Nga Enver Bytyçi /“Do t’i ruajmë kufijtë prej teje, Hashim”! Kjo ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në përgjigje të këmbnguljes së presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për të vazhduar më tej me idenë e tij të tmerrshme për ndarjen e territorit. Po si erdhi deri te mbrojtja e kufijve të Kosovës nga rreziku që paraqet për këta kufij vetë presidenti i këtij vendi? Si ndodhi që kryeministri i Kosovës angazhohet ta mbrojë Kosovën nga rreziku qe paraqet vetë kreu i shtetit të Kosovës?! Ku është parë në nëdonjë vend në botë që kryeministri të zotohet për mbrojtjen e territorit të vendit, sepse këtë territor e rrezikon vetë shkëlqesia e tij president?! Ne shqiptarët vërtet jemi një specie e rrallë. Jemi qenie me të cilat eksperimentohet. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën, si në Shqipëri edhe në Kosovë, por nuk kishte ndodhur që presidenti i vendit të bëhej fanatik e militant i zbatimit të programeve serbe për Serbinë e Madhe! Ky sukses spektakolar i Beogradi, që ai flasë dhe të veprojë në interes të vetin përmes presidentit të Kosovës, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Kosovë . Megjithëse Ramush Haradinaj ia thotë në sy presidentit të vendit të tij se “do ta mbrojë Kosovën dhe territorin e saj nga vetë aksioni antishqiptar i presidentit”, ky i fundit vazhdoi me skenarin e vet. Ai pas deklaratës së Haradinajt u bëri thirrje kryeministrit dhe kryeparlamentarit Veseli që ta përkrahin atë për “korrigjiin e kufijve”, dmth për ndarjen e Kosovës! Nuk ka të ndalur Hashim Thaçi! Nuk ia kanë ndërruar mendjen as qëndrimet kundër të SHBA-ve dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian! Ndërkohë që në Beograd refuzojnë të flasin për këtë temë, Hashim Thaçi këmbngul. Kësaj i thonë: “Ose do t’i japë tokë e territor Serbisë, ose ai vdes”. Presidenti serb nga Moska u shpreh se “Kurrë nuk kishte folur për ndryshimin e kufijve midis dy vendeve”. Ndërkohë ai vazhdoi meformulën, sipas së cilës “Shqiptarët nuk mund t’i fitojnë të gjitha dhe serbët t’i himbasin të gjitha”. Ndërsa sa i përket idesë së ndarjes, megjithëse mohoi ta ketë përmendur, Vuçiq nga Moska u shpreh se “Precedent ishte pavarësia e Kosovës dhe jo ndarja e saj”, duke dhënë mesazhin se qëndron në të njëjtën ide me Hashim Thaçin. Ndërsa presidenti i Kosovës e mbështet fuqishëm homologun e tij në Beograd për këtë ide, pa dashur t’ia kujtojë fushatën e masakrave serbe të dhunës e terrorit kundër popullit të tij, shqiptarëve! Por nuk është i një mendje me presidentin e Serbisë e të Kosovës kryetari i Partisë Popullore në opozitë të Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili nga Çikago tha se “Ndryshimi I kufijve midis Serbisë dhe Kosovës është një precedent i rrezikshëm për luftë në Ballkan”! Kjo do të thotë se edhe ustallarët e kanë lënë Hashim Thaçin të vetëm! Ndërsa në Prishtinë kryeministri Haradinaj shpall se “do ta mbrojë Kosovën nga presidenti i vendit”, opozita e LDK-sëdhe e PSD-së, por me gjasë edhe ajo e Vetëvendosjes, nuk po dalin ende nga skutat e fshehta, ku Hashim Thaçi ua ka caktuar vendin! Nuk e di çfarë duhet të bëjë më shumë një president në shkelje të kushtetutës së një vendi normal, që ai të shkarkohet nga funksioni që mbart! Kaq të pafuqishëm janë përfaqësuesit e sovranit në Kosovë përballë një njeriu të vetë, qoftë ky dhe president i vendit?! Iniciativa kushtetuese dhe ligjore për këtë I përket opozitës. Megjithatë Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mbajë një qëndrim ekuivok, të mjergullt dhe pa përmbajtje lidhur më këtë rast ekstrem! Në vend të angazhohet e të veprojë e vendosmëri për t’ia vënë kufijtë presidentit të vendit, në vend të iniciativës për shkarkimin e tij, LDK vazhdon lojën e marrë për pushtet! Në vend që të mbështesë deri në fund kryeministrin, kryeparlamentarin e këdo tjetër që I kundërvihet idesë së presidentit, në vend që të luftojë për të krijuar një front unik kundër rrezikut Thaçi për territorin dhe Republikën, vazhdon dhe shpall si prioritet luftën politike kundër kryeministrit! Në çdo vend të botës kur kërcënohet territori i vendit, qoftë dhe nga presidenti, pozita dhe opozita bëhen bashkë. LDK dhe Vetëvendosje duhet ta kapërcejnë ambicjen për pushtet dhe të luftojnë për territorin e për shtetin! Ndryshe LDK duhet t’ia thotë publikut në Kosovë se cili është borxhi që ia ka ende Hashim Thaçit si person e jo si president! Tirane, 07.10.2018
Kufijtë e Kosovës, të pacenueshëm dhe të panegociueshëm
Haradinaj: Kufijtë e Kosovës, të pacenueshëm dhe të panegociueshëm/

PRISHTINË, 6 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar sot: Në pikën një dhe pikën gjashtë të Rezolutës së Qeverisë, të dakorduar sot me kryetarët e partive të koalicionit qeveritar, është definuar qartë se kufijtë e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur, Sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, janë të pacenueshme dhe të panegociueshme dhe se Kuvendi i Republikës së Kosovës, si autoritet suprem, me votat e 2/3 e të gjithë deputetëve, do të Ratifikojë Marrëveshjen Ligjërisht Obligative në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
RH
Enigma e shpatës së tretë “ensis” të Skënderbeut…
Ne Foto: Koka e Shpatës/
Donika Kastrioti/
Astolphe de Custine, shkrimtar e diplomat francez, ndërmori më 1830 një udhëtim nëpër Kalabri, duke njohur nga afër fshatrat arbëreshe të këtij rajoni, e sidomos mjerimin e tyre të madh, kur banorët detyroheshin t’u shisnin udhëtarëve të huaj – për një çapë bukë, me lutjen “Ho fame”, që të këpuste shpirtin -, gjithçka të vyer që kishin trashëguar, që nga kostumet e famshme të grave arbëreshe deri tek orenditë dhe mjetet e luftës, pinjallë, kama, kordha e pisqolla të hershme, të cilat përbënin objekte me vlerë të paçmuar antikuare e historike. Në fshatin Lungro i paraqitën, siç dëshmon udhëpërshkruesi frëng, jo pa ironi, “një nga shpatat e shumta të Skënderbeut, i cili kishte, pa dyshim, po aq shpata sa kishte Madona shami për të mbuluar kryet” (A. De Custine, në antologjinë F. Andrea, “Arbëreshët e Italisë”, f.87).
Po më interesant e i drejtpërdrejtë në dëshminë e tij është shkrimtari dhe poeti i madh frëng Théophile Gautier, të cilit i treguan, gjatë vizitës së tij më 1855 në kishën e lashtë të Shën-Irenës në Kostandinopojë, koleksionin e armëve të kësaj kishe, ku ishte e ekspozuar, krahas shpatës së Mehmetit II me mbishkrim germash të arta, krahas pancirit të artë të Timurlengut, edhe – citojmë autorin – “një shpatë hekuri me teh të copëtuar e të ngrënë, dhe me dorezë në formë kryqi, që është shpata e Skënderbeut (sic!), e heroit atletik” (F.A. në librin “Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar”, bot. Zenit, 2017, f. 186). Vëmë në dukje, me këtë rast, se ky koleksion i fillim-shekullit XIX ndodhet sot në Muzeun e armëve të Stambollit dhe ia vlejnë hulumtimet në këtë drejtim për shpatën-kryq e me teh të thyer të Skënderbeut në kërthizën e shtetit turk.
Por objekt i studimit tonë në këtë shkrim është një tjetër shpatë e Skënderbeut, të cilën po e quajmë “shpata e tretë” e tij, e llojit “ensis”, për ta dalluar nga dy shpatat e tjera të njohura që ruhen në Vjenë dhe që janë studiuar e komentuar gjatë. Kjo shpatë e tretë ruhet sot e inventarizuar si objekt i KryeHeroit shqiptar në Muzeun “Palazzo Reale” të Capodimonte-s në Napoli. Është bërë publike për herë të parë nga një foto e firmës “Alinari” (fig. 1) në librin e Angiolo Bianchotti-t “Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg”, botim i vitit 1940. Kohët e fundit, prof. Lutfi Alia, mbështetur tek studiuesit austriakë Ludwig von Pastor dhe Eduard von Sacken (që i referohen shënimeve të kardinal Gonzagas), paraqiti të dhëna të veçanta për këtë shpatë të tretë të Skënderbeut, duke theksuar se ajo iu bë dhuratë nga Papa Pali II më 25 dhjetor 1465 (ditën e Krishtlindjes), së bashku me përkrenaren tashmë emblematike me brirët e dhisë dhe me një medaljon, krahas një relikteje të shenjtë dhe titujve honorifikë që iu akorduan. Me sa duket, kjo shpatë ensis dhe kjo përkrenare, të dyja me simbole të veçanta dhe të prodhuara enkas nga argjendari personal i Papës, do të ishin dhe mbeteshin thjesht dekorative apo ceremoniale, pa ndonjë përdorim funksional. Sipas zakonit papal, armët që bëheshin dhuratë nga Vatikani bekoheshin drejtpërdrejt nga dora e Papës, sikurse do të ndodhte në po atë kohë në ceremoninë e pritjes nga Papa Pali II të Borso d’Estes, duka i Ferrares, vajtur në Romë gjithë pompozitet, me 138 mushka mbuluar me velenxa që mbanin stemën e Shtëpisë fisnikërore Este.
Biografët e Papa Palit II, i përfolur për shpërdorime të mëdha financiare, që ndërtoi në Romë më 1467 – si një venedikas që ishte – pallatin luksoz të Shën Markut dhe shpenzoi 200 000 forinta ari vetëm për tiarën e tij plot gurë të çmuar zefiri, që e derdhi paranë lumë edhe për organizim lodrash zbavitëse në Romë, këta biografë nuk kanë munguar të vënë në dukje sa dorështrënguar e kurnac u tregua ai me Skënderbeun, “me atë princ të madh e luftëtar, siç shkruanin kronikat, duke i akorduar një ndihmë financiare tepër qesharake prej 3 000 skudesh”, ndërkohë që Ai, KryeTrimi, qëndronte lart si mbrojtës i Krishtërimit kundër perandorisë osmane.
Le të shohim tani nga afër shpatën e tretë ensis të Skënderbeut, paraqitjen e saj fizike dhe elementët që e përbëjnë, konkretisht: a) shpata shfaqet në argjend; b) ka në fundin e dorezës kokëzën e një luftëtari ilir që mban mbi krye përkrenare, dhe që të kujton njëfarësoj heronjtë e hershëm, Aleksandrin e Madh apo Pirron e Epirit (fig. 2); c) vetë doreza, me një bukuri e zgjidhje mjeshtërore artistike përmban një grifon, siç e ka konfirmuar, në letërkëmbimin tonë të rregullt, mjeshtri Taso, piktori mrekullisht virtuoz i shpirtit pogradecar e kombëtar shqiptar; d) grifoni, me pamje nga lart (si rrallë herë, e hasim në këtë pozicion edhe në një medaljon të mëvonshëm të Rilindjes italiane të vitit 1503 në katalogun e famshëm të Hill)), mbështetet me tre putra në dy harkimet e dorezës ku dallojnë dy maska, kokë njeriu dhe kokë luani; putra e katërt ballore e grifonit mbështetet mbi mburojën e dorezës, e cila është e veshur me zbukurime florale; e) trupi i shpatës po ashtu është i veshur me zbukurime florale në formë arabeskash.
Vërejmë se ndër tërë këta elementë përbërës, simboli i grifonit zë vend qendror, si për të shprehur thelbin e ndërtimit artistik të kësaj shpate, të veçantën e vet identitare me simbolikën domethënëse. Dhe në fakt, ky simbol i hershëm, ardhur që nga Lashtësia mesopotame e pellazge, filloi të përhapej në Mesjetë në shekujt XIV-XV, kur konsiderohej si kafshë e vërtetë në gjininë e shpendëve dhe kur askush nuk e vinte në dyshim ekzistencën e tij. Jo vetëm kaq, por figura dhe simboli i grifonit (deri edhe femër – grifona), nisi të marrë forma të ndryshme artistike e sidomos të shfaqet në letërsinë fetare të krishterë.
Ashtu sikurse sfinksi, centauri, tritoni, kimera, dragoi e kuçedra, edhe grifoni zë vend të rëndësishëm në mitologji dhe përmendet madje disa herë nga Herodoti, Babai i Historisë, kur flet për hyjnitë dhe heronjtë mitikë që lidheshin me këtë simbol, që nga Gilgameshi, Sethi dhe mbretërit egjiptianë, deri tek Apoloni, Dionisi, Erosi, Artemisi, pa harruar të na e japë edhe skenat e hershme me grifonë të gjuetisë së Amazonave. Konkretisht, grifoni paraqitet fizikisht si një qenie që ka gjysmën e trupit shqiponjë (kokë, krahë, kthetra) dhe gjysmën tjetër luan (bark, shpinë, putra, bisht) me të veçantën e çuditshme tek mban mbi krye veshë kali. Si simbol përbindëshi të lashtë (i fortë sa njëqind shqipe e njëqind luanë bashkë) dhe me kthetra të llahtarshme, grifoni shfaqet më herët në monedhën klasike të Teos në Joni, por edhe në Dyrrahun tonë, siç e dëshmon studiuesi Agron Luka me një monedhë të lashtë të Durrësit, ku grifoni është rojtar i bletës, simbolit të virtytit, nderit e virgjërisë (fig.3). Në fakt, që tek Herodoti për herë të parë, grifoni shihej si ruajtësi dhe mbrojtësi i thesareve të Apolonit, por edhe të mbarë Tokës, dhe po ashtu mbikëqyrësi i Pemës së Jetës. Në simbolikën e tij bashkohej guximi dhe forca e luanit me zhdërvjelltësinë dhe mprehtësinë e shkabës. Ishte një entitet i dyfishtë, si vetë natyra e dyfishtë njerëzore e hyjnore, ku pajtoheshin të kundërtat dhe mishëroheshin vetitë e Shën Mikelit.
Në Mesjetën e hershme, grifoni njeh njëfarë simbolizmi të kufizuar, po prapë është i pranishëm në letërsinë kalorësiake të ciklit të mbretit Artur, në “Romanin e Aleksandrit” apo atë të Florimontit. Shumë shpejt, e shohim të shfaqet në krejt degët e sigilografisë, në heraldikë e medaljone, në piktura e grafika, ku dallojnë për vepra të arrira me grifonë holandezi Jérome Bosh e gjermani Martin Schongauer gjatë viteve 1475-1495 (fig.4).
I dhamë tërë këto hollësi jo pa qëllim, kur cilësitë karakteristike të simbolit grifon pasqyrojnë në shpatën ensis të Skënderbeut thelbin e enigmës, përmbajtjen e thellë dhe mesazhet e vyera që ajo mbart si për të shprehur vetë karakterin dhe cilësitë e larta të KryeTrimit shqiptar, nderuar nga Papati me titujt që i njihen. Nëse grifoni është simboli i ruajtësit dhe mbrojtësit të thesareve të Tokës, a nuk ishte Skënderbeu ynë ruajtësi dhe mbrojtësi i dheut të shtrenjtë arbëror, ruajtësi dhe mbrojtësi i vlerave të Krishtërimit me vetë titullin “Atlet i Krishtit” që mbante? E më tej, a nuk ishte KryeHeroi arbër ruajtësi dhe mbrojtësi i mbarë Europës nga rreziku i pushtimit osman? A nuk ishte Ai që mposhti e turpëroi dy sulltanë të perandorisë më të madhe të kohës përgjatë një epopeje njëçerekshekullore, që e mbajti të mbyllur plot dinjitet e lavdi portën e Arbërisë së vogël për të shpëtuar vlerat e Perëndimit dhe të Humanizmit në atë Rilindje të madhe europiane kërcënuar ethshëm nga osmanët? Grifoni, i shpatës kastriotine shfaqet kështu sa shqipe mali aq edhe luan, me forcën e tyre të bashkuar, duke dëshmuar për paepurinë dhe pathyeshmërinë e Skënderbeut, udhëhequr nga motoja e shenjtë “Liri e Fitore”.
Nga ana tjetër, dimë se në heraldikën e familjes Kastrioti shfaqen që në vitet 1450 përballë njëri-tjetrit si shqiponja dykrenore, ashtu dhe luani në këmbë e me shpatë në putër, (fig.5) emblemë kjo domethënëse e Skënderbeut që dëshmon për aleancat martesore, për bashkimin dhe lidhjen e gjakut të familjes Kastrioti me familjet e mëdha të Topiajve, Muzakajve, Skurrajve, e më tej me krejt familjet fisnike të Arbrit, në qëllimin e madh dhe lavdiplotë të Skënderbeut për bashkim të kombit. Shkrirja e shqiponjës me luanin, dy prej simboleve kryesore të fisnikërisë arbërore, njëjësimi i tyre nëpërmjet figurës së grifonit në shpatën ensis paraqet kësisoj, simbolikisht e bukurisht, idenë madhore të bashkimit kombëtar. (Në parantezë, vëmë në dukje se në heraldikën shqiptare e hasim simbolin e grifonit të artë, me kurorë mbi krye, në qendër të emblemës komplekse të Mërkur Bua Shpatës, këtij stradioti të famshëm shqiptar që veproi e luftoi me lavdi në mbarë Europën gjatë shekullit XVI).
Duke e parë përdorimin e simbolit grifon nga këndvështrimi i mitologjisë, vëmë re se dy emra kolosësh luftarakë të Lashtësisë, që lidhen me historinë e popullit tonë, Aleksandri i Madh dhe Pirroja i Epirit – ndoshta vetë kokëza e shpatës ensis dëshmon për ta – na paraqiten grafikisht jo rrallë nën shoqërinë e grifonit, si për të shprehur vlerat dhe madhështinë që i karakterizonte me një rojtar të denjë besnik. Përsëri, i referohemi këtu historianit dhe mitologut Agron Luka tek na e ka sjellë nga thesaret e trashëgimisë sonë basorelievin e kishës ortodokse të Kurjanit pranë Roskovecit që e paraqet figurën e Aleksandrit të madh mes dy grifonësh, si dhe mozaikun e Katedrales së Otrantos, ku përsëri Aleksandri i Madh është i ulur mes dy grifonësh për të fluturuar lart në qiell, drejt pavdekësisë (fig.6). E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Pirron e Epirit që mbante simbolin e grifonit në kaskën e tij, siç na e japin monedhat e prera në Lashtësi. Në këtë mënyrë, mesazhi i grifonit mbrojtës në shpatën e tretë ensis të KryeTrimit shqiptar është më se i qartë: Kjo shpatë me këtë simbol është e denjë vetëm për krahun e fuqishëm të Aleksandrit të Madh të Rilindjes Europiane – Skënderbeut -, të Pirros modern – Gjergj Kastriotit -, mbret i Shqipërisë e i Epirit.
Por dy gjeneralët e mëdhenj të Lashtësisë, Pirroja i Epirit dhe Aleksandri i Madh nuk kishin të përbashkët vetëm simbolin grifon. Ata na shfaqen të ilustruar që nga Lashtësia edhe me brirët e cjapit në armët e tyre, siç dëshmojnë autorët klasikë, Plutarku me shokë. Andaj, nuk është rastësi që përkrenarja e Skënderbeut, dhurata e dytë e Papa Palit II që shoqëroi shpatën ensis, mban mbi krye brirët e dhisë për t’u shndërruar me kohë në simbolin tipik skënderbejan, në entitet më vete, kurorë lavdie dhe kurorë e vetë Shqipërisë.
Edhe për përkrenaren e Skënderbeut është folur e komentuar shumë, dhe kohët e fundit duan të shohin mbi të brirët e cjapit, duke e lidhur këtë simbol me shenjën e zodiakut të bricjapit, me Jupiterin Ammon, me Marsin, perëndinë e luftës, që godet gjithçka që pengon, me bririn e bollëkut si simbol pjellorie, dhe mbi të gjitha me figurën e vetë Aleksandrit të Madh, të “Dhu l’Karnaïn” të persëve e arabëve, njeriut me dy brina, “bashkuesit të Lindjes me Perëndimin”.
Në fakt, deri më sot, që prej periudhës së Rilindjes dhe romantizmit, mitologjia dhe historiografia shqiptare kanë parapëlqyer të shohin në përkrenaren skënderbejane simbolin e brirëve të dhisë së shenjtë Amaltea, bija e Diellit që mëndi Zeusin foshnje – Kryeperëndinë. Në fund të fundit, “Trimat, heronjtë, lindin nga gratë!”, thotë Dora d’Istria, kjo idhtare e emancipimit të gruas që në shekullin XIX. Dimë po ashtu që simboli i dhisë, emblemë dodonase e mëmësisë, zë vend qendror edhe në eposin tonë të kreshnikëve dhe shfaqet si shoqëruesja e denjë e Donika Kastriotit, bashkëshortes të KryeTrimit shqiptar (fig.7). Krejt thelbi i këtij simboli pasqyrohet bukur në shprehjen e popullit tonë “burrë me brina” – burrë trim, siç nënvizon Dhimitri Pilika, apo shkurt në fjalën e vetme “burrë”, tek shohim në të lidhjen etimologjike “Burrus-Phyrrus”, apo Pirro Burri, siç kishte qejf të shprehej Ali Pashë Tepelena.
Në të vërtetë, nuk e shohim aspak të rastësishme që si shpata ensis me grifonin, ashtu dhe përkrenarja me brirët e dhisë (apo cjapit) iu dhuruan së bashku, si armë ceremoniale, princit arbër nga Pali II. Simbolika është po aq e thjeshtë sa madhështore: në të dy rastet, qoftë me grifonin, qoftë me brirët e cjapit, kemi të bëjmë me binomin Aleksandër i Madh – Skënderbe, Pirro Burri – Skënderbe. Puqen kësisoj epokat historike e epike në emblemat e Skënderbeut, këtij Aleksandri të Ri modern, këtij Aleksandri të Krishterë, emëruar nga vetë sulltanati “Iskanderbej”. “Brirët e cjapit që shfaqeshin në kaskën e këtij ushtari të shkëlqyer, vë në dukje historiani i shquar frëng Jules Michelet më 1831, të sjellin ndër mend vrullin e papërmbajtshëm të kafshëve mistike që, në ëndrrën e [profetit] Ezekiel bëjnë veç kërcime përpara me forcën e trupit, pa e prekur tokën, duke përmbysur perandori në udhën e tyre.”…
Është interesante që Viktor Hygo, tek flet për Shtetet e Bashkuara të Europës (te vepra “Rhini”), përmend edhe Shqipërinë, por më shumë i referohet figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe trimave të tij tek “Oriantalet”, krahas heronjve arvanitas të revolucionit grek. Veçse, te kryevepra “Katedralja e Parisit” Hygo na shfaq ciganen Esmeralda, ardhur siç thotë nga Ballkani, konkretisht nga “vendet (trojet) e Shqipërisë”, dhe shoqëruar nga dhia e saj. Çuditërisht, Esmeralda e quan dhinë e saj – me të cilën jepte shfaqje para Katedrales -, “Djali”, siç e transkripton në origjinalin frëngjisht këtë emër vetë Hygoi, kryeromantiku i letërsisë franceze. Dhe çuditërisht përsëri, në përkthimin shqip të kësaj vepre, personazhi i dhisë “Djali” shqipërohet “Xhali”, si për ta larguar enkas nga shqipja dhe për ta orientalizuar sa më shumë termin, kur në fakt, ky term apo ky emër nuk ekziston në botën orientale. Për mendimin tonë, gjeniu Hygo, që i bazon episodet në ngjarje të ndodhura, duhet të ketë pasur këtu parasysh termin shqip “djali”, që i shkon aq bukur si nofkë afektive e përkëdhelie dhisë (apo cjapit) të Esmeraldës, vajtur nga Shqipëria në Karnavalet e Parisit, ku nuk mungon as simboli i “albanojës”, kapuçi i lartë shqiptar i Mesjetës. Normalisht, Hygo duhej ta quante “Vajza” dhinë e Esmeraldës dhe jo “Djali”, ose ndryshe, më saktë, do duhej të ishte “cjapi Djali”. Por, ja që ngatërresa krijohet lehtë kur jo domosdoshmërisht brirët e kafshës përcaktojnë gjininë e saj, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për kokën e dhisë (cjapit) mbi përkrenaren e Skënderbeut. Kjo “zgjidhje” hygoiane, “Dhija Djali” duket sikur i shkon për shtat edhe simbolit të brirëve mbi përkrenaren emblematike kastriotine.
Që përkrenarja e Skënderbeut duhet të ketë pasur një funksion vetëm simbolik e ceremonial, e vërteton këtë edhe ilustrimi i piktorit flamand Dominic Custos, më 1601, ku Skënderbeu jepet për herë të parë me shpatë në dorë dhe përkrenare vendosur mbi tokë dhe jo në kokë (fig.8). Dhe vetëm nga gjysma e dytë e shekullit XIX, siç vëren me të drejtë Dr. Moikom Zeqo, KryeHeroi shqiptar fillon të na shfaqet me përkrenaren mbi krye, në portrete të realizuara kryesisht nga piktorë të njohur shqiptarë të Rilindjes (G. Panariti, Th. Gjini, S. Frashëri, M. Toptani, etj). Princi spanjoll Aladro Kastrioti, për të shtuar artificialisht famën e tij si pretendues për fronin e Shqipërisë, do t’i kërkonte piktorit të talentuar shqiptar Theohar Gjinit t’ia paraqiste portretin “princëror” me përkrenaren e Skënderbeut mbi krye. Dhe pas tij do të ishte mbreti Zog, në dëshirën për t’u shpallur “Skënderbeu III”, që do të pasqyrohej me përkrenaren kastriotase mbi krye në disa portrete artistike të tij. Përkrenarja me kokën e dhisë do të shndërrohej gradualisht në emblemë gjatë shekullit XX, kur në fakt, tërë piktorët e huaj klasikë e kanë shfaqur portretin e Skënderbeut pa përkrenare, por vetëm me kësulën tipike frigine dhe me pilusin shqiptar, krahas beretës së tij karakteristike “alla Caramagnola” në veshjen princërore europiane që mbante si burrë shteti.
Përgjithësisht, thuhet për toponimitë dhe për gjithçka që ka të bëjë drejtpërdrejt me historinë dhe figurën e Kastriotit të Madh emërtesa origjinale “… e Skënderbeut”. Kësisoj kemi: “Kalaja e Skënderbeut”, “Mali i Skënderbeut”, “Shkalla e Skënderbeut”, “Gjurma e Kalit të Skënderbeut”, “Kali i Skënderbeut”, “Libri i Skënderbeut”, “Shpata e Skënderbeut”, “Krahu i Skënderbeut”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, e me radhë. Jemi kështu më pranë reales, të vërtetës historike, të një përcaktuesi pronor veshur me madhështi e fisnikëri, larg legjendares, mitikes, kur kalorësit e lashtë dhe sidomos të Mesjetës u jepnin emra shpatave, kuajve, helmetave, etj. duke i vendosur me simbole edhe në heraldikë. Kështu, kanë mbetur legjendare shpatat “Zhuajëza” e Karlit të Madh, “Dyrendali” i Rolandit, “Hotklera” e Olivierit, “Kurtina” e Origierit të Danimarkës apo “Eskaliburi”, shpata magjike e mbretit Artur. Por është jo pa interes të vëmë këtu në dukje se që në Mesjetën e hershme, shekulli XIV, fisnikëria arbërore, e njohur për zanatin e armëve e të luftës, do ta shndërronte simbolin e shpatës në mbiemër të një familjeje të tërë të lashtë shqiptare, Buaj-Shpatat, me të parin e tyre Gjin Bua Shpatën dhe me shkëlqimtarin e tyre Mërkur Bua Shpatën.
Sakaq, simbolin e shpatës do ta shohim të përfshirë që herët në heraldikën arbërore dhe në emblemën e familjes Kastrioti, tek e shohim të vendosur në putrën e luanit vertikal në këmbë (fig. 5), ndërkohë që luani horizontal i Shën Markut të Venedikut e ka putrën vendosur mbi libër, ose pastaj mban ngritur një shpatë. Por nuk do vononte dhe, nën ndikimin e Barletit e të Lavardinit, shprehjen “shpata e Skënderbeut” e shohim të përdoret shumë herë nën penën e autorëve dhe shkrimtarëve klasikë europianë, qoftë si krahasim, qoftë si proverb, e lidhur kjo me shprehjen “krahu i Skënderbeut”, aluzion për përgjigjen e Gjergj Kastriotit dhënë Mehmetit II: “Të dhashë shpatën, por jo krahun”. Dhe jo vetëm kaq, por vërejmë se shprehja “krahu i Skënderbeut” do të bëhej njëfarësoj realitet kur në Rumani ndeshja e sportit me thyerje krahuquhet “un skanderbeg”, dhe shprehja “Facem un skanderbeg”, thjesht do të thotë “bëjmë një skënderbegë”. Sa mirë do të ishte që tradita e hershme shqiptare e duelit me thyerje krahu të ripërtërihej mes brezit të ri nën emrin e bukur “skënderbegë”, si tek fqinjët tanë rumunë, që e huazuan termin nga Barleti ynë dhe po me këtë term zhvillojnë edhe kampionate botërore të thyerjes së krahut.
Më në fund, mbështetur te historiani francez Eugène Müntz, ekspert i artit të Rilindjes italiane (në veprën e tij “Les arts à la Cour des Papes pendant le XVe et XVIe siècles, Zürich, New York, 1983 – Artet në Oborrin papal gjatë shekujve XV e XVI)”), vërejmë se gjatë pontifikatit të Palit II në vitet 1464-1471, mjeshtri i ndritur Simone di Giovanni nga Firenca, ushtronte funksionin e kontrollorit të arit të Vatikanit që përdorej nga arpunuesit apo argjendpunuesit e Papës dhe se ai bashkëpunonte ngushtë me mjeshtërin Paolo di Giordano nga Roma (që punoi tiarën e famshme të Palit II për të cilën folëm me lart), me artistët Emiliano De Foligno dhe Pietro Paolo, po nga Roma, të cilët gravuruan monedhën pontifikale të Palit II. Sakaq, studiuesi frëng na shfaq në tri emra të ndryshëm që mund të jenë një person i vetëm argjendpunuesin Nardo (Leonardo) Corbolini, (që del edhe me emrat Nardo Comballino e Nardo di Pietro di Domenico), i cili nxori nga duart e tij më 1465 vazon e purpurt për mbajtjen e ujit të bekuar në bazilikën e Shën Markut, si dhe artistët e tjerë Leonardo di Guidozo, Andrea di Niccolo de Viterbe, Meo de Flaviis nga Roma e Giacomo di Domenico. Tërë këta artistë që përbëjnë rrethin e ngushtë të arpunuesve të Vatikanit, u ngarkuan të punonin trëndafilat e artë të bekuar nga Papa (reliktet e shenjta) si dhe shpatat e nderit që u dhanë nga Pali II, konkretisht për perandorin Frederiku III, për Mathias Korvinin, Borso d’Esten dhe Henrin IV, mbret i Kastijës. Studiuesi frëng nuk përmend mes tyre emrin e Skënderbeut, që mori dhuratë nga Pali II shpatën ensis, duke qenë se vizita e tij në Vatikan i paraprin vizitave të bujshme të sovranëve të mësipërm. Por e sigurt është se në mesin e këtyre argjendpunuesve gjendet edhe emri i artistit që punoi “pilus-in dhe ensis-in” (përkrenaren dhe shpatën), dy dhuratat e Papa Palit II për Skënderbeun, siç shkruan kardinal Gonzaga në rolin e kronikanit, i pranishëm në pritjen e Skënderbeut në Vatikan. Dhe ndër këta artizanë, emri i mjeshtrit Nardo Corbolini, mjaft aktiv në Papat në vitin 1465, duhet të jetë artisti që ka punuar shpatën e tretë ensis të Skënderbeut dhe përkrenaren e tij me brirët e dhisë.
115 nxënës nga Lugina vizitojnë Kosovën






Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e mbështëti fuqishëm nismën e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, për organizimin institucional të eskursionit të nxënësve nga Presheva Metvegja dhe Bujanoci dhe shprehu gatishmërinë që nisma të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Njëkohësisht, Kryeministri Haradinaj kërkoi nga nxënësit që t’u bëjnë ftesë edhe bashkëmoshatarëve të tyre të të gjitha kombësive që ta viziojnë Kosovën bashkarisht.
“Në Kosovë bashkëndjej me ju, familjet e juaja, prindërit me të cilët jeta është jo aq e lehtë, për gjendjen ekonomike, të drejtat njerëzore por edhe kombëare, nevojat e përgjithshme të njerëzve tanë aty, njëkohësit për nxënësit, shkollën, vendbanimet. Rinia shqiptare, autoktone në trojet e veta, me vlera unike dhe paqedashës, do të kenë të ardhme prosperuese për të cilën është garancë orientimi ynë properëndimor dhe synimi për paqe e mirëkuptim me të gjithë popujt e rajonit”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri Haradinaj.
Organizatori i këtij eskursioni, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, falenderoi Kryeministrin Haradinaj që ia mundësoi ta realizojë premtimin e dhënë gjatë vizitës në Preshevë.
“Është nder i veçantë që në Qeverinë e Republikës së Kosovës të presim nxënës të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, si dhe të bëjnë një vizitë të tillë nëpër disa vende të Republikës së Kosovës. Shumë shpejt do të organizojmë një vizitë dy ditore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ku edhe do të shpalosim Programin Nacional për Rininë”, tha Koordinatori Hoti.
Hoti shprehu gatishmërinë që herave tjera vizita të tilla të bëhen edhe me nxënësit e shkollave fillore të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Gjatë këtij eskursioni, 115 nxënësit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit vizituan Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku edhe u njoftuan nga afër për historinë e Jasharajve. Pastaj, vizituan Qeverinë e Kosovës ku u pritën nga Kryeministri Haradinaj. Nxënësit patën mundësinë që të drekojnë në objektin e kryeministrisë, për të vazhduar pastaj në Parkun Arkeologjik në Ulpianë dhe në qytetin e Prizrenit.
*Per me shume fotografi shko ne Facebook(dielli vatra)
HISTORI-70 vjet nga Kryengritja e Zhapokikës








Nga Sadik Bejko*/
Kryengritja më e njohur e fundviteve ’40 të shekullit që shkoi, e ndodhur në Jug të Shqipërisë, njihet si Kryengritje e Zhapokikës për shkak të emrit të fshatit ku u zhvillua. Zhapokika është një fshat në Tepelenë. Ne përbërje kishte fshatarë dhe nga fshatrat Luftinjë e Kamçisht.
Më 20 shtator 1948 u formua çeta “Baba Shefqet”, për nder të klerikut bektashi të pushkatuar më 14 janar 1948. Flamuri i çetës ishte flamuri kombëtar pa yllin e kuq.
Më 28 shtator 1948 u zgjodh me votim komanda e çetës.Çeta i caktoi vetes si detyrë të lidhej me grupet e tjera antikomuniste derisa në Shqipëri të krijohej një qeveri nacionaliste demokratike.
Fshatarë kundër shtetit
Ca fshatarë në një rrebelim me armë kurrë nuk mund ta përmbysin shtetin, apo rendin kushtetues zotërues në një kohë të dhënë.
Por një kryengritje e ca fshatrave shqiptare kundër shtetit komunist ka ndodhur. Tashmë ajo përmendet, ka hyrë në literaturë si Kryengritja e Zhapokikës, 1948.
Historikisht, si të gjitha kryengritjet fshatare të natyrës a të tipit të saj, kryengritje të mëdha a të voglash qofshin, ato janë shtypur me gjak e me dhunë shembullore.
Kështu ka ndodhur dhe me kryengritjen e Zapokikës.
Parë nga kjo pikëpamje, të ngjan se fare naive dhe e pamend sa nuk ka të dytë ka qenë kjo kryengritje. Ashtu ka qenë. Rreth 25 fshatarëve të veshur keq, të ushqyer me bukë e domate, me ca pushkë e fishekë të ndryshkur, ua thotë truri se po të ngrihen, rrëzojnë shtetin. Po të ngrihen, përmbysin komunizmin për të sjellë në fuqi një rend demokratik.
Koha tregoi se kjo aventurë, kjo ndërmarrje e pamenduar dështoi keqaz.
Vetëm se tej epiteteve apo etiketimeve për të, ajo ka një përparësi. Kryengritja ka ndodhur, është një fakt historik i padyshimtë.
Të mëdhenjtë e botës në Jaltë a në Postdam kishin vendosur rendin e botës, por këta fshatarë nuk donin t’ia dinin për këtë, nuk donin t’ia dinin për të mëdhenjtë e planetit.
U ngritën dhe e thanë me armë se nuk e donin këtu komunizmin.
I thanë ‘jo’ kolektivizimit të pronës dhe të njeriut, i thanë ‘jo palirisë’, thanë ‘nuk duam që vajzat e djemtë tanë të modeloheshin e të përpunoheshin ideologjikisht. Duam të jemi me Perëndimin, jo me Lindjen”.
Një kryengritje si kjo i fton burrat nën armë, por realisht i ftoi ata që të përfundojnë të vdekur nën shtresat e dheut të tokës së tyre, apo të dergjeshin të prangosur në burgjet me punë të detyruar.Por ata njerëz në vitin 1948 kështu e donin, ata burra kështu e gjykuan.
Organizimi i kryengritjes
Rreth muajit gusht 1948 Xhemal Brahimi, një fshatar 30-vjeçar nga Zhapokika, merr takime me shumë të pakënaqur nga regjimi. Lidhjet e tij i kapërcejnë tre-katër rrethe të Jugut. Është mister se me kë është i lidhur në qendër. Në fshatin e tij dhe në ato përreth ai ka krijuar grupe të besuarish që mund ta ndjekin. Për të realizuar ngritjen me armë kundra regjimit ai bëri në fshahtësi disa mbledhje
Mbledhja e parë bëhet te Ledha e Madhe. Xhemal Brahimi ishte në Berat. Drejtimin e mbledhjes e bën Mehmet Yzeiri. Marrin pjesë pothuaj gjithë ata fshatarë të Zhapokikës që më pas rrëmbyen armët.
Burrat që dhanë fjalën për luftë, sigurojnë armë nga shokët e tjerë.
Fshatarët po ktheheshin në luftëtarë.
Ata mendojnë se kanë në krahë dhe çetën e Sulo Zaimit nga Allkomemaj. Major Sulo Zaimi kishte qenë oficer ushtarak nga koha e mbretërisë. Ca kohë qe oficer në Kosovë në vitet ’40. Ishte kunati i Xhemal Brahimit. Nga Gjykata e Lartë Ushtarake, që më pas e dënoi me njëzet vjet burg, cilësohet si nxitësi e frymëzuesi kryesor i rebelimit. E nxiti, por nuk mori pjesë në rrebelimin e Zhapokikës.
Mendojnë se kanë me vete dhe Demo Kason (Demir Allkushaj) nga Gllava, nga e njëjta krahinë. Ky, një oficer policie në lirim, me grupimin e tij të fshehtë nuk iu bashkua Zhapokikës. Grupi i tij u kap më pas dhe u ndëshkua me burg. Demo Kaso u arratis në Itali.
Mendojnë se në Mallakastër, në krahinën e Lopsit dhe në zonën e nahijes së Beratit kanë përkrahës me armë në dorë.
Mbledhja e dytë mbahet në Mëlovë. Flet Xhemal Brahimi që është mendja politike e grupit të Zhapokikës. U bën thirrje të bëhen ushtarë në luftën për demokraci.
Ky ka bërë disa takime në gjithë ata që e mbështesnin në rrethet fqinjë me Tepelenën, deri dhe në Tiranë. Ka korierë që mban lidhjet me këto pika.
Në Mëlovë mbledhja është e gjerë në pjesëmarrje. Vijnë dhe ata që e përkrahin dhe ata që japin fjalën se do jenë me grupin, por tërhiqen.
Xhemal Brahimi e merr fjalën në emër të partisë nacionaliste. Kjo parti, sipas tij, ka lidhje me ministra e anëtarë të lartë të Partisë në pushtet. Sipas tij, nëpunësit kryesorë të Tepelenës, ushtria e policia janë në mbështeteje të tyre. Mehmet Yzeiri e mbështet, por shton se dhe ushtria e Sazanit dhe diversantët e maleve dhe Abaz Ermenji e Muharrem Bajraktari janë në krah të tyre. Kabineti qeveritar ka rënë.
Atmosfera ndizet. Bëhen thirrje antikomuniste.
Vendoset të krijohet Çeta. Zgjidhet komanda me votim. Komandant Bajram Kamber Ahmataj, 59 vjeç. Sekretar politik Xhemal Brahimi. Mehmet Yzeiri-nënkomandant, Salo Kaso, Sefer Yzeiri anëtarë të shtabit. Bëhet betimi tradicional me nga 10 lekë të shkuara midis dy buzëve, të cilat më pas bëhen qiri në faltore. Formula: “Po tradhëtova, më pret plumbi kokës”.Krerët e çetës shkojnë në lagjen Keçerisht, në Zhapokikën e dytë. Në Keçerisht ua hapën dyert. I pritën si shpëtimtarë. U dhanë ushqim e strehë.Xhemali mban një mbledhje në lagjen Mukaj të Luftinjës. Mbledhja zgjati tri orë. Në mëngjes u bashkohen të tjerë burra me armë.
Kamçishti, përplasja e parë me policinë
Vijnë nga Kamçishti përkrahës që i ftojnë për t’u mbledhur në Kamçisht
Bëjnë mbledhje në vreshtin e Halil Sulos në Kamçisht. Ishte natë. Folën krerët e çetës për partinë nacionaliste, për rënien e qeverisë, për kryengritjet që kanë plasur gjithandej. Xhemal Brahimi fyen Partinë Komuniste, Bashkimin Sovjetik. I bëjnë thirrje Kamçishtit të rreshtohet me ata. Poshtë Komunizmi.
Realisht ishte një propagandë në erë, por njerëzit pëlqejnë, besojnë atë që ata dëshirojnë.
Mbledhja zgjati dy orë. Flasin për tatime të larta, për atë që janë lakuriq dhe të këputur. Qeveria është amorale, i mbledh djemtë e vajzat natën. I marrin me zor në konferenca, në hekurudhë.
Xhemal Brahimi u thotë se “do na kolektivizojnë edhe gratë. Se po na vrasin njerëzit e fesë”.
Ikin natën nga Kamçishti për në Kackë të Xhapokikës. Shkojnë në malin e Izvorit.
Ndërkohë policia i ishte drejtuar Kamçishtit. Kanë kapur dy nga shokët e tyre. Çeta kthehet në Kamçisht dhe sulmon policinë. Gani Kojdheli i merr armën nga duart një polici. Qëllojnë me bomba dore. Policia thyhet, tërhiqet. Kryengritësit i ndjekin policët e shpartalluar. Mbetet i vrarë shefi i Sigurimit për Tepelenën, toger Xhezo Makashi.
Marrin shokët e Kamçishtit dhe ngjiten në mal. Marrin me vete të lidhur dy fshatarë që i spiunuan. Nuk merret vendim për t’i vrarë, ndaj i lëshojnë.Datën 2 tetor çeta kaloi në malin e Rabijes. Kanë triumfuar mbi policinë. Këndojnë këngën e Çetës.
Të ndjekur këmba-këmbës
Për t’iu shmangur një përplasjeje të dytë me policinë, merret vendim që të nisen drejt malit të Rabijes.
Dikush nga Kamçishti këmbëngul: “O luftojmë e vdesim këtu, o unë kthehem në shtëpi”. Dhe u kthye.
Xhemal Brahimi dhe Beg Veizi shkuan në Allkomemaj te Sulo Zaimi.
Çeta ecën përroit dhe i pret në Levan. Sulo Zaimin e kanë arrestuar.
U ngjitën në malin e Rabijes. Atje flenë dhe rrinë gjithë datën 3. Të nesërmen te shkëmbi i Koçit.
Një bari nga Rabija u çon ujë. Kalojnë në Çocaj të Allkomemajt. Xhemal Brahimi dhe Mehmet Demua marrin bukë te fshatari Novruz. Muharrem Sulua u jep pak bukë, aq sa kishte me vete. Hanë bukë afër mëngjesit. Këtu në Çoçaj i rrethon policia që i ndjek këmba-këmbës. Qëllojnë në drejtim të tyre në tërheqje e sipër. I sprapsin me armë dhe bomba. Ka dëshmi jo të saktësuara se aty u vra një nga forcat e ndjekjes.
Forcat e ndjekjes nga Tepelena dhe ato të Beratit, të drejtuara nga toger Sulo Gradeci, përbëheshin nga ushtarë dhe policë.
Janë kapur nga policia ata që i kishin lënë me detyrën e prapavijës, për t’i furnizuar me ushqim dhe me informacion. Janë rrethuar nga policia shtëpitë që do të ishin baza për strehim dhe për mbështetje me armë e njerëz. Janë arrestuar korierët.
Mbas përplasjes me armë në Çoçaj, çeta ulet në përruan e Çërrilës ku pushojnë rreth dy orë.
Marrin drejtimin për nga Plashnikut i Beratit, ku mendojnë se kanë një bazë të sigurt.
Të vetmuar, të ndjekur. Pa ushqim. Ka filluar demoralizimi. Ndahen të lëkundurit nga trimat. Dëgjohen shprehjet “sikur nuk e kishim kështu”. Propagandës së Xhemalit se “i presin çeta ngado, se ka rënë qeveria, se ushtria dhe nëpunësit e shtetit janë me ata, se do vijnë ndihma nga jashtë…” nuk i besojnë më.Të zhgënjyer, shkëmbejnë fjalë të serta. Antikomunistët e bindur mblidhen rreth shtabit të çetës. Kjo bërthamë e të betuarve përmbledh të tjerët.
Dezertimet
Tre kamçishtjotët Gani Kojdheli, Halil Sulua dhe Selfo Xhemali natën e 5 tetorit, pasi ndjekin çetën rreth një orë, ndahen praj saj, sapo hyjnë në një pyll. Kthehen nga erdhën. Ditën fshihen, në mbrëmje afrohen në një korije pranë lagjes Bardhaj të Allkomemajt. Aty gdhihen e ngrysen një natë e një ditë. Në datën 7 tetor ndjekin shtigjet përfund Allkomemajt, Levanit, Xhaxhajt deri te një pyll ndanë Kamçishtit. Data 8 tetor në pyll. Në mbrëmje Selfua hyn në fshat, merr bukë dhe kthehet. Aty e shtyjnë edhe datën 9 tetor. Në mbrëmje marrin bukë në shtëpitë e tyre dhe flenë te Halili. Në datën 10 fshati Kamçisht gdhihet i rrethuar. Dorëzohen Ganiu dhe Selfua, Halili vret veten (ose e vrasin në shtëpinë e tij, sipas një dëshmije tjetër).
Plashniku, fundi i arratisë
Që nga dita kur major Sulo Zaimi nuk u bashkua me çetën, hyri grindja. Dhe Sulon na e morën. Si do të vazhdojmë tani? Xhemali mendon të shkojnë në Skrapar, ku ishte Dilaver Çorrogjafi, një ‘diversant i regjur’.
Ku janë ata nga jashtë që do të na hidhnin armë?
Çeta merr drejtimin për në Osmënzezë. Pas kamçishtiotëve, ndahet nga çeta dhe Mehmet Demo.
Në përruan e Plashnikut, në Velemen, pylli i koçimares së Plashnikut. Drejtohen për bukë te shtëpia e mikut, që ishte përkrahës dhe bazë e tyre, te Skënder Aliko. E kanë arrestuar.
Shtigjet janë zënë nga forcat e ndjekjes.
Tatëpjeta, shpartallimi
Kthehen pas. Diku hanë rrush, diku pinë ujë. Në fshatin Zhapokikë të Beratit gjejnë ushqim. Duan të shkojnë te pylli i Zagonit, por gdhihet. Ndodhen në Gllavë. Janë me shpirt ndër dhëmbë.
Në Shkozë të Gllavës ndeshen ballas me policinë.
Është data 8 tetor 1948.
Shaqo Muçodemaj, Sefer Yzeiri, Mehmet Yzeiri, Salo Kaso, Xhemal Brahimi (të betuarit) luftuan deri sa i hodhën gjithë bombat, i zbrazin gjithë fishekët që kishin me vete.
Mehmet Yzeiri dhe Salo Kaso mbetën të vrarë. Dy policë mbetën të vrarë.
Çeta përfundimisht shpartallohet.
Disa u fshehën, deri sa u kapën. Të tjerë shkuan në shtëpitë e tyre ku i prisnin forcat e ndjekjes. Disa u vetëdorëzuan. Shaqo Limja e Sefer Yzeiri iu fshehën policisë për disa muaj.
Komandant Bajram Kamber Ahmataj, ish-xhandari 60-vjeçar, e zgjati arratinë nëpër stane e pyje deri në janar 1949. U kap i fundit, u kap në befasi në fshatin Malëshovë të Përmetit.Vëllai i tij Safet Kamberi u vra në kufi, tek po arratisej.
Xhemal Brahim Asllani
Xhemal Brahimi u arratis. Ai u stërvit në kampet e perëndimorëve dhe u desantua në Shqipëri, hyri dhe doli disa here deri më 1960. Fëmijtë dhe gruaja e tij u internuan në Tepelenë, më pas në Lushnje. Dy djemtë bënë burg. U liruan më 1991. Vdiqën shpejt. E shoqja, Sambretja, me të cilën Xhemali pati dhe një vajzë që lindi në internim në Lushnjë më vitet ‘50, jetoi më gjatë.
Xhemali pati fëmijë nga martesa e dytë në SHBA. Vdiq i alkolizuar me brengën për familjen që në Shqipëri vazhdonte të ndëshkohej për llogari të tij.
Dosja e tij formulare mund të na sjellë të dhëna të tjera.
Procesi gjyqësor
Gjyqi u zhvillua në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës. Gjyqtarët Llazi Polena, Arqile Toska dhe Hamit Bilbili me prokuror Mustafa Beqon dhanë vendimin nr.24, datë 14.5.1949. Akuzoheshin se në shtator – tetor 1948 “kanë formuar bandë të armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor”, se kishin marrë pjesë në luftime kundër forcave të regjimit, se kishin vrarë dy policë dhe shefin e seksionit të Sigurimit Xhezo Makashi dhe se kishin lidhur e dashur të vrisnin dy fshatarë”. Për të gjithë urdhërohej dënimi me punë të detyruar, konfiskimi i pasurisë si dhe heqja përkohësisht e të drejtës së zgjedhjes. Dënimet mbështeteshin në ligjin nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kontra popullit dhe shtetit”.
Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë prej Bilbil Klosit, Sotir Spiros dhe Nonda Papulit, me prokuror Bexhet Memën, me vendimin nr.77, datë 6.7.1949 (për dënimet me heqje lirie) la përgjithësisht në fuqi ndëshkimet e gjykatës së Gjirokastrës. Gjykata e Lartë nuk ua vë në ngarkim të dënuarve vrasjen e toger Xhezo Makashit, shefi i Sigurimit Tepelenë.
U dhanë këto dënime:
1-Bajram Ahmetaj, vjeç 59, arrestuar më 4.1.1949, me vdekje.
2-Sefer Yzeri, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1949, me vdekje. I falet jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Bëri 33 vjet burg, vdiq i uritur, i vetmuar në një kasolle.
3-Shaqo Muçoderraj, vjeç 29, arrestuar më 16.10.1948, me 20 vjet burg.
4-Xhemal Asllani, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 15 vjet burg.
5-Xhemal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
6-Mete Didi, vjeç 36, arrestuar më 19.10.1948, me 15 vjet burg.
7-Balil Veliu, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 15 vjet burg.
8-Xhelal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
9-Gani Kodheli, vjeç 36, arrestuar më 16.10.1948, me 12 (5) vjet burg.
10-Mehmet Mupoderraj, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 12 (5) vjet burg.
11-Hajri Mahmutaj, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 12 (6) vjet burg, vdes ne burg pas 11 vitesh.
12-Selfo Xhemali, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
13-Beg Veizi, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.
14-Nuredin Rrodhaj, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.
15-Hajredin Alushi, vjeç 33, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
16-Mehmet Kalemaj, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
17-Teme Pajo, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 3 vjet burg.
18-Shefqet Didi, vjeç 19, arrestuar më 16.10.1948, me 3 vjet burg.
19-Seit Çaushaj, vjeç 34, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.
20-Jashar Canaj, vjeç 44, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.
21-Maliq Didi, vjeç 57, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
22-Demo Aliu, vjeç 45, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
23-Riza Çaushi, vjeç 49, arrestuar më 10.10.1948, me 2 (1) vjet burg. Ky arratiset jo me çetën por i vetëm me armë fshihet larg fshatit në një pyll. Kish dhënë fjalën të jetë ne çetën, por nuk shkon me ata. Dorëzohet vetë më 10.10.1948 në Tepelenë.
24-Mufit Islami, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
25-Adem Memaj, vjeç 21, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet (2) burg. U ridënua, bëri 33 vjet burg.
Shifrat e viteteve në kllapa () janë dënimet përfundimtare dhënë nga Gjykata e Lartë.
Kryengritës të vrarë
Mehmet Yzeiri Selaj (në përpjekje me policinë në Gllavë, 10 tetor 1948).
Salo Kaso Didaj, në përpjekje me policinë 10 tetor 1948.
Safet Kamber Ahmataj, vritet në kufi.
Halil Sulo, vritet nga policia në shtëpinë e tij Kamçisht. Sipas dëshmisë së Gani Kojdhelit në gjyq Halil Sulo ka vrarë veten, kur u kthyen nga arratia në fshatin Kamçisht.
Më 21.7.1949 u krye ekzekutimi i dënimit me vdekje i të dënuarit Bajram Kamber Ahmetaj. Ai thotë: “Për toger Xhezo Makashin, dëgjova rojet e burgut të thoshin e vrau kush e vrau, u mbeti këtyre”. Bajrami kërkoi që pushteti të mos hakmerrej mbi fëmijët e tyre, që kufomën e tij mundësisht t’ia çonin familjes… E mbylli jetën me fjalët “Rroftë Shqipëria”.Shefi i sigurimit të Tepelenës, Xhezo Makashi (1920-1948) me vendimin nr.65, datë 2.10.1971, u shpall dëshmor.
Kjo është një kryengritje e fshatarëve të varfër
Ja cilat ishin ato që quhen logjistikë, si depo rezervë, fuqi financiare, buxhet mbështetës për çetën.
Në gjithë udhëtimin e saj çeta mbante me vete një mitroloz pa gjilpërë që nuk u zbraz kurrë.
Nga dosjet vijnë dhe këto fakte mbi atë se ç’fuqi ekonomike kishte çeta më 2 tetor 1948 kur u nis në luftë:
Hëngrëm bukë e dhallë te Zeneli.
Xhelal Rizai solli bukë dhe një gavetë mjaltë. M. Yzeiri hëngri petulla që i solli Sefer Yzeiri, vëllai.
Te Muharrem Mehmeti morëm bukë e dhallë.
Musa Qazimi ka prurë një gavetë mjaltë.
Te Halili Sulua morëm bukë e duhan.
Shaip Sulos i morëm bukë thatë, i dhamë 1000 lekë.
Hajdar Rustemi dha bukë dhe një torbë me domate.
Te Hajredin Alushi bukë e domate.
E shoqja e Zane Abazit na ka dhënë një trastë me bajame kur kemi qenë në pyllin e Zagonit.
Një mulli dha tre trasta me bukë dhe një batanije. Barinjtë jepnin bukë e duhan. Djali i Sefer Yzeirit dha në shportë rrush.
Ibrahim Jonuzi nuk erdhi me ne se nuk kishte pushkë.
Shaqua e bleu pushkën 6 napolona.
Me këtë fuqi ekonomike çeta e uritur dhe me frymë të rënduar i mbylli ditët e saj me armë, me luftë.
Pastaj… vite e vite burg.
Qenë njerëz që besonin në atë që ishin, në atë që donin. Jo në gjë tjetër. Dhe i paguan me kokë, me burg bindjet e tyre.
Për të tillët gjithmonë do të ketë vetëm respekt.
* E dergoi per Diellin gazetari Cerciz Loloci





