• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kampi i Tepelenës, jo Aushvic, por Gulag ?

August 22, 2018 by dgreca

Ku gabon dhe ku ka të drejtë, Joe Dioguardi/

1-rafael

Nga Rafael Floqi /

Çdo krahasim natyrisht çalon. Dhe një letër e Joe Dioguardit drejtuar kryetarit te Bashkisë së Tepelenës, botuar jo pa qëllim tek gazeta “Dita” me nëntitull ekskluziv, është një kurth i vogël spekulativ së kësaj gazete shqiptare, apo të “Tërmetit të Votës publicitar “ ku kanë rënë edhe figura të diasporës me vlerë kombëtare. si zoti Joe Dioguardi, kryetar i LQSHA, po ku edhe për arsye emocionale të kuptueshme edhe njerëzore u indinjuan, edhe mendje të ndritura si Prof . Sami Repishti apo z. Lekë Mirakaj, i mbijetuar i tmerreve të këtij kampi, të cilët shprehin jo pa dhimbje kundërshtimin e tyre të kuptueshëm dhe të drejtë, si përjetues e përvuajtës të atij tmerri dhe që kanë mbajtur vetë apo familjarisht, mbi shpinë e shpirt, si përvoja dhe gjurmë çnjerëzore të atij ferri komunist që kaluam.

Ideja e letrës personale dhe jo publike e zotit Dioguardi bëhet mendoj, jo që të mos kujtohen viktimat e krimeve komuniste, por për ruajtjen e asaj arritje, që ai ka bërë në lobimin e tij në bashkëpunim me lobin e fuqishëm izraelit në SHBA, pa bashkëpunimin e me të cilin, nuk do të kishte pasur sukses puna lobiste në favor te çështjes kombëtare shqiptare, si ajo e Kosovës, Ky motiv i zotit Dioguardi është qëllimmirë, po i ngushtë, i lidhur me lobimin e tij dhe raportet me lobin çifut dhe jo me kontekstin e gjerë të çështjes të Kampit të Tepelenës e të jehonës së tij famëkeqe në realitetin shqiptar.

Nuk dua të bëj avokatinë e tij, por ky duket se është motivi i kësaj letre. Ideja e emërtimit te kampit si Aushvic, ka në konotacion mjaft të fortë, dhe e parë me syrin e një amerikani, apo me atë të një izraeliti amerikan, me ngjyrimin e tij ky togfjalëshit emocional “Aushvici shqiptar “ le shteg për keqinterpretime, tingëllon në veshët e diasporës izraelite amerikane, mike të shqiptarëve , “Sikur shqiptarët kanë pasur një kamp ku vrisnin çifutët”.(Sic!) Kësaj ideje kërkon t’i qëndrojë sa më larg z. Dioguardi. Ndërsa çështja e të përndjekurve që duan të kujtojnë me të drejtë viktimat e krimet e pashoqe të kampit famëkeq të Tepelenës, ndoshta, nuk është aq e prekshme për të, por është thellësisht e dhimbshme, për të tjerët që kanë kaluar nëpër ferrin komunist. Prandaj theksoj se krahasimi me Aushvicin çalon.

“Don’t compare your life to others. You have no idea what they have been through”,

Mos krahaso përvojën tënde me të tjerëve,  thoshte oratori australian Sam Cawthorn, që e përshtatur lirshëm për këtë situatë, do të përkthehej : “ Mos e krahaso përvojën tënde jetësore me të tjerëve, pasi, ti nuk e di se çfarë kanë kaluar ata”.

Joe Dioguardi dhe pse mund ta ketë studiuar, duke mos e njohur në brendësi dhe thellësi emocionalisht realitetin e thelbin e regjimit komunist në Shqipëri në këtë apel ndaj kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, shqetësimi kryesor i tij, ashtu siç shkruhet në letër, dhe në letrën sqaruese mbi të, qëndron kryesisht tek emërtimi i këtij kampi si “Aushvic shqiptar”. “Gjatë kohës që unë isha kongresmen i Shteteve të Bashkuara, e vizitova Tiranën bashkë me kolegun tim kongresist, të ndjerin Tom Lantosh. shkruan ai. Gjatë takimit prej dy orësh e gjysmë me Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alia, ne mësuam për herë të parë mbi një nga aktet më të nderuara dhe më fisnike të popullit shqiptar për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë në Shqipëri dhe ata që erdhën nga Europa Perëndimore përmes Kosovës në Shqipëri gjatë kohës së errët të holokaustit nazist. Vitet e fundit, së bashku me gruan time Shirley, jam munduar nëpërmjet iniciativave të panumërta të ndaj me publikun amerikan si dhe atë ndërkombëtar një nga tiparet më fisnike të kulturës Shqiptare, Besën, e cila na nderon të gjithëve ne. Prandaj, unë jam i shokuar dhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar”. Natyrisht kjo është perspektiva e tij dhe ai ka të drejtë në opinionin e tij.

Enver -Hitler

Ajo ku gabon z. Dioguardi është se reagimi i tij ka qenë emocional dhe i përdorshëm nga ata që kanë dashur ta bëjnë palë në synimin e shtrembërimit të historisë, në  mbulimin e krimeve të regjimit të Enver Hoxhës. Mendoj se ky është këndvështrimi e perspektiva e Dioguardit dhe nuk duhet harruar se ai e ka me të dëgjuar, jo me të përjetuar, njohjen e ferrit komunist shqiptar. Ai ndoshta, nuk arrin ta kuptojë, edhe atë që thirrjet e shqiptarëve “Enver –Hitler në momentet e grahmës së diktaturës, nuk ishin vetëm një parullë për hir të rimës, a thjesht një krahasim, por një realitet në Shqipërinë Komuniste, ku në vend të vizës mund të vije kur të doje shenjën e barazimit.

Gjykoni nga këto kujtime të një ish të burgosure në atë kamp:  “Në atë vit i gjithë vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë. Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit në ato kazerma, na katandisën në skelete shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysmë i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me radhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t’u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës. Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zieja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.” A ka Dante që të përshkruaj një ferr më të zi se ky ?

Hitleri apo Enveri: Kush ishte më i keqi?

Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, amerikanët u mësuan ta shihnin si Gjermaninë naziste ashtu edhe Bashkimin Sovjetik si të keqen më të madhe “ the great evil”. Hitleri ishte më i keq, sepse regjimi i tij përhapte tmerrin e pashembullt të Holokaustit, përpjekjen për të zhdukur një popull të tërë në baza racore. Megjithatë, Stalini ishte edhe më i keq, sepse regjimi i tij vrau shumë, shumë më tepër njerëz – dhjetëra miliona, si shpesh pohohej viktimat të pafundme të Gulagut  siberiane, ku çoheshin,  jo veç kundërshtarë politik e klasor, por edhe fshatarë të pasur kulakë. Për dekada, madje edhe sot, për të kuptuar ndjeshmërinë e SHBA ndaj nazizmit, mjafton të shohim kronikën e ditëve të fundit në TV  kur me porosi të Presidentit Donald Trump, agjencia e emigracionit dhe i kontrollit të doganave ICE, deportoi 95- vjeçarin me barelë Jakiw Palij nga shtëpia e tij në Queens, Nju Jork ,të hënën. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thonë se Palij shërbeu si roje e armatosur në një kamp vdekjeje në Poloninë e pushtuar nga nazistët dhe më vonë gënjeu zyrtarët amerikanë të emigracionit për rolin e tij në ato mizori kur hyri në Uashington pas luftës si emigrant.”

Ky mendim për dallimin në mes të dy regjimeve i parë në raportin, cilësia kundrejt sasisë – ka vendosur rregullat bazë për politikën e kujtesës në qëndrimin ndaj dy diktaturave. Madje edhe historianët e Holokaustit, përgjithësisht pranojnë se Stalini vrau më shumë njerëz, sesa Hitleri, duke u vënë nën presion më të madh, për të theksuar karakterin e veçantë cfarosësh  të Holokaustit, pasi kjo gjë e bënte regjimin nazist më të keq se ai stalinist, praktika e së cilit i zbatoi deri në ekstrem e përtej atij, Enveri i ynë. Mjafton të kujtojmë ateizmin shtetëror të pa arritur në asnjë vend komunist. Por ka edhe një dallim të madh përgjithësisht mes të dyja këtyre dy praktikave të dhunës. Nëse holokausti synonte të zhdukte një racë e të mbronte racën e vet ariane, komunizmi synonte të zhdukte një klasë të së njëjtit popull. Mësim që Enveri e çoi me vullnet deri në zgrip dhe jo pa sukses…

Diskutimi i numrave mund të na çojë në një fare indiference në përjetimin tonë për karakterin e tmerrshëm personal të çdo vrasjeje dhe tragjedinë e pakapërcyeshme të çdo vdekjeje. Ndërsa kushdo që ka humbur një të dashur, në çfarëdo kampi përqendrimi, si unë gjyshin, e di se dallimi midis zeros dhe njëshit është një pafundësi. Dhe nëse duket e vështirë për ta kuptuar këtë, po e njëjta gjë është e vërtetë edhe për dallimin në mes, për shembull, mes numrave 780,862 dhe 780,863, që është shifra më e saktë i të vrarëve në Treblinka. Numrat e mëdhenj janë të rëndësishëm, sepse ata janë një shumë e numrave të vegjël: domethënë, janë shuma e jetëve individuale të çmuara të humbura. Sot, pas tri dekadash kërkimesh në arkivat e Evropës Lindore, dhe në sajë të punës së studiuesve: gjermanë, rusë, izraelitë dhe dijetarëve të tjerë, ne mund ta zgjidhim çështjen e shifrave. Tani dimë se gjermanët vranë më shumë njerëz sesa sovjetikët dhe shqiptarët për 1000 frymë më shumë se këta të fundit. Këtu kjo çështja e cilësisë, bëhet disi më komplekse se sa ishte menduar më parë. Vrasjet masive në Bashkimin Sovjetik, apo në Shqipëri, ndonjëherë përfshinin motivime, kombëtare dhe etnike, dhe krahinore që mund të jenë disi dhe të krahasueshme me motivet naziste. P.sh, si shpjegohet që shumica e të burgosurve të Kampit të Tepelenës ishin nga Veriu i Shqipërisë dhe të besimit katolik?

Skena e historisë shqiptare të pas luftës së Dytë Botërore ishte një “carbon copy “ e historisë dhe histerisë së Stalinit. Dhe nuk ka historianë amatorë apo profesionistë, patriotë por të majtë, si miqtë e mi Auron Tare, apo historiani Pëllumb Xhufi, ky i fundit sa i thellë dhe patriot është në fushën e historisë së Mesjetës, aq i cektë dhe mbrojtës lokalist, se mos njolloset Tepelena e tij, duke u bërë kështu verbërisht në një mbrojtës dogmatik të fshehjes së realitetit të zymtë të një periudhe të errët të diktaturës së Enver Hoxhës. Ndaj nuk është në nderin e Xhufit e Milos qëllimisht, dhe as të Dioguardit pa qëllim me gjithë meritat që kanë, që mbrojnë apo të klasifikojnë për çdo motiv një çështje të pambrojtshme, terrorin e komunisteve shqiptarë dhe gjenocidin mbi baza të afërsisë biologjike të gjakut. Dukuri e cila edhe për shkak të traditës kanunore dhe klanore të një vendi të vogël si Shqipëria u çua në ekstrem. Marksi fliste për luftë ekonomike klasash dhe ajo u shndërrua në Shqipëri në luftë biologjike ndaj fisit, familjes, genit.

“Një fushë përqendrimi e pune të detyruar, një kamp, i populluar nga dymijë qenie njerëzore të ardhur, pothuajse të gjithë nga Veriu i Shqipërisë: pleq, gra, fëmijë, të shkulur në pak orë nga shtëpitë e tyre e të grumbulluar në pesë kazerma, shkuan Elena Merlika Kruja në një dëshmi nga kampi E të mendosh se atëherë e gjithë popullsia shqiptare nuk arrinte në një milion! Vendi i zgjedhur ishte llogaritur deri në hollësitë më të imta: një ultësirë e gjerë, gati si një fushë e vogël beteje, e rrethuar pikërisht nga kazerma, bazë prapavije e ushtarake për ushtrinë italiane gjatë luftës italo – greke në vitet e luftës së dytë botërore. Për rreth nuk shiheshin veç male, një erë e akullt gjatë dimrit na e bënte jetën të pamundur, tela me gjemba kudo, ndalim i rreptë për të ndezur zjarr për t’u ngrohur me rrezikun për të mbetur, të lidhur, gjithë natën jashtë në ngricë”.

Ndoshta kampi i Tepelenës nuk ishte ndërtuar qëllimisht për të zhdukur njerëz si “Aushvici” , por aty, pavarësisht se s’pati krematoriume  janë zhdukur njerëz të pafajshëm, gra, pleq, fëmijë, thjesht pse kishin lidhje, gjaku, fisi, geni me kundërshtarët e tyre politik.

Megjithatë pavarësisht motivit dhe mos njohjes së çështjes, apeli i Dioguardit, me dashje a  pa dashje, ku shkruan “Prandaj unë ju nxis, me autoritetin e Kryetarit te Bashkisë së Tepelenës të tërhiqni mbështetjen për memorialin Kompleks i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës”. Dhe, meqenëse Këshilli i qytetit tuaj ka kaluar një “rezolutë” mbi të ashtuquajturin “Memorial i Kampit të Shfarosjes të Tepelenës”, unë Ju nxis që zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë dhe, në se do të ishte e nevojshme, të linit popullin e Tepelenës të vendosë nëpërmjet një referendumi lokal nëse një njollë e tillë e pashlyeshme do të vendosej në qytetin e tyre të bukur dhe historik.”, barazohet me qëndrimet e historianëve dogmatikë.

“Enver –Stalin, pionierët duan lirim!”

Mosnjohja nga ana e z. Dioguardi, nuk është argument justifikimi, siç thotë me të drejtë prof. Sami Rrepishti, , Ph.D ish i burgosun politik (1946-56).por indinjata e tij, sado e justifikuar, duket e tepruar “Kur shprehet :Letra ashte nji akt tradhtie te pabesueshme nga nji persone qe njeh mire situatën “. Por kjo është thellësisht e kuptueshme kur ai shkruan “Ne emën te nanës sime Hava Bushati-Repishti, te motres sime Hadije Repishti (14) dhe te vellaut te vogël Vehbi Repishti (11) denoj pa asnji mëshirë këtë akt skandaloz, ofendues, dhe nji thike mbas shpine per viktimat, shumica e te cileve kane qene femij te parritun akoma, dhe foshnje fare”.

Kush e ka jetuar, parë e dëgjuar ferrin që siç e përshkruhet në një dëshmi të një të mbijetuari në kampin famëkeq të Tepelenës që po e sjellim këtu :”Vetëm me 400 gramë bukë. Nuk vonoi shumë dhe ra tifo e dizenteri njëherësh. Filloi vdekja në seri. Ambulancë dhe ilaçe nuk kishte. Vend i izoluar, pyll, epidemi. Ishte krijuar një skuadër vetëm për të hapur varre. Ajo shkonte për të hapur 2-3 varre e pastaj lajmëroheshin që të hapnin edhe një tjetër, edhe një tjetër… Kishte raste, 5-6 varre në ditë”, e di se e vërteta duhet mbrojtur.

Ndërsa në një bisedë një i njohuri i im i arratisur nga Vermoshi. Z. Nikollë Hysa, më tregonte se vetëm nga fshati Vermoshi i Prekë Calit, kishte 65 familje të izoluara në këtë kamp fatkeq me tregonte histori sureale, makabre nga jeta në atë kamp. Të papërfytyrueshme. “Një grua kishte dy binjakë si drita. Nga kushte e këqija nga të ftohtit nga mos ushqimi i vdes një foshnjë. Gratë e varrosin atë jashtë në oborr. Të nesërmen në gjumë vdes vetë nëna, ndërsa binjaku i mbetur pinte gji nga nena e vdekur”. A ka tragjedi greke që mund ta përshkruaj këtë skenë? Apo skenën e nënës që e pat zhvarrosur tre herë foshnjën e saj nga varri, sa herë që rojet e ndryshonin kufirin e rrethimit të kampit. Pasi donte të linte një shenjë që nëse dilte një ditë nga ai ferr, të kishte mundësi ta gjente, ashtu si edhe e gjeti varrin vetëm pas viteve 90-të, pasi e kishte varrosur pas një peme. Por Nikolla tregon edhe një skenë paradoksale që siç duket çoi në mbylljen e kampit.” Ishte mësuar se kampin do ta vizitonin këshilltarët ushtarakë sovjetikë, thotë ai . Dikush i organizoi fëmijët dhe me të hyrë disa nga oficerët sovjetikë, fëmijët e uritur, të mjerë, të dërmuar thërritën në kor një lutje një thirrje për jetën për diktatorin që t’u shpëtonte shpirtrat: “Enver –Stalin, pionierët duan lirim!”

Thirrjet duket që prekën edhe vetë sovjetikët gjë që kuptuan se nxënësi Enveri ia kishte kaluar mjeshtrit Stalin, gjë që çoi më vonë, edhe në mbylljen e kampit. Dikush sot thotë se atje “nuk ka qenë edhe aq keq”, ndërsa një ndër pinjollët e ish-udhëheqjes komuniste, njëkohësisht edhe viktimë e saj, Bashkim Shehu, i biri i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, në një intervistë të kohëve të fundit do të shprehej se në atë kamp ishte më keq, se burgu ku ai kishte vuajtur dënimin dhe se vdekshmëria foshnjore ishte aq e lartë, saqë vetë ata që e kishin ngritur vendosën ta mbyllnin.

Holokaustin e filluan nazistët e përfunduan komunistët

Që prej debatit për kampin e Tepelenës, ky i fundit është kthyer në simbolin e vuajtjes çnjerëzore nën komunizëm. Për t’i dhënë më shumë dritë, jo vetëm këtij debati, por edhe persekutimit komunist në këtë zonë të Shqipërisë, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit organizoi në datën 20 gusht ekspozitën me titull “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”. Ky shihet si një hap pozitiv. Por duhet bërë më shumë. E keqja është e njëjtë. por reagimi dhe qëndrimi është i ndryshëm. Ndërsa në SHBA një nazist dëbohet në barelë me gjithë moshën 95 vjeçare, edhe pranohet vetëm për motive morale nga Gjermania, edhe pse nuk kishte lindur në Gjermani por në Poloni, më thoni në Shqipëri se cilit, nga ish-funksionarët apo rojet e burgut të Tepelenës, i ka hyrë gjembi në këmbë.  Edhe pse vendet ish komuniste të BE-së kanë reaguar, Shqipëria do të ndahet e fundit nga e shkuara e saj komuniste.

Gjatë Presidencës hungareze të BE-së të vitit 2011, një nismë hungareze-lituaneze- polake rezultoi në marrjen e ministrive të drejtësisë nga BE-ja, duke pranuar një dokument që lidhet me kujtimin e regjimeve totalitare. Kjo ditë u shpall më 23 gusht. Që nga viti 2011, çdo vit një vend europian organizon një konferencë kushtuar Ditës Evropiane të Kujtimit. Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, e njohur si Dita e Shiritit të Zi në disa vende, e cila është vërejtur më 23 gusht, është dita ndërkombëtare e përkujtimit për viktimat e ideologjive totalitare, veçanërisht regjimet totalitare komuniste, stalinizmin, nazizmin dhe fashizmin. Kjo datë u zgjodh në kujtim të Paktit Molotov-Ribbentrop, një nënshkrim pa agresion, i vitit 1939 midis BRSS-së dhe Gjermanisë naziste.

Atëherë duke u kthyer çështjes sonë. Kur në thelb të dy regjimet, si ai i së majtës ekstreme dhe te djathtës ekstreme takohen. Pasi nazizmi edhe në emër ishte Nacional Socializëm. Pra kur në thelb janë e njëjta e keqe. Pasi në praktikë duket se edhe holokaustin nazistët e filluan dhe komunistët e përfunduan. Pra meqë është e keqe e ngjashme, pse të mos e quajmë Kampin e Tepelenës, si Gulagu i Enver Hoxhës?  Në fund të fundit është një krahasim që është më afër realitetit politik dhe në këtë aspekt.

Por ka edhe për një arsye tjetër, ku ky krahasim çalon  në qëndrimin ndaj viktimave, se ishin po ata shqiptarët të Besës që ruajtën çifutët nga nazizmi, dhe këto me fakte, më të pabesët, që spiunuan po shqiptarët tek gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i dërguar në Kampe Përqendrimi ku gjetën vdekjen, apo që spiunuan, vranë, torturuan, shkatërruan këdo që guxonte të mendonte ndryshe tek organet e diktaturës komuniste. edhe pse ishin të së njëjtës racë e gjak. Pse kur Partia zëvendësoi edhe Besën edhe zotin, kjo puna e Besës ndaj çifutëve duket si një mit, apo diçka tjetër ?

Por le t’i kthehemi edhe një herë letrës së Dioguardit, me gjithë rezervat, në fund të fundit duket se ka të drejtë në një gjë, siç thotë një proverb amerikan” The fastest way to kill something special, is to compare it to something else”.  ( Rruga më e shpejtë për të vrarë diçka të veçantë, është ta krahasosh atë me diçka tjetër.)

Ndaj jo AUSHVIC, por GULAG!

Filed Under: Politike Tagged With: jo Aushvic, Kampi i Tepelenes, por Gulag ?, Rafael Floqi

HARRY T. FULTZ, HUMANISTI DHE DHE MIKU I SHQIPËRISË

August 22, 2018 by dgreca

1 hfultz

ME RASTIN E DITËS HUMANITARE BOTËRORE KUJTOJMË HUMANISTIN E MADH DHE MIKUN E SHQIPËRISË, AMERIKANIN DR. HARRY T. FULTZ/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli

Të djelën që kaloi më 19 gusht Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar shënuan Ditën Humanitare Botërore, në kujtim të angazhimit dhe dedikimit të puntorëve dhe zytarëve kombëtarë e ndërkombëtarë që merren me çështjet humanitare, duke u shkuar në ndihmë njerëzve më në nevojë të botës, ndërkohë që në shërbim të të tjerëve rrezikojnë çdo gjë, përfshir edhe jetën e tyre.

Në kujtim të kësaj dite, Sekretari Amerikan i shtetit, Michael Pompeo lëshoi një deklaratë në të cilën vuri u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë një histori të dalluar për të ndihmuar njerzit në nevojë dhe në kushte të vështira jetese, qoftë për shkak të konflikteve, tragjedive natyrore ose të tjera duke shpërndarë ndihma humanitare, përfshirë ushqime, strehim, arsim, shëndetësi e të tjera për miliona veta anë e mbanë botës dhe për një histori të gjatë veprimi ç’prej fillimit të shekullit të kaluar.

Në këtë Ditë të humanizmit ndërkombëtar, le të kujtojmë humanistin e madh amerikan, Dr. Harry Fultz-in, i cili nga viti 1922 e deri më 1933 ai drejtoi në Shqipëri Shkollën Teknike, të njohur për atë kohë dhe sot.  Duhet shënuar se Kryqi i Kuq Amerikan, nën drejtimin e Dr. Fulzit-it, për të gjithë ata që e kanë mbajtur mend, e disa prej të cilëve më kanë thënë se ishte me të vërtetë një ent shumë humanitar për shqiptaët e asaj, sidomos nga këndveshtrimi i sotëm edukues, ekonomik dhe shoqëror. Ai kishte vajtur në Shqipëri në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar, e pa njohur dhe tejet e varfër. Nga ato pak shkrime që kam lexuar për të, e dinte mirë Fultz-i se ku po shkonte dhe e dinte gjlndjen e mjeruar në të cilën gj[ëndej cvendi, në çdo pikëpamje. Por ai me shpirtin e një humanisti të vërtetë, nuk ngurroi, por me një frymë si të një apostulli iu përvesh punës për të kryer misjonin e tij. Ai e kishte vendosur, sipas kujtimeve të disave, që më vuajtje dhe megjith sfidat e papara, të harxhonte të gjitha forcën dhe të ndërmerrte të gjitha përpjekjet  e nevojshme ta bënte Shqipërinë një vend më të mirë se ç’e kishte gjetur. Por, siç dihet ai hasi në shumë sfida, përfshir edhe mentalitetin osmano-bizantin.  Se si shikohej suksesi i Shkollës Teknike të Fultzit në Tiranë u pa më në fund, se me largimin e Fultzit, me të mbaroi edhe Shkolla Teknike. Mbaroi fatkeqësisht, me përbuzje, mosmarrveshje e konflikte kulturash.  Dihet se Dr. Harry Fultz, së bashku me Misjonin Amerikan u përzunë nga Shqipëria në vitin 1946 dhe shumë të diplomuar nga ajo shkollë jo vetëm që e kishin shumë të vështirë të gjenin punë, por  më vonë e pësuan edhe më keq, të akuzuar si agjentë amerikanë.

Në veprën e tij poetike “Lines of Illyria” ose “Vargje Ilirisë” shkruar me të bijen e tij Xhoanën gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, por botuar në vitin 1950 në Nju Jork, ai i ka shënuar kujtimet e tija duke i kushtuar disa vjersha Ilirisë, ku sipas të ndjerit Profesor Zef Nekaj, më shumë se shije poetike, Fultz-i tregon lashtësinë dhe vrazhdësinë e vendit që e frymëzon atë.  Z. Nekaj shprehet në vlerësimin e veprës poetike “Vargje Ilirisë”, se Z. Fultz i ka kushtuar Shqipërisë mundin dhe vrullin e veprimtarisë së tij burrërore, për më shumë se një dekadë. Ai shpreh aty ankthin  për gjëndjen e shqiptarëve në atë kohë, për të arrijturat dhe të parrijturat e tyre dhe ankimin fisnik të zemrës së zjarrtë të një njeriu përparimtar që dëshiron të bëjë sa më shumë për popullin shqiptar.

Është pra Dr. Harry Fultz, humanisti i njohur amerikan, që kujtojmë në këtë Ditë Humanitare Botërore. Harry Fultz-in e Shkollës Teknike të Tiranës, i cili përveç shkollës që mbante emërin e tij, ai së bashku me studentët shqiptarë, themeloi edhe revistën me titull “Laboremus” – Të punojmë. Kujtojmë humanistin amerikan i cili, që atëherë,  kërkonte ndihmë nga vendi i tij i madh për të mbështetur Shkollën Teknike të Tiranës dhe popullin shqiptar.   Në Ditën Botërore Humanitare e kujtojmë Dr. Harry Fultz-in duke shprehur mirënjohjen tonë të thellë për punën e tij, për vetmohimin dhe urtësinë e tij — edhe në emër të atyre brezave që ai edukoi e la pas në Shqipëri, por të cilët ndoshta nuk patën kurrë rastin ta falënderonin.

***

Biografia e Harry T. Fultz/

1 Fultzi 1926

29 Dhjetor 1888 – 30 Dhjetor 1980/
Harry T. Fultz lindi në qytetin Salem të shtetit Indiana. Fillimisht ai u diplomua në kolegjin Wabash në Indiana e më pas në universitetin teknologjik “Amarou” në fushën e mekanikës. Deri në 1922 ai punoi si pedagog në institucione të ndryshme arsimore në Amerikë. Gjatë kësaj periudhe pati një shkëputje 2-vjeçare (1917 – 1919) për shkak të shërbimit ushtarak.
Në 1922, Kryqi i Kuq Amerikan e caktoi profesorin e arteve mekanike, 34 vjeçarin Harry T. Fultz, Drejtor të Shkollës Teknike, Tiranë. Nëpërmjet punës së tij Shkolla Teknike tërhoqi vëmendjen e opinionit të kohës si shkollë me cilësi të larta. Pedagogjia e tij në punë si drejtues mbështetej në moton “Learning by doing” (të mësuarit nëpërmjet praktikës) të cilën ai e zbatonte vetë i pari. Me kultin e punës u lidh edhe emri i revistës së shkollës “Laboremus” (të punojmë). Si pedagog i shquar ai diti të verë një rregull dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë, të rrënjosë dashurinë për punën, bazuar në të famshmin prakticitet amerikan. Si inxhinier me aftësi të rralla diti të ndërtojë një shkollë me një përgatitje akademike e teknike të cilësisë së lartë.

Veprimtaria e Harry Fultz është një ndërthurje e shkëlqyer e ideve pragmatiste, shpesh herë të gërshetuara edhe me elementë te edukatës, të pedagogjisë së punës ku fjala ka një unitet me veprimin, ku pasioni për punën shkrihet me profesionalizmin e lartë, përballë një personaliteti të madhërishëm të mësuesit bashkëkohor, të shkrira në një. Ai solli në vendin tonë traditën e përvojën më të mirë të shkollës amerikane, zbatoi metodat e reja të mësimdhënies dhe të mënyrës së të mësuarit, vuri në jetë dhjetra projekte, gjithçka në shërbim të përgatitjes e formimit të teknikëve të rinj.

Kujtimet e ish-nxënësve të tij janë vlera dokumentare që flasin për një model të shkëlqyer të mësuesit demokrat, i cili shquhet për nivelin shkencor, aftësitë e veçanta organizative në vënien në lëvizje të organizmave të shkollës. Ato janë dëshmi e një përvoje dhe intuite të thellë psiko-pedagogjike, e një ndjeshmërie të situatave të nxënësve e përpjekje maksimale për t’iu gjendur pranë si mësues e prind në çfaredo rrethane.Misioni i tij përfundoi më 1933 pas 11 vjetësh duke lënë një mesazh për brezat e shkollës “Përpiqu ta bësh vendin të denjë për të jetuar në të”

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi 4 vjet në Departamentin e Shtetit dhe në agjensitë e tjera qeveritare të SHBA. Nga maji i vitit 1945 deri në nëntor të vitit 1946 punoi në misionin diplomatik të SHBA në Tiranë dhe në ambasadën Amerikane në Romë deri në pranverë të vitit 1947.

Në pranverë të vitit 1947 u caktua Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare, një rezidencë kryesisht pë studentët e huaj në Universitetin e Chicagos dhe qëndroi në këtë post deri sa doli në pension në vitin 1962. Gjatë këtyre viteve punoi gjithashtu sekretar i Bordit Panamerikan të Arsimit (1947 – 1962).  (Marrë nga portali Instituti Harry Fultz)

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Harry Fultz, MIKU I SHQIPTAREVE

NGA SKRAPARI, MYSAFIR NË PARADËN E ARBËRESHËVE

August 21, 2018 by dgreca

– Kthehet në Vendlindje grupi popullor i Isopolifonisë ,  i cili mori pjesë në koncertin dhe Paradën e Kostumeve Arbëreshe 2018, në Vaccarizzo Albanese Itali.-/

1 grupi

Nga Skrapari Sulo Gozhina /*

SKRAPAR – Është kthyer në qytetin e Çorovodës  ku dhe është pritur nga kryetari i bashkisë Skrapar, Nesim Spahiu, grupi popullor i Isopolifonisë “Riza Cerova”,  i cili mori pjesë në koncertin dhe Paradën e Kostumeve Arbëreshe 2018, në Vaccarizzo Albanese Itali. Me këtë rast kryetari i bashkisë Spahiu falenderoj artistët që përfaqësuan një trevë sa mikpritse e bujare, po edhe aq artëdashve, ndërsa falenderoj edhe miqët arbëresh në Itali, për mikpritjen e grupit të artistve, si dhe “Rai 3” që i kushtoj një rëndësi të vaçant eventit dhe kryesisht grupit të Skraparit që intepertoj mes dhjetra grupeve në këtë event të rëndësishëm në Kalabri….. Në këtë kontekst kënga skraparase ka bërë jehon në mes të vëllezërve arbëresh. Le t’i urojmë suksese sot, Grupit Folklorik të Skraparit që ishte mes vëllezërve arbëreshë me këngën, traditën dhe krenarinë që n’a përfaqëson denjësisht në çdo event… Skrapari është një këngë që nuk mbaron ndër shekuj… le ta ruajmë së bashku traditën e bukur popullore.
Nënkryetarja e bashkisë e cila shoqëroj grupin në fjalë Rudina Llango tha për gazetën se ishte një performancë e shkëlqyer e grupit popullor të Isopolifonisë “Riza Cerova”, ku me intepertimin e tij, këngve dhe valleve në një skenë madhështore e ngritur enkas për këtë event, grupi në fjalë, jo vetëm mori duartrokitjet e atij publiku artëdashësh e patriot, por me valet e tij, grupi ngjiti në sken qindra banor Arbëresh, ku më e veçanta për publikun Arbëresh që duket se ngriti pesh edhe  zëmrat e tyre, ishte kënga e vogëlushes Keilin Harizaj “Xhamadani Vija –Vija”.
Krenar Xhaferri drejtori për turizmin dhe mardhëniet me jashtë në këtë bashki tha se pjesëmarja në event e grupin nga treva Skraparit ishte një ftesë e ardhur në bashkinë Skrapar nga kryetarit të komunës Vaccarizzo Albanese Antonio Pomilla. Në këtë event e veçanta ishte se veç këngve dhe valleve popullor,  grupi popullor i Isopolifonisë “Riza Cerova”,  i bashkisë Skrapar, mori pjesë në Paradën e Kostumeve Arbëreshë 2018 .
Vlen të përmendet se është hera e parë pas 25 vjetësh që një grup i këngëve dhe valleve popullore të trevës të Skraparit nga shqipëria merr pjesë në një event të rëndësishëm në Kalabri dhe kjo u mundësua nëpërmjet kontributit të Ish Ministrit të Turizmit Damiano Gualiardi si dhe mbështetjes së kretarit të bashkisë Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla. Në këtë event merrnin pjesë grupe popullore nga  komuna të shumta arbëreshe të veshura me kostume tradicionalepopullore. Në këtë event madhështor të pikasur, jo vetë nga përformancat e shkëlqyera të grupeve të ftuara  që ishin veshur me kostumet tradicionale popullore, por dhe nga intepertimi i shkëlqyer në skenën e krijuara enkas që shkonin në harmoni me kostumet, këngët, valet dhe traditat popullore të  secilit grup. Skrapar përbëhej nga grupi i burrave i përbërë nga kengëtaret Nesim Meno, Sefedin Çela, Kastriot Aliohoxha, Nikola Meno dhe i grave i përbërë nga këngëtarët Dashuri Hysaj, Drita Qafoku, Djana Ymeri, Zhaklina Musabelliu, Isabela Kuçi, pjesë e grupit ishte dhe vogëlushja Keilin Harizaj. Parada e kostumeve arbëreshë 2018, filloi me manifestimin e grupeve të ftuara të cilat të veshura me kostume popullore, parakaluan në rrugët e qytetit të  zbukuruara me pankarta . Grupi  i Iso-polifonisë i bashkisë Skrapar paraprinte paradën i veshur i gjithi me kostume popullore si dhe gjatë paradës valviste flamurin e bashkisë dhe Flamurin Kombëtar.Ngjyrat e ndezura të kostumeve, ornamentet e tyre, ngjallën kuriozitetin e arbëreshëve të cilët nuk nguronin që të pozonin së bashku me grupin për të shtuar në arkivin e kujtimeve të tyre edhe foto nga grupi i Skraparit i veshur me kostume tradicionale . Gjatë paradës grupet e ftuara si dhe grupi i Skraparit performuan live këngë të ndryshme popullore të cilat krijuan një atmosferë festive . Në mbrëmjë grupi popullor i Iso-polifonise  “Riza Cerova” dha e një Koncert festiv.   Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i bashkisë Vaccarizzo Albanese, Antonio Pomilla vlerësoi shumë pjesmarrjen e grupit Riza Cerova në event si dhe theksoi faktin që shqiptarët kudo që janë parqesin vlera dinjitoze njerëzore dhe integruese duke u shëndërruar në faktorë zhvillimi dhe shëmbulli më i mirë i këtyre vlerave ishte komuniteti i shqiptarëve që jetonin në këtë komunë të mirëintegruar që gëzonin vlersësimin dhe mirënjohjen e komunitetit.

Pas fjalës së kryetarit Antonio Pomilla, ishte radha e grupit për të performuar në skenë. Shfaqjan e hap me këngën e kënduar nga këngëtarja Dashuri Hysaj,  “djemtë e Skraparit” e cila menjëherë krijojë atmosferë veçnërisht tek komuniteti shqiptar të cilët u ngritën dhe kërcyen së bashku me grupin. Pas saj ishte radha e kengës popullore “O Skrapar mali me lule” e kënduar nga këngëtarët Nesim Meno dhe Sefedin Çela, bilbilave të Skraparit, pasardhësëve të denjë të artistit të popullit Demir Zyko te cilët me fuqinë e zërit, bënë për vete publikun duke marrë duartrokitje të shumta. Atnmosfera festive vazhdoi me performancën e këngës “sevdaja mu shtua”, e kënduar nga këngëtarja Dashuri Hysaj e cila e menaxhon mjaft  mirë skenën dhe krijon atmosferë. Kënga isopolifonike “porositë e mija” e interpretuar nga këngëtaret Drita Qafoku dhe Djana Ymeri u prit me duartrokitje të shumta nga publiku . Mbyllja nën interpretimikn e vogëlushes Keilin Harizaj me këngën “Xhamadani Vija –Vija” e ngriti në këmbë publikun i cili festoi së bashkë me grupin e Skraparit në skenë. Grupi Isopolifonik i Skraparit krahas vlerësimeve kombetare çmimeve të shumta të marrë në festivale, korri dhe një tjetër sukses të madh në skenat kalabreze duke marrë dhe ftesa për koncerte të tjerë.
Vlen të pëmendet se mes “ngjyrave” shekullore që flasin shqip, kostumeve, traditave, ritualeve dhe festës arbëreshe, në Vaccarizzo Albanese, Itali – këtë vit mori pjesë edhe grupi folklorik i Skraparit. Edhe rrjeti televiziv Rai 3, në edicionin rajonal foli për vëmendjen që tërhoqi ky event dhe për pjesëmarrjen e grupit tonë folklorik i kësaj bashkie.

*Per me shume fotografi shko ne Facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Nga Skrapari, Sulo Gozhina, tek arbereshet

Kosova, vlera tolerance ndërfetare dhe ndërkulturore

August 21, 2018 by dgreca

-Në Kosovë festohet Bajrami, drejtuesit institucionalë, politikë e fetarë në mesazhet e tyre urojnë paqe, solidaritet dhe mirëkuptim, mirësi, siguri e prosperitet, duke theksuar vlerat e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore/
2 Thaci-21 08 20181 Bajrami-falja.JPG3 Veseli1 Haradinaj-21 08 2018.JPGBajrami-falja-sot-Prishtine.JPG
PRISHTINË, 21 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë festohet Fitër Bajrami, manifestimi qendror u mbajt në mëngjes në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u bë edhe falja.Namazit të Kurban Bajramit i priu Hfz. Xhelal Kaloshi, ndërsa hytben e Bajramit e mbajti kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim Tërnava, i cili edhe iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë.
“Kurban Bajrami është sinonim i shkëputjes dhe ndarjes fizike dhe shpirtërore të besimtarit me të keqen dhe të ligën, që cenon të drejtat dhe liritë, vlerat dhe virtytet, njeriun dhe njerëzinë”, u shpreh ai.
Drejtuesit institucionalë, politikë e fetarë në mesazhet e tyre urojnë paqe, solidaritet dhe mirëkuptim, mirësi, siguri e prosperitet, duke theksuar vlerat e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore.
Bashkësisa Islame e Kosovës ka organizuar pritje përurimi dhe u ka uruar festën e Bajramit të gjithë qytetarëve, besimtarëve në vend dhe bashkëatdhetarëve kudo që janë në mërgatë.
Presidenti Thaçi viziton Bashkësinë Islame të Kosovës, uron besimtarët për Bajramin.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është pritur nga myftiu Naim Tërnava.
Presidenti Thaçi, me këtë rast ka uruar Myftiun Tërnava dhe të gjithë qytetarët kudo që jetojnë në Kosovë, në diasporë dhe anë e kënd botës.
“Sot është një festë e mirëkuptimit, e solidaritetit, e dashurisë dhe e respektit të njerëzve, e vizitave të ndërsjella. Prandaj, uroj që edhe sot, edhe çdo herë të ketë sa më tepër harmoni mes njerëzve, në shoqërinë tonë, prej besimtarëve tanë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet tolerante dhe në harmoni të plotë në mes besimeve.
Sipas tij, këtë e ka dëshmuar gjithmonë dhe do ta dëshmojë edhe në të ardhmen.
“Roli i Bashkësisë Islame ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka theksuar presidenti.
Ai ka thënë se sot jemi të gjithë të bashkuar në shpirtin dhe frymën e mirëkuptimit, dhe të solidaritet.
Kryeministri Haradinaj: Ndjenja e solidaritetit e të qenit bashkë na shoqëroftë edhe tutje.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga anëtarët e kabinetit qeveritar dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, për të uruar Festën e Kurban Bajramit.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka uruar Myftiun Naim Tërnava, Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të gjithë qytetarët e besimit islam për këtë festë.
“Shfrytëzoj rastin që t’ju uroj Myftiut Tërnava, Bashkësisë Islame të Kosovës, popullit tonë mysliman, të gjithë atyre që na e duan të mirën, me fat dhe urime Festa e Kurban Bajramit.
Kjo ndjenjë e solidaritetit e të qenit bashkë na shoqëroftë edhe më tutje në ato që na presin”, tha kryeministri Haradinaj.
Veseli për Bajram: Paqe, dashuri dhe solidaretit midis nesh
Sot, me rastin e Festës së Kurban Bajramit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli u prit nga myftiu Naim Tërnava dhe drejtues të tjerë të BIK-ut, të cilët i uroi për këtë ditë feste dhe nëpërmjet tyre, të gjithë besimtarëve islamë në Kosovë.
“Uroj për paqe, dashuri dhe solidaretit sa më të madh midis nesh. Faleminderit myftiut dhe të gjithë atyre imamëve të cilët po përcjellin te besimtarët tanë mesazhin e drejtë për kombin tonë, mesazhin e drejtë për fenë dhe për humanizmin”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai falënderoi Bashkësinë Islame për kontributin e jashtëzkonshëm dhe solidaritetin.
Veseli tha se kombi ynë do të ecë përpara dhe do të ketë perspektivë e mirëqenie më të madhe, edhe për faktin se është popull solidar, që kultivon paqen, dashurinë dhe respektin.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ndërkaq, falënderoi kryetarin Veseli për këtë vizitë dhe urimet për Festën e Bajramit. /b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove

VATRA URON BESIMTARET MYLYMANE: GEZUAR KURBAN BAJRAMI!

August 21, 2018 by dgreca

Kurban Bajrami, mijëra besimtarë myslimanë falin namazin tek sheshi Skënderbej/

1 Bajrami1

*Me mijëra besimtarë myslimanë kanë falur Kurban Bajramin mëngjesin e sotëm në sheshin Skëndërbej./1 skender-brucaj*H. Skënder Bruçaj:Mirësia dhe Begatia mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona!1 ylli-gurra

Myftiu I Tiranes-Ylli Gurra: Gjithçka na duhet është dashuria/

Tirane, 21 Gusht 2018- Me mijëra besimtarë myslimanë kanë falur Kurban Bajramin mëngjesin e sotëm në sheshin Skëndërbej. Besimtarët janë mbledhur që në orën 05:30 për faljen e Namazit dhe më pas kanë falur Bajramin në orën 07:00.

Para faljes së namazit të Kurban Bajramit u zhvillua një ceremoni me lexim Kur’ani, ligjërata dhe përshëndetje.

Në një urim për besimtarët, kryetari i KMSH-së, H. Skënder Bruçaj ka bërë thirrje për më shumë dashuri, mëshirë dhe bujari në mënyrë që shoqëria të mos përjetojë vuajtje dhe tragjedi.

Le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje.

Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne.

Skënder Bruçaj: Mirësia dhe Begatia mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona!

Urimi i plotë i kreut të Komunitetit Mysliman:

Më lejoni që në emrin tim personal dhe të institucionit që përfaqësoj, të uroj besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen:

GËZUAR FESTËN E KURBAN BAJRAMIT!

Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit, Krijuesit të Gjithësisë. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me te afermit, me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.

Kjo ditë e bekuar është ditë e harmonise, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes dhe e falënderimit ndaj mirësive të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia ka dhuruar njerëzimit.

Besimtari i cili ka shijuar ëmbëlsinë e besimit është zemërgjerë, lutet dhe punon për të mirën e të tjerëve, dhe ndan me të tjerët mirësitë dhe begatitë që i ka dhuruar krijuesi i gjithësisë. Kurbani është nje shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh), i Cili na ka dhënë mirësi të pa numërta. Njeriu arrogant, hipokrit i cili ka hequr, dashurinë, mëshirën nga zemra e tij mund të kthehet në një egërsirë e cila mund t’i shkaktojë shumë plagë shoqërisë.

Prandaj le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje.

Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne.

Në një ajet Kur’anor thuhet: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” (El-Haxh:37), pra, kjo mirësi që nuk ka për qëllim thjesht shpërndarjen e mishit te kurbanit, por synon bashkimin e zemrave dhe përçimin e frymës së respektit dhe dashurisë për njëri-tjetrin.

Qoftë kjo ditë për Shqipërinë dhe Shqiptarët ditë feste, gëzimi e bashkëpunimi!

Mirësia dhe Begatia mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona!

Paqja dhe bekimi i Zotit qofte me të gjithë Shqiptarët ku do që ndodhen!

Myftiu i Tiranës me flamur në shesh: Gjithçka na duhet është dashuria 

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra ka mbajtur sot fjalën e tij përpara mijëra myslimanëve që po faleshin në Sheshin Skënderbej, duke ju drejtuar besimtarëve me thirrje për dashuri, mirëkuptim dhe solidaritet.

Gurra e vuri theksin tek dashuria si element ndërlidhës për të garantuar paqe e mirëqenie shpirtërore.

All you need is love. All we need is love. Ajo që kemi sot nevojë të urgjentshme, menjëherë, është dashuria. Ne nuk kemi nevojë për asgjë veçse për dashuri. Dashuri për fenë, Zotin, vendin tonë, për drejtësinë, për prindërit tanë, për fëmijët tanë, për të afërmit, të largëtit, miqtë, për fqinjët, dashuria mes myslimanësh, të krishterësh e shqiptarësh. 

Më pas, duke dashur të bëjë dallimin nga hera e fundit që Sheshi Skënderbej u përfshi në debate gjatë faljes së Bajramit, Ylli Gurra përmendi figurat që bashkojnë kombin, duke përfshirë edhe katolikun Gjergj Fishta.

Historia e këtij vendi është shkruar me gjakun e djersën e Haxhi Vebi Dibrës, e At Gjergj Fishtës, e dhjetëra e dhjetëra të tjerëve.

Në fund, për të thënë se sheshi Skënderbej është simbol i bashkimit, Myftiu i Tiranës shpalosi një flamur kombëtar, duke thënë se të gjithë myslimanët duhet të kenë mision lartësimin e tij.

Është simboli që i ka përbashkuar shqiptarët në Veri e Jug, Lindje e Perëndim. Është verdikti i dijetarëve tanë të çmuar e të papërsëritshëm. Na ka bashkuar myslimanë e të krishterë për të jetuar në paqe në një atdhe të përbashkët , ku secili gjen Zotin në mënyrën më të drejtë.(Shtypi I Tiranes)

VATRA URON BESIMTARET MYLYMANE: GEZUAR KURBAN BAJRAMI!

Filed Under: Featured Tagged With: Gezuar, Kurban Bajramin, vatra uron

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1297
  • 1298
  • 1299
  • 1300
  • 1301
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT