• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edhe pse topi është i rrumbullakët…

October 10, 2017 by dgreca

1 andon dede

nga Andon Dede, Nju York/2 Shqiperi -ItaliPërsiatje pas ndeshjeve/

Në prag të një ndeshjeje të rëndësishme, në mos gabohem me Gjermaninë, në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar, u ndodha rastësisht në një kafene afër stadiumit “Qemal Stafa”. Pranë nesh ishte dhe një figurë e njohur në futbollin shqiptar, Besim Q., që në atë kohë punonte në mirëmbajtjen e stadiumit. Më është fiksuar në mendje ai sidomos tek vadiste fushën e blertë me një zorrë uji të fuqishme. Por, të kthehemi tek episodi i kafes që nisa. Besimin e njihnin të gjithë dhe, tek po diskutonin për ndeshjen e ardhëshme, dikush e pyeti se si e parashikonte ai rezultatin. Pyetja e tij tërhoqi vëmendjen e të gjithëve dhe si me sustë kthyen kryet tek ai. Besimi e ndjeu këtë interesim por nuk reagoi menjëherë. Gjerbi edhe një herë kafen, la filxhanin në vend dhe tërë qetësi tha duke luajtur kokën si të thoshte diçka befasuese e të rëndësishme: “Vallahi, topi është i rrumbullakët…”. Të gjithë lëshuan një si psherëtimë të lehtë pakënaqësie, me që ai, ndryshe nga ç’prisnim, pohoi diçka që dihej qysh kur ka lindur futbolli.

Mu kujtua ky episod këto ditë kur përjetuam humbjen me Spanjën, ndonëse dihet se kush është Spanja; veç kësaj, ajo na kishte mundur edhe në fushën tonë. Deklaratat pompoze të trajnerit e të shefave të tjerë të Federatës, për një lojë dinjitoze, u shumëzuan me zero kur kemi parasysh se si u realizuan golat, vetëm në 25 minutat e para dhe si e menaxhoi, pa shumë vështirësi, kohën tjetër të lojës trajneri spanjoll për të mos harxhuar energji kot. (Mos harroni se dhe Sërbia na i bëri dy golat e fitores së saj në Elbasan pasi kishte mbaruar koha e rregullt, në tre minutat shtesë). Nuk më pëlqeu deklarata e trajnerit pas ndeshjes, se dhe Italia ka ngrënë tre gola, po nga Spanja, edhe pse e vërtetë. Ai duhet të qe më modest, më realist e më kritik në pohimet e veta se, tek e fundit, humbja mban kryesisht autorësinë e tij. Megjithatë, pohimi i tij më kujtoi prapë Besimin e kafenesë: ”Topi është i rrumbullkaët e nuk duhet të habitemi nga asnjë rezultat”. Qetësia ime u rivendos deri diku vetëm kur pashë ndeshjen Turqi-Islandë, ku këta të fundit fituan bindshëm po 3 me 0, edhe pse ndeshja u luajt në fushën e fqinjëve tanë. Heshtja si në funeral e spektatorëve e shprehte më tepër se çdo gjë tjetër përjetimin e turqve që u rrahën keqas në fushën e vet, nga një ekip që përfaqësonte një popullsi qindra herë më të vogël se ajo e tyrja. Ja pra që vërtet topi, si i rrumbullkët që është, mund të na befasojë me rezultatet e ndeshjeve. Jo vetëm kaq, por duhet pranuar se mund të ndodhë edhe më keq nga ç’ngjau me ne. Unë nuk e mbaj veten as për tifoz të thekur e aq më pak për specialist të futbollit, por kaq gjë mund ta them pa drojtje: rezultati në Spanjë mund të kishte qënë shumë më i thellë sikur trajnerit të mos i mjaftonin ata tre gola.

Kam dëgjuar të tjerë tifozë që thonë se ne mund të kishim pretendime edhe për të marrë pjesë në Botërorin e 2018-ës. Unë i kam kundërshtuar, me argumenta jashtë-sportivë: kaq e kemi hapin! Vërtet se Islanda që zumë në gojë më sipër është një vend i vogël por a e keni parasysh nivelin e saj në të gjithë treguesit? “E ke gabim, – ma ktheu njeri. – Kështu skeptikë si ty kishte dhe për Europianin, por ja që shkuam…”. “Zuri qeni një lepur…” – ia prita unë dhe shtova më tej, – Po të mos na e kishin dhënë në tavolinë fitoren me Sërbinë, si zor të kishim marrë pjesë edhe në të…Mbase duhet t’i jemi mirënjohës Ballist Morinës për këtë?!” – e mbylla diskutimin si me shaka. Bashkë me të po i jap fund dhe këtyre radhëve duke iu kthyer edhe një herë fjalëve të Besimit në kafene: edhe pse topi është i rrumbullkët apo pikërisht për këtë, duhet luftuar e shpresuar, pavarësisht se kë kemi përballë. A nuk e përligj këtë aksiomë edhe ndeshja e fundit me Italinë: pavarësisht humbjes, askush nuk mund ta mohojë se çunat tanë dhanë maksimumin e mundshëm dhe meritonin më shumë.

Nju York, 10 tetor 2017

Filed Under: Politike Tagged With: And on Dede, Edhe pse topi, është i rrumbullakët…

Nje ze i lene pergjysem…

October 10, 2017 by dgreca

1 MarjanaNga Marjana BULKU/Ishin ditet e Mbretereshes Teute kur qellimisht u beme bashke ne Tirane nje grup zonjash qe jeta i shperndau ne Kanada, SHBA , Gjermani, Kalabri por qe te gjitha ne shpirt, gjak dhe tradite ndjehen shqiptare.Mbase kjo nyje e forte rrenjesh te perbashketa eshte sekreti qe na lidh edhe ne kohe stuhish.Dhe jane jo te pakta tronditjet qe individet shqiptare kane perjetuar ne Shqiperine e bukur jo prej stuhish, natyra e ka bekuar kete vend me diell , uje, e male te larta mburoje, por nga drama qe njeriu i ka shkaktuar njeriut, duke ia transformuar jeten dhe te ardhmen.Njera prej ketyre  ndodhej me ne  ,po  aq vitale sa atehere kur kendonte “Vajzat e fshatit tim”,”Kenget e popullit tim”,portreti i saj me con ne femijeri tek tingujt dhe kenget klishe qe pavaresisht kornizave te kohes disave prej nesh na rikthejne ne femijerine e bardhe e ca te tjereve ne rinine shumenjyreshe. Alida Hisku ishte vetem 16 vjec kur do te iniconte ansamblin Skenderbeu ne Korce rreth 43 vjet me pare e sot ajo rikthehet aty duke kenduar “Moj e bukura Morene ” e ster lashte qe me shume sesa tingujt percjell dramen e ikjes. ” Nuk di cfare t’ju kendoj me ” i thote ajo publikut me lot neper sy sepse tashme Alida historine e saj e quan “Zhdukja e vetvetes ne pentagram” U denova thote, u plaka pa u  rinuar.Ishte koha kur politika dhe arti i zinin frymen njeri-tjetrit, koha kur artistet perjashtoheshin edhe ne prova gjenerale kur tentonin te arrinin lirine ate qe eshte thelbi i artit si koncept.Endrrat e saj artistike i ngriu koha por teksa rremben migrofonin e kendon aq shkathtesisht , kupton se koha ka mbetur atje, po ai ze, po ai repertor, po ai portret aq ekspresiv dhe plot humor. Fenomeni i  ” zhdukjes se vetvetes” mesa duket vazhdon… jo vetem ne art, edhe ne politike apo jeten sociale sepse i ka rrenjet ne mospranimin e tjetrit, mohimin e tjetrit, e rrjedhimisht te disa rrenjeve tona identitare. Ky mohim i vetvetes ka shkaktuar jo pak drama e tkurrje, vakuume dhe boshlleqe qe artin e kane transformuar ne mediokritet artistik , performance boshe qe corienton shijet artistike ne kushtet e lirise kaotike qe prodhon bashke me artin edhe te kunderten e vet. Alida Hisku dhe brezi i viteve 80 do i rikthehen publikut shqiptar , uroj edhe ne te largteve me Lady rrok qe do te jete nje qasje e bukur e ketij brezi te palire ne kohen e lirise pa fre ku talenti i kultivuar do te deputoje kam
bindjen me sukses. Alida jeton prej shume vitesh Frankfurt, atje ajo ka bar-restorantin e saj ku pasi ka sherbyer rutine iu rikthehet klienteve te saj me pyetjen rutine “a ju pelqeu ushqimi? Ishte nga nje shqiptare ! Dhe pastaj nuk vonon te kendoje me zerin e saj qe ka mbetur i kulluar.

Filed Under: Opinion Tagged With: i lene pergjysem..., Marjana Bulku, Nje ze

DR. IBRAHIM RUGOVA, VIZITA E PARË NË SHBA

October 10, 2017 by dgreca

1 Rugova okNga Tonin Mirakaj/2 Rogova28 vjet më parë, pikërisht me datën 4 Tetor 1989, në ora 5 të mbrëmjes, i ndieri Dr. Ibrahim Rugova i shoqëruar nga prof. Engjell Sedaj, mbërritën në Kennedy aeroport, në New York, me linjën ajrore Jugosllave “Jat”, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Kshillit të Mirë”, për të qenë folës në Seminarin përkujtimor që ishte organizue me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdani.

Për arsye sigurie, nuk ishte lajmërue komuniteti për ardhjen e musafirve nga Kosova.Faktor tjetër ishte se komisioni përgatitor  i Seminarit nuk kishte konfirmim të sigurtë për ardhjen e tyre, nga se komunikimet në atë kohë nuk ishin të lehta, nga situata e tensionuar politike në Kosovë.

Në aeroport për ti pritur, pa qenë të sigurtë për ardhjen e tyre, kishin dalur meshtarët e Kishës

të përndershmit Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj dhe kryetari i komisionit përgatitor të Seminarit Tonin Mirakaj.Linja ajrore nuk jepte asnjë informatë për ardhjen e tyre, pra duhej të prisnim apo dalin me turmën e pasagjerve nga “costums control”.Ipari qe i njohu nga larg, në fund të turmës ishte Dom Rroku.Erdhën u ndëgjue zëri i tij! Gëzim për ne që prisnim e natyrisht gëzim për profesorët, që më në fund arritën në Amerikë, për herë të parë!

Mbas përshëndetjeve, profesorët u interesuen për organinzimin e Seminarit, vendin ku do të mbahet si edhe a kishin mbërrijtë folësit e tjerë At Danieli, profesorët Pipa dhe Camaj? I njoftuem se vendi është “Fordham University”, dhe salla e Seminarit ka vend për më se njëmijë persona. Profesor Sedaj tha: Njëmijë persona nuk mund ti mbledhim në Prishtinë, e ju mendoni se do ti mblidhni ne New York? I njoftuem se At Danieli dhe profesor Pipa kishin mbërrijtë, dhe se Camaj nuk ka mund me ardhë, por ka dërgue ligjëratën e tij. Mbas këtyre bisedave u drejtuem tek makinat , nder to, ishte dhe një limuzinë e dërguar nga familja Biberaj, dhe u nisëm për në Beekman Towers në 49th rruge, avenuja e parë në Manhattan, ku ishte rezervue një suite për  Rugova dhe Sedaj.

Kujtoj se nga dritaret e suites shihej për bukuri ndërtesa e OKB, e cila me pamjen e saj i mahniti profesorët. Dr. Rugova, mbasi ndezi një cigare“Marlboro”,e thithi 2-3 herë tha:Këtë ndërtesë,e kemi pa në fotografi,tani po e shohim nga afër, dhe vazhdoi: Aty në një të ardhme, ndoshta jo të largët do të zgjidhet problemi i Kosovës!

Mbas një pushimi të shkurtër në hotel, të gjithë u nisëm për në banesën e shkruesit të këtyre rreshtave, në Fifth Avenue në Manhattan, ku kalum një darkë të këndshme me mysafirët,klerikët dhe disa anëtar të komisionit pergatitor të  Seminarit.

Të nesërmen,profesorët vizituan Kishën Katolike “Zoja e Kshillit të Mirë” ku u pritën me shumë kënaqesi nga administratori Dom Rrok Mirdita, ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, djakon Marash Shkreli,kryetari i komisionit përgatitor të seminarit e të tjerë, ku u bisedue mbi gjendjen e komunitetit, mbi qendrat fetare si edhe organizatën Pan-Shqiptare“Vatra”.Gjatë bisedave,  Rugova shprehi disa herë, konsideratën e tij për Federatën Vatra:- Ruejeni Vatrën se u duhet shqiptarve tha në një bisedë mbi këtë organizatë famëmadhe!

Lajmi se mbërritën profesorët nga Kosova u përhap shpejt, kryesisht me telefon, nga se në atë kohë nuk kishte e-mail, cell phones, face book e të tjera mjete komunikimi të shpejtë.Për të lajmërue aktivitete të ndryshme në komunitet kishte disa radio emisione në gjuhën Shqipë që transmetoheshin njëherë në javë. Këto ishin “Zëri i Atdheut” me folës Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj, “Zëri shqiptarve të lirë” me folës Nehat Bakalli dhe Ramadan Turdiu dhe “Revista radiofonike e shqiptarve të Amerikës” që drejtohej nga Zef Camaj.Këto radio e dhanë njoftimin se ku dhe kur mbahej seminari, si dhe njoftuan ardhjen e profesorëve.

Me ardhjen e profesor Ibrahim Rugovës dhe profesor Engjëll Sedaj, u plotsue programi me folës që në atë kohë ishin personalitete më të shquara të fesë,kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Ishte e  qartë për komisionin përgatitor,se mysafirët kosovar duhej ti ruanim me shumë kujdes nga rryma të ndryshme politike që përbënin komunitetin tonë, prandaj me dëshirën e tyre takime individuale u kufizuan, u njoftua disa si: Imam Isa Hoxha, Prof. Sami Repishti, vëllezërit Bytyçi, At Daniel Gjeçaj, profesor Arshi Pipa dhe anëtarët e komisionit.I pyetur për situatën në Kosovë, Rugova u përgjegj shkurt: Kemi ardhë të ftuar nga Kisha Katolike për të përkujtue një klerik dhe shkrimtar që ka vdekë 300 vjet më parë.Do kthehemi me datën 14 tetor në Kosovë.Nuk kemi ndërmend të përzihemi në punë të tjera!

Dita e dytë u kalue në shëtitje në Manhattan, dhe në mbrëmje u shtrue darkë në “Amici Restaurant”, ku morën pjesë klerikët, profesorët dhe anëtarë të komisionit, si dhe Agim Fetahu, ish gazetar i “Rilindjes” në Kosovë.

Ditën e Seminarit, në ora 10 të mëngjesit, salla e Universitetit u gjet e mbushur plot me bashkatdhëtarë, shumë të ardhur nga NY, NJ dhe CT.

Pas lutjes fetare dhe hymneve kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë, kryetari i komisionit paraqiti drejtuesin e Seminarit të Përndershmin Dom Rrok Mirdita.Ky, mbas një përshëndetje të shkurtë, paraqiti audiencës folësit me radhë simbas programit.Kur u përmend emri i Ibrahim Rugovës, salla ushtoj nga

duartrokitje frenetike për disa minuta.Ky rast bëri të kjartë se Rugova kishte mbështetje nga shqiptarët e Amerikës.

Në program, ishte i treti, mbas At Danielit dhe profesor Pipës. Ndërsa flisnin këta të dy, Rugova kërkoj letër, ku përgatiti përshëndetjen e tij përpara temës së pregatitur që ishte: “Historia Shqiptare në veprën e Bogdanit”.

Pritja që ju bë diferent prej të tjerve, mund ti sillte rrezik mbas kthimit në Kosovë, prandaj më shumë kujdes, përgatiti “përshëndetjen që vijon”:

Zonja dhe zotërinj të nderuar!

Më lejoni që në fillim të përshëndes kishën katolike shqiptare të New York-ut, që mori kët hap të shënoj me kët Seminar 300 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Pjetër Bogdani. E falenderojmë nga zemra për ftesën, që na të dy studiues nga Kosova të japim ndihmesën tonë në kët drejtim.

Po ashtu më lejoni të them edhe dy a tri fjalë të tjera. Nisma e kishës katolike shqiptare të shënoj kët jubile, është një nismë e mirë, që të filloj një traditë bashkëpunimi midis shqiptarve në SH.B.A. dhe shqiptarve në Jugosllavi.Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur vazhdon traditën e Vatrës shqiptare të Bostonit, e cila me decenie veproj në planin kulturor e kombëtar.

Shqiptarët, duhet dhe mund të bashkëpunojnë dhe njihen më shumë ndërveti kudo qofshin në  botë, duke u lidhur me trojet autoktone dhe pa marrë parasysh  sistemet ku jetojnë si edhe bindjet e tyre politike,konfensionale e sociale, ashtu si e kërkon bota e sotme.Shqiptarët sot, kanë nisur të hapin më shumë dialogun midis tyre dhe me të tjerët, sepse kështu do të forcojnë identitetin e tyre dhe do të shpejtojnë inkuadrimin e tyre si subjekt, në proceset e botës moderne.

Kolegu Sedaj dhe unë, ju përshëndesim të gjithve, që keni gjetur kohë të jemi sëbashku, për të nderuar kët fytyrë të madhe të kulturës dhe historisë së Shqipërisë.

Pas pershendetjes së duartrokitur, Rugova paraqiti temën e seminarit.

Seminari pati sukses shumë më të madh si ishte paraparë nga organizuesit.            Pjesëmarrja e më shumë se 1000 bashkatdhëtarve, i dha përmasa të një veprimtarie masive kultuore kombëtare. Shtypi i mërgatës, radio, e paraqitën me madhështi suksesin. “Atdheu” botoi nje artikull nga Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj me titull:”Madhështia e një Seminari”. Radiot komentuan edhe mbi rëndësinë e ardhjes së profesorëve kosovarë në Amerikë.Eshtë fakt se profesor Ibrahim Rugova u inkuraju nga pritja që ju bë, për aktivitete diplomatike dhe politike, që ndërmori mbas kthimit në Kosovë,të cilat më pas sollën rezultate me përmasa historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.

Në mbrëmjen e datës 7 tetor, komisioni i seminarit shtroi darke në nder të ligjëruesve, në Eastwood Manor,ku pati një pjesëmarrje prej më se 700 persona.Në darkë fjalimet u kufizuen me përshëndetje të shkurta, dhe praqitje të mysafirve të nderit.Gjatë darkës pati një program të pasur argetues.Rozofati,luejti vallen e “Rugovës”,që u pëlqeu shumë mysafirëve.

Darka u kryesue nga kryetari i komisionit.

Profesorët kosovarë udhtuen në Washington DC, të shoqëruar nga antari i komisionit Simon Simolacaj.Atje kaluen dy ditë te miku i tyre Fran Shkreli dhe familja e tij. U takuan me Elez Biberaj.Frani dhe Elezi ishin zyrtarë të departamentit të shtetit, me detyra në VOA. Mbas kthimit nga Washingtoni, koha u kalue në shetitje në New York, në shoqërinë e një grupi të vogel miqësh, kryesisht Dom Rroku, Dom Pjetër Popaj, Djakon Marash Shkreli, antarët e komisionit dhe vëllezërit Bytyqi.

Ditën e fundit të vizitës tyre në Amerikë, ndërsa po pregatiteshin për udhëtim, Rugova dhe Sedaj kërkuen me i dërgue në një dyqan, ku mund të blinin ndonjë dhuratë për bashkëshortet e tyre.

Kërkuen ti shoqëroj bashkeshortja ime Miliana,e cila kishte fillue të pregatisë drekën.Lëre drekën kur të kthehemi, tha Rugova. Në atë kohë në banesën tonë erdhi Sabit Bytyqi.I treguam për kërkesën e mysafirëve.-Shkoni,- tha Sabiti, drekën e pregatis unë! Kënaqësi për të gjith.Ashtu u bë. Vendosëm me shkue në Stern’s Dept. Store, në Rt 4, New Jersey, ku kishin mundësi me ble gjërat që dëshironin,me ndihmën e Milianës.Ndërsa po kalonin urën për në New Jersey, Rugova pyeti: Si quhet kjo urë? Kjo është “George Washington Bridge”, u përgjigjëm. George Washington përsëriti ai…. Per një George ka nevojë Kosova! Të gjithë qeshëm.Ndoshta nuk na shkoi në mend se George Washington i Kosovës ishte aty, me ne, IBRAHIM RUGOVA!

Mbasi i blenë gjërat që dëshironin, u kthyem. Sabiti kishte prëgatitë drekën, sigurisht në mënyrë profesionale, ashtu si në restaurantin e tij “Minetta”.Mbas dreke, u nisëm për në Kennedy aeroport.Aty kishin dalë me i përcjellë mysafirët, klerikët Dom Rrok Mirdita, Dom Pjeter Popaj, djakon Marash Shkreli,të gjith antarët e komisionit të Seminarit Imzot Pjetër Bogdanit, Zef Camaj e ndonjë tjetër. Profesor Ibrahim Rugova u kthye i bindur se Kosova ka miq në Amerikë.Kjo u provue nga ngjarje që pasuen deri në pavarësinë e Kosovës.

Scarsdale, 15/Shtator/2017

Shënim:

Ligjëratat e mbajtura në Seminar gjinden të botuara në librin“Imzot Pjetër Bogdani në New York”, botues Tonin Mirakaj.Mund të porositen në zyrën e Vatrës dhe pranë kishës Zoja e Shkodrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Kur erdhi Rugova, ne SHBA, Tonin Mirakaj

Thaçi:Lufta e UÇK, e drejtë dhe legjitime

October 10, 2017 by dgreca

1 Thaç-Presidenti Thaçi mori pjesë në debatin me temën: “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”/

2 ok Thaci

PRISHTINË, 9 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë sot pjesë në debatin me temën: “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, organizuar nga OJQ-të, Integra, CPT, PAX.Me këtë rast, presidenti Thaçi  ka thënë se siç tregojnë edhe të gjeturat e hulumtimit, ekzistojnë keqinformata, pritje joreale, dezinformata të qëllimshme për atë se çfarë është dhe çfarë do të sjellë Gjykata Speciale. “Në rrethana të tilla vështirë se Gjykata Speciale do të mund të arrijë të bëjë atë që synon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës, por edhe për të gjithë ata që janë të angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë”, ka shtuar ai.Presidenti në këtë debat ka thënë se janë bërë gati dy dekada që ka përfunduar lufta në Kosovë, por shumë plagë nga lufta mbesin të hapura. Ai ka kujtuar brengat e familjeve me personat e pagjetur, që ende nuk  kanë gjetur prehje, ka kujtuar viktimat e dhunës seksuale që vetëm tani kanë pranuar të njihen si viktima dhe të kuptohen vuajtjet e tyre. Sipas tij,  kjo vlen edhe për familjet e viktimave që ende nuk kanë marrë drejtësi për vuajtjet që u janë shkaktuar. Presidenti ka thënë se janë pesë mekanizma që kanë vepruar në Kosovë tashmë dy dekada me mandat ekzekutiv ndërkombëtar, pesë mekanizma të drejtësisë.

“Drejtësia e UNMIK-ut apo gjyqet e UNMIK-ut, atë të EULEX-it, Tribunali i Hagës, EULEX-i dhe tani Gjykata Speciale. Diçka që Kosovën e bënë të veçantë në Ballkanin Perëndimor, nga vendet që kanë qenë të përfshira në luftë, nga Kroacia, Bosnja, dhe nga nxitësi, inspiruesi dhe kryerësi i të gjitha këtyre veprimeve shteti i Serbisë”, ka thënë ai.Presidenti ka theksuar e përkundër tërë përpjekjeve ende ka ndjenjë se nuk është bërë mjaftë drejtësi. Sipas tij, pritjet joreale për Gjykatën Speciale mund të zbehin përpjekjet e saj siç e theksoni edhe ju në të gjeturat tuaja. “Rrjedhimisht, kjo do të zbehë besimin në tërë sistemin e drejtësisë kosovare e atë ndërkombëtare”, ka thënë ai. Megjithëkëtë, presidenti Thaçi ka thënë se Gjykata Speciale nuk është disavantazh, por është një avantazh për Kosovën. “Shpesh thuhet se mbi Kosovën qëndron një re e zezë të cilën duhet ta largojmë. Të jemi të qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia, dhe askush më mirë se kosovarët nuk mund ta largojnë atë re të zezë. Pra, Gjykata Speciale është një mundësi për të forcuar ndjenjën e drejtësisë në Kosovë, e ritheksoj ndjenjën e drejtësisë”, ka thënë ai.Presidenti ka thënë lufta e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës ka qenë e drejtë dhe legjitime. Ai ka thënë se synimi i institucioneve të Kosovës duhet të jetë që të punojmë të gjithë bashkërisht, shqiptarë, serbë, të gjitha institucionet, shoqëria civile, media etj.T’i japim mbështetje të gjithë drejtësisë, të punojmë që kjo çështje të ndihmojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të ndikoj që sa më shpejt të ndodhë ngadhënjimi i procesit të Komisionit që kemi iniciuar për të Vërtetën dhe Pajtimin Ndëretnik në Republikën e Kosovës, ka shtuar ai./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Thaci, uck, Vlere Kombetare

Feja e shqiptarit është shqiptarija

October 10, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/Eshtë një varg i poetit shkodran, Pashko Vasa. Ca e thërrasin Vaso Pasha, ose Vasko Shkodrani etj. Një intelektual shqiptar në botën otomane. Kulmin e karrierës e arriti kur mori drejtimin si mytesarif ose guvernator i Libanit më 1882. Dhe jo për pak, sa për të kaluar radhën, por plot 9 vjet. Koha kur Libani, një vend i vogël buzë mesdheut afro 1 milion banorë sapo kishte fituar disa të drejta më shumë deri tek autonomia, por me mbikqyrje nga porta e lartë. Koha e kolerës libaneze. Dhe do mbahet mend se i ndërtoi Bejrutit teatrin e parë. Një nga ata shkodranë që veç ai dhe’ di të nxjerri…,intelktual klasi.Pavarsisht një tërësie veprash letrare, aktivitetit atdhetar si pjesëmarrës në nismën për lidhjen e Prizërenit, 1878 alfabetin shqip me gërma latine etj, ai rron e mbahet mend për poezinë, O moj Shqypni. E kam fjalën për masën.

Vargje që shqiptarëve u duhej t’ua kujtonte edhe sot, portieri i nacionales italiane, në prag të ndeshjes me Shqiperinë. Në lidhje me këtë ai na kujtoi edhe identitetin, atë sojin shqiptar në llojin e vet. Që në të vërtetë është, por shpesh jemi ne që e nëpërkëbim dhe e diskutojmë.

Këtë poezi e gjen të përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Ka vërtet një strukture të ngjeshur, por të rrjedhshme, me temp. Ndofta nga një plasje shpirti për shkak se nganjëherë ne të çudisim me zjarrminë për të qënë sa turq, po aq edhe grek. Madje këtu qëndron gjithë ajo hidhni që nuk dua ta quaj ironi, por thjesht një keqardhje e madhe shpirti. E kam gjetur edhe në version anglisht. Ja disa radhë… ”some believe in God or Allah?/ say ”I’m Turk” or ”I’m Latin”/ say ”I’m Greek” or ”I’m Slavic” ect. Me pak fjalë ato vargje që tashmë dihen. Me përfundimin prapë therës, konstatues, jo ironik, nuk kam dëshirë ta them…, por jeni vëllezër mor të mjerë.

Në fakt është një kohë e tërë kjo e sotshmja ku shqiptarët akoma nuk po e kuptojnë se për cilat virtyte na çmojnë të huajt? Cilat janë ato virtyte që ne i kemi dhe u bjem lehtësisht me këmbë. Duke u hequr më mysliman se myslimanët e orientit dhe më katolikë se katolikët e perëndimit.

Mirëpo sot shqiptarët i gjen si misionarë të xhihadit. Mbartës të një fryme persekutimi në lidhje me besimin. Aq sa me të drejtë një analist shtypi u tha disave syresh, që, kemi frikë të hapim gojën se ju lëndoheni. E vërteta është se mënyra e praktikimit të myslimanizmit ka minimizuar pikërisht shqiptarizmën. Femrat shamitosen aq fort sa nuk kanë asgjë të përbashkët me ato grate e kohës apo gjyshet tona shami bardha, napat e kokës. Ato gjyshe që mban memoria jonë. Ato gjyshër me faqe të bardha e të buta. Ndonjëri edhe me pak mustaqe. Por aq. Madje edhe ata hoxhallarë po nga memoria. Unë e kam përmendur dikur. Njerëz plot thjeshtësi aq sa edhe tespiet i shkonin nëpër gishta me elegance. Sot, një misionar të imponohet e të vë gishtin tek koka. Shkon deri në Malajzinë e largët të rekrutojë xhihadistë. Më keq në Kosovën martire. Nën preteksin e mburojës nga sllavizmi, i janë kthyer Turqisë deri në një çmenduri kolektive. Sikur duan të varrosin me duart e tyre atë shqiptarizmën rrezatuese që kanë në emrat e fëmijëve, si Valon, Drin, Fjollëz, Visar etj. Flasin për të drejtat e minoritetit turk në Kosovë. Kërcënojnë në emër të Allahut dhe Erdoganit. Tamam ato fjalët hidhnake, me plasje shpirti të Vaso shkodranit, po jemi shqiptarë more të mjerë.

Por nuk ke çfarë i bën.

Ka ekzistuar gjithmonë mes nesh një takëm, një dru e shtrëmbër. Ja pse sot të flasësh për fenë islame, praktimin e saj nga shqiptarët është një herezi. Një botë ku duhet të mendohesh para se t’i qasesh. Prandaj përpara se të na e kujtoj ky, italiani, Buffoni, bëjmë mire t’ia kujtojmë ne për ditë, vetes. E akoma më mire ata që predikojnë islamin a myslimanizmin.

Filed Under: Politike Tagged With: feja e shqiptarit, Ilir Levonja, Vaso Pashk Shkodrani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1748
  • 1749
  • 1750
  • 1751
  • 1752
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT