– Qeveria e Kosovës drejt njëvjetorit, sot mbajti mbledhrn e 62-të, në Nëntor në Pejë bashkë me Qeverinë e Shqipërisë/
-Kryeminisrti Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë: Për të mos u ndryshuar kufijtë e territori, vota time sot e nesër e në çdo kohë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 28 Gusht 2018/ Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve për asistencë financiare në vlerë prej 112 mijë euro për Preshevën për ndërtimin e një këndi të lojërave për fëmijë dhe për “Parkun e paqes”. Parku i dedikohet rekreacionit dhe argëtimit të të gjithë qytetarëve të kësaj komune dhe pritet të ndikojë pozitivisht në kohezionin social të komuniteteve në këtë komunë. Projekti do të bashkë financohet me GIZ-in gjerman.
Qeveria e Kosovës, e kryeministrit Ramush Haradinaj, zhvilloi sot pasdite mbledhjen e 62-të me radhë, ndërkohë që pas dy javësh mbushë vitin e parë të punës.
Në bilancin e njëvjetorit të qeverisë së Kosovës është edhe mbledhja e përbashkët me qeverinë e Shqipërisë, e mbajtur në 27 nëntor 2017 në Korçë, ndërsa kryeministri Haradinaj sot në mbledhjen e qeverisë njoftoi anëtarët e kabinetit qeveritar për mbledhjen e radhës të dy qeverive, që do mbahet në nëntor 2018 në Pejë, të paralajmëruar edhe dje në konferencën për shtyp pas takimit informal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Durrës.
Në axhendën e kryeministrit kosovar sot ishte edhe pjesëmarrja në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, i cili mbahet para mbledhjes së qeverisë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se duhet identifikuar ngecjet që kanë të bëjnë me zbatimin e Agjendës së Reformës Evropiane dhe të lëvizim përpara.
Kryeministri Haradinaj tha se kjo qeveri është ndër më dinamiket që ka pas Kosova që nga pas lufta dhe theksoi faktin që me më pak se një vit punë, ka 900 vendime të miratuara me interes për jetën e qytetarëve tanë, por po evidentohen vendime që na mungojnë.
“Nëse në tema tjera jemi më shumë se njëqind për qind proaktiv, atëherë duhet që edhe temave që kanë të bëjnë me procesin e integrimeve t’u japim prioritet”, tha kryeministri Haradinaj, duke siguruar që në periudhën që po hyhet do t’i kushtohet rëndësi e veçantë kësaj teme.
Qeveria e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.
***
HARADINAJ: VOTA IME ËSHTË PËR MOSNDYSHIM TË KUFIJVE E TERRITORIT
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha sot se e ka votën e tij rezoluta e paralajmëruar nga opozita se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e kufijtë e Kosovës.
“E ka votën time sot. Për të mos u ndryshuar kufijtë e territori e ka votën time sot e nesër e në çdo kohë”, u shpreh kryeministri Haradinaj pasditën e sotme pas një mbledhje të qeverisë, duke iu përgjigjur interesimit të medias se a do ta përkrahë partia që ai drejton, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një qëndrim të tillë të opozitës.
OPOZITA: SEANCA E JASHTËZAKONSHME E KUVENDIT TË KOSOVËS PARA 7 SHTATORIT
-Në seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës/
“Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit para datës 7 shtator 2018”, ka paralajmëruar dje kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke theksuar mbështetjen nga dy partitë tjera opozitare – Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate.
“Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush.
Në ditët në vijim do të kërkojmë mbështetjen edhe të grupeve të tjera parlamentare, si dhe të shoqërisë civile”, është shprehur kryetari i grupit parlamentar të LDK.
“E mirëpres mbështetjen që po i jepet kësaj rezolute edhe nga grupet e tjera parlamentare. Pres që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë rezolutë”, ka shkruar sot Hoti në ‘facebook’.
Sipas deklaratave të sotme nga opozita, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet në 4 shtator 2018.
Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.
Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD, shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.
Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për në 7 shtator.