• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Amanet i papërmbushur

July 27, 2018 by dgreca

1 Prizren, 25 korrik 2018

Nga Hysen IBRAHIMI/

Prizren-Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, mblodhi në Prizren studiues, intelektualë, e personalitete të shumta nga të gjitha trojet shqiptare, në një sesion shkencor që ia kushtoi 140 vjetorit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit.

Hapjen e sesionit e bëri Osman Ahmetgjekaj nënkryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, duke shprehur një falendërim të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët ishin në numër të madh në këtë sesion. “Faleminderit që na jeni bashkuar sot në këtë sesion, në Prizrenin tonë, në kryeqendrën shqiptare. Dua të falenderoj në veçanti donatorët, pa ndihmën e të cilëve nuk mund të veprojmë”, tha Ahmetxhekaj, I cili po shoqërohej nga njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj Naim Latifi.

Shoqata e shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI Albani”, kishte ideuar dhe kishte ngritur një Këshill Organizativ për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit. Kryetari i këtij Këshilli Mustafë Kabashi, tha se kishin bërë përpjekje maksimale për të realizuar këtë qëllim sa më mirë. Ai falendëroi anëtarët e Këshillit dhe komunën e Prizrenit, për gjithë mbështetjen që kanë ofruar.

Ndërkaq, kryetari i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë dhe mbetet një amanet i hapur për gjeneratat e sotme dhe të  ardhshme. “Ne çdo ditë kemi qenë të frymëzuar nga ajo Lidhje se si duhet punuar për atdheun. Tani, sa më shumë që shkruajmë dhe i përkthejmë ngjarjet tona historike, aq më shpejtë dhe më drejtë do të kuptojë bota për historinë shqiptare”, tha Ibrahimi në pjesën hyrëse.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka vlerësoi punën e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” se ka mbajtur gjallë kulturën në mërgatë, duke theksuar se është e nevojshme të shkruhet edhe më shumë për çështjet dhe zhvillimet kombëtare, siç ka qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. “Lidhja e Prizrenit është një datë e rëndësishme e kombit shqiptar, ku për herë të parë kishte një bashkim të vilajeteve me kërkesa të njëjta, duke u bashkuar politikisht dhe ushtarakisht. Edhe 140 vjet pas ne nuk kemi arritur idealet e Lidhjë së Prizrenit, bashkimin e trojeve shqiptare. Ne nuk duhet t’i harrojmë ato kërkesa, përkundrazi, duhët të jenë synim i yni”, tha me këtë rast Haskuka.

Ai theksoi rolin e mërgatës, duke e cilësuar atë si bërthamë, që ka mbajtur gjallë Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe kërkesat e saj, si mërgata nga Kosova por edhe nga vistet tjera shqiptare. “Mërgata ende na e mbanë gjallë këtë frymëzim dhe nëse mërgata shqiptare nuk e ka humbur lidhjen me Kosovën, Shqipërinë, është pikërisht aspekti kulturor dhe ne si komunë do të vazhdojmë të bashkëpunojmë më të gjitha shoqatat që mbajnë gjallë këto lidhje”, tha kryetari I Prizrenit Mytaher Haskuka.

Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali, Nikollë Lleshi, vlerësoi angazhimin e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, që ka zgjedhur Prizrenit të shënojë këtë ngjarje të madhe historike.

“Këtu në Prizren, që në themelet e tij ka punën dhe sakrificat e mëdha që shqiptarët kudo që ndodhën shpalosen identitetet e tyre më shumë dinjitet dhe largpamësi. Prizreni i Kuvendeve dhe i vendimeve të mëdha historike,i ka skalitur ato sakrifica në gurë, që nuk vdesin kurrë, ato janë një shembull i qendrës dhe i burrërisë së këtij vendi”, tha z. Lleshi.

Kryetari i Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqyri Galica tha se SHSHASH në momentet vendimtare të historisë kombëtare ka ndihmuar ne pasqyrimin e aktivitetit te mergates. Kurse sot po vazhdon përpjekjet për ta ndihmuar edhe nëpërmjet krijimtarisë letrare e artistike dhe shkencore, për ta ngjallur vetëdijën e brezave të ardhshëm, për kontributin dhe sakrificën që do të bëjë çdo shqiptar. Krijimet e tuaja inventive, kontaktet me krijues gjithëandej, dëshmojnë përkushtimin tuaj për ta ndihmuar atdheun edhe në rrethana të reja dhe për ta pasuruar krijimtarinë letrare e artistike me vepra moderne”, vlerësoi Galica, duke shprehur gatishmërëinë e Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës për bashkëpunim shumëdimensional.

Ndërkaq, Prof. Asllan Murati, foli për figurën e Ymer Prizrenit, ai kishte bërë bashkë burrat e kombit për të pavarësuar trojet shqiptare. “Lidhja e Prizrenit është gurthemeli i pavarësisë së trojeve shqiptare. Ani që Turqia ishte islame, duke e parë që vendet ballkanike, kërkonin të merrni trojet shqiptare. Ymer Prizreni kishte tubuar rreth tij bashkë me Abdyl Frashërin shumë burrat tjerë të kombit per mbrojtjen e tokave shqiptare. Ata kanë hyrë në historinë e kombit tonë dhe janë të pavdekshëm. Ata duhet të jenë busullë për ne, se si ne duhet të shkojmë gjurmeve të tyre”, tha Prof. Asllan Murati, ish kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, duke përcjell mesazhin edhe njëherë se, pavarësisht përkatësive fetare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë për kombin.

Në sesionin e gjashtë shkencor u paraqiten tetë kumtesa shkencore:

  • “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe rëndësia e saj”, autor Fadil Geci
  • “Lidhja e Prizrenit në epikën historike, autor Mehmet Rukiçi
  • “Për poemën, kënga e Lahutarit për Lidhjen e Prizrenit, I botuar 40 vjet më parë”, autor Nuhi Vinca
  • “Burimet arkivore për themelimin dhe rolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrnit”, autor Ruzhdi Panxha
  • “Lidhja historike shqiptare e Prizrenit”, autor Sylë Osmani
  • “Rrugëtimi i ekspozitës së Lidhjës së Prizrenit”, autor Jusuf Osmani
  • “Mbrojtja e dokumenteve në Lidhjen e Prizrenit”, autore Myvedete Basha
  • “Lidhja e Prizrenit – frymëzim për mërgatën shqiptare”, autor Hysen Ibrahimi

Të gjitha kumtesat në fokus kishin Rolin e Lidhjes së Prizrenit në proceset vendimarrëse të shqiptarëve, në të gjitha kohërat. Kumtesat e plota të sesionit të gjashtë shkencor të organizuar nga SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi do të botohen në vëllimin  nr. 10-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi, që do të dalë vitin e ardhshëm.

Në kuadër të këtij sesioni u promovuan edhe 7 libra të rinj, të autorëve të ndryshëm, të cilët i mbështetë SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”:

  • “Princesha Meri”, roman i autorës Elhame Gjurevci, referoi Mone Juniku
  • “Fjalor, shprehje, fraza, dhe këshilla në shërbimet mjekësore, shqip-suedisht”, autor Fetah Bahtiri, referoi, Elhame Gjyrevci
  • “Po të pres”, autor Idriz Gashi, referoi Isuf Bajraktari
  • “Pëshpëritje e jetës në mërgim”, roman, autor Xhavit Çitaku, referoi Hysen Ibrahimi
  • “Vullkan i shpërthithur”, autor Bajram Muharremi, referoi Fetah Bahtiri
  • “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, autor Hyrë Tejeci Murati, referoi Mehmet Rukiqi
  • “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare”, nr.9, SHSHASH, “Papa Klementi XI Albani, në Suedi, referoi Rrahman Rrahmani

Në fund të sesionit shoqata ndau mirënjohje për disa personalitete që kanë kontribuar për Lidhje Shqiptare të Prizrenit dhe për ata që kanë ndihmuar organizimin e Sesionit e gjashtë shkencor të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Ndërsa Hyrë Tejeci Murati, u shpall “Anëtare Nderi” e shoqatës, për kontributin e saj me librin “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, një përmbledhje e 9 vëllimeve e “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” në Suedi.

Filed Under: Histori Tagged With: Amanet i papërmbushur, Hysen Ibrahimi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit

30 VJET PA AT MESHKALLEN

July 27, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

AT  PJETER  MESHKALLA  S.J.: “PJESA E FRIKSUEME ASHT E LIDHUN NGA KAFSHATA E BUKËS !”/

AT PJETER MESHKALLA S.J. (1901 – 1988)/

AtPjeterMeshkalla-11

28 KORRIK 1988 – 2018: 30 VJET  PA  AT  MESHKALLEN…/

  • Shqipja me kthetrat e Saja skaliti në një shkamb t’ Atdheut: “Edhe një Hero ma pak!”

Populli i Shkodrës, pa dallim Feje përcolli në banesën e fundit At Pjeter Meshkallen S.J., Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij. Dijetarin mendjendritun e puntorin e palodhun për unitetin e Popullit e t’Atdheut, Misionarin e vërtetë, Ushtarin e zdathun të Krishtit, Luftëtarin e paepun të Demokracisë dhe të të Drejtave Njerëzore në Shqipni, Mësuesin e pavdekshëm të rinisë sonë dhe, kundërshtarin e papërkulun e të pathyeshëm përballë diktaturës terroriste komuniste, autore e “Revolucionit antinjerzor kultural” .

  • 30 vjetorin e paharrueshem të At Meshkallës, po e hapi me thanjen Prof. Arshi Pipës: “…Në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Meshkalla e të tjerve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.”(Intervistë tek revista “Kumbona e së Diellës” Shkodër, 1993).
  • E do të vazhdoj me disa thanje të zgjedhuna të At Pjetrit të Madh të Shkodres sonë:

Unë e njoha mbasi doli nga burgu heren e parë kur bani 15 vjetë, aty nga 1962… Kujtoj njëditë, e pashë tek dera, dhe simbas zakonit, e ftova me hy mbrend për një kafe, por Ai nuk erdhi. Më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit ndër disa miqë Muslimanë. Të parën vizitë e bante tek Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë shkonte ndër shtëpijat e atyne Muslimanëve për të cilët ruente kujtime të mira nga jeta e burgut, që kishte kalue me tá…

  • Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue edhe Flamurin tonë Kombëtar, At Mëshkalla, bashkë me At Gjergj Fishtën “U folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste…”
  • 1945 Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihej një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, qysh në vitin 1936, dhe ishte At Meshkalla Ai që i tha troç ndër sy, se çfarë do të banin komunistët në Shqipni, porsa të forcojnë paksa pozitat shtetnore. Kur At Meshkalla i tha: “Ju do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se ky asht parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin, dhe Kishat e Xhamijat ju do t’i këtheni në klube dhe kinema.”, Mehmeti ju përgjegj: -“Kjo asht vetëm propagandë e atyne që nuk e duen pushtetin tonë popullor dhe kërkojnë me na armiqësue me popullin, kjo nuk do të ndodhë kurrë në Shqipni!”.
  • 1947 Në hetuesi At Meshkalla deklaron: “Me Luftën Nacional-Çlirimtare u bashkuen edhe komunistët, e më që këta nuk njohin dhe nuk respektojnë Fenë, unë nuk jam pajtue me komunistët… Aktivitetin propagandistik kundër Partisë Komuniste Shqiptare e kam fillue në vitin 1943. Kjo parti atëherë drejtonte luftën N.Çl., por unë, tue kenë kundër komunizmit, kam luftue edhe punën e tyne.” (Dosja Nr. 4191|1 Arkivi MPM)
  • Ai ishte kundër diktaturës komuniste e këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme.
  • 1950 At Mëshkalla më tregonte se, kur ka marrë vesh vdekjën e Don Kolec Prennushit kur ishte në burgun e Burrelit, “…kam kja për të parën herë në jetën teme, kaq shumë jam pikllue. Ai ishte shoku dhe miku i vetëm i gjithë jetës seme!…”.
  • “…Shtrembënimi (prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat shoqnore edhe ma të pazhvilluemet i kërkojnë sot artit sorogate të lehta.”
  • “Jam kënaqë kur një i ri nuk ka marrë tesëren e BRASH-it, se kjo organizatë udhëhiqet nga komunistët dhe i kam thanë: “bravo të kjoftë” dhe i kam shtërngue dorën…”
  • 1967Në letren që i dergon Kryeministrit terrorist Mehmet Shehu, në Tiranë, me rasen e “Revolucionit Kultural” i ka shkrue: “Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.” 5 Prill 67.
  • Dhe vazhdon:“Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; …fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut”.(Arkivi Ministrisë P. Mbrendshme Tiranë 1998)
  • Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që po bani ju këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë…”
  • 19 KORRIK 1967, nga ora 14.00 zhvillohet gjyqi tek shtëpia e Dr. Kadukut, ku ndodhën vetem aktorë të Teatrit “Migjeni” dhe, disa agjenta sigurimi “të ftuem”…

Kryetar i Gjyqit ishte Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, të cilët, me vëndimin nr. 44, dënojnë të pandehurin Pjetër Mëshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe me konfiskim pasunie.

  • At Mëshkalla iu afrue mikrofonit e tha këto fjalë: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prapseprap do të dal, sepse ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hanger e aty, asht fundi i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurr!”
  • At Mëshkalla po merrej me lule në kampin e Vlonës. Kishte shkue drejtori i burgjeve të Shqipnisë dhe e kishte pyetë: “Pse punon kaq bukur, pra, ti edhe nuk na don aspak né?!” – At Mëshkalla iu përgjegj: “Asht e vërtetë që unë nuk iu due ju aspak, por më pëlqen me iu ba ju, që me gojën tuej me lavdue punën e armiqve tuej!”
  • 1965 Njëherë e pyeta: “Si e shpjegoni Ju, Padër, që Kleri Katolik asht i pashembullt për qëndrimin e Tij si në birucat e Sigurimit, si ndër burgje e kampe pune, ashtu edhe ndër gjyqe, që pa asnjë mëdyshje janë kenë të gjitha montazhe, për këte unë nuk kam asnjë dyshim, se kjo asht diçka e njohun dhe e provueme, atëherë, pse ndodhi ashtu me Don Ejëll Kovaçin? (Don Ejëlli asht pushkatue me akuza false e shpifje në vitin 1958. Edhe Ai nuk ka nënshkrue “Statutin e Kishës Katolike” të përpiluem nga Qeveria Komuniste në vitin 1951 dhe të nënshkruem nga pjesa ma e madhe e klerit që ishte i lirë).
  • At Mëshkalla më dha këte përgjegje: -“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilsue Historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar, e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë Kler në Botë. Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Ejllin e ndonjë tjetër, nuk duhet me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë se, po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar. Dikush nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po. Unë për vedi po të diftoj çfarë me ka ndodhë kur jam arrëstue në fillim. Kur hetuesi po më pyeste, unë i kundërshtova…Ai më ra një shputë dhe unë rashë përtokë… m’u duk se m’u hap qiella dhe i kërkova ndihmë Zojës së Papërlyeme: O Zojë, më ndihmo me bajtë këto tortura, më forco mos të ligështohem, me ruej nën dorën Tande!… Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë mue vetëm një shputë më kanë ra, e ç’prej asaj ditë që Ju mbështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush prej tyne me dorë!”.

                                    ***

  • At Pjeter Meshkalla shkruen: “…Na jemi gurët (të mëdhej o të vegjel) të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shifen ma, por janë në thëmel të parë!

Qé, ambicioni i themelit. M’u zhdukë e mos me u pa ma!…”.

Gurët e Atij themeli asht e vërtetë se komunistëve iu dukën të vegjël. Ata menduen se Ata gurë me të vërtetë do të zhduken e nuk do të shiheshin ma në truell të Kastriotit. Ndoshta, mendohej se dallgët e “Revolucionit” do të rrafshonin bashkë me gurët “që kishin fillue me nxjerrë krye”, e pikërisht me Ata gurë, që ishin vu mbi thëmelet e kulturës europiane edhe Heronjtë, që kishin la me gjakun e Tyne Ata themele, por koha tregoi se gurët e parë nuk kishin luejtë, nuk ishin thye, as nuk ishin ciflosë e plasë, nuk ishin shkatrrue e as rrokullisë, jo, kurrë!

  • ATA GURË të vendosun në themel të tokës Shqiptare që në Shekullin e Parë të Epokës së Ré nga Shen’Pali, edhe sot Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha:

“Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot!

  • Ju, prishni Kisha e Xhamija, por Ata do të ndërtohen prap një ditë!..”

Dhe, shka tha At Pjetri, ashtu u ba edhe perrreth Rozafës!…

            Melbourne, 27 Korrik 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 30 vjet, Fritz radovani, PA AT MESHKALLEN

Shuhet simbol i rezistencës, Adem Demaçi-3 tri ditë zie

July 26, 2018 by dgreca

  • Presidenti Thaci: Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës !
  • Presidenti Thaçi shpall tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi/

-Kryeministri Haradinaj-Familjes Demaçi: Rezistenca dhe kontributi juaj deri në ditët e fundit të jetës ishin dhe do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja/

1 Adem Demaci

PRISHTINË, 26 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Adem Demaçi, veprimtar e simbol i rezistencës shqiptare në  Kosovës ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare.Lajmi u bë i ditur sot, pak më parë, në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre pasi u mbajt një minutë heshtje.

“Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë, por vepra e tij do të lartësohet e kujtohet për sa të ketë jetë”, u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, që po kryesonte seancën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan:Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojmë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet: Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd.

Lidhja Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar, Adem Demaçit.

LDK thekson se, Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së regjimit serb.

Qytetarët dhe populli i Kosovës do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

***

Kryeparlamentari Veseli: Adem Demaçi, frymëzimi dhe krenaria jonë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan:Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizitë të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha.

Jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar. Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta.Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë.

Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë.

Ngushëllime, Kosovë.

***

Haradinaj ngushëllon Familjen Demaçi

PRISHTINË, 26 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar Familjen Demaçi pas ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi:”Me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të pathyeshëm të çështjes kombëtare, simbolit të rezistencës intelektuale, Adem Demaçi.

Rezistenca dhe kontributi juaj deri në ditët e fundit të jetës ishin dhe do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja se si duhet dhe punohet për vendin, andaj lavdi e përjetshme punës dhe veprimtarisë suaj.Në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës ju shprehë ngushëllimet më të sinqerta, familjes, të afërmve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Kontributi dhe sakrifica e simbolit të rezistencës Adem Demaçi, në kohërat më të vështira për Kosovën ishin frymëzim dhe guxim për arritjen e synimeve të qytetarëve për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”.

Ramush Haradinaj,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

***

Presidenti Meta ngushëlloi presidentin Thaçi për vdekjen e Adem Demaçit

  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një bisede telefonike ka pranuar ngushëllimet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për vdekjen e veprimtarit të shquar, Adem Demaçi.Duke vlerësuar lart figurën e Adem Demaçit, në emër të qytetarëve të Shqipërisë, presidenti Meta e ka ngushëlluar edhe tërë popullin e Kosovës.Presidenti Thaçi e ka falënderuar homologun e tij shqiptar për ngushëllimet dhe ka theksuar se Adem Demaçi ishte frymëzim i rezistencës jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, duke u shndërruar në ndërgjegje kombëtare.

***

PDK: Adem Demaçi ishte burim frymëzimi për lirinë

Partia Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi, si dhe gjithë popullit të Kosovës, për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar dhe simbolit të rezistencës, Adem Demaçi.Me atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai nuk pushoi kurrë së angazhuari për atdheun dhe asnjëherë nuk u dorëzua përballë sfidave.Vepra e Adem Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës në bazë të themeleve të shëndosha të vlerave të lirisë e demokracisë.Trashëgimia që la pas ai, ka për të mbetur gjallë dhe do të shndrijë si pishtar për të ndriçuar rrugën e shumë brezave të tjerë.

I përjetshëm kujtimi për Adem Demaçin.

***

KOSOVA, TRE DITË ZIE PËR VDEKJEN E VEPRIMTARIT ADEM DEMAÇI

-Presidenti Thaçi shpall tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi/

Në nderim të figurës së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, i cili sot ka ndërruar jetë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, i ka shpallur tri ditë zie në Kosovë, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel.Gjatë këtyre ditëve të zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim duke u mbështetur në Ligjin nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, Ligjin 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe në Ligjin 03/L-038 për Përdorimin e Simboleve Shtetërore të Republikës së Kosovës.Veprimtari i shquar, Adem Demaçi, do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.

***

KUVENDI MBLIDHET NESËR NË SEANCË KOMEMORATIVE, NË NDERIM TË JETËS DHE VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT

 Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, sonte në orët e vona ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, pas vdekjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Në nderim të tij, Kryesia mbajti një minutë heshtje.Kryeparlamentari Veseli, në emër të Kuvendit dhe në emrin e tij personal, u shprehu ngushëllime familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, për humbjen e, siç e cilësoi Veseli, heroit të kombit, Adem Demaçi.Kryesia njëzëri vendosi që nesër në orën 11:00, Kuvendi të mblidhet në seancë komemorative, në nderim të jetës dhe veprës së Adem Demaçit.

Po ashtu, u vendos që seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë sot, të vazhdojë të hënën, në orën 10:00.

***

Lëvizja VETËVENDOSJE: Adem Demaçi, vigan në panteonin e kombit

Lëvizja VETËVENDOSJE shprehet: Ngushëllime popullit shqiptar dhe liridashësve të gjithë botës.

Vdekja e Adem Demaçit pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit. Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona.

Nuk ka aktivist të Lëvizjes që nuk është edukuar në frymën dhe në shembullin e Adem Demaçit, i cili ka qenë dhe do të jetë përgjithmonë busulla dhe fari, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për çdo subjekt të sotëm apo të ardhshëm që synon emancipimin e popullit tonë.Adem Demaçi mishëronte si askush tjetër të gjitha virtytet e tiparet e veprimtarit që nuk reshti asnjëherë së preokupuari e angazhuari për popullin e kombin. Fjalët nuk gjenden për ta përshkruar angazhimin e tij që mbetet një simbol i pashlyer, e dhembjen e madhe, por vepra e tij monumentale do të përndritë gjithmonë shqiptarët, e shembulli i tij do të frymëzojë të gjithë ata që kombin dhe atdheun e vënë mbi vetën e gjithcka tjetër.Adem Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm. Vigan në panteonin e kombit, me shpirtin e tij të fortë, me parimet e tij të panegociueshme, me vlerat e tij njerëzore e universale, ai e mposhti çdo gjakatar e çdo tiran. Qëndresa e tij do të mbetet frymëzim, vepra e tij do të jetë mësimi ynë.Je i përjetshëm në zemrat e shqiptarëve, baca Adem!

***

SHENIM: Federata Pan-Shqiptare e Amerieks VATRA i shpreh ngushellimet me te thella Familjes Demaci per humbjen e njeriut te tyre te dashur, luftetarit dhe simbolit te rezistences ne Kosoven e okupuar, luftetarit te paepur  per Liri. Pushofte ne paqe shpirti i Mandeles se Kosoves!

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Demaci, Behlul Jashari, Shuhet simbol i rezistencës

VATRA URON “BIJTË E SHQIPES” PËR SHTËPINË E RE!

July 26, 2018 by dgreca

– KOMUNITETI SHQIPTAR NË FILADELFIA U BË ME NDËRTESË TË RE PËR QENDËR KULTURORE/

3 ustalalret7 Grup me flamur9 Hap deren8 Mermetim13 firmos aktin10 Grup11 Vlashi me Llazin1Godina

– Federata Pan-Shqiptare e Amerikes”VATRA”uron “BIJTE E SHQIPES”: TA GËZONI QENDRËN E RE!*/

Nga data 4 Korrik, kur u miratua nga organi përkatës, kërkesa e Shoqatës”Bijtë e Shqipes”  për blerjen e ndërtesës dhe deri më 23 Korrik 2018, ishte kohë e mjaftueshme për vendosjen përfundimtare dhe kalimin e ndërtesës në pronësi të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Një grup nga drejtuesit e shoqatës: Tajar Domi, kryetar , Dritan Matraku, zv/kryetar i dytë, Vlashi Fili, sekretar dhe Llazar Vero, anëtar i këshillit drejtues, si dhe Petraq Budo, agjenti i Real Estate-s, si ndërmjetës midis palës që shiste ndërtesën dhe përfaqësuesvë të shoqatës, morën pjesë në ceremoninë e kalimit të ndërtesës në pronësi të shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Mbas kompletimit të dokumentacionit përkatës, në ora 4:30 PM, të dates 23 Korrik 2018, z. Tajar Domi, në emër të shoqatës “Bijtë e Shipes”, firmosi dokumentin e pronësisë. Që nga ky çast, ndërtesa në adresën: 3322 Willits Rd. – Philadelphia, PA 19136 – 1200, është pronë e shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.
Mbas kësaj, gjithë grupi që mori pjesë në ceremoninë e kalimit të pronësisë, në ora 4:55 PM, u gjend pranë ndërtesës për të festuar e gëzuar me të gjithë, suksesin e arritur.
Atje, Bashkim Bërdufi, kishte filluar pastrimin e mjedisit të jashtëm nga barërat e këqija, të pa pastruar për kohë të gjatë, si dhe Haki Çollaku e Petrit Zanaj, duke përgatitur e vendosur në faqen lindore të ndërtesës, simbolet e shoqatës dhe Flamujt Shqiptar dhe Amerikan, dukuri që tregonte se kjo ndërtesë, tashmë, është pronë e shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Një nga një e dy nga dy, filluan të mblidhen anëtarët e shoqatës që e mësuan këtë ngjarje: bashkëshortët Mefa dhe Idajet Ago, me nipin e tyre, Erind Babani, i sapo ardhur nga Shqipëria, Hamdi Gjana, Adil Lika, Jakup Domi me të birin, Albin, Sami Zaimaj, Eldion Pajollari, Bujar Veliaj, Arti Ismailanji, Dëfrim Pajollari, Artan Fili, Omer Sula, Llazar Monka, Hys Hasa, Lutfi Brami, si dhe Bujar Gjoka, n/krytar i parë i shoqatës, që erdhi menjëherë sapo la punën.
Shtrëngim duarsh, përqafime, urime “E gëzofshim të gjithë bashkë”, foto të shumta, biseda entusiazte, vazhduan për disa orë, kur ndërkohë një grup, me në krye z. Haki Çollaku, ngritën në shtizat e përgatitura më parë, dy flamujt, atë Shqiptar dhe Amerikan si dhe banderolën “Bijtë e Shqipes Filadelfia.
Këtë mjedis të gëzuar e pasuroi edhe tre anëtarësimet e reja, të tre nga familja Domi, Erioni, Arianiti dhe Albi dhe bashkë me urimin për pronësimin e ndërtesës dëgjohej edhe urimi “Mirëseerdhët në shoqatë”.
Vonë në mbrëmje, pak e nga pak, të gjithë u larguan, duke vështruar më kënaqësi, flamujt që valëviteshin mbi ndërtesë shoqëruar me urimin “Së shpejti ta përshtatim edhe mjedisin e brendëshëm për qëllimet tona”.
SHENIM: Kur shoqata”Bijte e Shqipes” promovoi shtëpinë e vjeter -Qendër të dhuruar nga z. Risilia, Kryesia e Federatës VATRA, e drejtuar nga i ndjeri Agim Karagjozi, ishte pjesë e Festës. Me rastin e blerjes së Shtëpisë së re- Qendër Kulturore për Shoqatën, Federata Vatra uron:TA GEZONI QENDREN E RE!

* Materiali u mor nga faqa e shoqates, postuar nga sekretari Vlash FILI.

Filed Under: Featured Tagged With: bijte e shqipes, me shtëpi të re

LE FIGARO: ALEKSANDËR MOISIU NGA ARGJENTINA NË HOLLYWOOD

July 26, 2018 by dgreca

1 aleksander MoisiuLE FIGARO (1929) / SUKSESI I ALEKSANDËR MOISIUT NË ARGJENTINË DHE NISJA PËR NË HOLLYWOOD/

NGA AURENC BEBJA-FRANCE/1 argjentine

Prestigjiozia franceze, “Le Figaro”, ka botuar, të mërkurën e 8 majit 1929, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me suksesin e aktorit të famshëm me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiun, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë në vijim për publikun shqiptar :

“Argjentinë/

Aktori i famshëm gjerman, Aleksandër Moisiu, i cili dha vitin e kaluar disa shfaqje në Paris, sapo ka bërë një turne të suksesshëm në Republikën e Argjentinës, me Johanna Terwin (gruaja e tij në jetën private), si partnere kryesore.

Ai u duartrokit veçanërisht për rolin në pjesën e “Hamletit”, i cili është një nga rolet e tij më të mira.

Moisiu do të kalojë nga Valparaiso dhe Nju Jorku për të shkuar në Hollywood.”

Filed Under: Histori Tagged With: ALEKSANDËR MOISIU NGA ARGJENTINA, Aurenc Bebja, Le Figaro, NË HOLLYWOOD

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1329
  • 1330
  • 1331
  • 1332
  • 1333
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT