janë në koalicionin qeverisës për shkak të siç ka thënë ai, deklaratave se pezullimi i tarifës duhet të bëhet për të ruajtur miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

Ai rikujtoi ditët kur të ata, sipas tij, pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-së, synonin ta shfuqizonin Ligjin për Gjykatën Speciale për krime të luftës.

“Është mirë që ne të jemi të sinqertë me miqtë tanë, me SHBA-në, me Evropën dhe të tregojmë arsyen e marrjes së këtij vendimi. Kur e kemi pasur për vete, që u frikësonim nga Gjykata Speciale, jemi munduar ta rrëzojmë ligjin në Kuvend, edhe unë kam pas dëshirë të shfuqizohet. Edhe ne nuk dëgjonim se amerikanët thoshin se po na ngulni thikën pas shpine. Njerëzit e njëjtë kemi qenë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, të njëjtit kemi qenë”, ka theksuar Haradinaj.

Duke u ndërlidhur me idenë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për pezullimin e tarifës për 120 ditë, në mënyrë që të vazhdohet me procesin e dialogut me Serbinë, Haradinaj ka thënë se nëse ndodh ky lloj pezullim, atëherë sipas tij, nuk do të ketë më nevojë për taksë.

“Në këtë rast, ai mall që hynë për 120 ditë mbetet këtu për 10 vjet”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

Sa i përket mundësisë së arritjes së ndonjë marrëveshjeje eventuale me Serbinë, Haradinaj ka thënë se bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova “të japë tokë në këmbim të njohjes së pavarësisë se Kosovës nga Serbia”.

“Kanë kërkuar që të jepet tokë. Kanë kërkuar veriun, ku janë minierat, është pasuria. Sot, nuk kryejnë shumë punë, por ndoshta në të ardhmen, janë shumë jetike për Kosovën. Ose është thënë se nëse nuk jepni tokë, jepni një Republikë brenda Republikës”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë tarifë prej 100 për qind në mallrat ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës në nëntor të vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar këtë masë dhe kanë kërkuar pezullim të menjëhershëm të saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Haradinaj, kerkojne cerium, per njohje nga Serbia

Thaçi: Nuk mund të refuzohet partneriteti me SHBA-në

January 31, 2019 by dgreca

Presidenti Thaçi: Nga askush dhe për asnjë çmim nuk mund të refuzohet partneriteti me SHBA-në/1 d Thaci

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian nuk mund të cenohet nga askush.

“Në asnjë çmim, në asnjë rrethanë nuk do të ketë refuzim të partneritetit, ngase bashkëpunimi strategjik dhe i përhershëm në mes Kosovës dhe SHBA-së, është interes jetik”, ka deklaruar Thaçi. Ai u ka kërkuar partnerëve të koalicionit aktual qeverisës që të diskutojnë dhe të marrin vendimin e duhur në lidhje me kërkesën e SHBA-së dhe BE-së për pezullimin e tarifës doganore të vendosur ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja.

Radio Evropa e Lirë: President Thaçi, këto ditë janë zhvilluar disa takime dhe biseda të zyrtarëve amerikanë dhe liderëve politikë të Kosovës. A mund të na thoni se për çfarë është biseduar?

Hashim Thaçi: Unë e vlerësoj angazhimin për takime të përbashkëta të partnerëve të koalicionit, kryetari të Kuvendit, gjithashtu kryeministrit dhe liderëve të tjerë të partnerëve të koalicionit, për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i ndërmarrin institucionet e vendit, në një koordinim edhe më të mirë edhe me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për të ardhmen e proceseve të rëndësishme dhe jetike për Kosovën. Prandaj, edhe takimi im sot me liderët institucionalë dhe politikë ishte pjesë e inkurajimit për ndërmarrjen e veprimeve të duhura, të mençura dhe strategjike për vendin.

Radio Evropa e Lirë: A është tarifa doganore njëra nga kërkesat?

Hashim Thaçi: Ka qenë vendim i Qeverisë, partnerëve të koalicionit, vendim të cilin partnerët e koalicionit dhe Qeveria janë duke e diskutuar për hapat e mëtutjeshëm.

Radio Evropa e Lirë: President, pse ju keni kërkuar pezullimin e taksës për mallrat nga Serbia përderisa Serbia ende nuk ka hequr dorë nga ofensiva politike ndaj Kosovës?

Hashim Thaçi: Unë as nuk kam propozuar vënien e taksës, as pezullimin e takës. Unë vetëm kam inkurajuar bartësit e institucioneve dhe liderët politikë që të shikojnë kah e ardhmja, kah hapat strategjik që janë me interes jetik për shtetin. Nën një, që të prodhojmë argumente pozitive dhe ndihmuese për partnerët tanë, në veçanti SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, të na ndihmojnë, dhe në asnjë rrethanë t’ua komplikojmë angazhimet e tyre apo të prodhojmë ngjarje negative që ua vështirësojnë partnerëve punën për të na ndihmuar, sepse Kosova mund të ecë përpara dhe mund të ketë sukses vetëm në një koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë pasojash mund të ketë Kosova nëse nuk e mbështetë kërkesën amerikane për suspendim të taksës?

Hashim Thaçi: Në asnjë çmim, në asnjë rrethanë nuk do të ketë refuzim të partneritetit. Dhe është jetike, përtej çdo politike ditore, bashkëpunimi strategjik dhe i përhershëm i miqësisë së thellë mes Kosovës dhe SHBA-së. Askush dhe asnjë agjendë tjetër nuk qëndron mbi interesat e partneritetit strategjik të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra asnjë person dhe asnjë agjendë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri ka thënë, deri tash, që nuk do ta tërheqë vendimin, çfarë ndodhë tash?

Hashim Thaçi: U takon partnerëve të koalicionit dhe Qeverisë të ndërmarrin veprimet e nevojshme, por e theksoj, mesazhi im, shikimi kah e ardhmja, veprimet strategjike, veprime të cilat e çojnë vendin drejt liberalizimit të vizave dhe mbështetjes së fuqishme për forcimin e ushtrisë dhe konsolidimin e shtetit në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

NUK DO TË KRIJOJMË RRETHANA QË E SJELLIN RUSINË NË TAVOLINËN E DIALOGUT

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri Haradinaj, duke paraqitur kushtet për heqjen e taksës, kërkoi një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Sa mund t’i përshtatet Kosovës, tash, një konferencë e tillë?

Hashim Thaçi: Procesi i dialogut udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian, kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen, nuk do të krijojmë rrethana favorizuese që sjellin në tryezë Rusinë.

Radio Evropa e Lirë: Konferenca ndërkombëtare mund ta bëjë këtë (sjellë Rusinë në tavolinë)?

Hashim Thaçi: Kemi besim të plotë në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa involvuar faktorë të tjerë të cilët nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk kanë ndonjë simpati për të ardhmen e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Vendosja e taksës po vlerësohet se e ka bllokuar edhe procesin e bisedimeve me Serbinë, e cila thotë se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa. A mund të dihet kur do të vazhdojnë bisedimet në Bruksel?

Hashim Thaçi: Unë inkurajoj partnerët e koalicionit që të vazhdojnë të diskutojnë dhe të marrin veprimet e duhura, të mençura, të jenë kreativ dhe fleksibil në qasjen e tyre në mënyrë që për Kosovën të jenë dyert e hapura edhe në Uashington edhe në Bashkimin Evropian dhe në vendimmarrje të qëndrueshme dhe të koordinuar. Kur Kosova ka marrë vendime të koordinuara me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian gjithmonë ka dalë e suksesshme. Në rrethana tjera do të jemi një vend, me të vërtetë i harruar dhe i izoluar, gjë të cilën qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë e as politika e Kosovës. Unë dua të kem besim në vullnetin e mirë të bartësve të institucioneve, kësaj radhe në iniciativat e kryeparlamentarit Kadri Veseli, por në të njëjtën kohë edhe në vullnetin e mirë të njerëzve të tjerë.

Radio Evropa e Lirë: A është korrigjimi i kufijve ende pjesë e bisedimeve apo në tavolinën e bisedimeve?

Hashim Thaçi: Delegacioni shtetëror i Kosovës është zgjedhur, ka mandatin e plotë nga të zgjedhurit e popullit e ka mbështetjen time të plotë. Prandaj, të gjitha gjërat që i diskuton ky delegacion në Bruksel do të jenë në një proces transparent dhe diçka e tillë, do të thotë angazhimet e ardhshme do të ballafaqohemi me agjendën që është për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Deri tash të gjithë liderët politikë janë deklaruar kundër korrigjimit të kufijve, e dje edhe ish partia juaj, PDK-ja, ka thënë të njëjtën. A mendoni që ideja juaj për korrigjim të kufijve e dëmton rolin tuaj kushtetues?

PËR MARRËVESHJEN VENDOSET NGA KUVENDI DHE ME REFERENDUM

Hashim Thaçi: Të gjithë liderët dhe partitë politike në Kosovë janë për dialog, janë për negociata, janë për një marrëveshje me Serbinë që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sa i përket substancës së marrëveshjes, që do të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, me çështjet që do të përfshihen në kornizat e kësaj marrëveshjeje, pra edhe te çështja e të zhdukurve, refugjatëve, trashëgiminë kulturore serbe, zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, do të përfshihen. Kështu që, për substancën e marrëveshjes mbetet të diskutohet në hapat e mëtutjeshëm.

Radio Evropa e Lirë: Kush e mbyllë këtë proces, ju apo delegacioni shtetërorë që është zgjedhur?

Hashim Thaçi: Këtë proces e mbyll Parlamenti ose referendumi i qytetarëve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Në letrën tuaj drejtuar presidentit Trump, ju keni shprehur gatishmëri për një kompromis për arritje të një marrëveshjeje të balancuar me Serbinë. Çfarë nënkupton për ju marrëveshja e balancuar?

Hashim Thaçi: Ky dialog nuk është duke u zhvilluar vetëm nga Prishtina me Brukselin dhe Uashingtonin, por është një dialog i udhëhequr nga Bashkimi Evropian me mbështetjen e plotë të SHBA-së. Pra, dialogu me Serbinë. Kështu që e kemi parasysh se duhet të jetë një zgjidhje e balancuar që respekton sovranitetin e Kosovës, të ndodhë njohja e Kosovës, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por, në të njëjtën kohë duhet kuptuar se kemi të bëjmë edhe me një palë tjetër në tavolinë.

Kështu që, unë besoj që propozimet e Bashkimit Evropian dhe vullneti ynë, edhe i Serbisë, do të jetë për një marrëveshje që i hap perspektivë euroatlantike edhe Kosovës edhe Serbisë, perspektivë evropiane dhe natyrisht fuqizimin e interesave gjeostrategjike edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian për paqe të përhershme në Ballkanin Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë është Kosova e gatshme t’i ofrojë Serbisë, si kompromis?

Hashim Thaçi: Mbetet që delegacioni shtetëror i Kosovës të diskutojë për çështjet konkrete në fjalë se cilat çështje do të diskutohen dhe për të cilat mund të gjendet një zgjidhje kreative dhe elegante e pëlqyeshme për të dyja palët.

Radio Evropa e Lirë: A ka përpjekje që komuna ne veri të Mitrovicës të bëhet pjesë e një Mitrovice të bashkuar?

Hashim Thaçi: Gjëra të tilla nuk janë diskutuar. Por, e theksoj se në asnjë çmim, në asnjë rrethanë, dua t’i hedhë poshtë të gjitha dezinformatat qoftë për Gazivodën (Ujmanin), qoftë për veriun e Mitrovicës, qoftë për Trepçën, ato kanë qenë, janë dhe do të mbeten të pacenuara.

Radio Evropa e Lirë: Kosova është përfshirë nga vala e pakënaqësive sociale që manifestohet përmes grevave, a mendoni që para miratimit të ligjit për pagat ai duhet të kthehet edhe njëherë për një debat në mënyrë që të përfshihen pakënaqësitë?

Hashim Thaçi: Pushtetet në Kosovë janë të ndara, Parlamenti i ka punët e veta, Qeveria të vetat, natyrisht edhe Presidenti të vetat. Unë i kuptoj vështirësitë e Qeverisë, e në të njëjtën kohë e kuptoj edhe reagimin e punëtorëve të Kosovës. Por, si president i vendit i ftoj të gjithë për një dialog social, përmes dialogut mendoj që do të gjendet një zgjidhje e pranueshme. Edhe për Qeverinë, për mundësitë e saj edhe për kërkesat e punëtorëve.

Bisedoi: Amra Zejneli-Loxha

Filed Under: Politike Tagged With: Hashim Thaka, i padiskutueshem, Partneriteti me SHBA

Le Petit Journal:Mbreti Zog, shpëtimtar i atdheut shqiptar

January 31, 2019 by dgreca

MBRETI ZOG, PASARDHËS I SKËNDERBEUT DHE SHPËTIMTAR I ATDHEUT SHQIPTAR (PARIS-MIDI, 1935)/1 ZoguNga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Janar 2019/

“Paris-Midi” ka botuar, të enjten e 27 qershorit 1935, në faqen n°5, shkrimin e gazetarit të “Le Petit Journal”, Roger Crouquet, dedikuar Mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

1 Le Roi Zog

Mbreti Zog, shpëtimtar i atdheut shqiptar

 Ai ka realizuar të gjithë programin e tij në një vend të rigjeneruar që dominon në një anë të Adriatikut, « deti Italian », shkruan Roger Crouquet (Le Petit Journal) :

 “Para luftës, Shqipëria, një vend i varfër dhe i paarsimuar, jetonte në një gjendje kolapsi, duke vuajtur gjithashtu në një mjerim të egër. Turqia e Sulltanit kishte lënë shenjën e saj me pushtimin e gjatë dhe qytetërimi nuk kishte depërtuar fare deri në atë kohë në këtë territor të largët, pa lidhje komunikimi me vendet fqinje.

 Por një njeri u shfaq, pasardhësi i këtij Skënderbeu, heroit kombëtar, i cili, nga maja e kështjellave shqiptare, mbajti larg për një kohë të gjatë jeniçerët e Konstandinopojës. Ky burrë, i ri, plot idealizëm dhe i vetëdijshëm për realitetet e jetës, duke dashur vendin e tij mbi të gjitha, donte t’i jepte atij lirinë dhe t’i sillte dobitë e qytetërimit. Program i bukur që më në fund do të gjente realizimin e tij.”

Filed Under: Histori Tagged With: 500 vjetori i Skenderbeut, Aurenc Bebja, Mbreti Zog, Pasardhes, SKENDERBEUT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1120
  • 1121
  • 1122
  • 1123
  • 1124
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT