• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA PËRBALLË COVID, NGA VAKSINIMET TE RREZIKU I INFEKTIMEVE MASIVE GJATË FUSHATËS ELEKTORALE

March 29, 2021 by dgreca

Prof. Dr. Arvin Dibra, Profesor i Kirurgjisë, Departamenti i Kirurgjisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti  i Mjekësisë Tiranë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon natyrën e sfidave me të cilat është përballur kirurgjia në Shqipëri gjatë pandemisë, si ka ndikuar pandemia negativisht në formimin profesional mjekësor të studentëve dhe të specializantëve, si fushata e vaksinimit është e pamjaftueshme në raport me nevojat e një vendi me një popullsi të vogël dhe frika që mund të stimulohen valë të reja infektimesh masive gjatë fushatës elektorale. Me Prof. Dr. Arvin Dibra bashkëbisedoi gazetari i DIELLIT, Sokol Paja. 

SFIDAT E SHËRBIMIT TË KIRURGJISË GJATË PANDEMISË

Në gjykimin tim natyra e sfidave me të cilat është përballur kirurgjia në Shqipëri dhe gjithandej në periudhën tashmë mbi njëvjeçare të gjendjes së pandemisë nga infeksioni SarsCov 2 kanë qenë të shumta, dhe besoj se secili vend, veç të përbashkëtave, ka pasur edhe sfida specifike të lidhura kryesisht, me mënyrën sesi sistemi shendetësor të cilit i përket ka zgjedhur apo ka qenë i detyruar të menaxhojë pandeminë. Në Shqipëri unë mendoj se natyra e problematikave mund të konsiderohet në disa drejtime. I pari, ai teknik profesional, që vendos kirurgun përballë një pacienti Covid pozitiv apo, çka në eksperiencën tonë duket me impakt akoma më të gjërë e të thellë, pacienti post Covid që e ka kaluar sëmundjen relativisht rëndë dhe që mbart pasoja që vështirësojnë dhe komplikojnë traumën kirurgjikale. Ndërsa drejtimi tjetër lidhet me mënyrën e modifikimit të organizimit spitalor, me uljen e mundësisë për një akses të thjeshtë ndaj strukturave shëndetësore për pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera dhe që është përkthyer në një ulje të kujdesit shëndetësor. Kjo prodhoi, sidomos në pacientët që vuajnë me kancer, rritje të rasteve që në vëmendjen e kirurgut vijnë shumë vonë, shpesh kur nuk është më e mundur të realizohet një ndërhyrje kuruese dhe me pasojat që besoj kollaj imagjinohen. Impakti psikologjik i karantinës dhe i vështirësive që nxori në pah kjo periudhë, në një numër çuditshëm të madh pacientësh, ka qenë i tillë që i ka detyruar të vendosin në një plan të dytë një sëmundje të pranishme në organizmin e tyre për tu ruajtur nga një infeksion potencial siç është ai nga Sars Cov 2. Natyrisht duhet shtuar këtu edhe modifikimi i strukturimit të burimeve spitalore, veçanërisht të atyre njerëzore, kryesisht mjekë anestezistë dhe infermierë që në momente të ndryshme ka sjellë vështirësi në punën e përditshme të kirurgjisë. 

PROBLEMATIKAT E STUDENTËVE DHE MJEKËVE NË FORMIM

Në opinionin tim, por që tashmë ndahet botërisht nga kolegët, impakti i kësaj pandemie në formimin profesional mjekësor si të studentëve ashtu dhe të specializantëve ka qenë dukshëm negativ. Studentët e mjekësisë janë reduktuar praktikisht vetëm në aktivitet online në të cilin pavarësisht tentativave për të zhvilluar forma të ndryshme mësimore, praktika klinike dhe kontakti human janë të një rëndësie madhore e për pasojë problemi mbetet i madh. Në rastin e specializantëve, duke pasur një ulje të numrit të rasteve të operuara si shtrime të planifikuara (pasi një numër patologjish që nuk përbëjnë nevojë imediate për ndërhyrje janë ndërprerë), impakti gjithshtu ka qenë i ndjeshëm. Një tjetër problem lidhur me përgatitjen e specializantëve është vendimi për përqëndrimin e të gjitha urgjencave të kirurgjisë të përgjithshme larg QSUT. Një vendim ky që nëse në momentet e para të amullisë për përballimin e flukseve të pandemisë mund të kishte një farë kuptimi, pas majit të vitit të shkuar e ka humbur fare arsyen. Kjo impakton ndjeshëm në formimin e mjekëve specializantë të cilët, ndonëse shkojnë periodikisht për të shërbyer në urgjencën e Spitalit të Traumës, nuk e kanë as sasinë as cilësinë e dëshiruar të nxënies nga ky proces. Duhet të mendojmë se në një shkollë që zgjat 6 vjet si mjekësia apo 4 vjet për specializimet, kohëzgjatja që po merr pandemia është me influencë serioze.

HUMBJET DRAMATIKE NË PERSONELIN SHËNDETËSOR

Fatkeqësisht numri i të infektuarve dhe të humbjeve të jetës nga personeli shëndetësor ka qënë i lartë dhe mjaft dramatik. Kemi humbur dhjetëra kolegë, një pjesë e mirë e të cilëve edhe në moshë të re. Nuk mund të them që në spitalin ku punoj të ketë influencuar në cilësinë e shërbimit të dhënë pasi ka mbizotëruar ndjenja e sakrificës për të kompensuar mungesat por çfarë dallon ndër ne në këtë periudhë ka qenë ndjenja e dëshpërimit për kolegët e pacientët e humbur. Ndjenja e pafuqisë dhe e pamundësisë për ti dhënë atyre ndihmën e mjaftueshme për ti rikthyer mes nesh, e bashkuar me nevojën herë pas here për të kontribuar financiarisht në mënyrë vullnetare private për përpjekje të dëshpëruara për të shpëtuar kolegun, në të vërtetë ka mbjellë fort trishtim ndër ne.

NDËRHYRJET KIRURGJIKALE TEK PACIENTËT COVID POZITIV

Për fat të mirë, numri i ndërhyrjeve në pacientë Covid pozitiv nuk ka qenë i lartë dhe nuk ka evidentuar vështirësi në pjesën më të madhe të rasteve. Disi më i ndjerë është impakti i traumës kirurgjikale në pacientët që kanë kaluar Covidin në forma të rënda pasi, kompromentimi i mushkërive, i koagulimit të gjakut apo dhe organeve të tjera, rrit rriskun kirurgjikal dhe shpesh detyron në shtyrjen e ndërhyrjeve. 

SHQIPËRIA PËRBALLË COVID-19, SFIDA DHE PROBLEMATIKA

Gjendja në Shqipëri sot përsa i përket pandemisë është mjaft serioze. Kemi luhatje valë valë të rritjeve drastike të numrit të të infektuarve, të shoqëruara me ulje të kapaciteteve për trajtim dhe me shifra të larta të humbjeve të jetës. Të dhënat krahasuese të vdekjeve në periudha të ngjashme të vitit në raport me vite më parë në fakt duket të jenë shumë shqetësuese. Mbi këtë duhet edhe të konsiderojmë impaktin e rëndë ekonomik të kësaj periudhe mbi familjet shqiptare. Ekonomia nuk ecën dhe njëkohësisht kostot për përballimin e trajtimit mjekësor janë vërtetë të larta dhe besoj për pjesën më të madhe të qytetarëve të papërballueshme. Fatkeqësisht edhe fushata e vaksinimit duket që ecën me ritme mjaft të ngadalta në raport me çfarë do të dëshironim.

FUSHATA ELEKTORALE RREZIKON KOLAPSIN E SISTEMIT SHËNDETËSOR

Natyrisht që të pasurit një fushatë elektorale në këtë periudhë kontribuon negativisht në aftësitë e shtetit tonë për të menaxhuar pandeminë. Vëmendja zhvendoset, vendimmarrjet janë të kushtëzuara nga kostot politike që mund të kenë dhe pavarësisht rregullave duket qartësisht e pamundur që ato të respektohen. Frika që mund të stimulohen valë të reja infektimesh masive në fakt është e arsyeshme. 

PROCESI I VAKSINIMIT DHE POLITIKA

Unë mendoj që fushata e vaksinimit në këto tre muajt e parë të vitit është fort e pamjaftueshme në raport me nevojat. Kur mendon pastaj për numrin e vogël të banorëve që ka vendi ynë kjo ngadalësi bëhet mjaft revoltuese. Një tjetër këndvështrim shqetësues është edhe ai i një fushate vaksinimi thuajse inegzistente në Kosovë. Në të vërtetë unë mendoj se veçanërisht në pikën ku kemi mbërritur, ne nuk e kemi luksin e të injoruarit të asnjë vaksine që jep shpresa për funksionim. Natyrisht do më pëlqente që të kishim mundësinë e produkteve të certifikuara nga FDA apo EMA por deri tani, në tre muaj akoma nuk është arritur të mbyllet vaksinimi i personelit shëndetësor, ndërkohë që do duhej të ishim duke menduar për mbulimin e forcës së punës, të studentëve etj etj. Mendoj se me një hetim të mirë të të dhënave dhe të eksperiencës së vendeve që deri tani i kanë aplikuar, duhet të jemi të hapur për çdo vaksinë efektive. Nuk dua të mendoj që procesi i vaksinimit po politizohet. Do ishte fort neveritëse. Besoj gjithsesi se së shpejti secili prej nesh do e kuptojë nëse ishte kështu apo jo.

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr. Avni Dibra, Sokol Paja

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore- 22 vjet nga Masakra e Belegut

March 29, 2021 by dgreca

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore- 22 vjet nga Masakra e Belegut

Shkruan: Endrit BINAKAJ /

(I mbijetuar i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për masakrën)/

Masakra e Belegut 29 mars 1999/

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, memoria ime ka ngelur e freskët, ende e qartë si kristali i një fëmije që sapo kishte mbushur 9 vjet. Ende në shiritin e kujtesës sime më rrëshqasin natyrshëm ato skena vuajtjesh, maltretimesh, frikë nga e panjohura, se po vriteshim tash a tash.

Sa herë që vjen 29 marsi, dhe jo vetëm, unë kthehem në marsin e vitit 1999, në vitin e rëndë të vrasjeve, torturave, masakrave deri në shfarosje totale, por edhe të kthesës së madhe të shqiptarëve për fitoren e luftës për liri. Kthehem dhe shndërrohem në Endritin 9 vjeçar, në Belegun e djegur e të shkatërruar, në Kosovën e kapluar më flakë e erë gjaku të njomë.

E kujtoj si sot, ishte ditë e hënë marsi, pranvera kishte lëshuar rrënjë, pemët kishin filluar të çelnin sythet e tyre, fushat dhe kodrinat po rinoheshin me petkun e gjelbëruar. Por, vetëm qielli nuk ishte në sinkron me token. Ai po shfaqej i zymtë, retë e zeza e kishin pushtuar vendin tim, kukuvajkat po paralajmëronin tragjedinë e madhe. Dita e 29 marsit 1999 ishte kobshme për vendlindjen time, si fëmijë atëbotë e them pa modesti më bëhej sikur e kisha mposhtur frikën, me siguri qe po, e kisha mposhtur, krismat e plumbave dhe gjëmimet e topave ishin bërë tinguj të zakonshëm për veshin tim, tanket dhe autoblindat e paramilitarëve me helmeta ishin bërë pamje e përditshme e syve të mi.

E kujtoj futjen e policisë brenda oborrit të shtëpisë sime, pushtimin e tij nga paramilitarë serb me tyta armesh mbi civilë shqiptarë që të vetmin mëkat që kishin bërë ishte se po jetonin në tokën e paraardhëseve të  tyre që kishin jetuar brez pas brezi këtu, në atdheun tonë autokton. Të hutuar e në ankth, na mblodhën të gjithë, u nisëm në karvanin e pa kthim drejt qendrës së fshatit, duke ecur rrugës, një autoblind na printe e ne ishin në mes, anash ecnin në këmbë me armë të gjata ushtarët serbë të armatosur deri në dhëmb, ndërsa në fund të kolonës qëndronte edhe autoblinda tjetër, si për ta siguruar rrugën se tufa e shqiptarëve civil që po shkonte drejt ferrit, të mbërrinte e sigurt atje. Rrugës në asnjë moment nuk ia lëshova dorën nënës sime, e cila tashmë kishte barrë të rëndë të kujdesej për mua dhe motrën, babai nuk e dinin se çfarë i kishte ndodhur, siç nuk do ta dinim deri në qershorin e vitit 1999, e mendonim si të vdekur, ashtu siç na vinin lajmet në Shkodër, ku qëndrova me familje për tre muaj si refugjat. Rrugëtimi i ferrit nga shtëpia deri në vendin e grumbullimit në qendër të fshatit, ishte i tmerrshëm, çdo gjë po digjej, qiellin e atij muzgu tragjik po e ndriçonin flakët e shtëpive që po digjeshin në çdo skaj të rrugës kafshë të ngordhura, kukama e dënesje nënash, në prani të familjes kishin pushkatuar në pragun e shtëpisë, Naim e Nezir Vishajn, po ashtu edhe profesor Daut Aliçkajn. Tmerri i vërtetë kishe filluar. 

Të hutuar dhe në ankth, policia dhe ushtria serbe kishin filluar aksionin e plaçkitjes, torturës dhe maltretimit të banorëve jo vetëm të Belegut por edhe të fshatrave tjera që lufta i kishte degdisur për ato momente në Beleg. Atë natë marsi, burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Në çdo moment pritej pushkatimi dhe therja jonë, nuk ndodhi atë natë, sikur ishte vullnet nga Zoti që ne fëmijët dhe gratë të shpëtonim, për ta treguar e rrëfyer vuajtjen tonë për liri, por nga pushkatimi nga paramilitarët serbë nuk shpëtuan 46 burra që nga mosha 16 vjeçare e deri tek pleq të shtyrë në moshë. 

Në mëngjesin e 30 marsit, filloj eksodi i madh për në Shqipëri, në rrugën pa kthim. Ishte momenti i fundit kur fëmijët po i shikonin fytyrat e baballarëve të tyre, çast i trishtueshëm kur nënat po merrnin mallin me veti për bijtë e tyre që nuk do t’i takonin kurrë. Momente prekëse që i kisha përjetuar si fëmijë, është shumë e vështirë të gjesh ndonjë përshkrim adekuat të asaj ndjesie, e dhimbshme, e tmerrshme sa që edhe lotët ishin shterur e zëri kishte ndërruar tonalitetin, nuk mund as të bërtisje.

Në natën e 29 marsit, për të vazhduar edhe më 30 mars 1999, ishin ndaluar nga forcat serbe 46 burra për t’u ekzekutuar më pas, jo vetëm banorë të fshatit Beleg por dhe të fshatrave tjera përreth që lufta i kishte zënë aty atë ditë marsi.

Ky është një përshkrim i shkurtër i gërmuar thellë nga kujtesa e një fëmije që sapo kishte filluar ta jetoj pranverën e nëntë, i atij skenari të tmerrshëm të Masakrës së Belegut, e cila llogaritet si njëra nga krimet më të llahtarshme të regjimit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Nga 46 të ekzekutuarit në këtë masakër deri më tani janë identifikuar vetëm 12 trupa, ndërsa pjesa dërmuese, pra 34 mbesin ende të zhdukur. Ndonëse dihen autorët e krimit të cilët i kam dokumentuar në dy librat e mi për këtë masakër, përsëri drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen dhe dënimin e merituar për autorët e këtij krimi makabër.

Dëshmitarët e Masakrës së Belegut, disa herë i kanë deponuar dëshmitë dhe faktet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende nuk ka ndonjë proces gjyqësor ndaj kriminelëve që vranë, masakruan dhe torturuan banorët e fshatit Beleg.

Sot, 22 vjet nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, familjarët, të afërmit e të ekzekutuarve në Beleg mbesin me ankth, në pritje të ndonjë lajmi për trupat e tyre, varret kanë mbetur të hapura, me epitafe të shkruara, por mungojnë një grusht eshtra. Kaq kërkojnë familjarët e tyre, që sadopak t’iu zbutet dhimbja, si një vend për t’i ndje më afër, se per t’i vajtuar ata nuk e meritojnë, janë martirë të kësaj toke të lirë.

Aktualisht në të gjithë vendin janë të zhdukur rreth 1643 persona, Serbia e di saktë vendndodhjen e tyre, andaj duke qenë se jemi në prag të një marrëveshje me shtetin armik, si një i mbijetuar i masakrës dhe si qytetar i kësaj Republike iu bëj apel dhe thirrje në emër të gjithë familjarëve që t’i bëhet presion Serbisë për kthimin e të gjitha eshtrave të personave të zhdukur në Kosovë.

Familjarët e të rënëve jo vetëm në Beleg por edhe në nivel të Kosovës, asnjëherë nuk do të jenë të qetë përderisa kriminelët nuk e marrin dënimin e merituar.

Ankthin ata e kanë bërë pjesë të jetës, tash e 22 vjet.

Ky ankth shpresoj të mos vazhdoj në pafundësi.

Lavdi të rënëve në Masakrën e Belegut!

Të rënët në Masakrën e Belegut

Deri më tani nga Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:

  • Shaqë (Curr) Binakaj
  • Hysni (Curr) Binakaj
  • Nezir (Ibish)Vishaj
  • Naim (Daut) Vishaj
  • Daut (Murat) Aliçkaj
  • Gëzim (Selmon) Vishaj
  • Jetmir (Arif) Mazrekaj
  • Qazim (Osë) Hulaj
  • Sadri (Adem) Zukaj
  • SHefqet (Curr) Belegu
  • Shaban (Haxhi) Kadriaj
  • Ali (Haxhi) Kadriaj

Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:

  • Zymer (Miftar) Binakaj
  • Brahim (Adem) Zukaj
  • Hamid (Dervish) Zukaj
  • Rexhep (Lum) Neziraj
  • Faton (Hasan) Vishaj
  • Fatmir (Halil) Vishaj
  • Ramë (Shaban) Kilaj
  • Sadri (Hajdar) Vishaj
  • Mujë (Isuf) Vishaj
  • Malë (Isuf) Vishaj
  • Zenel (Ukë) Vishaj
  • Hazir (Himë) Zukaj
  • Shaban (Ramë) Nitaj
  • Nekë (Halil) Binakaj
  • Hajdar (Hamëz) Mazrekaj
  • Ali (Avdyl) Mazrekaj
  • Bashkim (Lush) Hadergjonaj
  • Afrim (Lush) Hadergjonaj
  • Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj
  • Muhamet (Bajram) Hadergjonaj
  • Mehmet (Halil) Tolaj
  • Xhevat (Ukë) Tolaj
  • Misin (Hajdin) Tolaj
  • Arif (Haxhi) Mazrekaj
  • Isa (Tahir) Tolaj
  • Sahit (Bekë) Mazrekaj
  • Hasan (Sahit) Mazrekaj
  • Sundim (Sahit) Mazrekaj
  • Naim (Hysen) Tolaj
  • Ragip (Osmon) Morina
  • Beqir (Idriz) Dervishaj
  • Tafë (Bekë) Dinaj
  • Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj
  • Haxhi (Shaban) Kadriaj

Filed Under: ESSE Tagged With: 22 Vjet, Endrit Binakaj, Masakra e Belegut

Na mundi Anglia-Tre Luanët, leksion futbolli Shqiponjave

March 29, 2021 by dgreca

-Të mërkurën, San Marino-Shqipëri, Angli-Poloni dhe Andorra-Hungari

Përgatiti Albano Kolonjari/DIELLI

Në Shqipëri pas ndeshjes Shqipëri- Angli 0-2, tranjeri Reja u vendos në “ciklonin” e kritikave. Por të gjithë specialistët tanë të futbollit shumica e të cilëve kanë kohë që nuk drejtojnë një ekip, harruar se ne, na mundi Anglia. Shqipëria luajti mirë por jo mjaftueshëm për të ndalur Anglinë. Në planin mbrojtës Shqipëria realizon një ndeshje të mirë përballë lojtarëve anglezë që luajnë në nivele shumë të larta, lojtarë të cilët janë të fortë fizikisht dhe shumë të disiplinuar taktikisht. Anglezët ishin shumë të përqëndruar dhe luajtën me shumë vemëndje gjatë 90-të minutave, dhe kjo bëri edhe diferencën në fushën e lojës. Dhe golat erdhën pikërisht nga përqëndrimi që ata bënin në cdo top që luanin futbollistët tanë, duke shfrtëzuar me saktësi dy gabime që bëmë në mbrojtje. Por ky është futbolli. 

Kane. Goli i tij i fundit me Anglinë e kishte shënuar 500 ditë më parë, në një eliminatore të Euro 2020, përballë një tjetër skuadre shqiptare, asaj të Kosovës. Goditja e tij me kokë  në Tiranë përfundoi një seri prej 496 minutash pa shënuar. Klasi i Kane, megjithatë, mbetet i përhershëm, kështu që nuk ishte për t’u habitur që ai ishte njeriu që zhbllokoi rezultatin pasi Anglia kishte luftuar për të prishur për shumë minuta një mbrojtje të qëndrueshme të Shqipërisë.  Në minutën e 38-të të takimit, anglezët kalojnë në avantazh me një gol të shënuar nga Kane i cili përfitoi nga një kros i shkëlqyer nga krahut i majtë nga Shaw, ku mbrojtja shqiptare bëri gabimin e vetëm duke e mos e mbuluar Kane ashtu sic duhet. 0-1 për Anglinë. Në pjesën e parë duhet të përmëndet loja e mirë e Shaw të rikujtuar, forma mbresëlënëse me të cilin ai po kalon  së fundmi për Manchester United dhe e meritoi përfshirjen e tij në formacionin e Tre Luanëve.  Southgate mund ta ketë të fiksuar në mendjen e tij formacionin ideal ideal të Euro 2020 por Shaw, i cili ka asistuar gola në tre fitoret e fundit të Angli, po shfaqet si një rival i mirëfilltë i Ben Chilwell lojtarit të Chelsea.

“Ne kontrolluam ndeshjen. Pas rreth 25 minutash ndryshuam pak formën e mesfushës dhe dukeshim më të rrezikshëm. Ata kishin një formacion ndryshe nga ai që kanë luajtur për 25 ndeshjet e fundit kështu që mendova që të ndryshoja skemën e mesfush”. u shpreh Gareth Southgate, tranjeri i Anglisë. Në fakt Shqipëria e fillon mirë. Lojtarët janë të vendosur mirë në fushën e lojë dhe nuk lejojnë hapsira për Anglezët. Në pjesën e parë Shqiponjat e Shqiperisë,  bënë një lojë mjaft të mirë. Në minutën e 13-të të lojës, Myrto Uzuni humb rastin për shënim, duke e dërguar topin mbi kuadrat. “Ata kaluan në avantazh për një gabim tonin. Ne e bazuam ndeshjen tek kundërsulmi, dhe Uzuni e pati rastin por fatkeqësisht nuk shënoi. Ne e bazuam ndeshjen tek mbyllja e hapësirave në pjesën e parë, ata nuk bënë asnjë gjuajtje në portë por shënuan duke shfrytëzuar një gabimin tonë”, u shpreh Edi Reja pas ndeshjes. Në pjesën e dytë Raheem Sterling “përgjoi” një pasimin të Berat Djimsiti dhe pasoi tek Kane, ky i fundit tek Mount që shumë i “ftohtë përballë Berishës shënon golin e dytë. 15 mintat e fundit flasin për kuqezinjtë. Në minutën e 59-të të takimit, trajneri Edy Reja bën tre zëvendësime, duke larguar Cikalleshin, Brojën dhe Memollën dhe duke hedhur në fushë Manaj, Gjasulën dhe Lenjanin. Kjo i jep Shqipërisë më shumë frymarje, por kuqezinjtë nuk arrijnë tek goli. “Në fund të lojës kemi pasur mundësi ta bëjmë 3-0 dhe duhet ta kishim vrarë ndeshjen. Nuk më pëlqente mënyra se si e menaxhuam lojën në 15 minutat e fundit, duke abuzuar përpara kur nuk na duhej. Të kënaqur me fitoren, por ka fusha që ne mund t’i shtrëngojmë “, u shpreh Gareth Southgate. Duhet marrë në konsideratë kundër kujt luan, është ekip i fortë, kanë forcë, mbyllin hapësirat dhe kur përplasesh me ta fluturon tutje. Është e vështirë të ulësh topin se të hidhen sipër, nuk na linin të merrnim frymë. Por duhet të jemi të fortë fizikisht si ata, ne e bëmë ndeshjen si e përgatitëm, sipas meje nëse nuk pësonim në pjeësn e parë, me kalimin e minutave bënim diçka. Golin ia dhamë ne, pastaj patën mundësi, por për një ekip të këtij niveli, kemi bërë një ndeshje të nivelit të mirë, nuk mund të themi asgjë”, tha Reja.

Rezultatet

Shqipëri-Angli 0-2

38’ Kejn, 63’ Maunt

Poloni-Andorra 3-0

30’, 55’ Levandovski, 88’ Sviderski

San Marino-Hungari 0-3

13’ (p) Szalai, 71’ Sallai, 88’ (p) Nikolics

Renditja: Anglia 6 pikë, Polonia 4, Hungaria 4, Shqipëria 3, Andorra 0, San Marino 0.

Ndeshjet e ardhshme (31.03.2021)

San Marino-Shqipëri

Angli-Poloni

Andorra-Hungari

Filed Under: Sport Tagged With: Albano Kolonjari Futboll, Anglia, Na mundi

EVROPA DHE FUQITË E MËDHA: KTHIMI (I DOBISHËM) I SHBA

March 28, 2021 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Përktheu Eugjen Merlika /

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden e ka quajtur vrasës kryetarin e Rusisë Vladimir Putin dhe kjo gjë ka shkaktuar, natyrisht, një zhurmë të madhe. Simbas zakoneve në fuqi, janë dy rastet në të cilët mund të kuptohet se përse kush qeveris një fuqi të madhe ka vendosur publikisht të quajë vrasës kryetarin e një qeverie të huaj. Mund të jetë, së pari që ky kryetar qeverie të jetë një diktator i egër i një Vendi të vogël. T’a paditësh se është një vrasës do të thotë një paralajmërim: mos më jep bezdi ose do t’a paguash shtrenjtë. Rasti i dytë është ai në të cilin kryetari i një qeverie të huaj drejton një fuqi të madhe dhe ai që e ka quajtur vrasës po përgatitet t’i shpallë luftë. Por nëse lufta është e përjashtuar – siç, fatmirësisht është në këtë çast ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë – atëherë zgjedhja për të vulosur me fjalën “vrasës” kryetarin e qeverisë së një fuqie tjetër të madhe, hëpërhë nuk mund të jetë e deshifrueshme (siç ka vërejtur Sergio Romano, Corriere 19 mars). Lehtësisht, në fakt, dy fuqitë në t’ardhmen do të gjinden të zotuara në bisedime mbi tema të interesit të përbashkët. Ndoshta do të ketë nevojë për ndonjë takim mes dy kryetarëve të qeverive: si mund t’i shtrëngohet publikisht dora e atij që po ashtu, publikisht, është quajtur vrasës?

Bëhet e natyrshme të ngrihet ndonjë pyetje mbi arsyet e Biden-it po ashtu si edhe mbi strategjinë amerikane në një epokë të karakterizuar nga dy rrethana: fillimi në stil të gjërë i shemërisë ndërmjet fuqive të mëdha, e për më tepër rritja e aftësisë manovruese të shumë fuqive mesatare si Turqia ose Irani (për të qëndruar në fushën gjeopolitike që na intereson më shumë ne evropianëve).

Duke përjashtuar së pari gafën, mund të njohim se arsyet e Biden-it mund të jenë më shumë se një. Donte t’i bënte thirrje asaj pjese të publikut amerikan që beson në epërsinë morale të Shteteve të Bashkuara. Donte pastaj të lajmëronte Putinin se me humbjen e Donald Trump-it, epoka e provokacioneve ruse të pandëshkuara ka mbaruar. Donte së fundi të sqaronte evropianët, Gjermaninë në krye, se tani e tutje do të kushtojë shtrenjt ngrënia me dy lugë (rasti i gazsjellësit Nord Stream e jo vetëm ai).

Miratohen apo jo, sidoqoftë janë arsye të kuptueshme. Por si inkuadrohet kjo në lojën “Risiko” në shemërinë gjeopolitike, fatmirësisht paqësore, ndërmjet fuqive të mëdha? Me çfarë letrash Amerika e Biden-it merr pjesë në lojë? Ka një rrezik që nuk mund të lihet në heshtje. Siç ka ndodhur shpesh herë në histori, fuqia e madhe një kohë zotëruese, e që përceptohet në rënie, mund të kryejë gabime mbas gabimesh në përpjekjen për të rifituar me nxitim pozitën e mëparëshme të forcës. Është e drejtë të pyetet se mbas Administratave të Obamës e të Trump-it që, në mënyra të ndryshme, kishin kuptuar rënien amerikane, a mos Bideni përfaqëson epokën e iluzionit: një farësoj “vere hindiane”, një fazë të shkurtër në të cilën Amerika duket se rifiton rolin zotërues por që i paraprin një dobësimi të mëtejshëm, përfundimtar, në të njëjtën kohë të rëndë e të shpejtë të fuqisë. Mund t’a mendojë ai që beson se Shtetet e Bashkuara nuk mund të përballojnë dy fuqi të mëdha (Kina e Rusia) njëheresh. Pa mbajtur parasysh se duke zgjedhur rrugën e përballimit në drejtim të të dyjave, rrezikon t’i shtyjë njërën në krahët e tjetrës, duke ndihmuar formimin e një aleance të fortë kundëramerikane e kundërperëndimore.

Por, duke dashur të jemi ndjellamirë, të përfytyrojmë se strategjia amerikane të jetë e qartë, që Administrata e re  është duke bërë një përllogaritje realiste të fuqive të saj e të atyre të fuqive të tjera e që ve bast me të drejtë, duke menduar se Rusia e Kina nuk mund t’i japin jetë lehtësisht mes tyre një aleance të qëndrueshme, duke qënë të shumta e të hershme arsyet e mosbesimit të tyre të ndërsjelltë. Ndoshta është vetëm një formë e wishful thinking (të shkëmbehen ëndërrat vetiake për të vërtetën),  por ne evropianëve, e veçanërisht italianëve, na leverdis të besojmë në qetësinë e në arsyetueshmërinë e vlerësimeve amerikane. Arsyeja është se kemi nevojë për amerikanët. Kemi veçanërisht ne vojë ne italianët meqënëse, për shkak të gabimeve perëndimorë e të një inercie të zgjatur italike, Mesdheu është bërë një det i rrezikshëm, me rusët e turqit që kanë zënë vënd para derës së shtëpisë sonë. Shumica e bashkatdhetarëve tanë duket se është e pavetëdijshme për rreziqet. Në një Mesdhe kur rusët e turqit në shemëri ndërmjet tyre marrin qëndrime prej pronari, për ne ka pasoja negative. Jo vetëm janë dëmtuar interest tona jetike ekonomike në zonë. Jo vetëm të tjerë (jo ne) mund të hapin e të mbyllin rubinetat që rregullojnë valët e të mërguarve kundrejt Italisë dhe pjesës tjetër t’Evropës. Përveç kësaj ndryshimi i barazpeshave ushtarake krijon rreziqe për njënjësinë tonë territoriale, ndoshta jo menjëherë, por në t’ardhmen.

Mbasi të jenë mbaruar dërdëllitjet “evropikisht korrekte”, mbasi të jetë pohuar, siç parashikon rituali, që Evropa duhet të kryejë këtë e atë për të ndihmuar paqen në Mesdhe, bashkëpunimin mes popujve etj.,  amerikanëve duhet t’i drejtohemi për t’u përpjekur të ndalojnë praninë e padëshiruar e të rëndë të rusëve e turqve në kopshtin e shtëpisë sonë. Nëse ky është përfundimi Evropa mund të jetë vetëm një partner i ri i Shteteve të Bashkuara, nuk mund t’i zëvendësojë, siç tregojnë edhe rezultatet deri tani pak të ndritëshme të operacionit Irini për të ndaluar hyrjen e armëve në Libi. Me që ra fjala për të, nuk mund të gënjehemi se mjafton një qeveri e bashkimit kombëtar për të mundur kaosin. Duhet të shpresojmë se me Biden-in Amerika me të vërtetë është “kthyer”. E duhet të shpresojmë që investimi i pashmangëshëm gjeostrategjik i madh i Shteteve të Bashkuara në shemëri me Kinën n’Azi, mos t’a çojë Biden-in në ndjekje të gjurmëve të Trump-it e të çinteresohet për Mesdheun. Me një sy për çfarë ndodh në këtë det për ne evropianët (për italianët së pari) nuk është shumë e rëndësishme që Putini të njihet prej të gjithëve si një tip pak i besueshëm. Sidoqoftë ai është. Siç është edhe turku Erdogan. Është e rëndësishme më shumë që, në këtë det e ndërmjet brigjeve të tij të rivendoset ajo barazpeshë që në vitet e fundit është thyer në dobi të tipave pak të besueshëm.

“Corriere della Sera”, 22 mars 2021       Përktheu Eugjen Merlika         

Filed Under: Analiza Tagged With: Angelo Pianebianco, Eugjen Merlika, Kthimi I SHBA

Zgjedhë e dytë

March 28, 2021 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/

Dy gjëra duhet të pranojmë, jo njëherësh, por njërën ose tjetrën.
Nëse jemi popull i lashtë, në gjendjen që jemi, duhet ta ndjejmë se po vdesim. Së shpejti koha jonë mbaron.
Po të pranojmë se jemi popull i ri, atëherë duhet të bindemi, si fëmija, që ecën zënë për dore nga një i rritur, kur kapërcen rrugën. Sepse kjo po ndodh. Ne nuk dëgjojmë. Jemi pa bindje. Kemi 30 vjet, dhe nga një trotuar në tjetrin s’jemi në gjendje të hidhemi. Rrugën e kemi zënë. Fshatra të braktisur. Qytete si qendra refugjatësh, me njerëz që vijnë e ikin. Dhe udhëheqës po ata që ishin, hipokritë e të paturpshëm. 
Sa mirë kur dëgjon se ky apo ai person ka të kaluar kriminale dhe nuk lejohet të kandidojë. Por nga cilët? Ata që janë në krye kanë një të kaluar edhe më të zezë që lidhet me kohën e krimeve kundër njerëzimit, kur etërit e tyre bënin “ligjin”. Asnjë institucion nuk i ka dënuar. Gjykatës e prokurorë të dalë nga vetingu kanë plot krime ordinere për të zbardhur. Gjithësesi, me vetëm pak kulturë shoqërore, listat e personave që u ndalohet për të kandiduar, duhej të fillonin pikërisht me emrat e tyre. Edhe nëse sot ata vetë nuk duket të kenë kryer ndonjë krim, ose, për çështje kohe, nuk i shërbyen diktaturës, të paktën, mëkatet e prindërve u rëndojnë, dhe duhet të tërhiqen. Sepse dikur populli vërtet i fali por nuk i la për t’u bërë përsëri zgjedhē, apo hajdutë që thërrasin “Kapeni hajdutin!” 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Zgjedhe e dyte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT