• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reagimi- Bashkimi Europian, keqardhje për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

March 15, 2021 by dgreca

Bashkimi Evropian sërish ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën në Jerusalem.

Ky koment nga blloku evropian vjen një ditë pasi Kosova njoftoi se edhe zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Izrael, me lokacion në Jerusalem.

Një zëdhënës i BE-së, tha të hënën, më 15 mars, se “BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Kosovës që të largohet nga qëndrimi i BE-së lidhur me çështjen e Jerusalemit”.

“Pozicioni i BE-së është i njohur mirë dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 478, e vitit 1980, që thërret të gjitha shtetet anëtare të OKB-së që të tërheqin misionet e tyre diplomatike në Izrael nga Jerusalemi. Të gjitha shtetet e BE-së, sikur edhe delegacioni i BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv”, ka thënë ky zëdhënës.

Ai ka shtuar se “BE-ja në vazhdimësi ka përsëritur përkushtimin e qartë për një zgjidhje të negociuar, të dy shteteve, të ndërtuar mbi parametrat e pranuar ndërkombëtarë dhe të drejtën ndërkombëtare”.

BE-ja rikujton se shefat e shteteve apo qeverive të bllokut, në samitin e tyre më 2017 kishin përsëritur se “pozicioni i BE-së rreth Jerusalemit mbetet i pandryshuar”.

“Pozicioni afatgjatë i BE-së është i qartë. Duhet të gjendet mënyra për zgjidhjen e statusit të Jerusalemit përmes negociatave, si një kryeqytet i ardhshëm i të dyja shteteve dhe të përmbushen aspiratat e të dyja palëve. Çështja e Jerusalemit është çështje e statusit final. Në këtë kontekst, çfarëdo hapi diplomatik i cili vë në dyshim qëndrimin e përbashkët të BE-së, është çështje për shqetësim serioz dhe keqardhje”, tha zëdhënësi i BE-së.

Por, në pyetjen lidhur me hapjen e një zyreje të Ambasadës së Çekisë – shtet anëtar i BE-së, në Jerusalem, nga blloku evropian nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të qartë.

“Sa i përket Republikës Çeke, hapja e asaj që është përshkruar si Zyre në Jerusalem e Ambasadës në Izrael, ne rikujtojmë Rezolutën e Këshillit të sigurimit të OKB-së”, tha BE-ja, duke përsëritur qëndrimin se “të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së në Izrael janë të vendosura të Tel Aviv”.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik. Në këtë marrëveshje, që u ndërmjetësua nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe u tha se Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jerusalem. BE-ja që atëherë e kishte kritikuar vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke e cilësuar si largim nga qëndrimet e BE-së, pasi sipas bllokut, kjo është në kundërshtim me aspiratat e Prishtinës zyrtare për integrim në BE.

Edhe Serbia kishte marr obligim që ta zhvendosë Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por deri më tani kjo gjë nuk kanë ndodhur.

Sa i përket Serbisë, në BE rikujtojnë se ata e kishin kritikuar edhe këtë obligim që Beogradi mori për zhvendosjen e Ambasadës, por shtuan se do të presin se si do të veprojë Beogradi dhe më pas blloku do të dalë me një qëndrim.

BE-ja, në kuadër të procesit të Stabilizim Asociimit dhe zgjerimit, pret që shtetet kandidate apo ato që aspirojnë anëtarësimin, të përshtaten me politikën dhe qëndrimet e përbashkëta të Brukselit zyrtar. Deri më tani, Shqipëria është shteti i vetëm që 100 për qind i ka përmbushur këto pritje ndaj BE-së, ndërsa më së paku në këtë drejtim ka bërë Serbia, sidomos kur janë vendosur masat ndaj Rusisë apo janë kritikuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e disa shteteve të tjera të botës.

Filed Under: Komente Tagged With: BE-ja reagon, Jeruzalem

PDK-10 KUSHTE VJOSES DHE ALBINIT

March 15, 2021 by dgreca

Hoxhaj pas takimit me Kurtin e Osmanin: Vota e PDK-së për presidentin e ri varet nga qëndrimi i tyre për këto 10 tema e parime/

Prishtinë, 15 mars 2021 – Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Uran Ismaili kanë takuar në zyrat e Kuvendit të Kosovës, kryetarin e LVV-së, Albin Kurti dhe U.D. të Presidentes, Vjosa Osmani.

Në takimin e ftuar për fillimin e konsultimeve me partitë politike rreth krijimit të institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Hoxhaj ka thënë se PDK është konstruktive dhe do të udhëhiqet nga disa parime të rëndësishme. 

Sipas tij, në takim janë shtruar një mori parimesh për Kurtin e Osmanin, të cilat një president i ri i ardhshëm i Kosovës duhet t’i përfaqësojë.


Kjo është deklarata e plotë e Hoxhajt pas takimit:


Në këtë takim, të parin e këtij formati pas zgjedhjeve, ne kemi qenë konstruktiv, por edhe parimor. Kosova, si asnjëherë më parë, ka nevojë për stabilitet politik, i cili që nga viti 2014 ishte shkatërruar në baza ditore nga Kurti dhe partitë tjera.

Në këtë takim kemi shkuar me parime e qëndrime të qarta për Kurtin dhe Osmanin, për kriteret që duhet të përmbushë një president. 

Në takim kemi folur për parime e jo për emra. Parimet janë ato që e përcaktojnë presidentin e ri të Republikës së Kosovës.

Kosova ka nevojë për stabilitet, për një president që përbashkon skenën tonë politike, që unifikon popullin e Kosovës, që avancon marrëdhëniet tona diplomatike.

Dhjetë vjet më parë ishte PDK-ja ajo që krijoi një kulturë politike të konsensusit ndërpartiak për zgjedhjen e presidentit.

Tani, dhjetë vjet më vonë, në vitin  2021 me insistimin e PDK-së, kemi për herë të parë një parti që ka fituar zgjedhjet dhe që mëton të zgjedhë presidentin me vota të opozitës.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Sot, nga z. Kurti dhe nga znj. Osmani kam kërkuar transparencë dhe qartësi të plotë në politikën e jashtme të Kosovës. Presidenti ka një rol shumë të rëndësishëm në përfaqësimin e Republikës së Kosovës jashtë vendit dhe udhëheq politikën e jashtme, ndërsa Kryeministri dhe Qeveria kanë rol esencial në formulimin e politikës së jashtme.

Kështu, para se Partia Demokratike e Kosovës të marrë një qëndrim përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit në organet e saj dhe meqë po kërkohet roli i PDK-së në zgjedhjen e Presidentit, unë kam kërkuar disa shpjegime ose zotime nga z. Albin Kurti dhe nga znj. Vjosa Osmani-Sadriu.

Këto janë pikat kryesore:

1. Sa herë që ka pasur zgjedhje të Qeverisë ose të Presidentit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucionet janë sulmuar dhe dhuna është ushtruar ndaj shumicës në Kuvend, në seancë duke hedhur gaz ose duke u sulmuar institucioni i Kuvendit. Unë kam kërkuar ta di nëse z. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetvendosje do të heqin dorë nga dhuna politike si mjet politik.

2. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur?

3. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?

4. Ata i kam pyetur edhe lidhur me pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi? Dhe nëse ata, në përputhje me shkëmbimin e letrave midis Presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi, a do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorrit, ashtu siç kishin premtuar. Ata duhet të dalin edhe me një afat kohor për jetësimin e këtij premtimi.

5. Nuk mora përgjigje po ashtu nëse ata do ta respektojnë dhe do ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit?

6. I kam pyetur po ashtu nëse do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal (Mini-Shengen) pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina?  7. Gjatë qeverive Kurti 1 dhe Hoti, sovraniteti i Republikës së Kosovës u pezullua kur këto qeveri u tërhoqën nga kërkimi i anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohje të Republikës së Kosovës. Kërkova të di nëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se a do të kërkojnë njohje nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë fund pezullimit të sovranitetit?

8. Trashëgimia juaj politike që nga viti 2007 ka qenë ta kundërshtoni Planin Ahtisaari, i cili është në thelb karakteri kushtetues i Kosovës. Kam kërkuar të di nga z. Kurti nëse ka hequr dorë nga ky qëllim?

9. Një premtim ka qenë edhe reciprociteti. Kam kërkuar të di nga ta nëse do të rikthehet reciprociteti me Serbinë dhe a do të jetë ashtu si gjatë qeverisë Kurti 1 reciprocitet administrativ apo do të zbatohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar?

10. Z. Kurti dhe znj. Osmani kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit në lidhje me fusnotën? Kam kërkuar një zotim nga ta nëse do ta anulojnë këtë marrëveshje dhe a do të tërhiqen nga fusnota, siç kanë premtuar gjatë gjithë viteve.

Kur të marrim një përgjigje për këto çështje që janë thelbësore për të ardhmen e Republikës së Kosovës, PDK-ja do të marrë një qëndrim në organet e saj partiake në lidhje me pozicionin që do të ketë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

PDK-ja gjithmonë ka luajtur një rol konstruktiv në institucionet e Kosovës dhe ne do të luajmë rolin tonë opozitar karshi qeverisë së re.

Filed Under: Analiza Tagged With: 10 Kushte, Albinit dhe Vjoses, Enver Hoxhaj

SHQIPTARËT NË SINGAPOR DHE BETEJA E SHTETIT NDAJ COVID-19

March 15, 2021 by dgreca

Dr. Albert Dashi, ekspert i bio-mjeksisë në Singapor të Azisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin e Singaporit në betejën ndaj Covid-19, masat e marra për pandeminë, procesin e vaksinimit dhe komunitetit shqiptar në Singapor të Azisë. Me Dr. Albert Dashin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

RRUGËTIMI I DR. ALBERTIT NGA PEJA NË ZVICËR DHE SINGAPOR 

Unë kam lindur në Kosovë, Naglavk, Pejë në 1989. Vetëm pas lindjes time familja ime u zhvendos në Zvicër në 1994, ku kalova pjesën më të madhe të jetës time. Gjithmonë kam qenë i magjepsur nga shkenca e jetës dhe biomjekësia. I nxitur nga inovacioni dhe vullneti për të shkëlqyer në këtë fushë, unë kam vendosur të filloj një arsim të lartë. Pasi përfundova Bachelor në Universitetin e Fribourg në Zvicër në 2008 dhe diplomën master në shkencat biomjekësore në Universitetin e Bernit në Zvicër në 2014, vendosa të filloj një doktoraturë në gjenetikën molekulare. Në vitin 2015, Singapori më dha një bursë të plotë. Me këtë mundësi u bashkova me laboratorin e Profesor Roger Foo në Universitetin Kombëtar të Singaporit në departamentin e mjekësisë. Puna ime ishte përqendruar në hulumtimin e qelizave burimore. Isha në gjendje të arrija piketa të rëndësishme, përfshirë zbulimin e një molekule të re (letër VHRT) të rëndësishme në zhvillimin e zemrës njerëzore. Unë u diplomova dhe fitova diplomën e doktorit në dhjetor 2019. Tani jetoj në Singapor me gruan time Suzana Nuaj, e cila është nga Budisalc Kosova, kur prindërit e mi Tush dhe Giulia Dashi dhe motra ime Anduena Saliquni ende jetojnë në Zvicër. Singapori më ka hapur mundësi të reja për mua dhe karrierën time, të cilat në fund të fundit çojnë në krijimin e një kompanie. Emri i shoqërisë sime Sequnetial Skin (Sequentialski.com). 

LËKURA E NJERIUT DHE NDËRVEPRIMI MJEDISOR

Të dy, unë dhe bashkë-themeluesi tjetër Dr. Oliver Worsley (nga MB) dhe unë kemi punuar në të njëjtin laborator në Singapor për gati 6 vjet. Gjatë viteve ne kemi ndërtuar një miqësi të madhe, por ajo që na ka bashkuar është aspirata e ndërsjellë për të sjellë shkencën te njerëzit. Ishte e rëndësishme për ne që ajo që mësuam dhe zbuluam gjatë trajnimit tonë të ishte e arritshme për botën reale, për njerëzit që kanë më shumë nevojë për të. Shumë njerëz në botë vuajnë nga shqetësimet e lëkurës dhe ata nuk e dinë pse. Përveç kësaj, metoda gjithëpërfshirëse dhe të sakta për të analizuar shëndetin e lëkurës së tyre ende nuk ekzistojnë. Vetëm pak ADN mund të na tregojë shumë rreth tyre. Me një provë të thjeshtë në shtëpi, njerëzit mund të provojnë lëkurën e tyre. Sequential Skin pastaj përdor teknologji të përparuar të sekuencave gjenetike për të kuptuar se si gjenet tuaja, mikrobioma e lëkurës tuaj dhe si ndërvepron mjedisi juaj, për t’i dhënë lëkurës tuaj karakteristikat që ajo ka. 

PANDEMIA SHËNOI NJË VIT TË VËSHTIRË

Ka qenë një vit i vështirë për të gjithë dhe të gjithë jemi prekur në një mënyrë ose në tjetrën. Sequential është një kompani bioteknike kompani bioteknike në hapësirën e shëndetit. Gjatë pandemisë ne kemi ndihmuar në shpërndarjen e testeve dhe kemi ndihmuar komunitete të ndryshme. Ne kemi biseduar me ekspertët dhe kemi ndihmuar kontaktet tona në Evropë dhe më e rëndësishmja në Kosovë dhe Shqipëri. Unë do të thoja se e kemi mbajtur veten të zënë edhe pse të mbyllur. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar komunitetin tonë. Rreth pyetjes për shqiptarët në Singapor do të thoja se komuniteti i shqiptarëve në Singapor është i vogël dhe të gjithë janë të përqendruar në fusha të ndryshme dhe kanë interesa të ndryshme. Sidoqoftë, do të doja të punoja me ekspertë dhe profesionistë të tjerë shqiptarë. Unë shpresoj të arrijmë shumë njerëz në të ardhmen.

MENAXHIMI I PANDEMISË DHE VAKSINIMI NË SINGAPOR

Singapori ka pasur ulje dhe ngritje në menaxhimin e pandemisë. Rregullat e mëposhtme dhe zbatimi dixhital kanë qenë metodë shumë e suksesshme për të kontrolluar pandeminë. Jemi duke jetuar në një epokë shumë të dixhitalizuar dhe njerëzit kanë qenë të guximshëm dhe të zgjuar për të adoptuar situatën e re, përfshirë komunitetin shqiptar. Sidoqoftë ka ende komunitete që kanë vështirësi për t’u përshtatur dhe është e rëndësishme që t’i ndihmojmë dhe t’i mbështesim ata. Aktualisht, vetëm vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna COVID-19 janë autorizuar për përdorim pandemik nga Autoriteti i Shkencave të Shëndetit (HSA) në Singapor. Të dy vaksinat e ARN-së dhe kanë përmbushur kriteret e rrepta të sigurisë dhe efikasitetit të kërkuara nga HSA. Gjatë programit të vaksinimit, ne do të shqyrtojmë se cilat vaksina janë më të përshtatshme për nëngrupe të ndryshme të popullsisë në Singapor. Për momentin janë administruar më shumë se  525039 doza totale. Më shumë se 317715 kanë marrë dozën e parë dhe më shumë se 207324 kanë marrë regjimin e plotë të vaksinimit. Megjithëse vaksinimi po shkon normalisht, shumë njerëz nuk janë të vaksinuar.

NJË MESAZH PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI

Pandemia e ka bërë të vështirë për të vizituar familjen dhe miqtë. Në fakt, gruaja ime dhe unë nuk kemi qenë në gjendje të shohim familjet tona për gati 2 vjet. Unë e di një pjesë nëse jo shumica e lexuesve të Dielli janë në të njëjtën situatë ose më të keqe dhe kjo mund të jetë vërtet sfiduese. Nëse nuk jeni në gjendje të ndihmoni ose mbështesni drejtpërdrejt familjen tuaj, përdorni ekspertizën tuaj dhe aftësitë tuaja për t’u afruar me komunitetin lokal. Ju do të keni mundësinë të takoni dhe të lidhni njerëz të mahnitshëm, të cilët do t’ju ndihmojnë dhe do t’ju mbështesin në këmbim. Edhe pse jemi fizikisht të ndarë, të gjithë jemi të lidhur. Ne kemi mjetet për të angazhuar komunitetin tonë, është vetëm një çështje që të shkojmë atje dhe ta bëjmë atë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Albert Dashi, Shqiptare ne Singapour

Emër

March 15, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Fjala për “emër” është e ngjashme në gjuhë që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Por shumica e gjuhëve në të cilat fjala “emër” është e ngjashme nuk janë në të vërtetë aq të palidhura. Në shumicën e gjuhëve evropiane, fjala “nome” duket disi e ngjashme me anglishten “name” – kjo ngjashmëri rrjedh nga fakti që të gjitha gjuhët indo-evropiane janë të lidhura dhe rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët gjuhësor.
Por, po për gjuhët jo-indo-evropiane? Fjala japoneze është “neemu” ose “namae” dhe indonezishtja është “nama” – janë huazime nga sanskrishtja që u prezantuan nga misionarët hindu dhe budistë. “Nama” dhe “namae” vijnë direkt nga “naama” sanskrite “neemu”. 
Në përgjithësi, fjalët e ngjashme për “emër” në fakt janë për shkak të një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me një gjuhë të përbashkët rrënjë, ose huazimit prej saj, dhe jo nga origjina të ndryshme. 
“Circe” në mitologjinë greke, forma e latinizuar “Kirke”, ndoshta do të thotë “skifter” në shqip. Në mitologji, “Circe” ishte një magjistare që ndryshoi ekuipazhin e Odiseut në derra, siç tregon Homeri. Odiseu e detyroi Circen që t’i ndryshonte përsëri, pastaj qëndroi me të për një vit para se të vazhdonte udhëtimin e tij.
Shqipja “skifter” nga latinishtja “accipiter” (zog grabitqar). “Sk” është ndikimi fillestar nga “shqiponjë”. Një tjetër fjalë shqipe, “mirakë” është sinonim për skifter, fajkua e sokol. Por është edhe “qift,-i”; shpend grabitqar, me krahë të zinj e me sqep të kthyer, që ushqehet me kafshë të vogla e me zogj: e morri si qifti, ose si Circe rrëmbeu Odisenë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, emer

Mons. dr. Zef Oroshi, një mozaik i historisë shqiptare me një taban të lartë fetar, kombëtar e kulturor

March 15, 2021 by dgreca

  • Sot më 15 mars të vitit 2021, shfletojmë dhe kujtojmë Prelatin e Kishës Katolike shqiptare, mons. dr. Zef Oroshi, në 32 përvjetorin e kalimit në amshim të tij-
    Shkruan: Lekë Mrijaj/
  • Në historinë e një vendi, jo të gjithë personazhet, shtetërorë, apo klerik të kishës katolike që janë pjesë e saj, lënë gjurmë dhe realizojnë kthesa shumdimensionale historike, fetare, kombëtare e kulturore.  Në këtë mozaik të historisë së Shqipërisë, hyjnë edhe një nga personalitetet komplekse që la një protokol e arkiv historik, kulturor, patriotik, diplomatik në historinë tonë është mons. Zef Oroshi.  Emri dhe vepra e tij, nuk është lidhur ngushtë vetëm me besimin fetar të Kishës Katolike Shqiptare, por edhe me kulturën dhe historinë e re dhe të lavdishme të kombit shqiptar. Gjeneologjia e familjes dom Zef Oroshit, daton ndër fiset e hershme dhe fisnike të fisit Orosh të Mirditës, të përmendur shumë herë për besë e trimëri. 

Veprimtaria e tij është shumë dimensionale duke prekur disa segmente, letërsi, teologji, liturgji, politikë, diplomaci, shkenca filologjike etj. Disa prej segmenteve të veprimtarisë së tij janë studiuar nga studiues të ndryshëm e fillimisht nga studiuesi e publicisti, z. Tomë Mrijaj e shumë poet të tjerë të inspiruar edhe disa këngëtar duke reflektuar përmes kumtesave (edhe në Sesione shkëncore), këngëve rapsodike (me anë të telave të çifltelisë).

Mons. dr. Zef Oroshi, ishte një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik, njeri i dijes, misionar, orator, poliglot, publicist, atdhetar i shquar i kulturës shqiptare si dhe një nxënës shumë i dashur i dishepullit të tij – mësuesit të tij, dom Ndre Mjedës, ashtu siç thuhet edhe në dëshmitë e të tjerëve vet dom Zefi, gëzonte, autoritet e përkrahje, si në qarqe të larta nderkombëtare në Amerikë, po ashtu edhe në ato kishtare ortodokse e katolike e kulturore.

Njëkohësisht ishte ai i pari i cili nga gjuha greke e përktheu veprën “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, të cilën vepër menjëherë pas shqipërimit në vitin 1979, ia dhuroi me autograf Selisë së Shenjtë në Vatikan, gjatë një audiencë private Papa Palit VI-të, ndaj edhe më vonë nga Papa Pali VI-të mori titullin : MONSINJOR. 

Mons. dr. Zefi, ishte themeluesi i parë i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës”, 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, 10530, gjë që në atë kohë edhe vetë gazeta prestigjioze “New York Times”, mons. dr. Zef Oroshin e konsideronin si një ndër pionierët e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje. Ai, në vitin 1973 ka pritur në Nju Jork, Shën Nënë Terezën, me të cilën së pari e kishte takuar në Itali qysh në fillim të viteve ’60-ta.

Është studiuesi i mirënjohur shqiptar e Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, publicisti, Tomë Mrijaj një biograf, kumbarë i cili ia ka dedikuar personalitetit të shquar të Kishës Katolike e diasporës sonë, themeluesit kyç të Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në SHBA mons. dr. Zef Oroshit.

Ndaj veç tjerash po e veçoj librin “Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” i cili z. Mrijaj, veç biografisë jetësore e shugurimit, në mënyrë koncize dhe të konkretizuar ka pasqyruar prova e fakte për mons. Zef Oroshin, gjë qe në mënyrë koncize ka përshkruar veprimtarinë e kauzën e tij tipike të “TRINOMIT- FE, ATDHE, KULTURË”, pikërisht ndjekjen dhe përcjelljen e tij nga maskarenjtë e ideologjisë së kuqe famkeqe mesjetare “Enver-Hoxhiane” (të mbështetura nga kriminelet e filozofisë marksiste, leniniste komuniste e staliniste siç ishin Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Ramiz Alija e shumë të tjerë të cilët i njeh edhe historia jonë shqiptare) e cila ideologji famkeqe persekutonte intelektualët më elitarë të sojit të korifejve rilindas siç ishte edhe dom Zef Oroshi, cili në tre ditët e Pashkëve të vitit 1951, do t’i kalonte pyllin e Molungut në mes maleve të Mirditës, që për të ishte bërë një mburojë e Zotit dhe Kishë e mrekullueshme, ku, çonte meshë në gjirin e natyrës. 

Me nismën e dom. Zef Oroshit, në bashkëpunim me parashutistat dhe luftëtarët e qëndresës, u mbajt një kuvend sekret në katundin Ungrej, Mirditë, nën pjesmarrjen e delegatëve nga Shkodra, Dukagjini, Puka, Luma, Mirdita, Lezha dhe Kurbini, kuptohet nën asistimin e parashutistëve: Gjon Gjinaj e Ndue Mëlyshi, të cilët diskutuan rrethanat e kohës ndaj me 9 Mars 1951 u zgjodhën antarë të Komiteti Kombtar të Maleve siç ishin: Haki Bushati, Jak Perjaku, Dom Zef Oroshi, Karlo Çoba, Ndrek Kakarriqi, Sul Hafizi, Preng Kol Gjomarkaj, Shaban Reqi dhe Ded Kol Ndreca.

Dom Zef Oroshi për tetë muaj kaloi mes grupeve të rezistencës antikomuniste nëpër male, duke mbajtur lart moralin e luftës kundër komunizmit dhe ideologjisë së saj ateiste, i cili gjatë një mbrëmje të idhët me plotë mundime dhe i plagosur edhe në fyt nga komunistët (siç dëshmohet edhe nga të dy dokumentarët – dosja e dëshmitarëve të familjes së dom Zefit, të realizuar javë më parë, familja e tij e mbetur në atdhe e qe përjetuan një katrahurë e ferr të vërtetë. Pikërisht veç nënës Dila e motrës Lukja arrestohet edhe vëllau i tij Ndou, arrestohet, torturohet e vdes nën tortura e izolimet e hetuesisë në Shkodër, ndërsa familjarët e tjerë përjetojnë një kalvar të gjatë e të mundimshëm internimesh e persekutimi shënimi im L.M.). 

Dom Zefi kufirin e ish Jugosllavisë, në vitin 1952, e kaloi nën mbështetjen e Llesh Tarazhit duke u zhvendosur së pari në Kosovë për të kërkuar statusin e azilit politik të cilin e vëndosën të plagosur në Mitrovicë ( në fund të nëntorit të vitit 1952, ishte vizituar nga pader Tom Xhaja, famullitar i Kishës “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan e bashkfamiljari ynë, Nikollë P. Mrijaj, Ofiqar i Zyrës së Vëndit në ish/ Komunën e Zllakuqanit, me të cilin bashkfamiljari ynë Nikolla për dy herë radhasi me vonē e kishte ri/ takuar gjatë viteve ’80-ta në New York) i cili me vonë ka kaluar në Itali për nëntë vite dhe nga viti 1962 Amerikë deri me 15 mars 1989 ikjën e tij në amshim të të cilit eshtrat i prehën në New York të Amerikës.

Dom Anton Kçira deshmon se mons. Zefi, gjatë arratisjes së tij nga Shqipëria  dhe ardhjes së tij në Kosovë nga ana e ipeshkvit Shkup-Prizren, imz. Çekada, i kishte ofruar mons. Zefit të shërbej si meshtar në famullinë e Zllakuqanit të Klinës , por për shkak të rrethanave që ishin, përndjekjes dhe pasigurisë së tij, ai nuk e kishte pranuar propozimin e imz. Çekadës, sepse mendjen e kishte të migroj dhe të veproj lirshëm në rrafshin fetar, kombëtar, njerëzor e kulturor në botën e lirë perëndimore, i cili përmes Kosovës migroj në Itali dhe tutje në SHBA., duke zhvilluar një veprimtari të pastërt gjithëpërfshirëse kombëtare).

Në vazhdim të librit:”Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” autori Tomë Mrijaj thotë se: ” Mons. Zef Oroshi ishte një mik i ngushtë prof. Ernest Koliqit të cilët bashkëpunonin s’bashku me ide e punime shkrimore me revistën autoritative kulturore-shkencore “Shejzat”, që asokohe dilte në Itali. 

Ndaj me kalimin në amshim të prof. Ernest Koliqit, ishte atdhetari, meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari, studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë Mons. Oroshi i cili në faqet e revistës prestigjioze “Shejzat”, në numrin special të vitit 1975, ia ka dedikuar prof. Ernest Koliqit, qe do të thotë se shkruan plotë 12 faqe me deshmi, artikull i cili titullohet: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit në shumë rrafshe shumëdimensionale.

Mons.dr. Oroshi, kishte miqësi të ngushtë me intelektualë e veteran të arsimit shqiptar dhe studiues e albanolog si prof. Karl Gurakuqin, poliedrikun dhe burrin e madh të shtetit Imzot Fan Stilian Nolin, gjë qe z. Mrijaj i përshkruan përjetimet e dom Zefit e Fan S. Nolit, duke e përshkruar tamam në frymën (e Koncilit të Dytë të Vatikanit) dashamirëse ekumenike të tij si një Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një atdhetar i madh, intelektual erudit të sojit të Dom Gjon Buzukit, imz. Pjeter Budit, imz. Nikollë Kazazit, imz. Pjeter Bogdanit etj., e qe mbetët një I LUMË për njohësit e tij.

Filed Under: Politike Tagged With: Lek Mrijaj, Mons. Zef Oroshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 153
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT