• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demonstratat e vitit 1968 në kujtimet e një pjesëmarrësi

November 3, 2018 by dgreca

50 vjet nga demonstratat e vjeshtës së vitit 1968, kur për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët hodhën kërkesat për flamurin e lirë kombëtar, Kosovën Republikë, për kushtetutë dhe vetëvendosje në viset shqiptare nën pushtimin jugosllav, duke u përballur me regjimin e rreptë policor në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi/

1 Shaqir-Salihu-220x1651 demonstratat 681 a Mirenjohje ShaqirShaqir-Salihu-kopertina-768x500

Shkruan Shaqir Salihu/Uashington*

Një nga pjesëmarrësit në aksionet liridashëse të viteve 60 e që u kurorëzuan me demonstratat historike të 1968-ës ishte edhe mësuesi i ri në atë kohë dhe veprimtari nga Lipjani, Shaqir Salihu, ndoshta i vetmi i dënuar i lëvizjes së viteve 60 që jeton sot në Amerikë. Ai është ish-nëpunës në seksionin shqip të Zërit të Amerikës. Këtu ju sjellim kujtimet e tij rreth atyre ditëve të lavdishme.

Qëllimi i demonstratave përmblidhej më së miri në betimin e atdhetarëve që bënë organizmin e tyre.

“Jam i gatshëm që sot e tutje të punoj në mënyrë të organizuar për çështjen e atdheut, të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Për këto ideale jam i gatshëm të jap edhe jetën dhe nuk i frikësohem as burgut, as torturave e as vdekjes.”

Sivjet mbushen 50 vjet nga demonstratat e vjeshtës së vitit 1968, kur për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët hodhën kërkesat për flamurin e lirë kombëtar, Kosovën Republikë, për kushtetutë dhe vetëvendosje në viset shqiptare nën pushtimin jugosllav, duke u përballur me regjimin e rreptë policor në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Këto protesta shënuan një ngjarje të rëndësishme historike të përpjekjes së rinisë dhe të tërë popullit shqiptar për liri, pavarësi e bashkim kombëtar, ashtu siç ishte e tërë Lëvizja Kombëtare Shqiptare që nga viti 1912 e deri në Luftën fitimtare të UCK-së 1997-2001.

SI U ORGANIZAUN DEMONSTRATAT?

Protestat filluan gjatë tetorit në Rrafshin e Dukagjinit, të organizuara nga grupi i studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike (SHLP) në Prizren. Pas Prizrenit dhe Therandës, protestave iu u bashkua edhe Peja me rrethina më 19 tetor 1968. Demonstrata disaorëshe, ndër më të mëdhatë në atë kohë, filloi nga shkolla e dikurshme normale “Ali Kelmendi” në Arbneshë (Ish-Vitomiricë), prej nga kolona me flamuj kombëtarë vazhdoi rrugën në drejtim të gjimnazit “11 Maji” ku organet e pushtetit të Pejës u përpoqën ta ndalnin. Në sheshin afër komunës, para disa mijëra të pranishmëve, u lexuan kërkesat, krahas brohoritjeve shumë të gjata për flamurin kombëtar, për Kosovën Republikë dhe për vetëvendosje në viset shiptare nën pushtimin jugosllav. Organet e sigurimit dy herë tentuan për marrjen e flamurit me dhunë por nuk patën sukses. Flamuri u vendos në mbrëmje në pikën e nisjes, në Arbneshë, në ndërtesën e Shkollës Normale. Gjatë nëntorit u organizuan protesta edhe në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Besianë e Gjilan. Pika kulmore ishte demonstrata e 27 nëntorit në Prishtinë, në të cilën pati të vrarë dhe shumë të plagosur. Demonstrata të ngjashme u bënë edhe në dhjetor në Tetovë, kurse në korrik të vitit 1969 edhe në Ulqin.

Demonstratat e vitit 1968, 50-vjetorin e të cilave shënojmë sivjet (2018), me plot të drejtë mund të quhen historike, sepse pas atyre ditëve të lavdishme koha filloi të llogaritej në “Kohën para demonstratave” dhe në “Kohën pas demonstrave”.

Pesëdhjetë vjet më parë unë isha në mesin e protestuesve që vërshuan rrugët anekënd Kosovës për t’i thënë “Mjaft”pushtuesit serb. Protestat u organizuan dhe u zhvilluan në rrethana jashtëzakonisht të vështira në kohën kur regjimi komunist ende vazhdonte trysninë dhe kërcënimet kundër popullit, duke ngulfatur e pamundësuar çdo aspirate liridashëse të shqiptarëve. Mirëpo populli ynë nuk pranoi t’i nënshtrohej pushtuesit sllav dhe nuk u zbraps nga rruga e drejtë.

Protestat e vitit 1968 dëshmuan homogjenitetin, unitetin dhe pjekurinë tonë si popull për t’i mbrojtur interesat tona kombëtare. Ato u bënë front i rezistencës së masave të gjera kundër pushtuesit jugosllav. Demonstratat dhanë kushtrimin për avancimin e statusit politik e juridik të Kosovës në nivel kombëtar dhe shtruan kërkesën e barazimit të këtij statusi me atë të kombeve dhe kombësitë e tjera në Jugosllavinë e atëhershme.

Demonstratat shkundën themelet e Beogradit dhe tërhoqën vëmendjen  dhe sytë e botës demokratike nga ne, duke aktualizuar kërkesat tona. Ato çorrën maskën e një sistemi të rremë, shtypës e diskriminues dhe i dëshmuan botës së qytetëruar e demokratike se në Kosovë kishte lëshuar shtat një brez që ishte i aftë të mobilizohet e të luftonte për interesat kombëtare shqiptare.

Ndonëse u shtypën brutalisht , demonstratat ishin të suksesshme sepse në vitet që pasuan ne siguruam të paktën disa të drejta në lëmin e arsimit e të kulturës, si themelimin e universitetit të parë në gjuhën shqipe në Kosovë, të drejtën për të përdorur flamurin tonë kombëtar, shpalljen e gjuhës së njësuar dhe në fund edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974. Mirëpo fatkeqësisht u dëshmua edhe një herë se mbetej shumë për t’u bërë për të fituar të drejtat e njëmendëta politike.

Parë në retrospektivë, demonstratat e vitit 1968 shënuan fillimin e fundit të Jugosllavisë. Ato simbolizojnë zanafillën e kërkesave tona madhore e të drejta, të cilat pas 30 vjet vuajtjesh, sakrificash e luftërash përfunduan me realizimin e ëndrrës sonë shekullore, shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Kam qenë i pari veprimtar nga Lipjani i burgosur politikisht në vitet 60. E mbaj mend si sot; më 16 shkurt të vitit 1966 më arrestuan para nxënësve të mi në oborrin e shkollës fillore “Stanko Buriç” në Magurë , ku punoja si mësues.

Në fund të vitit 1968 më morën në burg përsëri sepse menjëherë pas demonstratave u pata dërguar letra të hapura udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, ku u bëja thirrje që t’i mbështesnin kërkesat e drejta të studentëve, të ishin më vigjilentë ndaj shkeljeve të interesave kombëtare, të mos e dënonin rininë përparimtare, por t’i përkrahnin protestat e vitit 1968.

Më vonë doli në shesh se dy nga këta udhëheqësit e atëhershëm të Kosovës, Veli Deva dhe Orhan Nevzati ia kishin dorëzuar UDB-së (Ministrisë së Brendshme Jugosllave) famëkeqe kopjet e letrave të mia. Ndërkaq doli që Fadil Hoxha nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Përmbajtja e letrave u zbulua publikisht gjatë gjykimit tim nga gjykatësi Nazmi Juniku (kryetar i Gjykatës së Qarkut në atë kohë).

Letrat e mia u gjykuan si kërcënim ndaj zyrtarëve të lartë krahinor dhe për këtë u dënova me dy vjet burg në bazë të Nenit 116 të ligjit penal jugosllav. Para gjykimit më mbajtën plot 5 muaj në burgun hetues në Prishtinë. Në muajin maj të vitit 1969 dola para gjyqit dhe pas shpalljes së dënimit kërkova  nga gjykatësi të më lironte për t’u mbrojtur nga liria.

Në gusht të vitit 1969, vetëm tre ditë para se të më merrnin prapë në burg, një nëpunëse patriote që punonte në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës e që më vonë mësova se quhej Fatime Syla, më lajmëroi në korzon e Prishtinës ku isha duke shëtitur me dy miq të ngushtë: Idriz Gërvallën dhe Shaban Haxhiun, që të dy studentë në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë, se e kishte parë vendimin për arrestimin tim. Ajo më informoi se lënda ime ishte bërë e plotfuqishme dhe se pas tri ditësh organet e pushtetit do ta zbatonin vendimin e  gjyqit, pra do të vinin për të më arrestuar.

I ballafaquar me dilemën për të zgjedhur mes kalbjes në kazermat e pushtuesit dhe arratisjes nga atdheu im, vendosa të marr rrugën e hidhur të kurbetit, e cila pas shumë peripecive me solli në tokën e Linkolnit, në Amerikë, ku jetoj edhe sot.

Sot kur sapo kam mbushur 76 vjeç, ende më kujtohen ato ditë të bujshme dhe zgjojnë në mua ndjenjën e krenarisë që edhe unë pata fatin të jem pjese, sado e vogël, e atyre ngjarjeve që nuk harrohen.

Për veprimtarinë time në Kosovë, komuna e Lipjanit më ka nderuar me një mirënjohje.

*Autori eshte anetar i deges se Vatres ne Washington

Filed Under: Histori Tagged With: Demonstratat e vitit 1968 në kujtimet, e një pjesëmarrësi, Shaqir Salihu

Dua LIPA, tre çmime në Spanjë

November 3, 2018 by dgreca

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ka fituar tre trofe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Los 40 Music Awards” në Madrid të Spanjës.Për këngën “New Rules”, Dua është shpërblyer me çmimet Artistja më e mirë ndërkombëtare, Albumi më i mirë ndërkombëtar dhe Kënga më e mirë ndërkombëtare.Para se t’i merrte këto çmime, Dua shkëlqeu në një fustan shumëngjyrësh derisa parakaloi në tepetin e kuq të ceremonisë.

Filed Under: Kulture Tagged With: DUA LIPA, tre çmime në Spanjë

RRUGETIMI I KACIFAS DREJT HUMNERES

November 3, 2018 by dgreca

Ja rruga ekstremiste që ndoqi Kostandin Kacifas/ Fotot me grupet paramilitare naziste*/

1 Kacifas2 Komand, i Kacifas me flamurin e Autonomis2014, Kacifas me G.V, Gumenic, rep.i forcave specialeKostandinas

Nga Arben LLALLA/ DIELLI/

Veprimet ekstremiste të Kostandin Kacifas dhe të grupacioneve të tjera ekstremiste greke e gjejnë frymëzimin tek deklaratat kërcënuese ndaj Shqipërisë të Presidentit grek Prokopis Pavlopulos, tek ministri i mbrojtjes Panos Kamennos, tek deputetët e Kuvendit të Greqisë, të cilët e bëjnë këtë sa herë që u jepet mundësia të mbajnë fjalime kërcënuese për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Çështja e veprimeve të Kacifas lidhet pikërisht me përkrahjen pa rezerva që i jep shteti grek elementeve ekstremistë greke ndaj shqiptarëve dhe njerëzve të besimeve të ndryshme. Lexoni deklaratat e shpeshta të drejtuesve të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë.

Greqia financon dhe nxit këtë politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve kudo, në librat shkollorë, në paradat ushtarake, madje në shërbesat e kishës ortodokse. Nuk është populli grek ai që nxit, por janë institucionet shtetërore të Greqisë që edukojnë dhe nxisin popullin grek ndaj shqiptarëve.

Më tej, mediat greke nën udhëheqjen e Ministrisë së Informacionit dhe Propagandës i japin kahe tjetër çdo ngjarje që ka të bëjë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Rreth 90% e gazetarëve grekë janë pjesë e nxitjes së urrejtjes së grekëve ndaj shqiptarëve.

Por, në të vërtetë dy popujt kanë më shumë gjëra që i lidhin ngushtë me njeri-tjetri se i ndajnë. Grekët dhe shqiptarët kanë martesa midis tyre më shumë se me çdo popull tjetër. Ajo Greqi që ulërin me urrejtje ndaj shqiptarëve, atëherë përse kurorëzon me mijëra martesa midis tyre?

Rasti i ekstremistit Kostandinos Kacifas, i cili me armën e tij vrasëse terrorizoi banorët fshatit Bularat nuk është një rast për t’u harruar, as për t’u justifikuar prej grekëve si akt heroik.

Kacifas ishte një figurë e njohur në strukturat e policisë sekrete, në trupat speciale ushtarake, sepse ishte arrestuar më 2008 si anëtar i një bande narko-trafiku. Këto dy viteve të fundit ai ishte tepër aktiv në manifestimet kundër marrëveshjes greko-maqedonase dhe greko-shqiptare. Pra, Kacifas i përkiste ideologjisë raciste të grekëve, të ushqyer me propagandë nga partia naziste “Agimi i Artë” dhe i përkrahur nga institucionet sekrete të Greqisë.

Kostandinos Kacifas i përket grupit të policisë dhe ushtrisë sekrete për Autonominë e Veriut të Epirit, pra aneksimin e jugut të Shqipërisë duke ia bashkangjitur Greqisë.

Akti i parë që ai është shfaqur me uniformën ushtarave me moton për “Autonominë e Veriut të Epirit” i përket vitit 2014, pra me rastin e 100 vjetorit të aneksimit të jugut të Shqipërisë. Kacifas bashkë me katër pjesëtarë të forcave speciale ushtarake u fotografuan në repartin ushtarakë në Gumenicë me parrullën “Autonomi për Veriun e Epirit 1914-2014”. Ky grup stëvitej dhe udhëhiqej nga oficeri i trupave speciale greke G.V., pjesëtar tjetër ishte F.B.

Në vitin 2016 ky grup është parë në jugun e Shqipërisë duke kontrolluar terrenin. Komandanti i tyre G.V. është fotografuar në një lapidar të dëshmorëve partizanë të Shqipërisë duke nderuar me tre gishta, shenjë që përdoret nga çetnikët serbë.

Më tej, ky grup është stërvitur në terren në Gumenicë me veshje ushtarake të forcave speciale dhe zyrtare të Greqisë me flamurin e Autonomisë. Kostandin Kacifas ka qenë mbështetës edhe të grupit të sigurimit të partisë naziste të “Agimit të Artë”, si dhe mbështetës i grupit të paramilitarëve të grupuan në “Legjionet e Shenjta 2012”.

Për të gjitha këto veprime Kacifas dhe grupi ku bënte pjesë kanë patur mbështetjen zyrtare të Greqisë.

Greqia është një vend i vogël, me një popullësi e barabartë në Ballkan me shqiptarët. Shekulli XXI po tregon se popullsia në Greqi po shkon drejt tkurrjes dhe jo më kot rreth 100 mijë shqiptarë kanë fituar shtetësi greke.

Grekët prej 70 vitesh kanë frikë për rikthimin e pronave të shqiptarëve nga Çamëria. Ligji i Luftës, i cili qëndron si hanxhar mbi kryet e shqiptarëve dhe si një re e zezë në marrëdhëniet greko-shqiptare është akti më absurd në botën demokratike, NATO e BE.

Prandaj një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame, ku shteti grek do të hiqte si fillim Ligjin e Luftës me Shqipërinë, do të lejonte çamët në grupe të organizuar të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara, do të ishin hapat kryesorë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura, nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën.

Ne Foto: 1- Kostandin Kacifas

2- Komand, i Kacifas me flamurin e Autonomise se te ashtuquajturit Vorio Epirit

2- Viti 2014, Kacifas me G.V, Gumenice, rep.i forcave speciale.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, DREJT HUMNERES, RRUGETIMI I KACIFAS

25 vjet të revistës Kuq e Zi ( tetor 1993-2018)

November 3, 2018 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Fund javën që kaloi, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë organizoi takimin me shkrimtarin dhe botuesin Lek Pervizi, me rastin e 25–vjetorit të revistës kulturore euro–shqiptare, “Kuq e Zi” dhe botimit të dy librave: “Gjenerali” dhe “Odiseja e pafajsisë”.

Me shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe në Evropën lindore, qindra mijëra qindëra mijëra shqiptarë janë larguar nga Atdheu për në vendet perëndimore.  Aty ku janë vendosur shqiptarët për të ndërtuar një jetë të re për veten dhe familjet e tyre, janë shtuar edhe gazetat, portalet e revistat në gjuhën shqipe.  Intelektualë, gazetarë individë ose grupe individësh drejtojnë ente të tilla mediatike anë e mbanë diasporës shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.  Njëri prej tyre, Z. Lek Previzi, i njohur gjithashtu edhe si — “Piktori i kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës” — është një i ish-përndjekur dhe vuajtës i kampeve të internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili ç’prej vitit 1993, boton në Bruksel revistën “Kuq e Zi”, e cila këtë vit shënon 25-vjetorin e botimit të saj në internet.

Është një revistë patriotike, mbi të gjitha, pasi ashtu e kishte përcaktuar misionin e saj në editorialin e parë, botuesi Previzi, ku thoshte se revista Kuq e Zi do të synonte të shërbente si tribunë shqiptarizmi, “Ku ata që vuajtën dhe u sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysëmë shekulli, të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të kulturës.”  Siç dihet, jo të gjithë ata që ishin të dënuar në ato kampe, patën fatin të dilnin të gjallë nga kampet e përqendrimit të regjimit më të egër komunist në Evropën Lindore.  Njëri prej këtyre dëshmitarëve që i shpëtoi vdekjes në kampin e Tepelenës është edhe Lekë Pervizi, pikërisht botuesi i revistës Kuq e Zi, një nga vuajtësit dhe dëshmitarë të jetës në ato ato kampe dhe siç thotë edhe ai vet, një prej, “Përjetuesve të asaj shfarosjeje sistematike e të planifikueme me gjakftohtësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukun të gjithë tiparet shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën.  Këto iu nënshtruen falsifikimit e manipulimit, sipas strategjisë së ideologjisë marksiste të zhdukjes totale të trashigimisë sonë mijëravjeçare”, ka shkruar ai një editorial të revistës, Kuq e Zi.

Lek Previzi me Presidentin e Republikës, Z. Ilir Meta në Kampin e Tepelëns, ku u kujtuan të mbijetuarit e atij kampi, Gusht, 2018

Është kjo revistë pra, përvjetorin e të cilës shënuan antarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë, të shtunën që kaloi.   Revista Kuq e Zi është një pasurim, jo vetëm mediatik, por edhe kulturor dhe politik për diasporën shqiptare në veçanti dhe për botën shqiptare në përgjithësi.  Lek Previzi, me sakrifica personale ia del, për një çerek shekulli tashti, të përgatisë botimin e revistës Kuq e Zi, me artikuj mjaft interesantë, të cilët – për nga subjekti dhe përmbajtja — rallë mund të gjënden në revistat, gazetat dhe portalet shqiptare të ditës.  Unë kam pas fatin të jem “ndeshë” në këtë portal para disa viteve dhe kam venë re se secili numër është më i pasur dhe më interesant se tjetri.Botimi i revistës Kuq e Zi ka filluar pra të botohej në Bruksel tetorin e vitit 1993, nga Lek Previzi, ky ish i burgosur politik, i cili pas shembjes së komunizmit doli nga burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.  Botimi i revistës Kuq e Zi nuk ishte diçka e rastit, sipas Z. Previzi.  Duke përshkruar fillimin e vështirë të botimit, ai shprehet se “Revista Kuq e Zi, s’u krijue kot pse mu tek mue, por pse unë e kisha si një detyrë që më takonte të kryeja, në nder të atyne burrave që mendonin vetëm për përparimin e naltësimin e kombit shqiptar, ku dhe një revistë sado e vogël dhe e thjeshtë, do të lozte rol të madh.  Me këto premisa ishte si një formë amaneti që unë duhej të përmbushja.  Sigurisht se në këto kushte, pavarësisht se gjendëshim në botën e lirë, truri ynë ishte akoma i bllokuem, nga ndikimi i shtypjës së diktaturës.  Dashje pa dashje, truni ynë ishte formatuë dhe duhej kohë që të rikthehej në gjendjën normale”, ka shkruar Leka.

 

Kështuqë, me gjithë problemet dhe sfidat fillestare, sidomos ato financiare, Leka ai doli, ja arrijti që më në fund në Bruksel, siç thotë edhe ai vet, “Po ripërtrihej nisma e Faik Konicës, pas rreth 100 vjet, jo me titullin “Albania” por Kuq e Zi”.   Kjo u bë e mundur, shkruan Previzi, me ndihmën dhe me inkurajimin e disa miqëve të tij të dalluar si, Mikel Koliqi, Guljelm Deda, Mitat Araniti, Lazër Radi, Arshi Pipa, Nermin Vlora, Renzo Falaski, Injaz Zamputi, Mark Dema, Zef Pllumi, Nikoll Mazrreku, Ndue Pjetër Gjomarku, Tef Krroqi, J-H. J Lanksch, Myrteza Bajraktari; Idriz Bésha, arbëreshi Vinçenz Golletti Baffa, etj., prej të cilëve erdhën përgëzime dhe urime dhe të cilët, fatkeqësisht, nuk jetojnë më.

Por me kohë, nisma modeste e botimit të kësaj reviste, sipas botuesit të saj, ndryshoi dramatikisht me paisjen me kompjuter, gjë që rriti cilësinë si dhe shpërndarjen e revistës.  Përballë mos aftësisë për të përballuar shpenzimet e botimit të revistës, ai vendosi që si alternativë, revistën Kuq e Zi ta botonte në internet, ndërkohë që ua dërgonte një numri të zgjedhur lexuesish e miqësh të botuesit.  Z. Previzi thotë se kohët e fundit, revista është digjitalizuar komplet nga Nr. 1 deri në numërin e tanishëm 126, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe në Bibliotekën e Shkodrës, ndonëse ka kërkesa edhe nga biblioteka të tjera.

Revista Kuq e Zi, kushtar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Lek Previzi shkruan se ai, në të vërtetë, ia ka kushtuar gjithë numërat e këtij viti të revistës, 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

file:///C:/Users/fgshkreli/AppData/Local/Packages/microsoft.windowscommunicationsapps_8wekyb3d8bbwe/LocalState/Files/S0/30630/Revista%20nr.%20126[56291].p

Lek Previzi është gjithashtu edhe përkthyes nga italishtja e vjetër i librit, “Veprat e lavdishme të Skenderbeut”, të Dhimitër Frangut, që konsiderohet edhe si libri i parë i shkruar për Gjergj Kastriotin Skenderbeu, një libër sipas tij i haruar nga historianët e ish-regjimit komunist, për të mos thënë i humbur.  Libri “Vepra të famshme të Skenderbeut” i vitit 1480, jo shumë e njohur ndër shqiptarë, por i vlerësuar nga të huajt, shkruar latinisht nga At Dhimitër Frangu, e përkthyer nga Previzi, cilësohet në parathënien e tij si një, “…Libër që ashtë shkrue latinisht me dorë prej Dhimitër Frangut, i cili ishte i pranishëm personalisht dhe i mirë informuem për të gjitha betejat e veprat e atij Princi.”

Në një intervistë, Lek Previzi shprehet se respekti i tij për Heroin Kombëtar ishte ç’prej rinisë dhe se kjo figurë i ndjekë të gjithë shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre.  Por, atij pas 40-vjet burgjesh e kampesh përqëndrimi – ku nuk kishte as të drejtë dhe as mundësi – më në fund iu dha mundësia që të jepte kontributin e vet në fushën e kulturës dhe historisë shqiptare, përfshirë edhe jetën dhe veprimtarinë e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeu – veçanërisht në këtë 550-vjetor të Tij dhe me rastin e 25-vjetorit të botimit të revistës Kuq e Zi.

Filed Under: Histori Tagged With: ( tetor 1993-2018), 25 vjet të revistës Kuq e Zi, Frank shkreli

Ministri Tahiri u prit nga i pari i drejtësisë në SHBA, Jeff Sessions

November 3, 2018 by dgreca

 1 Ok Ministri Tahiri

Washington, 3 Nëntor 2018–Gazeta DIELLI/ Ministri Kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është pritur në takim nga i pari i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prokurori i Përgjithshëm z. Jeff Sessions.
Në takim e mbajtur në Departamentin e Drejtësisë, Ministri Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe në veçanti për sektorin e sundimit të ligjit.Ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të vazhduar në mënyrë të fuqishme dhe me efikasitet luftën kundër terrorizmit, trafikimit, narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Ministri Tahiri ka vlerësuar se mbështetja që Departamenti i Drejtësisë është duke i dhënë Kosovës dhe veçmas sektorit të sundimit të ligjit, ka mundësuar që autoritetet kosovare të radhiten përkrah forcave më efikase në botë në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, njëkohësisht duke e bërë Kosovën një strehë të pasigurt për krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve.

Ministri Tahiri ka falënderuar Prokurorin e Përgjithshëm Sessions, për ndihmën që Departamenti i Drejtësisë është duke dhënë përmes programeve të OPDAT-it dhe ICITAP-it si dy komponente të rëndësishme në funksion të politikave legjislative dhe programore që mundësojnë fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe parandalimit dhe luftimit të terrorizmit.

1 USAID

SHBA-KOSOVË, USAID ndihmon Drejtësinë

Washington, 2 nëntor 2018-Gazeta DIELLI/

 Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka zhvilluar një takim në Washington me Asistentin e Administratorit të Përgjithshëm të USAID-it, njëherit udhëheqës i Zyrës së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman.
Ministri Tahiri ka falënderuar z. Bierman për mbështetjen e USAID-it në avancimin e infrastrukturës ligjore si dhe ka shpalosur ndryshimet dhe reformat që janë ndërrmarrë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e qasjes në drejtësi si dhe agjendën legjislative që ka për qëllim forcimin e shtetit ligjor në Republikën e Kosovës.Ministri Tahiri ka vlerësuar lartë kontributin e USAID-it si partner i rëndësishëm për fushën e sundimit të ligjit, veçmas në avancimin e parimeve ligjore që mundësojnë një qasje të drejtë dhe të barabartë të qytetarëve në të drejtat e tyre dhe në shërbime efikase ligjore.Gjatë takimit është diskutuar edhe për reformat e ndërrmarra në fushën e të drejtave pronësore, agjendën “Drejtësia 2020” si dhe procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, në kuadër të së cilës USAID-i është duke mbështetur në veçanti shtyllën e Drejtësisë Komerciale.
Ministri Tahiri ka mirëpritur gatishmërine e USAID-it për të vazhduar mbështetjen e mëtejme në sektorin e sundimit të ligjit përmes plotësimit dhe përmirësimit të qasjeve legjislative dhe strukturore si dhe në konsolidimin e drejtësisë komerciale si një shtyllë e rëndësishme e drejtësisë që lehtëson të bërit biznes dhe nxit investimet e huaja në Republikën e Kosovës.Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (USAID) është duke ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë në një numër të konsiderueshëm projektesh dhe duke mundësuar zbatimin e prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë në vazhdimësi./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Jeff Sessions, Ministri Tahiri, U prit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1208
  • 1209
  • 1210
  • 1211
  • 1212
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT