• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Roli i SHBA, besim dhe garancitë për Kosovën

July 21, 2018 by dgreca

SPECIALE E GAZETES DIELLI-Roli i SHBA, besim dhe garancitë për Kosovën/

1 Thaci Konf shtypiRoli i SHBA, besim dhe garancë për Kosovën/

1 Behluli ID -Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u përgjigj edhe në pyetjen Gazetës DIELLI në konferencën për shtyp pas kthimit në Prishtina nga takimi i dytë i fazës finale të dialogut me presidentin  e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel, ku para takimit trilateral me dy presidentët përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka takuar ndaras fillimisht delegacionin e Kosovës e pastaj të Serbisë/1 Behluli-“Roli i SHBA-ve është besim për ne, është garancë për ne dhe është partneri ynë special apo miku ynë special”, u shpreh presidenti Thaçi. Ai theskoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor/

-Nga arkivi  i Gazetës DIELLI: Grupi i Unitetit dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës/1 Rilindja

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 Mogherini Thaci Vuc

PRISHTINË, 20 Korrik 2018/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë shtypi në Prishtinë ka folur për takimin e dytë të fazës finale të dialogut me presidentin  e Serbisë Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian.

“Natyrisht, kemi pasë edhe konsulta me autoritetet amerikane paraprakisht në Bruksel”, bëri të ditur presidenti Thaçi, në konferencën për shtyp, ku i është përgjigjur edhe interesimeve të korrespondentit të akredituar në Kosovë të Gazetës DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Presidenti i Kosovës tha se, në dialogun me Serbinë roli i Bashkimit Evropian është udhëheqës, por pa garancë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të NATO-s natyrisht si një ekipë e përbashkët ndërkombëtare, nuk ka as marrëveshje, as funksionim, as implementim.

“Roli i SHBA-ve është besim për ne, është garancë për ne dhe është partneri ynë special apo miku ynë special”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai theskoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti kosovar Thaçi tha se takimi i 18 korrikut 2018 me presidentin serb Vuçiç në Bruksel ka qenë më i shkurti në 6 vitet e fundit.

“Por, mund të them lirisht, më i vështiri dhe më i rëndi. Nuk është lehtë me bisedu me serbin Aleksandër Vuçiç që ende mendon se Kosova është pjesë e Serbisë, do të thotë një ëndërr e serbëve. Nuk është lehtë që të bisedosh me një president të Serbisë që mendon që Kosova është zemra e Serbisë, apo Kaçaniku është zemra e Serbisë, siç u përmend.

Do të thotë pozicionet janë shumë të largëta mes veti. Ky pozicion i presidentit Vuçiç është larg realitetit”, tha presidenti i Kosovës, Thaçi.

Duke iu përgjigjur edhe më tej interesimit të medias rreth deklaratave, si në Bruksel ashtu edhe në Prishtinë, se ishte një takim i vështirë me presidentin e Serbisë Vuçiç, presidenti i Kosovës Thaçi tha:

“Nuk është e lehtë të ulesh me një zyrtar serb që deklaron që Kosova është pjesë e Serbisë kur ti përfaqëson vendin sovran dhe të pavarur.  Ndoshta edhe për të nuk është e lehtë të dëgjojë atë çka e dëgjoi se Kosova është vend sovran e i pavarur dhe ky proces është i pakthyeshëm. Mirëpo, duhet të flasim me realitete dhe jo me mite. Nuk është e lehtë të dëgjosh opinione që Kosova është zemra e Serbisë, që është një mit, një historiografi e rrejshme, dhe ate që sa larg jemi nga gjetja e ujdisë për marrëveshje që për Kosovën ka kuptim vetëm njohja formale përfundimisht nga Serbia.

Marrëveshja duhet të ketë kuptim vetëm në mes të dy vendeve sovrane dhe kështu është pozicioni i Kosovës, marrëveshja përfundimtare dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe BE-në”.

PYETJA E KORRESPONDENTIT NË KOSOVË TË GAZETËS DIELLI:

President pyetja vjen nga Gazeta DIELLI në SHBA, më e vjetra ne gjuhën shqipe në botë, e themeluar nga Fan Noli e Faik Konica. Po, edhe si një kronist i zhvillimeve në Kosovë shumë vite, do kujtoja fillimisht sot vitin 2005,  takimin e parë të Grupit të Unitetit më 6 tetor, ku ishte qëndrimi se i vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia…Përsëri po flitet për një kompromis, sa shoh në deklaratat nga Beogradi pretendohet zhbërja e pavarësisë së Kosovës në një proces bisedimesh. Ju vazhdimisht mbroni pavarësinë që është vullnet i shumicës së popullit të Kosovës. Keni deklaruar se ka pak hapësirë për kompromis brenda shtetit të pavarur të Kosovës, duke nënkuptu për të drejtat e serbëve të Kosovës. Si i komentoni këto qëndrime?

PËRGJIGJA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, HASHIM THAÇI:

Të drejtat e serbëve të Kosovës janë të garantura plotësisht me Dokumentin e Presidentit Ahtisaari, janë më të afirmuara se të çdo komuniteti tjetër në Evropë, ata janë qytetarë të Kosovës, ju kemi qëndruar dhe do të vazhdojmë të jemi afër tyre.

Kosova shumëetnike është vizioni i së ardhmes evropiane.

Pse jemi në dialog apo në negociata. Jemi për hirë të së ardhmes evropiane, sepse është mesazh i qartë i gjithë lidershipit evropian, por edhe qëndrim i Bashkimit Evropian se pa normalizim të raporteve të vendeve përkatëse në Ballkanin Perëndimor, pa fqinjësi të mirë dhe pa i tejkaluar problematikat që i kanë, nuk mund të lëvizin asnjëra drejt Bashkimit Evropian. Dhe për Kosovën, në këtë rast, as drejt perspektivës në NATO. Prandaj, ne nuk e kemi atë luks që të rrimë, të shikojmë dhe të vazhdojmë me këtë gjendje të status quo-së.

Jemi dëshmitarë që për shkak të demarkacionit tre vite kemi pritur një lajm të mirë (për liberalizimin e vizave), lajmi i djeshëm ka mund të publikohet tre vite më herët, apo minimum dy vite e gjysmë.

Andaj, sa më tepër hezitojmë ne, sa më tepër i frikësohemi hapave të rëndësishëm çmimi bëhet edhe më i madh për Kosovën.

Tekefundit, mua më intereson dhe i gëzohem integrimit evropian të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor, po unë përfaqësoj shtetin e Kosovës, mua më interson dhe punojmë që të lëvizim më shpejtë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Mirëpo, edhe në Samitin e Sofjes pozicioni i Bashkimit Evropian ishte shumë i qartë: E para, modernizimi i Bashkimit Evropian, e dyta reformimi dhe pastaj  zgjerimi. Dhe, është edhe mesazhi tjetër që ka qenë shumë i qartë, ato vende që aspirojnë të ardhmen evropiane duhet t’i zgjidhin problemet e tyre mes veti.

Tash në këtë klimë të favorshme që është krijuar në rajon, në veçanti pas marrveshjes së Maqedonisë dhe Greqisë, mendoj, dhe ju e patë, që menjëherë  pas asaj marrëveshje erdhi ftesa për Maqedonië për NATO.

Ne nuk duhet të biem viktimë e politikave ditore, e politikave elektorale, e populizmit, apo edhe e ndonjë zëri nacionalist.

Nëse është aspiratë dhe është e lidershipit të Kosovës e ardhja evropiane duhet të marrim guximin,  duhet të jemi bashkë dhe duhet të fitojmë këtë betejë për të ardhmen evropiane siç e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë.

Nëse është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe është mbi 95 për qind për të ardhmen evropiane dhe NATO-n, atëherë ne nuk guxojmë si lidership ta vonojmë të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Nuk e kemi atë luks, duhet të marrim thjeshtë përgjegjësitë që na takojnë, për të lëvizë më shpejtë.

E di se ndokush mund të thotë se më mirë pa marrëveshje sesa me marrëveshje jo të lehtë me Serbinë. Unë mendoj se duhet të arrijmë marrëveshje në një proces të rëndë të negociimit me Serbinë. Më së lehti është me qëndru në një vend dhe me akuzu të tjerët, por sot, përgjegjësi shtetërore dhe lidershipi është me qenë aty ku zhvillohet debati, ku zhvillohet dialogu, ku zhvillohen negociatat dhe ku merren vendimet, dhe në asnjë rrethanë spaktatorë. Lehtë është të jeshë në tribuna, po shumë vështitë është të jeshë në fushë dhe në veçanti të shënosh.

Prandaj, është momenti që njerëzit me të vërtetë të zbresin nga tribunat dhe të futen në fushen e debatit, të dialogut, të negocimit dhe të marrjes së përgjegjësive.

Anëtarësimi në NATO është në interesin e të gjithëve, është në interesin e qytetarëve të Kosovës, pse ta vonojmë ne.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është në interesin e të gjithëve, pse ta vonojmë ne.

E ritheksoi edhe një fakt, ne kemi humbur shansin në 2014-tën për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, kur e kemi pasur pajtueshmërinë e plotë të NATO-s dhe të gjithë partnerëve, për shkak të politikave populiste apo elektorale të një spektri të caktuar politik.

Dhe shikone tash, e kemi humbë atë momentumin e mbështetjes së plotë dhe unike ndërkombëtare të miqëve tanë dhe tash as atë mbëshetje s’mund e rikthejmë, sepse bota po ndryshon. Dhe ne menojmë që gjithë bota vrapon pas nesh dhe na shikon neve dhe mendon se çka mendojmë ne.

Ne duhet të ecim me kohë dhe ndonjëherë të pretendojmë të jemi edhe më të shpejtë.

Dhe të jemi të sigurtë se nëse jemi të përgjegjshëm, nëse ne jemi unikë, nëse ne jemi ata të cilët i kryejmë obligimet që i kemi marrë para qytetarëve në përputhshmëri me vizionin tonë euroatlantik ia lehtësojmë edhe mbështetjen miqëve tonë.

Për aq sa ne ngatërrohemi këtu, atëherë edhe mbështetja ndërkombëtare do  jetë shumë më e zbehtë.

Po, një gjë është e qartë, pa normalizim të raporteve me të gjithë fqinjët, kësaj radhe me Serbinë, sikurse edhe Serbia pa normalizim me Kosovën, nuk ka të ardhme evropiane. Nuk ka marrëveshje, do jemi humbës të gjithë. Ka marrëveshje, mund të ketë kritika, po do jemi fitues të gjithë.

Tek e fundit, kritika ka pasë edhe për Rambuje, edhe për Vjenë, edhe për procesin e Brukselit. Dhe çdo marrëveshje ndërkombëtare ka opinionin kritik. Nuk ndodhë kjo vetëm në Kosovë apo në Serbi. Ka kritika edhe në Serbi në raport me presidentin Vuçiç, ka kritika edhe këtu, ka kritika edhe për marrëveshje ndërkombëtare që shtete përkatëse i bëjnë me njëra-tjetrën, ju jeni dëshmitarë vetë, por kur zgjedhesh bartës i institucioneve dhe zgjedhesh lider i një partie politike ke përgjegjësi me dalë përtej opinionit populist elektoral, me marrë vendim në interes të shtetit që përfaqëson.

Dhe, mendoj se kjo veç po ndodhë në Kosovë, hapi i parë është bërë me prezencën e gjithë bartësve të institucioneve  të Republikës së Kosovës në Bruksel.

Unë i besoj frymës afruese, bashkuese dhe të bashkëpërgjegjësive, por në të njëjtën kohë, me ndodhjen, me arritjen e marrëveshjes dhe njohjen formale nga Serbia për Kosovën, anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, atëherë duhet të marrin kredi të gjithë, sepse të gjithë janë meritorë. Ne jemi bartësit e institucioneve, do jemi në të ardhmen e afërt edhe nëpër kryeqendrat e ndryshme  evropiane dhe botërore, kështu që do jetë një proces dinamik dhe do jetë një proces gjithpërfshirës.

18 KORRIK 2018, NË BRUKSEL U ZHVILLUA TAKIMI I DYTË I FAZËS FINALE TË DIALOGUT KOSOVË-SERBI

Në 18 Korrik 2018, nga paradita në Bruksel u zhvillua takimi i dytë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian. Është ky takimi i shtatë presidencial, i pesti i presidentëve Thaçi e Vuçiç. Para takimit trilateral me dy presidentët përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka takuar ndaras fillimisht delegacionin e Kosovës e pastaj të Serbisë.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin  Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 18 korrikut 2018 është i pesti, pas të katërtit të dielën e 24 qershorit 2018, të dy këto të fazës finale.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa eAleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.

NGA ARKIVI  I GAZETËS DIELLI:

GRUPI I UNITETIT DHE DEKLARATA E PAVARËSISË SË KOSOVËS

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi të dielën e 17 Shkurtit historik 2008, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

GAZETA RILINDJA NË SHKURT 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Ky numër i jashtëzakonshëm festiv i gazetës  doli në 22 shkurt 2008 edhe me një redaksional që e shkruajta si kryeredaktor i saj, ku mes tjerash theksohej: “Rilindja, del  sot, një ditë pas 21 shkurtit – 6-vjetorit të mbylljes, si një mesazh ndjellamirë për rikthimin e gazetës tradicionale të Kosovës pas Pavarësisë… Në këtë numër festiv për Pavarësinë botohen shkrimet ekskluzive Kosova në Rilindje drejt pavarësisë gjatë 63 vjetëve, shkrime këto që mund t’i ketë vetëm një gazetë tradicionale dhe historike. Botohen edhe raporte të gjera nga shpallja dhe festimi i pavarësisë, si dhe për njohjet e para ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

E përditëshmja Rilindja është dëbuar kundërligjshëm nga Pallati i saj dhe detyrimisht është mbyllë më 21 shkurt 2002, vetëm pak ditë pasi festoi 57-vjetorin”.

Rilindja vazhdonte të dalë me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm edhe pasi u mbyll me dëbim nga Pallati i saj nga UNMIK.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, konference Shtypi

E FTUAR NE FESTIVALIN “CURTEA DE ARGEŞ POETRY NIGHTS” – RUMANI

July 21, 2018 by dgreca

NGA KOZETA ZAVALANI/

Për një javë, nga data 11 deri në 17 korrik isha e ftuar në Festivalin Ndërkombëtar Poetik në Rumani “Curtea de Argeş Poetry Nights”, e krijuar në vitin 1997, si një nga programet vjetore të Fondacionit Ndërkombëtar dhe Organizatës Kulturore, Orient-Occident (Curtea de Argeş, Rumania). Iniciatorët e organizatorët e saj janë poeti Dumitru M. Ion (Presidenti) dhe poetja Carolina Ilica (Drejtor Artistik).

Festivali Ndërkombëtar “Curtea de Argeş Poetry Nights”, unik i këtij lloji brenda vendeve të Evropës Qendrore, është bërë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të festivaleve të mëdha si Struga (R. Maqedoni), Las Palmas ( Spanja), Medellin (Kolumbi), Trois Rivières (Kanada), etj.

Festivali mbahet në qytetin Curtea de Argesh, që ndodhet në veri të Qarkut Arge, në një distance 140 km nga Bukureshti,vendosur në këmbët e maleve Fagaras, ku takohen bukuritë natyrore të panumërta të luginës së Arges, në jug të Meridionalit, me Karpatet në Subcarpatët e Argesit.

Ishim vendosur në Kompleksi i Hotel Posada në Curtea de Arges pranë manastirit Manole, ku Restoranti simpatik na ofroi kuzhinë të shijshme rumune dhe ndërkombëtare të ndërthurura me mbrëmjet folklorike.  Shpesh tarraca na ftonte për të darkuar jashtë në mes të mjedisit harlisur në gjelbërim.

Në afërsi të hotelit Posada vizituam Kishën e Manastirit Arges, kishën Olari, Dumitru Norocea Memorial dhe rrënojat e San Nicoara. Festivali organizohet tradicionalisht nga Akademia Orient-Occident dhe drejtori i saj Acad. Ion Dumitru – poet dhe përkthyes rumun nga gjuha bullgare dhe maqedone, dhe bashkëshortja, njëkohësisht poete dhe drejtore  artistike e festivalit – Caroline Ilica.

Festivali tradicionalisht është një ngjarje unike kulturore e leximeve të poezisë, prezantimeve të librit, ekspozitave të pikturës, si dhe një prezantim të muzikës popullore rumune. Një përzgjedhje e veprave poetike të pjesëmarrësve të festivalit është botuar në një antologji me dy vëllime në versionet e gjuhës origjinale dhe përkthimet e tyre në gjuhën rumune dhe angleze.

Festivali Ndërkombëtar “Curtea de Argeş Poetry Nights” është konceptuar si një shfaqje e pandërprerë poetike (nga muzika tradicionale rumune, ekspozita arti dhe libra, valle popullore rumune, vizita në kështjellat e Vlad Ţepeş (Drakula), udhëtime në Malet Karpate, etj), që zgjati 7 ditë dhe 6 netë.

Katedralja e Curtea de Arges (në fillim të shekullit të 16-të) është një katedrale ortodokse rumune në Curtea de Argeş dhe është dedikuar për Fjetjen e Nënës së Perëndisë e është edhe ndërtesa e selisë së Kryepeshkopatës Argeş dhe Muze. Legjendat e Curtea de Argeş kanë frymëzuar shumë poetë të njohur rumunë.

U njoha me poetë nga 40 vende të ndryshme të botës, pasi kishte nga një pjesëmarrës për çdo shtet dhe bëra miq të talentuar, me të cilët këmbyem përvojat tona artistike e shijuam poezi në gjuhët kombëtare, si dhe të përkthyera në rumanisht e anglisht.

Poezia për mua është një mister i fshehur në hapësirë, është si një fjalim dhe heshtje njëkohësisht, dhe nganjëherë një britmë. Sipas mendimit tim, kjo jep një shans për një përmbushje fiktive të mundësive të parealizuara, është një mundësi për të realizuar perceptimet dhe dëshirat tona në «botën më të mirë të mundshme». Në të vërtetë poezia sjell shpirtra të ndryshëm nga vende të ndryshme si Argjentina, Kolumbia, Brazili, Amerika, Anglia, Norvegjia, Meksika, Turqia, Polonia, etj. më pranë njëri-tjetrit. Ata, nëpërmjet poezisë prekin litarët e brendshëm të zemrave dhe mund të krijojnë një simfoni të shpirtrave njerëzorë që vallëzojnë me melodinë e përjetësisë. Gjuha komunikon me njerëzit dhe kohën, natyrën dhe shpirtin. Format mund të ndryshojnë, por esenca mbetet e njëjtë dhe e fuqishme nëse krijuesi mund të shprehë talentin e tij ose saj me dinjitet dhe elegancën e duhur.

Ditën e fundit së bashku me miken nga Turqia Lusan Biçakçi, vizituam Bukureshtin, duke filluar me selinë e Ambasadës Shqiptare,  me kënaqësinë e bisedës me një mik të vjetër si Ambasadori ynë në Bukuresht Z. IIlir Tepelena, të cilii i dhurova disa nga librat e mi dhe e falenderova për mikpritjen, duke i uruar suksese të mëtejshme..

Bukureshti kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Rumanisë, si dhe qendra e saj kulturore, industriale dhe financiare ndodhet në juglindje të vendit, në veri të lumit Danub.

Ajo u bë kryeqyteti i Rumanisë në vitin 1862 dhe është qendra e medias, kulturës dhe artit rumun. Arkitektura e saj është një përzierje e historisë epokës komuniste dhe moderne. Në periudhën midis dy Luftërave Botërore, arkitektura elegante e qytetit dhe sofistikimi i elitës së saj i dhanë Bukureshtit pseudonimin e “Little Paris”.  Megjithëse ndërtesat dhe rrethet në qendrën historike të qytetit u dëmtuan rëndë nga lufta, tërmetet dhe mbi të gjitha sistematizimit të Nicolae Ceauşescut, shumë mbijetuan. Në vitet e fundit, qyteti ka përjetuar një bum ekonomik dhe kulturor. Bukureshti është qyteti i gjashtë më i madh në Bashkimin Evropian nga popullsia brenda kufijve të qytetit, pas Londrës, Berlinit, Madridit, Romës dhe Parisit.

Pasi bëmë foto në vende të ndryshme, në mbrëmje e lamë Rumaninë nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar Henri Coanda Otopeni për në vendet tona me mbresat më të mira.

Kozeta Zavalani

Filed Under: Emigracion Tagged With: E ftuar ne Festival, Kozeta Zavalani, Rumani

LAMTUMIRE ILIA TERPINI

July 21, 2018 by dgreca

Nga Gjon Buçaj/*

Lexova, me befasi e dhimje, lajmin e vdekjes së Ilia Terpinit, të cilin e kemi pasë prezent si fotograf dhe video xhirues në kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të” Vatrës” në New York, në prillin e vitit 2012.  Në atë udhtim ka qenë i shoqnuem nga zonja Angjelina Xharra dhe fotograf i njohun Zhani. Me atë rast ai realizoi edhe nji dokumentar, për të cilin më ka pasë njoftue se ma vonë asht shfaqë në Tiranë dhe se ishte vëlerësue shumë nga rreth 300 shiques të premierës. Ka qenë dëshira e tij që t’a sjellte dokumentarin në New York the t’ishte vetë prezent kur të shfaqej për publikun shqiptaroamerikan këtu dhe filmin e sponsorizuem nga “Vatrër” t’a lente në arkivin e saj. Ndërmjetësuesi me “Vatrën” për dërgimin e ftesës, që të mund vinte në Amerikë, ka qenë profesor Thanas Gjika.
Me këtë rast, në emën tim dhe të vatanëvet,  u shprehi ngushëllimet të birit dhe të gjithë familjarëvet, miqve e bashkëpunëtorëve të aferm, me ndjenjen e humbjes së nji profesionist të përkushtuem që la kujtime të mira dhe nji trashigimi artistike të pasun.
U preftë në paqë!

  • Fotografia eshte bere ne shtepine e te ndjerit Agim Karagjozi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjon Bucaj, Lamtumire Ilia Terpini

“Gift of Life International” dhe fëmijët e Kosovës

July 20, 2018 by dgreca

“Gift of Life International” ndihmon fëmijët e Kosovës me defekte të lindura në Zemër/

1 albana flet1 albana1 profesori1 Bosi1 femijaqKoncertVioline

Flet për Gazetën “Dielli” zonja Albana Krasniqi,drejtoreshë e organizatës Gift of Life Interantional (GOLI) dhe koordinatore për Kosovën-

2 albana

– Albana Krasniqi: Që nga viti 2012, Gift of Life Interantional, ka kryer 6 misione skriningu.Gjatë këtyre viteve janë kontrolluar mbi 500 fëmijë nga të cilët 104 kanë pasur nevojë për operim në zemër.-1 alb ok

–  Këto operime jo vetëm se nuk janë të mundshme të bëhen në Kosovë por janë edhe tejet të kushtueshme dhe Gift of Life International i ka mundësuar krejtsisht falas. 

1 ok albana 1– Gift of Life International ndihmon nga 3000 fëmijë në vit në mbi 76 vende të botës.5 albanaMe datën 12 Korrik, 2018 në Prishtinë u mbajt tubimi i organizuar nga Rotary Clubi Dardania në bashkëpunim me Gift of Life Kosova, me qëllim të shënimit të suksesit për shërimin e mbi 100 fëmijve me defekte të lindura të zemrës. Ky tubim u organizua në përputhje me misionin e 6-të e skriningut i cili po mbahej në QKUK nga organizata bamirëse Gift of Life International me seli në NY.

7 President

Në tubim merrnin pjesë anëtarët e Rotary Clubit Dardania, Gift of Life Kosova si dhe personalitete të ndryshme të udhëheqjes vendore dhe të huaj.

3 alb okEkipi amerikan udhëhiqej nga znj. Albana Krasniqi – drejtoreshë e organizatës Gift of Life Interantional (GOLI) e cila po ashtu është edhe koordinatore për Kosovën si dhe Drejtori Executiv i organizatës z. Rob Raylman. Pjesë e ekipit amerikan ishin edhe ekipi mjeksor dr. Greg Tatum, Margaret Challenger dhe Mickey Wilder.4 albanaNë atë mbrëmje për punën e palodhshme humane iu dhanë çertfifikata falenderimi nga prindërit e fëmijeve të shëruar Profesorit Mazllum Belegu, Albana Krasniqi dhe Rob Raylman .6 albanaNë fjalimin e rastit znj. Krasniqi foli për fillimin e këtij programi, sfidat dhe sukseset. Ndonëse, GOLI kishte vënë kontaktet e para me Kosovën në vitin 2009, por për periudhën 3 vjeçare kishin arritur të ndihmonin vetëm 9 fëmijë. Duke parë që numri i fëmijëve që kishin nevojë për ndihmë ishte i madh dhe nevojën për një punë më serioze në Kosovë, ajo vendosi që në Maj të vitit 2012 të financojë dhe organizojë misionin e parë të skriningut,i cili kishte për qëllim diagnostifikimin e saktë të fëmijëve të cilët më pas do të dërgoheshin për shërim jashtë Kosovës, kryesisht në SHBA. Që nga ajo kohë GOLI ka kryer 6 misione skriningu.

Gjatë këtyrë viteve janë kontrolluar mbi 500 fëmijë nga të cilët 104 kanë pasur nevojë për operim në zemër. Këto operime jo vetëm se nuk janë të mundshme të bëhen në Kosovë por janë edhe tejet të kushtueshme dhe organzata jonë i ka mundësuar krejtsisht falas.

Përveç misoneve, znj. Krasniqi foli për nevojën e fondeve të cilat ajo i rrit duke organizuar mbrëmje të veçanta (fundraising events) dhe përmes miqve të saj nga komuniteti shqiptar dhe amerikan. Ajo falenderoj komunitetin për gadishmërinë për të ndihmuar qoftë me donacione ose edhe duke u bërë nikoqirë të këtyre fëmijve si dhe duke shërbyer si përkthyes për ta.

Ajo po ashtu falenderoi bordin e organizatës, drejtorin ekzekutiv dhe ekipin e mjekëve për punën e tyre të palodhshme për të ndihmuar këta fëmijë kur dihet organizata Gift of Life International ndihmon nga 3000 fëmijë në vit nga mbi 76 vende të botës.

PAK HISTORI…

Gift of Life international është themeluar para dyzet viteve dhe deri më tani ka ndihmuar mbi 30,000 fëmijë të lindur me vese/defekte të zemrës nga 76 vende të botës. Çdo vit Gift of Life international ndihmon rreth 3000 fëmijë e ky numër po rritet çdo ditë e më shumë. Albana Krasniqi është anëtare e bordit të organizatës që nga viti 2012 dhe anëtare e komisionit për rritje të fondeve.Ajo merret kryesisht me rritjen e fondeve për fëmijët e Kosovës por edhe të fëmijëve anë e mbanë botës; merret me organizimin e misioneve të skriningut dhe merr pjesë në secilin prej tyre. Të gjithë anëtarët e bordit janë vullnetarë.

Angazhimi i saj është i madh në disa aspekte. Gjatë qëndrimit në Kosovë, përvec se i diagnostifikojnë fëmijët, i informojnë familjarët për llojin e sëmundjes së fëmijës së tyre, pastaj iu tregojnë se çfarë duhet të dijnë lidhur me udhëtimin dhe qëndrimin në Nju Jork, dokumentet të cilat duhet ti sigurojnë etj.

Pasi kthehen nga Prishtina dërgojnë dokumentet mjeksore në spitale të ndryshme për pranim, bëhet aranzhimi i udhëtimit për fëmijën dhe njerin nga prindërit.

Albana tregoi për Gazetën Dielli se ajo kujdeset për gjetjen e familjes nikoqire ku do të qëdrojnë fëmija dhe prindi; duhet të sigurohen të gjitha akomodimet falas për ta dhe të sigurohen edhe gjërat më elementare për ta. E pasi arrijnë fëmijët këtu, ata qëndrojnë prej 6 dëri në 10 javë deri në shërim të plotë, varësisht se çfarë lloj operimi i është nënshtruar fëmija si dhe gjendjes së tyre fizike e shëndetsore.

Fëmijët që vijnë për shërim në Nju Jork, Albana i pret në aeroport, qëndron me ta në ditën e operimit dhe vihet në dispozion të tyre gjatë qëndrimit këtu. Për fëmijët që dërgohen në shtetet tjera ajo vihet në dispozion përmes telefonit për t’u ndihmuar atyre.

Puna e Albanës është vlerësuar; i janë dhënë mirënjohje (shpërblime) për punën humanitare në identifikimin dhe shërimin e fëmijëve me vese të lindura të zemrës, si çmimi humanitar, Gruaja e vitit etj. Ja disa nga Çmimet: – Shkurt 2014 – received a “Humanitarian Award” from Gift of Life – Rotary District 7230 – Westchester Chapter for helping save the lives of Kosovar children.

  • -Mars 2017 – received “Woman of the Year” award from General Counsel of Republic of Kosova and represented Kosova at “The Society of Foreign Consuls” in New York.
  • March 2017 – received “Woman of the Year” award from the Albanian-American Women’s organization “Motrat Qiriazi”(Gazeta Dielli)

 

Filed Under: Featured Tagged With: "Gift of Life International", Albana Krasniqi, dalip greca, fëmijët e Kosovës

KUR BASHKOHEJ GJAKU I SHPRISHUR I ARBËRIT ME VATRANËT

July 20, 2018 by dgreca

ME 20- 30  NËNTOR 1969, ME RASTIN E 60 VJETORIT TË DIELLI AI SOLLI  PËRFAQËSUES TË ARBËRESHËVE TË ITALISË NË BOSTON DHE NJU JORK NË VEPRIMTARI 10 DITORE…/

1 Foto Kryesore

* U SHUA ME 1 KORRIK DHE U PËRCOLL PËR NË BANESËN E FUNDIT ME 3 KORRIK 1970./

       NGA DALIP GRECA/

Diaspora shqiptare ishte e pafat pse unifikusi i gjakut të shprishur të Arbërit, Peter Genci Chikos, i biri i njërit prej themeluesve të Vatrës, arkëtarit të parë të saj, bashkëshoqëruesit të Fan S Nolit në krijimin e Kishës Orthodokse Autoqefale, ish Kryetari i Besa-Besën, Llambi Chikozit, qe jetëshkurtër. Ai ndërroi jetë në fillim të betejës për të bashkuar gjakun e Arbërit të shpërndarë nëpër botë. Shkoi në vendbanimet e arbëreshëve, në Palermo, në Romë, u prit nga Papa, mori pjesë në veprimtaritë kushtuar 500 vjetorit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbe, dhe një vit më pas e “tundi” Amerikën tek solli një përfaqësi personalitesh arbëreshësh, profesorë, akademikë, studiues, klerikë, vajza të reja, që për 10 ditë u bashkuan me shqiptarët e Amerikës dhe organizuan koncerte e vizita në Boston, paradën e madhe shqiptare në  Nju Jork, në Avenunë e 6-të, një seminar shkencor 3 ditor, ekspozita pikture me punimet e Ibrahim Kodrës dhe Lin Delisë, Lutje fetare në Katedralen Snt. Patrick, me të tri besimet, darkë solemne me 2 mijë veta etj….

…Ishte vetëm 52 vjeç, kur në mengjes herët të 1 korrikut 1970, në shtëpinë e tij në  adresën:110  Crestvieë Rd,  Belmont, Boston, ndërroi jetë pas një ataku në zemër. Mbrëmjen e kishte kaluar me mikun e tij të mirë, një nga kryetarët e Vatrës ndër vite, doktorin e parë të shqiptarëve në Amerikë Andrew Elia. Kishin biseduar gjatë rreth punëve të Vatrës dhe së ardhmes së saj. Peter Chikos sapo ishte kthyer në Boston pas një udhëtimi njëmujor nëpër Evropë, ku kishte takuar personalitete të ndryshme evropiane dhe krerët e mërgatës shqiptare në vijim të ëndrrës së tij për të bashkuar të gjithë shqiptarët.

I BIRI I BASHKËTHEMELUESIT TË VATRËS, LLAMBI CHIKOZI

Peter Chikos ishte i biri një patrioti të njohur, që kishte ardhë në SHBA në fillim të Shekullit XX. I ati i tij, Llambi Chikozi kishte qenë në udhëheqje të Shoqërisë Besa-Besën, një ndër nisiatorët dhe mbështetsit e krijimit të Kishës Autoqefale Orthodkse shqiptare, guri i themelit të Federatës. Llambi Chikozi ishte një ndër pesë anëtarët e Komisionit themelues të Vatrës dhe me 28 prill kur Federata u shpall e themeluar atij iu caktua detyra e arkëtarit të parë të Vatrës.

Peter Chikos kishte ardhë në jetë në Janar të vitit 1918 në Boston. Ai kishte qenë një fëmijë i mbarë dhe në mësime shkëlqeu. Peter Chikos mbaroi universitetin për Drejtësi duke përfunduar me rezultate të larta studimet në Northeast të Bostonit, në fakultetin e Drejtësisë.

Gjatë Luftës së Dytë botërore shërbeu në shtabin e Gjeneral Eisenhoëer në Francën në Armatën e Gjashtë. Ai ishte pjesë e formacioneve luftarake amerikane që çliruan Francën dhe më pas ishte pjesë në komisionin e  Kontrollit të Berlinit. Majori Peter Chikos është dalluar në kryrjen e detyrave luftarake. Ai është dekoruar për trimëri dhe zgjuarsi në fushën e luftës me Medaljen”Croix de Guerre avec Palmes” nga Gjeneral Leclerec i Francës e me Medaljen e “Yllit të Bronzit” nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.U largua me nder nga Ushtria në fund të luftës duke pasur gradën e Majorit.

Në jetën civile Peter Chikos ishte po aq i sukseshëm. Ai ishte themelues dhe partner i Agjensisë së Sigurimeve “Chickering Insurance” të Bostonit, nga më të mëdhatë dhe më të suksesshmet në të gjithë New England.

KRONIKA- PËRCJELLJA, PIKËLLIMI I FAMILJES DHE KOMUNITETIT

Ishin mbledhë disa qindar bashkombas në shtëpinë mortore  në Watertown, në një lagje aristokratike, siç e përshkruan revista “Shejzat”, “Koha”, dhe gazeta që ai e deshi dhe për të cilën punoi me shpirt, “Dielli” shqiptarëve të Amerikës. Pjesmarrësit ishin aq të shumtë sa nuk i merrte shtëpia e madhe mortore, por një pjesë rrinin jashtë dhe policia rregullonte trafikun dhe mbante rregullin. Kryetarit të Vatrës iu bë një nderim i jashtzakonshëm. Katër dhoma ishin plot me kurora me lule të sjella nga personalitetet e shtetit, nga familja, nga vatranët, komuniteti, dhe arbëreshët.

Me 3 korrik kortezhi i gjatë i makinave, të cilit i prinin 6 automobila me kurora me lule, e dërguan arkivolin me trupin e pajetë të kryetarit Chikos në Kryekishën “Shën Gjergji” të Imzot Nolit, në atë kishë, ku kishte kontribuar aq shumë edhe i ati i Peter Chikos, Llambi Chikozi, por dhe ai vetë. Kumbona e Katedrales ra përmortshëm duke përcjellë me jehonën e saj njërin nga shqiptarët që pat një ëndërr: Të bashkonte shqiptarët, kudo që jetonin nëpër botë; Kryetarin e Vatrës, Peter Chikos. Përpara Kishës ishin mbledhur qindra bashkombas të ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës, por dhe nga Kanadaja. Katedralja ishte mbushë aq shumë sa nuk mund t’i mbante. Arkivoli ishte mbuluar me Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën atë flamur Majori kishte luftuar në radhët e ushtrisë më të fuqishme të botës,madje pranë Gjeneralit të famshëm Eisenhower. Gjashtë vetë e shoqëronin arkivolin, ku përveç autoriteteve, dallonin ish kryetari i Vatrës Anthony Athanas dhe dr. Hamdi Oruçi, drejtusi i veprimtarive të 60 vjetorit të Gazetës Dielli. Meshën e kryesoi Peshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në Amerikë Hirësia e Tij Stephan Lasko, i ndihmuar nga At Sotir Dilogjika, At Christ Ellis, At Nick Liolin dhe Arthur Liolin…

Pas meshës Hirësia e tij Peshkop Stephan Lasko mbajti një fjalim prekës. Fjalimin nekrologjik e mbajti dr. Andrew Elia, i cili kishte qenë bashkëbiseduesi i fundit me të ndjerin.

Në emër të Vatrës nga altari i Kishës foli miku i tij, dr. Hamdi Oruçi.

Trupi i kryetarit të Vatrës u varros në të njëjtën varrezë ku pushonin trupat e Fan S. Nolit, Faik Konicës dhe vatranëve të tjerë. Ceremonia u mbyll me drekën e Lamtumirës, që u shtrua në restorantin e famshëm të Athony Athanas ”Pier Four”. Dy sallat e mëdha të restorantit ishin të mbushura pot. Në drekën e mortit e “qau” me fjalë shpirti kryetarin, që iku në kulmin e punëve të mira për Vatrën, z. Hajdar Tonuzi, nën/kryetar i Vatrës.

Në të gjitha veprimtaritë përcjellëse ishin të përfaqësuara zyrtarët kryesorë të shtetit: Guvernatori, Kryetari i bashkisë, Kongresitët dhe senatorët. Nga Çikago kishte ardhë Profesor Torielli, i Universitetit të Loyola, që kishte qenë komandant i Petter-t gjatë luftës, kishin ardhë përfaqësues nga institute të njohura e agjensi sigurimesh etj. Vatra e Bostonit ishte e gjitha aty, por edhe degët e Vatrës nga shtete të ndryshme; nga Detroiti, Waterbury, New Yorku, New Jersey, Chikago, Ohio, Toronto. Një përfaqësi e përbërë nga ish kryetarët e Vatrës qëndronte në krye: Andrew Elia, Ali Arrëza, Christo Thanas, James Thanas, Barney Kirka, Editori i Diellit dr. Athanas Gegaj, Editori i gazetës”Liria” Dhimiter Trebicka etj.               Nga personalitetet e Mërgimit shquheshin: Tahir Kolgjini, Selim Damani, Vasil Germenji, Dr. Rexhep Krasniqi, Sami Caushi, Lemi Kokalari, Vahit Chika, Nick Kreshpani, Ago Agaj, Reis Agaj, Gjon Gjinaj, një nga luftëtarët e lirisë etj.

Kryetari i Vatrës Peter Chikos la pas: Zonjën Nicholina, tre fëmijët- Marlyn 20 vjeçare, Paul 19 vjeçar dhe Roberta që atë kohë ishte 15 vjeçare; la vëllanë John; dy motra- zonjën Flora Theodore prej Belmont, zonjën Tefi Chani prej Brockton, Boston.

GAZETA”DIELLI” E VAJTOI KRYETARIN DY JAVË PAS VDEKJES

Duke qenë se gazeta e Vatrës”Dielli” për arsye financiare nuk mundi të botohej dy javët e para të korrikut 1970, kryetari u vajtua dy javë më pas, në numrin e 15 Korrikut. Aso kohe gazeta printohej në format të madh dhe të katër faqet iu kushtuan kryetarit. Gazeta hapej me titullin e madh me shkronja kapitale:Kryetari i Vatrës Peter Chikos na la,por ai jeton në zemrat tona”. Nën këtë titull botohej elegjia e kryetarit të komanduar të Vatrës,Hajdar Tonuzi.Tonuzi e niste vajtimin për kryetarin kështu:” Të ndodhesh para trupit të pajetë të Peter Chikos,i cili papritmas u nda nga gjiri ynë, vetëm po të jesh prej gurit nuk tronditesh dhe s’ka mundësi që të mos pyesësh veten:-Pse fat i keq qëllon mu në zemër komunitetin tonë? Pse vdekja e tmerrshme rrëmben të riun në moshën më të bukur që premton aq shumë për Kombin tonë, për Federatën Vatra dhe për familjen e tij?

Ikja e një personaliteti të njohur si Peter Lukas, qe një humbje tragjike për Vatrën së cilës i kishte dedikuar vullnetin, energjinë dhe inteligjencën. Përpara kësaj vdekjeje,përpara fuqisë msterioze të Zotit, ne mbetemi të ngurosur në vend, me duar të lidhura,- vajtonte Tonuzi në emër të vatranëve, duke arritë në përfundimin se: Komuniteti shqiptar humbi një të ri pa njolla, një lider që e donin të gjithë krahët, askush s’kishte ç’të thosh për të, një ves nuk ia gjenin. Po ashtu ai ishte një personalitet që kishte miqësi në qarqet më të larta të politikës amerikane; ishte njeri me kulturë të gjërë e me aktivitet të pandërprerë, ndodhej përherë në mes të Bostonit, Washingtonit, Nju Jork-ut, Romës, Palermos…

Për kryetarin e komanduar të Vatrës, vdekja e Peter Chikos ishte më e rënda pas vdekjes së Faik Konicës dhe Fan S. Nolit. Jeta Chikos ishte e shkurtër, por e mbushur me vepra të mëdha. Ishte vetëm dy vjet në krye të Vatrës por shërbimet që i bëri vetë Vatrës dhe çështjes Kombëtare Shqiptare, ishin të jashtzakonshme. Emri i Vatrës mori fluturim anë e mbanë botës. U bë ajo Vatër si dikur, kur luante rolin e shtetit të vdekur shqiptar. Për të realizuar idenë e bashkimit të shqiptarëve ai udhëtoi shumë nëpër Amerikë dhe Europë, shkriu energjitë  dhe pasuritë e tij në funksion të kësaj ideje, duke mbajtur konferenca, duke zhvilluar bisedime, duke evokuar trimërinë e inteligjencën e racës shqiptare.

Jo vetëm Vatra dhe degët e saj në Boston, Nju Jork, Nju Xhersi, Ohajo, Mancester NH, Worcester MA, Waterbury CT, Toronto-Kanada, por edhe komuniteti e vajtoi kryetarin e Vatrës me përfaqësuesit e saj: Avokati Selim Damani për Organizatën e Legalitetit, Sami Çaushaj për Ballin Kombëtar, Ago Agaj nga Blloku Independent; madje edhe Zëri i Amerikës, edhe Veteranët shqiptaro-Amerikanë etj.

Dielli ftonte vatranët për të vijuar veprën e kryetarit Chikos dhe u hap një fushatë kontributesh për të forcuar financiarisht Federatën. Ndër të parët që iu përgjigjën thirrjes ishin: Dr. Hamdi Uruçi, një nga miqtë dhe mbështetësit e kryetarit; zonja dhe zoti Economy, zoti dhe zonja Krachines, Louis Anastas, Agjensia e Sigurimeve Chikolino, Demeter Ligor, Ronald Theodhor e shumë të tjerë e pasuan në vijim.

EDHE GAZETAT AMERIKANE SHKRUAN PËR KRYETARIN E VATRËS

Gazeta amerikane “The Boston Globe” në numrin e saj të së Enjtes të 2 korrikut 1970, në edicionin e mëngjesit shkroi një artikull special për ta përcjell qyetarin shembullor amerikan Peter Chikos, pa harruar t’i përmend edhe origjinën shqiptare të prindërve si dhe suksesin në drjtimin e Federatës Pan- shqiptare të Amerikës ”VATRA”, bashkimin e mërgatës shqiptare dhe arbëreshe dhe sukseset në jeten ushtarake e civile.Gazeta shkruante : Si offcer i inteligjencës ushtarake ai ka shërbyer në stafin e Gjeneralit Aizenhauer gjatë pushtimit të Francës dhe ka luftuar për çlirimin e saj. Ai ka marrë pjesë në çlirimin e Jugut të Francës si pjese e grupit ushtarak nr.6 dhe shërbeu në Misionin “Berlin Controll” pas thyrjes së nazistëve.

Për shërbim të jashtzakonshëm në Gjermani ai u dekorua me Medaljen “Ylli i Bronztë” dhe “ Freanch de Croix de guerre with Palms”, shkruante Boston Globe, artikull qe e gjeme te perkthyer edhe en Diellin e 15 Korrikut 1970.….

Kur u lirua nga ushtria si Major i Shtabit të përgjithshëm ai ndihmoi të organizonte shoqatën shqiptaro-amerikane të veteranëve dhe ia doli mbanë. Është liruar nga Ushtria me nder si Major në shtabin e Përgjigjithshëm të gjeneralit të njohur Eisenhower.

Ai ndoqi hapat e babait të tij Harris(Llambi) Chikos, i cili ishte një nga themeluesit e kishës ortodokse autoqefale të shqiptare në Amerikës, duke marrë drejtimin e Federatës Pan-shqiptare të Amerikës’Vatra” një shoqatë patriotike shqiptaro-amerikane, nenvizonte The Boston Globe.Petter Chikos i dedikoi energjitë e tij edhe menaxhimit të gazetës Dielli, duke kryer detyrën e Menaxherit te gazetes. Ai e financoi gazeten dhe e fuqizoi atë nga ana finaciare.

Gazeta shkruan se Departamenti i Shtetit Amerikan e njohi lidershipin e tij në simpoziumin ndërkombëtar panshqiptar në Romë dhe Nju Jork në drejtimin e tij, shërbimet fetare të kishës katolike, orthodokse dhe muslimane u kryen në Katedralen Shën Patrik në Manhattan. Ai u prit personalisht nga Papa dhe nga liderët e qeverisë italiane si dhe figura të njohura shqiptare në egzil.

Peter Chikos ka pasë mbaruar shkollën për avokat në Northeastern University Law School, ai ka menaxhuar pasuritë e patundshme të familjes. Ishte themelusi dhe partneri i agjensitë e Sigurimeve më të mëdha në New England.Edhe Boston Herald Traveler, e 3 Korrik 1970 shkroi rreth kryetarit të Vatrës.

                      PUNËT E MËDHA TË PETER CHIKOS

Në fund të viteve ’60 të shekullit të shkuar kishte filluar  një fazë idealizmi i diasporës shqiptare. Ishin veprimtaritë kushtuar 500 vjetorit të  Gjergj Kastrioti Skenderbe, që zgjuan ndërgjegjen Kombëtare.Viti 1968 u konsiderua si “Viti i Shqiptarëve”. Shqiptarët nacionalistë të përzënë nga vendi i tyre prej regjimit komunist duke ua ndaluar kthimin në trojet ku u lindën, manifestuan ndjenja të larta kombëtare. U organizuan manifestime të fuqishme në Romë, Paris, Bruksel e Boston. Madje në Bruksel, megjithëse komuniteti shqiptar ishte i vogël në numër, u arrit që të ngrihej dhe një shtatore për Heroin Kombëtar, ku dha kontributin e vet edhe Federata Pan- shqiptare e Amerikës”VATRA”. Në manifestimet madhështore të Romës morën pjesë përfaqësi të shumta të botës shqiptare, përfshi edhe një dërgatë të Vatrës, së cilës i printe Kryetari i Vatrës Anthony Athanas, Peter G. Chikos, që atë kohë ishte menaxher i Gazetës Dielli, Christo Thanas, Selahedin Velaj, Dr, Hamdi Uruçi, Van Christo e të tjerë.

Vatranët u pritën me nderime të mëdha në Romë. Ata u nderuan edhe nga vetë Papa, që rezervoi një pritje të veçantë për Vatranët.

Pas manifestimeve të majit 1968 ne Boston, ku Peter Chikos ishte në ballë të komisionit përgatitor për festimet e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ai ndjehej plot energji e vullnet për të mos e lënë që të ftohej energjia e çliruar. Në vjeshtën e atij viti, në muajin Shtator, ai udhëtoi sërish drejt Italisë. Ishte i ftuar nga Qendra Ndërkombëtare për Studime Shqiptare në Palermo, ku mori pjesë në kuvendin e përvitshëm të asaj qendre. Vizita në Palermo, takimi me arbëreshët, pati një ndikim të jashtzakonshëm në zgjimin e shpirtit arbëror tek Chikos. Duke qenë se tash ishte në krye të Vatrës, ai u prit me adhurim nga arbëreshët. Chikos çuditet kur dëgjon të flitet shqip në vatrat arëbreshe, edhe pse kishin kaluar 500 vjet që të parët e tyre i kishin lënë trojet e arbërit, kur sheh se sa mirë i kanë ruajt traditat, këngët, vallet, ritet shqiptare. Ai habitet kur dëgjon profesorin nga Kosova të flasë plot pasion dhe pa u lodhur për më shumë se gjysëm ore për unazën e Skënderbeut, kur dëgjon ligjërusit të shpalosin historinë kombëtare të racës ilire.(Dielli ne Print, Korrik 2018)

(vijon në numrin e ardhshëm)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, GJAKU I SHPRISHUR I ARBËRIT, KUR BASHKOHEJ, me vatranët, Peter Chikos

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1337
  • 1338
  • 1339
  • 1340
  • 1341
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT