• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAXHI SALI BEJ PËRRENJASI – NDËRTUESI I VEPRAVE PUBLIKE DHE KULTIT NË SULOVË

November 3, 2017 by dgreca

1-pellumb-guri   PËLLUMB  GORICA/Sa më shumë kalojnë shekujt, aq më e trashë bëhet perdja e errësirës për të ndriçuar figura historike dhe kontribute humane. Kujtdo që nis të shkruaj, me siguri do t’i duhet të shfletojë dokumenta të ndryshme arkivore, botime e shënime udhëtarësh të huaj, pa harruar historitë gojore, morinë e veprave publike apo të kultit, këngët  e visaret e  tjera të popullit. E sërish, nuk mund të shkruhet gjithçka.1 ndertim

Sulova shtrihet në jug të Shqipërisë së Mesme, në të manjtë të rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, rrëzë malit Tomorr. Haxhi Sali Bej Përrenjasi, si askush përmendet edhe sot në bisedat e banorëve të krahinës së Sulovës. 1 fortifikimmesjetarAi ishte pari i krahinës së Sulovës dhe gjatë qeverisjes së tij, aty nga gjysma e shekullit XVIII, ajo ka përjetuar një lulëzim urbanistik. Në atë kohë janë ngritur rrugë, ura dhe objekte të tjera fetare apo publike.1 ambjent i brenshem

Koha, në të cilën ushtroi sundimin e vet dhe prania reale e ndërtimeve të mira e të forta, që ai kreu në krahinën e Sulovës e përreth, e bëjnë figurën e tij më  të prekshme. Natyrisht, çka ka mbërritur deri në ditët tona nga jeta dhe kontributi i tij, është e mbështjellë me shumë rrëfime interesante dhe fakte të hulumtuara në dokumentet e kohës, e që hedhin dritë.  1 CezmaHaxhi Sali Bej Përrenjasi rridhte nga një familje e madhe dhe e njohur në ato kohëra në Labëri, pjesëmarrëse në luftëra e kuvende. Haxhi Sali Bej Përrenjasi erdhi në krahinën e Sulovës në moshë fare të vogël, pasi aty kishte të martuar hallën e tij, në derën e bejlerëve të Përrenjasit të Sulovës, dikur derë e parë e qendër kazaje e Sulovës. Rruga e karvaneveHalla e tij nuk kishte fëmijë dhe e mori si djalë. Dhe, kështu ai u bë dhe trashëgimtar i një pasurie të madhe që ajo zotëronte dhe më vonë u bë pari i krahinës së Sulovës i një dere me emër e ndikim jo vetëm në Sulovë, por edhe në gjithë trevat e Jugut. Haxhi Sali Bej Përrenjasi jetoi e veproi në periudhën e pashallëqeve të Shqipërisë.  Në rini shkoi në Mekë për haxhillëk dhe kur u kthye, mori emrin Haxhi, me të cilin u thirr e u njoh. Duke iu përmbajtur zakonit të bukur të kohëve të hershme, të muhamedanizmit, një pjesë të pasurisë e përdori për vepra bamirësie. Në Sulovë, një sërë toponimesh njihen me emrin Haxhi Sali Bej Prrenjasi, si çezma, ujësjellësa, ura, rrugë, xhami, ndërtime si shenja të zhvillimit ekonomik të krahinës së Sulovës në periudhën e qeverisjes së tij. Më shumë këto i ndërtoi në Përrenjas të Sulovës, e cila në këtë kohë ishte qendër administrative, kaza, duke u kthyer në qytezë mesjetare. Në Përrenjas rindërtoi fortifikimin mesjetar, ndërtoi saraje, xhami, ujësjellës, furrë buke madje edhe burg. Edhe sot në Përrenjas  të Sulovës ekziston fortifikimi. Brenda mureve të saj jetojnë  brezat pasardhës. Këta dallohen nga pjesa tjetër e banorëve të krahinës për mënyrën e sjelljes dhe të jetuarit. Ndaj atyre edhe sot u thërrasin bejlerë. Një pjesë e tyre në rrjedhat e viteve janë larguar në krahina të tjera. Deri  vonë “familja e madhe e bejlerëve” është shikuar me një sy tjetër nga politikat shtetërore, ndërsa nga banorët e krahinës  gëzonin admirim për traditat e respektit dhe vlerave humane.

Si vepra më e madhe ishte ura mbi lumin Devoll në Kadipashaj (Sot vendbanimi Lumas i rrethit të Elbasanit), e përjetësuar me emrin e tij. Kjo urë në fakt ishte i vetmi mjet komunikimi gjatë rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, që përbënte një lidhje të domosdoshme me krahina të tjera e qytetet treg, si Elbasani e Berati, ku  kryehej  më shumë tregtia në këtë periudhë. Lumi Devoll gjatë gjithë historisë së tij, në periudhën e dimrit e sidomos të shirave, ishte i pakalueshëm dhe kërkonte patjetër një lidhje. Urë për të cilën tregohen shumë histori gojore. Më e njohur është kjo: “Thonë se  beu shkoi tek një hoxhë i mirë. Hoxha i thotë  se duhej që ai të fillonte të ndërtonte vepra bamirësie për njerëzit dhe nuk duhet që të merrte asnjë përfitim nga ndërtimi i tyre. Ndaj ai vendosi të ndërtonte edhe këtë urë, që mbeti ndër breza si punë e mirë e tij”.  Me tej gojëdhëna vazhdon:“ Do ta ndërtojmë urën, që të mos e shkulin më valët e lumit Devoll, -u tha banorëve. Në fillim dogji 5 furra me gëlqere dhe i la shumë vite në gropë. Me vonë grumbulloi qindra metra kub gur të bardhë e të fortë nga mali i Goricës. Kur u bë gati t’i hynte punës, dërgoi njerëz në Opar ,që ti sillnin ustallarë të zgjedhur, më të mirët e asaj kohe në punimin e tyre. Beu i çoi ustallarët në brrylin e lumit dhe ju tha se aty ai kërkonte që ata të ndërtonin një urë me gurë. “Filloni nga të doni, vetëm urën e dua ta ndërtoni sa më shpejt dhe të fortë”, – u tha beu ustallarëve. Ustallarët iu përgjigjën beut se ishte e pamundur ndërtimi i urës atje. Beu e kuptoi se pa gjë nuk bëhej dhe mori një pale hejbe me monedha floriri dhe i hodhi në ujë. Ustallarët kur panë monedhat që hidheshin në lumë i thanë: “Kështu mund të ndërtohet ura”. Ata filluan menjëherë nga puna. Me muaj të tërë vijoi ajo. Beu urdhëroi që kafshët e punës e meshkujt në moshën e punës, të punonin për urën. Të mbanin materialet: gurët e gëlqeren nga mali i Goricës, drurët nga pylli i Radshit. Ndërtimi qe një punë e vështirë e u shoqërua edhe me kohë të keqe, me shira e shtrëngata, por në fund ura u ngrit e bukur  dhe me tre harqe. Mjeshtërit e njohur oparakë i gdhendën gurët mirë e bukur, ngritën këmbë të forta të urës dhe mbi to shtruan trasenë me gurë pllakë të gdhendur si pasqyrë. Dhe, një ditë pasi kishte mbaruar së ndërtuari, beu bëri një festë të madhe dhe theri qindra kokë bagëti. Dhjetra kokët e  bagëtive i futi në themelet e urës për kurban. Lëkurët e bagëtive i shiti në pazar të Beratit”.

Për urën e Kadipashajt ka dokumenta arkivore. Studiues e udhëtarë të huaj, që kanë kaluar në  krahinën e Sulovës kanë shkruar. Ami Bue në “Rezueil d’itinerarires doms la turquic”, 1854, faqe 319 ka shkruar: “Në mesin e shekullit të XVIII sundimtari Haxhi Sali Bej Përrenjasi ndërtoi urën e Mollasit (Kadipashajt) mbi Devoll në Gostimë me 3 qemerë. “ Kjo urë është projektuar e ndërtuar nga kryearkitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasemi nga Tomorrica”,- shkruan studiusi Valter Shtylla  në botimin e tij “Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri’’, faqe 205.

Në mënyrë të veçantë, Haxhi Bej Përrenjasi do të linte gjurmë në ndërtimin e degëzimeve të rrugës së karvaneve Elbasan- Berat, që kalonte në Sulovë. E rëndë ishte gjendja e rrugëve, sa vendbanimet e Sulovës ishin të veçuara nga njëra – tjetra dhe krahina e pashkelur. Deri në fillim të shekullit XX ishin rrugë të rregullta. Nga qendra e zotërimeve të tij, në Përrenjas, ai i ndërtoi në disa drejtime: Mollas – Qafë e Grekanit – Përrenjas, Ura e Kadipashajt – Dragot – Qafë e Grekanit – Përrenjas. Darzezë – Kuturqarë – Kukucovë – Përrenjas, për të lidhur fshatrat e zotërimeve të tij e të zonave përreth. (shiko në librin “Legjenda nga rrethi i Gramshit” fq. 160) Këto degëzime i lidhi me rrugën e karvaneve Elbasan- Berat, që kalonte luginës së Devollit.

Tjetër arritje e tij ishin ujësjellsat që ndërtoi në disa fshatra, Përrenjas, Tunjë,  Dufshan etj. Ka qënë i njohur ujësjellësi i Përrenjasit, që vinte nga thellësitë shkëmbore të malit të Goricës së Çobanit, në toponimin Grekan, ndërmjet një kanali me tuba qeramike e mur guri.

Elementët e trillimit popullor të aty-këtushëm, Haxhi Sali Bej Përrenjasin, e përmendin  edhe si keqbërës apo mizor. Gjithsesi, këto nuk e zbehin figurën e tij.  Përveç pasurisë që trashëgoi, Haxhi Sali Bej Përrenjasi, siç ishte koha atëherë, siguroi përfitime dhe mbështetje nga administrata turke me taksa, duke e zgjeruar territorin e pasurinë e tij, akoma më shumë me ara, pyje, bagëti. Megjithë mugëtirën që ka lënë koha, rrëfimi i disa historive vjen i shkruar nga studiuesi i trevës së Sulovës, Petrit Basha, në librin “Legjenda nga rrethi i Gramshit”, faqe 159. “Edhe një në Mollas të Elbasanit, Rrapush Venari, nuk ia dorzoi tokën beut dhe ndenji firar arratisur në pyll fshehur, kaçak. Po ta kapte Axhiu e ziente në valë’’.  Një tjetër histori e treguar: “Kush i kundërshtonte e të mos i bindej e egzekutonte, duke paguar njerëz dhe duke i varur në vidhin shekullor pranë fortifikimit”.

Në fund të viteve 1700, Pashallëku i Beratit, ku bënte pjesë  krahina e Sulovës në kohën e sundimit të  Haxhi Sali bej Përrenjasit, hyri në luftë me Pashallëkun e Shkodrës, të cilët donin të shtrinin zotërimet e tyre për t’u zgjeruar. Bushatllinjtë e Shkodrës, me oreksin e madh që kishin, u përpoqën të zgjeronin zotërimet e tyre, duke u shtrirë jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por edhe në Jug.  Pengesë u bënë pashallëqet e Elbasanit, Beratit, Peqinit. Pashai i Shkodrës kërkonte t’i shtrinte zotërimet më tej, deri tek ato të Kurt Pashës së Beratit.  Prandaj në vitin 1785 Mustafa pasha i Pashallëkut të Shkodrës me forca të shumta në Gostimë, buzë lumit Devoll, zhvilloi luftime të ashpra me forcat e Pashait të Beratit. Për mbështetjen që i dha Sulova Ahmet Kurt Pashës së Beratit, me anën e sundimtarit të Sulovës Haxhi Sali Bej Përrenjasit, Pashai i Bushatllinjëve të Shkodrës me artilieri i shkatërroi kullat e fortifikuara në Sulovë dhe garnizonet e Ahmet Kurt Pashës së Beratit.

Historiani Stavri Naçi në studimin e tij “Pashallëku i Shkodrës nën sundimin Bushatllinjëve”, botim i vitit 1964, faqe 165, është përpjekur të  shkruaj për një rrjedhë ngjarjesh në lidhje me figurën e Haxhi Sali Bej Përrenjasit. “Krahina e Sulovës me Haxhi Sali Beun e Përrenjasit mbante anën e Ahmet Kurt Pashës. Kara Mahmudi i Bushatllinjëve,me qëllim që të mund të nënshtronte më mirë gjithë sanxhakun dhe për të lehtësuar fitoren kundër Pashës së Beratit, dukej se kishte shpallur faljen e gjithë kundërshtarëve që nuk do t’i kundërshtonin me armë dhe do të kontribuonin në mbajtjen e ushtrisë së tij me ushqime. Haxhi Sali Beu për të fituar kohë, gjersa nga Berati t’i vinin përforcime ushtarësh, njoftoi Bushatlliun me letër, se do të mbante anën e tij dhe do ta ndihmonte me ushqime. Sipas kësaj letre, Kara Mahmudi u nis nga Elbasani ditën e dielë, më 21 Gusht 1785 dhe mbërriti në Gostimë pas katër ditësh, pasi krahinën e Sulovës dhe veçanërisht Haxhi Sali Beun e fali. Ndërkohë, Haxhi Sali Beut i erdhën nga Berati dhjetë bajraqe ushtarësh. Atëherë ai shpalli se mohonte gjithçka kishte premtuar. Kështu lufta me të u bë e pashmangëshme”.

Në Arkivin Shtetëror Shqiptar, fondi i përzierë, në dosjen 22, një dokument pasqyron qartë këto luftime: “Kara Mahmudi i Bushatllinjëve dërgoi kundër beut të Përrenjasit një pjesë të ushtrisë së vet. Sulmit të shkodranëve, Beu i Përrenjasit nuk iu mbajt dot, u thye dhe ia mbathi këmbëve, i ndjekur gjer në afërsi të malit të Tomorrit. Mbi njëqind të vrarë dhe po aq robër mbetën nga forcat e Haxhi Sali Beut dhe njëmbëdhjet të vrarë e gjashtë të plagosur nga ushtarët e Bushatlliut. Për ndëshkim të krahinës së pabindur dhe prijësit të saj, Kara Mahmudi  urdhëroi të digjeshin nga gjashtë kulla për çdo fshat, si dhe sarajet e Haxhi Sali Bej Përrenjasit”. Pas kësaj përplasje, pasuria e pozita e Haxhi Sali Bej Përrenjasit në krye të kazasë së Sulovës pësoi rënie. Pasurinë e tij pas vdekjes e trashëgoi i nipi, Dule Beu, por jo me grykësinë e bëmat e gjyshit. E megjithatë, ndikimi i Haxhi Sali Bej Përrenjasit do të vazhdonte për shumë kohë edhe pas vdekjes së nipit.

Shekujt që kanë kaluar me sundimet e ndryshme, dora shkatrrimtare por edhe agjentët atmosferikë kanë zhdukur mjaft gjurmë të ndërtimeve të bamirësit nga Sulova, Haxhi Sali Bej Përrenjasi. Si dëshmi kanë mbetur pak fragmente dhe kujtimi se dikur këtu ka qenë një ndërtesë, ujësjellës, rrugë, ura.

Haxhi Sali Bej Përrenjasi me bamirësitë e tij në ndërtimin e veprave të domosdoshme, është thesar i historisë, krenari e një fisi, një krahine si Sulova. Nga autorët e ndryshëm më shumë është marrë studiuesi dhe folkloristi nga Gramshi, Petrit Basha. Veçse një monografi për figurën e Haxhi Bej Përenjasit do ta plotësonte me tej atë. Mbetet dëshirë e madhe, që të paktën një ditë do të kujtohen studiuesit e kësaj treve të hedhin më shumë dritë për figurën e tij me fakte e të vërteta historike.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Haxhi Isufi Prrenjasi, Pellumb Gorica

GJYKATA PENALE E SHKUPIT, LAGJIA E TRIMAVE DHE POLITIKANET SHQIPTARE

November 3, 2017 by dgreca

1 Lagja e TrimaveGjykimi për “Lagjen e Trimave”nga Gjykata Penale e Shkupit përshpejton shkatërrimin  e Maqedonisë!/

1 asllan dibraniShkruan luan-Asllan Dibrani/Vendimi për “Kumanovën”: 746 vjet burg për të akuzuarit,për  shtatë pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës me vdekje është një proces i montuar politik në që po përcillet gjate historisë me shqiptaret. Kjo që po ndodh sot në këtë shekull është një skadalitet i pa parë në skenën politike botërore!?.

Pamje nga gjykimi  i shqiptarëve për shkaqe te lëvizjeve drejt bashkimit kombëtar ,”politikane shqiptar mos e turpëroni  votën qe ju dha populli”  dilni zot këtyre djemve që synim kanë kombin! 

Nga kjo që ndodhi  në Maqedoni dhe po vazhdojnë   me skenar të dirigjuar  nga qarqe sllave  po i fyejnë zjarrit që Maqedonia të përflaket sa ma  parë në një rrugë të pa krye, qe sipas kësaj ky Gjykimi për “Lagjen e Trimave”nga Gjykata Penale e Shkupit po e përshpejton shkatërrimin  e Maqedonisë!Ky dënim aq i madh ndaj shqiptarëve, në historinë e Maqedonisë artificiale, që u ndërtua  në dëmin e shqiptarëve si Republikë, është për ta  denoncuar edhe pran  qarqeve ndërkombëtare.

Politika e Tiranës dhe e Prishtinës nuk duhet të rrinë   si spektator pran këtij  procesi antishqiptar, aq dramatik por  duhet ta thërrasin faktorin ndërkombëtar dhe “te lirohen  shqiptarët  që po dergjen nëpër burgjet  sllavom-maqedane”.Kjo iu ndodh vetëm shqiptarëve në Ballkan, që duan të jenë të lirë dhe të bashkuar ,por jo grekëve qe pastruan shumë toka me shqiptarë  nga  Çameria ,maqedonaseve,serbeve dhe malazezeve qe rrudhen tokat tona me  skenar të tillëve  dhunë dhe terror. Shqiptarët dhe populli  shqiptar në Maqedoni  u manipuluan nga “liderët” e rrem,qe u sollen aq keq me ta,sa që sistematikisht e degraduan e zhgënjyen dhe çka ndodhi  si pasojë e kësaj një pjese e mire e tyre filluan te identifikohen si turq, goran, terbesh…e një pjesë e tyre ne mungese te shkollimit adekuat ja mësynë xhamive,dhe prapambeutrisë …Kjo i shkoj për shtati sllavëve maqedon dhe pas 30 vite nga rënia e komunizmit ,po luajnë me shqiptarët si” maca me miun”

Formimi i shumë partive  tek shqiptarët e Maqedonisë  madje edhe parti të huaja siç është ajo turkja, shqiptarët  i ndau edhe më shumë, po ja lehtëson  një grusht maqedonasish  të  qeverisin dhe t’i vrasin e terrorizojnë shqiptarët, sot në Ballkan pa të drejtë.

Duhet ta kërkojmë të keqen  në shtëpinë tonë, qe për fat te keq udhëheqësit e shqiptarëve,me shekuj janë në lufte me njeri-tjetrin, për poste  të shteteve të huaja për privilegje dhe benefite,por jo për “atdhe dhe komb”. Uroj që shqiptareve,t’iu jep Zoti,atë që iu mungon;mendjen e shëndoshë,atdhetarinë,besnikërinë kombëtare dhe sakrificën për territore që na mbeten në trashëgimi,nga Zoti dhe paraardhësit tanë pellazg dhe ilir!

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Gjykata Penale e Shkupit, Lagna e Trimave

Shqipëria do të bëhet…

November 3, 2017 by dgreca

Një tregim për mikun tim/

reshat foto

Nga Reshat KRIPA/E njoha shumë vite më parë në kondita të jashtëzakonshme.  Isha i burgosur në qelinë nën rampën e shkallës, që të çonte në katin e dytë të godinës së sigurimit. Fare pranë saj, nën shesh pushimin, ndodhej një qeli tjetër, që formonte me qelinë time germen L. Dritaret e vogla me hekura ndodheshin aq pranë njera tjetrës, sa nëpërmjet tyre mund të komunikoje ose shkëmbeje ndonjë send. Atë e prunë një natë vonë. Duhet të kishte kaluar mesi i natës. Dëgjova këmbët e gardianëve që zbrisnion shkallët dhe mendova se mos vinin për të më marrë mua. U ngrita ngadalë dhe pashë nga dritarja. Atë po e binin duke e hequr zvarrë. E kishin torturuar aq shumë, sa nuk mund të qëndronte dot në këmbë. E përplasën në qelinë ngjitur dhe u larguan nga kishin ardhur.

U afrova në dritare dhe i fola me zë të ulët që të mos më dëgjonte roja e brendëshmje që kishte kaluar nga qelitë e tjera:

– Hej, kush jeni? Nga vini?

Asnjë përgjigje. Nga qelia pranë vinte një rënkim i mbytur, por atë nuk e shikoja. E përsërita edhe një here pyetjen. Mbas pak pashë një fytyrë të gjakosur, që u ngrit me vështirësi  dhe duke u mbajtur mbas hekurave të dritares

– Ujë! – tha me gjysmë zëri.

Vështrova rreth e rrotull dhe kapa shtëmën e vogël që mbaja me ujë dhe u mundova t’ia jepja, por hekurat nuk e lejonin. Sytë më vajtën te këpucët e mia. Mora njerën, e mbusha me ujë dhe ia dhashë. E piu me një frymë. Ia mbusha përsëri dhe e piu po ashtu deri sa e mbaroi të gjithë shtëmën.

– Faleminderit, nuk do t’ju a harroj kurrë! – më tha.

Mbasi e mori pak veten më tregoi emrin e tij. Ishte një moshatari im, nxënës i vitit të parë të shkollës tregëtare. Biri i një ish tregëtari të njohur të qytetit. Ishin gjashtë veta në familje., dy prindërit, një motër dhe tre vëllezër. Motrat e tjera ishin të martuara. U kishin shtetëzuar gjithçka, fabrikën e vajit, dyqanin, ullinjtë dhe tani jetonin vetëm me rrogën e së motrës apo duke shitur herë mbas here plaçkat e vyera të shtëpisë. Një vit më parë i kishin dënuar edhe njërin nga vëllezërit.

Çfarë krimi kishte kryer që e kishin burgosur? Asgjë më tepër, por vetëm e vetëm se kishte guxuar të shkruante nëpër fleta fletoreje, vargje patriotike të marra nga poetë të ndryshëm, të cilat i ngjiste nëpër muret e qytetit, së bashku me dy shokë të tjerë të moshës së tij. Ja se çfarë shkruante në njerin prej tyre:

“ E dashura mëmëdhe,

   Të dua dhe kështu si je,

   Por kur të të shoh të lirë,

   Do të të dua më mirë! “

Kaluam së bashku në qelitë pranë njëra tjetrës për gjashtë muaj. Pastaj mua më dënuan dhe më hoqën prej andej. Mbas pak kohe u dënua edhe ai, por fati e solli që të endeshim nëpër burgje dhe kampe të  ndryshme,   por   asnjëherë  të  mos  takoheshim  së bashku.

U takuam mbas shumë vitesh. Ishte martuar, lindur fëmijë. Punonte si murator në sektorin  e investimeve të ndërmarrjes bujqësore “ Vlora “.

Viti 1990. Një erë e re lirie filloi të fryjë mbi vendin tonë. Sytë  e  mikut tim filluan  të

ndriçojnë   nga  shpresa  për  të  ardhshmen,.  U  angazhua  me  përkushtim  në Shoqatën e të Përndjekurve Politikë të vendit si antar i forumeve drejtuese të saj. Nuk u angazhua në asnjë prej forcave të reja politike të krijuara në atë kohë.

Ngjarjet e vitit 1997 e tronditën së tepërmi. U tërhoq nga të gjitha aktivitetet  dhe u mbyll brënda vetes së vetë. Vitet e fundit nuk e takova më. Më thanë se kishte shkuar për të banuar në fshatin e gruas së tij.

Vendosa të shkoj për ta takuar. Mora autobuzin e linjës dhe u nisa. Banonte në shtëpinë e vjehrit të tij. Kur u afrova te porta e shtëpisë dëgjova një zë që këndonte një këngë të vjetër. Trokita. Asnjë përgjigje. Trokita për së dyti dhe përsëri asnjë përgjigje. Atëhere hapa portën dhe hyra brënda. Bëra disa hapa dhe qëndrova pranë portës së hapur të njërës nga dhomat e shtëpisë. Aty pashë mikun tim të ulur pranë një tavoline me kokën të futur midis pëllëmbave të duarve të tij. Disa letra të shkruara ishin përhapur mbi tavolinë. Miku po këndonte me një zë të ulët:

“ Në kohën e pleqërisë,

              Më zunë hallet e rënda,

              Për shkakun e Shqipërisë,

              Që s’u bë si ma kish ënda! “

U kollita që ta zgjoja nga ëndrrat ku ishte zhytur.  U kthye, më pa me habi dhe u ngrit në këmbë. Për një çast mbetëm, të dy pa folur.

– A pranoni miq! – i fola më në fund.

– Miqtë e mirë në shtëpi të mirë, – u përgjigj duke më përqafuar me mall.

U ulëm dhe filluam të bisedojmë. Sejcili tregonte ngjarjet e veta. Folëm dhe qamë hallet ashtu si nuk i kishim qarë ndonjëherë. Për herë të parë aty mësova disa anë të karakterit të tij që nuk i kisha njohur më parë.

– Kur u lirova nga burgu, – filloi të tregonte miku për veten e tij, – kërkova të vazhdoj shkollën e mesme. Ishte një dëshirë e madhe e imja. Pas shumë pengesash më në fund më lejuan. Por gjatë katër viteve të shkollës ndieja mbas vetes diskriminimin që më bëhej nga një pjesë e mësuesve apo edhe deri nga nxënësit e klasës.  Vendosa që kësaj t’i kundërvihesha  me rezultate të larta. E mbarova shkollën shkëlqyeshëm.

U ngrit hapi një sirtar dhe nxorri prej andej dëftesën e pjekurisë që e ruante me kujdes të madh. Ma tregoi pa më thënë asnjë fjalë. Kur e hapa një drithtërimë më përshkoi të gjithë trupin. Dëftesa fliste vetë. Pranë çdo lënde ishte shënuar nota “ 10 “ dhe pranë saj shënimi  “ shumë mirë “.

– Po pastaj? E pyeta pa e ditur edhe vetë përse.

– Pastaj? Asgjë. Isha i vetmi i klasës që nuk m’u dha e drejta e studimit për shkollën e lartë. Megjithatë një gjë të tillë e prisja.

Mbasi qëndroi një cope herë pa folur vazhdoi:

– E paharruar do mbetet për mua mbrëmja e maturës. Meqënëse  ne,  maturantët  e shkollës së mbrëmjes, ishim pak, këtë e zhvilluam së bashku me ata të ditës. Kur mbrëmja arriti kulmin e saj, siç ishte zakon në raste të  tilla,  filloi  ndarja  e  fletëve  të  nderit.  Emri  im  nuk u dëgjua. Nxënësit filluan të pëshpërisin me  zë  të  ulët.  Të  gjithë  i  dinin  rezultatet  e  mia.  Unë qëndroja i heshtur në qoshkun ku ndodhesha. Atëhere drejtori i shkollës për të përmbysr këtë gjendje, ndërhyri  me  shpejtësi  dhe  propozoi që,  sipas dëshirës, të recitohej ndonjë  poezi,  të  tregohej  ndonjë  anekdote, a po  gjëra  të  tjera  të  këtij  lloji. Për  të  dhënë

shembullin e filloi vetë me një të tillë. Pastaj vazhduan dhe të tjerë. Gjëndja ndryshoi.

Papritmas më lindi idea se duhej të bëja diçka., duhej t’i kundërvihesha këtij diskriminimi.  U ngrita dhe thashë se do recitoja diçka. Nuk foli asnjeri. Fillova të recitojë poezinë “ Ultima Verba “ të Viktor Hygoit, strofën e fundit të së cilës e kisha përdorur dikur  në traktet e mia:

“ Njëmijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,

               Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem jo q’aty,

               I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,

               E në mbet vetëm një, unë do jem ay! “

Një veprim i tillë nuk e di se si më shpëtoi nga një burgim i dytë. Ndoshta fati im.

U ngrit, hapi një dollap, nxorri dy gota dhe një shishe raki dhe mbasi i mbushi m’u drejtua:

– Gëzuar, le të pimë për këtë takim!

– Për miqësinë tone! – u përgjigja unë.

Biseduam gjatë. I tregova për jetën time. Folëm për shoqatën tonë, për partitë politike, për Shqipërinë.

– Kur hyra dëgjova që po këndoje një këngë të vjetër, – i thashë.

– Jetuam një gjysmë shekulli në skëterrë dhe kur shkrepi dita e lirisë, menduam se më në fund ajo do të na jepte edhe neve atë dritë që na kishte munguar. Por u zhgënjyem. Me lirinë u spekullua. Ajo u bë pronë e varrmihësve të saj. Ata u bënë papritur ithtarët e saj, kurse ne mbetëm në hije. Lirinë duhet ta administrosh mirë, përndryshe mund ta humbësh në çdo çast. Kështu e pësuam edhe neve.

Më 20 shkurt 1991 rrëzuam monumentin e diktatorit. Atëhere menduam se bashkë me të rrëzuam edhe përbindëshin që na kishte shtypur për gati një gjysëm shekulli. Por koha tregoi se kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti,  ndërsa shpirtin e zi të tiranit e kishim lënë të lirë të endej nëpër vendin tonë, për të komplotuar dhe përgatitur  katastrofën e madhe kombëtare të vitit 1997. Ndaj më pëlqen shumë ajo këngë e vjetër të cilën e këndoj shpesh herë me veten time.

Më vjen shumë keq, por në këtë valle u futën edhe disa nga njerëzit tanë. Me siguri ata i kishin mbetur borxh diktaturës dhe tani po ia kthenin atë.  Edhe njëherë liria pushoi së ekzistuari. Edhe njëherë filloi të shtypet mendimi i lire. Edhe njëherë filloi të sundojë shtypja dhe diskriminimi. U rikthyen përsëri vitet e para të mes shekullit të kaluar. I vetmi ndryshim ishte se  ndërsa atëhere flitej me gjuhën e mbrojtjes së fitoreve socialiste, sot flitet me gjuhën e pseudodemokracisë që sundon vendin. Dhe kjo është shumë më e rrezikshme. Sot në Shqipëri mungon nocioni i ligjit dhe ku nuk  ka  ligj,  nuk mund të ketë as shtet.

Miku heshti përsëri. Kthyem gotat e rakisë. Pinim dhe vazhdonim bisedën tonë, e cila sa vinte dhe bëhej më interesante.

– Sot Shqipërinë e sundon dora e zezë. Eshtë po ajo dorë që masakroi mijra qytetarë shqiptarë, që shkatërroi çdo gjë të mirë që kishte ky komb. Hidhe vështrimin nëpër Shqipëri. Rinia po fluturon nga sytë këmbët, për të siguruar një jetë më të mirë, por që shpesh herë gjen vdekjen. Ata që qëndrojnë këtu janë të uritur dhe nuk gjejnë mjet për të shpëtuar nga kjo gjendje. Korrupsioni po futet në çdo qelizë të jetës. Po  kryhen   vrasje nga më mafiozet. Trafikimi i njerëzve dhe drogës, si dhe prostitucioni janë  në  rend  të  ditës.  Kjo  dorë  e  zezë duhet prerë.

– E si mund të arrihet kjo simbas teje? –  e ngacmova unë.

– Natyrisht jo ashtu si ëndërronte shoferi  furgonit të mishit në “ Dimrin e Madh “ të Kadaresë. Më vjen keq që shkrimtari i madh nuk arriti të kuptojë karakterin tonë. E ç’është për ne hakmarrja e vogël kundër spiunëve pa moral, hetuesve të pashpirt apo gjykatësve kukull, karshi përçmimit të madh të kombit kundër sistemit të urryer që e shpërfytyroi nëpërmjet krijimit të të ashtuquajturit njeri të ri socialist?

Heshti sa për të marrë pak frymë, pastaj vazhdoi:

– Kur u emërua komandant i forcave aleate në Gjermani, gjenerali Ajzenhauer i vuri si detyrë të parë vetes denazifikimin e Gjermanisë. Kurse ne nuk e bëmë dekomunistifikimin e Shqipërisë. Për këtë mungonte dëshira sepse njerëz të ndershëm për këtë ka plot. Por ata janë lënë në hije. Vendin e tyre e kanë zënë ata që në vitin 1992 fshiheshin si struci, ndërsa sot kanë veshur petkun luksoz të demokratit.

– Pendë  këndezi kunadhja vënë, – e ndërpreva unë  duke

cituar  vargjet  e  fabulës  së famshme.

– Pikërisht ashtu. Para pak kohe gjatë një ndeshje futbolli në stadiumin e Romës u çfaqën disa parrulla naziste. Kjo mjaftoi që të ngrinte në këmbë opinionin publik dhe bashkë me të edhe qeverinë italiane. Kurse te ne vazhdon të hymnizohet diktatura nëpërmjet gazetave dhe televizioneve, nëpërmjet shkollave dhe konferencave. Në rradhë të parë të kësaj fushate janë vetë pushtetarët.

Padashur vura buzën në gaz. Ai e vuri re, më pa me vëmendje dhe vazhdoi:

– Ata nuk kanë kurajon të pranojnë se ishin dritshkurtër, kur besonin verbërisht në komunizmin e dështuar që në lindjen e tij. Ata nuk kanë kurajon të pranojnë të vërtetën edhe atëhere  kur janë të bindur për ekzistencën e saj. Ata janë gati të pranojnë çdo lloj flirti, vetëm e vetëm të mos u preken interesat e tyre të ngushta.

– Po e vërteta? – e pyeta unë.

– Ajo do të dalë kur të vendoset demokracia e vërtetë. Kur të shkrijë dëbora do të zbulohen si lulet edhe plehrat. Kështu është edhe demokracia. Ajo shpërndan mjegullën, ndan të vërtetën nga gënjeshtra, tradhëtinë nga patriotizmi. Ajo ndëshkon fajtorët.

– Çfarë po shkruan ? – e pyeta mikun duke dashur të ndërrojë temën e bisedimeve.

– Jetën time dhe të miqve të mi. Shtrydh kujtesën dhe nxjerr ngjarjet më të rëndësishme që më kanë ndodhur mua, apo m’i kanë treguar miqtë e mi. Janë ngjarje që nuk duhen harruar. Janë një dhuratë për brezat e ardhshëm.  Eshtë detyra e jonë t’i shkruajmë, për t’iu a kaluar atyre. Nuk janë kushedi se çfarë, por mendoj se duhen treguar. Por më parë lejomë të të tregoj një ngjarje që më ka ndodhur shumë vjet më parë.

Përplasëm përsëri gotat e rakisë duke uruar njeri tjetrin, pastaj miku vazhdoi:

– Vazhdoja vitin e parë të shkollës së mesme të mbrëmjes. Mësues Milo Duni, mësues i nderuar i letërsisë që, mbas disa vitesh, do provonte edhe ai burgun, po shpërndante fletoret e hartimit. Ishte një temë e lirë mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Për habinë time vura re se në fletoren time nuk kishte vënë notë. Në vend të saj ishte shkruar me laps blu:

– Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime.

Ndërsa më poshtë vazhdonte të shkruante me laps të kuq të vendosur në thonjëza

“ Po  të kesh kohë të lirë! “

Më bëri përshtypje ky detaj. Isha relativisht i ri, pa preokupime të mëdha familjare dhe si rrjedhojë kisha plot kohë të lirë. Ç’donte të thoshte mësuesi me fjalët në thonjëza, shkruar me laps të kuq?

Megjithatë ndoqa këshillën e tij. Shkrova një tregim ku  personazhi  kryesor  ishte  një

fëmijë jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës. E dërgova për botim në gazetën “ Letrari i ri “ që botohej në atë kohë. Mbas disa ditësh mora një përgjigje lakonike ku thuhej se shkrimi im nuk mund të botohej  mbasi i mungonin disa kërkesa të kohës.

Atëhere e kuptova se ç’donte të thoshte mësuesi me fjalët në thonjëza  E kuptova se për shkrimet e mia do të qëndronte e ndezur drita e kuqe që do ndalonte botimin e tyre. Kështu që nuk shkrova më. Ndoshta bëra gabim. Mund të kisha shkruar dhe t’i ruaja në shtëpi pa i botuar. Por kështu e mendova.

Solla një shembull fare të rëndomtë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po aq totalitare të artit, për t’iu kundërvënë mendimit të lirë, formulën e realizmit socialist, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe që krijoi vepra standarte që në me të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

Ktheu goten e rakisë dhe e piu të gjithën. Unë e vështroja me vëmendje. Nuk kisha dëshirë të flisja, por rrija dhe dëgjoja atë me një endje të madhe.

– Diktatura përdori të gjitha mjetet për mbytjen e çdo shkëndije të lirisë. Ajo i shpalli luftë inteligjencës së trashëguar nga e kaluara e vendit, duke e eliminuar atë plotësisht. Nuk janë të rralla rastet kur shkencëtari, fillozofi, shkrimtari, gazetari apo artisti dërgoheshin para togave të ekzekutimit. Të tjerë do provonin për vite me rradhë qelitë e errëta të burgjeve, denigrimet e kampeve të internimit, nga ku një pjesë e mirë prej tyre nuk do të ktheheshin më kurrë.

Por talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat apo prangat e hekurta në vend të nënshtrimit apo lirisë së përdhunuar.  Të tjerë heshtën dhe nuk shkruan më. Një pjesë e tretë nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte të koncentruar brënda vetes një kod të brëndshëm demokratik të lirisë dhe bukurisë njerëzore. Një kategori tjetër zgjodhi një rrugë  më të maskuar dhe më pak të rrezikshme. Brënda veprave të tyre që, natyrisht nuk mund të dilnin jashtë suazës në të cilën jetonin, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera indirekte, jepnin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë.

Veprat e këtyre talenteve patën meritën se mbajtën  gjallë  ndërgjegjen  kombëtare të vendit, qoftë edhe si ushqim i ëndrrave më intime të individit, se një ditë ato do të bëheshin realitet.  Ato frymëzonin dashurinë për kombin, që në atë varfëri shpirtërore ku e kishte katandisur sistemi, shqiptarët të gjenin veten duke pasuruar shpirtin me ndjenjën e së bukurës, urtësisë, dijes dhe mendimit të lirë.

Miku im vazhdonte të fliste e të fliste me një pasion të madh dhe unë rrija dhe e dëgjoja.

– Por çudia më e madhe më ndodhi në Marsin e vitit 1991. Ishin krijuar partitë e para opozitare. Kishin filluar të dilnin gazetat e para të djathta.  Mendova se kishte ardhur koha e ime. Bëra një shkrim ku flitej për televizionin shqiptar dhe problemin e refugjatëve. E dërgova për botim në njerën prej tyre. Mbas një fare kohe mora përgjigjen e mëposhtme nga kryeredaktori i saj:

“ Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj! Nuk mund ta botojmë për dy arsye.  E para ne nuk polemizojmë me televizionin shqiptar dhe e dyta ngjarja kryesore që përballoni në shkrimin tuaj, ajo e refugjatëve, është trajtuar te ne dhe tani mendojmë të trajtojmë probleme të tjera. “

U habita pa masë. Polemizimi i gazetës me televizionin vazhdoi edhe për një kohë të gjatë, ndërsa problemi i refugjatëve, vazhdon të trajtohet edhe në ditët tona. Siç e shihni ishte një përgjegje e ngjashme me atë të shumë viteve më parë.

Megjithatë kësaj here nuk hoqa dorë. Shkruaja dhe i botoja në gazeta të ndryshme që tani ishin shumuar, sidomos në gazetën “ Liria “.

Këto tregime i kam shkruar edhe për fëmijtë e mi. Dua që ata ta njohin më mirë periudhën në të cilën ka jetuar babai i tyre dhe të mos gabojnë aty ku unë mund të kem gabuar. Vajzat i kam shumë larg, në Amerikë, ndërsa djali punon në Tiranë. Jeton atje me gruan dhe vajzën. Nguli këmbë që të na mbante edhe ne atje, por unë e kundërshtova. Më ishte mërzitur jeta  pa kuptim e qyteteve tona, zhurma e saj e madhe politike. Tani jetoj i qetë këtu, larg gazetave që nuk vinë kurrë, bile edhe lajmet i dëgjoj fare pak në televizor. Kështu shijoj këtë ajër të pastër dhe dëgjoj këtë këngë bilbilash, ku frymëzimi të vjen vetë. Gruaja ka shkuar për të parë vajzat dhe kthehet mbas dy javësh.

Vura re se ishte i kënaqur me këtë lloj jete. Kishte gjetur qetësinë shpirtërore. Në atë kohë ra zilja e celularit.që mbante me vete. Ishin vajzat. I qeshi fytyra dhe filloi të bisedojë me to me gjallëri.

– Vajzat, – më tha kur mbaroi bisedën. – marrin çdo dy javë. Dje mori edhe djali. Ai merr më shpesh. Ka merak për mua.

U ngrit, hapi një sirtar dhe nxorri prej andej një sërë shkresash të shkruara me makinë shkrimi.

– Janë krijimtaria ime, fjalime, kumtesa, tregime e të tjera të shkruara nga unë.

I mora dhe fillova të lexoj titujt e tyre. Pastaj iu drejtova atij:

– A mund t’i lexoj?

– Po, patjetër, – u përgjegj ai.

Atëhere u hoqa mënjanë dhe fillova të lexoj shkrimet e mikut tim.

Ora ra dymbëdhjetë. Kishte ardhur mesnata. Ndërkaq miku kishte përgatitur darkën. Vazhduam bisedën tonë deri afër mëngjesit.

– Përse nuk i boton? – i thashë

Nguroi të më përgjigjej. E pashë që nuk vendoste dot. Shkëputja nga jeta e përditëshme e kishte bërë të pavendosur.

– A t’i marrë unë për t’i botuar?

Nuk më ktheu përgjigje. Unë këmbëngula deri sa më në fund e bëra të pranonte.

Isha njohur me të shumë vite më parë, por vetëm sot po njihja karakterin e tij të lartë, shpirtin e tij të zjarrtë, mendjen e tij të hollë, mendimet e tij të thella. Vrisja mendjen se ç’mund të ishte bërë ky njeri po të mos e pengonte koha. Herë e përfytyroja si shkrimtar, herë si mjek, herë si psikolog dhe herë si financier, dhe kisha bindjen që në sejcilën degë që të kishte ndjekur ai do të shkëlqente. Mjafton t’i hapej rruga, t’i jepej dora që i mungoi. Por atë e rrëzoi burgu, e vrau diktatura. Edhe pas ndryshimeve nuk u kujtua njeri për ta ngritur, për t’i gjetur vendin që i takonte. Pas kaq vitesh diskriminimi ai kishte nevojë për këtë përkrahje. E krahasoja mikun tim me disa pseudo-intelektualë me tituj të fituar me tema absurde si ‘’ Lufta e klasave ‘’ dhe ‘’Kolektivizimi i bujqësise’’  e të tjera dokra si këto dhe më dukeshin fare të vegjël para tij. Megjithatë ata vazhdojnë t’i ruajnë edhe sot këta tituj dhe të drejtojnë shtetin, ndërsa miku im vazhdon të jetojë në fshat i vetmuar.

Çdo të bëjë shteti për të dhe për qindra të tjerë si ai? Ata kanë nevojë për drejtësi, për barazi, për integrim të plotë ekonomik dhe politik në jetën e vendit. Është detyra e shtetit t’i kthejë sytë nga ata. Përndryshe mjerë Shqipëria!

Të nesërmen u ndamë nga njëri-tjetri. Donte të më përcillte, por unë nuk e lashë.    U largova duke shkuar në mendje gjithë atë natë të kaluar me të, ndërsa ai u ul përsëri në tavolinën e punës duke vazhduar këngën që ia kisha ndërprerë unë:                                         

                            ‘’ Shqipëria do të bëhet,

                                Po vallë do ta gëzoj unë??? ‘’

 Tiranë,  më  14   dhjetor   2003

Filed Under: Histori Tagged With: Nje tregim, per mikun tim, reshat kripa

REKUEM PËR TY SHOTË

November 2, 2017 by dgreca

NGA ZGAN HAKLAJ/

1 Shota

E dashur Shotë Haklaj, dhembja për ty na është kthyer në krenari dhe gjaku yt në një pishtar të përjetshëm lirie, të cilin unë së bashku me familjen time, me mijëra demokratë, qindra artistë nga të gjitha trevat e trojeve etnike e përcjellim me krenari si pishtar olimpik në çdo cep të Atdheut.

Ti ngadhnjeve mbi terrorin e errësirën dhe fluturove si shqipe e lirë drejt parajsës, aty ku e kanë vendin djemtë e vajzat si ti të cilët janë martirizuar për Lirinë, për Demokracinë dhe Fjalen e Lirë.

16 vjet më parë ndërrove jetë duke lënë pas emrin dhe shembullin e ndritur të një vajze, e cila ashtu si Shote Galica nuk u tremb përballë çetnikëve e terrorit shtetëror.

Në çdo përvjetor tandin ne vijmë me betimin solemn për të qënë më të vendosur në rrugën në të cilën ti ece, rrugë të cilën ta ndërpreu në mes terrori shtetëror në lulen e rinisë.

Demokratët shqiptarë, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, populli i Tropojës dhe të gjithë ata për të cilët është e shenjtë Liria e Fjalës, të Drejtat e Njeriut dhe Demokracia, të kujtojnë me nderim dhe mirënjohje.

Trupin tënd të njomë do ta tretë dheu i zi.

Guximi yt do të mbetet frymëzim për çlirimin e Fjalës së Lirë nga vargonjtë e pushtetit autoritarist.

Kujtimi yt do të jetë i përjetshēm!

Shpirti yt u prehtë në paqe!

Filed Under: ESSE Tagged With: Azgan haklaj, PËR TY SHOTË, REKUEM

NOBELISTJA GJERMANE UA THOTË TROÇ SERBËVE NË BEOGRAD

November 2, 2017 by dgreca

Në fjalimin e saj, në Ekspozitën Ndërkombëtare të Librit në kryeqytetin serb, shkrimtarja Mueller citohet tu ketë thënë sy për sy dhe drejtë për drejtë serbëve se së bashku me Kishën Oretodokse serbe, ata si popull, mbajnë përgjegjësi kolektive për luftërat i viteve 1990-ave në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë.   Ajo irritoi edhe më shumë serbët në audiencë dhe jashtë takimit me deklaratën e saj me të cilën justifikoi sulmet ajrore të NATO-s kundër objektivave të Serbisë, pranverën e vitit 1999, për të parandaluar shpërnguljen me dhunë dhe masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe kundër popullësisë civile të shqiptarëve autoktonë të Kosovës. /

                                        1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

1 Herta Mueller

Në fillim të tetorit, kam shkruar një artikull modest, ndërsa shpreha disa mendime ndaj mos reagimit zyrtar evropian, me atë rast, për deklaratat lavdëruese të Ministrit  të Mbrojtjes të Serbisë për ish-gjeneralin serb Vladimir Lazareviç, ish-kriminelin e luftës, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte kundër popullësisë civile në Kosovë.  Duket se lëvdatat e Ministrit serb të Mbrojtjes për kriminelin Lazareviç javën e parë të tetorit, paskan qenë vetëm një njoftim paraprak për të përgatitur opinionin e mbrendshëm dhe ndërkombëtar për emërimin e të dënuarit për krime lufte, ish-gjeneralit Lazareviç, në Akademinë Ushtarake të Serbisë disa ditë më parë.   Më në fund, ndaj këtij emërimi në krye të Akademisë Ushtarake Serbe të një personi të dënuar për krime lufte, reagoi edhe Brukseli zyrtar nepërmjet zëdhënses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.  Megjithse i mirëpritur, reagimi zyrtar evropian, duke kritikuar emërimin e ish-krminelit serb të luftës në këtë post, ishte i vonuar dhe tepër i butë.   Ky emërim tregon se serbët jo vetëm që nuk janë penduar për krimet e tyre në Kosovë dhe gjetkë, por ata as nuk kanë hequr dorë nga nacionalizmi i egër i personave si ish-gjenreali Lazareviç, të cilët në emrë të këtij nacionalizimi prapambetur, kanë kryer krimet më të tmershme kundër njerëzimit në Evropë, ç’prej Luftës së Dytë Botërore.

Por, fatbardhësisht, atë që nuk pranojnë serbët dhe që nuk  ia tha Serbisë Brukseli zyrtar, me këtë rast as edhe më parë për rolin e Serbisë në krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë dhe në Bosnje-Hervegovinë — ua tha troç, në surrat serbëve, disa ditë më parë, aty mu në mes të Beogradit, fituesja e Çmimit Nobel në letërsi, shkrimtarja gjermane , me origjinë nga Rumania, Herta Mueller.   Mediat serbe dhe ndërkombëtare njoftuan se, një javë më parë, nobelistja Mueller ishte ftuar të merrte pjesë në një ekspozitë ndërkombëtare të librave në kryeqytetin serb, ku shfaqi mendimet e saja mbi luftërat në ish-Jugosllavi dhe mbi rolin e Serbisë si shkaktare e atyre luftërave.

Sipas të dhënave në median serbe dhe të huaj, sidomos asaj gjermane, fituesja e Çmimit Nobel për Letërsi, Herta Mueller, shkaktoi kritika të ashpëra ndaj saj nga të pranishmit në sallë dhe nga media e Beogradit.  Në fjalimin e saj, në Ekspozitën Ndërkombëtare të Librit në kryeqytetin serb, shkrimtarja Mueller citohet tu ketë thënë sy për sy dhe drejtë për drejtë serbëve se së bashku me Kishën Oretodokse serbe, ata si popull, mbajnë përgjegjësi kolektive për luftërat i viteve 1990-ave në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë.   Ajo irritoi edhe më shumë serbët në audiencë dhe jashtë takimit me deklaratën e saj me të cilën justifikoi sulmet ajrore të NATO-s kundër objektivave të Serbisë, pranverën e vitit 1999, për të parandaluar shpërnguljen me dhunë dhe masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe kundër popullësisë civile të shqiptarëve autoktonë të Kosovës.  “Nëqoftse një vend është shkaktar i katër luftërave në një periudhë prej nëntë vitesh”, ka shkruar më heret shkrimtarja gjermane, “duke shëndërruar qytetet në varreza, fjalët nuk mjaftojnë për të ndaluar masakra të tilla”. Se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte e justifikuar, është shprehur ajo.  Shkrimtarja gjermane tha në Beograd se nuk ka ndryshuar qendrim në lidhje me këtë çështje.   Herta Mueller citohet të ketë thënë se,me luftërat e saja në ish-Jugosllavi, “Serbia i ka shkaktuar vetes shumë të këqia dhe se  si pasojë, qytetarët e saj duhet të jetojnë me këto të vërteta”, për faktin se serbët i kanë shkaktuar vuajtje dhe mundime, vetes dhe të tjerëve, ka thënë në kryeqytetin serb nobelistja gjermane Mueller.  ”Shumë të këqia kanë ndodhur në Kosovë dhe në Bosnje, në emër të një nacionalizmi të tmerrshëm” dhe primitiv dhe se ka ardhur koha dhe është e nevojshme që populli serb të përballet me të vërtetën, ka nënvijuar ajo në Ekspozitën Ndërkombëtare të Librit në Beograd, disa ditë më parë.

Ndonëse tani ajo jeton në Gjermani, Herta Mueller ka lindur dhe ka përjetuar përvoja të vështira në Romaninë komuniste të Çausheskut, ajo u shpreh  duke krahasuar gjëndjen e në Rumani në atë kohë me gjëndjen në Serbi nën regjimin e Millosheviçit se “Do të kishte qenë shumë e lumtur po të kishte ndërhyrë NAT0-ja në Rumani”, për të rrëxuar regjimin e Çausheskut, por nuk ndodhi një gjë e tillë”, tha ajo.  Prandaj, si rrjedhim, “Rumunët u detyruan të luftonin njëri tjetrin për t’i dhënë fund njëherë e mirë regjimit komunist të diktatorit Nicolae Çausheskut.”

E pyetur nëse dhuna është një zgjidhje legjitime e konflikteve politike, nobelistja Mueller u përgjegj se, “Fjalët shkaktojnë konflikte.   Nuk jam pacifiste. Por besoj se disa situata mund të zgjidhen me marrjen e disa masave të veçanta.  Në luftë, njëra palë duhet të mund palën tjetër, kështuqë mendoj se ndërhyrja ushtarake është një qendrim dhe zgjidhje njerëzore dhe morale”, në raste të tilla të nevojshme, duke shtuar gjithashtu se njerzëve që sulmohen u duhet shkuar në ndihmë, sidomos nëqoftse ata nuk mund të mbrojnë vetveten.

Serbët nuk janë mësuar të dëgjojnë fjalë të tilla të vërteta mbi të kaluarën e historisë së tyre, sidomos nga të huajt.  Prandaj, fjalët e Z-njës Mueller shkaktuan kritika të ashpëra nga të pranishmit, madje disa edhe u larguan në protetsë nga salla ku po mbahej Ekspozita Ndërkombëtare e librit, ndërkohë që mediat serbe, në përgjithësi, i cilësuan deklaratat e nobelistes gjermane në Beograd si skandaloze.   Por gazeta e njohur konservatore gjermane, Die Welt duke komentuar deklaratat e Nobelistes gjermane Mueller në kryeqytetin e Serbisë, u shpreh se serbët nuk janë përballur kurrë me të kaluarën e tyre dhe me krimet që janë bërë në emër të tyre.

Kryeartikulli i gazetës prestigjoze gjermane Die Welt, i titulluar “Askush nuk flet për krimet”, akuzon nacionalistët serbë se heshtja ndaj krimeve që janë bërë në emër të politikës, është pjesë e sistemit,ndërkohë që bën pyetjen se si një qëndrim i tillë i Beogradit zyrtar sot mund të jetë në përputhje me drejtimin e ri pro-evropian të qeverisë së Beogradit.   Ironia e historisë, theksohet në artikullin e gazetës gjermane Die Welt, është se propagandistët e Millosheviqit në Beograd, përfshirë edhe presidentin aktual, Aleksandër Vuçiq, kishin deklaruar dikur se (me lufëtrat e saja gjatë 1990-ave) Serbia po mbronte Evropën e krishterë nga myslimanët, por sot në qendër të Beogradit ndërtohet një projekt i madh urban, me ndihmën e Abu Dabit.

Nobelistja gjermane Herta Mueller ka të drejtë dhe duhet të duatrokitet për kurajon e saj prej një intelektuali evropian se mos përballimi i Serbisë me të vërtetën e së kaluarës së saj të tmershme dhe me krimet e luftërave të saj në Kosovë, në Bosnje dhe në territore të tjera të ish-Jugosllavisë, është një problem serioz  në çerek shekullin e parë të shekullit 21, jo vetëm për vetë popullin serb, por edhe për mbarë rajonin.  Për derisa mos të ketë një përballim të tillë të popullit serb me atë histori të tmershme dhe për derisa Serbia nuk kërkon falje për krimet e bëra në Kosovë dhe në mbarë territorin e ish-Jugosllavisë, është e vështirë të merret me mend paqa dhe pajtimi midis popujve të Ballkanit.  Pa pendesë dhe pa kërkim faljeje nga Serbia për krimet kundër njerëzimit në Kosovë, nuk do të ketë paqë as siguri në rajonin e Balkanit Perëndimor, e ndoshta as në Evropë.  Është vlerë evropiane të kërkohet falje për krimet e bëra dhe të ketë një përballim serioz me të kaluarën dhe me të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo.  Shembull për këtë është vet Gjermania.   Nobelistja gjermane nuk tha asgjë më pak as më shumë se kaq.   Ragimet serbe në sallë dhe jashtë saj kundër fjalëve të vërteta të shkrimaters gjermane Herta Mueller nuk janë shpresëdhënse për Serbinë as për vendet fqinje të Serbisë, përfshirë Kosovën dhe as për paqen dhe sigurinë në rajon.   Të kërkuarit falje për krimet dhe përballimi me të vërtetën historike, thonë disa, është një proces transformimi që merr kohë, por  mendoj se si i tillë, nuk duhet të jetë më pak urgjent, sidomos në rastin e Serbisë.


 

            

                                  Nobelistja gjermane Herta Mueller

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, ne Beograd, Nobelistja Gjermane, troc serbeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1701
  • 1702
  • 1703
  • 1704
  • 1705
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT