• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreziku i propozimit serb për Kosovën dhe “keqardhjes” së Ramës për Vuçiç!

August 16, 2017 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sapo bëri betimin për kreun e shtetit serb, shpalli në një gazetë të Beogradit se do të nisë një diskutim brenda vendit të tij për Kosovën. Këtë lajm e morën dhe e përhapën mediat dhe gazetat europiane, përfshirë dhe atë gjermane, duke theksuar se “tashmë Serbia do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet e saj me fqinjët, sidomos me shqiptarët”! E përshëndetën deklaratën e presidentit të Serbisë mediat proqeveritare në Shqipëri si dhe vetë kryeministri i vendit, zoti Rama! Ky I fundit dha para dy ditësh një intervistë në gazetën beogradase “Blic” dhe shprehu keqardhjen që “Vuçiç gjendet në një pozitë të vështirë” për shkak të kësaj iniciative. Duke “e vendosur veten në këpucët e Aleksandrit”, Rama u shpreh se “E ndjej dhembjen dhe vendosmërinë e Vuçiqit për ta zgjidhur problemin e Kosovës”, duke shtuar gjithashtu një superlativë lavdëruese për presidentin serb “Iniciativa e Aleksandar Vuçiq për ta nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovën është një akt i lidershipit me të cilin ai e shpalosi një vizion kurajoz për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë”. (http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Në Kosovë vetëm ministry I Jashtëm Hoxhaj ka reaguar ndaj disa deklaratave të homologut të tij serb, Ivica Daçiç, por ende nuk ka një deklaratë serioze, e cila të shprehë qëndrimin e institucioneve të prishtinës për iniciativën e presidentit të Serbisë. Ndërkohë shtypi e media e Kosovës po e kalon në heshtje këtë nismë të Beogradit, vetëm sa transmeton lajmet dhe deklarimet reciproke. Në Shqipëri askush, përveç ndonjë diplomati jo në detyrë, si Shaban Murati, nuk ka bërë ndonjë përpjekje për t’iu qasur analizës për “iniciativën Vuçiç”. Zoti Murati para pak ditësh tërhoqi vëmendjen në faktin që politika shqiptare, diplomacia, mediat dhe opinion publik shqiptar nuk kanë pse entusizmohen nga një nismë e tillë.
E vërteta është se ne e kemi entusiazmin ashtu dhe dëshprimin si drogën! Menjëherë zgjohemi dhe qeshim, sapo dikush që ka një histori tragjike në marrëdhëniet me ne na ofron diçka dhe po aq lehtë dëshprohemi e hidhërohemi, sa herë dikush i tillë na provokon! I gëzohemi madje më shumë ndonjë iniciative në dukje pro nesh të kundërshtarëve dhe armiqve të kombit tonë dhe jo aq aksioneve politike të miqve tanë! Entusiazmi ynë është shpesh herë i pakufi, kur ata që në i quajmë armiq të shqiptarëve hedhin ndonjë dorashkë, që duket si e favorshme për ne. Nga mesi i viteve 2000 presidenti rus Putin i thoshte presidentit tonë shqiptar se “Ne nuk kemi gjë me shqiptarët”! Nënteksti: -“Ne nuk jemi armiq”! Dhe presidenti ynë ishtë shumë entuziast e i ngazëllyer nga kjo deklaratë e kreut të Kremlinit! Një entusiazem foshnjarak, sepse një president dhe lider duhet të ketë kapacitetet e formimit politik të atij niveli që realitetin ta përceptojë me shqisat e liderit!
Nga naiviteti apo miqësia e ngushtë me presidentin Vuçiç, zoti Rama u përfshi gjithashtu në një eufori që I kapërcen kufijtë e Serbisë, duke bërë thirrje që dialogu serb për Kosovën të shtrihet edhe në Kosovë e në Shqipëri, sigurisht në inversin e tij, si “dialog shqiptar për marrëdhëniet me Serbinë”!
“Ajo që është e domosdoshme në këtë fazë është vërtet ajo që presidenti juaj e ka nisur si dialog të brendshëm, i cili, meqë ra fjala, nuk do të ishte i parëndësishëm të ndodhte edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri”, shprehet kryeministri ynë për “Blic-in: e Beogradit. (http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Ne nuk kemi dhe nuk e dijmë saktësisht se çfarë fshihet në Hintergrund të iniciativës “Vuçiç”, por planin e presidenti të Serbisë po e shpalos çdo ditë ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daçiç. Ai e nisi shpalimin e planit serb për Kosovën, duke thënë se “Përpiqem të propozoj një zgjidhje afatgjatë, sepse ajo bazohet në të drejtën historike e etnike që vetëkupton caktimin e kufijve të asaj që është serbe dhe të asaj që është shqiptare”. (http://zeri.info/aktuale/157188/daciq-ne-rajonet-ku-ka-serbe-kosova-mund-te-jete-e-pavarur-vetem-me-tanke/ Madje ministri i Jashtëm i Beogradit kërcënon se nëse nuk ndodh kjo, ndarja e Kosovës, atëherë hyjnë në veprim tanke.
Sipas zotit Daçiç, duhet të përcaktohen kufij të ri për Kosovën dhe Serbinë, shkurt duhet që një pjesë e territorit të Kosovës të kalojë nën sovranitetin e Serbisë. Veriu i Mitrovicës është pikëshënjestra e kryediplomatit të Serbisë. Kjo për dy arësye, njëra “demografike”, sepse në këtë pjesë të Kosovës shumica e banorëve janë të etnisë serbe dhe tjetra gjeopolitike, sepse “Fuqitë Perendimore synojnë që nëpërmjet veriut të Mitrovicës të krijojnë një lidhje territoriale të Kosovës me Sanxhakun dhe Bosnjën”, me qëllim izolimin e Serbisë nga Mali i Zi dhe pjesa perendimore e Ballkanit, shkruan Daçiç. Për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai shprehet se “Një lidhje e ‘Kosovës së islamizuar’ me Sanxhakun, do të ishte një dështim më i madh për popullin serb, më i madh se të gjitha dështimet e popullit serb në shekullin e 20-të.”
http://lajm.net/gazeta-gjermane-u-jep-hapesire-deklaratave-te-daciqit-per-shqiperine-e-madhe.html
Ndërsa sot shefi i diplomacisë së Beogradit ishte në Këshillin e Sigurimit dhe ka hedh dy “argumente” të tjerë në përpjekje për ta sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare për ta mbështetur opcionin e tij të ndarjes së Kosovës. Në replikë më ambasadoren Vlora Çitaku, Daçiç thoshte sot se “në Kosovë nuk ka kosovarë, por ka shqiptarë” dhe se “kryeqyteti i parë i Serbisë ka qenë Prizreni”! Dy teza këto në ndihmë të argumentit historik dhe aktual, me qëllim që t’i thuhet botës se “Kosova duhet të ndahet”!
Nëse analizojmë gjithashtu interesat politike, gjeopolitike, ekonomike, financiare të Serbisë, atëherë nuk është vështirë ta zgjidhim ekuacionin “e panjohur” se cili është projekti i diskutimit të brendshëm serb për Kosovën. Këto na i zbulon zoti Daçiç dhe synimi është e mbetet ndarja e territorit. Eshtë e njëjta strategji si ajo e dy shekujve të fundit, me objektiv krijimin e Serbisë së Madhe. Kjo strategji ka lënë pasoja tragjike në Kosovë, masakra masive, djegje e shkatërrime, përdhunime, burgosje, vrasje, pushkatime, për të cilat as është bërë as nuk do të bëhet ndonjë dialog i brendshëm në Serbi. Dialogu do jetë përsëri nga pozitat e shovinizmit serbo-madh! Në tavolinën e diskutimit të brendshëm do të jenë territoret e shqiptarëve në Kosovë!
Se do të këtë në Beograd e në Serbi një dialog të tillë na e dha sinjalin vetë kryetari i Bashkisë së Beogradit kur para katër ditësh i dha një bulevardi emrin provokativ “Heronjtë e Koshares”! Nuk ka nevojë të jesh kryeministër a president që ta lexosh mesazhin e kësaj sjelljeje diversioniste të Beogradit ndaj shqiptarëve. Ndërkaq qeveria serbe nuk hezitoi të dërgojë zjarrfikësit e saj “për shuarjen e zjarreve në Shqipëri”. Veçse të gjitha veprimet e saj në vijim të deklaratës së Vuçiç dëshmuan se angazhimi në terren për shuarjen e zjarreve në Shqipëri ishte dhe mbetet në sytë e opinionit publik si perde për të mos parë ndezjen e zjarrit për Kosovën në Beograd. Ndarja e Kosovës nuk është diskutim i brendshëm për Kosovën, por është projekt i një luftë të re midis shqiptarëve dhe serbëve.
Me këtë projekt Serbia në vend të diskutojë me vetëveten, kërkon kompromis me palën shqiptare në stilin e Koshtunicës dhe të Tadiç se “Nuk mundet që njëra palë t’i marrë të gjitha dhe tjetra të mumbasë gjithçka”! Me dialog dhe “me kompromis” Beogradi kërkon zgjerimin e territorit të Serbisë, duke realizuar në paqe, atë që humbi në luftë! Nëse shqiptarët dhe institucionet e Kosovës pajtohen me këtë, atëherë do të jetë rasti i parë në histori kur në nënshkruajmë kapitullimin, sepse për çdo vend dhe shtet në botë territory është i shenjtë!
Që të mos ndodh kjo, institucionet e Prishtinës duhet të pozicionohen dhe t’i thonë jo Beogradit si dhe tolerancës së kryeministrit të Shqipërisë. “Patriotët e mëdhenj” që dogjen Kosovën për demarkacionin me Malin e Zi po heshtin në rastin e projektit serb për ndarjen e territorit të vendit. Këta “patriotë” ndoshta presin çastin që pasi të bëhet fakt ndarja e Kosovës të shijojnë ndonjë “referendum” për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe atëherë të thonë “Ja, ky ishte projekti ynë! Fitore! Rroftë Edi Rama”! Dhe mbas reziltatteve negative të një referendum të tillë të struken në atë shtetin e cunguar të Kosovës, simbilet e të cilit ende nuk I njohin e të thonë :Ne e bëmë tonën, ishte vendimi I qytetarëve JO-ja për bashkim”! Kjo JO është aq e sigurt, sa e sigurt është se kryeministri I Shqipërisë nuk e dëshiron në asnjë rrethanë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në vitin 1998 epskpertë të partisë së tij i kishin propozuar bashkësisë ndërkombëtare shkëputjen e veriut të Shqipërisë dhe bashkimin e tij me Kosovën, me qëllim që në rastin e ndarjes së Kosovës të kompensohej ajo.
Pra të gjitha shenjat tregojnë se prapa indicativës së Vuçiç fshihen dy djajë: Njëri ka të bëjë me atë që në Europë e në SHBA të besojnë në një Serbi “tolerante”, “të gatshme për dialog e lëshime” dhe tjetri ka të bëjë me dremitjen e shqiptarëve, e kam fjalën të politikës, elitës akademike, shoqërisë civile, aktorë këta që shohin “ëndërrën e gomarit”!
Lëvizja e re politike e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është lëvizja më e rrezikshme e këtyre dy dekadave të fundit. Ajo bazohet në platformën e të gjithë kryeministrave dhe presidentëve serbë të mëparshëm përfshirë Sllobodan Millosheviç, Zoran Xhinxhiç, Vojisllav Koshtunica, Boris Tadiç e Tomisllav Nikoliç. Kjo lëvizje bëhet akoma më e rrezikshme për shkak se në deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë nuk ka një përgjigje të prerë, pa ekuivok. Ai thjesht thotë se ndarja e Kosovës nuk është racionale e nuk na çon asgjëkundi, ndërkohë që Daçiç e thotë hapurr se “Mosndarja na çon ën përdorimin e tankeve”! Një disproporcion i madh në qëndrimet e palëve.
Keqardhja e zotit Rama për zotin Vuçiç, “për vuajtjet” e tij për këtë dialog të brendshëm serb, është ose hipokrizi, ose idiotësi! Zoti Vuçiç, megjithëse pjesmarrës aktiv në luftërat e Serbisë në Boanjë e në Kosovë, së paku në rastin e Kosovës asnjëherë nuk kërkoi ndjesë. Ndërsa kryeministri shqiptar “i kërkon ndjesë” atij, pse “qenka vënë në vështirësi” për nëj diskutim, të cilin e ndërmerr për interesat e tij e nga i cili dëshiron të rikrijojë në kushte paqeje Serbinë e Madhe, duke realizuar kështu ëndërrën e Milosheviçit.
Prandaj e shoh të domozdoshme që në Kosovë dhe në Shqipëri të ketë kohezion dhe institucionet tona të reagojnë përmes të gjitha mjeteve adekuate kundër politikës dhe projektit të tillë të Beogradit. Një diskutim brenda Kosovës ose brenda Shqipërisë është jo vetëm i panevojshëm, por madje i dëmshëm, sepse do të kanalizohej në drejtim të plotësimin të interesave të Serbisë në Kosovë. Thirrjen e zotit Rama për këtë lloj diskutimi e shoh si një prapavijë të politikës së presidentit të Serbisë, zotit Vuçiç. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që “keqardhjen” e zotit Rama për zotin Vuçiç, ta shndërrojnë në një aksion ndihme e solidariteti të shqiptarëve të Shqipërisë me serbët e Serbisë, kundër shqiptarëve të Kosovës!

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, për Vuçiç!, Rreziku i madh i propozimit serb për Kosovën dhe “keqardhjes”, së zotit Rama

Kush dhe si merr vendime të mëdha?

August 16, 2017 by dgreca

-Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?/

isa-Mustafa

Shkruan: Isa MUSTAFA/Si fëmijë shkoja kohëve të pushimeve shkollore nga Prishtina në fshatin tim Prapashticë, te axha im. Një herë, deri sa isha para shtëpisë, vërejta se po ecte ngadalë, si duke u hamendur, një fqinjë i yni me plis dhe maramë në pikun e verës. I u drejtova, hajde o bacë, a po vjen brenda. Ma ktheu “ jo biro, veç dola po eci, e po bej seri e po bej…deri sa mo s’po di si me bo”. Bacin e kishte rënduar varfëria, familja e madhe dhe kërkonte derë për zgjidhje.
Në këto ditë do të doja të shoh një të mençur të na thoshte sesi të marrim vendime të mëdha, të cilat u morën si pretekst për të ardhur në këtë situatë, që as Kuvendin s’po arrijmë të konstituojmë. Si të zgjidhim liberalizimin e vizave, për qytetarët tanë , të cilët të vetmit kanë mbetur të izoluar në Evropë, e që lidhet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kush do ti sigurojë 80 vota në kuvend. A do të votohet marrëveshja e cila është pajtuar me Malin e Zi apo do të kërkohet tjetër marrëveshje. A do të pajtohet Mali i Zi të bëjë një marrëveshje tjetër , pasi ka ratifikuar në Parlament marrëveshjen e pajtuar me ne. Nëse jo, sa do të zgjasin procedurat në arbitrazh ndërkombëtar dhe sa do të shtyhet liberalizimi, pasi që Komisioni Evropian ka konkluduar se ratifikimin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës e jo arbitrazhi ndërkombëtar.
Si do të procedohet me dialogun me Serbinë, me të cilin lidhet rruga jonë e integrimeve evropiane.
Si do të transformohet FSK në Forcë të Armatosur, dhe si do të ruhet partneriteti me NATO-n dhe me SHBA-të, në situatën kur serbet në kuvend refuzojnë të votojnë ndryshimet kushtetuese që lidhen me këtë materie, ndërkaq partnerët tanë thonë se kjo duhet të bëhet me pajtueshmëri të gjere dhe me ndryshime kushtetuese.
Si do të forcohet shteti ligjor, më konkretisht si do të luftohet krimi dhe si do të luftohet korrupsioni.
Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?
Kam dëgjuar deklarata të ndryshme se Kosovës i nevojiten liderë që marrin vendime të mëdha. Por për të marrë vendime të mëdha duhet pasur madhësinë e pasuesve, si qytetarë apo deputetë që përfaqësojnë sovranin. Në Kosovë, maksimalisht arrihet te një e treta.
Deri tani, ne kemi marrë vendime të mëdha, por të gjitha këto vendime i kemi marrë me mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të miqve tanë evropian. Vendimi për shpalljen e pavarësisë. Vendimi i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Marrëveshjet e dialogut me Serbinë. Njohjet e pavarësisë nga shtete të ndryshme.
Votat që LDK i ka dhënë në Kuvend deri sa ishte në opozitë, për disa vendime të mëdha, por jo të lehta, janë pajtime të arritura me faktorin ndërkombëtar, në rend të parë me SHBA për të quar përpara proceset e pavarësisë dhe të shtetndërtimit. Si LDK nuk kemi dhënë votë për zgjatjen e vendeve të rezervuara për përfaqësuesit joshumicë në Kuvend. Nuk e kemi përkrahur fusnotën.
Konsideroj se përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjen e kanë ata që e shkaktuan këtë gjendje . Ata tani duhet të mendojnë dhe të veprojnë ndryshe, jo vetëm si me prishë, por si me ndërtua.

 

(Shkrim në ‘facebook’ i kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, 16 gusht 2017)

Filed Under: Politike Tagged With: Isa Mustafa, Kush dhe si, merr vendime, të mëdha

Dardha, pioniere e emigracionit shqiptar në SHBA dhe e arësimit shqip

August 16, 2017 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/shkolla e pare shqipe dardheI vendosur në pjesën e epërme të zonës së Devollit, fshati i Dardhës, mbart vlera historiko-arësimore e kulturore, jo vetëm për këtë trevë, por për gjithë kombin shqiptar. Historikisht banorët e këtij fshati janë shquar për ndjenjat patriotike, dashurinë për punën, arësimin, ndërtimtari, emancipim, kërkesa për një jetë më të mirë, që i ka bërë të marin dhe rrugën e kurbetit, shumica në SHBA.

nxenesit e pare te shkolles, 1917Emigrantët dardharë në SHBA, kanë shkruar një histori të ndritur falë aftësive dhe kulturës që zotëronin. Në fillim shekullin e XX-të, dardharët e Amerikës krijuan shoqëritë e para atdhetare-kulturore si, “Shoqëria Mirëbërëse”, {1905, Boston}, “Vëllazëria Dardhare Mbleta”,{1918, Boston}, “Shoqëria Vëllazëria Patriotike e Dardhës”, {1906, Kembrixh,Mass.}, Klubi i Dardharëve të rinj “Përparimi”, {1909, Mass.}, etj. Ishte biri i këtij fshati, Sotir Peci, i cili nxori në dritë 110 numura të gazetës “Kombi”, nga viti 1906-1909. Të tjerë dardharë kanë bërë emër në fusha e profesione të ndryshme. Por, mbi të gjitha, dardharët e Amerikës nuk i kanë ndërprerë lidhjet me fshatin e tyre në cdo përiudhë historike.  Me investimet e tyre kanë lënë gjurmë në ndërtimin e shtëpive të reja dhe rikonstruksionin e atyre të vjetra, të rrugëve, ujit të pijshëm, objekteve fetare, kanalizimeve, duke ndihmuar konkretisht në zhvillimin e fshatit, por dhe ruajtjen e traditës e pasurive kulturore. Rrugët e bardha, shtëpitë dhe catitë e tyre me gurë e “plloca” si i thonë dardharët, janë finacuar me dollarët e ardhur përtej oqeanit, nga djersa e kurbetlinjëve dardharë. Ndërkohë, dashuria për dijen dhe dëshira për ti parë fëmijët e fshatit të mirëarsimuar, bëri që emigrantët dardharë të finacojnë ndërtimin e shkollës së parë shqipe, që u hap në gusht të vitit 1917.

Festa e shkollës

Më datën 15 gusht, për të festuar 100 vjetorin e shkollës shqipe në Dardhë, u mblodhën jo vetëm banorë të fshatit, por dhjetra shqiptaro-amerikanë të ardhur rishtas për këtë ngjarje të rëndësishme. Ishmësues, veteranë, përfaqsues të pushtetit lokal Korcë, të medias, të fesë, emigrantë të grupmoshave të ndryshme, u bënë pjesë e kësaj feste të bukur. Pjesmarrësit e shumtë kujtonin me respekt mësuesin e parë Leonidha Cika, brezat e nxënësve në vite dhe ku ndodhen aktulisht.

mesuesi i pare Leonidha CikaNjë atmosferë mallëngjyese, ku gëzimi gërshetohet me lotët. Klima e freskët, në dallim nga pjesa tjetër e vendit, uji i ftohtë, gjellët e pijet karakteristike dhe bukuritë e fshatit ja shtuan hijeshinë kësaj feste. Vizitat në muzeumin e pasur me materiale, foto e dokumente të bijve dardharë, ku zoti Koli Skënde të flet me pasion për cdo ngjarje, por dhe me respekt të vecantë për komunitetin e amerikës, e pasuruan atmosferën festive të këtij 100 vjetori. Është fakt se komuniteti shqiptar i Amerikës nuk i ka ndërprerë asnjëherë lidhjet me fshatin, pamvarësisht vështirësive e rrethanave të krijuara, thotë zoti Skënde. Tashmë ne po përpiqemi të rifitojmë vlerat e dikurshme me projekte të finacuara nga emigrantët, me qëllimqë fshati të tërheqë sa më shumë turistë, theksoi një banor i fshatit.

Po cila është historia 100 vjecare e shkollës shqipe në Dardhë

Studjuesi Kristaq Balli, shpjegon gjerësisht, kushtet, rrethanat dhe ecurinë e shkollës shqipe në Dardhë.

Në studimin e tij për këtë temë ai shpjegon se, në fillimshekullin e XX-të në Dardhë, bazuar në rrethana specifike ndërkombëtare e rajonale, por sidomos nga rrezatimi e presioni pozitiv i influencave perëndimore të bijve të saj nga Amerika, si dhe të një atmosphere të brendshme kombëtarisht të favorshme , lindi dhe u konsolidua nevoja e çeljes së shkollës në gjuhën shqip, si një prej ndërgjegjësimeve të para se gjuha kombëtare ishte një pasaportë identifikuese, pa të cilën një komb edhe mund të asimilohet e të humbasë në vorbullat e historisë dhe kohës. Edhe çelja e disa shkollave të tjera shqipe do kohë më parë në disa fshatra të tjerë të rajonit të Korçës, u bënë shembull nxitjeje e veprimi konkret. Megjithatë, çelja e shkollës shqipe në Dardhë në gusht 1917, nuk u bë ashtu rastësisht e menjëherë. Tentativat dhe përpjekjet për ta lëvruar atë kishin kishin filluar shumë kohë më parë, ku hapur e ku fshehur, individualisht apo me grupe të vogla. Kështu, fillimet për praktikimin e saj i gjejmë në disa dokumente të familjes Zengo, ku një prej bijve të saj Papa Jani Zengo, rreth vitit 1865, përpiqej që të përshtaste në shqip tekste të liturgjisë duke krijuar edhe një alfabet të vetin me shkronja të përziera latine, greke e cirilike, si dhe përkthimin me to të disa fragmenteve të shkurtra të shërbesave fetare festive. Po ashtu, shumë emigrantë dardharë e kishin mësuar shqipen, madje disa prej tyre ishin bërë gazetarë të organeve të rëndësishme në emigracion. Sotir Peci themeloi të parën gazetë shqip “Kombi” në SHBA, më 1906, e cila u bë një tribunë e promovimit të çëshjes shqiptare, më vonë ishte delegat në Kongresin e Manastirit e anëtar i Komisisë Letrare Shqipe të Luigj Gurakuqit,. Të tjerë patriotë dardharë u bënë gazetarë ose me gazetat e tyre në gjuhën shqipe, ose nëpërmjet artikujve të tyre me karakter të spikatur antishovinist e kombëtar në shtypin shqip në emigracion. Të tillë si Josif e Vasil Pani (me gazetat “Drita” e “Sazani”), Kostë Isak, Misto Millona, Gaqo Konda, etj., vunë në dispozicion kapacitetet e tyre intelektuale e materiale në funksion të çështjes shqiptare duke i shprehur ato në gjuhën shqipe. Një premisë e natyrshme e futjes së gjuhës shqipe në Dardhë kanë qenë vetë familjarët emigrantë në SHBA, të cilët duke dërguar letrat e tyre, inkurajonin fëmijët e të afërmit e tyre në Dardhë të mësonin gjuhën shqipe dhe të dërgonin përgjigjet e letrave në këtë gjuhë. Por edhe brenda në Dardhë kishte filluar “underground” mësimi i gjuhës shqipe nga disa “mësues” privatë që kishin mësuar atë në situata të caktuara, sidomos pas çeljes së Mësonjëtores së Parë Shqipe, por që hasnin kundërshtimin e një pjese konservatore të propagandës së megaloidesë.
Jo pak e rëndësishme ishte ekzistenca tek dardharët e një dëshire të thellë arsimdashëse që ata e kishin konfirmuar edhe më herët, duke mos njohur asnjëherë analfabetizmin. Gjithashtu ndër faktorët që stimuluan mundësinë e fillimit të një faqeje të re për gjuhën shqipe në Dardhë ishin edhe hyrja e një sërë librash, broshurash e literature metodike shqipe nga shoqëritë e emigrantëve shqiptarë në Rumani, Bullgari, Egjipt dhe SHBA, të cilat nuk kish se si të mos krijonin një situatë entusiaste për nevojën e mësimit të gjuhës shqipe, madje edhe kur dihet se gjatë viteve për të cilat bëhet fjalë, edhe influenca shoviniste greke për të mos lëshuar pozicionet e saj në fushën e edukimit grekofil ishte e sertë, intensive. Pak a shumë këto ishin faktorët historikë e shoqërorë, ballafaqimi i tyre shpesh konfliktual, perceptimi i tyre objektiv në përputhje edhe me situatën e përgjithshme kombëtare pro konsolidimit të një shteti shqiptar, ku autoktoniteti dhe gjuha amtare janë faktorët determinues të ekzistencës dhe identitetit, që bënë të domosdoshme dhe të mundur çeljen e shkollës shqipe në Dardhë një shekull më parë. Sigurisht që kjo ngjarje ishte në fakt një lëvizje përparimtare, ku shumë njerëz e faktorë influencuan pozitivisht duke dhënë në një apo tjetrën formë ndihmesën e vet, por merita kryesore i takon mësuesit të pasionuar e përparimtar Leonidha Çika (dhe babait të tij Vangjel), kontributi i të cilit konsiderohet i gjithanshëm, vendimtar e i merituar në marrjen e këtij vendimi deçiziv për çeljen e shkollës shqipe në Dardhë. Por edhe pse shkolla shqipe filloi udhën e saj të vështirë por të pandërprerë, edhe shkolla greke nuk u mbyll sakaq. Me rivalitet, mbështetje e manovra të qarqeve të caktuara filogreke, ajo rezistoi edhe dy vjet, derisa falimentoi nga bojkoti që fëmijët e banorëve dardharë i bënë asaj përfundimisht aty nga viti 1920.

Shkolla shqipe e Dardhës kishte në thelb një karakter laik, demokratik, progresiv e kombëtar. Qëllimi kryesor i saj ishte së pari, mësimi i gjuhës shqipe të unifikuar. Por në programin e saj ajo kishte edhe dituritë e shkencave natyrore e shoqërore si matematikën e gjeometrinë, historinë e gjeografinë, si dhe “filozofinë e lashtë”, moralin, familjen, mësimin e profesioneve, fizkulturën e kulturën, të gjitha të programuara nga mësuesit e pasionuar që në të shumtën e rasteve punonin vullnetarisht, apo mbaheshin nga fshati. Edhe pse me kushte të vështira ekonomike e mungesë librash e materialesh didaktike, por të sprovuar në pasionin dhe përkushtimin e tyre mësuesit, të mbështetur veçanërisht nga emigrantët dardharë, siguronin disa libra bazë për programin e tyre, ose i krijonin ato vetë, minimalisht për të garantuar që një nxënës, kur mbaronte këtë shkollë të dilte i përgatitur aq sa mund t’i hapej rruga e mëtejshme për vazhdimin e shkollave të tjera në nivele më të larta. Madje, u bë e mundur që shkollën ta ndiqnin edhe të rriturit me programme të përshtatura kryesisht në mësimin e shkrimit dhe leximit në gjuhën amtare.

Viti 1924, shënon një ngjarje të rëndësishme për këtë shkollë. Pasi numuri i nxënësve ishte rritur ndjeshëm dhe godina ekzistuese përballonte me vështirësi akomodimin e tyre dhe, mbi të gjitha ambicjet e emigrantëve që Dardha të kishte një nga shkollat më të mëdha e më “rrezatuese”, që t’i përshtatej sa më mirë mjedisit të qytetëruar ekonomiko-shoqëror të vendlindjes së tyre, Vëllazëria Dardhare “Mbleta” në SHBA, me kontributet e anëtarëve të saj, bëri të mundur ndërtimin dhe paisjen e një shkolle të re aq të bukur, të bollshme e modern për kohën, sa do ta kishte zili edhe një qendër shumë më e madhe urbane. Me ndërtimin dhe kompletimin e kësaj shkolle, fillon edhe një fazë e re e modernizimit të arsimit në Dardhë, një traditë e vyer që vazhdon të ruhet dhe sot, pjesë e të cilës është dhe festa e organizuar më 15 gusht 2017.

Filed Under: Featured Tagged With: Dardha, pioniere e emigracionit, Shefqet Kercelli, shqiptar në SHBA

Trump The Lion Heart

August 16, 2017 by dgreca

Në politikë, arti i të folurit është pararoja e arritjes apo humbjes, paqes apo konfliktit, rrëshqitjes apo ngritjes, progresit apo regresit. Epifora apo retorika përmbajnë nganjëherë blofin që rastësisht mund të jetë dhe efikas, por kjo ndodh rrallë./

1 Alfons-Grishaj

NGA ALFONS GRISHAJ/

Gjatë leximit, “Paterns of Democracy”, të Arend Lijphart, u befasova nga analiza shkencore që  i bën autori  qeverisjes së 36 shteteve. Lijpraht, mendon se,  efikasiteti i formës  qeverisëse  më të mirë  është ai  amerikan dhe ai anglez. Në librin e tij shohim se, në listën e 36 shteteve  nuk përfshihet  Kina, Rusia e as Korea e Veriut. A mund të jetë kjo rastësi, kur në këtë studim përfshihen vende pothuajse të padëgjuara si, Barbados, Trinidad?! Unë them  se nuk është rastësi .

Në Kapitullin 3 (të këtij libri), The Consensus  Model of Democracy , f 31,  thuhet: “The majoritarian interpretation of the basic definition of democracy is that it means, government by the majority of the people. It argues that majorities should govern and that minorities should oppose.

Në Kapitullin 4, Definition of Democraci, f 48, thuhet: (1) Right to vote, (2) the right to elect, (3) the right of political leaders to complete for support and votes, (4) elections that are free and fair, (5) freedom of association, (6) freedom of expression,(7) alternative sources of information, and (8) institutions for making public policies depend on votes and other expressions of preference. Po a kanë një sistem të tillë Kina, Korea e Veriut apo dhe Rusia?

Dikush mund të thotë, ne i dimë këto se janë këtu apo aty… Sigurisht, edhe vendet komuniste, edhe dikatorët i dinë, edhe në Shqipërinë demokratike të sotme, i dinë, po si paraqiten e zbatohen  këto parime të shenjta ?

Vendet që  nuk zbatojnë  parimet  bazë të drejtave dhe lirive themelore të njeriut  janë debitorë ndaj popullit të vet dhe demokracisë botërore. Në themel kanë si parim kryesor konfliktin  brenda dhe jashtë vendit dhe kërcënimi është gjuha e tyre e vetme.

Në politikë, arti i të folurit është pararoja e arritjes apo humbjes, paqes apo konfliktit, rrëshqitjes apo ngritjes, progresit apo regresit. Epifora apo retorika përmbajnë  nganjëherë blofin që rastësisht mund të jetë  dhe efikas, por kjo ndodh rrallë.

Vendet komuniste  dhe diktatorët e kanë për traditë blofin. Përdorimi i blofit është zakon  i fallsifikatorëve dhe diabolikëve. Zakonisht, perëndimorët përdorin presionin  e qelqtë. Serioziteti i retorikës perëndimore nuk përmban ngarkesa bllofi siç ndodh tek komunistët dhe diktatorët, por një filozofi pragmatiste, që po nuk e kuptove dhe nuk e more seriozisht, je i destinuar të humbasësh…

Gjatë luftës së ftoftë, Amerikë – Bashkimi Sovjetik, Presidenti JFK, paralajmëroi URSS  se, nëse nuk i  heq raketat nga Kuba , Amerika do ishte  i gatshme  të merrte hapa serioze, duke mos përjashtuar inkursionin  ushtarak që do kishte pasoja të paparashikuara për Rusinë, Kubën dhe më gjërë. Nikita Krushov, vazhdoi të luate lojën e vet, e cila nuk ishte e mbushur me helium por me frymë bllofi. Në momentin që Nikita, shikoi  pregaditjen e Amerikës për luftë, u tërhoq disa orë para ultimatumit, duke deklaruar se do largojë  raketat nga  Kuba.

Në një takimin që patën në Vjenë,  Kenedi dhe Krushov, biseduan rreth rrezikut të luftës bërthamore. Kur Kenedi i kujtoi Sekretarit të Parë URSS, Krushov, se, nëse do  përdoreshin bombat automike, në 10 minuta do të vdisnin 70 milion njerëz, Krushovi e shikoi Kenedin  dhe i tha: “ Çfarë rëndësie ka kjo?!” Vetë përgjigjja e tij tregon se sa me vlerë është jeta e njeriut për ateistin komunist.

Tani, Korea e Veriut  me Kim Jong-un, po bën të njëjtën gjë që bënin Sovjetikët vite më parë. Presioni dhe fodullëku i Koresë së Veriut, ka provokuar rëndë patriotizmin dhe shtetin Amerikan deri aty sa, ka detyruar Presidentin Trump, të dalë me deklarata tepër të forta  si: “ Military solution are now fully in place, locked and loaded…” – dhe më tej –   “Kim Jong Will regret it fast if he attacks Guam, US allies!”  Kim Jong-u,  të  kujton Krushovin, i cili provokoi Kenedin, deri në kockë, me fjalët: “Eshtë në dorën e Amerikës, nëse do të bëhet luftë ose paqe…” Kenedi i përgjigjet flakë për flakë: “Do të ketë luftë. Do të jetë një dimër i ftoftë.”

Lojrat politike janë të tilla… dhe këto lojra të vështira nuk mund t’i luajë kushdo. Tani ne, shohim një Trump The Lion Heart, i cili, dhe pse ka këshilltarët e vet dhe Gjeneralët me  në zë, fuqinë e tij e mbështet në krahun e Zotit. Mendoj se ai gabon vetëm në një rast, kur shpreson se Kina, do ndërhyjë për të qetësuar situatën…! E kam thënë dhe herë të tjera, Kina e krijon vetë konfliktin… Përzgjidhja, matematika kineze për t’u bërë superfuqi, ka në thelb ekspansionin qoftë dhe me kosto të lartë. Në retrospektivë, në shekullin e dytë para lindjes së Krishtit, në Kinë, Gjenerali Xiang Yu, zuri rob 200 000  ushtarë të Perandorisë Qin dhe i ekzekutoi të gjithë, pa pike mëshire! Lexuesi duhet të bëjë një llogari të asaj kohe me të sotmen…  Vetë ky Gjeneral pati një fund pa lavdi, kur u mund nga  “sworn brother” (apo vëllau i gishtit siç themi ne shqiptarët) Liu Bang (Liu Ji), i cili  ndërtoi Dinastinë Han. Pas njëzetedy shekujsh shfaqet, Mao  Zedong, i cili, në kohe “paqeje” vrau miliona njerëz nga populli i vet. Imagjinoni ç’do të bënte në kohë lufte kundra nacioneve të tjera!

Në listën e 10 kriminelëve  më të mëdhenj të njerëzimit, katër i përkasin lindjes së largët, më saktë, një rrethi që përfshin Kinën, Japoninë, Kamboxhian dhe Korenë e Veriut: Mao Zedong, Hideki Tojo, Pol Pot, Kim II Sung. A duhet të jetë dhe kjo rastësi?

Tradita e hershme filozofike e Kinës, mbështetej kryesisht në mendimin  konfucian, që ka njëfarë përngjasimi me filosofinë abrahamike, por zhvillimet historike e çuan mendimin kinez në nihilizëm, sipas të cilit, jeta e njeriut nuk është asgjë. Kështu i bie që, Korea e Veriut (aleat), dhe pse humbet miliona njerëz dhe kthehet në gërmadhë nuk përbën ndonjë problem. Rëndësi ka që Kina, t’i shkaktojë Amerikës, sa më tepër  humbje  si  në  fuqinë ushtarake dhë në arenën  ndërkombëtare. Kina, këtu gabon rëndë se, lufta do zhvillohet jo në Amerikë, por në rajonin e vet dhe për rrjedhojë dhe ajo vetë do të ketë pasoja.

Sigurisht, nuk janë të pakët ata, të cilët, dëshirojnë që Amerika ta humbasë këtë luftë. Por as dhe ata nuk kanë arsye për t’u gëzuar, sepse nëse do të ndodhte kjo, njerëzimit i mbetet 1% shans për të mbijetuar.

Në bisedimet që Presidenti Trump, pati me Governerin e Guam-it, Eddie Baza Calvo, i tha: “Don’t worry about a thing. They should’ve have me eight years ago… I have to say, Eddie, you are going to become extremely famous. All over the world they are talking about Guam and they are talking about you.” Governor Eddie Calvo, i përgjigjet Trump: “I have never felt more safe or so confident with you at the helm!”

Fjalët e Governerit janë të sinqerta dhe përmbajnë një mesazh sigurie ku vlerësohet  figura  e Trump.  Çdo palë aleate apo dhe  qytetarët amerikanë, dhe pse disa e kundërshtojnë, janë më të sigurtë me Trump se me asnjë President të mëparshëm. Ai është i sinqertë, paqësor, besnik, por dhe luftarak. Sot, është i vetmi personalitet në botën e civilizuar që lufton kalbëzimin e Mediave, një rrezik serioz për helmimin e qytetarëve dhe demokracisë. Disa gazetarë kanë kohë që për qëllime përfitimi kanë harruar misionin e shenjtë.

Një pjesë e botës së qytetëruar është në dilemë për figurën e Trump, por asnjëherë konservatorët, dhe aleatët Arabë. Ata, shohin tek ai sigurinë dhe prosperitetin reciprok. Sauditët i rezevuan  Trump,  një pritje madhështore sikur të ishte Perandor. Deri më sot, asnjë vlerësim i ngjashëm nuk i është bërë ndonjë Presidenti në histori. Poashtu, pritja që i rezervoi populli polak, ishte një kulm i dytë, që  tregoi  bashkimin e  poleve të besimeve të ndryshme në një figurë shumëdimensionale dhe shpresëdhënëse.

Popujt janë overwhelmed me demagogët dhe politikën shterpë. Ata përshendesin çdo udhëheqës me vizion  të ri që nuk vjen nga kalbëzimi politik.

E sotmja është reflektim i të shkuarës, por e shkuara nuk mund të përsëritet më në të sotmen. Gjenerali i famshëm Douglas MacArthur, pas masakrimit të ushtarëve amerikanë, nga kinezët dhe koreano-verioret, do t’i kërkonte Trumanit, që t’i pritej trupi gjarpërit Kinez, pa u ribërë dragon, por Truman nuk e kuptoi Gjeneralin legjendar dhe e liroi nga detyra. Të njëjtën gjë do kërkonte Gjenerali Paton, për të shkatërruar Bashkimin Sovjetik pa u bërë superfuqi, por propozimin e tij e quajtën marrëzi…?!

Duhet të kujtojmë se në kohën e këtyre propozimeve, Amerika ishte e vetmja superfuqi bërthamore në botë. Sot, Trump, ka vlerësuar drejt përgjegjësinë e gabimeve të paraardhësve të vet dhe ka zgjedhur të udhëhiqet nga shpirtërat e herojve legjendarë të Amerikës, sakrificat e të cilëve i siguruan botës paqen më jetëgjatë në historinë e saj.

Realiteti i Trump, është se,  megjithëse i përket “poliarkisë”, mundohet të jetë sa më tokësor dhe i afërt me hallet e popullit! Retorika që bëri me oponentët e tij për President, tregoi se ai është i “thirrur” aspak i rastësishëm dhe fitoi.

Debati që po zhvillon me mediat, do e nxjerrë përsëri fitues. Nëse do fillojë lufta, ju siguroj se, luftën do e fitojë  përsëri  Amerika me në krye, Trump  The Lion Heart.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Trump The Lion Heart

MIDHAT FRASHËRI – KOLOSI I HARRUAR I KOMBIT

August 15, 2017 by dgreca

2 Mithat Frasheri21-mithat-frasheri-e-abaz-kupi-londer-19491 Mithat Frasheri1 Mithat Frasheri

Nga Frank Shkreli/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Disa burime tregojnë se Midhat Frashëri mbajti fjalimin drejtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Radio Londra më 16 gusht, 1949, ndonëse disa të tjera e përcaktojnë transmetimin e fjalimit të Midhat Frashëri në BBC, si në “vjeshtën e vitit 1949”.  Cila do qoftë data e saktë e përvjetorit të trasnmetimit, ia vlen t’a kujtojmë fjalimin dhe njeriun e madh të kombit që u foli shqiptarëve me atë rast, vetëm disa vjetë që regjimi komunist kishte uzurpuar pushtetin në Tiranë. Po e kujtojmë atë me disa përditësime nga disa shënime të më hershme mbi këtë kolos të kombit, natyrisht, për vet meritat e mëdha të këtij burri të madh, trashëgimtar i familjes së madhe rilindase të Frashënlijve, mendimtarit, shkrimtarit, politikanit dhe mbi të gjitha Shërbestarit të Shqipërisë, siç e quanin bashkohasit dhe bashkluftarët e tij.  Në fjalimin e tij në BBC, ai paralajmëroi për fatkeqsinë komuniste dhe paralajmërimin e krijimit të Komitetit, “Shqipënija e Lirë”.  Sidoqoftë, fati i tij dhe i Shqipërisë deshi që ai të ndërronte jetë në mërgim, më 3 tetor, 1949 në New York, më pak se dy muaj pas transmetitmit të fjalimit në BBC.  Nëse vdekja e tijë papritur, aq shpejt pas fjalimit në BBC, kishte të bënte me jehonën që bëri në atë kohë ai transmetim, mbetet për t’u zbuluar nga historianët.

Pa dashur të futem në intrepretime të ndryshme, dua vetëm të shënoj këtë përvjetor me një kujtim modest, në emër të disa bashkombasish të mi, ish-bashkpuntorë të ngushtë të Midhat Frashërit – të cilët nuk janë më – por të cilët i kam njohur dhe me disa prej tyre kam patur fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave dhe të cilët, besoj se po të ishin gjallë nuk do t’a lenin këtë përvjetor të kalonte pa thënë diçka për mësuesin dhe udhëheqsin e tyre të dashur. Në emër të ish-kolegëve të mi po përpiqem të kujtoj, në emër të tyre, njeriun që ata adhuronin me gjithë zemër e shpirt.

Për ta, Midhat Frashëri, si themeluesi dhe kryetar i Ballit Kombëtar, ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por e konsideronin edhe si udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh.  Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, ish-kolegë të mi, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos kujtonte diçka nga koha që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilët si besnikë tij që ishin, më tregonin se ai iu referohej  atyre si “djemtë e mijë”.  Këta ishin ndër ata që kishin shkuar këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon, ose “Lumua” që ishte bërë si emër i dytë i tij. “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëm i ish-kolegëve të mi, sidomos gjatë pushimeve kur shkonim për kafe, pas transmetimit të programeve në ndërtesën e VOA-s.  Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin porositë e tij dhe të luftonin me dije e me penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një “Shqipëri të Shqiptarëve”, siç thonin ata.

Ata flisnin për udhëheqsin e vet, si njërin prej tyre, i cili sipas ish-kolegeëve të mi, ishte i thjeshtë e i dashur me të gjithë – gjithmonë me ta — gjatë luftës nepër borë e shi e të ftohtë — si në fitore ashtu edhe në humbje.  Ata kujtonin arratisjen e tyre nga Shqipëria me lundër nepërmjet Shkodrës për të shpëtuar kokën nga Enver Hoxha, kur çlirimi i vendit fatkeqsisht u zëvendësua me sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, i cili detyroi që shumë prej bijve më të mirë të kombit të arratiseshin e të merrnin rrugët e botës.  Ish-kolegët e mi kujtonin jetën nëpër kampet e refugjatëve në Itali dhe gjetiu, në gjëndje shumë të vështira të asaj kohe, pa mbështetje dhe pa shpresë, shpesh edhe pa ushqim të mjaftueshëm.  Pasi e dinin se isha i lindur në trojet shqiptare nën-ish-Jugosllavinë, kolegët e mi më flisnin shpesh për pasionin e thellë dhe dashurinë që Midhat Frashëri kishte pasur për Kosovën dhe për trojet shqiptare në përgjithësi, gjithmonë theksonin ëndërrën e tij për një Shqipëri Etnike.   Megjithë humbjen politike dhe megjithë vuajtjet nepër rrugët e mërgimit, të gjithë ish-kolegët e mi, pothuaj pa përjashtim, pohonin se megjithë humbjen dhe përball situatës së zymtë të pas luftës si përfundim i fitores së komunizmit dhe të ndarjes me familjet e tyre, ndonëse ata vet kishin humbur shpresat, ata pohonin se ishte Midhat Frashëri ai, i cili, sipas tyre i frymëzonte ata, u jepte shpresë, u jepte forcë për të shikuar me optimizëm drejtë së ardhmes.  “Shpresa mbahet me punë dhe ideal”, ka shkruar Midhat Frashëri dhe pyetjes se “Cili duhet të jetë ideali ynë?, ai i është përgjigjur duke thënë se ideali ynë, “Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”

Prandaj, në përvjetorin e tramsmetimit të fjalimit të Midhat Frashërit në BBC, gushtin e vitit 1949, dua të kujtoj edhe ata që kanë qenë afër tij dhe me të cilët kam pasur nderin dhe privilegjin t’i njoh për së afërmi.  Pikëspari Zonjën e ndershme Lulu Vrioni, të mbesën e Midhat Frashërit dhe për mendimin tim, ndoshta spikerja më e mirë që kam njohur unë.  Talat Karagjozi, i cili më thoshte se Midhat Frashëri i kishte vdekur në duartë e tija dhe kurdoherë që fliste për të, i mbusheshin sytë me lotë, pasi nga ajo ditë e sot, spekullohet se me të ardhur në Amerikë, Midhat Frashëri u helmua pas deklaratës që kishte bërë në radion BBC të Londrës në lidhje me formimin e lëvizjes anti-komuniste në mërgim dhe pas themelimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Midhat Frashëri.   Ndër të tjerët  e kësaj gjenerate, me të cilët kam punuar,  kanë qenë I nderuari Xhevat Kallajxhiu, Ruzhdi Daca, Gaspër Kiçi, Bardhyl Pogoni,   Dr. Tako Bacaj,  Ramazan Turdiu, pastaj djemtë e Profesorit dhe gjeografit të njohur dhe kartografit  të parë  shqiptar nga Kosova, Ahmet Gashi – autorit  të parë të gjeografisë  së Shqipërisë më 1935 —  vëllëzërit  Dr. Faton Gashi dhe Prof. Luan Gashi i Lidhjes Kosovare, jeta e të cilëve ishte e dendur me veprimtari patriotike dhe kontribute edhe për vendin e adaptuar, Amerikën – njëri si mjek i dalluar e tjetri si profesor shkencash politike.   Kujtimet e këtyre ish-kolegëve e miqëve të mi për Midhat Frashërin – ish-udhëheqsin dhe mësuesin e tyre – sikur janë bërë pjesë e kujtimeve për ish-kolegët e mi dhe për mësuesin dhe udëheqsin e tyre, Midhat Frashërin, birin e Abdyl Frashërit dhe nipin e Naimit dhe Sami Frashërit.

Në fjalimin e tij të famshëm në BBC-në e Londrës, në gusht të vitit 1949, Midhat Frashëri iu drejtua shqiptarëve kudo që ishin duke paralajmëruar se kombi shqiptar po e kuptonte se çfarë kishte sjellur fitorja e komunizmit në Shqipëri, duke thënë se, “Kadalë, kadalë raca Shqiptare, ajo racë së cilës nuk i mungon asnjë virtyt njerëzor, ajo racë që vuan por edhe që ndjen, që ofshan por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi, filloi të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun edhe fatkqesinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë.  Po i çilte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj”.   Ai e pat përfunduar fjalimin e tij duke shprehur shpresën se të gjithë Shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithëmonë për të mirën e Shqipërisë.  “Kjo,” ka thënë ai, “është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë Shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë.”

Fatkeqsisht — edhe në këtë përvjetor të këtij fjalimi në BBC — ky trashëgimitar i denjë i Rilindjes kombëtare – jo vetëm që në Shqipërinë e tij të dashur nuk konsiderohet si Shërbestar i Atdheut, por përkundrazi, historia komuniste e ka etikuar atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhëtar” të kombit.  E ke? Midhat Frashërin, djalin e Abdyl Frashërit! Midhat Frashërin e Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip!  Midhat Frashërin e Konferencës së Paqës në Paris edhe aty së bashku me At Gjergj Fishtën e Mons. Luigj Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!  Midhat Frashërin, i cili me fjalime e shkrime, nepër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanaticizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar!

Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike të kombit, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Historia shqiptare do ta thotë fjalën e fundit.  Kjo është arsyeja pra që Midhta Frashëri Meriton të kujtohet, jo vetëm me rastin e përvjetorit të transmetimit të fjalimit të tij në radion BBC të Londrës me 16 gusht, 1949, por gjithmonë dhe nga të gjithë shqiptarët kudo, pa marrë parasyshë ndryshimet në pikëpamjet politike dhe ideologjike midis tyre.  Në këtë përvjetor, po të mund të fliste, Midhat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha për “të përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtuqë më fund të fitojnë luftërat që e presin kombin, për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhëshëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, MIDHAT FRASHËRI – KOLOSI I HARRUAR I KOMBIT, Mit'hat Frasheri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1848
  • 1849
  • 1850
  • 1851
  • 1852
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT