• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Z.BOLTON, HASHIM THAÇI, NUK IDENTIFIKOHET DOT ME KOSOVËN

August 29, 2018 by dgreca

Elida Bolton

–Letër e Hapur, John Bolton, Këshilltar i Sigurisë pranë Presidentit Donald Trump-/

I nderuar Z.Bolton, deklarata juaj e 24 gushtit tronditi opinionin shqiptar, sepse jeni Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Amerikan Donald Trump dhe shqiptarët e konfonduan opinionin tuaj me atë të Presidentit të SHBA.

Shqiptarët ishin qetësuar më 13 Gusht kur Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel edhe një herë theksoi se nuk do të ketë ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor. Ky qëndrim i saj është i kahershëm dhe i unifikuar me atë të Perëndimit, ku SHBA kanë patur gjithmonë rol udhëheqës.

Ndërsa ju më 24 gusht nga Kievi thatë se “Nëse Kosova e Serbia bien dakord, nuk e kundërshtojmë rregullimin e territoreve”. Ju, diplomat kariere, e dini shumë mirë se Kosova dhe Serbia asnjëherë nuk kanë rënë dakord, duke e detyruar Perëndimin të reagojë përmes NATO-s ushtarakisht.

Kur Ju Z. Bolton thoni “Kosova” dhe “Serbia”, keni parasysh Thaçin e Vuçiçin, por që nuk e plotësojnë definicionin që ju shprehni. Rezonanca idilike e Thaçit me Vuçiçin shpreh interesat e Thaçit si individ dhe Vuçiç si burrështeti serb të cilit ende nuk i hiqen nga mendja mitet serbe në dëm të paqes dhe integrimeve të shqiptarëve dhe serbëve trungut europian.

Kosova është e gatëshme të anëtarësohet në NATO, ndërsa Serbia jo, si vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka hedhur poshtë ftesën e Perëndimit, ndërsa, disa ditë më parë se ju të lëshonit deklaratën bombë nga Kievi, dy MIG rusë aterruan në territorin e Serbisë, nga gjashtë të tillë që Moska i ka dhuruar Beogradit!

Hashim Thaçi nuk identifikohet me Kosovën. Pozita e tij si president është produkt abuzimesh dhe shpërdorimit të pushtetit politik.

Duke qenë se Thaçi nuk identifikohet dot me Kosovën, ai s’mund të flasë në emër të Kosovës. Dhe këtu mbyllet diskutimi.

Përpara se ju të lëshonit deklaratën tuaj, shumë ekspertë Amerikanë të Ballkanit, emra me autoritet janë shprehur kategorikisht kundër idesë për rregullime territoresh midis Kosovës e Serbisë. Që përjashton edhe idenë e referendumit, sepse, nëse fillohet me referendume, nuk i ndal dot as pakicat hungareze në Vojvodinë, as shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi për të shprehur vullnetin e tyre.
Me referendume shqiptarët do të ndreqnin atë që Konferenca e Londrës e 1913 u mori padrejtësisht duke e ndarë një komb në trojet e veta autoktone në 5 shtete.

Ju e dini se sovraniteti territorial i Kosovës mbrohet nga NATO dhe është konsideruar i pacënueshëm nga të gjithë Presidentët dhe administratat e SHBA dhe kështu duhet të konsiderohet edhe nga Presidenti Donald Trump.

Në vizitën e tij të fundit në Kosovë në pranverën vitit 2017, tre muaj përpara se të diagnostikohej me kancer në tru, Senatori John McCain u tha shqiptarëve diçka që ata e dinin se “për sa i përket Kosovës, Republikanët e Demokratët kanë qëndrime bipartizane”. Pro ndërhyrjes të NATO-s në Kosovë, kur u konsumuan të gjitha përpjekjet diplomatike të SHBA dhe Perëndimit, ishte edhe Presidenti Donald Trump.

Pra, pacënueshmeria territoriale e Kosovës është mbrojtur nga të gjithë Presidentët e Amerikës, Kongresi dhe Senati i SHBA në unison me BE. Kjo pacënueshmëri është vendosur me kusht që shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi e Luginën e Preshevës të mos kenë pretendime për t’ju bashkuar Shqipërisë, veç të bashkohen të gjithë shqiptarë, serbë, maqedonë e malazezë në BE.

Edhe ju z.Bolton e kishit këtë frikë kur, bashkë me zotërinjtë e nderuar Lawrence Eagleburger e Peter W. Rodman, u shprehët kundër pavarësisë të Kosovës dhe i dërguat më 31 Janar të 2008, 17 ditë përpara se Kosova të shpallte pavarësinë, letër presidentit George W.Bush.

Por siç e dini Presidenti Bush, nuk e mori parasysh letrën tuaj dhe e njohu menjëherë pavarësinë e Kosovës duke ndikuar edhe tek partnerët e fuqishēm Europianë. Dhe sot Kosova njihet nga 116 shtete.

Objektivi i SHBA dhe BE sot duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB si dhe forcimi i shtetit ligjor e demokracisë, pasi vonesat, korrupsioni dhe krimi i organizuar rrezikojnë proçeset drejt konsolidimit të shtetit demokratik.

Konflikti i fundit 1998-99 në territoret e ish-Jugosllavisë i ka kushtuar shumë Perëndimit, por edhe ka qenë një fitore morale e vlerave të tij ndaj urrejtjes me bazë religjoze dhe etnike.

Perëndimi me në krye SHBA ndreqi në Kosovë atë që nuk mundi ta ndreqi kurrë në Srebrenicë. Prandaj shqiptarët e Kosovës me të drejtë janë kombi më proAmerikan në botë.

Shqiptarët në Ballkanin Perëndimor janë Asi në duart e Perëndimit dhe faktor paqeje në këtë rajon problematik. Ne vjeshtë në Maqedoni votohet referendumi i ndryshimit të emrit dhe, nëse ky referendum do të dalë sikur pret Perëndimi, kjo në sajë të votës së shqiptarëve.

Fatin e Kosovës në konfliktin e 1998-1999 e vendosi Perëndimi duke larguar prej territoreve të saj një pushtues barbar. Marrëveshja e Kumanovës midis NATO-s dhe Serbisë më 1999 sanksionoi kufijtë e sovranitetit territorial të Kosovës. Lugina e Preshevës, territor shqiptar, sot pjesë e shtetit të Serbisë. Sikur janë edhe trojet shqiptare brënda Maqedonisë. Por shqiptarët kanë bërë deal me SHBA dhe Perëndimin dhe nuk ia hapin petët lakrorit as nuk e hapin ata kurrë Kutinë e Pandorës, me kusht që të integrohen në NATO dhe BE, duke patur kësisoj të njëjtin objektiv si një emërues të përbashkët me Perëndimin.
Nuk kam parasysh këtu politikanët e formatit të Hashim Thaçit, që e kanë të mbushur dollapin me plotë skeletë nga e shkuara.

Për skeletët nëpër sirtarët e Hashim Thaçit, nuk ia vlen që Ballkani Perëndimor t’i rikthehet definicionit “fuçi baruti”, kur fatin e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor e ka vendosur Perëndimi me në krye SHBA, si institucione të lirisë dhe vlerave!

Aq më tepër, kur sovraniteti territorial i shtetit të Kosovës është i sanksionuar me ligj. Ju e dini, i nderuari Zoti Bolton, se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, si përfaqësuese në nivelin më të lartë e drejtësisë të Kombeve të Bashkuara, konkludoi më 22 korrik të vitit 2010 se pavarësia e Kosovës e shpallur më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Me 10 vota pro, midis tyre pro votat e SHBA, Gjermanisë, Britanisë, Francës etj dhe 4 kundër, midis tyre kundër vota e Rusisë, gjykata shprehu mendimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, çka e sanksionon me ligj pacënueshmërinë e sovranitetit territorial të Kosovës që edhe pas 20 vitesh mbrohet nga KFOR, ndërsa Serbia furnizohet dhe i dhurohen MIG nga Rusia.

Pengesa nga Serbia e futjes të Kosovës në OKB, ka bërë që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të jetë i komprometuar dhe në stanjacion të plotë, pasi diplomacia dhe shteti serb kanë 20 vjet pas konfliktit në ofensivë të plotë jo vetëm për të ndaluar njohjet e reja të pavarësisë të Kosovës nga shtete të tjera, por edhe duke lobuar tek shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës që këto shtete ta anullojnë njohjen. Absurditeti në apoteozë siç e shihni. Dhe po të analizojmë të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, kjo pakicë gëzon standarte të drejtash si asnjë pakicë në BE, ndryshe nga pakica shqiptare në Serbi që është e diskriminuar. Ky është shkaku kryesor që Lugina e Preshevës kërkon t’i bashkohet Kosovës, sepse 20 vjet pas konfliktit Hashim Thaçi dhe elita politike nuk ka kërkuar nga Serbia që në bazë të parimit të reciprocitetit edhe pakica shqiptare ne Serbi të ketë trajtim të barabartë sikur pakica serbe në Kosovë.

Dialogu Serbi-Kosovë në Bruksel do të duhej që të bazohej duke patur në themel barazinë, respektin dhe reciprocitetin e ndërsjelltë dhe bilateral në interes të banorëve dhe jo interesin e politikanëve që po mbajnë peng të gjithë rajonin dhe të ardhmen e brezit të ri.

I gjithë Ballkani Perëndimor është në stanjacion për disa arsye kryesore:

1.Serbia vijon të ketë synime territoriale ndaj Kosovës.

  1. Elitat politike të Ballkanint Perëndimor janë me hipoteka duke komprometuar të drejtat themelore të njeriut, sistemin dhe shtetin e së drejtës.

3.Korrupsioni i politikës dhe mafia në Ballkanin Perëndimor janë kthyer në aleatë të fuqishëm me njëri-tjetrin duke venë në rrezik jo vetëm sigurinë kombëtare të këtyre vendeve, por edhe më gjërë.

4.Mungesa e pranisë Amerikane në rajon ka krijuar terren që ky vakuum të mbushet nga prania e të gjitha forcave që nuk janë të interesuar që Ballkani Perëndimor t’i integrohet NATO-s dhe BE.

Lajm i mirë është baza e NATO-s në Kuçovë dhe shpresojmë edhe një bazë tjetër të Aleancës Verioatlantike edhe në Sazan.

Prania konkrete e NATO-s në Shqipëri do t’i ndikojë sigurisë, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, prosperitetit e integrimit jo vetëm të vendit të shqipeve por të gjithë Ballkanit Perëndimor. Do të ndalë edhe eksodin e tmerrshëm. Rreth 400 mijë shqiptarë nga Shqipëria londineze kanë aplikuar këtë vit për Green-Card.

Sa për fatin e Kosovës me këta kufij e territore, ka vendosur SHBA, Perëndimi dhe populli i Kosovës, as Thaçi dhe as Vuçiç.

Të gjithë ekspertët më me emër të Ballkanit thonë se Hashim Thaçi kërkon t’i falë territore Serbisë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.

E ardhmja e Kosovës nuk mund të jetë kurrë në dorën e një individi, aq më pak kur ky është Hashim Thaçi, një personi shumë problematik, që e uzurpoi postin e presidentit me kuorum të manipuluar dhe minimumin absolut me votat e LDK, e cila hyri në zgjedhjet parlamentare të 2014 duke i premtuar elektoratit të saj nxjerrjen e Hashim Thaçit nga politika.

Prandaj Kosova nuk identifikohet me emrin e Hashim Thaçit. Kosova identifikohet me popullin e saj. Ashtu sikur çdo shtet i botës demokratike!

Me nderime
Elida Buçpapaj

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, leter e hapur, Sek i Sigurise, z. John Bolton

STUDIUESI THANAS GJIKA VIZITOI VATRËN

August 29, 2018 by dgreca

Studiuesi Thanas Gjika i dhuroi kryetarit të Vatrës me dedikim personal librin e tij “Mosdënimi i krimit është krim i ri”, libër me artikuj, ese, biseda, kujtime etj,/

1 thanasi grup1 drit Thanas.JPG1 ok dera

Mesditën e së hënës, 27 gusht 218, studiusi Thanas Gjika, njëkohësisht sekretar i degës së Vatrës në Worcester- MA ,vizitoi selinë e Federatës VATRA. Ai u prit nga kryetari i Vatrës Dritan Mishto me bashkëpunëtorët e tij. Z. Gjika shoqërohej nga anëtarët e Këshillit të Vatrës, biznesmenë dhe aktivistët e  komunitetit, Sergio dhe Sabit Bitici. Në takim morën pjesë edhe arkëtari dhe anëtari i kryesisë Marjan Cubi, anëtari i kryesisë Zef Balaj, editori i Diellit, ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati dhe gazetari Ilir Buçpapaj.

Studiuesi Thanas Gjika i dhuroi kryetarit të Vatrës me dedikim personal librin e tij “Mosdënimi i krimit është krim i ri”, libër me artikuj, ese, biseda, kujtime etj, për botimin e të cilit kanë dhënë kontribut dhe Federata Vatra, ndersa gazeta Dielli e nderoi me cmim ne Konkursin”2016-Viti i Faik Konicës”.

Gjatë bisedës u diskutua edhe rreth librit të autorit Gjika”Shën Pali punoi edhe në brigjet e Adriatikut”, ku Prof.as.dr. Thanas Gjika mbron tezën se krishtërimi në Iliri është përhapur nga goja e vet apostujve të Krishtit. Sipas tij, trojet shqiptare duhet të jenë patjetër në hartën e Vatikani dhe ai ka skicuar hartat e udhëtimit të apostullit Pal. Deri më sot kjo tezë është përjashtuar edhe nga vete Vatikani, por Gjika, sjell fakte të reja për jetën dhe veprën e Shën Palit.

Autori synon që këtë libër ta botojë në gjuhën angleze të përmbledhur duke i kushtuar vëmendje veçanërisht hartave dhe për këtë qëllim kërkoi që Vatra të shohë mundësitë për kontribut financiar, pasi libri në gjuhën angleze do të ketë efekte pozitive për identitetin e shqiptarëve.

Diskutimi i lirë i pjesmarrësve debatoi dukuritë e fundit në trojet shqiptare, ku vihet re një agresion i theksuar kulturor,veçanërisht nga kultura turke dhe rrymat eksteremiste fetare.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Studiuesi, Thanas Gjika, Vatra

SOT QEVERIA E KOSOVES:112 mijë euro për Preshevën, Kryeministri kunder Presidentit per kufrin

August 28, 2018 by dgreca

– Qeveria e Kosovës drejt njëvjetorit, sot mbajti mbledhrn e 62-të, në Nëntor në Pejë bashkë me Qeverinë e Shqipërisë/

1 Kosova per Presheven.JPG

-Kryeminisrti Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë:  Për të mos u ndryshuar kufijtë e territori, vota time sot e nesër e në çdo kohë/

Behlul Jashari stage

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 28 Gusht 2018/ Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve për asistencë financiare në vlerë prej 112 mijë euro për Preshevën për ndërtimin e një këndi të lojërave për fëmijë dhe për “Parkun e paqes”. Parku i dedikohet rekreacionit dhe argëtimit të të gjithë qytetarëve të kësaj komune dhe pritet të ndikojë pozitivisht në kohezionin social të komuniteteve në këtë komunë. Projekti do të bashkë financohet me GIZ-in gjerman.

Qeveria e Kosovës, e kryeministrit Ramush Haradinaj, zhvilloi sot pasdite mbledhjen e 62-të me radhë, ndërkohë që pas dy javësh mbushë vitin e parë të punës.

Në bilancin e njëvjetorit të qeverisë së Kosovës është edhe mbledhja e përbashkët me qeverinë e Shqipërisë, e mbajtur në 27 nëntor 2017 në Korçë, ndërsa kryeministri Haradinaj sot në mbledhjen e qeverisë njoftoi anëtarët e kabinetit qeveritar për mbledhjen e radhës të dy qeverive, që do mbahet në nëntor 2018 në Pejë, të paralajmëruar edhe dje në konferencën për shtyp pas takimit informal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Durrës.

Në axhendën e kryeministrit kosovar sot ishte edhe pjesëmarrja në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, i cili mbahet para mbledhjes së qeverisë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se duhet identifikuar ngecjet që kanë të bëjnë me zbatimin e Agjendës së Reformës Evropiane dhe të lëvizim përpara.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo qeveri është ndër më dinamiket që ka pas Kosova që nga pas lufta dhe theksoi faktin që me më pak se një vit punë, ka 900 vendime të miratuara me interes për jetën e qytetarëve tanë, por po evidentohen vendime që na mungojnë.

“Nëse në tema tjera jemi më shumë se njëqind për qind proaktiv, atëherë duhet që edhe temave që kanë të bëjnë me procesin e integrimeve t’u japim prioritet”, tha kryeministri Haradinaj, duke siguruar që në periudhën që po hyhet do t’i kushtohet rëndësi e veçantë kësaj teme.

Qeveria  e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

***

HARADINAJ: VOTA IME ËSHTË PËR MOSNDYSHIM TË KUFIJVE E TERRITORIT

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha sot se e ka votën e tij rezoluta e paralajmëruar nga opozita  se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e kufijtë e Kosovës.

“E ka votën time sot. Për të mos u ndryshuar kufijtë e territori e ka votën time sot e nesër e në çdo kohë”, u shpreh kryeministri Haradinaj pasditën e sotme pas një mbledhje të qeverisë, duke iu përgjigjur interesimit të medias se a do ta përkrahë partia që ai drejton, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një qëndrim të tillë të opozitës.

OPOZITA: SEANCA E JASHTËZAKONSHME E KUVENDIT TË KOSOVËS PARA 7 SHTATORIT

-Në seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës/

“Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit para datës 7 shtator 2018”, ka paralajmëruar dje kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke theksuar mbështetjen nga dy partitë tjera opozitare – Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate.

“Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush.
Në ditët në vijim do të kërkojmë mbështetjen edhe të grupeve të tjera parlamentare, si dhe të shoqërisë civile”, është shprehur kryetari i grupit parlamentar të LDK.

“E mirëpres mbështetjen që po i jepet kësaj rezolute edhe nga grupet e tjera parlamentare. Pres që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë rezolutë”,  ka shkruar sot Hoti në ‘facebook’.

Sipas deklaratave të sotme nga opozita, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet në 4 shtator 2018.

Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.

Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD,  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.

Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për në 7 shtator.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, ne Qeverine e Kosoves, sot

Pse Nano u tërhoq më 1998-ën nga projekt-ideja për ndarjen e Kosovës?!

August 28, 2018 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Në nëntor 1997 ndodhi një ngjarje shumë e përfolur e kohës. Fatos Nano i sapoardhur në pushtet e kryeministër i Shqipërisë u takua në Kretë të Greqisë me presidentin e Serbisë, Sllobodan Milosheviç. Takimi u sponsorizua prej kryeinistrit të Greqisë, Kostas Simitis, në kuadër të një samiti të kryeministrave dhe kryetarëve të shteteve ballkanike në këtë ishull. Si për çdo ngjarje madhore e jo të tillë, edhe për këtë takim Nano, pas grekëve, mori bekimin e amerikanëve. Sekretarja e Shtetit Olbright ishte në dijeni dhe kishte rekomanduar takimi të ishte krejt fotmal, thjesht për kortezi, me qëllim që Serbia të mos kishte mundësi ta interpretonte një refuzim të mundshëm të kryeministrit të Shqipërisë si qëndrim kundë paqes. Kështu që duhej që takimi të mos zgjaste më shumë se 30 minuta. Por Milosheviçi kishte ardhur në takimin e Kretës me një dosje, në të cilën ishte formuluar ideja e ndarjes së Kosovës. Donte ta diskutonte deri në hollësi këtë opsion me zotin Nano, me qëllim që të realizonte idenë e Serbisë së Madhe. Nano u josh nga ky diskutim, bëri shumë pyetje, me qëllim që të qartësohej rreth idese serbe të ndarjes së Kosovës. Ndaj takimi zgjati një orë e gjysmë. Jashtë sallës ku bisedonin dy protagonistët në fjalë, qëndroi në pritje ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Kur Nano doli nga pritja Milo ishte i shqetësuar, sepse dikush nga departamenti i shtetit i kishte telefonuar dhe pyetur: “Çfarë po bëjnë ata kaq gjatë në takim? Milo , I shqetësuar e pyeti shefin e tij sapo doli se pse qëndruat kaq gjatë dhe si shkoi biseda me Milosheviin? Nano që i përgjigjet plot entusiazëm: “Shkoi mrekulli, biseduam ngrohtë si me Thanasin”! (Thanasi ishte i ati I Nanos). Ve kësaj, Nano dhe Milosheviçi ranë dakord që ata të dy ta kontrollonin konfliktin ushtarak të sapo shfaqur në horizontin e Kosovës. Kjo do të thoshte se ata do të mbanin frenat e luftës, sigurisht përmes njerëzve të tyre që kishin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nano nuk kishte menduar asnjë ide për ndonjë zgjidhje të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Ideja e Milosheviçit për këtë zgjidhje përmes ndarjes iu duk kreative. Vetëm se ishte në dilemë të parashikonte se farë do të vinte pas ndarjes. Për momentin Nano nuk kishte kundërshtuar, ndërkohë që e mundonte dilema se a ishte më mirë apo më keq për pushtetin e tij, nëse Kosova e mbetur nga nndarja do të bashkohej me Shqipërinë. Pas kthimit në Tiranë kryeministri shqiptar e diskutoi propozimin e Milosheviçit me disa kolegë të tij në qeverisje. Mori mendimin e disa ministrave të kabinetit të tij, ndërkohë që flakët e luftës u ndezën në Kosovë. Edi Rama ofroi idenë e efektit dopio të ndarjes. Që do të thotë se Kosova do të ndahej, por jo midis Serbisë dhe Shqipërisë. Nga ndarja do përfitonte vetëm Serbia, ndërsa Shqipëria do përkujdesej që pjesa e mbetur të mbijetonte e të krijonte shtetin e saj. Dhe që të ndodhte kjo, ish-ministri i Kulturës propozoi që Kukësi, Hasi dhe Tropoja, dmth Qarku i Kukësit t’i bashkëngjitej Kosovës. Ky propozim bazohej në dy argumente: Së pari, Kosova e ndarë për të kënaqur orekset nacionalshoviniste të Serbisë nuk mund të bijetonte si shtet, ndaj bashkimi i Qarkut të Kukësit e mundësonte këtë bijetesë. Dmth duhej evituar me çdo kusht që Kosova e mbetur nga ndarja me Serbinë të bashkohej në formë unitare me Shqipërinë. Po të ndodhte kjo, atëhere Partia Socialiste e Nanos dhe Ramës rrezikonte të humbte pushtetin për shumë dekada. Maksimumi do të pranohej një formmulë bashkimi në formën e federatës osë konfederatës, me qëllim që të dy vendet të ruanin pozicionet në pushtet në territorin e vet. Si në kohën e principatave historia e mesjetës përsëritet! Së dyti, bashkimi i Qarkut të Kukësit me Kosovën jo vetëm mundësonte krijimin e një shteti me kryeqytet Prishtinën, por do të pakësonte votat për opozitën shqiptare të djathtë. Në të dy rastet po përsëritej ideja hoxhiste e periudhës së Luftës dhe mbas Luftës së Dytë Botërore, sipas së cilës “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë rrezikon pushtetin popullor” të komunistëve. Kjo projekt-ide iu referua ambasadores së SHBA-vë në Tiranë, zonjush Mariza Lino. Ajo e refuzoi menjëherë, sepse politika amerikane nuk lidhej me ndarjen e Kosovës, por me lirinë dhe pavarësinë e saj të plotë. Më pas ideja e projektit u fsheh në sirtarët e Partisë Socialiste, por jo edhe në protokollet qeveritare, për t’u ringjallur dhe implementuar 20 vite më vonë, në ditët e sotme. Autori i kësaj ideje të atëhershme, Edi Rama, sot është aktori kryesor i padeklaruar i ndarjes së sotme të Kosovës. Ashtu si atëherë, edhe sot aktori tjetër më i rëndësishëm është Hashim Thaçi nga Kosova. Asokohe e shpallën udhëheqës politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa më pas, me ndihmën e Beogradit e promovuan në krye të shtetit të Kosovës. Pikërisht këta të dy luajnë kartat në interes të Sëerbisë. Madje e lusin Europën që të mos ketë frikë nga ndryshimi i kufijve dhe tallen me shqiptarët, duke u bërë thirrje që “t’i mbështesin në projektin e mendur të tyre”! Ndërkaq deklarata e Merkel e sotme me kërkesën e përsëritur që dialogu për Kosovën të përfundojë pa cënuar integritetin territorial të saj. Ndërsa shqiptarët janë rrjeshtuar në unison kundër ideve dhe përpjekjeve të paimagjinueshme të Hashim Thaçit për t’ia falë më çdo kusht pasuritë më të çmueshme të vendit, Serbisë.

Tirane, 28.08.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Fatos Nano, ndarje e kosoves, projekti, terheqja

NJE PERKTHIM PA KOMENT NGA CORRIERE DELLA SERA

August 28, 2018 by dgreca

ASNJЁ SHKЁMBIM ME BE, POR TIRANA URON QЁ ROMA MOS TЁ MBETET VETЁM/1 corriere1

Intervistё e Kryeministrit Edi Rama dhёnё gazetarit Leonard Berberi/

“Duhej tё bёnim diçka pёr ata njerёz qё pafuqia evropiane i kish katandisur nё tё burgosur”. Kryeministri shqiptar Edi Rama pёrforcon qёndrimin e qeverisё socialiste nё pritjen e 20 eritreasve tё anijes “Diciotti”. Por fton kontinentin e vjetёr tё zgjidhё çёshtjen.

Si do tё pёrcillen?

            “Pёr çёshtjen po punojnё agjensitё kompetente. Ne bёjmё pёr to atё qё Italia bёri pёr ne, eritreas tё atёhershёm, kur na pritёn e na ushqyen.

Si kanё qenё traktativat me qeverinё italiane?

“Nuk ka pasur asnjё traktativё. Donim tё bёnim diçka, por nguronim pёr tё shmangur keqkuptime me Romёn. Shkёmbimi mes ministrave tё Jashtёm e zgjidhi çёshtjen. Italia ka bёrё shumё pёr ne dhe pёr Evropёn: por pёr shumё kohё ёshtё lёnё e vetme”.

A do tё prisni tё tjerё?

“Nuk do t’a zgjidhte problemin. Uroj qё Evropa tё zgjohet e qё secili tё bёjё pjesёn e tij. E kemi thёnё mё 2015: duhet njё plan evropian dhe nuk do t’i mungojmё thirrjes. Na detyron historia, qёnia jonё evropianё dhe shqiptarё”.

Ky veprim do tё shpejtojё hyrjen nё BE?

“Nuk ka asnjё shkёmbim. Nuk e kam pёrballuar çёshtjen me kryeministrin Conte. Kёtu bёhet fjalё pёr jetё njerёzore. Nё lojё janё gjёra tё rёndёsishme qё, fatkeqёsisht, kanё humbur peshёn nё kёta ditё”.

Kohё mё parё Salvini kritikonte hyrjen tuaj nё BE….

            “Nuk dua tё gjykoj, nuk do tё zgjidhej asgjё. Mbi çёshtjen “Diciotti” na ka qenё mirёnjohёs. Synimi ёshtё njё qёndrim i pёrbashkёt evropian qё sot, fatkeqёsisht, nuk ёshtё Ҫfarё marrёdhёniesh ke me Romёn?

Marrёdhёniet mes Italisё e Shqipёrisё kanё qenё gjithmonё shumё tё mira, pavarёsisht nga forcat politike nё qeveri. Pa Italinё nuk do tё kishim shkuar kaq pёrpara dhe jam krenar tё shoh se “eritreasit” e ardhur dje  nga Shqipёria sjellin vlerё tё shtuar nё Itali”.

Pёrse ju intereson BE?

            “Ёshtё njё pyetje qё nuk i a bёjmё vetes: nuk e kemi humbur kahin e historisё, ёndёrrojmё njё t’ardhme mё tё mirё nё njё Evropё tё sendёrtuar simbas frymёs sё etёrve themelues. Tё dalёsh nga BE do tё thotё tё dalёsh nga Historia, tё ndryshosh BE ёshtё tё hysh nё t’ardhmen”.

Dje mёrgonit, sot prisni tё mёrguarit….

“I kemi mirёpritur gjithmonё popullsitё nё rrezik. Kujtoj hebrenjtё nё ikje nga nazizmi. Kujtoj gjysmё milioni kosovarё mё 1999. Kujtoj tremijё iranianёt e liruar nga burgjet e Irakut. Kujtoj sirianёt e ardhur nё kёta muaj”.

            Ku duhet tё pёrmirёsohet Shqipёria?

“Po pёrshkojmё rrugёn e evropianizimit: kemi bёrё shumё, por shumё mbetet ende pёr t’u bёrё”.

            Por ama trafiku i drogёs shqetёson….

            “Jemi nga ata qё kemi bёrё mё shumё. Por siç vёrteton lufta kundёr mafies nё Itali, kjo ёshtё njё betejё qё zgjat mё shumё se seria “Gomorra”.

            “Corriere della Sera”, 27 gusht 2018   E pёrktheu nga itaishtja Eugjen Merlika

Filed Under: Interviste Tagged With: Edi Rama, Eugjen Merlika, ne Corriere della Sera

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1292
  • 1293
  • 1294
  • 1295
  • 1296
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT