• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, ditë zie për ish-Presidentit George H.W. Bush, Thaci në ceremoninë e varrimit

December 4, 2018 by dgreca

-Presidenti Thaçi shpall të mërkurën ditë zie në nderim të ish-presidentit George H.W. Bush/

PRISHTINË, 4 Dhjetor 2018- Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas vdekjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush, në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për kontributin e tij të dhënë për lirinë e Kosovës, ditën e mërkurë (5 dhjetor 2018), e ka shpallur ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës.

Në ditën e zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Dita e mërkurë është shpallur ditë zie kombëtare edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./b.j/

***

Presidenti Thaçi merr pjesë në varrimin e ish-presidentit amerikan  George H. W. Bush në Teksas

PRISHTINË, 4 Dhjetor-2018-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në ceremonitë mortore dhe në varrimin e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush.Ish-presidenti i ndjerë amerikan, George H. W. Bush, do të varroset në College Station të Teksasit.

Njoftimi i sapodërguar thekson edhe se, në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës të Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush, presidenti Thaçi e ka shpallur ditën e mërkurë ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: George H.W Bush, Kosova Zi, ne varrim, Thaci

Lamtumirë Niko Kirka !

December 4, 2018 by dgreca

nikokirkav

Nga Skënder  Shkupi/

E njoha për herë të parë në Nju Jork ku na bashkoi një mërgim i detyruar. U bëmë shumë shpejt miq të afërt. Ai ushtronte tek unë një tërheqje të veçantë që buronte nga afëria e madhe e pikëpamjeve tona mbi kombin, historinë tonë të përgjakur dhe zig-zaget politike të viteve pas shembjes de-jure të diktaturës komuniste. Por ndryshe nga unë që qëndroja disi gjakftohtë edhe kundrejt absurditeteve më të pabesueshme të ish-komunistëve që bënin të pamundurën për ta shpëlarë disi, qoftë edhe me ujë të ndotur, realitetin e shëmtuar të viteve 1944-1991, Niko Kirka shpërthente. Ai nuk kursente askend, qoftë edhe njeriun më të afërt që shfaqej si ‘vërejtës objektiv’ për të maskuar subjektivitetin e tij të tejskajshëm në analizat e situatave të kaluara që përjetoi një komb i tërë për gati pesëdhjetë vite të gjata vuajtjesh e mjerimi të paparë që deformuan deri ADN-në e racës sonë.

Nuk e di pse shpesh më ngjante si Rilindas i mirëfilltë (kuptohet s’është fjala për ata modernët, ngjyrë mavi), diçka ndërmjet Petro Nini Luarasit dhe Themistokli Gërmenjit, njeri i mendjes dhe i veprimit, me një vendosmëri të rallë në mbrojtje të interesave të kombit për të cilat – unë kisha krijuar bindjen time të patundur, – ai nuk do të kursente asgjë, as edhe jetën e tij. Sa vuante tek vërente që punët në Atdheun e largët nuk venin mbroth. Si bir i denjë i Kristo Kirkës, njërit nga themeluesit e ‘Vatrës’, mikut të afërt të Nolit e të Konicës, interesat e Shqipërisë ishin gjëja më e shenjtë për të dhe në asnjë rrethanë ai nuk pranonte të bënte kompromis për to. Sa më prekte kjo anë e karakterit të tij. Nuk është se këto tipare të Nikos u demonstruan vetëm në bisedat që bënim rëndom në lokalet e Nju Jorkut. Jo, jo, ai pat tërbuar xhelatët komunistë në Kampin e tmerrshëm të Maliqit të cilët të xhindosur nga qëndrimi i tij burrëror, e lanë të lidhur në një hu në mes të kampit tri ditë e tri net, gjysmë të zhveshur, për ta thyer, për ta mposhtur, për ta nënshtruar. Por nuk e thyen dot.

E arrestuan më 1946, pasi e përjashtuan nga gjimnazi i Korçës, fill pas burgosjes së Kristo Kirkës, ish prefektit të atij qyteti, që shpëtoi qindra jetë njerëzore nga pushkatimi hakmarrës i nazistëve. Shpërblimi i komunistëve qé burgu. I njëjti fat ndoqi edhe të birin. Përplasjet e tij me policët e kampit ishin të përditshme. Por edhe reagimi i dhunshëm i xhelatëve të Tasi Markos, komandantit të kampit, ishte thellësisht mesjetar. Në një vend të hapur, lidhur tek një hu i trashë, me ca lecka mbi trup ngrihej si monument i qëndresës, në të ftohtit e hidhur të asaj zone, ditën e natën, figura sfiduese e Niko Kirkës si një Jezu Krisht i shekullit XX që luftonte me tiraninë e kuqe sunduese mbi gjysmën e Europës.

Niko Kirka ishte këmbëngulës në përpjekjen që duhej bërë për rivlerësimin e figurave të shquara të së kaluarës, të demonizuara nga komunistët. Të shumtë ishin shkrimtarët, studiuesit, politikanët e diplomatët të cilëve u qé hedhur baltë nga historianët komunistë. Përfaqësuesi më i spikatur i tyre ishte pa dyshim Mid’hat Frashëri.

Me  nismën e tij u nisëm, bashkë me mikun tonë të përbashkët  Pëllumb Kullën, rreth 12 vjet më parë, në varrezat e Nju Jorkut, për t’i bërë homazh njerit prej burrave më të mëdhenj të shqiptarizmës, Mid’hat Frashërit. Arritëm atje dhe me ndihmën e hartave të përpikta që na dorëzuan nëpunësit e Varrezave gjetëm atë që kërkonim. E vështroja me kureshtje Nikon tek qëndronte thellësisht i menduar përpara varrit të shqiptarit të madh. Ishim që të tre mjaft të emocionuar. Ai nuk nguroi ta quajë Mid’hatin një ndër etërit e kombit të shekullit XX për ndihmesën e tij të jashtëzakonshme në emancipimin europian të shqiptarëve, si një mbartës i denjë i ideve dritëdhënëse të prindërve të tij.

Për vite me radhë takoheshim çdo të shtunë paradite te ‘Kafja e Kuksianit’ në Rrugën 186 të Bronksit. Bisedat me Nikon ishin të këndshme. Ai kishte njohuri shterruese në temat politike dhe ato historike. Interesant është fakti që nëse ndokush mundohej të shfajësonte ndonjë të afërm të tij për mëkatet që kishte bërë në të kaluarën e afërt komuniste të Shqipërisë, Nikoja ia priste me ‘sëpatën e dardharit’. I tillë ishte ai, armik i mashtrimit dhe i hipokrizisë.

U përpoqa ta takoja Nikon e sëmurë para tri javësh kur gjendesha në Nju Jork. Por qé e pamundur. Meri, gruaja e tij fisnike që i qëndroi gjithmonë pranë atij burri të papërkulur e trim më kërkoi ndjesë : ‘Është në gjendje kome – më tha në telefon – nuk njeh njeri.’ Dy pika lot më rodhën padashur. E parandjeva të keqen. I kthyer në Tiranë mora vesh lajmin e hidhur. Niko Kirka, ky Rilindas i fundit, ndërroi jetë.

Lamtumirë i dashur Niko. Të qoftë i lehtë dheu i Amerikës, Atdheut tënd të dytë, dheu i atij vendi që u bë limani shpëtimtar i qindra mijëra shqiptarëve të përzënë nga trojet e tyre prej trilleve tekanjoze të historisë sonë të dhimbshme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Lamtumirë Niko Kirka !, Skender Shkupi

Misioni i pamundur i Johannes Hahn në Kosovë

December 3, 2018 by dgreca

1-enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi/

I pari i Kosovës, Hashim Thaçi, thirri në ndihmë Johannes Hahn përmes Mogherinit, me qëllim që ta “mposhtë” kundërshtarin dhe rivalin e tij, kryeministrin Haradinaj. Hahn nisi rrugëtimin e tij fillimisht direkt në Prishtinë e më pas u kthye pak nga rruga për të takuar Aleksandër Vuçiq në Beograd. Vuçiq i premtoi Hashim Thaçit se do t’i bëjë presion zotit Hahn, me qëllim që Brukseli ta shpallë Haradinajn ekstremist. Por nuk ndodhi kjo. Shkaku i vizitës ishte vendosja e taksës 100 përqind të vlerës së mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Sot pasdite komisioneri Europian për Zgjerim u takua në kryeqytetin e Kosovës me tri personalitetet e vendit, presidentin, kreun e Parlamentit dhe kryeministrin. Takoi dhe deputetët e Listës Srpska, të cilët u ngujuan dje ora 11.00 në ambjentet e parlamentit të Kosovës, në shenjë proteste pse Hahn kishte refuzuar këtë takim. Ndërkaq nga deklaratat në përfundim të takimeve dhe bisedave duket se qeveria e Kosovës është e vendosur në zbatimin e vendimit të marrë për taksën, ndërkohë që komisioneri europian ka shpreh befasi nga marrja e këtij vendimi. Haradinaj thotë në deklaratën e tij për shtyp se ia ka shpejguar zyrtarit të lartë të Brukselit arësyet pse qeveria mori vendimin përkatës. Sigurisht që Hahn nuk është pajtuar me ato argumente dhe ka kërkuar heqjen e taksës për mallrat që vijnë nga Serbia në Kosovë. Por Johannes Hahn u duk se e ka zbutur qëndrimin e tij për këtë çeshtje kur deklaroi se “Ka nevojë që të dyja palët t’i adresojnë këto çeshtje”! Kjo do të thotë se gjatë vizitës ai ka kuptuar që nuk është e nuk mund të bëhet fajtore vetëm Prishtina. Në të vërtetë fajtore dhe përgjegjëse për konfliktin e stërzgjatur shqiptaro-serb është Beogradi. Vitet e fundit është bërë bashkëpërgjegjës edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Kemi parë tashmë se sa më shumë lëshime ka bërë Thaçi, aq më shumë është rritur veprimtaria diversioniste e sabotuese e Beogradit në drejtim të Kosovës. Më e keqja është se zoti Thaçi ende nuk dëshiron t’i kundërvihet kësaj skeme. Prandaj dhe fajëson Haradinajn për gjithçka, përfshirë taksën për mallrat e Serbisë. Kësisoj nuk është vështirë të kuptohet se presidenti i Kosovës thërret në ndihmë Serbinë dhe Beogradin për t’i qëruar hesapet me kundërshtarët dhe rivalët e tij politikë në Kosovë. Duhet hetuar a ka bërë të njëjtën gjë me Ibrahim Rugovën dhe Fatmir Sejdiun?! Ka shumë gjasa që po. Derisa sot presidenti i vendit bashkëpunon me të gjitha qarqet antiKosovë në Serbi, Rusi e në botë kundër Kosovës dhe qeverisë së saj, atëherë duhet besuar se ky bashkëpunim nuk ka ardhur “në befasi”, siç u shpreh Hahn për taksën. Bashkëpunimi i zotit Thaçi për eleminimin fizik të Rugovës dhe eleminimin politik të Sejdiut janë përvojat e para të skemës së Thaçit në bashkëpunim me Beogradin! I nxitur nga Beogradi dhe Hashimi Johannes Hahn erdhi me shumë pompozitet në Prishtinë. “Magjinë” e tij e ngjizën te publiku gjithashtu mediat e Ramës dhe të Thaçit. Por në fund të ditës kemi një sukses të pamendueshëm. Në vend që Hahn ta qortojë kryeministrin Haradinaj, ai la të kuptohet se kreu i ekzekutivit të Kosovës është tashmë më shumë faktor sesa kreu i shtetit. Prandaj vizita e tij në Prishtinë do të ketë efekte pozitive. Infoja që ai do të çojë në Bruksel do të jetë ndryshe nga çdo info e mëparshme e shpëlarë, e manipuluar dhe e intriguar edhe si rezultat i retushimeve dhe redaktimeve që atyre u ka bërë Beogradi para se të arrijnë në kryeqytetin europian përmes Hashim Thaçit dhe Gebelsit kosovar, Baton Haxhiu. Takimi me Haradinajn dhe besoj edhe me Kadri Veselin e ka bindur komisionerin për Zgjerim se nuk ekziston vetëm Kosova e Hashimit, por ka dhe një Kosovë tjetër jashtë perimetrit të përceptimit dhe imagjinatës së presidentit të Republikës. Mjafton kjo që ta konsiderojmë të suksesshme vizitën e sotme të Johannes Hahn në Kosovë. Shkoi e u mbars në Beograd, por u shkarkua pas pak orësh në Prishtinë. Ky është sukses jo i vogël.

Tiranë, më 3.12.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Misioni i pamundur i Johannes Hahn, ne Kosove

Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes

December 3, 2018 by dgreca

… E pabesueshmja. Disa ditë  më  parë, një  anëtar i qeverisë  aktuale, një  neokomunist, me cinizëm dhe paturpësi, u kërkoi viktimave të  diktaturës komuniste,  t’u kërkojnë  falje xhelatëve të  tyre, për qëndrimin që  kanë  mbajtur disa figura të nacionalizmit shqiptar gjatë  luftës së  dytë  botërore, (si Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, etj), të cilët, sipas tij, kishin bashkëpunuar me fashizmin e nazizmin në dëm të  interesave kombëtare. Dhe për këtë i referohet historisë së shkruar dhe manipuluar nga historianë që dolën nga laboratorët e komunizmit, periudhë ende e patrajtuar në mënyrë  objektive dhe të  paanshme.

2 alma Liço

Nga Alma LIÇO/

Teksa po lexoja librin “Lulja e Diellit” të Simon Vizental-it, ndjeva një  shtysë të brendshme të  reagoja dhe jepja opinionin tim mbi mundësitë  dhe kufijtë  e faljes, trajtuar aq gjërësisht në këtë  episod të  jetës së  autorit.

Historia e vuajtjeve të  tmerrshme në  kampet naziste të  përqëndrimit, ma solli të gjallë  terrorin dhe genocidin ndaj hebrejve, gjatë asaj periudhe të  shëmtuar të  historisë  së  njerëzimit.  Ngjarja e përjetuar nga autori është  e shkruar mjaft bukur dhe me origjiinalitet, me një  gjuhë  të  thjeshtë, të  rrjedhshme e të  kuptueshme. Simon Vizental është një nga të  mbijetuarit e paktë të  atij kampi. Histori të  tilla kemi lexuar e njohur me qindra. Por, ajo që  e bën të  veçantë  këtë rrëfim të  dhimbshëm, është  raporti dhe dilema që autori çfaq në  lidhje me ndjesën e kërkuar prej tij nga një  kriminel, Oficer SS-ë , që  po ndërronte jetë, në ato ambiente ku mbizotëronte terrori dhe vdekja. Mes plagëve dhe fashove që  kullonin gjak e qelb, SS-ë njëzet e ca vjeçar, kishte dëshmuar krimet e tij të tmerrshme dhe thellësisht i penduar, kishte kërkuar që  hebreu i burgosur, ta falte atë. Nën peshën e terrorit dhe të çfarosjes në masë, autori  ishte i obliguar ta dëgjonte deri në  fund rrëfimin e të riut që  po vdiste, dhe më pas ishte larguar në  heshtje, duke refuzuar në  mënyrë  të  pazëshme të  mbante qëndrim ndaj lutjes së  tij.  Disa orë  më pas, oficeri SS-ë   kishte mbyllur sytë . Kjo ngjarje u skalit në ndërgjegjen e Simonit dhe shumë  vite më  pas ai kërkoi nga lexuesit e këtij episodi, si do kishin vepruar ata në të njejtat rrethana. Natyrshëm, paqartësia e autorit, dhe deri diku  brerja e ndërgjegjes,  ka ndezur mjaft opinione  të ndryshme, të  botuara së  bashku me këtë  libër.

Në opinionin e saj lidhur me mundësinë  dhe kufijtë  e faljes,  Meri Gordon, profesoreshë  e anglishtes në  kolegjin “Barnard”, autore e katër novelave bestseller, ndër të  tjera  shkruan:  Falja afër mendsh mund të  jetë  e mirë  për të  dy palët, por nuk mund të  jetë  kurrë  e mirë  harresa; së  pari sepse ajo është  një  formë  mohimi, dhe së  dyti sepse vetëm njohja e fajit nga të  dy palët mund të  fillojë të  pengojë  përsëritjen e veprave të  shëmtuara. Duke damkosur mëkatarin në  mënyrë  të  sigurt, ritualet publike të  pendesës sigurojnë  që  vepra të  mos harrohet.

Ndërsa Hans Habe, kryeredaktor  i Gazetës “Die neue Zeitung”, në  Mynihun e pas luftës së  dytë  botërore, shkruan: Falja është  çështje shpirtërore, ndëshkimi është  çështje ligjore…Amnistia që  i jepet një vrasësi i cili nuk ndëshkohet, është  një  formë  bashkëpunimi në  krim. Ajo nuk nxit falje, ajo e përjashton atë …nuk mund të  pranoj justifikim se sistemi e çliron individin nga përgjegjësia… Të  falësh pa drejtësi  është  një  dobësi e vetkënaqësisë .

Cinthya Ozick, anëtare e Akademisë  Amerikane të  Arteve dhe Letërsisë , fituese e disa  çmimeve për novela dhe tregime, shkruan:  Shpesh na kërkohet të arsyetojmë në  këtë  mënyrë. Hakmarrja brutalizon, falja fisnikëron. Por mund të jetë  e vërtetë dhe e kundërta. Rabinët kanë thënë: Kushdo që mëshiron një  mizor, do të  përfundojë si indiferent ndaj të pafajshmit. Edhe falja mund të  brutalizojë…falja është  e pamëshirë, ajo harron viktimën. Ajo i mohon të  drejtën viktimës për jetën e vet. Ajo sfumon vuajtjen dhe vdekjen. Ajo mbyt të shkuarën. Ajo kultivon ndjeshmëri ndaj vrasësit dhe pandjeshmëri ndaj viktimës…Falja është  e pamëshirshme.  Fytyra e faljes është  e butë, por shumë e ashpër për viktimën.

E megjithatë, ky episod i jetës së Vizental-it, nuk e pengoi atë të luftonte për dënimin e krimit nazist.  Qendra e dokumentacionit e krijuar prej tij,  e cila ndjek kriminelët nazistë, ka ndihmuar të çohen para drejtësisë 1100 persona që prej mbarimit të luftës së dytë botërore, kontribut për të cilin ai është nderuar nga qeveritë e disa shteteve, si SHBA, Holandë, Itali,  Izrael.

…Pa pretenduar ta rendis veten ndër figurat e spikatura dhe me përvojë,  që  nisur nga dilema e autorit kanë dhënë opinionet e tyre rreth mundësisë  së  faljes, nuk mundem të mos shpreh qëndrimin tim për raportin çnjerëzor, të  palëkundur të  kriminelëve komunistë, me viktimat e tyre, të  përjetuar nga qindra mijëra shqiptarë .

Brez pas brezi, viktimat e pafajshme kanë  provuar dhe provojnë ende në  kurriz barbarinë  e atyre që jo vetëm nuk çfaqin shenjat më  të  vogla të  pendesës për krimet e tyre pesë dhjetë  vjeçare, por përkundrazi, e vazhdojnë  atë  luftë kriminale me të  njejtin zell. Sigurisht, me format e reja që  u mundëson koha…flakjet nga vendet e punës e hedhja në rrugë të  madhe, talljet me të drejtën e të qenit të dëmshpërblyer për dënimet kriminale dhe abuzive të pësuara, sorollatjet e padenja në proçese të  pafundme gjyqësore në kërkim të dëshpëruar të të drejtave të dhunuara…rigrabitjen e pronave të  sekuestruara nga etërit e tyre…etj.

Në vlerësimin tim, pendesa është një proçes i gjatë  i një brerjeje të ndërgjegjes së  individit që  ka mëkatuar apo ka kryer krime, i cili duhet të pasohet nga përpjekjet e tij për të shlyer disi dëmet e shkaktuara.  Ndaj të njejtin mendim me disa nga personalitetet që  kanë  shprehur qëndrimet e tyre, se ndjesa nuk mund dhe nuk duhet të  kërkohet. Ajo mund të  jepet nga viktima, nëse vërtet e ndjen se pendesa e mëkatarit është  e sinqertë  dhe se ai, mëkatari, ka dhënë  gjithë  shpirtin dhe energjinë  e tij për të  minimizuar dëmet e shkaktuara. Pra, ndjesa sipas meje, nuk kërkohet,  ajo meritohet. Ky hap aspak i lehtë  i shërben paqtimit të  shpirtit të  lënduar të  viktimave, si dhe një  paqeje sociale aq të  dëshiruar.

Por opinioni im nuk ka lidhje fare me realitetin e raportit krim-viktimë ,  në  Shqipëri. Për fatin tonë  të  hidhur, komunistët, e veçanërisht këta tanët, mbeten kriminelët me të  pamëshirshëm në  historinë  e komunizmit të  vendeve të  Europës lindore,  që  masakruan brez pas brezi bashkë qytetarët e tyre. Nuk ka asnjë  gjasë që  ata të pendohen, aq më  pak të  kërkojnë  ndjesë. Mungon tërësisht edhe vullneti shtetëror e ai juridik që ata të dënohen sipas ligjeve dhe të drejtës ndërkombëtare. Personat e përfshirë  në  krimin komunist, të cilët arritën të  çfaqin një lloj pendese dhe keqardhje për viktimat e tyre, mund të  numërohen me gishtat e njerës dorë , dhe për fat të keq pendesa e tyre ka ardhur pasi dhe ata vetë, në një moment të caktuar të jetës, kontributeve dhe bashkëkzistencës me terrorin e ideologjisë komuniste, kanë  provuar krimin dhe ndëshkimin mizor të  luftës brenda llojit.  Ata u dënuan prej atyre të  cilëve u kishin besuar, dhe mbështetur në drejtimin e pushtetit të  përgjakur, të  dalë  nga lufta vëllavrasëse, si dhe kolaboracionizmi me armiqtë  më  të  egër dhe atavistë  të  Shqipërisë, ruso-jugosllavët.

Madje, në  Shqipërinë  tonë  të  vogël, ende ndodh e paimagjinueshmja. E pabesueshmja. Disa ditë  më  parë, një  anëtar i qeverisë  aktuale, një  neokomunist, me cinizëm dhe paturpësi, u kërkoi viktimave të  diktaturës komuniste,  t’u kërkojnë  falje xhelatëve të  tyre, për qëndrimin që  kanë  mbajtur disa figura të nacionalizmit shqiptar gjatë  luftës së  dytë  botërore, (si Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, etj), të cilët, sipas tij, kishin bashkëpunuar me fashizmin e nazizmin në dëm të  interesave kombëtare. Dhe për këtë i referohet historisë së shkruar dhe manipuluar nga historianë që dolën nga laboratorët e komunizmit, periudhë ende e patrajtuar në mënyrë  objektive dhe të  paanshme.

Ndonëse në opinionet dhe qëndrimet ndaj  dilemës së  Simon Vizental-it u njoha me  krime nga më të ndryshmet , (si Holokausti, Aparteidi, etj),  askund nuk hasa absurdin e kërkesës që  xhelatët u drejtojnë  viktimave, sipas së cilës ata, viktimat  duhet t’u kërkojnë  ndjesë  kriminelëve dhe torturonjësve të  tyre të pesë dhjetë  viteve???

Kam lexuar për “Teorinë e Pafuqisë” të elaboruar nga një shkencëtar i quajtur Martin Seligman, sipas të cilës nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar nga persona që  kanë pësuar e vuajtur pasojat e saj për një periudhë relativisht të gjatë. Dëshpërimisht ndjehem viktimë e lodhur e saj. Me dhimbje dhe trishtim përfundoj se ndonëse pendesa dhe falja janë  proçese të  mahnitshme ringjalljeje, ne,  viktimat e komunizmit,  kurrë  nuk do mundemi t’i provojmë. Jo, në  Shqipërinë e dominuar ende nga trashëgimia dhe barbaria komuniste.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma LIÇO, dhe kufijtë e faljes, Mbi mundësitë

DUKE KUJTUAR DR. IBRAHIM RUGOVEN

December 3, 2018 by dgreca

-Që para afër tre dekadave, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur/-“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator/

1 ok Ibrahim-Rugova

– “Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në 23 dhjetor 2005 – në takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme/

1 Ibrahim-Rugova-e-Behlul-Jashari-ne-60-vjetorin-e-gazetes-Rilindja-interviste-shkurt 2005- (2)

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 Varri

PRISHTINË, 2 Dhjetor 2018/ Para 74 viteve,  në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, ka lindur Ibrahim Rugova, i cili kujtohet si Presidenti historik i Kosovës dhe arkitekti i pavarësisë.

Përfaqësues institucionalë e politikë dhe qytetarë i bëjnë homazhe Presidentit historik dhe vizitojnë familjen e tij.

Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në vigjilje të ditëlindjes së Presidentit historik.

“Kemi ardhur për ta nderuar me një simbolikë dhe në kujtim të angazhimit të madh të Presidentit Rugova, për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, por edhe për Kosovën e pavarur, që e gëzojmë sot”, është shprehur kreu i qeverisë kosovare.

“Lavdi e përjetshme veprës dhe jetës së Presidentit historik!’, tha kryeministri Haradinaj

Sot, në homazhe, në emër të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetari Agim Veliu ka vlerësuar lartë figurën e Rugovës duke theksuar se ishte arkitekt i pavarësisë së Kosovës.

“Rugova ishte Presidenti i parë i Kosovës, i cili ëndrrat shekullore të popullit për liri, pavarësi e demokaci i projektoi bukur dhe i udhëheqi ato deri në realizimin e tyre”, tha ai.

Në vizitën Familjes Rugova, më emër të kryesisë së LDK-së ka folur sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri, i cili ka vlerësuar lartë punën, jetën dhe veprën e Presidentit historik të Kosovës. 

 Në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para afër tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Si gjithmonë, edhe në 4 mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, intervistën e parë ekskluzive e kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare para më shumë se 24 viteve, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës. Ishte atëherë kohë e rëndë e okupimit dhe dhunës serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës.
“Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai.
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistën që zhvilloja vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar” , se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova isha edhe në konferencat e shumëta për shtyp që mbante para, gjatë e pas luftës në Kosovë, ku bëja pyetje e merrja përgjigje, kam zhvilluar edhe intervista tjera ekskluzive për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, jam takuar edhe në raste të tjera…

Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 dhjetor 2005.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme.

Ibrahim Rugova u shua në 21 janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.

 

DR. IBRAHIM RUGOVA

Presidenti Historik i Kosovës

Shënime biografike: letrare dhe politike

 

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,
– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,
– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),
– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980
– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,
– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,
– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,
– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,
– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ditelindja e Dr. Ibrahim Rugoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1185
  • 1186
  • 1187
  • 1188
  • 1189
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT