• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE SHQIPERI MUNGON SHOQENIA CIVILE AKTIVE

September 30, 2018 by dgreca

2 Sami-Repishti

  Shkruan: Sami Repishti*/

Ridgefield.CT.- Me shumë përpjekje, informohem mbi gjendjen dhe zhvillimin e atdheut shqiptar nga lajmet e marruna prej vizitorëvet të shpeshtë shqiptarë, por kryesisht nga shtypi. Kjo nuk mjafton! Për këte mangësi me karakter objektiv, unë kerkoj falje, sepse në mënyrë të paevitueshme krijohet mundësia e gabimit.

Pse shkruej? Shkruej, sepse e due Shqipërinë, dhe vuej!

Vuej nga ajo që ndigjoj, vuej nga ajo që lexoj! Vuej sepse nuk ndigjoj zanin e matun dhe të arsyeshëm të shoqënisë civile që karaktarizon çdo vend të qytetnuem. Shkruej sepse shoh në këte heshtje dekurajimin e përgjithëshëm, dhe mospjesëmarrjen në proceset demokratike, konditë esenciale për demokracinë. Por ndigjoj kudo zanin e zemrimit, pakënaqsisë, dhe  të deshprimit!

E ndigjoj kudo këte za të mbrapshtë: në Kuvend, në shtyp, në transmetimet televizive, në rrugë, në shkollë dhe në fqinjtë që shumë herë nuk flasin njeni me tjetrin, sepse nuk mbajnë kontakt. E ndigjoj nga zyrtarët, nga udhëheqsit politikë të të gjitha partive politike dhe organizatave qeveritare. Toni ashtë i ashpër dhe ultësia e shprehjes, nji rrugaçëri e shkallës së fundit (ndigjoni diskutimet ,qe veç diskutime nuk jane, në Kuvend!) E ndigjoj nga familjet që vuejnë për bukën e gojës, dhe nga katundet që po zbrazen nga të rinjtë që kërkojnë nji rrugëdalje në emigracion. Ndigjoj këte za që thrret në shkretinën shqiptare, pa zemër, pa mend , e vuej!

Nji vizitor amerikan që posa u kthye nga Shqipëria dhe Kosova, shkruente:”Pakënaqsitë janë të përgjithëshme, dhe të theksuara. Duke filluar nga kamerierët, shoferët e taksive, e deri tek pronarët në gjendje të mirë ekonomike, por sidomos të rinjtë dhe të rejat janë me të shgënjyrët dhe shohin emigrimin si të vetmen alternativë….Pakënaqsia në rradhët e shqiptarve ndaj zhvillimeve në vend, kudo në trojet shqiptare nuk përcaktohet nga mbështetja që ata mund të kenë për një parti ose për një tjetër…”.

Pakënaqsia ashtë e përgjithëshme në nji kohë kur  Shqipëria ashtë zhytë në nji konflikt politik, objektivi i të cilit ashtë shkatërrimi i kundërshtarit, jo shpëtimi i atdheut nga vorfënia dërmuese dhe nga frika e bandave….!

Këto ditët e fundit, duket se edhe “shteti” ashtë i frikësuem nga bandat kriminele dhe drogistët me shumicë. Simbas shtypit vendas, ka kaos në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Prokurori i çeshtjes merr “leje të gjatë” për “arsye shëndetsore”. Dhjetë prokurorë të tjerë kan evitue marrjen e përgjegjsisë nga frika e bandave, dhe po u nënshtrohen “një hetimi disiplinor”, njofton “Zëri i Amerikës”. Ashtë nji opinion i perhapun se gjykatësit janë disa nga personat ma të korruptuem, prandej mbas vitit 1990, ata u vuen në sherbim të mshehtë ndaj ish Sigurimit të Shtetit në veprimtarinë e tij për të pengue vendin dhe çdo veprim demokratik të udhëheqjes së re të ardhun në fuqi me 1992.

Në opinionin publik ashtë formue bindja se baza e nji kaosi të këtill ashtë frika nga bandat, dhe korrupsioni që pothuejse ashtë zyrtarizue. Trafiku masiv i drogës, krimi i organizuem, shkatërrimi i administratës publike, ngecja në reformën për drejtësi, dhe ate të zgjedhjeve vendore dhe kombëtare, kerkojnë ndërhymjen energjike të autoritevet të rendit publik dhe reagimin e fortë të shoqënisë civile shqiptare KJo ashtë dëshpruese; heshtja që mbahet për arsye të ndryshme rrezikon vdekjen e shoqënisë civile shqiptare, shpresën e funidt të ringjalljes sonë. Kjo formë heshtje masive na kujton thanjen e diktatorit fashist: “Sot, detyra e nji Italjani të mirë  ashte mospasja e nji opinioni”. (Mussolini)

Procesi i vettingut në drejtësi ka verifikue vetëm 57 gjykatës nga nji numër prej 800 syresh, tue meritue kritiken e ardhun nga Gjermania, Franca, e Holanda, vende kyçe të Bashkimit Europian. Para nji gjendje të këtill, në qoftë se zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen simbas ligjit të vjetër zgjedhor, në përgjithësi nuk shihet asnji shans real për hapjen e negociatave për anëtarsim në BE në vitet e ardhme.

Sepse sistemi zgjedhor në Shqipëri që nga viti 2005, ashtë formue simbas dëshirave të dy partive kryesore të vendit, Akoma ma keq: ai përfaqson pushtetin e plotë të udhëheqësve partiakë, dhe mohon zgjedhjen e lirë të kandidatëve direkt nga populli, ashtu si premton Kushtetuta. Sistemi i sotëm ashtë illegal në substancë dhe imoral në formen e tij. Ai duhet ndryshue menjiherë!

Pak ditë ma parë, Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj politikë përcaktuen kërkesat e tyne:”… për nji dekriminalizim të plotë të strukturave qeveritare nepërmjet të nji procesi të vettingut të të gjithë politikanëve të shoqënuem me krimin, për “çlirimin” e sistemit gjyqsor nga kthetrat e (KM) Rama, për zgjedhje të lira e të nderëshme, dhe për nji ekonomi të çlirueme nga presionet e monopoleve, oligarkëve, dhe korrupsionit qeveritar”, simbas shtypit shqiptar. Për habinë e të gjithëve, KM Rama pranoi me zgjanue rrjetin e vettingut tue përfshi të gjithë politikanët dhe zyrtarët e naltë të Qeverisë, dhe shtoi se ai ishte gati me bashkëpunue me opozitën me qellim që të përmirësohet jeta e qytetarëve në vend. Dhe, gjithçka përfundoi në dosje! Akuzat dhe kunderakuzat vazhdojnë.

Çdo përpjekje që shqiptarët do të bajnë me ndertue nji të ardhme premtuese duhet të filloj me bisedime të ndershme mbi të kaluemen e me pastrimin e atmosferës helmuese që shkatërron gjithçka. Sot Shqipëria përballet me nji fenomen të paparashikuem, por shumë damtues. Ashte aftësia e ish komunistëve me u kthye në pushtet mbas disfatës së vitit 1991, pa u gjykue për krimet e së kaluemes. Të pasunuem me grabitjen e pamëshirë të pasunive shtetnore gjatë ditëvet të fundit të kolapsit komunist, dhe me eksperiencë të fitueme në lamin politik të demokracisë, këta kameleonë pa ndërgjegje janë transformue sot me ndjenjën e nji narcisizmi, të bindun se Shqipëria u takon atyne, dhe vetem atyne, dhe me nji mendjemadhësi (“hubris”) të cilën ata janë kryenaltë me e shpalosë në jetën e tyne të përditëshme dhe me suksesin e femijëve të tyne në pozitat kyçe te Adminsitrates. Shqipëria në vitin 1944,, shkruente nji vrejtues i vemendshëm, zevendsoi nji okupacion të huej me nji tirani vendëse që ngriti urrejtjen në mes të qytetarëve në sistem, dhe pruni degjenerimin e mbrendshëm të vetë politikës dhe pushtetit. Këtu ka burimin degjenerimi i sotëm.

Jo kështu në botën e qytetnueme! Në vitin 1977, me qellim të simbolizimit të kalimit në demokraci, Spanja deklaroi nji amnesti për krimet e kryeme gjatë luftës civile (1935-38). Por jo të gjithë e pranuen këte akt!. Gjykatësi i njohun spanjol. Senor Garzon, e kundërshtoi, me këte argument:“Simbas ligjit ndërkombëtar, nuk mund të shpallet nji amnesti për krimet kundër njerëzimit, sepse zhdukjet e viktimave – me mijëra tani akoma në gropat e pazbulueme – përfaqësojnë vazhdimësinë e krimit të kryem”.

Komunizmi në Shqiperi ka qenë, dhe mbetet, nji krim kunder njerëzimit, nji fakt kokëfortë që duhet të pranojmë!

Shqipëria vazhdon me vuejtë sepse ka akoma diferencat e saj politike, tribalistike, fetare, dhe krahinore, ndoshta edhe ma shumë se vendet tjera për rreth . Akoma edhe ma me randësi, Shqipëria nuk e mësoj kurr sa duhet randësinë e mjanimit të këtyne diferencave dhe me u përqendrue në ndertimin e bazave solide për nji komb zot i vetes, paqësor dhe punëtor, me tregëti, e superstrukturë të mirë, kapital njerëzor të shëndosh, dhe veçanërisht respekt për shtetin ligjor e marrëdhanje miqësore me të gjithë, tue krijue kështu konditat me qene nji vend i lirë nga frika dhe i lirë nga uria.

Shqipëria duhet të mësojë e të siguroje për popullsinë e saj instrumentet që plotësojnë potencialin e kësaj popullsie.

*******

Sot, nuk mund të kthejmë mbrapa vitet e humbuna me praktika e programe zhvillimi të gabueme. Sot, na mundemi me reflektue dhe me përfitue nga gabimet e së kaluemes tue mos i përsëritë. Sot, na mundemi me rindertue vendin tonë me mënyra të reja, praktika dhe programe të reja. Sot kemi mundesi me i tregue, vetes dhe botës mbar, se vlerësojmë si duhet peshën e randë të gabimeve tona dhe meritojmë  mirëbesimin publik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Integriteti moral dhe aftësia e jonë profesionale – me ndërtue nji shtet ku popullsia të jetë në gjendje me jetue e lirë dhe pa frikën e papunësisë dhe vorfënisë që ajo sjellë- janë në balancë.

Seria e gjatë e dështimeve politike të njimbasnjishme duhet ndërpre. Kemi nevojë për nji sukses real, jo fiktiv, jo slogane propagandistike e formula të mbështjelluna në ideologji të falimentueme, ose të pavertetueme. Me thjeshtësin e nji filloristi kemi nevojë për paqë e bukë në nji Shqipëri të lirë! As ma shumë, as ma pak!

Frika e vorfënia kane lodhë të gjithë.  Duhet të lirohemi nga ato, njiherë e përgjithëmonë. Ky duhet të jetë angazhimi i jonë, i të gjithëve, i dy “gjysmave politike” që përbajnë nji të tanë: shoqëninë tonë shqiptare. E ardhmja e jonë ashtë në balancë: të mbijetojmë të gjithë pa asnji dallim, ose të përfundojmë të gjithë me turp në oqeanin e harresës!

Sot, na duhet riformimi i nji koshience kombëtare kolektive me sensitivitet të ngritun për llogari-dhanje – konditë esenciale për demokratizim!- që nga rradhët ma të ulëta të strukturës shtetnore deri në kulmin e Administratës. Na duhet manifestimi i nji kuptimi ma të mirë të mungesës së kësaj llogari-dhanje si nji smundje shoqënore e jona e cila pret përgjigjen tonë sot, e jo nesër!

Na duhen ekspertët që i kanë kushtue djersë e studime njohjes së situatës së krijueme, dhe që kanë vullnetin me e përmiresue me çdo kusht. Mjeku nuk reparon maqinat; as mekaniku nuk sherben në spitale. Na duhen mendje të ndrituna që nuk “ndezen” nga flaka e propagandës partiake, as nuk “ftohen” nga dështimi i përpjekjeve t sinqerta, mendje të qendrueshme nen presion, dhe të afta me veprue pa u dekurajue nga mospërfillja e mosmirënjohja. Na duhen kuadro të pjekuna dhe me pervojë të njimendtë, pavarësisht nga bindjet dhe orientimet e tyne personale idelogjike; teknologjia dhe eksperienca afariste nuk kanë parti. Ata kanë njohunitë e domosdoshme. Nuk ashtë e nevojshme të jeshë socialist ose demokrat kur bahet fjalë për sherbim ndaj Shqipërisë. Mjafton të jeshë njeri i ndershëm dhe shqiptar i kushtuem.

Na duhet planifikimi dhe fillimi i nji procesi të drejtë, neutral, e të sajuem me shumë kujdes; hollësitë e ktij procesi që përjashton “aktin  spontan”, duhet të përgatiten me qellim sherbimi planit të përgjithëshëm të zhvillimit të balancuem të vendit, e jo kapriçeve të “udhëheqësve” që frymëzohen me veprue nga hopet e “stinëve elektorale”, e që përfundojnë në rrenimin e mijëra jetëve te pafajshme qytetarësh të denuem me vuejtje, në vorfeni e papunësi afatgjata.

Në situata të këtilla, interesi i përgjithëshëm kërkon integritet moral nga të gjithë me qellim që, së bashku, të luftojmë korrupsionin e krimin e organizuem që bren shëndetin e shoqënisë sonë. Kryesisht, na duhet të sigurojmë konditat për nji sistem gjyqsor që vepron me legjitimitet, e jo për interesa personale ose partiake që damtojnë shoqëninë tonë shqiptare. Dhe kjo arrihet me kuadro profesionale dhe të ndërgjegjëshme kombëtare.

Miqtë tonë ndërkombëtarë na këshillojnë; na duhet të ndigjojmë. Por puna kryehet, dhe duhet te kryehet nga ne, me mendjen dhe krahët tonë, punë dinjitoze që na mbushë me krenari. Mos të harrojmë se vetëm puna e kryeme me djersë ashtë ndershmëni!

Pa qellim dramatizimi, unë e shikoj Shqipërinë si nji vend në udhëtim të gjatë, sot në nji udhëkryq. Nga larg, unë ndigjoj vetëm britma e jo zane të qetësuem, grindje dhe jo bashkëpunim, nepotizëm ekstrem dhe jo profesionalizëm, akte spontane dhe jo vendime të marruna nga ekspertët, partizani politike e jo sherbim për atdheun, grupime elementësh me interesa personale që afrohen të tërhequn nga përfitimet vetiake, jo grupime teknikësh të grumulluem me sherbye interesat e popullsisë, sidomos të atyne zonave ku mbrapambetja ashtë literalisht  mbytëse….!

Jemi para nji momenti historik vendimtar!

Strategjia e deritashme e zhvillimit ekonomik dhe rindertimit të nji shoqënie shqiptare të çlirueme nga ankthi i diktaturës së kuqe nuk dha frytet e duhuna. Tendenca me fajësue të kaluemen komuniste ka humbë peshën e madhe politike të dekadës së parë, si rrjedhim i konfuzionitpolitik, korrupsionit moral dhe ekonomik, dhe krimit të organizuem. Status quo që jetojmë sot dermon vendin me vorfëni e mungesë shprese. Ajo ashte ba e padurueshme për të gjithë –perveç spekulatorëve dhe drogistëve që gjinden kudo.

Autoriteti moral e ligjor i Administratës duhet të rifitojë respektin dhe bindjen qytetare që në kondita të përshtatshme, e meriton. Sabotimi i vazhdueshem i Kuvendit nga nji parti ose nji tjeter nuk ndihmon dhe ashtë nji papërgjegjsi ndaj votuesve që presin zgjidhje të problemeve jetësore. Nuk fitohet gja nga kaosi i gjithanëshëm, thirrjet për rrëzimin e qeverisë pa votime,(ose me votime te vjedhuna si ma pare!), demonstratat e panevojshme, mos respektimi i ligjit, mospjesëmarrja në votime, mos pagimi i taksave të arsyeshme, dhe nga përvetësimi i pasunisë së paligjëshme.

Akoma sot, tri dekada mbas shkërmosjes së murtajës komuniste në Shqipëri, mijëra qytetarë e katundarë shqiptarë, nuk janë në gjendje me riposedue pasunitë e tyne të grabituna gjate 45 vjetëve të diktaturës, e vërdallen nga nji zyrë në tjetrën nga nëpunës të korruptuem që zbatojnë akoma “porositë e shokut Ramiz” për krijimin e nji atmosfere të përgjithëshme pakënaqsishë në vend- me gjithë ndërhymjet e institucioneve europiane…..në nji vend që shpreson hymjen në Europë!

Autorja anglo-italiane, Iris Origo, në nji libër mbi jetën nen fashizëm gjatë L2B, shkruen: ”A ka mundësi me hjedhë nji popull në luftë kundër traditave të tia historike, kundër instinkteve të tia natyrale, dhe kundër karakterit të shumicës së banorëve të vendit dhe me shumë mundësi edhe kundër interesave të vetë atij populli? Siç duket (nga ekspeprienca) ka mundësi!”

Kjo ashte pyetja e ime sot rreth tragjedisë gjysëm shekullore komuniste në Shqipëri: si ka qenë e mundun? Ashte akoma e mundun?

Dhe përgjigja duhet të jetë: “Na nuk mund të lejojmë nji pakicë zhurmëmadhe me mashtrue përsëri shumicën e katër milionë shqiptarëve !” Kjo ashtë detyrë qytetare për nji shoqëni civile të aktivizueme.

——————————————————————————————–

  • Autori ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mungon, ne Shqiperi, Sami repishti, Shoqeria civile aktive

Taktikat e gabuara tё Thaҁit ….

September 30, 2018 by dgreca

…si komprometim i strategjisё sё drejtё tё Kosovёs/

Islam-Lauka-aaaaaaaaa-300x225Nga Dr. Islam LAUKA */

Hashim Thaҁi u pёrpoq dy herё pёr ndryshimin e statukuosё nё Kosovё. Herёn e parё, kur si udhёheqёs politik I UҪK-sё, pёrcaktoi drejt strategjinё e saj – mbrojtjen e popullsisё nga makineria ushtarako-policore serbe dhe ҁlirimin e Kosovёs, natyrisht, me ndihmёn e NATO-s, si dhe taktikёn e duhur pёr realizmin e kёsaj strategjie – luftёn guerile. Strategjia dhe taktika e UҪK-sё iu bёnё tё qarta popullit dhe ai e mbёshteti, pa rezervё, atё. Eshtё fakt i pranuar, gjerёsisht, qё lufta guerile e UҪK-sё ishte ndёr mё tё suksesshmet nё historinё e luftёrave tё ksaj natyre. Ajo u dёshmoi miqve tanё qё shqiptarёt e Kosovёs jane gati tё vdesin pёr lirinё e tyre dhe ata nuk na lanё vetёm nё kёtё kauzё. Nё pranverё tё vitit 1999, NATO sulmoi ish-Jugosllavinё dhe Kosova u ҁlirua nga pushtuesi serb. Hashim Thaҁi hyri nё Prishtinё si fitues dhe kёtё fitore ai e shfrytezoi me mjeshtёri pёr tё hipur nё pushtet.

Hera e dytё qё Thaҁi po pёrpiqet pёr ndryshimin e statukuosё nё Kosovё ёshtё tani. Kёtё radhё, pёr tё qёndruar nё pushtet. Ashtu si nё rastin e parё, objektivi strategjik i Kosovёs, i pёrcaktuar nga parlamenti dhe gjjithё forcat politike dhe intelektuale tё vendit, ёshtё i qartё – konsolidimi i subjektivitetit ndёrkombёtar tё Kosovёs. Ky objektiv gёzon mbёshtjetje tё gjerё politike dhe shoqёrore, nё vend.

Tё gjithё jemi tё vetёdijshёm qё procesi i njohjeve tё reja ka ngecur, qё anёtarёsimi i Kosovёs nё organizata ndёrkombёtare ёshtё bllokuar dhe se vazhdimi i mёtejshёm i kёsaj situate dёmton interesat tona shtetёrore, aktuale, por edhe ato afatgjata. Ajo qё nuk shkon tani, duket se ёshtё taktitka e gabuar qё Thaҁi ka zgjedhur pёr sendёrtimin e njё objektivi tё saktё strategjik, sic ёshtё ai pёr forcimin e subjektivitetit ndёrkombёtar tё Kosovёs. Siҁ dihet, para disa muajsh, ai vendosi, individualisht, qё nё axhendёn e bisedimeve me Serbinё tё fusё ҁёshtjen e korrigjimit tё kufijve, qё, sipas tij, do tё bёjё tё mundur njohjen e Kosovёs nga Beogradi dhe nёnshkrimin prej tij tё marrёveshjes me Kosovoёn, ligjёrisht tё detyrueshme.

Duke qenё se kёtё vendim ai e mori pa u konsultuar me faktorёt politikё tё koalicionit qeveritar a tё opozitёs dhe pa dhёnё sqarime nё kuvend, as nё opinionin publik se ҁfarё kupton ai me termin “korrigjim kufiri” dhe si do ta zbatojё atё praktikisht, nuk ka se si vendimmarrja e tij e njёanshme tё gёzojё mbёshtetje politike e shoqёrore. Ai ka pretenduar se gёzon mbёshtetjen e 80% tё qytetarёve tё vendit, por njё hulumtim i kёtyre ditёve i Institutit Demokratik tё Kosovёs, dёshmoi tё kundёrtёn, vetёm 11% e mbёshtesin idenё e tij, ndёrsa 77.6% janё kundёr.

Pas kthimit nga njё vizitё qё shihet si e dёshtuar nё SHBA, Presidenti Thaҁi nuk po flet me nervin e mёparshёm rreth idesё sё tij pёr korrigjimin e kufirit. Megjithatё, nё shkrimet autoriale dhe konferencat e shtypit, ai pёrmendi tre elementё tё kёsaj ideje: se pari, Thaҁi deklaroi se mori mbёshtjetjen e Uashingtonit pёr demarkimin e kufirit, apo siҁ u shpreh ai, pёr “korrigjimin e lehtё tё kufijve mes Kosovёs dhe Serbisё”. Sё dyti, ai siguroi se Kosova ka qenё dhe do tё mbetet njё rast sui generis. Sё treti, tha se bashkёbiseduesve u ka bёrё tё njohur vullnetin politik tё udhqёheqёsve tё komunave tё Preshevёs, Medvegjёs dhe Bujanocit pёr tu bashkuar me Kosovёn.

Nё tё tre rastet, Thaҁi dёshmoi atё qё ka dёshmuar, qёkur doli me tezёn e korrigjimit tё kufirit – mungesёn e plotё tё transparencёs e llogaridhёnies, shpesh, edhe mungesёn e tё kuptuarit, drejt, tё proceseve historike, nёpёr tё cilat ka kaluar Kosova. Ashtu siҁ nuk e bёri kurrё tё qartё se ҁfarё do tё “korrigjojё” Serbia, nё kёmbim tё, gjoja, bashkimit tё Luginёs sё Preshevёs me Kosovёn, as kёtё radhё, nuk shpjegoi se ҁfarё do tё thotё “korrigjim i lehtё”. Ҫfarё ndodhi qё nocioni i tij i “korrigjimit tё kufijve” a kёmbimit tё territoreve, u lehtёsua? Duket se nё Uashington, Presidneti Thaҁi ёshtё kthjelluar dhe ka kuptuar se nuk e ka mbёshtetjen e jashtme qё ai ka pretenduar pёr ndryshimin e kufijve. Ai duhet tё jetё vetёdijёsuar qё Presidenti Tramp nuk e ka kund nё defterёt e tij Kosovёn, jo e jo, por as Ballkanin. Kur ai u thotё aleatёve tё vjetёr tё Amerikёs, Gjermanisё dhe Francёs, mjaft mё, pa biletё nuk mund tё udhёtohet, apo se nuk ka mё djathё pa pare, nё kuptimin qё pёr sigurinё duhet paguar, nuk ёshtё vёshtirё qё tё merret me mend se ҁfarё mendon ai pёr Ballkanin dhe vendet e tij tё vogla qё nuk paraqesin ndonjё interes pёr tё dhe, pёr mё tepёr, nuk kanё as para. E vetmja gjё qё dёshiron Trampi nga Ballkani ёshtё qё ai tё mos i nxjerrё telashe dhe mundёsisht, tё mos harxhojё asnjё cent pёr tё. Lёvizja e kufijve e Thaҁit del jashtё kёtij kuadri.

Nuk ёshtё fort larg kёtij koncepti as Europa, e mbёrthyer nё krizё. “Pragmatizmi parimor” i Brukselit po reduktohet, gradualisht, nё pragmatizёm joparimor. As BE nuk do telashe e shpenzime nё kёto kohё tё vёshtira.

Nga takimet nё Nju Jork, Presidenti Thaҁi duhet tё ketё kuptuar qё detyra e shtetarit tё vёrtetё ёshtё, jo tё pёrvjedhё ndonjё informacion se nga cila ide anon ky, apo ai zyrtar amerikan a europian, pёr ta paraqitur pastaj atё ide si interes tё shqiptarёve, por tё pёrcaktojё dhe pёrkufizojё interesin shqiptar, mbi bazёn e njё analize tё thellё e gjithёpёrfshirёse dhe, vetёm pas kёsaj, tё pёrpiqet qё tё sigurojё mbёshtjetjen maksimale tё miqve dhe aleatёve pёr realizimin e tij.

Sa i takon theksimit, nga ana e Thaҁit, tё karakterit sui generis tё rastit Kosovё, vec mungesёs sё njohjes sё kёtij koncepti, kemi tё bёjmё me njё pёrpjekje tё dёshtuar pёr tё justifikuar taktikёn e tij tё gabuar tё korrigjimit tё kufijve me Serbinё, me unikalitetin e Kosovёs. Logjika e tij ёshtё e thjeshtё: meqenёse Kosova ёshtё vlerёsuar si rast i veҁantё, ndryshe nga vendet e tjera, asaj mund t’i lejohet edhe loja me kufijtё. Pёrderisa nuk shёrbeu si precedent me 1999, as me 2008, pёrse u dashkёrka trajtuar si i tillё, me 2018, nё rast tё lёvizjes sё “lehtё” tё kufijve? Ky ёshtё njё ndёr spekulimet mё tё paskrupullta qё bёhet me tezёn shkencore tё karakterit sui generis tё rastit Kosovё.

Ndёrhyrja e NATO-s mё 1999 dhe shpallja e pavarёsisё sё Kosovёs me 2008, me tё drejtё janё argumentuar me natyrёn, krejt tё veҁantё, tё kёtij konflikti. Por kjo nuk u jep aspak tё drejtё politikanёve si Thaҁi, qё ҁdo veprim tё tyre ta justifikojnё me veҁanёsinё e Kosovёs. Nёse duhet folur pёr veҁanёsi nё rastin e Thaҁit, atёherё ajo lidhet me pёrmasat e arbitraritetit nё vendimmarrjen e tij.

Lidhur me shqiptarёt e Luginёs sё Preshevёs, Presidenti Thaҁi, lau duart si Pons Pilati. Nё kalim e sipёr, ai pёrmendi se e ka pёrcjellur dёshirёn e tyre pёr bashkim me Kosovёn, por nuk tha asnjё fjalё se cili ishte qёndrimi I bashkёbiseduesve pёr kёtё ҁёshtje. Qёndrimi i tyre, jo se ka munguar, por, me siguri, ndryshon ose ёshtё krejt I kundёrt me atё tё tijin dhe Thaҁi nuk dёshiron ta bёjё atё tё njohur.

Postulatet se “ligji ndёrkombёtar i lejon shtetet sovrane tё pёrcaktojnё kufijtё e tyre, siҁ e shohin ato tё arsyeshme”, apo se “ҁdo marrёveshje pёrfundimtare me Serbinё duhet tё adresojё kufijtё tanё shtetёrorё”, qё ai pёrpiqet t’i paraqesё si zbulime, jane tё njohura edhe pёr filloristёt. Vetёm se, qё tё ndodhё kjo gjё kaq e thjeshtё dhe normale, duhet, sё pari, qё Serbia ta njohё Kosovёn si shtet tё pavarur dhe sovran, pastaj tё bien dakord pёr shёnjimin e kufirit midis tyre.

Duket se ideja e Thaҁit pёr “korrigjim” a kёmbim territori, po rrёzohet, nё planin e jashtёm dhe atё tё brendshёm. Atё nuk mund ta shpёtojё as Kryeministri i Shqipёrisё, Edi Rama, i cili ka filluar ta nxjerrё kokёn, nga poshtё sofrёs, ku kishte muaj qё fshihej si macja e zёnё nё faj. Nё emisionin Opinion tё TV Klan, datё 20.09.2018, duke cituar dy figura tё njohura, si Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja, tё cilёt, sipas tij, janё shprehur pёr kёmbim territoresh, nё fakt, ai u orvat ta mbёshtesё Thaҁin. Por kjo mbёshtetje u ngrit mbi shtrembёrimin e sё vёrtetёs. Siҁ dёshmon ish-Kryeredaktori i gazetёs “Zёri”, Blerim Shala, aktualisht kёshilltar politik i Thaҁit, Ibrahim Rugova vёrtet e ka pёrmendur njё herё kёmbimin e territoreve, por ёshtё tёrhequr menjёherё prej kёsaj ideje, pёr t’i qёndruar besnik, deri nё fund tё jetёs sё tij, asaj tё Kosovёs sё pavarur nё kufijtё ekzistues. Sa i takon Rexhep Qoses, ai ёshtё distancuar publikisht nga Thaҁi dhe taktika e tij e rrezikshme.

Dhёnia e Ramёs pas idesё sё kёmbimit tё territoreve, i dyshuar edhe vetё ai se nё kёtё cёshtje ka konspiruar me Presidentin serb A.Vuҁiҁ, e ҁon atё nё gabime parimore tё tipit “Detyra ime ёshtё tё mbёshtes Kosovёn, cilidoqoftё vendimi i saj”. Pёr cilin vendim tё Kosovёs e ka fjalёn Rama, sepse kemi tё bёjmё me disa tё tilla: njё, tё Hashim Thaҁit pёr “korrigjim tё kufijve”, njё tjetёr tё Ramush Haradinaj, qё e konsideron korrigjimin e kufijve si ftesё pёr luftё dhe njё tё tretё tё Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit qё, me 29 shtator 2018 dolёn nё protestё, duke kёrkuar largimin e tё dyve nga pushteti? Dhe mё tej, si mund tё mbёshtetet, apriori, ҁdo vendim i Prishtinёs? Po, nёse ai bie nё kundёrshtim me interesat shtetёrore tё Kosovёs dhe ato kombёtare tё shqiptarёve? I djegur nga qulli (i akuzuar pёr ndёrhyrje nё punёt e brendshme tё Kosovёs) Rama kalon nё ekstremin tjetёr, i fryn edhe kosit. Vёrtetё vendimmarrja pёr punёt e Kosovёs i takon institucioneve tё saj, por kur ajo ёshtё e dёmshme dhe e rrezikshme, si nё rastin e kёmbimit tё territoreve, Tirana zyrtare nuk duhet ta mbrojё, por ta bёjё tё qartё qёndrimin e saj tё prerё, kundёr kёtij vendimi.

Nuk e ndihmojnё Presidentin e Kosovёs as thirrjet moralizuese tё Ramёs pёr kujdes e maturi, qё tё mos sulmohet Thaҁi. Me ndonjё pёrjashtim tё vogёl, shumica e politikanёve, analistёve dhe studiuesve, po godet taktikёn e tij tё rrezikshme pёr kёmbime territoriale me Serbinё, tё cilёn ai e ka zgjedhur qёllimisht, nё funksion, jo tё interesave tё Kosovёs dhe shqiptarёve, por tё axhendave personale tё tij dhe tё klanit tё vet tё ngushtё.

Kjo taktikё e rrezikshme komprometon keq startegjinё e drejtё tё Kosovёs pёr konsolidimin e subjektivitetit ndёrkombёtar tё saj. Jo vetёm kaq, por vazhdimi i saj kёrcёnon tё zhbёjё lirinё, pavarёsinё dhe shtetёsinё e Kosovёs, arritje kёto, qё mund tё krahasohen me ngjarje tё tilla madhore si themelimi i shtetit shqiptar, me 1912. Mbrojtja e kёtyre arritjeve dhe e kufijve tё Kosovёs, tё njohur ndёrkombёtarisht, si dhe anёtarёsimi i saj nё OKB duhet tё jenё midis atyre objektivave strategjikё, pa realizmin e tё cilёve nuk mund tё flitet pёr axhenda tё tjera, pёrfshirё atё ta bashkimit kombёtar, pёr tё cilёn ёshtё kujtuar tё flasё, tash sё voni, edhe kozmopoliti i regjur, Edi Rama.

Qё nuk ka djathё pa pagesё, kjo gjё, tashmё dihet. Por si nё ҁdo rregull, edhe kёtu ka ndonjё pёrjashtim. Djathi nё kurhtin e miut ёstё falas. E tillё ёshtё ideja serbe, e pёrqafuar nga Thaҁi, pёr shkёmbimin e territoreve, pёr tё zёnё nё kurth Kosovёn. Nёse ne i lejojmё. Protesta masive e djeshme me moton “njё popull nuk i nёnshtrohet njё njeriu” dёshmoi se qytetarёt e Kosovёs janё ndёrgjegjёsuar pёr t’i thёnё ndal kёsaj tё keqeje. Nё vend qё tё dёgjonte me vёmendje zёrin e popullit tё vet nё shesh, Presidenti Thaҁi zgjodhi tё shёtisё nё liqenin e Ujmanit. Kёsaj i thonё, fshati digjet, plaka krihet. E pakta qё duhet tё bёjё Thaҁi nё kёtё situatё, ёshtё qё tё thёrrasё kuvendin e Kosovёs nё seancё dhe mbi bazёn e njё analize kritike dhe vetёkritike, ta pranojё sё taktika e zgjedhur prej tij pёr futjen nё axhendёn e bisedimeve me Serbinё tё kёmbimeve territoriale me tё, rezultoi e gabuar. Ashtu siҁ ishte e gabuar dhe e dёmshme pёr Kosovёn dhe rajonin taktika e tij dhe e Presidentit serb, Vucic, e shpallur nё Alpbach tё Austrisё, pёr t’i zhvilluar bisedimet Kosovё-Serbi, prapa shpinёs sё BE-sё dhe SHBA. Teza qё ballkanasit duhet t’i zgjidhin vetё problemet e tyre, nё thelb, ёshtё tezё ruse qё synon ҁfaktorizimin e perёndimorёve nё kёtё rajon dhe fuqizimin e ndikimit dhe pranisё sё Moskёs nё tё.

Thaҁi duhet tё distancohet nga kёto taktika tё rrezikshme dhe nё vend tё “korrigjimit tё kufirit”, tё merret me korrigjimin e vetes sё tij. Ai duhet tё japё llogari dhe tё shpjegojё si ndodhi qё tabloja pozitive e Kosovёs, e propaganduar 10 vjetё rresht prej tij, tё degradojё, menjёherё nё ngёrҁ politik. Apo ajo nuk ka qenё reale, por njё fake tablo, e pikturuar pёr qёllimet e tij elektorale?
Pa mohuar ndikimin negativ tё faktorёve reajonalё e jashtёrajonalё, sidomos tё atyre qё njihen si ndryshues tё rregullave, Thaҁi duhet tё pranojё pjesёn e tij tё pёrgjegjёsisё pёr krijimin e kёtij ngёrci, gjatё 10 vjetёve, nё krye tё pushtetit nё Kosovё. Ёshtё e drejtё e Kuvendit qё tё vlerёsojё shkallёn e tij tё pёrgjegjёsisё. Nёse Thaҁi nuk e bёn kёtё gjё, atёherё, protestat si ajo e 29 shtatorit, mosbindja civile dhe zgjedhjet e reja, tё parakohsme, i kanё dyert e hapura.

_____

Dr. Islam LAUKA – ish ambasadori i parë i Shqipërisë në shtetin e Kosovës; diplomat e pedagog;  drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike; president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Islam Lauka, Taktikat e gabuara, të Thaçit!?

VATRA, TAKIM ME PRESIDENTIN META

September 30, 2018 by dgreca

1 Me Meten

-DEBAT PËR NËSHTETSINË, MOSFUNKSIONIMIN E SHTETIT, PËR ISH TË PËRNDJEKURIT POLITIK, PËR MOSDËNIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT, PËR MINISTRINË E DIASPORËS…. –

Nga Dalip Greca/*

Të premten me 28 Shtator 2018, në mbrëmje, një përfaqësi e Vatrës u takua në mjediset e hotelit Kimberly në Manhattan me presidnetin Ilir Meta.

Të pranishëm në takim: zv. Kryetari i Vatrës-njëkohësisht kryetar i degës në Jacksonville Adriatik Spahiu, anëtarët e kryesisë: Zef Bala, Marjan Cubi, Besim Malota, Kryetarët e degëve të Vatrës në Tampa Tasim Ruko dhe kryetari I degës në Michigan Mondi Rakaj,(anëtarë të Këshillit të Vatrës), Bashkim Musabelliu,shefi i Kabinetit të kryetarit Mishto, Dr. Pashko Camaj, këshilltarët e Kryetarët Marko Kepi, Frederik Ndoci dhe Gëzim Nika, ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, Sel Celaj, vëllezërit Drishti, Gjergj Balaj, Angjelina Nikaj e të tjerë.

Presidneti Meta shoqërohej nga këshilltari për diasporën z. Flamur Gashi.

Zef Balaj e uroi presidnetin Meta për takimin me Vatrën dhe i solli përshëndetjet e kryetarit Mishto, i cili për arsye familjare nuk mundi të marrë pjesë në takim. Editori e informoi shkurtazi për veprimtaritë dhe punët Kombëtare të Vatrës për gjatë 106 viteve, Asllan Bushati tregoi për veprimtaritë e sotme të Vatrës. Diskutuan Adriatik Spahiu, Pashko Camaj,Marjan Cubi, Marko Kepi, Tasim Ruko, Mondi Rakaj, Gjergj Balaj, Besim Malota, Bashkim Musabelliu, Gezim Nika, Frederik Ndoci, Eddi Drishti.

Në qendër të debatit ishin konstatimet për mosfunksionimin e shtetit shqiptar dhe mosinteresimin e tij për diasporën shqiptare. I pari që shfaqi opononecën e vet ndaj mosfunskionimit të shtetit ishte Gjergj Balaj, i lindur nga dy prindër shqiptarë ne SHBA. Ai tregoi përpjekjet e tij të pasuksesshme 2 vjecare për të marrë nënshtetsinë shqiptare, sorollatjet nga Kosullata Shqiptare në Nju Jork e deri në zyrat e gjendjes civile të shtetit, në Ministrinë e Rendit,burokracia dhe rryshfeti nëpër zyrat e shtetit etj etj…Të njëjtin shqetësim shfaqën edhe vëllezërit Drishti të cilët, edhe pse kanë lindur nga dy prindër shqiptarë në SHBA, nuk po arrijnë që të marrin nënshtetsinë, paçka se kanë trokitur tek vendlindja e prindërve që në vitin 1991, kanë ndërtuar shtëpi atje, por nënshtetsinë nuk po ua japin edhe pse Ligji shqiptar e përcakton qartë se kur i ke prindërit shqiptar, nënshtetsia të jepet menjëherë.Po ashtu Edi bëri vërejtje për kriteret e ndryshimeve në polici sapo nëdrrohen qeveritë ndërrohen policët në nivele profesionale.Ai tregoi përvojën amerikane.

Këshilltari I Kryetarit, Marko Kepi, njëkohësisht President i Rrënjëve Shqiptare, ishte kritik në diskutimin e tij. Ai tha se vinte nga një rrugicë e vogël në Shkodër që mbante mbi supe 100 vite burg të diktaturës, por bijtë e ish të dënuarëve janë të flakur jasht vëmendjes së shtetit, ndërkohë që bijtë e ish persekutorëve bëjnë ligjin, që nga pushteti lokal deri në piramidën e shtetit. Ai e kundërshtoi justifikimin e presidentit se ata që dalin në Pezë apo sheshe e rrugë të vendit me thirrje e Portrete të dikattorit Enver Hoxha, janë ca pleq të padëmshëm, që me atë bindje do të shkojnë nga kjo jetë. Kepi, i solli si kndërvënie shembullin e arrestimin e ish nazistit në Brooklyn. Po ashtu z. Kepi bëri Kritika të rrepta ndaj Minsitrisë së Diasporës, që nuk jep asnëj kontribut real për diasporën shqiptare, ndërkohë që udhëheqës të shteteve të tjera, kur vijën në SHBA, nuk bëjnë vetëm fotografi për fb, por takojnë senatorë e kongresmenë, dhe shtrojnë kërkesa për komunitetet e tyre, deri edhe në kërkesën për fonde për të ndërtuar qendra kulturore apo për të hapë shkolla në gjuhën e tyre, por edhe duke afruar kontribute të shteteve nga vijnë. Ne, tha ai, edhe kur u bëjmë thirrje që të bëhen pjesë e një parade në Manhattan, ku shqiptarët janë numër NJE, kërkon përmes këshilltarëve që Diaspora ti paguaj rrugëtimin, hotelin, ushqimin!!!

Për problemin e mosintegrimit real të shtresës së ish të përndjekurëve diskutoi Mondi Rakaj, Tasim Ruko, Gëzim Nika etj.

  • Nuk e kuptoj, tha Gëzim Nika, se si në të njëjtën ceremoni, ku dekorohet gjyshja ime pas vdekjes per tragjedinë e kampit të Tepelenës, në radhën e pare të pjesmarrësve bën karshllëk edhe ish persekutori ynë, që nuk na la të vazhdojmë shkollat!

Presidenti Meta u dha përgjigje pyetjeve të shumta, shfaqi mendimet e tij gjat debatit dhe falenderoi për pjesmarrjen në takim, ndërsa në statusin e tij në facebook shkroi: “Kënaqësi të takohesha dhe të bisedoja me drejtues, përfaqësues dhe kryetarë të disa degëve në SHBA të Organizatës Panshqiptare “Vatra” dhe t’i falenderoja për mbështetjen e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare.”

*Fotot i shihni ne Facebook

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Ilir Meta, takim me presidentin, Vatra

PUSHTIMI IMAGJINAR I UJMANIT DHE DEKLARATA E THAÇIT

September 29, 2018 by dgreca

Presidenti Thaçi: Në veri shijova bukuritë e Ujmanit, takova policët dhe doganierët e Kosovës/1 Thaci ecen Ujman

1 Thaci Police

1 Thaci skaf

PRISHTINË, 29 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitës sot në veri të Mitrovicës deklaroi se atje ka shijuar bukuritë e liqenit të Ujmanit dhe ka takuar policët dhe doganierët kosovarë.“Paraditen e sotme e kalova duke shijuar bukuritë natyrore me barkë rreth liqenit të Ujmanit dhe duke pirë kafe në veriun e Republikës së Kosovës. I takova edhe policët dhe doganierët tanë, pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, në vendkalimin kufitar në Bërnjak. Kosova është e bekuar me natyrën dhe qytetarët e saj”, shkruan  presidenti Thaçi në ‘facebook’.

Ndërsa në deklaratë mediave nga liqeni i Ujmanit Thaçi  tha se Kosova është sovrane dhe mohoi mundësinë e ndarjes së veriut për të ju bashkuar Serbisë.“Është një vizitë krejt normale në mrekullitë e vendit tim që ja vlen për t’i vizituar të gjithë qytetarët e vendit tim. Edhe sot nga ky vend i mrekullueshëm i Republikës së Kosovës dërgoj mesazhin më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kosova është një unike  e pavarur sovrane”, tha presidenti Kosovar, i cituar nga media.

Ai tha se në këtë vizitë u takua edhe me qytetarë serbë të Mitrovicës Veriore dhe se si president i vendit u shërben të gjithëve, pa dallim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, Deklarata e That

Kosovë-Presidentit Thaçi në veri të Mitrovicës

September 29, 2018 by dgreca

-Policia e Kosovës: Njësitet relevante në përcjellje të eskortës së Presidentit Thaçi në veri të Mitrovicës/1 Thaci veri

-Media serbe alarmon situatën, në Serbi gjendje e gatishmërisë më të lartë luftarake/

1Gazivoda-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINW, 29 Shtator 2018 / Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante sot ka qenë e angazhuar në përcjelljen e eskortës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e cila  u realizua në veri të Mitrovicës.

Komunikata dërguar nga Policia e Kosovës bën të ditur se, njësitet policore janë kujdesur që të ofrojnë siguri gjatë gjithë kohës së vizitës së delegacionit në veri të Mitrovicës, vizitë kjo e cila u realizua konkretisht në Pikën Kufitare Bërnjak dhe tek Liqeni i Ujmanit.

Vlen të potencohet se Policia e Kosovës, është kujdesur në aspektin e sigurisë që kjo vizitë të kalojë e qetë dhe pa incidente, ashtu edhe si e tillë ka përfunduar.

Policia e Kosovës vazhdon të angazhohet dhe të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, gjatë implementimit dhe realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, përfundon komunikata.

Ndërsa, media serbe ka alarmuar situatën, duke theksuar në tituj e raportime se pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) kanë “sulumar e zaptuar” liqenin e Ujëmanit (Gazivodën) në veri dhe se “Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić ka urdhëruar vendosjen e kompel Ushtrisë së Serbisë në gjendjen e gatishmërisë më të lartë luftarake”.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, në veri të Mitrovicës, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1252
  • 1253
  • 1254
  • 1255
  • 1256
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT