• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇLIRIMI I DYTË I KOSOVËS! – GËZUAR PAVARËSIA E KOSOVËS POPULLI SHQIPTAR!

February 17, 2021 by dgreca

MA AGIM ALIÇKAJ/

Sot kemi përse të festojmë. Fitorja e Vetëvendosjes me liderët Albin Kurti dhe Vjosa Osmanin, krijon mundësinë për ndryshime të mëdha. Ngase edhe Republika e Kosovës, shpëtoi nga shkatërrimi. Dita e 14 Shkurtit mund të shikohet si dita e çlirimit të dytë të Kosovës, atij çlirimit nga klasa e verbër sunduese, promotore e korrupsionit, papunësisë, nepotizmit, servilitetit ndaj ndërkombëtarëve dhe nënshtrimit total ndaj shtetit shovenist serb.

Andaj tani të gjithë shqiptarve na pret punë e madhe për ta ndihmuar qeverinë e re, mbasi Pavarësia e Kosovës është fitore gjithëkombëtare.

Mërgata shqiptare ka qenë dhe është në shërbim të kombit. Dhe këtë e tregoi veten me pjesëmarrjen në zgjedhje dhe angazhimin rreth tyre: “Ishte një gjë madhështore, kjo nuk ndodhë askund në botë, as në vendet më demokratike. Nuk ka më pushim për askend, as për Mërgatën. Gabimi më i madh i të gjithëve ishte se pas shpalljes së pavarësisë u lejuan qeveritarët të bëjnë çfarë të dojnë. Aktiviteti lobist sidomos në Amerikë duhet të forcohet dhe të shtohet”.

Në këtë 13 vjetor ri-sjell këtë shkrimi të cilin ia dedikova pavarësisë së Kosovës në vitin 2019, shkrim i cili mendojë se është e do të jetë aktual në çdo përvjetor, duke ja uruar pavarësinë mbarë kombit shqiptar:

Gëzuar Pavarësia e Kosovës Populli Shqiptar!

“To be or not to be” – “Të jesh apo të mos jesh” është pyetja më aktuale për Kosovën dhe Kombin Shqiptar sot, me rastin e 11- Vjetorit të shpalljes së pavarësisë së “mangët” të Kosovës

Pavarësia!

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt të vitit 2008, padyshim, ishte ditë e madhe për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Edhe pse me mungesa të mëdha, ishte e vetmja mënyrë që Kosova, të bëhet e pavarur, dhe të njihet qysh në fillim nga vendet më të fuqishme të botës dhe vendet demokratike perendimore, përfshirë SHBA, dhe të tjera.

Kjo, u pëforcua edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Pa hyrë në një analizë të tij, plani i Ahtisarit përbën në vete konçesionet më të mëdha të mundshme të popullit shqiptar të Kosovës për t’a arritur pavarësinë. Pas 11 vitesh të kësaj pavarësie, ngjarjet e fundit, fatkeqësisht na bëjnë më shumë të brengosemi se sa të gëzohemi. Edhe, sa koncesione tjera në dëm të interesave të veta duhet t’i pranojë populli i Kosovës? Me punën këmbëngulese të armikut tonë dhe plotësisht me fajin tonë, Kosova rrezikon të shuhet si shtet.

Bisedimet me Serbinë dhe sanksionet e qeverisë së Republikës së Kosovës

Shtrohet pyetja se çka fitoi Kosova nga bisedimet me Serbinë prej shpalljes së pavarësisë deri më sot ?! Përveç disa çështjeve të vogla që ishin me shumë në interes të serbëve, Kosova, fitoi fusnota dhe zvogëlim të metutjeshëm të sovranitetit. Tashti kemi ardhë në pikën më kritike të humbjes përfundimtare. Pse duhet të bisedohet me Serbinë kur ende nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, kur ende nuk iu kthen të pagjeturit familjeve shqiptare në vuajtje të tmerrshme dhe të pafund, kur ende nuk pranon reparacionet për dëmet e shkaktuara. Nëse jemi shtet, pse duhet të bisedohet me Serbinë për çështje të mbrendshme të Kosovës?! A e kemi të qartë se për serbët e Kosovës duhet biseduar me përfaqësuesit e serbeve të Kosovës e jo me Serbinë. Pse nuk ngritet çështja e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës Lindore në nivel të drejtave të minoritetit serb të Kosovës.

Cili shtet demokratik mund t’a mohojë këtë të drejtë?

Sanksionet e fundit ekonomike të Kosovës kundër Serbisë na dhanë krenari dhe shpresë se, më në fund, edhe Kosova e mori veten dhe se edhe ajo “ka një grusht të fortë”. Kjo, ka edhe një element tjetër shumë pozitiv, edhe pse me mundime, ekonomia e Kosovës orientohet nga Shqipëria dhe vendet e tjera mike. Pse tashti duhet t’i nënshtrohemi presionit ndërkombëtare dhe fatëkeqësisht edhe atij të mbrendshëm për tërheqjen e tyre?! Serbia e thotë haptas: “ në pranojmë të hyjmë në bisedime vetëm nëse shqiptarët bëhen të arsyeshem dhe heqin sanksionet, por në kurrë nuk do t’a njohim pavarësinë e Kosovës”. Pas kësaj deklarate, çfarë kuptimi ka heqja e sanksioneve ?! Çfare kuptimi kanë bisedimet me Serbinë kur ajo po të tregon që më parë se nuk do të njeh si shtet kurrën e kurrës. Për ma keq, është e qartë se Serbia, përfaqësuesit e Kosovës dhe shqiptarët nuk i njeh as për njerëz e lërë më për bashkëbisedues të barabartë. Sanksionet nuk duhet të hiqen derisa Serbia, nuk i plotëson kushtet e lartëpermendura dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Asnjë shtet demokratik nuk ka të drejtë morale të ia mohojë këtë të drejtë legjitime Republikës së Kosovës. Pas njohjes së pavarsisë, marrëdhëniet ekonomike dhe ndërshtetërore me Serbinë duhet të rishqyrtohen, varësisht nga interesat e Kosovës dhe të bazuara në reciprocitet të plotë. Historia na mëson se Serbia nuk lëshon pe kurrë me bisedime. Ajo e njeh dhe respekton vetëm forcën dhe presionin e vërtetë ndërkombëtare. Nuk duhet bërë lëshime të panevojshme në dëm të vendit tonë për të iu hyrë në hatër ndërkombëtarëve.

Shkëmbimi i Territoreve
Të dhemb zemra kur dëgjon disa politikanë apo mendimtarë shqiptarë që thonë së populli i Kosovës nuk humbë asgjë me shkëmbimin e territoreve me Serbinë dhe se kjo punë mund të kryhet “shumë lehtë”. Edhe më keq, ka nga ata që thonë se veriu i Kosovës është edhe ashtu “i humbur”. A është ky naivitet, budallëllek i kulluar, apo diçka tjetër që nuk dua ta besoj?! Edhe pse, me fajin tonë, një pjesë e territorit të Kosovës kontrollohet nga minoriteti serb, kjo nuk është tokë e humbur pa u dhënë pëlqimi nga populli shqiptar dhe deri sa atë tokë, nuk e shkelë ushtria serbe. Nëse lejohet ushtria serbe të hyje në të, atëhere do të humbet përgjithmonë. Për ta kthyer, do të duheshin bombardime të tjera të Natos, dhe një luftë tjetër, gjë që nuk mund të ndodhë më. Në një shtet demokratik, askush nuk ka të drejtë të bëj pazare me tokën e tij.

Askush!

Shihni shtetin më demokratik në botë, SHBA’të. Një President, që ka fuqi shumë më të madhe se cilido udhëheqës i Kosovës apo çfarëdo shteti tjetër, për dy vjet përpjekjeje, pa pëlqimin e opozitës, ende nuk arriti ta bëjë një murë dhe atë në tokën e vet, për mbrojtjen e kufirit të jugut nga ilegalet dhe trafikimi i drogave. Çfarëdo ndryshimi i kufijve të Kosovës do të shënonte zhdukjen e Kosovës si shtet dhe humbjen më të madhe të kombit shqiptare gjatë gjithë historisë së tij. Pse duhet të mashtrohet populli ynë i shtrenjtë i Kosovës Lindore, me qëllim të aresyetimit të ndryshimit të kufijve, se do të mund bashkohet lehtë me Kosovën. Serbia kurrë nuk do t’a pranonte këtë, me kurrfarë bisedimesh, vetëm me luftë. Me hyrjen e Natos në Ballkan, luftat kan mbaruar. Pse, për 11 vjet pavarësie nuk e gjetëm mënyrën t’a bëjmë Kosovën Shtet të mirëfilltë të pavarur dhe sovran? Dhe tashti, në vend se të merremi me mbrojtjen e vëllezërve tanë në tokat e veta, në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri, ne edhe mëtutje duhet të mbrohemi në Kosovë?

Përkrahja e SHBA-ve, dhe Shteteve Demokratike Perendimore

Roli i SHBA-ve në arritjen e rezultatit final për Kosovën është i pazëvendësueshëm .

Është gjë e njohur, se populli shqiptar i don SHBA-të, me zemër dhe pa hile. Kemi arsye të forta. Amerika (nënkupto SHBA-të) na shpëtoi disa herë nga zhdukja si komb. Ne duhet dhe do të vazhdojmë t’a duam dhe respektojmë Amerikën përjetë. Amerika dhe NATO investuan shumë në Kosovë. Ishin faktor vendimtar në çlirimin, krijimin dhe njohjen e Kosovës si shtet me kufijtë ekzistues. Eshtë absurd të mendohet se do të çojnë dorë lehtë nga përkrahja e Kosovës. Mirëpo, Amerika nuk ka kohë të merret me neve në pafundësi. Ka shumë punë tjera më të vështira dhe më të rëndësishme. Në duhet vetë ta ndërtojmë shtetin tonë. Nëse jemi të organizuar, të fortë dhe të vendosur, përkrahja nuk do të mungojë. Eshtë i dëmshëm dhe i pabazë tentimi i disa politikanëve që ta përdorin faktorin Amerikan për arsyetim të qëndrimeve të tyre të gabueshme, shpesh antikombëtare siç është shkëmbimi i territorit me Serbinë apo heqja e sanksioneve ekonomike.

“Po thotë Amerika” !

Është shprehja e tyre më e preferuar dhe më e keqpërdorur për t’jua mbyllur gojën kundërshtarëve. Amerika është gjithmonë për bisedime, por nuk e urdhëron kurrë një komb t’ja falë territorin tjetrit. Ata që janë marrë me veprime legale lobiste në Amerikë e dijnë shumë mirë, se gjatë këtyre 30 viteve veprimi, ka ndodhë që qëndrimet amerikane, nuk kanë qenë në të njëjtën vijë me interesat tona kombëtare. Êshtë dashur të punohet me senatorë dhe kongresmen Republikan dhe Demokrat, për t’a ndërruar qëndrimin amerikan në favor të çështjes sonë të drejtë. Dhe kur e ke çështjen e drejtë, kur punon me zell, përkushtim dhe vendosmëri, Amerika, të përkrahë pa rezervë. Shumë kongresmenë dhe senatorë, luftëtarë të dalluar për të drejta të njeriut e morën çështjen e Kosovës dhe kombit shqiptar me zemër. Për të realizuar përkrahjen e plotë të Amerikës sot, duhet plotësuar dy kushte themelore: organizim dhe mobilizim të gjithëanshëm gjithëpopullor në vendlindje dhe përforcim të veprimeve lobiste në Amerikë. Evropa, është çështje tjetër, është e ngërthyer me interesa të shumta nga të gjitha anët, me influencë të madhe nga Rusia. Edhe pse e dinte se çështja jonë ishte e drejtë, Evropa, nuk ka qenë gjithmonë në anën tonë. Gjermania, Britania, Austria dhe Brukseli, janë duke mbajtur qëndrim parimore. Ne duhet të bashkëpunojmë me Evropën sepse jemi pjesë e saj, por pa i dëmtuar interesat tona kombëtare. Dhe, nuk duhet të harrojmë se fati i popullit tonë vendoset në Amerikë.


Në mbrojtje të çështjes kombëtare

A është e mundur që populli jonë të reagojë edhe njëherë si komb, si në kohën e bombardimeve të NATO-s dhe luftës së Kosovës? Ishte një gjë madhështore. Sot, ka ardhur koha ta bëjmë të njëjtën gjë, të ngrihemi të gjithë në këmbë në mbrojtje të çështjes kombëtare. Të gjithë në mbrojtje të Mitrovicës, me të gjitha metodat e mundëshme demokratike. Duke mbrojtur Mitrovicën, mbrojmë Prishtinën dhe Tiranën, mbrojmë Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Novi Pazarin, mbrojmë Shkupin, Tetovën dhe Gostivarin, mbrojmë Plavën, Gucinë dhe Tuzin, mbrojmë Çamërinë dhe mbarë kombin shqiptar anëkend botës. Eshtë e pakuptueshme, e çuditshme dhe e frikshme, indiferenca e popullit tonë në këto ditë vendimtare për kombin tonë. Duke i shkruar këta rreshta, erdhi lajmi se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, më në fund, u prononcua publikisht për situatën. Ishte një deklaratë e qëlluar. Nuk kam informata të plota por shtrohet pyetja, ku janë të tjerët? Ku është ASHA e Shqipërisë dhe forcat politike të gjitha trojeve tona, ku janë organizatat jo-qeveritare, ku janë institucionet fetare të një kombi tolerant, ku janë të gjithë tjerët, ku është mbarë populli ynë? Varet nga të gjithë në se a do të fitojmë dhe t’a këndojmë sëbashku këngën “Sa e madhe është Shqiptaria” apo do të humbim me turp dhe të vajtojmë me vargjet e Pashko Vasës “O moj Shqipni e mjera Shqiptari”.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Gëzuar Pavarësia e Kosovës

Lider dhe jo më idhull

February 17, 2021 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

1-Në kohën tonë,  lideri modern është misionar dhe jo  idhull klasik, sepse koha nuk ia lejon një shkapërcim të tillë,  nga lider misionar në  idhull  dhe nga idhull në legjendë. Aktualisht, politikanët  perëndimorë nuk mund të bëhen më idhuj. E shikojmë përditë dhe më shumë që idhuj bëhen shpikësit si p.sh. Stive Jobs, sportistët si Tom Brady,  dijetarët  dhe filozofët si Wittgensttein, i cili  me një libër filozofik, ‘Tractaus Logico-Philosophicus”, u bë një ndër 50 filozofët më të mëdhenj të Perëndimit;  shkrimtarë  si  Joanne Kathleen Rowling, autore e  “Harry Potter”,  etj.

Shoqëria moderne civile perëndimore i urren idhujt politikë dhe nuk lejon një impakt të tillë, sepse, pasi i jep  votën lidershipit (subjektit)  politik  i dorëzon pushtetin brenda një afati kohor të përcaktuar, e jo një pushtet absolut të përhershëm apo të pakontrolluar që do ta bënte liderin diktator dhe pushtetin e tij diktaturë. Kontrata tranzitore e mandatit të pushtetit, ndiqet e vëzhgohet hap pas hapi nga shoqëria dhe në fund bëhet bilanci dhe vlerësimi historik i arritjeve apo i dështimeve. Që lideri të   respektohet apo mbetet i nderuar për një kohë të gjatë në kuptimin historik, kjo   varet nga vizioni i drejtimit nga ana e tij, por dhe impresioni i masës, e cila kërkesat dhe pritshmëritë i ka pothuajse gjithmonë të parashtruara në sensin e imediates.

Por,  ndodh nganjëherë që lideri në fund të një mandati të lartësohet nga urrejtje e kundërshtarit. Ndërsa 75 milionë amerikanë e përkrahën dhe e votuan Donald Trump si lider, kundërshtarët e sulmuan me dy impeachments të gabuara duke e kthyer atë në legjendë…, fodullëk ky që, do u kushtojë demokratëve karriget, sepse ata liderin kundërshtar normal e kthyen në  mit !!! Dhe mitet është e vështirë t’i luftosh, sepse më parë duhet t’i zhbësh, gjë që nuk është aspak e lehtë.

Në politikë, kanë qenë të paktë liderë që janë bërë idhuj dhe kthyer në legjendë (ne kemi Gjergj Kastriotin) që kanë bërë histori në shërbim të popujve. Shumë të tillë janë konsumuar nga pushteti që në fazën e parë të ballafaqimit me problemet e shtetit.  Ata janë sfumuar dhe  avulluar sipas qasjes spekulative,  injoro ligjin dhe mbjell lavdi personale mbi të. Bash në ato momente populli ndeshet me  vrasjen e shpresës, ku  papritmas ndjehet i kurthuar në skëterrën e kolapsit të shtetit. Në këto momente dramatike masa njeh mëkatin e kthyer në idhull, që për mendimin tim, nuk është asgjë tjetër vetëm pulsi i vdekjes që fiket ngadalë, ndërsa  shpirti  largohet e merr arratinë për në skëterrë, duke vështruar nga lart trupin e vet të pajetë të shtrirë mbi dhe  dhe masën me duar në kokë.  

Ashtu siç shkroi Nietzche in “Thus Spake Zarathustra” (Kështu foli Zarathustra): “Gjithçka ju jep, po ta adhuroni këtë idhull të ri: kështu ai blen shkëlqimin e virtytit tuaj dhe vështrimin e syve tuaj krenarë. Do peshkojë shumicën nëpërmjet jush! Po na u shpik një makinë ferri, një kalë i vdekjes me tingëllim zilesh të ndereve hyjnore”.

2.Sevdaja e idhujve të rremë e ka ndjekur popullin tonë në shekuj. Herë një Ballaban e herë një Enver, herë një Esat e herë një Erdogan, pastaj, në djall ti o vatan! Varfëria dhe pamundësia e ka ndëshkuar keq për këto mëkate, sa dhe sot në shekullin 21  për  një grusht miell (e kam thënë dhe më parë),  të jep votën dhe po i ndërtove një kasolle, të jep dhe votrën! Renegatë frymorë shfaqen aty-këtu duke ngritur buste pushtuesish e duke bërë tregti me flamurin tonë kombëtar, më i bukuri në alem.  Ashtu si Guri Rrokaj që i këndoi Erdoganit. E pra Guri e gur-leshët nuk e kuptuan asnjëherë se paketa e ndihmave të Erdoganit s’ është tjetër veçse thjesht ambalazhi i ideologjisë ekspansive neootomane dhe i marrëdhënieve tregtare Turqi-Shqipëri. Ai po i ndërton ato shtëpi apo spitale, bash me tepricat e superfitimeve nga këto marrëdhënie, ku prevalojnë prodhimet e dobta të kompanive me shërbimet më  skarco  në glob, të sjellura prej tij  në Shqipëri, duke ua shitur shqiptarëve “sapunin për djathë”  kundrejt një fitimi astronomik, në raport me shërbimin dhe produktin. Dhe kjo dhuratë rip off … vjen  bash  nga “idhulli”  turk, Erdo-Khan! Historikisht, që nga koha Ginghis Khan-it, Khanët kanë pasur dëshirë të fusin hundët e tyre që nga zemra e Azisë (Kinë) deri në Europë e “Arrnautllëk”.

Sa për ilustrim:

Aktualisht, interneti më i fuqishëm që shitet në Shqiperi nga kompania turke është, 100 Mbps (ndërsa në Amerikë, normalisht shkon tek 940 Mbps që kushton sipas ofertës, 30-40 dollarë në muaj). Në  Amerikë servisi turk do kushtonte  3-5  $, ndërsa në Shqipëri shitet 30-40 dollarë. Duke krahasuar nivelin midis dy vendeve konstaton se : Niveli i të ardhurave vjetore për klasën e mesme  në USA është 55-110 mijë dollarë në vit,  kurse të ardhurat vjetore në Shqipëri për klasën e mesme janë 6 deri në 12 mijë  dollarë në vit. Sipas një logjike të thjeshtë matematikore i bie  që “Vëllau” turk na e shet internetin e një niveli dhjetë herë më të dobët me një çmim 10 apo 20 herë më të lartë. Nëse këto janë marrëdhënie vëllazërore… që synojnë të na mbajnë skllevër të përjetshëm të një perandorie fantazëm…, mua s’më mbetet gjë tjetër vetëm të them, turqisht: Hosgeldiniz!: “Mirë se erdhët!”    

Popullin turk e dua, njëherë e një kohë e kam studiuar gjuhën dhe kulturën e tyre, duke shëtitur gjithandej Bizantin e transformuar që quhet Turqi, por që “idhujt” e këtij shteti duan të bëjnë sërish Sulltanat, çka nuk përputhet me idealet e popullit modern turk. Sikur të ish gjallë lideri historik turk me gjak shqiptari, Mustafa Kemal At’aturku, idhull i vërtetë që u bë mit, për shumë arsye,  Erdo – Khanët do ishin gjetkë!

3.Pasqyrimi realitetit të dhimbshëm shihet prej vitesh në jetën politike shqiptare. Ajo ka prodhuar vetëm idhuj të rremë. Dje, shumë u gëzuan që votimet në Dardani sollën  fitoren  e partisë së Albin Kurtit, mbase për një kthesë historike, duke shpresuar të paktën që kursi i zgjedhjeve të reja të mos të ndiqet nga drejtimi me mendësi të vjetra.

Nuk ka rëndësi se kush do jetë pas atyre që bënë luftën. Nëse Albin Kurti do mbajë të ndenjurat në Europë dhe mendjen në lindje, ai nuk do sjellë asgjë të re, vetëm do e keqësojë situatën. Nëse ai do këshillohet me njohës të politikës dhe ushtrisë me kahje europiane dhe perëndimore si Dr. Demiraj etj., gjëra të bukura do bëhen. Personalisht, më pëlqen Albin Kurti, se është shpirt rebel, i lirë, por në politikë… liria ushtrohet sipas një kodi që ka kufij të përcaktuar.  Së pari, ai dhe shokët  e tij, duhet të luftojnë për identitetin shqiptar, duhet  të korrigjojnë  flamurin,  gjë që nuk e bënë paraardhësit e tij.

Në Dardani, ndihet mungesa e Ghandit shqiptar, Ibrahim Rugova! Partia e tij pësoi një humbje shokuese! Pasuesve të LDK dhe popullit Dardan do u duhen dhe 40 vjet që të kuptojnë filozofinë e Rugovës, këmbënguljen për mbajtjen e flamurit të arbërit, pa kompromis. Ai ishte i vetmi politikan intuitiv e vizionar që mund ta bënte Shqipërinë Etnike, ndërsa sot kanë mbetur (përjashto Haradinaj e ndonjë tjetër) ca çudibërës që  bëjnë zig-zake si rrajzat, dhe shpesh herë për të mbuluar inferioritetin e tyre akuzojnë Abrahamin se u ul në tavolinë me Millosheviçin! Jo more bukëshkalë, pengmarrja nuk është ulje në bisedime. Ulje në tryezë ka bërë Fatos Nano, dhe sot askush nuk kujtohet se sa dëm i solli çështjes së Kosovës ai takim me kasapin e Ballkanit. E njëjta gjë dhe sot. Takimet e idhullit të PS, Ramëziu me Aleksandër Vuçiqin prej nga mbijnë teza “të reja” bashkëpunimi që përfshijnë deri edhe shkëmbimin e territoreve.

Sipas mendimit tim, objektiviteti i gjykimit nuk vjen asnjëherë i pastër nga ligësia e klanit subjektiv, por nga  pastërtia e qartësia e koshiencës objektive të masës, që jo rrallë herë dhe ajo bëhet irelative. Koka e udhëheqësit të lindur asnjëherë nuk mund të bëhet hejbe banditësh e  as kanaçe lypsarësh, por vetëm skeptër i rrugës së humbur.

Nëse nesër  në  Shqipëri  do  riciklohet  e vjetra dhe nuk bëhet rrokada  e ripërtëritjes së shpresës, krizat do thellohen, sepse shefi i bandave nuk është lidership, por idhull i krijuar nga turma që i shërben vetëm klanit,  psikologji kjo e klasës së degraduar që shprehet me motivin: “sa më të fortë të jemi sot, aq më të paprekshëm do jemi nesër”.

Sipas mendimit tim (pa hyrë në shkencat e filozofisë ky dhe ai tha…) , këta janë idhuj artificialë si në kohën prehistorike, të ngjyrosur sot nga dekori deklamativ i pompuar nga pasioni partiak.  Ata nuk vijnë si krijues, si konstitucionalistë, si njohës shteti, por nga një korrent i intoksikuar nga propaganda e rremë e partisë, dhe prej këtyre humbësve të ngjyrosur, populli shqiptar  do të ketë vetëm humbje.

Një popull i vogël me një varrezë të madhe partish është i destinuar të rrijë në vendnumëro ose të ripërsërisë krizat sepse psikologjia e idhullit kulmon tek uni dhe jo esenca e debatit konstruktiv brenda shoqërisë. Ne  shohim që dashuria ndaj vetvetes braktis kufijt e arsyes duke i anashkaluar kërkesat kolektive. Fatkeqësisht, kjo lloj  psikologjie sjell krizat.

Le të ndalemi për një minut, tek themeluesit e panumërt të partive në Shqipëri, të gjitha janë pjellë e dy partive nëna. Ata ikin porsa nëna ua ndërpret gjirin, bëjnë  kopenë e tyre duke i vendosur një emër grishës dhe e lëshojnë në kullotat ende të paplaçkitura për të vjedhur atë gjelbërim që ka mbetur! Të babëzitur e të pafrenuar në instiktet e tyre kafshërore ata nuk mund të krahasohen dot as më shpirtlartësinë e kafshëve të egra që pasi ngopen me prenë e tyre, e ndajnë tepricën me gjahtarët inferiorë sikur të duan të shprehin se e respektojnë kodin minimal të ligjeve të jetës tokësore: jeto por jepu mundësinë dhe të tjerëve që të jetojnë.

Ka ardhur koha për një Ubermensch… jo si ai i Nietzches anti-Krisht, por një mbinjeri  që ngjall shpresën dhe shëron plagët e atdheut .

Mjaft më me  trazicionin e stërzgjatur dhe idhujt e rremë…, le ta promovojmë një lidership të ri modern, një politikan që ka shkëlqyer në portofole të ndryshme, por që nuk ka pasur shans asnjëherë të jetë në krye të punëve të shtetit. Ai po shpalos një program realist dhe vital për ringritjen e Shqipërisë. Sjellja perëndimore e tij dëshmohet në kushtin e parë të kontratës që u ka parashtruar shqiptarëve: “Më provoni, nëse nuk e mbaj fjalën nuk dua mandat të dytë, nuk do kandidoj më”! Kjo tregon se ai e ka matur veten me metrin e kohës dhe  di çfarë duhet ndryshur për të ecur përpara. Vota ime dhe e miqve të mi do të jetë për të edhe sepse demokracia e kërkon domosdoshmërisht rikthimin e opozitës në pushtet, për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizave dhe ngërçeve të shumta politike. Jemi të bindur se Lulëzim Basha, nuk synon ta shndërrojë liderishipin e tij në objekt idhujtarimi. Por zgjedhjet që të na japin rezultatin që dëshirojmë duhen zhvilluar në atë frymë demokratike perëndimore të diskutimit dhe aprovimit në masë të gjerë të kontratës qeverisëse për vitet e ardhshme.

Vetëm kontrata e popullit me burrat e dheut do të mund të shërojë plagët e shoqërisë sonë dhe të çelë një perspektivë të re.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, dhe jo, Lider, më idhull

Hoxhaj nga Prekazi: Në 13 vjetorin e pavarësisë me mendje dhe me zemër jemi në Hagë

February 17, 2021 by dgreca

Prishtinë, 17 shkurt 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga anëtarët e kryesisë të PDK-së, me rastin e shënimit të përvjetorit të 13-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sot kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Hoxhaj ka thënë se sot me mendje dhe me zemër janë në Hagë, aty ku po mbahen padrejtësisht liderët e UÇK-së dhe të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Ai ka kujtuar familjen Jashari duke thënë se sakrifica e saj lindi shpresën dhe projektoi  të ardhmen për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

“Familja Jashari është sinonim i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Me këtë 13 vjetor të pavarësisë së Kosovës, natyrisht që me mendje dhe zemër jemi në Hagë, ku janë shokët tanë, të cilët në mënyrë të padrejtë po mbahen atje. Do të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë, të cilët po bëjnë një sakrificë të re, sublime për të treguar që nuk mund të rishkruhet historia e drejtë për çlirim dhe pavarësi.”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të drejtë dhe paqësor, por mos anëtarësimi i saj në OKB e bënë më të pasigurt.

“Sot dua që nga Prekazi heroik të ju uroj pavarësinë e Kosovës, fillimisht presidenti Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi dhe shumë bashkëluftëtarëve të tyre që qëndrojnë në mënyrë të padrejtë në gjykatë dhe për të cilët presim që të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë.”, ka përfunduar Hoxhaj.

Filed Under: Kronike Tagged With: Hoxhaj ne Prekaz, kujton

KOSOVA FESTON DITEN E PAVARESISE

February 17, 2021 by dgreca

FSK-ja me ceremoni ushtarake shënoi 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës/

Në kazermën „Adem Jashari“ të FSK-së, në Prishtinë, sot u shënua me ceremoni ushtarake manifestimi qendror i shënimit të 13-të vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në ceremoni morën pjesë: UD. e presidentit, znj. Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes, z. Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja e përgjithshme e MM-së, znj. Rozafa Ukimeraj, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes, ambasadorët e QUINT-it, atashe të korit diplomatik, këshilltarë të NALT-it, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së. 

U.D. e presidentit, znj. Vjosa Osmani, pasi përshëndeti të pranishmit tha: „Pavarësia e vendit nuk do të arrihej pa rezistencën qytetare të prirë nga presidenti Ibrahim Rugova, pa sakrificën sublime të djemve dhe vajzave të UÇK-së dhe komandantit Adem Jasharit me familje, por edhe të heronjve e dëshmorëve të tjerë të vendit, pa të cilët, liria do të mbetej vetëm ëndërr! Kjo nuk do të ishte e mundshme as pa kontributin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ngase secili nga ta bëri diçka për ta vendosur një gur në projektin e pavarësisë së vendit! Ata guxuan, prandaj fituan”!   

                      

  Ajo pati edhe një falënderim të veçantë për aleatët të cilët ndihmuan në çlirimin e Kosovës. “U jemi përjetë mirënjohës NATO-s, SHBA-ve dhe Evropës, ngaqë pavarësia e vendit nuk mund të imagjinohej pa ndihmën e tyre”. Në fund, UD. znj. Osmani shprehi synimet e FSK-së dhe shtetit të Kosovës: “Forca e Sigurisë së Kosovës është ushtria më e re në botë dhe po kalon nëpër periudhën e tranzicionit 10-vjeçar. Por, gjatë gjithë kësaj kohe, FSK-ja krahas ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të veta, po punon edhe për realizimin e synimit strategjik të anëtarësimit në NATO. Shpresojmë dhe besojmë që në një të ardhme të afërt, ushtarët tanë do të jenë krahas atyre të NATO-s, kudo ku nevojë për ta mbrojtur paqen globale! Synim i vendit tonë është integrimi në bashkësinë e popujve evropianë”.      

Ndërsa, në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, tha: „Përvjetorët janë momente të veçanta, për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi. Sot me shumë mirënjohje përkulemi para kontributit të të gjithë atyre që udhëhoqën rezistencën paqësore dhe ushtarake dhe para gjakut të dëshmorëve“.                                          

Më tej, kryeministri në detyrë, Hoti, shtoi se: “Ditët si këto, na sjellin në vëmendje vlerat më të larta të atdhedashurisë, që jetojnë në përjetësi. Ndërkohë, në ditët si këto ne marrim fuqinë dhe përkushtohemi për borxhin që iu kemi fëmijëve tanë që Kosovën ta bëjmë një vend të realizimit të ëndrrave të çdo të riu, çdo prindi e çdo gjyshi, çdo mësuesi, çdo artisti, çdo bujku dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës“.                                                                                                         

Ai tha se ende mbetët shumë punë për të realizuar aspiratën për integrime euroatlantike. „Edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt na bëhen udhërrëfyes që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare“.                                                                

Manifestimi qendror u përmbyll me ekzekutimin artistik të Orkestrës Frymore të FSK-së.

Filed Under: Featured Tagged With: ceremoni, FSK, Pervjetori i Pavaresise

VATRA URON QYTETARËT E KOSOVËS PËR 13 VJETORIN E PAVARËSISË

February 16, 2021 by dgreca

Me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, në emër të Kryesisë, degëve dhe të gjithë vatranëve, uroj ushtrusen e detyrës së presidentes DR. Vjosa Osmani, qytetarët e Kosovës në vendlindje dhe në mërgim, liderët politik, dhe të gjithë shqiptarët: Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! 

      Pavarësia e Kosovës e shpallur nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të saj me 17 Shkurt 2008, përfaqëson një ngjarje madhore në historinë e popullit shqiptar. 

         Në themelet e Pavarësisë është gjaku heronjëve dhe i dëshmorëve të lirisë, është sakrifica sublime e Adem Jasharit me familjen e martirizuar, është mendja dhe largapamësia e arkitektit të shtetit të pavarur të Kosovës presidenti historik dr. Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorët e tij, është rezistenca e mbarë popullit martir të Kosovës, është kontributi i mërgatës në Europë dhe në SHBA, është kontributi i luftëtarëve të batalionit “Atlantiku” dhe gjaku i vëllezërit Bytyçi, që mbetën dëshmorë të lirisë, janë të pagjeturit e luftës. Le t’i kujtojmë me nderim e respekt të gjithë ata që dhuruan jetën për idealet e lirisë dhe sollën Pavarësinë.

     Për asnjë moment Kosova nuk duhet të harrojë miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa të cilën do të ishte e pamundur pavarësia dhe liria që gëzon sot Kosova. Të mos harrojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aletatët e tyre europianë, ishin mbështetës dhe udhëheqës të luftës, siç ishin dhe mbështetës të pavarësisë, e njohur deri më sot nga 117 shtete.
     Përshëndetja e Presidentit Joseph Biden me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është një tregues tjetër i miqësisë dhe angzhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbetur partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës. Brenda rreshtave të letrës të presidentit, liderët e Kosovës dhe ekipi i ri qeveritar, duhet të gjejnë detyrat e shtëpisë për të sotmen dhe të nesërmen e Kosovës, për forcimin e shtetit, luftën kundër korrupsionit, uljen e varfërisë, rritjen e ekonomisë, thellimin e reformave, integrimin europian, bisedimet e vështira me Serbinë etj.

       Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA” gjenë rast që të përcjellë me këtë rast përgëzimet më të mira për qytetarët e Kosovës, shtetin dhe klasën politike,Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për modelin demokratik që dhanë me 14 Shkurt, ditën e Zgjedhjeve, duke realizuar zgjedhje të qeta, të sakta, të pranushme nga të gjithë faktorët, një model për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Vatra dëshiron që të ruhen këto standarte demokratike, bashkëpunimi e mirëkuptimi edhe në krijimin dhe funksionimin e Kuvendit të ri, në krijimin e Qeverisë funksionale mbështetur në rezultatet e zgjedhjeve. Kosova nuk ka kohë për të humbur.

  Federata Panshqiptare e Amerikës” Vatra” uron z. Albin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 14 Shkurtit dhe shpreson që ai të ndërtojë një qeveri bashkëpunuese, funksionale në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës.

        Vatra, ashtu siç bashkëpunoi me të gjitha qeveritë paraardhëse, si dhe me qeverinë e z. Avdullah Hoti, ku edhe nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës, shpreh gatishëmrinë e saj për bashkëpunim edhe me Qeverinë e tij.

Gëzuar Pavarësia e Kosovës!

ELMI BERISHA

KRYETAR I FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS ”VATRA”

New York, 17 Shkurt, 2021  

Filed Under: Featured Tagged With: 13 Vjet Pavaresi, Elmi Berisha, Urim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 188
  • 189
  • 190
  • 191
  • 192
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT