• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“FLIJIMI” PËR UNITET DHE QENDRUESHMËRI REALIZOHET ME “VETTINGUN”

May 27, 2018 by dgreca

Nga Fahri Dahri/

Kam ecur nëpër vende të ndryshme gjatë jetës. Kam banuar dhe shikuar në shumë fshatra si të varfra dhe të begata, qytete të niveleve të ndryshme për nga madhësia dhe bukuria. Kam parë dhe jetuar në shtete të ndryshme brenda dhe jashtë kontinentit tonë. Jam rritur me familje të plotë, me prindër, motra dhe vëllezër. Kam mësuar në disa shkolla me mësues e pedagogë të vendit dhe të huaj. Po ashtu kam punuar me njerëz të niveleve kulturore dhe arësimore, me bindje politike dhe besime fetare të ndryshëm, me asnjanjës, moskokëçarës, të pavëmëndshëm, po dhe me karaktere të kundërt, gënjeshtarë, shpifës, grindavecë, kapriçiozë, egoistë, mëndje mëdhenj, karagjozë, shkatërrues, mosmirënjohës, sikundër kam punuar edhe me njërës të humorit, shakaxhinj, tolerues, dashamirës, seriozë, të drejtë dhe të përgjegjshëm. Kjo është e vërteta. Sigurisht kjo nuk është vetëm e vërteta ime, por e shumë njerëzve, të djeshëm dhe të sotëm, sepse kjo është vetë jeta.

Kështu po mendoja një ditë i ulur në karrike në sallën e një aeroporti madhështor në pritje për të udhëtuar drejt vendit tim. Me këto realitete të shkuara vazhdova duke i risjellë ndërmend me përfytyrim edhe gjatë tre orë e gjysëm fluturime, kur piloti njoftoi se mbas 20 minutash do të fillonte ulja në aeroportin e Rinasit.

Të nesërmen u ndesha me shqetësimet, telashet, hallet dhe dëshpërimet e njerëzve, të cilat për orë dhe ditë të tëra diskutohen nëpër tavolinat e “Bareve”, duke pirë kafe, apo qoftë dhe një gotë ujë. Të gjitha këto, sipas shokëve dhe miqve të mi, bëheshin për të mposhtur hidhërimet, sikletet, recetë e sajuar për lehtësimin e anktheve të pashërueshme.

Njëri nga shokët, i menduar filloi të fliste me vargjet e Millosh Gjergj Nikollës, nga “Apoteozat e misrit” (hyjnizim). E shikuam me dhimbje, por dhe me një buzëqeshje të lehtë, shprehje miratimi; njëkohësisht të dëshpëruar ndaj gjendjes së mjeruar, “statukuosë” të këtij vendi dhe populli, si atëhere, në fillimet e “Shekullit të Ri” migjenian.

Gjatë ditës, javës, muajit, apo vitit, ndodh diçka në jetën e njeriut, e cila lë mbresa të forta, ngulitëse, që nuk të shqiten nga mendja, bile pa e fetarizuar, ndjen shqetësime në gjumë, përpëlitje, siklete, pse jo, të shfaqen ëndrra palidhje, efektet e ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur dhe që të therin në shpirt. Nuk ka njeri nga shoqëria shqiptare që të mos ndjejë shqetësim, ankth, dëshpërim për situatat që po kalon vendi dhe banorët e saj. E shkuara iku si iku, të gjithë e dimë. Për fëmijët tanë, mbi 30-vjeçarët e sotëm u gëzuam se “ u hodh lumi”, menduam se shpëtuan nga varfëria, nga ndrydhja, nga çensura e djeshme  deri edhe brenda familjes, nga spiunllëqet, nga “burgjet” klasore e mbiklasore, dhe u “turrëm” drejt demokracisë së shumëpritur.

Sa shpejt na ikin vitet, kemi kaluar njëçerek shekulli me “demokracinë”, përsëri vuajtje, varfëri, papunësi, skamje ekonomike, politike, skamje dhimshurie, pa e tepruar edhe hapa mbrapa nga ana sociale, e dukshme tek largimet e afro gjysmës së popullisë. Shqetësime të të gjitha llojeve, janë të pranishme tek mbi 85 % e familjeve shqiptare, duke filluar nga uji, buka, shtrenjtësi kudo, papunësi, vjedhje, korrupsion, ryshfete, trafiqe disallojesh, padrejtësi e vendosur nga “drejtësia”, pasiguri e vendsosur nga “siguria”, jopolitikë e bërë nga “politika”, ekonomi e vjedhur nga “eko-bankierët”, arsimim nga “të paarsimuarit”, morali diktohet nga “imoralitetet”, etj.

Të përmbledhura, sipas të veçantave, specifikave, individëve, grupeve apo shtresave të popullsisë, rezultatet e arritura janë të prekshme, të dukshme dhe të pranishme tek të gjithë, ashtu siç dhe dihen. Shqipëria e pas nëntëdhjetës, përballë shpresave, synimeve, përpjekjeve për të ndryshuar gjithçka, ka arritur të shfaqet me forma të reja, ashtu siç ishte në realitetet e vjetra, gjendja ekonomiko-sociale, me gjithë programet, projektet, premtimet, ka ngecur tek shkallët e grupeve shoqërore të korrupsionit, të trafiqeve, të nepotizmit, militantizmit, të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë.

Sot, duam nuk duam, na vjen mirë, apo nuk na vjen mirë, Shqipëria është ndarë në dy pjesë (jo të barazpeshuara). Shqipëria qeveriset (në fakt duhet thënë çqeveriset) nga dy pushtete paralele, njëri ligjor dhe tjetri partiak. Kuvendi i ndarë në dy pjesë, të cilat nuk shprehen për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit, por flitet me zëra të çjerrë për parimet demokratike, të cilat çdo forcë politike kur merr pushtetin i anashkalon dhe kur ikën nga pushteti vazhdon dhe ligjëron me patos të madh për ato parime, duke sulmuar palën në pushtet edhe për veprimet e mos veprimet e saj kur ishte në pushtet.

Një lëmsh i endur në vegjet e djallëzisë, një labirinth i ndërrtuar me pasqyra të zeza. Është kjo gjendje e rëndë, që shqetëson shqiptarët dhe që krijon vuajtje, ligështi, ankth, dëshpërim. Nisur nga realitetet e dukshme, në analizë të pavarur, më tërhoqën vëmëndjen tre objekte ndërrtimi shekullore, mesjetare, të cilat na vijnë në ditët tona, veç realitetit ekzistues edhe në formën e legjendave, baladave. Mendoj se këto duhen gjykuar dhe analizuar me kujdes, pikërisht për qenien e tyre vërtet si legjenda, balada apo janë profecira që na kanë treguar dhe tregojnë fatin e banorëve të trevave Ilire deri në mesjetë dhe shqiptarëve sot? Le të njihemi me to.

Ura e Mitrovicës, tregon veriun e banorëve etnikë shqiptarë. Kështjella e Rozafës, është mesi i banorëve shqiptarë dhe Ura e Artës, jugun e etnisë shqiptare. 

Çfarë na tregojnë baladat apo legjendat për këto tre objekte të ndërtuara në hapësirën ku prehen, dergjen dhe jetojnë shqiptarët. Të tre këto objekte janë ndërrtuar secila nga tre vllezër, nga një nuse për flijim dhe nga tre vjet punë?

           I.- Ura e Shenjtë, në veri.Nja tre vllazën, tre t’hasjanë; kankan çue e janë ra n’Gjakovë; të tre mjështër ishin kanë; shum haletet po i tubojnë; n’stom të Drinit ata po shkojnë; Urën e Shejt kanë nisë p’e marojnë. Nja tri vjet n’to po punojnë; nja tri vjet n’to kanë punue; hiç qemer s’po mujnë me i vnue; dishka natën jav kish rrxue; Të tre vllaznit shka kanë punue; nërmjet yeti janë kuvenue;- Domë m’u nalë ni natë m’e rue; me pa zidin kush â tuj na rrxue; -që tri vjet jem tuj punue; puna marë s’asht tuj na shkue; qemer ures s’po mujmë me i vnue; trupi i jonë krejt ka marue…

II.- Kalaja e Rozafës në Shkodër. Dihet se emri i kështjellës është i lidhur me Legjendën e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës ishte kushti për të pranuar sakrificën, ishte lën’ja e anës së djathtë të trupit: «sýnin e djathtë që t’shoh birin t’em, krahun e djathtë qi t’a mbâj, gjinin e djathtë qi t’a ushqej, kâmben e djathtë qi m’e përkûnd djepin», që të kujdesej për të birin e sapolindur. Ndër tre nuset e tre vëllezërve, nusja e vëllait të vogël, sapo kishte lindur fëmijën, u bë fli për qendresën e punimeve të kalasë.

III.- Ura e Artës, qytet jugor në Çamëri.Fat të njëjtë gjejmë edhe gjatë ndërtimit të urës së Artës, e cila po nga tre vëllezër ndërtohej ditën dhe prishej natën, dhe për të siguruar qëndresën duhej flijuar një nuse. Në rastin e Urës së Artës, ndodhia na vjen me vargje, në dialektin e shqiptarëve të Çamërisë, e cila këndohet edhe në ditët e sotme, sidomos gjatë bregdetit të Artës: “Tre vllezër kaha Lluri; Ki Panua, ki Mihal Guri; Kiçua i vogël si nuri; Të tre vllezër jemi; Dizet punëtorë kemi; Urën e Nartës dërtojmë; Natë e ditë nuk pëshojmë; Dot në këmbë se qëndrojmë; Tre vllezër duarartë; Po dërtonin urë në Artë; Ura ditën lartësonej; Vinte nata e rrëzonej; Vjen atje një plak magjistar;“O fatkeqër punë të barë; Kur një nuse të flijoni; Urën e Artës do mbaroni!…”

Siç vihet re, në të tre rastet kemi ngjashmëri baladash lidhur me ndërtimet, që tregon se zakoni i murosjes së gruas ka qenë i egër, por me kohë, kaloi shkallë-shkallë në flijim bagëtish apo shpendësh. Më pas dihet, murimi i njeriut të gjallë u zëvendësua me murimin e hijes së tij, duke murosur një fill pe, në masën e një trupi, ose kanë murosur një bust druri të një vajze të re.

Edhe gjatë ndërtimit të një shtëpie, të një ndërtese tjetër apo të një ure, theret zakonisht një dash, por edhe një gjel ose pulë, kokat e të cilave zakonisht i hedhin në themelet e shtyllave të urës. Në çdo themel të banesave shqiptare është patjetër koka e një “flije”, zakonisht e një dashi. Ditën kur kryhet “flija” dhe muroset koka e kafshës, ndërtuesit dhe pjesëtarët e familjes e festojnë. Sidoqoftë, në të tre rastet kemi tre vëllezër, tre nuse, tre ndërtime në tre vjet dhe që kryhen tre “flijime”.

Pavarësisht kalimit nga tradita e vjetër në një të re, qëllimi nuk është tek përqëndrimi i murosjes, por tek ekzistenca e një veprimi që siguron mbijetesën, qëndrueshmërinë e një objekti, në rastin tonë të shoqërisë shqiptare për të siguruar ecjen përpara të saj.

Legjendat që shtrihen në trupin e shqiptarizmës, vallë mos duan të na kujtojnë diçka që neve e kemi harruar? Mos vallë ka diçka që fshihet pas tyre dhe që ne duhet ta zbulojmë? Mos vallë është profeci, që shqiptarizma të jetë e bashkuar duhet të sigurojë unitet të qëndrueshëm, e, për këtë duhet të sakrifikojë në emër të prishjes së “syrit të keq”? Nëse shkëputemi për një çast nga të thënurit se janë bestytni, le të ndalemi për të parë realitetet në sy se ku qëndron “syri i lig” për ne!

Dikur ilirët i bënë karshillëk romakëve. Romakët përdorën metodën “përça dhe sundo”, joshjen dhe stimuluan tradhëtinë brenda mbretërisë ilire. Në përfundim ata fituan. Iliria u nda në katër pjesë, ku pjesa veriore e këmbës së urës ilire u shkërmoq, u asimilua.

Mesjeta e gjeti Arbërinë dhe Epirin të përfshirë në Perandorinë Bizantine, e cila u drejtua edhe nga perandorë të racës me prejardhje ilire, por u shërbyen interesave perandorake dhe privilegjeve vetiake. Ishte koha kur “syri i keq” ra në letargji, në saje të bashkimit dhe unitetit të fiseve u lidh “besa” mes principatave. Arbëroro-epirotët mbrojtën jo vetëm feudet e tyre por dhe Europën nga shembja e “urave” dhe “kështjellave”.

Më pas përsëri “syri i keq” apo “magjia e zezë” u rizgjuan, kur Arbëria dhe Epiri u gjendën mes dy pashallëqeve të mëdha dhe të fuqishëm, me mbështetje të sigurtë nga sulltanati. Të dy pashallarët shqiptarë u përfshinë nga egoizmat ndaj njërit-tjetrit, me vizion deri tek hundet e tyre, të joshur nga “gradat” i shërbyen interesave perandorake, gëlltitën kapadaillëkun, mendjemadhësinë duke dëmtuar popullin me shkatërrime, vrasje, tradhëti.

Po kështu vazhdoi historia edhe me periudhën prej Pavarësisë deri në vitin 1944. Luftë për pushtet personal, ndarje dhe copëtim të Shqipërië mbi baza fisnore, apo feudale deri në tradhëti, duke e dorëzuar vendin pa rezistencë shteteve të huaja. Erdhi epopeja e Luftës për Çlirimin nga okupatorët. U ngrit i madh e i vogël në mbrojtje të vendit. U çlirua Shqipëria. Përsëri nuk na u shqit “syri i keq” i shoqëruar edhe me “magjinë e Zezë”. Hasmëri dhe ndasi mes vetvetes. Disa “komunistë”, disa “Ballistë”, disa “Legalistë”. Ligjërata nga më të shëmtuarat për të ulur prestigjin e njëri-tjetrit, luftë klasash, gjykime, pagjykime, vrasje, burgosje, internime, deri në eliminimin moral dhe fizik edhe të vetë “elitës udhëheqëse” nga njëri-tjetri. Iku dhe epopeja e komunisto-socialistëve. Populli dhe vendi, ecte me shpirt nëpër dhëmbë, i vrarë, i sakatosur, i ngjyrosur me nofkat komunist, ballist, legalist, kulak, armik.

Epope e vuajtjeve, mjerimit, izolimit dhe e përçmimit mes të dy palëve, si e komunistëve ndaj ballisto-legalistëve ashtu dhe e ballisto-legalistëve ndaj komunistëve, pa gjykuar se veçimet specifike rëndonin në shpirtin, zemrat e vllezërve të një gjaku, të të njëjtit popull, të së nëjëjtit fis apo familje, ku njëri ishte armik, kulak dhe tjetri komunist dhe për hir të së vërtetës, spiunoheshin, akuzoheshin mes tyre, për idealet e partive përkatëse. U arrit krijimi i një “morali” deri antifamiljar. Tymi fjollë i “Magjisë së Zezë”.

Erdhi demokracia. I gjithë populli, “i pangjyrosur” doli në rrugën e shpresës, në sheshet e përbashkëta, brohoriste për demokracinë, për një jetë pa vuajtje, larg burgosjeve politike, ideologjike apo fetare, për lirinë e fjalës, për shkëputjen nga intrigat, tradhëtitë, internimet, dallimet klasore, për të hyrë në epokën e dëshiruar të “Rilindasve”, drejt një shoqërie të denjë, europiane demokratike. Po besonim në mbytjen e “syrit të keq”, atë që na kish shembur urat, kështjellat, unitetin vllazëror, që na kishte lidhur “duar” e “këmbë”. Po gëzonim se “Urat”, “Kështjellat“ që do ndërtonim në vazhdim, nuk do të kërkonin më flijime, por do të siguronin qëndrueshmëri e siguri edhe për brezat.

Por nuk ishte e thënë. “Syri i keq” i bashkuar me “magjinë e zezë”, nuk u shqitën po thuaj gjatë këtij çerekshekulli. E njëjta sëmundje, urat, kështjellat nuk kanë qëndrueshmëri, në mos njëra këmbë, tjetra do rrëzohet, jo se mungon uji, çimento, hekuri, apo mjeshtëria, jo asnjëra. Na mungon “flijimi” për të mposhtur “syrin e keq”, dhe “magjinë e zezë”.

Ku ta gjejmë këtë “flijim”, për të hequr “syrin e keq”, “magjinë e zezë”? . “Syri i keq”, ashtu si gjahtari, e drejtoi shënjestrën tek orientimi i vazhdimit të fenomenit “luftë klasash”, por në drejtimin e hakmarrjes ndaj të së djeshmes.

Njerëzit vazhduan toprrotullimin sa majtas, djathtas, para, mbrapa, duke u marrë orë e çast me të djeshmen. Mllefi, ndasia vazhdojnë me epërsi, herë të njërit krah dhe herë të tjetrit, pa e kuptuar se këta njerëz që toprrotullohen janë po vetë ata, por është “syri i keq” që shemb urat e unitetit vllazëror, kështjellat e qendrueshmërisë. Mjerisht nuk kuptohet se baza e të vepruarit me këtë mënyrë, gjendet tek ndjenjat e ushqyera nga e djeshmja, për të penguar të ardhmen. Nuk kuptohet se e djeshmja duhet të jetë e kaluara. Jo e sotmja, si tërësi e shoqërisë njerëzore, të veprojë kundër të djeshmes, por ndaj së keqes së djeshme të veprojë ligjshmëria, e bazuar në parimet e shoqërive demokratike me përvoja.

Të etur për t’u shkëputur nga skamja, varfëria, boshllëku i krijuar në ndjenjat e shoqërisë nga e djeshmja, e kanë rrëmbyer shoqërinë tonë, e cila ka kaluar, pa e kuptuar në ekstremet e etapave frenuese për zhvillimin ekonomiko-shoqëror. Dëshirohet për të luftuar varfërinë dhe për tu pasuruar sa më parë, por nuk arrijmë të njohim, ose nuk duam të respektojmë normën e fitimit. Krijojmë bisnese, por nuk njohim, ose nuk duam të respektojmë kërkesën dhe ofertën. Krijohen institucione të pavaruara që mbikqyrin fushat e zhvillimit ekonomik e shhoqëror, mungojnë aftësitë profesionale, etike, morale. Ligjet për konsolidimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve të pavarura, të shoqërive anonime, shoqërive me përgjegjësi të përkufizuara, etj. nuk gjejnë zbatim, gjë që i kthen ato në institucione personale, private!. Ndasitë e djeshme të shtresave shoqërore, shfrytëzohen sot për të frenuar zhvillimin dhe të ardhmen. Përplasje serioze, të ashpra, konfliktualitet i acaruar në ekstrem, na shoqëron këto 27 vjet.

Ekstremizmi i individualizmit personal, apo i grupimeve nepotike dhe militante, të glorifikuar me hakmarrjen ndaj të djeshmes, me shtritje konfliktesh mes shtresave, gjoja të trashëguara nga e kaluara, janë bazat e ngecjes së përparimit tonë shoqëror. Asgjë nuk justifikon veprimet e gabuara trashanike në dëm të shoqërisë shqiptare, kur shqelmohen shanset historike të favorshme që ofrohen, as heshtja ose mos marrja e përgjegjësive për zgjidhjen e traumave, qoftë dhe ato të ndodhura në brezin e djeshëm. Nuk do ndalem këtu për shanset e shumta historike të humbura, por për korrektësi ndaj lexuesve dhe gjithë shoqërisë do përmendim veprimet e pajustifikuara nga të dy krahët e politikës, të realizuara haptazi kundër përmbushjes së kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Opozita e djeshme i vinte kushte pozitës së atëhershme për të kaluar miratimin e tre ligjeve, ndërsa pozita nuk toleronte, nuk pranonte konsensus. Koha kaloi, Shqipëria mbeti në klasë. Elektorati shqiptar gjykoi dhe vendosi për rrotacionin politik, me shpresë se klasa politike do të kuptonte qëndrimet e pakuptimta kundër njëra-tjetrës në zgjidhjen e problemeve kombëtare me ndikim të drejtpërsëdrejti në interes të mbarë shoqërisë, do të merrnin fund, do arrihej bashkëpunimi politik në përmbushjen e kritereve të caktuara.Por asgjë nuk ndryshoi. Kundërshtitë u shtuan, u forcuan, u sofistikuan më tej. Pengesa serioze herë të justifikuara, herë jo, as politikisht, por të motivuara në interes sa personal, aq dhe në interes grupimesh politike.

Disa institucione të rëndësishme shtetërore dhe grupime profesionistësh, në konflikte interesi, rrjedhojë e amullisë, e lejimit të zhvillimit liberal të ekonomisë, mos zbatimit të normave ligjore, stimulim i korrupsionit, trafiqeve, mos kontroll për lulëzimin e tregit të zi, përfitime pasurish të siguruara në mënyra korruptive, mungesa e llogaridhënies etj. Të gjitha këto  janë bërë barrikadë për mos kalimin e disa reformave tepër të rëndësishme, jo aq për integrimin e Shqipërsië në BE, sa për shndërrimin e shoqërisë shqiptare, nga një shoqëri e mbytur në errësirat perandorake e diktatoriale, në një shoqëri të lirë, të hapur demokratike.

Në këto situata, ku “urat”, “kështjellat” nisim për t’i ndërrtuar, por nuk i përfundojmë, padyshim kërkohet të gjejmë objektin e përshatshëm për qëndrushmëri. Mesa duket qenka “flijimi” për të shkatërruar “syrin e lig”, “magjitë e zeza”, që përmbysin synimet tona. “Flijimi” duhet gjetur dhe realizuar me doemos. Dhe “flijimi” nuk kërkohet të bëhet me koka njerëzish(koka burrash, grash, djemsh apo vajzash), koka kafshës apo shpendësh, ato le të mbeten për legjendat, baladat. Koha kërkon që të “flijojmë” dhe objekti i flijimit gjendet brenda nesh. Janë veset brenda qënies dhe ndërgjegjes tonë.

Së pari, për të arritur në “flijimin” e domosdoshëm, detyrimisht duhet të realizohet institucioni i dorëheqjes nga postet, detyrat dhe profesionet, prej të gjithë atyre, që kushtet e krijuara në këto 25 vite, kanë lejuar përlyerjen gjatë kryerjes së detyrave. Të realizohet pendimi publik, i shoqëruar me kthimin e pasurive të paligjëshme, me baza të vullnetshme dhe ligjore. Pas këtyre “flijimeve”, deomos shoqërisë shqiptare i duhet të realizojë institucionin e faljes. Vetëm atëhere do të arrihet të shpëtojmë nga “syri i keq” dhe nga “magjia e zezë”.

Nga legjendat, baladat, e dy urave dhe kalasë Rozafa, të cilat kanë arritur deri në ditët tona, del profecia e popullit, e cila na këshillon të rigjejmë unitetin dhe qendrueshmërinë e bashkimit mes nesh, të cilat janë harruar nga lodhjet e shumta, ankthet, çoroditja, pabesia, të ndikuara nga pushtimet dhe agresivitetet e ndryshme. “Urat” ti ndërrtojmë dhe tu sigurojmë qëndrueshmëri, sepse lidhin unitetin mes nesh, eliminohen ndasitë klasore që na kanë nxirë dhe shkretuar jetën; ndërsa “kështjellat” na duhen të qëndrushme, sepse tregojnë pathyeshmërinë, forcën e unitetit, ruajtjen, sigurinë ndaj veseve të këqia brenda nesh, apo ndaj agresioneve të ndryshme që vijnë nga faktorë të jashtëm shoqërorë dhe natyrorë.

Kështu arritëm tek domosdoshmëria e “Flijimit”,i cili sa ka filluar të veprojë në jetët tona me emërtimin “Vetting”.Efektet e pushtetit të “Vettingut”, do të çlirojnë shoqërinë njerëzore nga oligarkët politiko-ekonomikë joformalë, do na shkëpusin nga nepotizmi dhe militantizmi.

Zbatimi me rigorozitet i Vettingut, sipas mendimit tim do të na çojë, në një “Rend të ri ekonomiko-shoqëror”, nëpërmjet të cilit pasuria e përqëndruar në disa miliarderë dhe “super miliarderë”, do të rishpërndahet nëpërmjet vendosjes së disa normave, që sigurojnë raporte të drejta fitimi ndërmjet punës dhe kapitalit.

Vettingu apo “Rendi i Ri ekonomiko-shoqëror”, erdhi si kërkesë objektive e kohës, si i tillë nuk mund të kushtëzohet vetëm në hapësira të caktuara gjeografike, politike, ekonomike, shtrirja e tij, për nga epërsitë pozitive, do gjej përshtatshmëri dhe shtrirje në gjithë shtetet e Europës dhe më gjërë. Një epokë e re sapo ka filluar!

Urojmë të arrihet sa më shpejt bashkimi dhe qëndrueshmëria mbarëshqiptare!

Itali, më 25/maj/2018.-                  

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Fahri Dahri, Flijim, unitet, Veting

MINISTRIA E KULTURËS DHE KËSHILLI I MËHALLËS

May 27, 2018 by dgreca

Ministria e Kultures ne Prishtine nuk e perktahu botimin kritik te doreshkrimit te Martin Camajt/

1 FletoreMinistria e Kulturës e Rinisë dhe Sporteve më në fund e bëri publike angazhimin e saj në jetën kulturore duke mbështetur disa nga individët e caktuar dhe organizatat kulturore, kur e kur më shumë se një herë!

Duke dëgjuar për përkushtimin e ministrit të ri, Kujtim Gashi, për kulturën, kishim menduar se këtë vit do të jetë ndryshe: përkrahja nuk do t’u bëhet vetëm dy a tri shtëpive botuese, sikur ka ndodhur me ministrat e gjertanishëm, dhe se përkrahja nuk do t’u bëhet dy a tri herë individëve të njëjtë, sikur ndodhi edhe kësaj here!

Duke dëgjuar për përpjekjen e shtëpive botuese që në jetën tonë kulturore dhe madje shkencore, të sjellin vepra dhe vlera të rëndësishme kulturore, letrare e shkencore, kishim besuar se ministri sado pak do të formojë një Këshill të denjë jo-oborrtar për vlerësimin e tyre, po atij sikur nuk i mjaftoi kjo, formoi një Këshill të mëhallës, që për letërsinë flasin e kuvendojnë ndër skuta kafenesh e organizata joqeveritare, po kurrë në institucionet arsimore, shkencore, kulturore e publike.

Mjafton t’i hedhësh një sy listës së paraqitur në këtë përzgjedhje, për të parë se si në këtë konkurs janë përfshirë shkrimtarë dhe vepra me krijime letrare që vetëm facebook-u personal i tyre i duron, ndërsa në të njëjtin konkurs janë shpërfillur vepra si ajo e dorëshkrimit të veprës së parë të Martin Camajt, zbulimi i së cilës vitin e kaluar ishte ngjarje më vete në jetën kulturore shqiptare. Nuk besoj se Këshilli i përbërë prej personaliteteve me ‘grada’ shkencore e kulturore, universitare e partiake, nuk e dinte këtë gjë dhe nuk besoj se duhet të ishin më shumë se marangozë, sikur do të shprehej dikur miku im Robert Elsie, për të kuptuar këtë vlerë që gjatë këtij viti pritej t’i shtohej jetës kulturore shqiptare.

E dorëshkrimi i veprës së parë, përkatësisht versionit të parë të veprës Nji fyll ndër male të Martin Camajt, me kërkesë në këtë ministri për botim tekstologjik, ishte një prej kontributeve, që studiuesit dhe institucionet kombëtare, ka më shumë se një dekadë që po përpiqen t’ia kthejnë Martin Camajt dhe atdheut të tij.

Kaq modest, intelektualisht, profesionalisht dhe kulturalisht paska qenë Këshilli i Ministrisë (pasi i mësova vetëm emrat e dy a tre anëtarëve, po i kursej edhe emrat e tyre) sa të mos e di se Martin Camaj nuk është poeti a poetja e facebook-ut N. N.; sa të mos e kuptojë se dorëshkrimi i veprës së parë të Martin Camajt Nji fyll nder male, përkatësisht versioni i parë i saj, i përgatitur me parathënie të autorit dhe jo ai që u botua me parathënie të Dançetoviqit, nuk është një libër i vjetër i shokut Tito; sa të mos ketë dëgjuar që në studimet letrare ky do të ishte i pari botim i këtij lloji në Kosovë dhe një prej veprave të rralla të botuara në gjithë hapësirën shqiptare, e të tjera e të tjera si këto. Si të vlerësohet puna, përkatësisht dija, e një Këshilli të këtij niveli, apo të besojmë se po ky Këshill ndër skuta kafenesh, përsëri do të ankohet, se si ishte ministri Kujtim Gashi, ai ‘që futi në Këshill shokët e mëhallës’ dhe kështu ata me vota imponuan përzgjedhjen e disa botuesve dhe veprave të tyre, ndërsa emra dhe vepra të caktuara të facebook-ut i shtoi në fund vetë ministri!

Ndryshe si të shpjegohet përzgjedhja klanore e shtëpive botuese dhe individëve gjatë këtij viti, si të shpjegohet përzgjedhja, përkatësisht përjashtimi i disa shtëpive botuese dhe individëve, që më parë se sa përjashtimi i botuesve, është përjashtim i vlerave historike dhe letrare të autorëve dhe veprave, që pritej të botoheshin!

Begzad Baliu, editor i shtëpisë botuese ERA.

Prishtinë, më 25 maj 2018           

Me respekt, – Regards Prof.dr.Begzad Baliu Prodekan – Vice-dean Universiteti i Prishtinës – University of Prishtina Fakulteti i Edukimit – Faculty of Education E-mail: begzad.baliu@uni-pr.edu (official) bbaliu@yahoo.com (private) Tel: +377 44 173 596

Filed Under: Analiza Tagged With: Begzat Aliu, Keshilli Mehallas, Ministria e Kultures

Konferencë profesionale e mësuesve të gjuhës shqipe në Suedi

May 27, 2018 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI/
Murat KociHalmstad, 17-18 maj 2018- Halmstadi me „Tri Zemra“ në Sheshin e Vjetër, tani për disa vjet është vendtakimi i mësuesve/ve shqiptarë në Suedi dhe ligjëruesve e zyrtarëve nga Shqipëria e Kosova. Shteti i Suedisë është shembulli më i mirë në organizimin e mësimit në gjuhën e origjinës. Krahas kombeve tjera edhe shqiptarët e organizuar në Lidhje e Shoqatat e tyre mbështetën fuqishëm me projektet e tyre.  Unbenannt
Konferenca u hap nga drejtuesi i Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Iliria” në Suedi, Murat Koci.  Ai përshëndeti mësuesit/et dhe mysafirët e rastit mes tyre Rexhep Mazreku, Zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Nuhi Gashi, koordinator për mësimin shqip në diasporë nga Ministria e Arsimit të Kosovës (MASHTK), Veprimtari dhe ish deputeti i disa mandateve z.Hidajet Hyseni. Nga vendoret pjesëmarrësit i përshëndeti z.Kristen Jonson i cili mbajti kumtesë.  Nga vendlindja erdhe disa pedagog nga UN shqiptare, Dr.Rovena Vata dhe Prof. Kledi Shegani , kurse nga Austria mësuesi me përvojë, Hazir Mehmeti. “Me përmbajtjen e saj tashmë kjo konferencë ka krijuar fizionominë e sa në rrafshin didaktik”, një konstatim përvojash nga transformimi i konferencës drejtë programimit dhe drejtimit nga shoqatat e mësuesve shqiptarë.  Veprimtari dhe mësuesi me përvojë Nuhi Mazreku falënderoj të pranishmit, ai dha informata lidhur me historikun e shkurtër të qytetit të Halmstadit. Kumtesat ishin nga tema të ndryshme; Dinore Loshi u paraqit me kumesën nga përvoja profesionale “Mësimdhënia nxitëse dhe sfiduese”. Dr.Rovena Vata, pedagoge e hulumtuese, mbajti kumtesën “Roli i shkrimtarëve shqiptarë në zhvillimin e gjuhës shqipe”, kurse  mësuesja Fatmire Bunjaku kumtesën “Planifikimi pedagogjik”. Nga UN i Prishtinës Hydajet Hyseni ligjëratën e tij “Letërsia, politika dhe historia shqiptare në funksion të ruajtjes së gjuhës dhe identitetin kulturor e kombëtar të mërgimtarëve” e cila  u shoqërua diskutime. Pjesëmarrësit në konferencë, Halmstad   Premton Gërvalla, nga sektori i Entit Shtetëror, mbajti kumtesën “Mjetet digjitale në shërbim të gjuhës amtare…”, një përmbledhje interesante e të arriturave teknologjike bashkoohore si promotor në nxitje të ndryshimeve metodologjike e pedagogjike të domosdoshme.  Në ditën e dytë seancën e punimeve e filloi ligjëruesja nga UN i Tiranës, Prof. Kledi Shegani: “Gjuha shqipe, mjeti kryesor dhe më i rëndësishëm i identifikimit kulturor e etnik dhe mjeti më i rëndësishëm i ruajtës së zhvillimit të identitetit nacional e kulturor”. Nga MASHTK me kumtesë ngacmuese e nxitëse doli Nuhi Gashi, i cili ka dhe vet përvojë si mësues disavjeçar në diasporë. Pjesëmarrësit punuan në grupe ku ishte mundësia e shkëmbimit të përvojave dhe njohurive në rrethe të ngushta kolegësh.  Me temën “Mësimi shqip në Austri, specifika e orës mësimore në klasë heterogjene” doli Hazir Mehmeti, mësues me përvojë në Vjenë. Ai dha ligjëratën e filloi me informata nga personalitete të shquara austriake me origjinë nga trevat shqiptare e pastaj duke dhënë shembullin metodologjik e didaktik të mbajtjes së një ore në klasë heterogjene. Ai iu përgjigj të interesuarve se A-B-C Fibel –Abetarja e standardëve të larta për alfabetizim të fëmijëve në mërgatë, e përdorshme për të ndihmuar alfabetizimin dygjuhësor, mund të porositet O-line tek botuesi i njohur Weber E.Verlag. Kjo abetare, e vetmja e botuar nga Ministria e Arsimit të Austrisë sipas standardeve të kohës është tani edhe pjesë e katalogut tani edhe në Gjermani, një rritje kërkese e theksuar.  Një temë tjetër me vlerë nga praktika mësimore ishte ligjërata “Mësimi përmes lojës” mbajtur nga mësuesi me përvojë dhe aktivisti i njohur Xhevat Isuafi. Loja tani është forma metodologjike bashkoohore më efikase diturinxënëse. Faqja e internetit e themeluar nga mësuesi Xhevat është e arritshme, kjo u provua me interesim nga pjesëmarrësit. Në pjesën “Prezantimi i librave të rinj” mbajtur nga Hazbi Lalica, mësues dhe autor tekstesh ishte një mundësi njohje e mësueseve e mësuesve me literaturën e caktuar, një alternativë e begatë në pasurimin e teksteve mësimore që mund të sigurohen lehtë në Suedi. Në konferencë veç ligjëruesve me diskutimet e tyre kontribuuan Adem Qerimaj, Lebibe Zogiani, Muhamet Zahiti, Shaban Gashi, Agim Morina, Hava Haliti, Sanije Selmani, Bekim Kaloresi, Qerim Raqi, Ymer Gërbeshi, Sefë Kryeziu, Qerime Gurguri, Ardiana Hasani, Shpresa Selmani, Fixhrije Syla, Merita Syla, Luljana Zahiti, Haki Behrami, Hafiz Xhemajli, Mejreme Gubetini, Bajram Kabashi, Anila Dervishaj, Faik Abdyli, Sylejman Berisha, Beqë Shala, Berta Lako, Zenel Zeneli.  Për pjesëmarrësit nga organizatori në mbrëmje ishte organizuar program muzikor burimor shqiptar të kënduar nga këngëtarja e njohur në Suedi, Afërdita Xani, kurse nga Kosova ishte e ftuar solo këngëtarja   Ardita Ukaj e cila interpretoj me mjeshtri disa këngë të bukura burimore shqiptare. Nuk munguan as vallet të cilat nxorën energji kohe e malli për vet jetën gurbeçare me shpresën për progres në vendlindjen për ku gjithmonë jetojnë ëndrrat. Në fund pjesëmarrësit me impulse të reja shkëmbimesh të njohurive drejtë auditorëve mbi regjistër shkruan: Mirupafshim sërish!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: gjuhe shqipe, Hazir Mehmeti, Konference Suedi, mesuesit

Kosova në kërkim të lirisë, grevë urie para çerek shekulli

May 27, 2018 by dgreca

-Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike…/

Greva-urise-Rilindja-1993-Adem-Demaci

-Nga greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin Rilindja u bë edhe një film dokumentar, ku është regjistruar edhe raportimi që bëja me telex nga Prishtina në Tiranë dhe flas për për atë që ndodhte…/

Greva-urise-Rilindja-1993-

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Greva-urise-Rilindja-1993-tituj-gazeta-Bujku (1)

PRISHTINË, 27 Maj 2018/ Në Kosova para  çerek shekulli zhvillohej një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë, dhe nga ajo bëhej një film dokumentar.

Greva-urise-Rilindja-1993-Ali-Podrimja-ne-mes-reciton-vargje

Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim.

 Trokëllima e telexit të raportimeve, që nga dita e zgjedhjeve historike i bëja nga Prishtina në Tiranë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe të para çerek shekulli-25 viteve, të nisur në 24 maj 1993, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi serb në Kosovë.

Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar:  “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar në Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision  evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Në ataë mbrëmje të 31 majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi.

“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej nga 24 maji deri në  3 qershor të vitit 1993, në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

“Më 20 maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’ të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe  të shtypit të lirë…”, thekson ai.

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

“Kjo është dëshmia: Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë… Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, flas në dokumentarin e grevës së urisë në Pallatin Rilindja – lexoj titujt e mëdhenj në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”.

Në atë kohë, në dokumentar flas, lexoj edhe titujt e numrit vijues të gazetës që nuk u ndal edhe kur u ndalua: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”.Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në dokumentar shihet: Data 31 maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca,  greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja, që nuk mbeti vetëm kështjellë e rezistencës dhe ëndërrave të mëdha: Pas lirisë e pavarsisë u bë ndërtesë qeveritare e shtetit të Kosovës.

Para Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë në 23 maj 2015 u ngrit dhe u përurua shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit.

Në nëntor të vitit 2014, në një takim të drejtuesëve të Prishtinës me delegacionin e intelektualeve nga Vlora u patën shpalosur hollësitë e idesë dhe projektit të vendosjes së shtatoreve të Ismail Qemalit në Prishtinë dhe të Hasan Prishtinës në Vlorë.

“Vendosja e shtatores e simbolizon rolin e Ismail Qemalit në pavarësinë e shqiptareve si dhe në zhvillimin e kombit shqiptar”, theksonin organizatorët e ceremonisë në kryeqytetin e Kosovës. 

FILMI DOKUMENTAR
https://www.youtube.com/watch?v=Qn0U61s8GQo

Filed Under: Histori Tagged With: Behllul Jashari, Greve urie, Kosova në kërkim të lirisë, para çerek shekulli

KONTRIBUTI I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA NË SHTETFORMIMIN E KOSOVËS

May 27, 2018 by dgreca

1 ashimNga Frank Shkreli/Të ënjten, me rastin e Ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës, në Muzeun e Republikës së Kosovës u hap ekspozita “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”.  Ftesës, për të marrë pjesë në këtë ekspozitë të organizuar nga bashkautorët Dr. Sadik Krasniqi dhe Magjistër Besnik Rraci, i ishin përgjigjur familja e ngushtë ish-presidentit të ndjerë, Presidenti aktual i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, ish-bashkpuntorë të Presidentit Rugova dhe personalitete të tjera të Kosovës.

Para se të fliste në Muzeun e Kosovës për veprën historike të Presidentit Ibrahim Rugova, Presidenti Thaçi ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën me “Çmimin për Liri dhe Pavarësi” duke ia   dorëzuar dekoratën bashkshortes së të ndjerit Dr. Rugova, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një vendim që Z. Thaçi e kishte njoftuar disa ditë më parë.

Duke folur me rastin e ekspozitës, “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, Presidenti Thaçi u shpreh për para-ardhësin e tij dhe Presidentin e parë të Kosovës me fjalë mjaft fisnike, që ishte një freski në diskurisin politik shqiptar, gjë që ndodhë pak e më pak në radhët e politikanëve shqiptarë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Z. Thaçi vuri në dukje – që për disa prej nesh që e kemi njohur   Dr. Ibrahim Rugovën – ato ishin disa prej cilësive më të mira njerëzore dhe politike që posedonte Presidenti Ibrahim Rugova.  Presidenti Thaçi u tha të pranishëmve se Dr. Ibrahim Rugova, “Ishte njeri i durimit dhe pajtimit, ishte njeri i vizionit”, thkesoi ai.  “Sot çdo parti dhe çdo lider politik duhet të shikojë të ardhmen stabile dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës, para interesave dhe adresave të caktuara të partive politike, ashtu siç vepronim bashkërisht në të kaluarën. Sot, çdo qytetar i Kosovës kudo që jeton në Kosovë, apo diasporë është liridashës, është çlirimtar”.   Zoti Thaçi foli me një gjuhë rugoviane për bashkim të politikës rreth interesave të Kosovës dhe të kombit, mbi interesat personale dhe partiake.  “Sot, Kosova është shtet, ka simbolet e veta, Kosova ka identitetin e vet kombëtar dhe shtetëror, Kosova ka identitet evropian. Prandaj, secili duhet të ndjehet krenar me të arriturat. Shteti i Kosovës është mbi të gjitha dhe para çdo adrese politike. Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, ka nënvijuar Presidenti Thaçi.

Me Presidentin Ibrahim Rugova, shtoi Z. Thaçi, e bindëm botën për të drejtën tonë për liri dhe për shtet të pavarur, duke iu referuar viteve të vështira të Kosovës në fund shekullin që kaloi, ndërsa theksoi se ekspozita për kontributin e Presidentit Rugova në shtetformimin e Kosovës e hapur në Muzeun e Kosovës, e çon vizitorin në një “Udhtim në kohë të viteve të rënda dhe tragjike të vendit, të cilat, pashmangshëm lidhen edhe me emrin e Presidenti Rugova”, ka thënë Presidenti Hashim Thaçi.

Lëvizja për pavarësinë e Kosovës, sipas presidentit Thaçi, si në dimensionin politik, ashtu dhe atë ushtarak, bëri bashkë politikanë, intelektualë, ushtarakë, gra dhe burra, pleq dhe të rinj, me një qëllim të vetëm, për pavarësinë e Kosovës.   Presidenti Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, por u fitua me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe.   Ai ka thënë se “Mosbindja civile në ato vite kundër Serbisë ishte monumentale në lëvizjen politike botërore, derisa UÇK-ja ishte lëvizja çlirimtare me e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore”.

“Kombinimi e këtyre dy komponentëve të lëvizjes kombëtare, nuk kishte si të mos rezultonte në unitetin qytetar, në përkrahjen masive ndërkombëtare, për të kulmuar më në fund me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi në fjalën e tij me rastin e hapjes së ekspozitës në Prishtinë, për kontributet e Presidentit Ibrahim Rugova në pavarësinë dhe shtetformimin e Kosovës.Fjalimi i Presidentit Thaçi në ekspozitën e Muzeut të Kosovës për kontributet e Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, në të vërtetë, u mbajtë jo vetëm në një atmosferë por edhe në një frymë rugoviane.  Thirrjet për bashkim, njohja e kontributeve politike dhe ushtarake, e vetmohimeve dhe e sakrificave sublime, ishin veti të asaj periudhe plot vështirsi për Kosovën dhe e sakrificave për të gjithë – të një periudhe në historinë e kombit shqiptar, ku siç theksoi edhe Presidenti Thaçi, Presidenti Ibrahim Rugova luajti rolin dhe dha kontributin e tij të pazëvendësueshëm.Për ata që e kanë njohur, një ndër parimet kryesore të Presidentit Rugova ishte bashkimi, bashkimi i të gjithëve për arritjen e qëllimeve të larta, pa dallim feje, krahine ose ideologjie, sidomos në mbështetje të interesave të përbashkëta kombëtare.  Dr. Ibrahim Rugova ishte shprehur në vitin 1989 në Lubljanë të Sllovenisë se, “Qyshë në kohën e Rilindjes Kombëtare në shekullin e 19-të, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”  Në bazë të kësaj vlere ai jetoi dhe veproi me të gjithë dhe për të gjithë.

Ishin këto parimet dhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara me vlerat më të mira të kombit shqiptar, ato që e ndihmuan atë që përveçse të siguronte mbështetjen e shumicës së shqiptarëve në ato kohë të vështira, ai njokhsisht me personalitetin e tij, mundi të bënte miq për kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në trojet autoktone, ku kanë jetuar me shekuj.

Ndonëse nuk e kam parë ekspozitën për kontributetet e tija në shtetformimin e Kosovës, jam i bindur se aty pasqyrohet dhe kujtohet roli i Dr. Ibrahim Rugovës, në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, së bashku me kontributin e tij në fusha të tjera, për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur, por edhe për rolin e tij në përforcimin e marrëdhënieve miqësore midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar, i cili si askush tjetër, bëri miqë të shumtë për Kosovën dhe për Kombin Shqiptar. Ekspozita, jam i sigurt, pasqyron gjithashtu Dr. Ibrahim Rugovën edhe për shembullin dhe për rolin e tij si njeri dhe si udhëheqës – i cili besonte, mbi të gjitha, në dashurinë për kombin dhe në të drejtën e mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullit të vet — dëshmohet në marrëdhëniet me botën, përveç tjerash, edhe duke ruajtur nderin e emrit shqiptar dhe nderin personal, si në jetën private ashtu dhe në jetën politike të vendit, si qytetar I thjesht dhe si udhëheqës. Njohja e kontributeve të Presidentit të parë të Kosovës për shtetformimin e Republikës së Kosovës në ekspozitën e Muzeut të Kosovës — siç është ka theksuar me të drejtë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi – “Shpreh vlerësimin institucional të të gjithë neve, për rolin historik të Presidentit Rugova”. Shpresojmë që ekspozita të shënojë gjithashtu një hap përpara në diskursin politik, në nivel personal dhe institucional të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë mbi historinë jo të largët dhe mbi gjëndjen aktuale politike në Kosovë dhe në Shqipëri dhe njëkohësisht t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha trojeve dhe kudo, ashtu siç ishin të bashkuar në kohën e Ibrahim Rugovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, në miqësi të përhershme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç shprehej shpesh, Dr. Ibrahim Rugova.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

+2

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. IBRAHIM RUGOVA, Frank shkreli, Kontributi historik, shtetformues

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1406
  • 1407
  • 1408
  • 1409
  • 1410
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT