• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sigurismi i Shtetit dhe Edi Rama

April 11, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Para pak kohësh një emison televiz transmetonte një program mbi një rast persekutimi. Kjo ishte një mësuese diku në malësi. Operativi i zonës nuk e kishte futur dot në dorë. Mësuesja e re e kishte refuzuar prerë. Kësisoj ky funksionar i armës së Sigurimit zuri nga kërcënimet, por prapë nuk e shtiu në dorë. Përfundimi, mësuesja e re burgoset për agjitacion e propagandë, deri ditën e rënies së diktaturës. Më pas, një beqareshë e lodhur si azilkërkuese në Bruksel. Kjo është një nga metodat e preferuara ta paranojakëve a skicofrenëve, raste që mund t’i shpjegoj subkoishenca e Frojdit. Por që në Shqipëri i kanë aplikuar që nga Enver Hoxha e deri tek kapteri më i fundit. Si dëshmi reale janë Ramize Gjebreja, Sabiha Kasimati, Musine Kokalari etj., pa përmendur dhe fisniket e heshtura si mësuesja e Malsisë. Pra po nuk ma dhe apo po nuk të munda më kthehesh në një fiksim që prodhon veç intriga. Dhe nuk është çudi që vendi të ngjasi me subjektet e dramave të Shekspirit. Këtë e verteton edhe një intervistë e fundit e kryetarit të KQZ-ës kur  fushatën aktuale e krahason me atë të 1997-ës. Dhe nëse doni ta dini se përse ndodh kjo, është pikërisht ai fiksimi me tu mundur a me të të mundur. Nga performanca e njëshave fillon gjithçka. Sa më brutal, vulgarë e bullistë të jenë ata, dy fish jemi ne me njëri-tjetrin. Me të mohuar gjithçka deri në asht, aq sa kurrë shqiptarët të mos kenë një model real të unifikimit. Jo rastësisht Edi Rama është i fiksuar në dy emra, si ai sigurimsi tek mësuesja që nuk ia dha. Në atë të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Nëse dedektivi i sigurimit nuk duronte dot faktin që mësuesja nuk ja jepte. Edi Rama nuk duron këta dy emra, të cilët nuk i mundi dot. Të parin, Sali Berishën për faktin që ua hoqi shqiptarëve koracën e vizave me Europën. Do apo nuk do ai, kjo ndodhi në qeverinë e Berishës. Shqiptarët tashmë lëvizin në Europë pa vizë, mjafton pasaporta dhe kaq. Eshtë hera e dytë në historinë e shtetit të tyre, pas Ahmet Zogut. Me Enver Hoxhën donin vizë për në Konispol e Vermosh, se Italia ishte mollë e ndaluar. Po me Berishën, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, pra thuajse 100% perëndimore. Sot është një kuvli nën protektoratin e Ankarasë, po 100% në kundërshtim me historinë e vet, karshi asaj Perandorie shkëputja prej sëcilës i solli pavarsinë dhe një batalion me dëshmorë të atdheut. Pas Enver Hoxhës, ky është shtetari i dytë që ka oreintuar Shqipërinë 100% nga Lindja. Me Ilir Metën vuan dështimin që nuk e nxorri dot në pension. Mendoi se duke e bërë president, komplet kundër vullnetit të shqiptarëve, do e nxirrte në pension. Kësisoj do e kishte më të lehtë rrugëtimin e ndryshimit të Kushtetutës, jo kufizimin e mandatit dhe dyfishin e afatit qeverisës deri sa një ditë të shpallet mbret. Do minimizonte elektoratin e LSI-is duke ruajtur çdo votë socialiste sado fanatike e majtë, sado radikale, sado enveriste, mjaft t’i grumbullonte tek vetja. Nuk është e rastësishme sot që një numror në Kuçovë, a në Berat, reklamohet nëpër dhjetra televizione si fitore deri në rang kombëtar. Paralel me këtë i shkonte për shtat emoragjia e PD-ës, partiçkat e të qejfmbeturëve që sot u kujtuan t’u tregojnë shqiptarëve, se sa të degraduar janë faktori 30 vjeçar politik i vendit tonë. Në fakt raca më e poshtër për stanjacionin e progresit të një vendi, janë pikërisht dy drejtime, (1) të persekutuarit që i thonë përdhunuesit baba. Dhe (2) teserexhinjtë e posteve, komisioneve, kryetarëllkut, ata që i bëjnë opozitë shtëpisë që i polli. Që të bëj karshillëk një anëtar i thjeshtë, nuk ka dëm, por progres. Dëm ka kur të bën karshillëk karrike thyeri. Por jemi tek egërisa e fushatës, tek Edi Rama. Dhe siç e vutë re, insistimi i Edi Ramës është pikërisht ai i kapterit të Sigurimit të shtetit. Pra Edi Rama duhet përzënë pikërisht për këtë, se, në vend që të japi llogari se çfarë bëri dhe çfarë nuk bëri për shqiptarët në 8 vjet, çirret për nepset e munguara me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Nuk është problem i shqiptarëve humbja e Edi Ramës me Sali Berishën dhe Ilir Metën, është problem i Edi Ramës. Shqiptarët dhe Shqipëria duan tjetër drejtim, tjetër horizont, tjetër natyrë etj. Sot Shqipëria nuk është anëtare e Komunitetit Europian dhe pikë. Shkon në Europë pa viza, por nuk është anëtare e saj. Sipas mendjes së Edi Ramës, ju duhet të votoni Edi Ramën se ai nuk ju futi në Europë. Duhet të votoni Edi Ramën se po ju izolon. Brutalizmi real i Sali Berishës qëndron në një fakt historik, jo në ato që thotë Edi Rama, por në atë që i dha të drejtën e lëvizjes së lirë edhe komunistit që sot shkon ku do i do kokrra qejfit. Por e tillë është demokracia, nuk ke çfarë i bën. Shkurt, jo ta votosh Edi Ramën, por sikur nëpër mend ta çosh, dëmton vendin dhe fëmijët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Ilir Levonja

Krimet i kryen serbet- Viktima shqiptarët, të akuzuar shqiptarët

April 10, 2021 by dgreca

Nga XHAVIT ÇTAKU/

Edhe ky vit filloi në shenjë të përkujtimit të masakrave të shumta e të tmerrshme që ka bërë regjimi fashist serb. Masakër në Reçak, në Rezallë, në Krushë,  në Izbicë, në familjen e madhe Berisha të komunës së Suharekës. Sërish lotë, ofshamë, dhimbje, rënkim. Askush nuk mund t’i pajtoj zemrat e thyera të atyre që i kanë humbur të dashurit e tyre. Ka edhe të tjera tmerre, mizori të shumta, mijëra varre në gjithë teritorin e Kosovës, dëbime nga vatrat shekullore, shkatërrime shtëpish e të pasurisë të shqiptarëve etnik. Vepra çnjerëzore të bishave karpatiane të filmuara e të regjistruara një nga një e patën zgjuar ndërgjegjën e botës demokratike për të bërë diçka më shumë se sa që bëhej një kohë të gjatë duke u kënaqur vetëm me dënime gojore. Duke iu falenderuar ShBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe në përgjithësi Aleancës Veriatlantike, Kosova më në fund u çlirua nga pushtuesi barbar. 

Krimet i bënë serbët, ndërsa në Hag akuzohen ushtarët shqiptar

Kaluan njëzet vite dhe lotët e më të dashurëve që iu vranë,  masakruan e iu dhunuan nga paramilitarët, militarët e policia serbe ,ende po rrjedhin, ende po i lagin faqet e buzët e bëra shkrum nga vuajtja aq e gjatë, aq e dhimbshme, pikëlluese për çdo ditë e natë. Më së vështiri e kanë prindërit, motrat, vëllezërit, të cilët ende nuk e dinë se ku i varrosën kriminelet serb viktimat shqiptare, që me kamion i dërguan nëpër vende të ndryshme në Serbi për t’i humbur gjurmët e gjenocidit. Madje mbi ato varre masive ndërtuan edhe objekte të Ministrisë së Punëve të Brendshme….

Filed Under: Analiza Tagged With: krimet serbe, viktimat shqiptare, Xhavit Çitaku

SA (NUK) ËSHTË ZYRTARE GJUHA SHQIPE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT

April 10, 2021 by dgreca

Shkruan: Kasam Hasani-Ish kryeprokuror i Prokurorisë së Lartë në Shkup/

Se sa është e sa nuk është zyrtare gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është folur, diskutuar dhe shkruar mjaft, sidomos pas pavarsimit të Maqedonisë, e veçanërisht pas ndryshimeve Kushtetuese të cilat janë bazuar në principet e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001. Mirëpo, për fat të keq, edhe me këto amandamentime të Kushtetutës, gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë se Veriut nuk u bë kategori kushtetuese, por u emërtua si “gjuhë që e flasin më shumë se 20% e popullatës në Republikën e Maqedonisë se Veriut”. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe ka qenë dhe ende është tepër i ngadalsëm. Fajtor për këtë nuk është vetëm pushteti, por edhe vetë popullata shqiptare në Maqedoni, e sidomos elita politike dhe intelektuale shqiptare në Maqedoni. Mospërdorimi zyrtar i gjuhës shqipe gjithnjë është arsyetuar duke thënë se për këtë çështje, sikurse edhe për shumë të tjera në Maqedoni, kinse nuk ka disponim politik, kuptohet, nga pala maqedonase. Është e çuditshme pse gjithmonë është pritur dhe ende pritet që të krijohet “disponim politik”, kur për këtë çështje egzistojnë zgjidhje kushtetuese dhe ligjore. Prandaj, në vend të disponimit politik, duhet të kërkohet krijimi dhe zbatimi i normave juridike, si dhe sanksionim për moszbatimin e këtyre normave. 

Edhe unë kam shkruar mjaft për këto çështje, por çdoherë duke bërë vështrim dhe analiza nga aspekti i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi për përdorimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithë, këtë herë do të paraqes dhe përshkruaj në mënyrë gazetareske një rast i cili ka të bëjë me përdorimin, respektivisht mospërdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni, ku mund te  duket sa komik aq edhe tragjik. 

Një shoku im nga fshati Cërvicë, komuna e Kërçovës, për shkaqe objektive, para dy muajsh më autorizoi që në emër të tij të lidh një kontratë për qeranë, të banesës së tij në Prishtinë, me një përson tjetër po në Prishtinë. Miku im këtë autorizim e kishte përpiluar në Kërçovë – të noteri shqiptar (A.H.). Duke pasur parasysh që dhënësi i autroizimit, noteri, dhe une, si i autrorizuar, jemi të tre shqiptare, si dhe fakti që autorizimi do të përdoret në Republikën e Kosovës – Prishtinë, ku gjuhë zyrtare është gjuha shqipe, dhënësi i autorizimit ka kërkuar nga noteri që autorizimi të përpilohet në gjuhën shqipe. Mirëpo, noteri ka refuzuar duke i sqaruar se me Ligjin mbi noteritë, është paraparë që pranë noterëve në Maqedoni, procedurat zhvillohen dhe aktet përpilohen ekskluzivisht vetëm në gjuhën maqedone. Prandaj, shokut tim autorizimi i është lëshuar në gjuhën maqedone. 

Pasi e pranova autorizimin e përpiluar, me të njëjtin lidha kontratën për dhënien e banesës me qera, të cilën ishte e nevojshme ta evidentoj edhe në organet tatimore në Prishtinë. Zyrtari i këtij organi i habitur më pyeti përse autorizimi është i shkruar në gjuhën maqedone, duke u bazuar në faktet dhe rrethanat e lartpërmendura. Siç e tha edhe ai, në bazë të njohurive të tij, sipas Kushtetutës së Maqedonisë, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoni. Unë e njoftova se kjo çështje në fakt është e përcaktuar me Ligjin mbi noterinë. Ai edhe me tutje i habitur filloi të polemizojë me mua duke më thënë se si është e mundur që një e drejtë të parashihet me Kushtetutë, kurse të mohohet me ligj. Në fund, zyrtari më tha: “Zotëri, më falni, por autorizimin e shkruar në gjuhën maqedone duhet ta përktheni tek përkthyesi zyrtar në gjuhën shqipe”. E unë ashtu edhe veprova, me qëllim që ta kryeja obligimin ndaj shokut tim.  

Me këtë rast, edhe një herë dëshiroj të jap disa mendime dhe sygjerime rreth përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe: 

  • Në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet patjeter që gjuha shqipe në Kushtetutë të bëhet kategori kushtetuese (të emertohet si “gjuha shqipe”, e jo “gjuha e folur nga me shumë se 20% e popullatës”); 
  • Me të madhe duhet të insistohet nga shqiptarët, e posaçërisht nga intelektualet, që kjo gjuhë të përdoret në fusheveprimin e të gjitha organeve dhe institucioneve të çdo shkalle, në Maqedoni; 
  • Ligjet dhe aktet tjera të organeve dhe institucioneve shteterore të hartohen, shqyrtohen, aprovohen dhe shpallen edhe në gjuhën shqipe;
  • Sa më parë duhet të fillohet që procedurat gjyqësore, të zhvillohen në gjuhën shqipe. 

Kusht për këtë është ndryshimi urgjent i ligjeve përkatëse procedurale, siç janë: Ligji i Procedurës Penale, Ligji i Procedurës Civile, Ligji i Procedurës Administrative, Ligji mbi Noterët, etj.  Këto ligje tani në fuqi, pamundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në këto institucione ngase shprehimisht parashohin që këto procedura të zhvillohen vetëm në gjuhën maqedone. Përveç kësaj, duhet që në procedurat ankimore, te këto ligje, të parashihet që për cënimin e të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, organi më i lartë të kujdeset sipas detyrës zyrtare (ex officio), pavarsisht nëse kjo çështje është ankimuar nga pala apo jo. 

Arsyetimet që shpeshherë bëhen edhe nga pjestarët shqiptarë, se në Maqedoni ende nuk ka kushte për përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat gjyqesore, administrative dhe të ngjashme, janë te pabaza nga disa shkaqe. Në Republikën e Maqedonisë se Veriut ka më shumë se 20 vite që mësimi në  disa Universitete zhvillohet në gjuhën shqipe, e madje egziston edhe mundësia për të studiuar në Kosovë dhe Shqipëri. Për më tepër, janë zhvilluar kuadro qysh prej vitit 1970 kur u hap Universiteti i Prishtinës, në të cilin në mënyrë përmanente janë zhvilluar me qindra kuadro shqiptar nga Maqedonia. 

Po te merret si shembull rasti i Kosovës, si krahinë në Jugosllavi, në vitin 1970 me Ligjin mbi Barazinë e Gjuhëve dhe Shkrimeve sanksionohej mospërdorimi, respektivisht cënimi i barazisë se gjuhëve dhe shkrimeve, si vepër penale. Kështu, filloi menjëhere përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe si çështje e obligueshme në punën e të gjitha organeve dhe institucioneve shtetërore. Këtë perdorim te gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare e kanë bërë juristet, ekonomistët, inzhinierët, mjekët, administratorët e profesioneve të tjera, të cilët kanë qënë të shkolluar në Beograd, Zagreb, Sarajeve, Shkup, etj., kryesisht në gjuhën serbo-kroate ose maqedone.  Poashtu, edhe në Prishtinë deri në vitin 1970 mësimi në Universitet është zhvilluar në gjuhën serbo-kroate, nga profesorë të ndryshëm të Beogradit, Sarajvës, Podgoricës, Shkupit, etj. 

Jam i mendimit se përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe nuk duhet të trajtohet dhe shikohet vetëm si e drejtë, por kjo çështje duhet të shihet e ndihet edhe si obligim, si për shqiptaret, ashtu edhe për maqedonasit. Njëherit, përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, mendoj se duhet edhe të stimulohet materialisht për ata të cilët e përdorin edhe këtë gjuhë në institucionet përkatëse. Gjatë egzistimit të Jugosllavisë Socialiste, në Kosovë dhe Vojvodinë, ku në Kosovë ishin 2 gjuhë zyrtare, kurse në Vojvodinë 6 gjuhë, me dispozita të veçanta rregullohej mënyra dhe kushtet për dhënien e provimeve të gjuhëve zyrtare. Egzistonin tre shkallë të njohjes dhe përdorimit të gjuhëve zyrtare (ta flasish, ta kuptosh-përkthesh, ta shkruash). Varësisht nga shkalla e njohjes dhe përdorimit të gjuhës zyrtare, personit i takonte edhe kompenzim material i caktuar. Këtë provim të gjuhës e jepnin jo vetëm shqiptarët, por edhe pjestarë të komiuniteteve të tjera.

Kështu që, përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, jo vetëm qe duhet te respektohet si e drejte kushtetuese, por duhet te punohet edhe me tej qe gjuha shqipe te përcaktohet ne menyrë eksplicite si gjuhe zyrtare ne Maqedoni. Poashtu, te garantohet edhe me ligjet perkatese, si dhe te aplikohet shembulli i lartecekur, ku perdoruesit e gjuheve zyrtare ne institucione shteterore do te kompenzohen. Këto do të ndikonin në mënyrë më efikase dhe më të drejtë për zbatimin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përdorimi i së cilës ka qenë dhe vazhdon të jetë tepër i ngadalshëm. 

Filed Under: Analiza Tagged With: gjuha shqipe, Kasam Hasani, Sa zyrtare

AMBASADORI I KOSOVËS NË WASHINGTON Z. VALDET SADIKU VIZITOI VATRËN

April 10, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA/

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington Ambasador Valdet Sadiku i shoqëruar nga Ambasador Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York dhe diplomate, Dhurata Selimi, vizituan selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në Bronx, New York. Në këtë takim të përzemërt, diplomatët shqiptarë nga Kosova u pritën nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha dhe përfaqësia më e lartë e Vatrës. Takimi i mirëseardhjes u hap nga editori i gazetës Dielli z.Dalip Greca i cili bëri një panoramë të gjërë historike që nga themelimi i Vatrës, proceset shtetformuese të shtetit shqiptar dhe roli i pa tjetërsueshëm i Vatrës. 

         Në përshëndetjen vëllazërore të mikpritjes, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u shpreh: “I nderuar Shkëlqësi Ambasador z.Sadiku, z.Isufaj, e nderuar diplomate Selimi. Jam shumë i gëzuar që ju sot vizitoni Vatrën, shtëpinë e të gjithë shqiptarëve.

        Vatra nuk është thjeshtë një Federatë, por një institucion shpirtëror, patriotik dhe atdhetar që ka punuar ditë e natë për kombin shqiptar. Vatra ka qenë dhe do të jetë kurdoherë në çdo qëndër diplomacie si në Uashington dhe në Perëndim, ku merren vendime në dobi të çështjes kombëtare.

         Prej më shumë se një shekulli, Vatra ka zhvilluar fuqishëm diplomacinë e saj në dobi të kombit shqiptar. Bashkëpunimi i Vatrës me përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë në nivel, por jo aty ku e ka pasur vendin. Uroj dhe shpresoj që me dy prurjet e reja diplomatike të shtetit të Kosovës të rritet niveli i bashkëpunimit. Duhet të ndërtohet dhe të forcohet një urë bashkëpunimi me komunitetin shqiptaro-amerikan, me Ambasadën dhe shtetin e Kosovës që të mbrojmë interesat kombëtare, të mbrojmë fort atë që e kemi krijuar me dekada.

          Na duhet një diplomaci e fortë dhe miq të rinj e të fuqishëm në Kongres dhe në Senat, në Washington, në Perëndim dhe Departamentin e Shtetit. Për çështje të jashtëzakonshme duhet të kordinohemi ne si Vatër e ju si përfaqësi diplomatike që të dalim me deklarata të përbashkëta, të fuqishme, në interes të kombit shqiptar. Ju uroj më të mirat përzemërsisht në misionin tuaj të përfaqësimit të shtetit tonë” mbylli fjalimin e tij Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. 

               Ambasador Valdet Sadiku gjatë takimit vëllazëror në Vatër u shpreh shumë i entuziazmuar për mikëpritjen dhe atë që i ofroi Vatra për të ardhmen. Ndër të tjera diplomati Sadiku tha: “Jam shumë i lumtur që gjendem në mesin tuaj. Dua ta falenderoj Vatrën dhe përfaqësuesit e saj për punën e madhe që jepni tash 110 vjet në vazhdimësi. Fotografitë historike në Vatër tregojnë shumëçka Vatra ka bërë për çështjen kombëtare. Në emrin tim përsonal dhe të kolegëve të mi, ju falenderoj dhe ju premtoj se ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur në vazhdimësi. Do të mundohemi të kemi komunikim sa më të fortë, të pastër e përmbajtësor me ju. Vatra ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha etapat e formimit të shtetit të Shqipërisë e të Kosovës. Kontributi juaj dhe i të gjithë atyre ndër vite ka qenë i jashtëzakonshëm. Kontributi juaj na bën krenar dhe të lumtur, mbi të gjitha të ndiejmë një obligim shtesë ndaj të gjithë juve, na jep një motiv shtesë me punu e me kontribu për të shtyrë përpara proceset në të cilat ndodhet shteti e kombi ynë. Ju falenderoj për mikëpritjen, për takimin dhe miqësinë. U jemi mirënjohës që na dhatë kohën tuaj. Në të ardhmen do të kemi një komunikim më të ngushtë dhe do të kemi bashkëpunim më të fortë duke bërë organizime të përbashkëta. Mirëpresim idetë e Vatrës, sugjerimet dhe bashkëpunimet tuaja. Si nga Vatra dhe nga përfaqësuesit tanë diplomatik në Washington dhe New York është bërë një punë e shkëlqyer dhe sot nga unë e të gjithë ne lypet një zotim dhe premtim për ta çuar më përpara këtë punë të jashtëzakonshme. Mirënjohje edhe një herë për mikpritjen dhe faleminderit për gjithçka” përfundoi fjalën e tij Ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington Ambasador Valdet Sadiku. Gjatë takimit, kryetari i Degës së Vatrës Queens Dr. Skënder Myrtezani i shprehu Ambasador Sadikut dhe diplomatëve shoqërues një problematikë shqetësuese për ikjen e rinisë nga trojet shqiptare, nevoja e kthimit të shpresës në shtetet dhe viset shqiptare dhe ndaljen e emigrimit masiv të rinisë duke krijuar shanse punësimi në vendet ku jetojnë. Sipas doktor Myrtezanit, ekonomia dhe siguria në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Preshevë e Mal i Zi, janë problematika shumë shqetësuese. Ambasador Sadiku u shpreh se në të ardhmen shtetet në rajon duhet të fokusohen në integrimin e tregjeve rajonale, diplomave, certifikatave e profesionistëve të rinj në mënyrë që falë inisiativave ekonomike dhe projekteve serioze të krijohen më shumë mundësi punësimi dhe integrimi mes të rinjve në rajon dhe më gjërë. Takimi u përmbyll shumë vëllazërisht dhe u la që në të ardhmen e afërt të organizohet një tjetër tryezë vëllazërore për të vazhduar së bashku axhendën diplomatike të shtetit të Kosovës e çështjes kombëtare shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasadori I Kosoves, Sokol Paja, Valdet Sadiku

MERKEL, TRASHËGIMIA E VËSHTIRË

April 10, 2021 by dgreca

Nga PAOLO VALENTINO/Përktheu Eugjen Merlika-“Corriere della Sera”*/   

“Fundi i madhërisë nuk vjen kurrë i vetëm, por si një vorbull merr me vete gjithshka që ka pranë”. Profecia e Rozenkrancit në Hamletin e Shaekespeare-it fotografon mirë rrezikun përballë të cilit Kristiandemokracia gjermane, gjashtë muaj para daljes nga skena të kançelares, që ka mbajtur pushtetin për 16 vite, duke i siguruar Gjermanisë qëndrueshmëri dhe mbarështim të mirë t’ekonomisë. Rrallë herë një stinë e gjatë sundimi mbyllet qetësisht e pa dhimbje. Lamtumira e nënës së kombit nuk bën përjashtim. Por fundi i shpejtë i erës Merkel lajmëron edhe një fazë të re të jetës shtetërore gjermane: mbas letargjisë më  se dhjetëvjeçare të shkaktuar nga siguritë qetësuese të kançelares së përjetëshme, në Gjermani është kthyer politika dhe Berlini po bëhet laboratori më i madh i Evropës.   

Disa bëma, në javët e fundit kanë ndryshuar rrënjësisht koordinatat e Vendit. Simbas rradhës, zgjedhjet vendore në Baden – Würtemberg dhe në Renani – Palatinat, ku Cdu ka rënë në shifrat më të ulta historike. “Skandali i maskerinave”, që detyroi të dorëhiqeshin tre deputetë demokristianë e mbi të gjitha zbuloi një fole krimbash veprimtarish të allishverisheve dhe pazareve të majme që po i kushtojnë një rënie të madhe miratimesh. Së fundi kërkimi falje publikisht Vëndit nga Angela Merkel, që u desh të heqë dorë nga një lockdown i ashpër për Pashkë, të menduar keq e për më tepër të përgatitur akoma më keq: një mea culpa të nderëshme e të guximëshme, por shënjë e një dobësie strukturore. Edhe sepse të pasuar nga një heshtje që zbulon mungesë planesh e nënështrim. 

Si sfond i përbashkët i tre ngjarjeve është zhgënjimi nga dështimi i plotë i qeverisë dhe i krahinave në luftën kundër pandemisë: shtim i infektimeve dhe vdekjeve, gjurulldi në masat, grindje të stuhishme mes kançelares dhe kryetarëve krahinorë, mbi të gjitha një dështim i bujshëm i fushatës së vaksinimeve, që deri tani ka shënuar vetëm 10 % të popullsisë të marrë dozën e parë e më pak se 5 % të dytën.

Pasojat mbi politikën gjermane janë lëkundje të vërteta tërmeti. Hija e lënë nga votimet e Shtutgardit ku, për herë të parë, u shfaq mundësia e një koalicioni “semafor” ndërmjet të Gjelbërve, Spd (të kuqve) dhe liberalëve (të verdhët) lëkundet tani mbi hulumtimet kombëtare, me Cdu – Csu të rënë në 25%/28% të piksynimeve të votës. Hamëndja e një qeverie pa Bashkimin nuk është më as e pamundur as e largët.

 Aq më tepër sepse Cdu duket në një zvetënim të plotë dhe Merkel që, për vite, e vetme i ka mbuluar stoikisht problemet, nuk është më në gjëndje t’a stabilizojë. Kançelarja në fakt tashmë i ka dhënë lamtumirën partisë, por zbrazësia që le duket e pambushëshme. Fusha konservatore është e përçarë mbi atë që duhet të hidhet në betejën për kançelarinë në votimet e shtatorit: kandidatit të natyrshëm të shpëlarë të partisë Armin Laschet, kryeministër renan e kryetar i ri i partisë, shumë në Cdu i parapëlqejnë karismatikun Markus Söder, kryeministër i Bavarisë dhe kryetar i binjakes Csu.

Deri edhe vetë Merkel duket se se po largohet nga Laschet, që u desh në vazhdimësi me kursin e saj qëndërsonjës e të matur. Në një intervistë televizive, të shikuar nga milionë gjermanë, kançelarja e sulmoi në vetë të parë, duke i vënë gishtin si njërin nga kryeministrat krahinorë që nuk kanë mbajtur parasysh masat shtrënguese të bashkërenduara ndërmjet saj dhe kryetarëve të krahinave. “Nuk kam qënë i kënaqur”, ka pranuar Laschet, niveli i popullaritetit të të cilit është shumë i ulët në krahasim me rivalin bavarez që tani për tani parapëlqen të mbetet në hije, Armin Laschet – parathotë një drejtues i  Cdu-së – nuk do të bëhet kançelar, por do të jetë viktima e fundit e Angela Merkel-it”.

Problemi është n’atë që edhe Markus Söder nuk është siguri e fitores. Era Merkel që kundrejt së jashtëmi ka shënuar fitoren e Gjermanisë si fuqi eksportuese botërore, së brëndëshmi është karakterizuar nga një dinamizëm i pakët politik dhe nga një vetëkënaqësi e qenësishme, e cila nuk ka mbajtur parasysh sfida vendimtare si dixhitalizimi dhe një program i guximshëm i gjelbërt. Sfida që sot trokasin në derë. Për më tepër Gjermania duhet të ripërcaktojë së bashku me Evropën marrëdhëniet transatllantike, në dritën e një pakti të ri të ofruar nga Administrata Biden. Cdu – Csu nuk duket se ka drejtimin strategjik për t’a përballuar. Merkel ka qënë fytyra siguruese dhe e mirë e kësaj epoke, pak Biedereirmeier, grua e bëshme por e sheshtë dhe kryeneçe në zgjidhjen e problemeve të mëdha, si Austria e Restaurimit. Por tani le mbrapa një parti të hutuar e në pështjellim të plotë. Të tjerë heroj kryesorë duken në horizont, së pari të Gjelbërit që mbi ekonominë jeshile mund lëvdohen me 40 vjet histori, paraqiten si ndërpretuesit më të besueshëm të bashkëkohësisë së re. Gjithshka mund të ndodhë në Gjermani, edhe që kançelari i ardhshëm (apo kançelarja e ardhëshme) të kenë ngjyrën e shpresës.

“Corriere della Sera”, 2 prill 2021     Përktheu Eugjen Merlika         

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, merkel, Paolo Valentino

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT