• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE NË RUMANI – KRYEPUNË E DR. LUAN TOPÇIUT…

June 28, 2021 by dgreca

Shkruan: Visar ZHITI/

“Sot ka dalë nga shtypshkronja libri im më i ri: “Istoria Literaturii Albaneze, de la origini până în prezent” (Historia e letërsisë shqipe nga  zanafilla deri më sot). Është realizimi i një pune shumëvjeçare. Vëllimi ka 868 faqe. Me këtë rast falenderoj të gjitha ata që bënë të mundur botimin e tij.”
Kaq shkruan në FB e tij Autori i Veprës me modesti heroike si ata studiuesit e manasatireve dhe  kuvendeve… 868 faqe… punë shumë vjeçare… falenderim botuesve…
Por flet Verpra e madhe, është e para Histori e Letrave Shqipe që del në Rumani, kur në përmasa të tilla gjithëpërfshirëse mungon dhe në Shqipëri.
Kjo histori, që është shumë më me rëndësi  se ajo e luftarave, se është histori e shpirtit dhe e krijimit,  pra dhe e identitetit, nis që nga hershmëria e gjuhës shqipe, kalon te letërsia e saj e vjetër, mesjeta, rilindja, e cila nën pushtimin otoman i shtypte veprat e veta në Rumani, te arbëreshët magjepsës, pavarësia, letërsia pas Luftës II Botërore, e reja, ajo e burgjeve dhe internimeve, e diasporës, deri në SHBA, etj, e deri më tani në shekullin XXI, shoqëruar me dokumente, imazhe, pasazhe librash, etj. E gjitha mahnitëse, do të thosha. Ngjarje kulturore – e kanë quajtur menjëherë në Rumani.
Duhet ta kishim në gjuhën shqipe së pari, por ishte Rumania ajo, tashmë vend i Bashkimit Europian, e cila kaloi nëpër kalvarin e diktaturës komuniste, jo aq rëndë si vendi ynë dhe nuk pati ndonje realizem socialist aq vrastar sa letërsia jonë, pra s’do të ishte Atdheu, por Rumania, që do ta mbante Dr. Luan Topçiun që të shpaloste punë dhe vlera, sa kombëtare, shqiptare dhe rumune, po aq dhe europiane e universale, duke arritur i vetëm të bënte atë që duhej tē bënin akademitë, universitetet, duke forcuar ndërkaq miqësinë dhe lidhjet me Rumaninë e dashur, më shumë se sa ambasadat e pergjumura, më shumë se sa Ministria e Punëve të Jashtme.
Na nëpërmenden ndërkaq arritjet e shumta të albanalogut kanadezo-gjerman Dr. Robert Elsie në kulturen shqiptare. Dhe pritej vazhdimi…
Luanin shqiptar, me afërisht 1.000 faqet e Historisë së Letërsisë Shqipe, duket sikur permbushi një punë mijëvjeçare, duke ngritur këtë Katedrale hijerëndë, ku Shqipëria është më e bukur, por dhe e përjetëshme…


Filed Under: LETERSI Tagged With: Historia e Letersise, Luan Topciu, Rumani, Visar Zhiti

E FTUAR NE FESTIVALIN “CURTEA DE ARGEŞ POETRY NIGHTS” – RUMANI

July 21, 2018 by dgreca

NGA KOZETA ZAVALANI/

Për një javë, nga data 11 deri në 17 korrik isha e ftuar në Festivalin Ndërkombëtar Poetik në Rumani “Curtea de Argeş Poetry Nights”, e krijuar në vitin 1997, si një nga programet vjetore të Fondacionit Ndërkombëtar dhe Organizatës Kulturore, Orient-Occident (Curtea de Argeş, Rumania). Iniciatorët e organizatorët e saj janë poeti Dumitru M. Ion (Presidenti) dhe poetja Carolina Ilica (Drejtor Artistik).

Festivali Ndërkombëtar “Curtea de Argeş Poetry Nights”, unik i këtij lloji brenda vendeve të Evropës Qendrore, është bërë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të festivaleve të mëdha si Struga (R. Maqedoni), Las Palmas ( Spanja), Medellin (Kolumbi), Trois Rivières (Kanada), etj.

Festivali mbahet në qytetin Curtea de Argesh, që ndodhet në veri të Qarkut Arge, në një distance 140 km nga Bukureshti,vendosur në këmbët e maleve Fagaras, ku takohen bukuritë natyrore të panumërta të luginës së Arges, në jug të Meridionalit, me Karpatet në Subcarpatët e Argesit.

Ishim vendosur në Kompleksi i Hotel Posada në Curtea de Arges pranë manastirit Manole, ku Restoranti simpatik na ofroi kuzhinë të shijshme rumune dhe ndërkombëtare të ndërthurura me mbrëmjet folklorike.  Shpesh tarraca na ftonte për të darkuar jashtë në mes të mjedisit harlisur në gjelbërim.

Në afërsi të hotelit Posada vizituam Kishën e Manastirit Arges, kishën Olari, Dumitru Norocea Memorial dhe rrënojat e San Nicoara. Festivali organizohet tradicionalisht nga Akademia Orient-Occident dhe drejtori i saj Acad. Ion Dumitru – poet dhe përkthyes rumun nga gjuha bullgare dhe maqedone, dhe bashkëshortja, njëkohësisht poete dhe drejtore  artistike e festivalit – Caroline Ilica.

Festivali tradicionalisht është një ngjarje unike kulturore e leximeve të poezisë, prezantimeve të librit, ekspozitave të pikturës, si dhe një prezantim të muzikës popullore rumune. Një përzgjedhje e veprave poetike të pjesëmarrësve të festivalit është botuar në një antologji me dy vëllime në versionet e gjuhës origjinale dhe përkthimet e tyre në gjuhën rumune dhe angleze.

Festivali Ndërkombëtar “Curtea de Argeş Poetry Nights” është konceptuar si një shfaqje e pandërprerë poetike (nga muzika tradicionale rumune, ekspozita arti dhe libra, valle popullore rumune, vizita në kështjellat e Vlad Ţepeş (Drakula), udhëtime në Malet Karpate, etj), që zgjati 7 ditë dhe 6 netë.

Katedralja e Curtea de Arges (në fillim të shekullit të 16-të) është një katedrale ortodokse rumune në Curtea de Argeş dhe është dedikuar për Fjetjen e Nënës së Perëndisë e është edhe ndërtesa e selisë së Kryepeshkopatës Argeş dhe Muze. Legjendat e Curtea de Argeş kanë frymëzuar shumë poetë të njohur rumunë.

U njoha me poetë nga 40 vende të ndryshme të botës, pasi kishte nga një pjesëmarrës për çdo shtet dhe bëra miq të talentuar, me të cilët këmbyem përvojat tona artistike e shijuam poezi në gjuhët kombëtare, si dhe të përkthyera në rumanisht e anglisht.

Poezia për mua është një mister i fshehur në hapësirë, është si një fjalim dhe heshtje njëkohësisht, dhe nganjëherë një britmë. Sipas mendimit tim, kjo jep një shans për një përmbushje fiktive të mundësive të parealizuara, është një mundësi për të realizuar perceptimet dhe dëshirat tona në «botën më të mirë të mundshme». Në të vërtetë poezia sjell shpirtra të ndryshëm nga vende të ndryshme si Argjentina, Kolumbia, Brazili, Amerika, Anglia, Norvegjia, Meksika, Turqia, Polonia, etj. më pranë njëri-tjetrit. Ata, nëpërmjet poezisë prekin litarët e brendshëm të zemrave dhe mund të krijojnë një simfoni të shpirtrave njerëzorë që vallëzojnë me melodinë e përjetësisë. Gjuha komunikon me njerëzit dhe kohën, natyrën dhe shpirtin. Format mund të ndryshojnë, por esenca mbetet e njëjtë dhe e fuqishme nëse krijuesi mund të shprehë talentin e tij ose saj me dinjitet dhe elegancën e duhur.

Ditën e fundit së bashku me miken nga Turqia Lusan Biçakçi, vizituam Bukureshtin, duke filluar me selinë e Ambasadës Shqiptare,  me kënaqësinë e bisedës me një mik të vjetër si Ambasadori ynë në Bukuresht Z. IIlir Tepelena, të cilii i dhurova disa nga librat e mi dhe e falenderova për mikpritjen, duke i uruar suksese të mëtejshme..

Bukureshti kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Rumanisë, si dhe qendra e saj kulturore, industriale dhe financiare ndodhet në juglindje të vendit, në veri të lumit Danub.

Ajo u bë kryeqyteti i Rumanisë në vitin 1862 dhe është qendra e medias, kulturës dhe artit rumun. Arkitektura e saj është një përzierje e historisë epokës komuniste dhe moderne. Në periudhën midis dy Luftërave Botërore, arkitektura elegante e qytetit dhe sofistikimi i elitës së saj i dhanë Bukureshtit pseudonimin e “Little Paris”.  Megjithëse ndërtesat dhe rrethet në qendrën historike të qytetit u dëmtuan rëndë nga lufta, tërmetet dhe mbi të gjitha sistematizimit të Nicolae Ceauşescut, shumë mbijetuan. Në vitet e fundit, qyteti ka përjetuar një bum ekonomik dhe kulturor. Bukureshti është qyteti i gjashtë më i madh në Bashkimin Evropian nga popullsia brenda kufijve të qytetit, pas Londrës, Berlinit, Madridit, Romës dhe Parisit.

Pasi bëmë foto në vende të ndryshme, në mbrëmje e lamë Rumaninë nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar Henri Coanda Otopeni për në vendet tona me mbresat më të mira.

Kozeta Zavalani

Filed Under: Emigracion Tagged With: E ftuar ne Festival, Kozeta Zavalani, Rumani

Rumani, 20 Vjet burg për shefin e burgut të komunizmit

March 29, 2017 by dgreca

Rumani: Vërtetohet dënimi për shefin e burgut të periudhës komuniste, për rolin e tij në vdekjen e 103 të burgosurve politikë./

1 Rumani

Ne Foto:Ion Ficior pas përfundimit të gjykimit të sotëm në përcjellje të policisë është dërguar në burg/

Një gjykatë në Rumani e ka vërtetuar dënimin me 20 vjet burg, për ish-shefin e një burgu rumun të kohës së komunizmit, për rolin e tij në vdekjen e 103 të burgosurve politikë.Gjykata e Lartë e Apelit në Rumani sot e ka hedhur poshtë ankesën e personit, Ion Ficior, 88 vjeçar, i cili pretendon se nuk ishte fajtor për vdekjet, pasi ai vetëm i kishte zbatuar urdhërat.

Pas vendimit gjyqësor, policia e ka dërguar Ficiorin në burg.Ky person ishte komandant i kampit të punës Pweriprave, në periudhën 1958 – 1963. Gjatë procesit gjyqësor, ish të burgosurit kanë dëshmuar për kuishte të tmerrshme në burg, përfshirë rrahjet, mosdhënien e ushqimit dhe ilaçeve, regjim i ashpër i punës dhe qeli pa nxehje.

“Shumë njerëz kanë vdekur ajte dhe kjo konsiderohej normale”, u tha mediave rumune ish i burgosuri, Ion Radu, i cili i kishte vuajtur 12 vjet në këtë burg, për shkak se i takonte një organizate antikomunsite.

“Ai totalisht e meriton këtë dënim, sepse ishte njeri mizor”, tha Radu për ish-shefin e burgut, Ion Ficior.Në vitin 2016, në Rumani ishte dënuar me 20 vjet burg edhe një tjetër ish-shef i burgut, me ermin Alexandru Visinescu, për rolin e tij në vdekjen e të burgosurve në burgun, Ramnicu Sarat, në periudhën 1956 – 1963.

Filed Under: Analiza Tagged With: 20 vjet, burg për shefin e burgut, Rumani, të komunizmit

Rumani ëndërr lajmëtare

November 9, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Një lëvizje qytetare në dhjetorin e vitit 1989, për ndryshimin e sistemit, e sollën Rumaninë beftësisht në qëndrën e vëmendjes botërore. Gjermano lindorët sapo kishin rrëzuar murin e Berlinit. Kampi socialist po shpërbëhej. Megjithatë shumë vende të tjera, përfshi këtu edhe ne, mbanin sy e veshë nga përtej. Por prapë nuk guxuam. Megjithatë Rumania u bë frymëzim. Një frymëzim që reflektonte me shkëlqim sysh. Sidomos për ne njëzetvjeçarët. Akoma nuk e kishim të qartë pluralizmin. Aq sa me naivitet mund të besonim se ndryshimi mund të vi edhe prej të akuzuarit. Prej sunduesit vet. Dukej sikur ishte koha për një paqje shpirtërore midis njerëzve.
Megjithatë rumunët e ekzekutuan publikisht këtë sundues. Pamjet ishin brutale. Ndërkohë u pa edhe zhgënjimi I pare. Minatorët e Karpateve, zbritën dhe pushtun sheshet. Në emrin e ruajtjes së shtetit post diktaturë, rrihnin protestuesit. (Pikërisht për këtë mobilizim të një armate me pajime prej nëntoke, e akuzuan këto ditë ish presidentin Iliesku. Pasardhësin e diktatorit Nikolae
Çauçesku.) Duket si një vëllavrasje. Sërish pamjet ishin dëshpëruese. Çfarë po ndodhte aty? Kush fitoi dhe për çfarë fitoi? Megjithatë, ne mësuam se shenja me dy gishta, u bë simboli i njerëzve që duan demokracinë.
Po cilën demokraci?
Edhe sot e kësaj dite, ka një dëshpërim social. Aq sa rumunët ndihen të lodhur. Por midis tyre hera­herës dalin zëra që përpiqen të ringjallin shpresën për ndryshim . Për vazhdimësinë. Ashtu siç po ndodh tani, kur deklarojnë se më 1989 luftuam për ndryshim, liri dhe demokraci. Sot duhet të
luftojmë për drejtësi.
Çfarë lidhje mund të gjejnë shqiptarët sot. Në raport me protestat e Bukureshtit.?
Ka të tilla plot. Ashtu sikur ka edhe gjëndje që i mbyt këto argumenta. Lidhja e pare është korrupsioni, drejtësia dhe politikat dëshpëruese, me tendenca të qarta stanjative. Në vend numëro, për hir të transformit të idealeve sociale në ato personale. Lidhja e dytë, ajo që buron nga këto të parat.Eshtë domosdoshmëria, dalja në skenë e shoqërisë civile. Ose e një avanguarde të re politike. Kjo edhe përmes forcave ekzistuese. Gjë që duket e pamundur në Shqipëri. Për shkak të kapjes së partive nga grupet klanore. Kthimin e tyre në prona kryetarësh dhe liderësh. Dhe jo të statutit të partisë.
Ricklim pervers i xhaketave, i humbësve, me tu lutur. Kompaktësia bajate me figura të përjetshme.
Aq sa kemi një ekip me element të 90­tës. Thua se vuajmë shterpësinë dhe sterilitetin klasërisht?
Ose ose, e ndonjë force të re. Të pa konsumuar. Gjë që prapë e themi, se në Shqipëri duket e vështirë. Ashtu sikur nuk mund ta quajmë dot lëvizje grupimin e vezëve të këtyre ditëve.E shumta dërrmuese e të rinjëlve tanë, bëjnë tifozllëk për të vjetrit. Vet u pëlqen të mbeten radhorë.Të rrinë në rresht.
Pra të gjitha këto, jo se nuk janë, jo se nuk ekzistojnë aty. Pasi dihet se 95% e lejeve të dhëna për biznese nate apo dite. Nuk i kanë të parashikuara emergjencat. Janë firma të dhëna me qejf.
Kjo edhe për shkak të kulturës sonë në raport me ligjin dhe miqësinë. Firma që vrasin. Për këtë u arrestua kryetari i Bashkisë në Bukurusht. Për këtë po proteston Rumania. Pra janë komponentët.
Pasi edhe ne indinjohemi. Edhe ne revoltohemi. Edhe ne trishtohemi. Por ne na ka mbytur gjëndja e tifozllëkut pas liderëve partiakë. Ndaj nuk është e rastësishme që Rumania proteston për drejtësi.
Pa përkrahje dhe suport opozitar.
Megjithatë është një ëndërr lajmëtare. Si ajo e njëzet e kusur viteve të shkuara.

Filed Under: Featured Tagged With: ëndërr lajmëtare, Ilir Levonja, Rumani

AKUZË GJENOCIDI PËR KRIMET KOMUNISTE NË RUMANI

October 8, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

Gjatë dy dekadave të fundit, shtetet ish-komuniste të Europës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik  — dikush më shumë e dikush më pak, e disa prej tyre aspak — janë përpjekur që të përballen me krimet dhe me abuzimet e të drejtave të njeriut, që ishin karakteristikë e jetës së përditëshme  të regjimeve komuniste për pothuaj 50-vjetë.    Megjithëse ky proces ndryshon nga vendi në vend, në përgjithësi shtetet ish-komuniste janë përpjekur të zbatojnë një sistem drejtësie që të mundësonte, që këto shoqëri të përballeshin me të kaluarën e tyre tragjike komuniste, duke mare vendime për ligjet e lustracionit, ndalimin për të marrë pjesë në jetën politike të ish-zyrtarëve komunistë dhe të ish-zytarëve të policisë sekrete të shteteve komuniste, përfshirë edhe spiunët.   Disa vende kanë hapur të gjitha dosjet duke bërë të mundur që qytetarët e thjeshtë të mund të shikojnë arkivat dhe informatat e mbledhura për ta nga ish-sigurimi i shtetit komunist.   Ky proces i përballimit me krimet e regjimeve komuniste në shumë vende ka përfshirë  gjyqe dhe procedura ligjore kundër ish-zyrtarëve komunistë dhe ish-agjentëve të sigurimit të shtetit, të cilët  dyshohet se kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe brutalisht kanë dhunuar dhe kanë shkelur të drejtat bazë të njeriut, të bashk-kombasve dhe bashk-qytetarëve të tyre.

Kohët e fundit media amerikane dhe ajo rumune dhe europiane, përfshirë media të njohura si gazeta Nju Jork Tajms,  kanë shkruar për vendimin e prokurorëve rumunë të cilët kohët e fundit njoftuan vendimin për të akuzuar zyrtarisht për kryerje gjenocidi, një komandant të burgjeve të regjimit komunist rumun.  Prokurorët rumunë kanë akuzuar ish-komandantin Aleksandru Visinescu për krimet  që sipas dëshmitarëve ai ka bërë kur ishte përgjegjës i burgut famëkeq Ramnicu Sarat,  nga viti 1956 -1963.  Thuhet se në atë burg mbaheshin kundërshtarët më të dalluar politikë të regjimit komunist rumun, përfshirë elitën politike para- komuniste të Rumanisë si dhe intelektualët dhe klerikët më të njohur të vendit.   Siç duket, këjo masë nga prokurorët rumunë është një përpjekje serioze nga ana e auoriteteve rumune për tu përballur me të kaluarën komuniste të vendit të tyre, duke sjellur para drejtësisë ish-komandantët e burgjeve, të cilët mundësuan qendrimin në fuqi të një prej regjimeve më brutale në Europën Lindore.

Akuza për gjenocid, është një akuzë e rëndë, pasi gjenocidi përcaktohet nga Kombet e Bashkuara si një krim ndërkombëtar, dhe si një “akt që kryhet me qëllim të për zhdukur në terësi, ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar”.    Ish komandanti i burgjeve të regjimit komunist rumun, Aleksandru Visinescu është personi i dytë në Rumani që mban mbi shpatulla akuzën e gjenocidit, pas ish-diktatorit komunist rumun Nikolai Çausesku dhe bashkshortes së tij, të cilët u gjykuan dhe u ekzekutuan në vitin 1989.    Prokurorët rumunë, në deklaratën për median, janë shprehur se Visinescu, si komandant i burgut Ramnicu Sarat, i trajtonte aq barbarisht të burgosurit politikë sa trajtimi i tyre shtazarak kishte për qëllim zhdukjen fizike të kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.

Ishte Instituti Rumun për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe të Kujtimit të të Mërguarve Rumunë, një organ qeveritar, ai që mblodhi provat kundër Visinescu-t dhe bëri një listë që përfshinë emërat e të pakën 35 ish-zyrtarëve komunistë, të cilët instituti në fjalë i akuzon ata për shkelje të të drejtave të njeriut dhe abuzime e krime të tjera.  Instituti qeveritar për Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Rumani, në një prononcim për median tha se, “mirëpret këtë vendim historik (të Prokurorisë rumune) duke nënvijuar  njëkohësisht vedosmërinë  e tij për të vazhduar përpjekjet për identifikimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për abuzime dhe krime të rënda politike gjatë periudhës komuniste.”   Duke thënë se ky vendim është historik jo vetëm për Institutin që ai kryeson por edhe për të gjithë shoqërinë rumune, Presidenti i Institutit Andrei Muraru u shpreh për median se, “Këjo është hera e parë që një ish-nëpunës i sistemit të burgjeve komuniste akuzohet për gjenocid, për krimet politike dhe abuzimet e bëra gjatë regjimit komunist.”  Ai shtoi se akuza kundër ish-komandantit të burgut famëkeq Ramnicu Sarat, Aleksandër Visinecu-t, “përbën një pikë-këthesë në zhvillimin dhe dënimin e krimeve të regjimit komunist”, në vendin e tij.

Para një jave, gazeta Nju Jork Tajms në një artikull të gjatë në faqen e pare, tha se akuza zyrtare kundër ish-komandantit të burgut Visinescu ka shtuar shpresat se më në fund edhe Rumania po ndjekë shembullin e shumicës së fqinjëve të saj në Europën Lindore dhe Qëndrore për të “shkundur amnezinë kombëtare mbi të kaluarën e saj brutale dhe që të rishqyrtojë kulturën e mos-ndëshkimit e cila ka nxitur korrupcionin e papërmbajtur në shoqëri, gjë që ka ngadalësuar dukshëm përparimin e vendit, megjithëse është anëtare e Bashkimit Europian ç’prej vitit  2007.”   Gazeta Nju Jork Tajms shkruan se vazhdimësia midis elitës komuniste dhe post-komuniste është një fakt që shpjegon se pse në Rumani ekziston një rezistencë aq e fortë ndaj përballimit me krimet e regjimit komunist.   Gazeta citon, Laura Stefan,  një eksperte rumune të ligjit e cila thotë, duke iu referuar vendit të saj se, “Ne rrjedhim nga ujëra të thella dhe shumë të ndyra. Korrupcioni është arsyeja kryesore që ne nuk flasim për të kaluarën”, tha ajo për Nju Jork Tajms.   Megjithëse e sheh akuzën zyrtare ndaj ish-komandatit Visinescu si diçka pozitive, ajo dyshon se  autoritetet janë serioze për të dënuar dhe burgosur Visineskun dhe të tjerët si ai të akuzuar për krime gjatë regjimit komunist.   Edhe profesori  rumun D. Voinea citohet nga gazeta Nju Jork Tajms se elita  politike dhe ekonomike e Rumanisë gjithnjë dominohet nga ish-komunistët dhe të afërtmit e tyre,  të cilët si të tillë duan të sigurohen se krimet e komunizmit  nuk do të zbulohen kurrë dhe ata që i kryen ato krime nuk do të dënohen kurrë për to.

Tranzicioni nga regjimet komuniste në demokraci ka qenë dhe vazhdon të jetë i vështirë për shumë vende të ish-bllokut komunist, përfshirë Rumaninë, por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën si vende ish-komuniste.   Ekspertët në përgjithësi janë dakort se konfliktet e pazgjidhura që rrjedhin nga mos vullneti për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe të gjitha të zezat e saja vazhdojnë të pengojnë zhvillimin dhe stabilizimin e një sistemi të vërtetë demokratik, megjithëse në pushtet tani janë përfaqsues të një brezi tjetër, por pinjollë të regjimit të vjetër komunist.  Tranzicioni ka qenë më i vështirë në shtetet ish-komuniste siç janë Shqipëria dhe Rumania, vende këto të cilat, ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, nuk kanë dënuar as nuk kanë mbajtur përgjegjës asnjë person për krimet dhe masakrat e kryera gjatë periudhës komuniste ndaj kundërshtarëve të pafajshëm të regjimit komunist.  Madje në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë,  individë që kishin marrë pjesë në shtypjet brutale dhe  në zhdukjen e kundërshtarëve të regjimit komunist, gjatë 20-viteve të fundit, janë këthyer në pozita të larta të pushtetit qeveritar dhe shtetëror.

Siç duket, në një mungesë të plotë të vullnetit politik për tu marrë me krimet e së kaluarës, në disa vende ish-komuniste dhe jashtë, do të vazhdojë debati në lidhje me hapjen ose jo të dosjeve, me lustracionin,  me gjyqet dhe me dënimin e atyre që kryen krimet dhe masakrat gjatë diktaturës komuniste kundër popullit të vet.  Pyetja është se pse disa vende përballen me të kaluarën e tyre diktatoriale e shtypëse duke hapur dosjet e sigurimit të shtetit, duke ndaluar pjesëmarrjen në politikë të ish-zytarëve të regjimeve komuniste dhe duke dënuar abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të bashkombasve të vet, ndërsa disa vende të tjera me të njëjtën histori krimesh e abuzimesh ndaj popullit  të tyre, nuk bëjnë asgjë për tu përballur me të kaluarën e tyre tragjike.   Shekspiri ka thënë, “What is past is prologue”, që pak a shumë do të thotë se ato që kanë ndodhur më heret vendosin faktorët sundues tani dhe për të ardhmen, me fjalë të tjera nëqoftse e kaluara nuk gjykohet për ato që ishte, në këtë rast për krimet dhe brutalitetin e regjimeve komuniste, atëherë historia do të prësëritet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Akuze gjenocidi, Frank shkreli, krimet komuniste, Rumani

Artikujt e fundit

  • “ISMAIL QEMALI” VJEN NESËR NË STATEN ISLAND, NEW YORK
  • ´´Këta janë Mjekët shqiptarë me Misionin e ngritjes së shëndetësisë shqiptare: Kontributi shkencor vullnetar i Federatës´´
  • Presidentja Osmani takoi Presidentin Macron, Kancelarin Scholz dhe përfaqësuesin e lartë Borrell
  • SINTAGMA “ZBRITJE NGA MALET”
  • Romanca e Aleksandrit
  • Milicia fashiste që sulmon Kosovën*…
  • MIDHAT FRASHËRI DHE ALBANOLOGJIA*
  • TAKIM ME VARGMALET APALASHE
  • SERBIA MBETET FAKTOR DESTABILIZUES NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR
  • Më 1 qershor 1850 lindi ideologu Sami Frashëri
  • Identiteti dhe integrimi në pluralizëm
  • FIGURA POETIKE NË POEMËN, “NËNË SHQIPËRI” E POETIT DRITËRO AGOLLI
  • Më pak nxënës në shkollë, pasoja afatgjata për Shqipërinë!
  • Promovimi i vëllimit 8 të veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit*
  • Raising Funds and Cancer Awareness, AFC Hits All the Right Notes at Boston Gala Concert

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT