• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FALEMINDEERIT QË MË DËNUAT!

November 9, 2018 by dgreca

Shefqet Dobra

NGA SHEFQET DOBRA/Ish i dënuar politik/

Rakip Dervishaj, pas dhjet vjetësh, u lirua nga burgu; në Vlorë e dërguan si të “dëbuar”, në kooperativë duhet të punonte. Në kooperativë, orari nuk respektohej, e diela nuk ishte ditë pushimi si në ndërmarrjet shtetërore, edhe kur binte shi, nuk u paguhej dita. Dita e punës- dmth, një ditë punë në kooperativë, quhej një normë. Për ta sqaruar: nëse norma në bërje kanali, ishte nëntë metrokup- kush bënte nëntë metrokup- thuhej se ka bërë një ditë pune, ose: 100 pikë, kush bënte katër –thoshin: 50/të pikë, dmth, gjysëm norme, gjysëm dit pune . Në fund të vitit llogaritej sa të ardhura kishte kooperativa, ato pjesëtoheshin për ditët- normat- dhe qëllonte që për një normë- sidomos kooperativave malore, mund ti binte për të marrë:- 20 lek të vjetra për një dit pune- dmth- për një normë. kurse kooperativat  fushore, ishin më me fat, prodhonin më shumë- u shkonte dhe 100, lek të vjetra ditës, nëse kishte bërë çdo ditë normën.

Rakipi, që nuk ja dinte punëve të kooperativës- kishte rënë i ri fare në burg, vetëm në minierë kishte punuar- mjaft që të siguronte të paktën bukën dhe pak gjizë ose ndonjë zarzavat që ta bënte supë. Gjithmonë rrinte vetëm, nuk përzihej me tjerë.

Një ditë, në pushimin e drekës, i afrohet një i brigadës dhe i thotë: – pse nuk martohesh more Rakip, të krijosh familje?

-Po kush më merr mua more: kështu si jam katandisur..- i përgjigjet..

-Të marrin ore, pse s’të marrin- i thotë.

-Po kush guxon të më japë vajzë mua?

-Po gjej ndonjë të sojit tënd.

-Pse ore, keni filluar të martoheni edhe brenda sojit ju?

-Jo more jo, të jetë si ti nga biografia.

-Nuk kam qejf të martohem, po….

-Pse more, po është më mirë për ty.

-Po, është më mirë, është po, martesa sjellë edhe fëmijë, po… po sikur t’u mbushet mendja prapë të më çojnë ne burg, ku ti lë ata?  Më mirë jam kështu, kur rafsha mos u vrafsha. Të bëhet si të bëhet, nuk e kamë mendjen prapa.

-Unë të them: martohu se kështu është më mirë.

– Faleminderit po… me që ma dashke të mirën, ma jep gocën tënde.

-Joo, se…

-Pse ke frikë?  Ti je me biografi të mirë, ça të pengon? Meqë ma do të mirën, meqë më qave hallë- po të them. Duhet ti jesh mirnjohës atij që ta do të mirën.

-Epo, nuk i kemi njësoi kushtet.

-Po për atë familjen tjetër, pse nuk mendon si për vete?

-Për të mirën tënde e pata- i tha.

-Të faleminderit shumë, e kuptoj që më do të mirën por.. dhëndër nuk ke qejf të…

Një ditë, kur po kthehej nga puna, me lopatë e kazëm në krah, i lodhur e i mërzitur, kokë ulur, kishte humbur në mendime veta kur, pa pritur- dëgjoi ti thonë: – në emër të popullit, je i arrestuar, duart mbrapa! U drejtua, lëshoi veglat në tokë, i shikoj dhe, kur njëri po i vinte “byzylyket” – u tha:-E dini sa mirë bëtë që erdhët e më….

-Natyrisht! Të merresh me veprimtari armiqësore sigurisht që e pret dhe arrestimin.

-Jo, jo, edhe ju e dini që nuk e kam bërë atë gjë se, ça do fitoja?

-Sigurisht! Pse dimë çdo gjë që bën, ku shkon e me kë bënë plane, erdhëm të vëmë hekurat! Në prezencën tënde të kontrollojmë shtëpinë.

-Ç’far do kontrolloni?

-Shtëpinë, ta tham. Po ju nuk ditkeni kam a s’kam shtëpi more, nga dini se qenkam marr me veprimtari…hëh…  Unë dy batanije,  dy çarçafë dhe një dyshek me kashtë kam, edhe këto, të kooperativës janë, nuk kam asgjë timen, atje në një koçek të misrit, më kanë dhënë një vend të rri.  Shkoni ju, unë nuk kam gjë për të marrë,  bëni ç’të doni me to, vetëm një gjë u kërkoj, t’ja dorëzoni kooperativës se mos më akuzojnë , për përvetësim e pasurisë përbashkët, të atyre vjetërsirave.

Në hetuesi pranoi çfarëdo që i thanë.  Një ditë e çuan ti bëjnë gjyqin. Pasi bënë formalitetin, dëshmitarët të njohur e të pa njohur, thanë ça deshën- si i kishin porositur. Prokurori- i tha: -je dakord?

-Ç,më pyetni mua, jam a sjam?  Unë kam pranuar ça keni dash ju.

-Se i ke bërë.

-Jo zati prokuror jo! po nuk fitoja gjë, po mos pranoje.

Prokurori kërkoi dhjetë vjet burg dhe gjykatësi kur dha pretencën -tha: gjykata vendosi: Për veprimtarinë armiqësore, për agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit popullor,  duke dashur të helmojë ndërgjegjen e shokëve, sidomos të rinjve,  dënohet me dhjetë vjet burg dhe konfiskim të pasurisë. Ke gjë ti thuash drejtësisë?- i tha gjykatësi, ç’far i kërkon gjykatës?

-Ça të them unë Zoti kryetar i seancës, shikoni ato vitet ju, pa, për pasuri, rrapin e trapin kam unë, nuk keni ça të më merrni as ça të lini.- tha Rakipi

– Edhe këtu në sallën e gjyqit, armiku volli vrer kundër drejtësisë popullore,  ndërpresim seancën- tha.  Dy orë pushim. Pas dy orësh u futën në sallë dhe vazhduan gjyqin: – I pari e mori fjalën përsëri prokurori-  I  pandehuri, pikërisht këtu në tempullin e drejtësisë popullore, volli vrerin kundër drejtësisë popullore pa ju dridhur syri as goja; unë  propozoj  ti japim edhe pesë vjet tjera, për ofendimin që i bëri trupit gjykues , në total pesëmbëdhjetë.

E mori fjalën kryetari i seancës: edhe unë- tha gjykatësi- mendoj ashtu si tha prokurori, në total i bëhen pesëmbëdhjetë vjet burg. E ke ti fjalën- ça do i thuash?- i tha gjykatësi. Rakipit, pa e shikuar fare u ngrit më këmbë, shikoi një herë sallën në të cilën ishin  vetëm dëshmitarët  – tha:- Falënderoj trupin gjykues që m`a shtoi dënimin- Ata shikuan njëri tjetrin.- sepse vazhdoi- këtu unë isha krejt i vetmuar dhe heshti. – Se nuk ke merituar të kesh shokë- i tha gjykatësi. Jo,  zoti gjykatës jo, po kishin frikë të rrinë me mua, si të isha  bishë e do i kafshoja

-Edhe më keq se kaq, do i helmoje! Prandaj të kanë ndenjur larg.

-Jo, o zoti gjykatës jo, kishin frikë të rrinin me mua se, po ti shikonit ju, u kërkonin llogari.

-Dmth, nuk kërkon mëshirë, je koshient për armiqësinë që ke bërë.

-Mëshirë…!  Përkundrazi, ju më dëgjuat që u falënderova- Ata po e shikonin –  Se këtu mu qelb goja more Zoti gjykatës! Nuk kisha me kë të flas,  edhe kur merrja bukën në dyqan, nuk flisja, jepja lekët, më jepte bukën, aq gram sa ishte racioni, kusurin, nëse kisha për të e merrja dhe, drejt e në koçek, shkoja. Po deshët mos më vononi, të shkoj sa më shpejt në Spaç, te shokët e mi.

-Atje do të çojmë! – i tha

-Faleminderit shumë. Atje nuk do rri me frikën e burgut se, në burg jam.

-Edhe atje të arrestojmë prapë, po nuk ndenje rehat- i tha gjykatësi.

-Sa herë të keni qejf, vetëm mos më lironi se nuk e duroj dot vetminë! – tha Rakipi.

-Merreni, na e hiqni nga sytë këtë specje të pa parë – tha gjykatësi

– Të rrojë partia që nuk më la të më qelbet goja- tha Rakipi

Mos ki merak, do të lëmë të qelbesh atje!- tha prokurori. Policat e rrëmbyen, i vunë hekurat dhe e morën për krahësh.

KË TË LË E KË TË MBAJ, NJËRIN ËSHTË BURRI, TJETRIN VËLLAI!

Sapo lamë punën, nuk na lan të shkonim në shtëpi, kemi mbledhja- na thanë.

I deleguar ishte sekretari i partisë të ndërmarrjes- Petraq Nushi. Pasi na foli Petraqi për situatën politike nëpër botë- kështu fillonin gjithnjë këto lloj mbledhjesh – shtoj: -edhe këtu mes jush, ka armiq që vjellin vrer kundër partisë…. Në fund tha: këtu është Zabit Shazivari?

-Po, këtu jam.- u përgjigj Zabiti.

-Hajde këtu! Rri aty përballë kolektivit, të shohin sa i bukur je! Zabiti nuk po kuptonte gjë. Më pas i tha: – thuaj këtij populli që për qejfin tënd janë mbledhur këtu, në vend që të shkojnë në shtëpi.- fol për armiqësinë tënde.

– Nuk di gjë, shoku sekretar.

– Nuk di, ëh? kush ka për të folur, meqë ky nuk pranon. Me lej tha Zan Hasko, po më shumë i thoshin: Zan Fiku- ngaqë ky Zani, kishte bërë dhjet vjet burg për  vjedhje shtëpishë, por ky shquhej edhe për; meqë fshatarët i varini kusitë me qumësht në fikun në oborr, në mëngjes e gjenin qumështin pa ajkë, se e hante Zani, natën, prandaj i thoshin: Zan Fiku.

-Kur po shkonim një ditë në Divjakë, kaloi një makinë jugosllave, ky shoku sekretar- tha: -makinat jugosllave janë shumë të mira.

-Hë more, ç’ke dash të thuash me këtë, pse i paske lavdëruar kaq shumë makinat e tyre?

-Shoku sekretar, ky më pyeti, dhe unë i thash se janë të mira, ku qëndron armiqësia ime këtu?

-Si more nuk qenka armiqësi, të lavdërosh prodhimet e tyre, do të thotë se nuk të pëlqejnë prodhimet tona, edhe këtë do e mohosh? Kjo tregon se ti, ndjek rrugën e babës tënd,  tradhtarit, armikut të parisë.

-Shoku sekretar, unë nuk mburra makinat Jugosllave për të nënvlerësuar tonat, ne nuk prodhojmë makina.  Ku qëndron armiqësia ime këtu?  Këtu dua ta thotë Zan Fiku.

-Mjafton që i mburrur- tha Petraqi

-E shikon shoku sekretar? Tha Zani- Edhe mbiemrin ma ndryshon- të gjithë qeshën.

-Sekretari shikoj sallën, nuk po kuptonte. Më pas iu drejtua: -Pse i thua kështu?

-Kështu ka mbiemrin, si ti them ndryshe. Nëse nuk i pëlqen mbiemri, le ta ndërrojë.–Shum vetë e dinin se “Fiku” e kishte mbiemri.

Kur kuptoj arsyen sekretari, u nxeh më shumë, edhe nuk la gjë pa i thënë, duke u mbështetu vetëm te i ati, që ishte cilësuar “armik” i popullit e partisë.

Aty nga mesi i natë, të gjithëve, pas asaj dite të lodhshme, na hapej goja për gjumë, papritmas pas shpine dëgjuam një plakë që mallkonte Zabitin, ishte e ëma.:- haram qumështin që ke pirë nga gjoksi im. Ke mohuar gjakun e dajës tënd, që është dëshmor mor qelbanik- për të gjithë kjo qe e pa pritur.

-Po jo moj mama, nuk e kam mohuar dajën,  nuk kam bërë gjë, për kokën tënde, po Zan Fiku se ça ka trallis, nuk ka bërë gjë të keqe.

-Ky, moj shoqe, ka ndjekur rrugën e babës, jo të dajës- tha Petraqi.

-Ç’ma zini me gojë atë, ai është armik, Zabitin e kam rritur unë, motra e dëshmorit, jo ai.  Ishte burri im, po ne e kemi fshirë nga mendja jonë. Për ne të rrojë partia, për atë ka dhënë jetë valloi im. Unë… unë.. nëse ky, ikur edhe emrit t’i përmend të atit, e mohoj për djalë.

Ndërsa kjo mallkonte djalin e burrin, Petraqi aprovonte duke luajtur kokën.

Në fund, i dha paralajmërimin e fundit, nëse gabonte edhe një herë- vetëm për hatër të kësaj plakë- që mohoj burrin,, si armik dhe, vlerësoj gjakun e vëllait që dha jetën për atdheun, po të fal. Por ti  duhet të na bindësh jo me fjalë, po me vepra se e mohon babën, për ndryshe, e di ti se ku përfundon?. o me babën o me dajën.

Të gjithë shikonin sekretarin,  u këputëm për gjumë, pritnim të na thonë: mbledhja mbaroj.   Sekretari shfletonte ca letra dhe tundte kokën, sikur një hall të madh kishte.  Kur ngriti kokën  shikoi  mëkëmbësit e tij, që i kishte në dy anët, të cilët rrinin si pult, e shikonin në sy; papritmas- pyeti: këtu është Riza gega?

-Këtu jam- tha Rizai.

-Hajde këtu, hajde! – I tha

-U ngrit Rizaj, po ecte ngeshëm ngeshëm, pa e prishur terezinë fare.

-Më shpejt se nuk të kemi thirrur për krushk, që më ecën  ashtu.

-Mos u mërzit o shoku sekretar, nuk po mërzitemi neven që kemi punur gjith ditën, ke kohë, nata është e gjatë. Sekretari e shikoi gjithë inatë  Kur shkoi atje ku i thanë, u kthye nga salla duke i kthyer shpinë, Petraqit dhe atyre që ishin ulur në dy anët e tij.

-Riza Gega, Riza Gega! Iu kërcënua. Pse ti, kur janë bërë votimet për këshillat popullor, ke bërë çmos t’u mbushësh mendjen njerëzve, të mos i votojnë ata që i kishte zgjedhur partia?

-Votimet ka dy vjet që janë barë, more shoku sekretar- tha Rizai.

-S’ka rëndësi kur janë bërë, ti përgjigju përse të pyeta!

-Shoku sekretar- iu drejtua Petraqit- kandidatët i caktoni ju, ne nuk kemi të drejtë të fshijmë ndonjë emër, vetëm të marrim fletën, ta fusim në kuti. Kur është këshuna, si do u thosham njerëzve unë: mos voto ktëna apo atëna?

Këtu u nxeh muhabeti midis Petraqit dhe Rizait, të dy e ngritën zërin, Rizai, nuk ishte Zabiti,  nuk  mposhtej kollaj , xha Rizai. Në fund, e humbi durimin sekretari- i tha: – tani, nuk mbeti gjë tjetër veçse të çuhemi me pëllëmba syve, dhe po e shikonte drejt në sy, si bisha prenë e sajë.

-Shoku sekretar, tyven, nuk të kanë bërë sekretar, për të rrahur njerëz por, të na mbrosh ne nga padrejtësitë që na bojnë. Nëse ndonjërit i është mbushur menja, kushdo që të jetë- shikoi sallën- le ta provojë po deshi, po të mendohet mirë! Nuk kom ngron pllama syve una, deri më sot.

-E shikoni armikun! Edhe partinë e kërcënon. Nuk e di ky se….

-Shoku sekretar, lere partinë, nuk kam gja me partinë una, po flas për këta këtuna në sallë,  kurrë nuk do ndodhë kjo gja, sa të kem frymëm. Kjo e xhindosi shumë Petraqin, Nuk la fjalë të ligë pa përdorur por, të njëjtën faturë mori prej Rizajt. të gjithë shikonin si të shtangur, si Rizai i përgjigje ashtu, njeriut më të fuqishëm të partisë që kishte ndërmarrja. Petraqit, me Rizan, i hasi sharra në gozhdë, nuk i kishte ndodhur kurrë me ndonjë tjetër kështu. Ndërsa Petraqi fliste si i xhindosu, nga pa durimi ishte ngritur më këmbë, Rizai dukej sikur nuk i bënin përshtypje fare ato që thoshte ai.

Ishte orën një e natës, kur i dha fund fjalimit me kërcënimin: do e marrësh vesh si do përfundosh o Riza Gega!- i tha.  Rizai vetëm e shikoi po, mos përfillja që tregonte qëndrimi i Rizait e xhindosi shumë Petraqin. Kur thanë: mbledhja mbaroj, turma, sikur shpëtuan nga zinxhiri u turrën drejt derës, ishin këputur për gjumë,  Rizai doli nga mbledhja më krenar nga Petraq Nushi.

Pas tre vejtsh, e burgosën Rizanë, por pëllëmba, nuk mundën ti japin.

Pas ca ditëve, te puna, në pushimin e drekës, i thamë nënës të Zabitit: -shumë e mallkove burrin! Duhet tja heqësh atësisë djalit, ta  shkruash pa babë ?

-Po ç’të bëja more biri nënës, për të shpëtuar djalin, mallkova burrin, një nëne tjetre, i bie të mallkojë vëllanë, eh… kështu… pështyj lart të bie në sy, pështyj poshtë, të bie në gji. S’ka rrugë tjetër!

Filed Under: LETERSI Tagged With: faleminderit, qe me denuat, Shefqet Dobra

Timokracia e Platonit

November 9, 2018 by dgreca

1 astriti

Nga Astrit Lulushi/

Timokraci do të thotë qeverisje me tru, me vlerë apo me nder. Platoni e karakterizon timokracinë si përzierje regjimesh – aristokraci e oligarki. Si në demokracinë e sotme, edhe në kohën e Platonit, sistemet qeverisëse duket se nuk i respektonin rregullat e lojës. Të vetëquajturit timokratë përbuznin veprimtarinë dhe tregtinë dhe udhëhiqnin me parti a bashkësi. Ashtu si oligarkët, ata tregoheshin të pangopur me pasuri dhe nuk u besonin mendimtarëvd që të vendoseshin në pozita pushteti. Në të kundërtën e emrit që mbanin, timokratët kishin prirje për të grumbulluar pasuri në mënyra të dëmshme e korruptive, dhe për t’i fshehur zotërimet e tyre nga publiku. Ata kontrollonin llumin e krimin po aq sa kontrolloheshin prej tyre. Ligjet e tyre mund të imponoheshin dhe zbatoheshin vetëm me forcën e policisë, e quajtur ‘policia e shtetit’, sikur, çuditërisht, nuk ishte krijuar për të mbrojtur popullin.
Platoni thotë në Republikën e tij, se në këtë lloj regjimi, në përzgjedhjen e zyrtarëve pëlqehet tipi i njeriut të mbizellshëm dhe me mendje të thjeshtë, mediokër. Dhe dihet pse; ky lloj njeriu bëhet besnik dhe shërbëtor i mirë i atij që e ka zgjedhur, dhe kurrë jo ndaj atyre të cilëve duhet t’u shërbejë. Timokracia është pasojë e llogarive të gabuar të klasës qeverisëse të mëparëshme, thotë Platoni, e cila duke përkrahur personat me natyrë inferiore (persona shpirtzinj ose me shpirt të hekurt dhe jo idealistët me shpirt të artë (sipas Platonit), mungesa e të cilëve ndihet kaq shumë sot.
Në kohën e Platonit, (423-347 pes) qytetet greke qeveriseshin kryesisht nga oligarki ose demokraci. Platoni paraqet një kritikë ndaj këtyre regjimeve – se kushtetutat e tyre kishin lënë pas dore dy virtyte thelbësore për një shtet të përkryer e të drejtë; përkatësisht mençurinë dhe moderimin. Këto e bëjnë njeriun të jetë më pak i dhënë pas parasë, më shumë të fokusuar në përftimin e dijeve dhe ruajtjen e virtyteteve. Kështu, thotë filozofi, duke mësuar se si të respektojë lirinë e tjetrit, njeriu njëkohësisht bëhet i bindur ndaj autoritetit, ndërsa pushtetari bëhet jo agresiv dhe jo përbuzës ndaj atyre që i vijnë për të zgjidhur një problem që kanë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Timokracia e Platonit

Bukëpermbysurit

November 9, 2018 by dgreca

1 Nue Oroshi Cameria 1

Nga Nue Oroshi /

Buka për shqiptarët ka qenë dhe është një produkt i cili ka qenë njëri ndër produktet më të kërkuara për të mbijetuar gjatë shekujve.Madje në traditën tonë shqiptare kur të ka ardhur mysafiri dhe një pjesë e familjeve që nuk kanë pasur mundësi me prit si duhet mysafirin për shkak të gjendjës së vështirë ekonomike e ka përdorur gjithmonë atë shprehjen:” Bukë e Krypë e Zemër.” Por fatkeqësisht një pjesë e shqiptarëve nga defrimet e ndyra dhe vjamosja e trurit që ju është bërë dhe nga milionat e krijuara pa djersë dhe pa mund duke keqpërdorur pozitat shtetërore janë kthyer në bukpërmbyesurit më të mëdhenj që ka pasur populli shqiptarë gjatë shekujve. Në të kaluarën nëse dikush, një i afërm apo kojshi të ka dhanë edhe një thes me miell e ke uruar dhe falënderuar me dhjetra herë.Kurse sot një pjesë e politikanëve tanë janë shëndrruar në bukëpermbysurit e shekullit. Kur Kosova ishte nën okupim ishte pikërisht kjo Evropë e cila ju bëri strehim, mjekim, rreth një milioni shqiptarësh. Ju bëri strehim ,mjekim e veshmbathje edhe shumë bukëpermbysurve të sotem në rrethana mjaftë të vështira, disave duke ju pranuar azilin politikë në bllok, disa e shfrytzuan pikërisht humanizmin Evropianë dhe vazhduan shkollime të ndryshme që ju mundësoj të avansohen në karrierën politike dhe profesionale.Por fatkeqësisht ata politikanë mbetën kunguj, e kungulli nuk noton gjithmonë mbi ujë ai fundoset dikur.E një mikë në kohën me të hershme e pat shkruar një poezi, se kungulli është kungull kudo në botë kungulli është kungull e jo patriotë. Një pjesë e politikanëve kunguj të Kosovës duke parë se genjeshtrat që i kanë proklamuar tashë e një dekad se do të bëjmë liberalizimin e vizave,madje duke hargjuar miljona euro të fondit të varfër të Kosovës, për defrime dhe shetitje të panevojshme pa angazhuarë asnjëherë një ekip profesionistësh që kanë ndikim dhe qasje në politikën perëndimorë por fatkeqësisht këta politikanë i dhanë hapësirë Serbisë që të avansohet në plasimin e genjeshtrave të saja shekullore në dëm të çështjes shqiptare.Këta bukëpermbysur në vend që ta gjejnë fajin të vetvetja që para syve të tyre lejuan shkatrrimit e palcës ashtnore kombëtare në Kosovë duke lejuar dhe dhënë hapësirë lloj-lloj mjekercapi e pantollshkurti për të vepruar sikur Kosova të ishte tokë pa zot ata drejtojnë shigjetat tek Evropa si Islamofobe dhe Albanofobe.Duke e akuzuar Evropën për fajët që si ka.
Të vetmin faj e ka Evropa që ju dha hapësirë shumë të madhe islamit politikë e veçanarisht në Gjermani që në të ardhmën do të këtë edhe ajo pasoja nga kjo tolerancë dhe ky humanizëm i tepruar.Këtu po e sjelli vetëm një pjesë të bisedës që e kisha me një bashkatdhetarë që jeton në Republikën e Schleswig Holsteinit dhe që shquhej kohë pas kohe në sharjen e gjermaneve dhe të Gjermanisë.Pikërisht kjo Gjermani në 22 vjet qendrimit të tij që si kishte bërë as 22 ditë punë i kishte dhënë mbi gjysmë milioni euro për familjen e tij ndërkohë kur i thashë more i mjerë po a i ke marrë ti nga vëllezërit e tu apo baba i yt këtë shumë të parave për këto vite ai atëherë heshti. Por shtrohet pyetja se pse politikanët tanë e kanë filluar luftën kundër Evropës për gabimet e tyre në shkatrrimin e shtetit të Kosovës, që fatkeqësisht e kanë futur edhe në pazar këtë shtet. Pa harruar se ishte pikërisht Amerika dhe kjo Evropë që investojë me miliarda Euro në shtetin e Kosovës, mjete që i dorzuan institucioenve të Kosovës që fatkeqësisht për shumë këto mjete nuk dihet se nga shkuan dhe si u shfrytzuan.Prandaj fillimi i luftës me Evropën i politikaneve kunguj të Kosovës, dhe jo me armiqtë tanë Serbinë, Rusinë dhe Turqinë që po punojnë bashkarisht për shkatrrimin e shtetit të Kosovës, tregon qartë se politikanët kunguj duhet të ikin nga politika e Kosovës. Duhet ta dinë qartë këta bukëpermbysur se nuk shkon gjithmonë kungulli mbi ujë dhe ata duhet të japin përgjegjësi penale, morale dhe shtetërore për të gjitha këto të keqija që ja bënë shtetit të ri të Kosovës…

Filed Under: Analiza Tagged With: Bukëpermbysurit, Nue Oroshi

NGJARJET NE BULARAT TREGOJNË SE KONFLIKTI ME GREQINË ËSHTË AKOMA I HAPUR

November 9, 2018 by dgreca

Asllani Portret-66

NGA ASLLAN BUSHATI/

Mendimet e më poshtëme për  këtë  shkrim, dëshiroj  ti ndajë në radhë të parë me gjithë  pjestarët e komunitetit  shqiptarë në SHBA . Por në se mirkuptimi është më i gjërë  në diasporë  e në trojet etnike do t’ju ofroja  mirnjohjen time të pakufishme . Kështu, më se pari jam i prirur tju kërkoj mbështetje  e mirkuptim  gjithë vatranëve , të cilët më njohin nga afër. Po ashtu  edhe miqve të mi të vjetër e të ri, drejtuesve të organizmave të komunitetit , intelektualëve, biznesmenëve, medias, madje dhe të gjithë shqiptaro- amerikanëve që mendojnë afërsisht (ose identikisht)  si  unë. E them këtë se pas një analize të shkurtër do t’ju bëj thirrje të bashkohemi për dy problem të cilat i konsideroj shumë të rëndësishme.

Janë të njohura botërisht: sulmi  grek kundër shtetit  shqiptar të porsa krijuar në 1912, pushtimi i trojeve jugore shqiptare në luftën ballkanike, sulmet  e papricipta në Lidhjen e Kombeve, pushtimi i trojeve shqiptare në konfliktin italo-grek, gjenocidi  ndaj popullsisë came, shpallja dhe mbajtja deri më sot i ligjit të luftës me Shqipërinë, konflikti i armatosur i vitit 1949, kërcënimet e vazhdueshme gjatë gjithë Luftës së Ftohtë,  vrasja e tre ushtarakëve shqiptar në Postën Kufitare të Peshkëpisë në Gjirokastër, vrasja nga policia greke  e 171 shqiptarve pas 1991 pa dhënë asnjë shpiegim dhe ngjarja e 7 Nëntorit 2018 në Bularat të Gjirokastrës, etj, etj.  tregon se konflikti i shqiptarve me grekët është akoma  i hapur dhe i rrezikshëm.

Shtetasi shqiptar Kostandinos Kacifas (minoritar grek , por edhe me shtetësi  greke), i stërvitur në forcat komando të Greqisë, shfrytëzoi një aktivitet paqësor në fshatin e tij në Bularat të Gjirokastrës  (ku ishte e  ftuar edhe një ministre  greke) për të kryer një akt të shëmtuar  terrorist. Ky person pa asnjë arsye dhe pa paralajmërim  sulmon  me një automatik  me dylbi , postën e policisë shqiptare që ishte e pranishme për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike.  Pasi Kacifas  vazhdonte të qëllonte pa ndërprerje,  e nuk i bindet forcave të rendit që  të dorzohet, dhe duke qenë një  rrezik potencial  për  njerzit e pranishëm dhe policinë , asgjësohet sipas ligjit shqiptar dhe së drejtës ndërkombëtare.

Asgjësimi i tij, brenda pak orësh u kthye  në Greqi, në një valë urrejtjeje  e racizmi  të paparë  kundër shqiptare, ku  pothuaj në shumicën e mediave , situata u transformu  në thirrje të hapur  për luftë. Sa kaq,  forcat më të errta greke  të të ashtuquajturit “Agimi i artë” e të nacionalizmit ekstrem, planifikojnë dhe organizojnë një maskaradë të vërtetë  gjat ceremonisë mortore  në Bularat  më 7 Nëntor 2018. Me trupin e pajetë me arkivol të hapur të të ndierit  Kacifas, në prani të një euro deputeteje qipriote, të një deputeti  grek, të dy deputetëve ( dhe një ish deputeti) shqiptar të komunitetit grek, me një flamur super të madh grek ku thuhej se : këtu është vorioepir, vorioepiri është Greqi, Maqedonia është Greqi …në korr bëhej thirrje që  me sopata e me zjarr vritni shqiptarët. Kështu ceremonia mortore  e Kacifas  u këthye në cfaqen më të shëmtuar të nacinalizmit kriminal  grek.

Ceremoninë e udhëhoqën figura të njohura  dhe të skeduara të krimit në Greqi,  të cilët kanë qenë të pranishëm  pothuaj në të gjitha provokimet e tri dekadave të fundit që grekët kan bërë në Shqipëri. Krahas fyerjeve të rënda , ata  kërkonin në korrin  mortor e në media që Kacias nga terrorist të shpallej “hero i vorioepirit’ dhe kisha ta shall  ate “Shejt” e në vendin e asgjesimit të tij  në Bularat të ngihet një kishë me emrin e tij, e të bëhet vendi i peleglinazheve të së ardhmes. Kortezhi me në krye figurat e sipërpërmendura , e në mënyrë provogative bllokoi edhe qarkullimin e lirë  njerëzve e të mjeteve  në rrugën nacionale Gjirokastër- Kakavi, duke e këthyer  ceremoninë mortore në një shëmti  të  pa dëgjuar ndonjëherë e të përdorur politikisht në mënyrën më të ulët të mundëshme.

Në gjykimin tim,  lejimi  nga autoritetet shqiptare i  grekëve për të marrë pjesë në një ceremoni  mortore, ka qenë i drejtë dhe i  arsyeshëm. Por toleranca e autoriteteve shqiptare ka qenë  më e  tepërt se sa duhej, madje  deri  poshtëruese. Prisja që: Presidenti, Kryeministri, Ministri i Jashëm, e Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit të dilin me deklarata dhe të mbronin sigurinë kombëtare e prestigjin e shtetit. Nuk e bënë ,e kjo rëndon jo vetëm mbi to por mbi cdo shqiptar.

Kjo situatë provogative dhe e shëmtuar më ka shtyrë tju drejtohem ju të nderuar  bashkatdhetarë në SHBA e më gjërë, që për dy problem të bashkohemi dhe të kërkojmë ndihmën e miqve tanë amerikan në Kongres, Senat, Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë (po të jetë e mundur edhe në shtete të tjera)se :

Varrezat e ushtarëve grek të rënë në trojet shqiptare në kohën e luftës italo-greke, janë  ngritur padrejtësisht në Shqipëri. Por më e keqja,  ata tashmë janë  këthyer në vende peleglinazhi  fyes për shqiptarët nga forca të errta e ekstremiste greke. Prandaj është në të mirë të të dy vendeve, të të dy popujve dhe të të dy shteteve që ato të trasferohen sa më parë brenda teritorit grek. Në të kundërt do të krijohen kushtet që njerëz të pa formuar, të pa përgjegjëshëm e  jo tolerant , të ndërmarrin akte dhunimi e përdhosjeje  ndaj këtyre varrezave. E këtë nuk do ta dëshironte asnjë shqiptar i përgjegjëshëm, se në kodin tonë moral si komb dhunimi i varreve (edhe i armiqve është i papranueshëm). Por kjo ka gjasa që të ndodh dhe konflikti i armatosur do të shtrohej si opsion.

Ekstremistët grek në Bularat të Gjirokastrës ,bënë thirrje që në atë vend të ngrihet një kishë me emrin e Kostandin Kocifas, ku të jetë vend peleglinazhi i përhershëm. Kjo do të ishte për shqiptarët shumë provogative  dhe e pa pranueshme. Grekët në vendin e tyre  terroristin Kocifas mund ta bëjnë hero , ashtu sic mund ta bëjnë edhe shejt, por Bularati është pjesë integrale dhe e pandashme e Shtetit Shqiptar.

Në se maskarada e 7 nëntorit 2018 vazhdon me mënyra e forma të tjera, konflikti nuk është larg. Që konflikti i armatosur midis shqiptarve e grekve të mos ndodh, ju bëj thirrje të nderuar bashkatdhetar, që në kohën më të shkurtër të kontaktoni me kongresmenët dhe sematorët e shtetit tuaj  e t’ ju bëni  të qartë situatën shpërthyese që ekziston për të dy problemet e sipër përmendura. Ndihmesa e tyre do të jetë shumë e madhe dhe shumë e nevojëshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, ngjarjet ne bularat

Thaçi e Vuçiqi, larg arritjes së marrëveshjes

November 8, 2018 by dgreca

Pa asnjë rezultat konkret ka përfunduar takimi rreth një orësh mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

 

Pas takimeve të ndara me Mogherinin, dy presidentët patën takim trepalësh nga i cili dolën me deklarata kontraverse.

I pari që foli pas takimit ishte Vuçiq. Ai me tone të nervozizmit deklarimet i orientoi kah kritikat ndaj Kosovës për vendimin për vendosjen e tarifës për mallrat serbe. Ai tha që Prishtina po provon të bëjë ushtrinë një pjesë të së cilës, sipas tij, Kosova do ta nisë drejt veriut.

Pas tij mediave iu drejtua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që kritikoi qasjen e Serbisë në dialog duke e quajtur diskurs agresiv. Thaçi ka pranuar se po ka diskutime jo të lehta me palën serbe, por ka shtuar se dialogu nuk ka alternativë.

Me të përfunduar takimi edhe zyra e Mogherinit ka lëshuar një njoftim për media me ç’rast ka kërkuar nga dy vendet të shpejtojnë angazhimin ndaj dialogut.

 20:38

BE-ja pret që Kosova e Serbia të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut

Në një komunikatë për media të Federica Mogherinit, thuhet se Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e raporteve ndërmjet tyre dhe perspektivës konkrete të aspiratave të tyre evropiane, raporton Koha.net.

Në diskutimet e saj me dy presidentët Federica Mogerini theksoi nevojën që Kosova dhe Serbia të sigurojnë një mjedis të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.

 20:31

Thaçi thotë se Serbia pati diskurs agresiv në takim

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka quajtur takim jo të lehtë, takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, të enjten në Bruksel.

Sipas Thaçit, ky ishte takim i fazës finale të dialogut. Ai e ka quajtur arrogant diskursin e Vuçiqit.

Ka thënë se “mbetet sfidë jo e lehtë e Kosovës që të ballafaqohet me palën serbe”.

Ai ka thënë se duhet që skena politike e Kosovës të bashkohet e të jenë pjesë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese.

“Është mundësi e vogël për marrëveshje, por duhet të vazhdojmë. Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia dhe delegacioni serb. Diskursi ynë ishte i argumenteve dhe anës së drejtë për arritjen e një marrëveshjeje të balancuar”, ka thënë Thaçi më tej.

Sipas Thaçit, një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse është rruga e duhur për të dy vendet.

“Klima nuk është e mirë, por dialogu e marrëveshja janë rruga e vetme. Jam me shpresë se pas shumë gjembave do të ketë një marrëveshje përfundimtare”, ka shtuar Thaçi.

Ai ka thënë se në dialog nuk do të lejohen ultimatume e as zëra agresivë nga Serbia.

Sa i përket një takimi të ardhshëm, Thaçi ka thënë se kjo do të ndodhë në një të ardhme jo të largët pa specifikuar afat kohor. Ka shtuar se kjo i takon përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherinit.

 20:26

Vuçiq: Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse s’respektojnë marrëveshjet e nënshkruara para 10 vjetësh

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me nervozizëm u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas përfudnimit të takimit me homologun e tij nga Kosova, Hashim Thaçi në Bruksel, në takimin që është mbajtur nën lehtësimin e Federica Mogharini.

Vuçiqi ka thënë se “Serbia është e hapur për dialog, por edhe pala tjetër duhet të respektojë marrëveshjet”, raporton Koha.net.

Një pjesë të madhe të diskutimit të tij, Vuçiqi e ka orientuar me kritika drejt vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.

Gazetari i Grupit KOHA, Augustin Palokaj, e ka pyetur Vuçiqin, se a parashihet në marrëveshjen përfundimtare njohja reciproke midis Kosovës e Serbisë, siç e ka thënë presidenti Thaçi, dhe hapja e rrugës drejt anëtarësimit në BE.

Kurrë s’kam folur për shkëmbim territoresh

“E çfarë t’ju sigurojmë edhe më, e ne të mos fitojmë asgjë? Çfarë dëshirash tjera keni? Ne jemi të gatshëm që të flasim për shumë gjëra, por duam të dimë se çfarë do të fitojë Serbia. E kur ta marrim vesh këtë atëherë mund të flasim për gjithçka tjetër”, ka thënë Vuçiqi në përgjigjen e tij, raporton Koha.net.

E çfarë është ajo që Serbia kërkon që ta fitojë, ka qenë pyetje e radhës.

“Këtë e dinë të gjithë ata që janë në bisedime këtu”, ka thënë ai.

A nënkupton kjo “shkëmbim territoresh”, është pyetur më tej.

“Nuk kam folur unë për shkëmbim territoresh. Asnjëherë”, ka thënë Vuçiq.

“Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse nuk janë në gjendje të respektojnë marrëveshjet të cilat i kanë nënshkruar para 10 vjetësh”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq: Shqiptarët kanë vrarë e dhunuar serbë në luftë

I pyetur për daljen në publik të Vasfije Krasniqit, viktimës së dhunës seksuale në luftën e Kosovës, Vuçiq ka thënë se Serbia është marrë me kriminelët e vetë të luftës, por ka shtuar se Kosova nuk po bën diçka të tillë.

“Ka shumë njerëz që janë dënuar për krime lufte, por asnjë nga Prishtina dhe ka shumë kriminelë lufte nga Prishtina, që kanë dhunuar serbë e kanë vrarë, kanë bërë transplantim organesh në Tropojë e Kukës. Serbia u mor me kriminelët e luftës dhe ne do të merremi gjithmonë me kriminelët e luftës, por pala tjetër asnjëherë nuk e bëri këtë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq serbëve: Kosova po synon të nisë një garnizon të ushtrisë në Veri

Teksa u është drejtuar qytetarëve të Serbisë, presidenti Vuçiq u ka se duhet të presin ditë të vështira në kuptimin politik.

Ka paralajmëruar në qëllimet e Prishtinës për themelimin e ushtrisë “dhe që një garnizon ta dërgojë drejt veriut, që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe atë që kemi me NATO-n”.

“Ajo që ndodh nesër është çështja e tretë – evropianët po tentojnë të na nxjerrin nga rrjeti energjetik në veri të Kosovës, pa të drejtë”, ka thënë ai.

Ka thënë se themelimi i Asociacionit ka qenë i qartë edhe për tejkalimin e çështjes së pengesave sa i përket çështjes së rrjetit energjetik.

“Pasi që nuk u themelua Asociacioni, me faj të Prishtinës, tash po tentojnë që ata të na e rrëmbejnë, të në rrëmbejnë të drejtën për rrymë, të humbasim largpërçuesit drejt Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi”, ka thënë Vuçiq.

Siç ka thënë ai kundër Serbisë janë deklaruar Gjarmania, Franca, Italia, Zvicra, Belgjika, Luksmburgu, Kroacia, Holanda, përderisa qëndrimin e Serbisë e përkrahin: Spanja, Slovakia dhe Bosnjë-Hercegovina.

“Po luftojmë sa mundemi por shanset janë të vogla”, ka thënë ai tek ka shtuar se vendimi për këtë do të merret të hënën.

Image

 20:13

Përfundon takimi në Bruksel

Ka përfunduar takimi trepalësh mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Pas takimit, mediave po iu drejtohet Vuçiqi.

 19:16

Nis takimi trepalësh në Bruksel

Ka nisur në Bruksel takimi trepalësh mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Aleksndar Vuçiq, me lehtësimin nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Takimi trepalësh ka nisur pas takimeve të ndara që Mogherini pati me Thaçin dhe Vuçiqin.

 18:55

Thaçi pas takimit me Mogherinin: U pajtuam për dinamizimin e dialogut

Presidenti Hashim Thaçi pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se u pajtuan për dinamizimin e dialogut.

“Sapo e përfundova takimin bilateral me Përfaqësuesen e Lartë për Poliikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherinin. U pajtuam për dinamizimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

 18:45

Mogherini takon Vuçiqin

Image

Pak minuta ka zgjatur takimi mes Hashim Thaçit dhe Federica Mogherinit.

Pas këtij takimi, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajmin për këtë takim e ka dhënë zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq.

 18:29

Thaçi takohet me Mogherinin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Takimi i nisur tash, është i pari për ditën e sotme në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Pas këtij takimi pritet që Mogherini të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe më pas pritet të ketë një takim trepalësh.

Image

 17:50

Thaçi në Bruksel: Do të bëjmë përpjekje maksimale që të përafrojmë qëndrimet për arritjen e marrëveshjes

Hashim Thaçi, president i Kosovës, ka thënë se në takimin e së enjtes me presidentin serb Aleksandar Vuçiq do të bëjë përpjekje maksimale që të përafrojë qëndrimet me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obliguese.

Pak para këtij takimi në Bruksel, Thaçi ka thënë se me marrëveshje gjithëpërfshirëse nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ka përsëritur se nuk do të jetë lehtë dhe se ka pengesa deri në arritjen e kësaj marrëveshje.

“Jemi këtu për të zhvilluar takimin e radhës për procesin final të mundësisë për arritjen e marrëveshjes mes dy shteteve, marrëveshje ligjërisht obliguese për njëra-tjetrën në rrafshin ndërkombëtar. Marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombe të Bashkuara. E di se nuk është e lehtë. Por marrëveshja është mundësia më e mirë për të ardhmen evropiane të të dy vendeve. Do të bëjmë përpjekje maksimale për të arritur marrëveshjen. Është mundësi e radhës e organizuar nga Federica Mogherini, Bashkimi Evropian me mbështetjen e Amerikës”, ka thënë Thaçi para gazetarëve para hyrjes në takim.

Image

Filed Under: Politike Tagged With: arritjes së marrëveshjes, larg, Thaçi e Vuçiqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1204
  • 1205
  • 1206
  • 1207
  • 1208
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT