• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRISHTINA EDHE KRYEQYTET LIBRI

June 7, 2017 by dgreca

1 Libri1 panairi2 libri4 Panairi5 Panairi

-Panair i librit me 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare/PRISHTINË, 7 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë, u hap mbrëmë Panairi i Librit, edicioni i 19-të, në të cilin deri në 11 qershor prezantohen mëse 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare me rreth 1.200 tituj të rinj e 4.000 të tjerë, të viteve të fundit.Sipas pritjeve të organizatorit,  Shoqatës së Botuesve të Kosovës, do jetë mëse 40 mijë numri i vizitorëve në panairin që e shndërron Prishtinën edhe në kryeqytet libri.Gjatë ditëve të panairit, si tradicionalisht, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore.Shënohet 600-vjetori i lindjes së Pal Engjëllit, 300-vjetori i lindjes së Françesk Avatit, 220-vjetori i lindjes së Naum Veçilharxhit, 160-vjetori i lindjes së Visar Dodanit, 150-vjetori i lindjes së Mati Logorecit, 120-vjetori i lindjes së Shime Deshpalit, 110-vjetori i lindjes së Mitrush Kutelit, 100-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, Sotir Cacit, Ndue Bytyçit, Heinrich Böll, Sidney Sheldon, Robert Loëell, Huan Rulfo,  80-vjetori i lindjes së Anton Pashkut e Ali Sutajt, si dhe 30-vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit.Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit.Me trofeun e panairit do të nderohen, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar, si dhe projekti kapital.Pjesë e aktiviteteve janë edhe shpallja e shkrimtarit të vitit në letërsi shqipe dhe në letërsi të huaj, si dhe e stendes më të vizituar.Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj.“Në këtë panair marrin pjesë të gjithë botuesit shqiptarë”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, në ceremoninë e hapjes, ku ishin edhe  ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, shkrimtari e diplomati Besnik Mustafai dhe aktori Çun Lajçi, i cili recitoi një poezi.Para 18 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.

1 hoti ne Panair

Hoti premton përkrahje për krijuesit dhe komunitetin artistik

Gjatë një vizite që i bëri Panairit të Librit në Prishtinë, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën se zhvillimi i teknologjisë ka ndikuar që qytetarët të lexojnë më pak libra, por synimi ynë është që teknologjia dhe librat ta plotësojnë njëra tjetrën.
“Kam një admirim të madh për krijuesit dhe botuesit në të gjitha trevat shqiptare dhe kudo në botë. Lexuesit dhe botuesit janë model i bashkimit të kulturës dhe letërsisë sonë shqiptare. Ky model i integrimit duhet të vazhdohet edhe në fushat tjera”, ka thënë Hoti.
Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët që të vizitojnë Panairin e Librit, sepse në këtë mënyrë bëhet një komunikim më i drejtpërdrejtë ndërmjet lexuesve, krijuesve dhe botuesve.
Hoti ka premtuar përkrahjen e qeverisë së re për të gjithë krijuesit, komunitetin artistik dhe shtëpitë botuese.
“Ju do ta keni mbështetjen tonë ashtu siç e keni pasur deri më tani në çdo panair të librit.
Teknologjia informative ka bërë që libri të lihet pak anash, por unë besoj që do ta kombinojmë mirë teknologjinë informative me leximin e librave”, ka thënë Hoti.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, EDHE KRYEQYTET LIBRI, Prishtina

KUMBONA QE BIE PER TE GJITHE

June 7, 2017 by dgreca

48 Repishti

Nga  Sami Repishti/ Ridgefield, CT. USA.- FAKT! “Njoftimi zyrtar i urgjencës së okulistikës raporton se janë 140 raste të paraqitura për të marrë ndihmën e parë; nga këta raste 140 janë shtruar, shërbim marrin 7 pacientë. Gjendja e tyre është stabilizuar; pacientët që janë paraqitur më vonë shprehin të njejtët shenja klinike, të një intoksikimi (helmimi) si skuqja e syve, dhëmbja e syve, marrëmendje, të vjella, turbullim shikues, skuqje në zona të fëtyrës e qafës, marrje fryme…..Lulzim Basha është shtruar në spital me shenja helmimi pas mitingut të PD-së”.

Flitet për përdorimin e gazit helmues, nji fenomen që tronditi njerëzimin mbar gjatë dhe mbas Luftës së Dytë Botënore – gaz helmues për viktima të pafajshme….paradhoma e ferrit Auschwitz…! E pabesueshme! Ashtë fjala për mitingun elektoral të datës 27 maj 2017 të PD-së në sheshet kryesore të kryeqytetit Tiranë dhe helmimin që e damtoi!

Viktima e nazismit, poetesha Nellie Sachs, para situatash të këtilla shkruente: “Na lini në embëlsi, jetën të rimësojmë…/ Mos na tregoni më qen që kafshojnë!” Thirrje e dhimbëshme e trupave që akoma dhëmbin.     Por nji Shqipëri që vuen fizikisht e mendërisht nga kujtimet e torturës së pareshtun dyzet-e-pesë vjeçare, kam frikë se do të vonojë me pa veten të ndërgjegjshme për katastrofën e jetueme,. Dhe me bindë të gjitha mendjet normale dhe zemrat e ndieshme se ka ardhë koha që të gjithë, viktima e fajtorë njikohësisht, të dënojnë dhunën pa kompromis e të mobilizohen në kërkim të lirisë, drejtësisë, demokracisë e jetës me dinjitet për të gjithë.

“Tek kundërshtuam atë çka shtaza kërkonte në brendinë tonë, lypset të rigjejmë tashmë njeriun kudo ku zbuluam atë çka e dërmonte”, shkruente Andre Malraux. Per fat të keq, unë mendoj përsëri se shtaza ashtë rizgjue tek njeriu i sotëm dhe ngado njeriu veç shtypet nga njeriu. Dhe kështu do të jetë përsa kohë që ajo shtazë e rizgjuar nuk do bie në qetësi, dhe njeriu nuk do të reshtë së shtypuni njeriun. Në Shqipërinë tonë të martirizueme, episodi kriminal i helmimit në sheshet e Tiranës ashtë prova ma e mirë.

Leximi i kësaj kronike ashtë shumë shqetësues. Nji grup shqiptarësh mendje-prishur të verbuem nga fanatizmi partiak që i ushqen –dhe i shnjerëzon njikohësisht- kanë vendosë me damtue në mënyrë të pareparueshme vëllaznit e motrat e tyne shqiptare vetëm sepse mendojnë ndryshe! Për këto mendje-prishur mendimi ndryshe nuk ashte nji e drejtë ligjore dhe morale, por “nji krim i pafalshëm” që duhet eliminue, edhe fizikisht po të jepet mundësia. Ky ashtë mësimi i dhanun me aktin e helmimit në sheshet e Tiranës pak ditë ma parë. Duket se fajtorët jetojnë akoma me andrrat e autoritetit jo legjitim dhe të padiskutueshëm, të ushqyem nga propaganda dyzetë e pesë vjeçare e “Nënës Parti” që refuzoi me pranue të gjithë shqiptarët si fëmijt e vet, dhe me bindjen e tyne se edhe “ideja” ashtë “subjet konkret” që vritet.

Ideja nuk vritet as nuk vdes, ashtu siç nuk vdiq demokracia në Shqipërinë komuniste me gjithë aktet vrastare. “Ideja” nuk vdes edhe kur përkrahësi i saj nuk jeton ma. “Ideja”, nji ide positive, mbijeton, ashtu si mbijeton mermeri i skalitun edhe mbas zhdukjes së skulptorit. Idetë që naltësojnë njerëzimin në sferat e idealit janë gurë kilometrazhi që tregojnë udhëtimin tonë në histori, dhe tregojnë largësinë e rrugës së përshkueme të marshit tonë historik drejt lirisë së plotë të njerëzimit.

Gabimi i këtyne “mendje-prishurve” ashtë akoma ma i randë e ma kriminel sepse drejtohet kundër vëllazënve dhe motrave shqiptare që nuk bashkëndajnë mendimet, megjithëse ata viktima ndajnë së bashku me masat e gjana të popullsisë, qytetarë të lirë të Republikës së përbashkët shqiptare, shpresën me dëshmue dhe dëshirën e pa përmbajtun me ndërtue nji Shqipëri për të gjithë- edhe për “mendje-prishurit” e aktit kriminel- nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të vëllaznueme e europiane, nji Shqipëri ku banorët e saj të jetojnë pa frikën e shtypjes dhe pa shtypjen e pamëshirëshme të vorfënisë, papunësisë dhe kërcënimit të urisë. Me gjeste të këtilla banditeske “mendje-prishurit” synojnë frikësimin e gjithanëshëm dhe sulmet gangstereske të marrjes së pushtetit e mbajtjen e tij, me dhunë ashtu si ma parë për  45 vjetët e terrorit të kuq. Ashtu si dje, edhe sot, viktima e helmimit pyet përsëri: “Më trego fajin që kam ba?”

Unë e gjej të vështirë me mendue se organizata ose parti politike që veprojnë ligjërisht në fushën e politikës shqiptare kanë zbritë aq poshtë me veprimtarinë e tyne politike. Ka shumë arsye që ky akt banditesk të jetë nji akt dëshprimi, nji vepër kriminale e nji grupi të vogël “rrebelësh pa kauzë”, jashtëqitje të shoqënisë shqiptare, të pa aftë me pranue orientimin demokratik – me të gjitha të metat që revelohen çdo ditë – dhe kërkojnë me pengue atë, qoftë edhe me dhune po të jetë mundësia.   Dhuna ashtë esenca e mendimit të tyne. Kjo ka qenë prova e parë; kam frikë se nuk do të jetë e fundit, dhe eventualisht aktorët – që unë besoj të jenë meturina toksike të ish PKSH/PPSH do të zbulohen, demaskohen, gjykohen dhe dënohen pa mëshirë simbas ligjit te zbatuem me arsye e asnjanësi. Ajo që jam i sigurtë ashtë se nuk do të kenë sukses në botën tonë të sotme. (Simbas shtypit kemi  të rregjistrueme 136 parti të vogla)

*****

Roli historik i çdo shqiptari e ai kolektiv i shoqënisë së lirë shqiptare ashtë përpjekja me u mbrojtë nga rreziku i ringjalljes së diktaturës në vendin tonë. Rreziku nuk ashtë ma pak kercënues sot se rreziku i fashizmit, nazismit dhe komunizmit dje, nji e kalueme jo e largët, se rreziku i totalitarizmit pavarësisht nga ngjyra, forma ose emnimi.

Sot, na jemi ma të përgatitun sepse jemi ma të informuem nga e kaluemja, sepse kemi dëshmue sa shpejt damtohet demokracia e fiton tirania (qofte edhe ajo e ”shumicës”!), sepse kemi dëshmue sa e damshme ashtë indiferenca ndaj ngjarjeve e akteve të dhunëshme. Sot, jemi ma të përgatitun me kuptue sa i damshëm ashte akti i “helmimit” të popullsisë së pafajshme që ushtron të drejtën legjitime themelore të grumullimit e manifestimit të lirë publik, shprehje të vullnetit të tyne.

Sot, me heshtë para aktit kriminel të “helmimit” don të thotë me pranue në heshtje vdekjen morale të shoqënisë sonë, dhe për mendjet e ndrituna e ndërgjegjet e pastra të pranohet edhe mundësia e vdekjes fizike. E kemi përjetue!

Historia nganjiherë edhe përsëritet, por me siguri ajo na mëson. Historia na familjarizon me njohjen e rrezikut; ajo na paralajmëron! Historia, sidomos historia europiane, ka tregue se shoqënitë e forta nganjiherë thyhen, demokracitë dështojnë, sistemet etike infektohen e bien, dhe qytetarët e thjeshtë, fqinjt tonë shumëvjeçar, transformohen pa pritmas në militantë me armë në dorë që gjejnë vehten para gropave të hapuna për kufomët e viktimave burrënore që gjejnë guximin me i thane JO! tiranisë së vendosun. Na, e kemi dëshmue!

Gabimi në politikë nuk falet. Aq ma shumë për ne që kemi përjetue katastrofën gjysëm shekullore. Kjo e vertetë na detyron me studjue historinë, të kaluemen tonë, sidomos atë të dekadave të fundit, dhe me kuptue cilat janë rranjët e tiranisë që na kercënon, dhe cilat janë përgjigjet tona që na imponohen.

Unë pohoj se jam shumë i shgënjyem nga heshtja e paspjegueshme e masive ndaj krimit të “helmimit” masiv në sheshet e Tiranës. Ashtë nji kumbonë e fuqishme që bie për të gjithë, e që duhet ndigjue nga të gjithë- para se “helmimi” i përgjithshëm të hyjë në banesat tona, pa pengesë, e pa kufizim.  Jemi para nji përgjegjsie të madhe historike!

Tue folë për mosmarrëveshjen e Iranit me SHBA-në. ministri i jashtëm M.J.Zafir na dhuroi këte mendim monumental: “Në qoftë se nuk do të thyejmë këte çikël (anmiqsie me SHBA-n, SR) na vetëm vonojmë ardhjen e zgjidhjes historike dhe e kalojmë atë në krahët e fëmijve dhe nipave e mbesave tona. Na, jemi breznia që duhet të mësojmë nga historia në qoftë se nuk dëshirojmë me pësue përsëritjen e saj”.

Në Shqipëri, ka mendje të ndrituna që janë koshiente të gjendjes dhe të gatëshme me veprue në përmirësimin e saj. Këto ditë, nji vrejtës i kujdesshëm shkruente:” Sa demokraci ka nji parti kur vendos vetëm nji njeri!” shprehje kjo që pohon “…mjerimin e kulturës demokratike që na rrethon”. Nji pohim i këtill meriton trajtim të plotë.

Në Shqipëri, ka edhe optimizëm. Tue kalue nga bota spekulative e hipotezave në atë të tezave reale, nji akademik shkruen: “Unë jam shumë i qartë se çfarë duhet bërë për të zëvendsuar atë (gjendjen e randë e të mjerueme të vendit,SR) brenda një kohë shumë të shkurtër, dy vjeçare, me nji model të kohës, mbështetur në arritjet më të mira të këtyne dekadave dhe duke sheruar plagët e shumëta të grumulluara…Ne kemi hipur në një maqinë që ndryshon shoferin herë mbas here, por pa pasur motor”.

Kultivimi “i njëshit udhëheqës” si mjeti i vetëm i “shpëtimit” të vendit përfundon në “kultin e individit”; nji zgjidhje e mbrapshtë, e pa-evitueshmënisht, tiranike. Sot, në shekullin 21, “pavarësia” e qytetarit dhe e sistemit politik kërkohet në emën të aftësisë së popullit mbar me mendue qartas për të mirën e përbashkët që siguron edhe të mirën e individëve, pjestarë të kësaj bashkësie. Si rrjedhim, kemi nji administratë të hapun “të popullit, nga populli e për popullin”(A. Lincoln) që na qeverisë.

Në shekuillin 18, George Washington, i njohun si babaj i SHBA-s në “fjalimin e lamtumirës” paralajmëroi qytetarët amerikanë të “mbrohen nga personat dhelprakë, ambicioz dhe të pa princip” që shfrytëzojnë mosmarrëveshjet politike “me sigurue për vete frenat e shtetit”. Kjo ashtë ideja e “pavarësisë” qytetare në themel të “Shtetit”.

*****

Politizimi i skajshëm dhe mosfunksionimi i jetës politike të dominueme nga partizanshmënia e dy poleve kundërshtare –deri në anmiqsi permanente- ka krijue nevojën e nji force të tretë në Shqipëri- “të pavarunit” indipendentët, persona dhe institucione që na mbrojnë nga efektet e “armiqsisë”.

A do të zhvillohet ma tej kjo “nevojë” a por do të avullohet nga ngrohtësia e “zjarrit partizan”, dhe nga sulmet e vazhdueshme të partive respektive, secila me shpresë se do të përfitojë nga ardhja në pushtet? Për fat të mirë, ideja se nji autoritet “objektiv” mund të zgjidhë “ngërçin” politik në vendin tonë tue qendrue larg politizimit partizanesk, po rritet, dhe shpresa se në nji atmosferë paradash politike e shterpe, skandalesh e gënjeshtrash, vetëm nji ”qytetari me qendrim të pavarun” premton me përmbushë shpresat e masave të shgënjyeme. Nji shembull individual u dëshmue dy vjet ma parë në zgjedhjet bashkiake të Tiranës. Kandidati Dr.Halim Kosova, me qendrimin e tij korrekt kapi imagjinatën e mijëra votuesve. Aq ma mirë sikur “qytetari me qendrim të pavarun” ashtë në fakt nji masë qytetarësh me qendrim të pavarun. Do të kishim kështu “nji lëvizje të pavarunish”!

Në nji rast të këtill nuk bahet fjalë për fitoren ose humbjen e njenit ose tjetrit kandidat të lojës politike në vend, por për nji lëvizje cilësore mbijetese të demokracisë së drejtueme nga “pilotë” të pavarun që çajnë atmosferën e urrejtjeve personale dhe hakmarrjeve politike “…comme un coup de pied ‘a travers l’ordure” (si nji shkelm i fortë që shpërndan grumullin e plehnave) shprehen francezët.

Kjo “lëvizje” do të fillonte me furnizimin e popullsisë me “fakte konkrete” e jo me “lajme të doktorueme” ose “thjeshtë falsifikime”. NJi paraqitje besnike e fakteve e dhanun nga organe jo-partizane të strukturave shtetnore –administrata civile- jep shpresë se do të veprohet me pa-anëshmëni (fairly), dhe do të rritë mirëbesimin e popullsisë në pushtetin që administron. Pa-anëshmënia na shpëton edhe ne nga të metat tona siç janë paragjykimet dhe kufizimet që kemi.

Zhvillimet politike sot në Shqipëri po marrin formen e nji tragjedie shekspiriane: nji zbritje  e paevitueshme në ferr që ashtë nji fatkeqsi aq sa edhe e meritueme….! Nji parashikim që unë nuk e uroj!

Filed Under: Politike Tagged With: KUMBONA QE BIE, për të Gjithë, Sami repishti

KUVENDI I VATRËS DO TË ORGANIZOHET NË MANHATTAN COLLEGE

June 7, 2017 by dgreca

PAS KUVENDIT DO TE SHTROHET DARKE NE OREN 7.00 PM NE KINGS HARBOR MULICARE CENTER, NE ADRESEN:2000 EAST GUN HILL ROAD, BRONX, NY 10469(Pavilion Dining Room)(tel 718-320-0400)/

1 Salla1 Campus 1

Ne Foto:Salla ku do te mbahet Kuvendi i VATRES dhe Skema e Campusit/

4513 Manhattan College Parkway 

Hayden Hall 100 (perballe garazhit)

Bronx (Riverdale), NY 10471.

NJOFTIM NGA KRYETARI I VATRES DR. GJON BUCAJ/

3-gjon-Bucaj-300x198

Kryetari I Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” Dr. Gjon Bucaj, njofton se KUVENDI I VATRES do të fillojë punimet të Shtunën me 10 Qershor 2017, në orën 9.00 të mëngjesit në 4513 Manhattan College Parkway –

Hayden Hall 100 (perballe garazhit)

Bronx (Riverdale), NY 10471.

Kuvendi do t’i përfundojë punimet brenda ditës së Shtunë për shkak se delegatët vijnë nga vende të largëta dhe do të udhëtojnë.

Numri i delegatëve është përcaktuar në raportin 1 delegat për 10 vatranë, të cilët kanë qenë anëtarë të rregullt.

Në mbrëmje në nder të delegatëve do të shtrohet një darkë.

P R O G R A M I I KUVENDIT

9:00 -9:30 AM- Regjistrimi

SEANCA E PARË- 9:40-10:30 AM

Hapja e Kuvendit –antari ma i vjetër prezent përshëndet dhe propozon Kryetarin e Kuvendit.

Propozimi dhe zgjedhja e Zv. Kryetarit dhe Sekretarit të Kuvendit

Hymnet Kombëtare

1 Minut Heshtje për Deshmorët e Kombit

Lutja Fetare

Mirëseardhje drejtue mysafirëve dhe delegatëve

Raporti i kryetarit, dr. Gjon Buçaj, dhe dorëheqja e udhëheqësisë

Përshëndetje të shkurta nga disa prej mysafirëve

SEANCA E DYTË- 10:30-11:40 AM

Raport mbi gjëndjen financiare nga Arkëtari, z. Marjan Cubi

Raporti i Kryetarit të Fondacionit “Vatra Foundation, Inc.”, dr. N. Kaliçi

Raporti i Fondit të Studentave “Vatra Educational Foudation”, prof. Mithat Gashi
Raporti i Editorit të gazetës “Dielli”, z. Dalip Greca.

Kryetarët e Degëve të Vatrës – mbi aktivitetet e degëve: Cilat ishin arritjet e degës suej gjatë vitit që shkoi dhe cilat janë objektivat e degës deri në kuvendin e ardhshëm?  (nga 3 minuta, nëse raporti asht ma i gjatë, nuk lexohet krejt por i dorëzohet kryesisë së Kuvendit).

  1. Dega Washington DC, z. Armin Zotaj
  2. Dega Michigan, z. Mondi Rakaj
  3. Dega South Florida, z. Kolec Ndoja
  4. Dega Jacksonville, Florida, z. Adriatik Spahiu
  5. Dega Tampa, Fl., z. Tasim Ruko
  6. Dega Orlando, Fl. znj. Florisiana Ahmetaj-Metollari
  7. Dega Hudson Valley, z. Elmi Berisha
  8. Dega Queens, NY, dr. Skender Myrtezani
  9. Dega Newburgh, NY, dr. Nexhat Kalici
  10. Dega Toronto, Canada z. Tony Sufaj
  11. Dega Hartford, CT, z. Nesim Muçollari
  12. Dega Boston, MA, z. Adnand Mlika
  13. Dega Worcester, MA, z. John Lito

 SEANCA E TRETE

11:40-12:00

Zgjedhja e Komisionit prej tre vetësh, për verifikimin e kredencialeve të delegatëve.

12:00-1:00 PM – Drekë e thjeshtë

1:00-4:00 PM – Zgjedhjet: kryetari i Kuvendit lexon Shtesën Kanunore (Amendment), mbi kualifikimet për kryetar, mandej propozohen kandidatët. Në se ka ma shumë se një kandidat për kryetar, votimet bahen të mëshefta.

Përshëndetje nga Kryetari i porsazgjedhun, i cili kërkon 20 minuta pushim për konsultime mbi përbamjen e udhëheqësisë së re.

Paraqitja e listës së udhëheqësisë së re para delegatëve për aprovim.

Mbyllja e Kuvendit.

7:00  PM -Darka dhe dorëzimi i Çmimit të Meritës

Bisedime te lira, muzikë e valle.

Filed Under: Opinion Tagged With: DO TË ORGANIZOHET NË, Goon Bucaj, Kuvendi i Vatres, MANHATTAN COLLEGE

Pianistja Elona Muça fton komunitetin Shqiptar ne një Koncert sensibilizues

June 7, 2017 by dgreca

1 elona

Pianistja Elona Muça në vijim të veprimtarive sensibilizuese në SHBA do të organizojë në bashkëpunim me artistë të tjerë koncertin ” Bringing Awareness to Children’s Food Allergies”. Koncerti do të organizohet të Djelën në Datën 18 Qershor, 2017 ora 8 pm në Sallën e Koncerteve Leshowitz ne John Cali School of Music në Universitetin e Montclair-it në Montclair, NJ.

1 Koncert

Pianistja Muça tha për Gazetën “Dielli” se Ideja e këtij koncerti, për të cilin ajo ka biseduar dhe me Konsullen e përgjithshme të Kosovës , zonjën Teuta Sahatçija, ka ardhur pas një ngjarje tragjike: Virtyt Kelmendi, një djalë 15 vjeçar nga Kosova me rezidencë në NJ ndërroi jetë në Qershor, 2015 nga alergjitë e ushqimit dhe prindërit e tij dëshirojnë të paralajmërojnë prindërit dhe fëmijët e të gjithë kombeve, por sidomos ata të Kosovës dhe Shqipërisë, duke ditur që atje nuk ka programe edukimi mbi këtë temë, që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë alergjive të ushqimeve dhe në të ardhmen të ngrihen fonde për këtë qëllim.

Artistja Muça tha për Diellin se në këtë koncert do të jenë të ftuar edhe disa muzikantë të tjerë, mes të cilëve edhe Riad Ymeri- tenor dhe Lekë Salihu- piano. I Ftuari Special do të jetë Dr. Sheremet Gashi, i cili do të flasë mbi temën e alergjive të ushqimeve.

Pianistja Muça fton Komunitetin shqiptar që të bëhet pjesë e këtij organizimi: Ju mirëpres me gjithë familjet dhe shoqërinë tuaj, thot ë

pianistja Elona Muça, organizatore e veprimtarise.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: organizon Koncert, Pianistja Elona Muça, sensibilizues

Zgjedhjet e 11 Qershorit- KOSOVA MBI TË GJITHA

June 6, 2017 by dgreca

3Harry Bajraktari

Nga Harry Bajraktari/

Qytetarët e Kosovës në zgjedhjet parlamentare, këtë të dielë më 11 Qershor, për disa herë me radhë, pas shpalljes së pavarësisë, do t’ u drejtohen kutive të votimit për të zgjedjur më të mirët që ata mund t’ i vlerësojnë. Për ta pasur një qeveri dhe një parlament stabil, e nevojshme është një pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve në këto zgjedhje, duke marrë parasysh se në të kaluarën përqindja e tyre nuk ka qenë e kënaqshme. Në anën tjetër, populli i Kosovës ka pasur rast t’ i njohë ata të cilëve u ka dhënë besimin për disa mandate radhazi dhe në bazë të këtyre rezultateve mund të vendosë. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme që pasuan pas mocionit më 9 Maj, duhet ta nxjerrin një qeveri dhe një parlament kredibil, më të vullnetshëm dhe më të ndërgjegjshëm për ta çuar Kosovën përpara, si në zhvillimin ekonomik, në zbatimin e ligjshmërisë, në ndaljen e korrupcionit e krimit të organizuar, në zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat Kosova po ngec. Pra, Kosovës i duhet një qeveri që me platformën e saj, bën diferencën në të gjithë sektorët e zhvillimit. Këtë diferencë mund ta bëjë vota e popullit.

Kosovës i duhet një qeveri me një platformë shumë më efikase sidomos në zhvillimin ekonomik, ku do të krijoheshin vende të reja pune dhe qytetari ynë ardhmërinë dhe perspektivën ta sheh në vendin e tij, e jo në kërkim të migrimit, në një vend tjetër. Pa zhvillim ekonomik nuk ka as rritje të standardit jetësor, i cili në Kosovë është i ulët. Kosova, siç e dimë të gjithë, ka rekurse të mjaftueshme natyrore për ta bërë diferencën ekonomike si, në industri, në ekonominë e vogël, e sidomos në bujqësi, turizëm dhe në sektorët tjerë ekonomik.

Kosovës i duhet një qeveri që përmjet ligjit e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe pa fitimin e kësaj beteje nuk mund të ketë progres e as zhvillim të demokracisë.

Qeveria dhe legjislatura e re që do të dalë nga vota e lirë e 11 Qershorit, ndër prioritetet e para duhet të ketë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj, të cilët të vetmit në Evropë kanë mbetur pa realizimin e kësaj të drejtë elementare, karshi një bote të madhe ekzistuese e të lirë.

Duke pasur përballë Serbinë, një armik që kërcënon shqiptarët me projekte e

saj pushtuese, qeveria dhe legjislatura e re, sa më shpejt do të duhej ta formojnë ushtrinë, e drejtë e një shtetit të pavarur për të mbrojtur popullin dhe territoret e saj.

Ne na duhet një qeveri pro-perëndimore, e cila shpejton proceset integruese në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO.

Të gjtha këto mund të kapërcehen nëse Kosova do të vëhet para interesave personale, grupore klanore dhe nëse vota e qytetarit shkon atje ku duhet dhe nuk manipulohet. Pra, Kosova të jetë mbi të gjitha. Koha nuk pret, duhet të zëmë hapin.

ËSHTË OBLIGIM KUSHTETUES E MORAL QË ÇDO QYTETAR TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, MË 11 QERSHOR, TË VOTOJË PËR TË ARDHSHMËN E TIJ!

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i Komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

New York, Qershor, 2017.

Filed Under: Politike Tagged With: harry bajraktari, KOSOVA MBI TË GJITHA, Zgjedhjet e 11 Qershorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1968
  • 1969
  • 1970
  • 1971
  • 1972
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT