• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të vetmuar shohim mirazhe, së bashku krijojmë ëndrra…

February 12, 2021 by dgreca

-“Kemi harruar të jemi bashkë, siç e kemi bashkë Shqipërinë.”- Visar Zhiti/

Shkruan: Fatbardh Amursi (Rustemi)/
Në ceremoninë promovuese të presidentit Biden, një klerik, në fjalën e tij përshëndetëse, citoi këtë thënie të Papa Françeskut:“Të vetmuar shohim mirazhe, së bashku krijojmë ëndrra”, e cila mori vlerën e një mesazhi edhe për presidentin e ri me moshë të vjetër, i ndodhur përballë sfidës për të bashkuar amerikanët: të ndarë si kurrë më parë prej politikës. Merret me mend se sa e shumëfishtë bëhet kjo këshillë për ne shqiptarët, ku flitet për bashkimin kombëtar nën kërcënimin e luftës civile. (Rama i urren Veriorët, thotë Berisha dhe për ta ilustruar poston në faqen e tij të facebook-ut disa banorë të një fshati, që heqin keq në kapërcimin e një përroi, ndërsa ty të vjen në mendje pyetja: kjo “Rruga e Arbërit” për kë po ndërtohet? Mos vallë Dibra gjendet në jug të Shqipërisë? Ndodh shpesh, që politika e ditës, t`i kthejë urat në mure, duke fikur dritën në fundin e tunelit dhe, ëndrrat mbyllen në BunkArt, ndërsa mirazhet, sikurse sirenat: lidhin pas direkut aventurierin e radhës. Njëra palë mburret me “Rrugën e Kombit”, ndërsa tjetra me “Rrugën e Arbërit”, ku në njërën me gjasa kalon i vetëm Isa Buletini dhe në tjetrën Ismail Qemali.) “Kemi harruar të jemi bashkë, siç e kemi bashkë Shqipërinë.”-shkruan Visar Zhiti në një intervistën e tij të fundit në gazetën “Panorama”. Këtë frymë bashkimi, më shumë nga ndikimi i Papa Françeskut, të cilin Visari e ka takuar në Vatikan, e ka të trashëguar qysh në krye të herës nga i jati i tij, Hekurani, autor i poemës së njohur “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, ku njëri personazh është partizan dhe tjetri nacionalist. (Partizanin mos e identifikoni me komunistin dhe nacionalistin me ballistin.) Autori i poemës ishte nacionalist, ndërkohë që vëllai i tij doli malit partizan. Të lindur në Tomoricë, kujt do merrte bekimin e Baba Tomorit? Në rrethanat e luftës për çlirim, vëllezërit përballen si kundërshtarë. Zgjatim i ketij konflikti jane dhe debatet televizive për “vëllavrasjen”. “Ah, o bijtë e jetës, pse kështu përçarë!/ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkojë!”-thërret nëna fatzezë në poemën e Hekuran Zhitit “Përqafimi i kundërshtarëve”, duke e kërkuar fajtorin përtej fëmijëve të saj. Dhe cili është ogurziu? Poeti nuk merr përsipër ta identifikojë përçarsin, duke e lënë në dëshirë të lexuesit dhe të gjykatësit kohë. Gjithsesi ai nuk pret nga politika, që vëllezërit kundërshtarë të përqafohen, ndaj krijon një artificë me deus ex machina. Përplasja mes dy çetave, asaj balliste dhe komuniste, kthehet në një dyluftim, ku vëllai partizan vret atë nacionalist. Mund të ndodhte dhe e kundërta, që nacionalisti të vriste partizanin. Meqë autori ishte nacionalist, pranon fatin e viktimës, duke i parandjell vetes persekucionin e mëvonshëm në regjimin komunist, ku qe i radhitur dhe vëllai i tij partizan, por jo komunist. Në poemë, vëllai partizan me të mësuar se kishte vrarë vëllain e tij nacionalist, vret veten, duke e dyfishuar tragjedinë. Poema nis si një kronikë familjare dhe përfundon si një tragjedi kombëtare. Një plagë e madhe, që ende s`është mbyllur, për shkak të politikës konfliktuale, ku thirrja: “Opozitarë, por vëllezër”, përngjan me maskën në fytyrën e një të infektuari me covid. Përqafimi imposibël i vëllezërve i përgjigjet së vërtetës personale, pasi babai i Visarit dhe xhaxhai i tij, shpëtojnë gjallë nga lufta, por në planin historik fjala “pajtim kombëtar” u zëvendësua me “unitet të popullit rreth partisë”, ku në rrethin vicioz të “luftës së klasave”, vëllai partizan duhej të distancohej nga ai nacionalist, në të kundërt: do përballej me pasojat e regjimit komunist.

Shkrimtari Hekuran Zhiti e përdor fatalitetin si një mundësi për katarsis tek bashkohësit, nën shembullin e tragjedianëve grekë, duke na kujtuar “Antigonën” e Sofokliut. Sikurse dihet: në dyluftimin e Eteoklit me Polinikun, mbetën të vrarë të dy vëllezërit. Ndërkohë që mbreti i Tebës, Kreonti, urdhëron: njeri vëlla të varroset me nderime si dëshmor dhe tjetri, i përbuzur si tradhëtar të lihet i pavarrosur. E vetmja që nuk iu bind urdhërit të tij, ishte Antigona, duke e varrosur të vëllanë, sikurse e donte zakoni. Kështu që rebelimi i motrës mbart më shumë heroizëm nga dyluftimi i vëllezërve të saj. (Antigona lejohej në skenën e teatrit, duke munguar në jetë.) Nëse vëllanë partizan, do ta quanim për momentin Shefqet Musaraj, autori i njohur i “Epopesë së Ballit Kombëtar”, do kishim një realitet tjetër, ku personazhët e poemës ndërrojnë vend me ballistin dhe komunistin, pasi në plan të parë del lufta për pushtet. Kur duhej të ishin bashkë në luftë, dështoi marrëveshja e Mukjes. (Skënderbeu e realizoi Kuvendin e Lezhës.) Kur duhej të ishin bashkë në paqe, nga Qeveria Demokratike e pas luftës eliminohen 16 deputetë të krahut opozitarë, sikurse nuk do të funksiononte dhe në pluralizëm slogani “Opozitarë, por vëllezër”, apo “mendimi ndryshe” do shihej si herezi. Është pikërisht politika që, alternativën e kthen në antagonizëm, ku artit i duhet të përballet me propagandën. Midis dy Batove njëri duhet të jetë tradhëtar. (Në qytetin e lindjes, garuan për deputet: poeti Faslli Haliti me siglën e partisë socialiste dhe poeti Visar Zhiti për demokratët. Gjatë fushatës ne rrinim bashkë, si kundërshtarë të përqafuar. Një i persekutuar, i cili kishte lidhur krushqi me një familje komuniste, do thërriste sa kishte në kokë, që ta dëgjonin dhe të tjerët: “O Visar, mos rri me ata se do t`i humbasësh zgjedhjet!” Amaneti i babait i mishëruar në poemën “Përqafimi i kundërshtarëve” sfidonte thirrjet militanteske, për të mos thënë paramilitare.)

“Përqafimi i kundërshtarëve” mbeti një dëshirë në tentativë e autorit të saj dhe secila palë mirazhet e veta i shiti si ëndrra? Nuk mund të mos më kujtoheshin dy padi të bujshme. E para: padia e djalit të Maman Saliut, një veteran i luftës, me 13 plagë, 4 më shumë nga Gjergj Elez Alia, i cili ka hedhur në gjyq ISKP-ën, ngaqë në librin e Çelo Hoxhës emri i tij përfshihet tek “kriminelët e luftës” dhe padia e dytë: e nipit të Kadri Cakranit, avokatit Kujtim Cakrani, i cili hedh në gjyq ish presidentin Alfred Moisiu, që në një deklarim të tijin e ka quajtur gjyshin e tij “kriminel lufte”. Po e ruajmë këtë paralele në përshtatje me personazhët e poemës “Përqafimi i kundërshtarëve”, pasi aty është dhe thelbi i konfliktit.

Djali me yll në ballë (po e quaj Maman Saliu) në poemë i drejtohet shqiptarëve: “Zbathur edhe xhveshur/Në erë e në shi,/Me buzë duke qeshur/Thërret: “Ja liri!/S’më hyn në sy jeta,/Jam një partizan,/Se botë e vrerosur/Zgjedhën më s’e mban./Yllin përmbi kokë/e kam/si një shpresë,/Me këtë në ballë/çdo djalë/do të vdesë!/Kush po ma cënon,/dorë e tij iu thaftë!/Rëntë si kufomë,/Plumbi im/e vraftë!” Sikurse dhe vrau, duke marrë dhe 13 plagë.

Biri tjetër i dheut (po e quaj Kadri Cakrani), i akuzuar për “masakrën e 4 shkurtit”: “Që nga ana tjetër një çetë po qaset,/Me flamur’n e Gjyshit… mbi borë po përplaset,/Thotë:/“Dua Atdhenë e dua Flamurë,/Për lirinë e Kombit/Do ndehem mbi gurë./Kush cënon këto/që m’i la Dëshmori,/Do shkojë nga unë/Si shkon tradhëtari.” Djali partizan ka në ballë yllin e kuq dhe kërcënon me vdekje cilindo, që ia prek këtë simbol të komunizmit, ndërsa tek Biri i Dheut spikat flamuri i të parëve, që kush ia cënon, është gati të flijohet për të. (Si intermexo po fus vargun: “`39-të mos ardhç kurrë/se na rrëzove flamur.” Kjo poezi e njohur si anonime, ka per autor Hekuran Zhitin.) Ai që i vuri sëpatën flamurit ishte pushtuesi, të cilin Biri i Dheut, dhe jo autori, bëjeni këtë dallim: nuk e zë me gojë. Beteja mes palëve përfundon me vendosjen e yllit mbi flamur, që rezultoi po aq i huaj, sa dhe sëpata e Liktorit. Deklarimi i Djalit me Yll se botë e vrerosur zgjedhën nuk e duron, është ambiguitive: ku zgjedha e pushtimit alternohet me ate te shfrytëzimit. Tek e fundit: kush e do zgjedhën?! Më pas zgjedha do të këmbehej me prangat, që do i provonin at e bir, Hekurani dhe Visari. Djali me Yll, Maman Saliu, sikurse e konkretizuam, bën thirrje për të hequr zgjedhën (pushtuese dhe shfrytëzuese), ndërsa Biri i Dheut, Kadri Cakrani, lëshon piskamën per vdekjen e tradhëtarëve. Fitimtaret zgjedhën do e këmbenin me litarin e të varurit. Tradhëtari i bije të jetë vëllai partizan, pra, xhaxhai i Visarit. Kështu që lufta kundër armikut, kthehet në një armiqësi midis vëllezërve. Pikërisht kjo gjëmë e ligështon poetin nacionalist, i cili në llogoren përballë ka të vëllanë partizan. I bije si të luftosh me veten, për llogari të një tjetri. Por, ky “tjetri” herë quhet Kadri Cakrani dhe herë Maman Saliu. “Të dy kundërshtarët/Janë të vendosur,/Prandaj po luftojnë/Me shpirt të handakosur.”-shkruan nacionalisti Hekuran Zhiti, duke mos fshehur simpati, por pa mbajtur anë. Kjo luftë me “shpirt të sakatosur” vjen deri në ditët tona, ku një president, Nishani quhet, tentoi “pushkatimin moral” të Visarit duke përdorur dëshmimtar të rremë, ku ne fund te dites doli vete i gjymtuar. (Të dy, at e bir u dënuan për të njëjtin faj: se shkruan vargje në kohën e vargonjëve. Për poemën u dënua i jati për poezitë, i biri. Por, a mund të akuzohet për këtë ndëshkim vëllai partizan? Propaganda krijon përbindësha, ndërsa arti lartëson njeriun.) Në poemë, veç vajtimit të Ajkunës për bijtë e saj kemi dhe Vajtimin e Shqiponjës: “Si i ngjau Kosovës, Çamërisë së shkretë?/Ëndërruan lirinë,/u bënë ëndërr vetë.” Nga vajtimi i Ajkunës tek vaji i shqiponjës, skena të denja për korin antik, ku humbja merr përmasat e një zije kombëtare, ndodh që copëtimi i zemrës së një nëne, të bashkëshoqërohet me copëtimin e trojeve shqiptare. (Fqinjët shovenë na i rrëmbyen trojet dhe a mund të shpresohej prej pushtuesëve rikthimi i Shqipërisë së Madhe?) Po t`i referohemi eposit, Ajkuna ishte gruaja e kreshnikut Muji. Ajo vajton Omerin 7 vjeçar i vrarë në një betejë me shkjaun. Ajkuna e poemës vajton të dy djemtë, vrarë prej politikës së konfliktit. Në këtë rast është Halili që vret Mujin dhe ky më pas vret veten. Në Eposin e Kreshnikëve Muji dhe Halili janë kurdoherë bashkë, ndërsa në poemë vëllezërit, të ndarë, si të dënuar që të shohim mirazhe lirie.

Gjithsesi autori nuk i fsheh rrënjët e konfliktit, pa u bërë palë me asnjërën prej palëve kundërshtare, pavarësisht simpatisë: “Mos mendoni shumë për Botën e Re,/Se barra e madhe është tjetër mbi ne./Po shkoi Bot’e Vjetër e tëra në greminë,/Do ta marrë me vete edhe këtë lëndinë./Po të kuqet bota, rruzulli të ndrijë,/Shqipëria jonë. Vetëm nuk do nxijë./Drapri dhe çekani, po u ngrit mbi dhe,/Çdo flamur prej kombi të hyjë në muze,/ Mbahi pakëz, djema, Bota është e Vjetër!” Dihet që revolucionarët deklamonin Botën e Re, ndërsa reaksionarët i qendronin Botës së Vjetër. “Ju ka lindur nëna për një botë të re.”-i këndohej Djalit me Yllin e Kuq, M. Saliut. Revolucionarët i përmbysën reaksionarët, por Botën e Re nuk e ndërtuan, deri sa erdhi dita të përmbyseshin dhe vetë. Nëse në demokraci “të përmbysurit”, pra, reaksionarët po rehabilitohen, më saktë po integrohen, Bota e Vjetër i mbeti muzeut, sikurse Bota e Re po dergjet në BunkArt. Pra, herinjtë e poemës humbën kokën për të shpëtuar botën, duke u mashtruar prej mirazhëve. Të dy kundërshtarët janë me kauza të dështuara. Ata s`kanë arsye të jenë kundërshtarë, veçse viktima të kauzave të gabuara. Që nga koha kur Hekuran Zhiti shkroi poemën “Përqafimi i kundërshtarëve” deri tek kënga e Gilit: “Le të puthen, le të puthen, socialistë dhe demokratë!”, krushqit vazhdojnë të jenë të ngrirë, edhe pse shohim që Nano të përqafohet me Berishën. (Dikur me Visarin ishim në një lagje, ku fëmijërinë dhe rininë e kaluan së bashku, ai biri i një nacionalisti dhe unë djali i një komunisti. Natyrisht, që kishim ëndrrat tona. Tani jetojmë në Amerikë, ai në Chicago dhe unë në New York, duke shpresuar të mos jemi të veçuar, ku secili të ndjek mirazhet e veta.)

“Përqafimi i kundërshtarëve”…..

Filed Under: ESSE Tagged With: Fatbardh Rustemi(Amursi), krijojme endrra..., së bashku

GJUHA DHE IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR NË BELGJIKË

February 12, 2021 by dgreca

Amet Gjanaj themelues dhe kryetar i shkollës  shqipe “Vatra” në Bruksel dhe deputeti i parë shqiptar në Bruksel, Belgjikë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Belgjikë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me z.Amet Gjanaj bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË BELGJIKË

Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Belgjikë organizohet nga shoqata të krijuara në bazë vullnetare. Nuk është arritur ndonjë marrëveshje ndërshtetërore që të merrët përsipër organizimi i mësimeve në mënyrë institucionale. Iniciativat e para janë marrë menjëherë kur kanë arritur të arratisurit nga diktatura komuniste në Shqipëri në vitin 1956 që shënon dhe fillimi i prezencës së Shqiptarëve në Belgjikë. Deri atëherë, prezenca e tyre ishte individuale siç ishte ajo e Faik Konicës që emigroi në Belgjikë në vitin 1897 ku dhe botoi revistën «Albania» përpara që të shkojë në Angli dhe pastaj Amerikë. Për disa vite, janë Xhamitë shqiptare që kanë organizuar orë mësimi të gjuhës shqipe brenda programit fetar. Pastaj me ardhjen e Shqiptarëve nga ish-Jugosllavia në valë të ndryshme në vitet e ndryshëm të represioneve atje, janë organizuar e paguar orë mësimi të gjuhës shqipe nga vetë ish-Jugosllavia për disa vite me radhë në një tentativë për të kontrolluar diasporën shqiptare dhe e mbajtur atë nën ndikimin e saj. Pastaj është formuar Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Belgjikë (L.A.Sh-it), organ i pavarur prej çdo lloj ndikimi shtetëror, që ka funksionuar gjer në vitin 2005 kur u mbajtë ansambleja e fundit e përgjithshme dhe që mori vendimin e federalizimit të organizimit të gjuhës shqipe në të 3 rajonët e Belgjikës. Gjatë koordinimit të L.A.Sh-it, janë nxitur dhe hapur mësime plotësuese në shumë qytete të Belgjikës gjithmonë në bazë vullnetare. Shumë prej tyre nuk i kanë rezistuar kohës dhe mungesës së koordinimit pas zhdukjës së L.A.Sh-it. Nga viti 2005, mësimet kanë filluar të organizohen në kuadër të shoqatave kulturore ashtu siç bëri shoqata jonë Albabel duke e emëruar mësimin «Shkolla Vatra». Shkolla Vatra ka si bashkëthemelues edhe z.Ibrahim Dizdari, drejtoreshë e shkollës është Vaile Shkodra, kurse mësuesit aktual janë: Mirjeta Bardhoshi, Ermenita Çerra, Arta Kapaj, Alisa Syknej, dhe Elona Turkesha. Kryesisht, mësimet organizohen të shtunave për 4 orë në 4 grupe në funksion të moshës dhe të njohurive. Jemi përpjekur që të mos gjenden fëmijë të moshave shumë të ndryshme në të njëjtin grup dhe pse mund të kenë pasur njohurira të përafërta. Brenda orarëve, zhvillohet dhe një orë vallëzimi për të qenë sa më tërheqës dhe që të mos ngarkohen për së tepërmi fëmijët që tërë javën shkojnë në shkollat belge. Në 3 orët e gjuhës, fëmijtë mësojnë gjuhën shqipe por dhe elementë të gjeografisë dhe të historisë kombëtare. Shkolla “Vatra” u ka dhënë dëftesë mbi 700 nxënësve për 15 vitet që funksionon. Ajo vepron në rajonin e Brukselit ku banojnë gati 20.000 Shqiptarë. Çdo vjet regjistrohen nga 60 deri në 80 nxënës, që do të thotë, një përqindje shumë e ulët në raport me përmasën e komunitetit. Në të gjithë territorin e Belgjikës funksionojnë dhe 2 shkolla të tjera, një në rajonin e Valonisë dhe një tjetër në atë të Flandrës. Vitet e fundit, janë ndërmarrë iniciativa të ndryshme për të nxitur mësime në qytete të tjera dhe pritet që numri i shkollave shqipe të 2-3 fishohet në të ardhmën. Gradualisht synojmë të rikrijojmë një koordinim të shoqatave që shkollat të kenë jetëgjatësi dhe që komuniteti shqiptar t’i ketë ato si institucione të përherëshme për ta mbajtur gjallë komunitetin shqiptar. 

KURRIKULAT MËSIMORE NË SHKOLLËN “VATRA”

Mësimet e gjuhës shqipe jepen duke gërshetuar tekste të ndryshëm që jepen nga ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe tendenca është që të merret si referencë tekstet që po përpunohen nga të dy ministritë e arsimit. Megjithatë, funksionaliteti i tyre nuk është akoma në nivelin e kërkuar dhe aq sa e kërkon situata. Prandaj, në vendet ku diaspora është më e organizuar sikur në Zvicër dhe Amerikë, organizohen herë pas herë seminare që thellojnë njohuritë mbi mësimëdhënia në mërgim dhe japin mjete të ndryshëm për diasporet e tjera. Ashtu ishte seminari që ka organizuar shoqata «Albanian American Dual Language & Culture» për këtë temë në shtator të vitit të kaluar. Ky lloj bashëpunimi duhet që të forcohet që të arrihen tekste dhe metoda bashkëkohore dhe funksionale në diasporë të përshtatshme për fëmijtë në kushtet e mergimit. Njëkohësisht, shtetet tona duhet të merren më seriozisht me këtë punë. Duhet nënvizuar se Kosova ka qenë më aktive në këtë drejtim duke pasur një ministri të diasporës që në fillimet e shtetit të saj.  

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR

Gjuha shqipe është elementi kryesor i ruajtjës së identitetit që konkurohet nga kultura dhe gjuha e vendit pritës prandaj shoqata e jonë ka zgjeruar spektrin e aktiviteteve të saj duke organizuar aktivitete kulturore si në vende të mbyllura ashtu dhe në ambjente të jashtme që të marrin pjesë çdo ditë e më shumë Shqiptarët e Belgjikës që pastaj të tërhiqen fëmijët për të ndjekur mësimet plotësuese në gjuhën shqipe. Në këtë sens, është ngritur një grup vallëzimi që prurjet e reja i ka nga nxënësit e talentuar të shkollës shqipe për vallëzim. Është ngritur dhe një grup grash shqiptare që të lidhen dhe të punojnë gratë për të tërhequr nënat e fëmijëve shqiptarë dhe rritur numrin e nxënësve. Së fundmi është inauguruar faza e dytë e Qendrës Kulturore Vatra në përmasa dinjitoze që të shkohet dhe më tutje në organizimin e rinisë e të komunitetit shqiptar. Ndërkohë dhe për të nxitur krenarinë e komunitetit dhe rritur ndjenjat patriotike, shoqata e jonë ka organizuar evente madheshtore që kanë kulmuar me ngritjen e flamurit kombëtar mbi Atomiumin, simbolin e Belgjikës që i bie sikur të ishte ngritur flamuri shqiptar mbi Shtatoren e Lirisë në Amerikë apo mbi kullën Eifel në Francë. 

SI PRITET MËSIMI SHQIP NË BELGJIKË

Belgjika është një shoqëri liberale ku jepet e drejta që të funksionohet lirisht në kuadër të shoqatave. Gjuha shqipe nuk është se promovohet dhe financohet nga shteti belg por nuk pengohet. Shoqëria belge ka qenë mikpritëse nda Shqiptarëve duke mbështetur Shqipërinë dhe Kosovën saherë që është dashur vota e saj. Megjithatë, imazhi i Shqiptarëve vazhdon të ngelet i lidhur me veprimtarinë e disa individëve aktivë në botën e krimit. Prandaj dhe shoqatat i kanë vënë vetës si obligim moral që të punojnë fort për të ndryshuar këtë imazh përmes promovimit të kulturës shqipe dhe duke treguar vlerat e kombit tonë. 

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË BELGJIKË

Shqiptarët, duke qenë mbi 60.000 veta në të gjithë Belgjikën, janë komuniteti i tretë i huaj jashtë BE-së. Vitet e fundit, pikërisht me shtimin e numrit të aktiviteteve kulturore dhe prezencën gjithmonë e më të madhe të Shqiptarëve në sheshet publike duke treguar vlerat e tyre tradicionale, Shqiptarët kanë filluar të interesojnë autoritetet politike të vendit. Sidomos prej vitit 2014 kur fitova mandatin e deputetit në rajonin e Brukselit, për herë të parë për një Shqiptar, jemi përpjekur që të ndërtojmë ekipe kandidatesh që të ketë sa më shumë mandate të fituara nga Shqiptarë. Niveli politik është më i larti dhe që mund të sjellë rezultate të prekshme për një komunitet. Shqiptarët me zgjuarsinë e tyre me vitalitetin e tyre kanë potencialin për të arritur majat e shoqërive ku jetojnë. Por duhet rritur doza e bashkëpunimit dhe besueshmëria ndërmjet Shqiptarëve që kjo të arrihet. Duke qenë se shoqëritë ku jetojmë në mergim janë të gjera dhe të mjaftueshme për gjithsecilin, nuk jemi konkurrentë për vende të caktuara por mund të zëmë të gjithë, pozicione shumë më të larta se ç’kemi duke bashkëpunuar strategjikisht. Një strategji të tillë kemi përdorur në zgjedhjet lokale të fundit ku kemi arritur që të futëmi në kryesinë e 3 komunave të Brukselit aty ku s’kishte asnjë në të kaluarën.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Gjithmonë jemi inspiruar nga diaspora shqiptare e Amerikës dhe akoma vazhdojmë të inspirohemi prej saj në të gjitha fushat e veprimit. Kohët e fundit vërejmë se ka një zbehje të aktiviteteve të saja dhe një mungesë në lidershipin e saj botëror. Do të donim që kjo diasporë të nxirrte një apo disa kandidatë në kongresin dhe senatin amerikan që të kompensohet largimin e DioGuardit nga skena politike amerikane. Kjo është një domosdoshmëri jo vetëm për Shqiptarët në Amerikë por gjithashtu për Shqiptarët në të gjithë botën. Ne adhurojmë komunitetin shqiptar të Amerikës, e kemi pikë referimi dhe urojmë që do ta kemi përgjithmonë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Amewt Gjanaj, belgjike, Sokol Paja

Letra e Biden për Vuçiçin dhe diplomacia e “shkopit dhe karotës “

February 12, 2021 by dgreca

Analizë nga Rafael Floqi/

Diplomacia është arti i të mundshmes. Por vetëm parashtrimi i një kërkese nuk mjafton. Arti diplomatik i shkopit dhe karotës, duhet përdorur, por kjo deklaratë e Bidenit, ndaj Serbisë nuk ka as forcën e shkopit” as joshjen e karotës.  Dhe e thënë shqip as fshikullimën e kërbaçit dhe as shijen e kulaçit.  Po pse? Sepse Serbisë i afrohet karota të cilën Amerika s’e ka plotësisht në dorë dhe s’e kontrollon, që është aderimi në BE, që varet vetëm nga BE-ja dhe kjo madje pa asnjë hije shkopi.

Shprehja e përdorimit të “karotës dhe shkopit” është një metaforë për përdorimin e një kombinimi të shpërblimit dhe ndëshkimit, për të nxitur një sjellje të dëshiruar, është një idiomë që i referohet një politike që ofron një kombinim shpërblimesh dhe ndëshkimesh, për të shkaktuar një sjellje e qëndrim të caktuar drejt qëllimit tonë. Në politikë, “karota ose shkopi” ndonjëherë i referohet konceptit realist e pragmatik të fuqisë së butë dhe të fortë. Karota në kontekstin e diplomacisë mund të jetë premtimi i ndihmës ekonomike ose diplomatike midis kombeve, ndërsa shkopi mund të jetë kërcënimi i veprimit ushtarak. Në fakt vetë metoda është realisht pragmatike dhe është një përzierje e të dyjave.

Si ta kuptojmë Letrën e Biden për Vuçiçin

Këto ditë zëdhënësi i Ambasadës së SHBA në Beograd, James Hagengruber, ka përsëritur qëndrimin e presidentit amerikan Joe Biden se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me njohjen e ndërsjellë si bazë, është i njohur prej kohësh si çelës për arritjen e këtij qëllimi. Kjo deklaratë dhe pse përsëritje nuk është e re por një vazhdimësi e politikës amerikane në Ballkan.

 “Ish-Presidenti Trump gjithashtu e ka bërë këtë politikë shumë të qartë. Në vitin 2019, ai i shkroi Presidentit Aleksandër Vuçiq për ‘mbështetjen e palëkundur’ të Shteteve të Bashkuara në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe veçanërisht angazhimin e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, – ka thënë Hagengruber për agjencinë “Tanjug”, duke komentuar letrën e Presidentit të tanishëm të SHBA, Biden, të cilën ia dërgoi Vuçiçit me rastin e Ditës së shtetësisë së Serbisë, në të cilën theksohet njohja e ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës. Hagengruber theksoi se “u takon të dy palëve të arrijnë një marrëveshje të cilën dy palët mund ta mbështesin”, duke shprehur bindjen, se njohja e ndërsjellë duhet të jetë një element kryesor në normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve. 

Pra, qëndrimi amerikan ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës është i njëjtë, me gjithë dyshimet, jo aq për qëllimin, po për taktikat disi ekscentrike e jokonvencionale të qasjes së Grenellit, që mbështetej tek diplomacia ekonomike dhe tek “karota-interesi i përbashkët ekonomik “, se sa tek shkopi dhe presioni. Në një kohë që Serbia luan me dy krahët dhe armatoset ushtarakisht nga Rusia dhe i bën me sy pranisë së Kinës dhe Turqisë në Ballkan.

“Një marrëveshje e tillë historike, me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën drejt qëllimeve të integrimit evropian dhe rritjes ekonomike të Serbisë”, shtoi zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Serbi. 

Në fakt kjo deklaratë ka vetëm forcën e citimit dhe graviton peshën e SHBA në politikën e Ballkanit, dhe ka prapavijën që presidenti Biden, është një njohës i mirë i çështjes së Kosovës, por vetëm aq. 

Pse nuk shkaktoi befasi Letra e Bidenit?

Letra në Kosovë nuk shkaktoi befasi pasi është një qëndrim që pritej nga Biden, madje  dhe në Serbi u kalua disi me heshtje.

Diplomacia është arti i të mundshmes. Por vetëm parashtrimi i një kërkese nuk mjafton. Arti diplomatik i shkopit dhe karotës, duhet përdorur, por kjo deklaratë e Bidenit, ndaj Serbisë, nuk ka as forcën e shkopit” as joshjen e karotës.  Dhe e thënë shqip as fshikullimën e kërbaçit dhe as shijen e kulaçit.  Po pse? Sepse Serbisë i afrohet karota të cilën Amerika s’e ka plotësisht në dorë dhe se kontrollon, që është  aderimi në BE, që varet vetëm nga BE-ja dhe madje, asnjë hije shkopi.

Hagengruber shtoi se “Shtetet e Bashkuara nuk duan asgjë më shumë sesa Serbia të ketë sukses në aspiratat e saj drejt BE-së dhe se kthimi në dialog midis Kosovës dhe Serbisë, me ndihmën e BE-së, është thelbësor për një sukses të tillë”. 

Ai kujton fjalët e presidentit Biden se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çonte në njohjen reciproke, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të të dyja vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, që është me rëndësi thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë”. 

E thënë kështu, për të mos tjetërsuar Serbinë, drejt Rusisë, në fakt ky është më tepër një dëshirë e politikës së jashtme e gjeopolitikës amerikane në Ballkan, se sa një mjet për ta detyruar Serbinë të pranojë njohjen e Kosovës. Pasi, nga ana tjetër, nuk ka paralajmërime për sanksione për Serbinë, për pengimin e aderimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. 

Zëdhënësi i ambasadës amerikane shtoi se kjo do të përmirësonte sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve dhe do të përkonte me aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera multilaterale dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm që një Evropë e tërë të jetojë në paqe dhe liri.  Nga njëra anë Amerika i lë në dera Evropës ta zgjidhë këtë kontest ndërkohë, që Evropa gjithë këto vite s’ka arritur gjë. Ndërkohë që Serbia pengon me çdo mjet aderimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

BE-ja dhe kalendat greke të Lajçakut

Ndërkohë përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është në kërkim të vazhdimit të mandatit në postin në të cilin u emërua para gati një viti, edhe pse  perspektiva e vazhdimit të dialogut të cilin ai e ndërmjetëson nuk duket shumë e qartë. Lajçakut dhe ekipit të tij prej rreth dymbëdhjetë personave mandati u skadon në fund të muajit që vjen dhe pritet që shtetet anëtare të pajtohen për vazhdimin e tij. Por, situata politike në Kosovë dhe paqartësitë të cilat mund të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve të së dielës përmenden si arsye pse takimet e reja në kuadër të dialogut mund të mos zhvillohen deri në verë. Para përfaqësuesve të vendeve të BE-së, për situatën politike në Kosovë dhe pritjet pas zgjedhjeve, ka raportuar shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomasz Szunyog. Pas tij ka raportuar edhe Lajçaku. Situata e komplikuar politike në Kosovë dhe mundësia që gjërat të mos sqarohen para verës bënë, që vazhdimi i dialogut të mos ndodhë deri atëherë. Lajçaku kërkon mandat të ri, ndërkohë që ai më nuk flet për “marrëveshje të shpejtë”, por thotë se “nuk mund të caktojë afate kohore”. 

Lajçaku, në të njëjtin debat, ka folur edhe për pritjet për një bashkëpunim më të mirë me SHBA-në dhe se ai nuk pret ndonjë shantazh nga ana e Washingtonit, duke sqaruar pikërisht atë se mungon presioni diplomatik . 

Letra e Bidenit si statuskuoja e Obamës 

Në fakt, letra e Biden është dëshmi serioze e konsistencës amerikane në qëndrimet lidhur me dialogun me Serbinë. “Letra e Presidentit Biden, drejtuar Presidentit të Serbisë, është dëshmi serioze e konsistencës amerikane në qëndrimet karshi zgjidhjes së çështjes, përkatësisht përmbylljes se procesit negociator në mes të Kosovës dhe Serbisë, proces i cili pritet të përmbyllet shpejt dhe të përfundojë me njohje reciproke. Nëse deri me sot, adresimet ndaj Serbisë kanë qenë me shumë të nënkuptuara, ky mesazh ka qenë i shkoqur  dhe me i qartë. 

Por megjithatë kësaj deklarate i mungon pragmatizmi diplomatik kundrejt një kokëfortësie serbe që po vazhdon për dy dekada.  Në ketë kontekst, Presidenti Biden, edhe njëherë ua bëri të qartë se njohja e Kosovës nuk ka alternativë dhe se sa me herët të ndodhë kjo nga Serbia, do të jetë veç me mirë për vetë Serbinë, Kosovën dhe gjithë rajonin. Por a thua kjo do të mjaftojë t’i largojë serbët ndaj synimet e tyre ndaj Kosovës. Unë mendoj që nuk mjafton. Në një kohë drejtuesit e Kosovës që luftuan për lirinë e vendit të tyre ndodhen në Hagë, dhe vrasësit edhe të vëllezërve Bytyqi janë të lirë.

Ballkani perëndimor ka sfida të mëdha, shpresojmë që Serbia t’i kuptojë mesazhet amerikane dhe t’i kthehet realitetit të politikës, rrjedhimisht pranimin e realitetit të Kosovës. Por a mund të bëhet kjo pa presion. Kjo deklaratë i ngjan politikës 8- vjeçare të Obamës ndaj Kosovës, që ishte një ruajtje e statuskuosë dhe nuk pati asnjë avancim të zgjidhjes të problemit të Kosovës. Serbia nuk ka treguar as konsistencë, e as shkathtësi diplomatike e politike për të qenë në gjendje me artikuluar drejtë në vlerësimin e situatave. Ajo çdoherë ka qenë e ndikuar nga qasja populiste e politikës të brendshme se sa nga ajo realiste, prandaj Vuçiçi i lëshon shkëndija me teori siluruese për të parë reagimin amerikan. 

Vuçiçi dhe teza armene për Kosovën

Aleksandar Vuçiçi, presidenti serb, i ngjashëm me kryeministrin armen Nikolla Pashinyan, pretendon të përsërisë sa herë që i jepet mundësia të argumentojë një tezë të tij mbi domosdoshmërinë e ndarjes së Kosovës, bazuar në të ashtuquajturin parim të shkëputjes korrigjuese. Por, kur kjo tezë nuk i përshtatet, si në rastin aktual të ndërhyrjes së Azerbajxhanit, ai thirr sovranitetin e paprekshëm dhe të drejtën e shtetit për të mbrojtur interesat kombëtare!  Përkundër kësaj, për Beogradin, lufta gjithëpërfshirëse për kthimin në Kosovë vazhdon. Edhe me koston e shkaktimit të përplasjeve të mëdha, pasi ato krijojnë mundësi për të aplikuar skema të rrezikshme gjeopolitike pa u shqetësuar për paqen dhe stabilitetin. Në këtë linjë mendimi duhet kuptuar kërcënimet e Aleksandar Vuçiçit sot.

Deklarata e Vuçiçit në fakt i drejtohej më shumë administratës së Joe Biden sesa Prishtinës zyrtare ose Tiranës. Synimi këmbëngulës për të bërë paralele me rrugët e ndjekura për çlirimin e Kosovës nga pozicioni kolonial dhe konflikti i ngrirë në Nagorni-Karabak, duke mbrojtur tezën serbo-ruse mbi konflikt dhe barazimi i Kosovës me një, është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe duhet të trajtohet me shumë seriozitet.

Bisedimet Kosovë -Serbi dhe paqartësia e zgjedhjeve në Kosovë

Në lidhje me vazhdimin e bisedimeve, Lajçaku kësaj radhe ka thënë se “nuk mund të përmendë afate kohore për vazhdimin e dialogut për shkak të situatës në Kosovë” dhe se “dialogu do të vazhdojë kur në Kosovë të krijohen institucionet e reja, që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit”. Sipas të njëjtave burime, Lajçaku ka thënë se “nuk do të nisë nga zero, por nga aty ku kanë mbetur në procesin e dialogut”, duke u lavdëruar se ai ka arritur “ta rifillojë dialogun”.

Deri vonë, Lajçaku dhe zyrtarët e tjerë të BE-së thoshin se “arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë çështje muajsh e jo vitesh”, por tani kur Lajçakut po i skadon mandati njëvjeçar thonë se “nuk mund të ketë afate kohore, sepse kjo varet nga palët dhe gatishmëria e tyre për t’u treguar qytetarëve se çfarë kompromisesh priten”.

Madje në BE ende vazhdojnë të mos përgjigjen në pyetjen se a është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë qëllimi i dialogut, siç është shprehur presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Dimitrija Miliç nga OJQ “Novi treci put” sipas radios serbe B92, e sheh arsyen e botimit të këtyre dokumenteve në statusin e ndërlikuar të BiH dhe të Kosovës. “Ata i konsiderojnë vendet e tjera në rajon të qëndrueshme. Ekipi i Biden beson se të gjitha ato vende, përfshirë Serbinë, duhet të jenë pjesë e BE dhe NATO. Sipas tyre, kjo është mënyra më e mirë për të pajtuar rajonin,” përfundoi Miliç.

Basti i humbur i Vuçiçit me Trumpin

Nëse Trump nuk e njihte çështjen e Kosovës, hapat e ndërmarra dhe takimet në Shtëpinë e Bardhë, i shërbenin më tepër ndërtimin e një imazhi me strategjinë e shuarjes të konflikteve të fjetura, duke zvogëluar praninë ushtarake amerikane në vende të tjera. Në atë masë sa gjatë takimit në shtëpinë e Bardhe Trumpi e pyeste Vuçiçin për tenistin serb Gjokanoviç.  Dashuria dhe investimi i Vuçiçit pranë Trumpit, filloi qysh me fitoren e këtij të fundit dhe largimin e Hillary Clinton-it nga presidenca qysh më  2016,  madje dhe në qarqet pro serbe në Kongres dhe në media shihej si një iluzion i kotë. Megjithatë duhet të kujtojmë se revista “Wall Street International” publikoi një artikull sipas të cilit rreth 750.000 qytetarë amerikanë me origjinë serbe, të cilët jetojnë në shtete kyçe dhe shumë të rëndësishme në SHBA në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ishin kundër Bidenit ” pasi serbët, pohonte artikulli, nuk e kishin harruar mbështetjen e Biden për bombardimin e Jugosllavisë.

Më 4 shtator 2020, ndodhi takimi në Shtëpinë e Bardhë. Dukej se pritja e presidentit  serb u shpagua. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte në Shtëpinë e Bardhë duke nënshkruar marrëveshje me Kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti, që do të shihte që të dy kombet – që bënë një luftë në 1998 – të rivendosnin lidhjet ekonomike, duke mos e përdorur detyrimin e Serbisë për të njohur Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në 2008

Kjo ishte një fitore për Beogradin, i cili kishte bërë presion për dy dekada për të mos pranuar një Kosovë të pavarur, dhe ky kusht s’ishte vënë nga Trump, ndërsa Bashkimi Evropian, i cili e ka bërë atë një kusht të anëtarësimit të Serbisë në bllok. Trump dhe i dërguari i tij Richard Grenell, nuk kërkuan që Vuçiç të kalonte atë rubikonin. Vuçiç mori madhështinë dhe ceremoninë e një marrëveshje paqeje në Shtëpinë e Bardhë, por pa paqen. Fakti që ishte Biden ai që fitoi Shtëpinë e Bardhë – ky qe një lajm i keq për Vuçiçin dhe aleatët e tij. Aleksandër Vuçiçi i Serbisë vuri një bast i madh ndaj Donald Trumpit dhe humbi. 

Po tani çfarë?

Serbia pa presion do të vazhdojë zvarritjen e dialogut të zgjatur, duke zbatuar edhe pjesërisht konceptin e kontrollit efektiv në veri të Kosovës, duke investuar vazhdimisht për të qenë e gatshme për të pushtuar veriun në rrethana të përshtatshme. Tani që marrëveshjet sekrete me ish-presidentin Hashim Thaçi për një simulim të rikthimit kanë dështuar, presidenti serb i u kthye argumentit të Nagorni Karabakut si një “argument” shtesë dhe si një alibi të gjetur!  

Por është koha e fundit dhe është e dëshirueshme që Serbia të mësojë nga gabimet e veta, derisa vlerëson se Serbia do të hezitojë ta njohë Kosovën dhe përmes satelitëve të saj brenda Kosovës, do të mundohet ta stabilizojë vendin që ta shpallë të dështuar. Megjithatë Kosova ka Amerikën dhe miqtë e saj dhe Serbisë do t’i imponohet njohja e Kosovës por a do ta pranojë ajo.

Serbia, karotat dhe shkopinjtë 

Ekzistojnë në thelb dy mënyra të zbatimit të këtyre instrumenteve të politikës në politikën ndërkombëtare. Karotat dhe shkopinjtë mund të aplikohen njëkohësisht ose në seri, njëra pas tjetrës. E gjitha varet nga konteksti i veçantë që mbizotëron në një moment të caktuar historik, nga balancat e fuqisë, si dhe nga botëkuptimi (realist, liberal ose konstruktivist) i vendimmarrësit qoftë ai (fajkua, pëllumb apo buf). Cilado qoftë mënyra në të cilën do të përdoren këto instrumente, qëllimi përfundimtar, e sfida, mbetet e njëjtë: si ta bëjmë palën tjetër të ndryshojë politikën e saj për një çështje të veçantë në përputhje me atë që ne dëshirojmë.

Është koha e fundit dhe e dëshirueshme që Serbia të mësojë nga gabimet e veta dhe t’u kthehet problemeve të brendshme që i ka të shumta, e mos ta mbajë peng, as Kosovën e as popullin e vet. Serbia do të hezitojë dhe do të prolongojë njohjen e Kosovës, me shpresë që mund të arrijë që përmes satelitëve të vetë brenda Kosovës, ta destabilizojë atë me shpresën që të shpallet shtet i dështuar e jofunksional. Por, megjithatë, edhe përkundër faktit që do na e bënë jetën të vështirë, Kosova, bashkë me miqtë e vet, siç është SHBA, do t’ia dalë ta imponojë njohjen e Kosovës nga Serbia. Megjithatë përveç deklaratave të qarta si ajo e Presidentit Biden, nevojiten më shumë kushte dhe mjete presioni ndaj Serbisë. 

Pasi është një çështje tjetër që as karotat dhe as shkopinjtë e përdorur shpesh ose në seri, ose së bashku, nuk mund të garantojnë gjithnjë suksesin. Nga ana tjetër ne e dimë që përdorimi i karotave dhe shkopinjve të Amerikës, ka punuar deri në një farë mase, ndaj vendeve të caktuara, gjë që tregon se pala tjetër së cilës iu paraqiten kushtet ka interesat e veta dhe, përveç kësaj, në të vërtetë mundet të mos i konsiderojë karotat mjaft të ëmbla, ose dhe shkopinjtë aq të dhimbshëm.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi.Letra e Biden, Vuçiç

FATMIR SOLLAKU – JO VETEM VELLAI IM I MADH

February 12, 2021 by dgreca

nga Shpend Sollaku Noé/

Largim i papritur i kapitenit /

Ishim një skuadër e fortë, tre vëllezër, tre motra. Ai ishte më i madhi në moshë. Kjo kishte sjellë që, në çaste të caktuara të jetës familjare të Sollakëve të lagjes XH.N të Lushnjes, ai të kish marrë përsipër edhe rolin e babait. Sidomos kur shpirtrat e kuq të të keqes na e shkëputën të mirin Qemal prej vatrës. Por edhe më pas, pas ikjes së tij të parakohshme nga kjo botë.

Ishim Gjashtë, dhe na dukej se do të mbeteshim gjithmonë ajo skuadër e mrekullueshme në të cilën secili ishte plotësim i tjetrit. Deri atë ditë të mbrapshtë të 13 shkurtit të vitit 2020. Deri në atë telefonim të shkurtër nga Roma të nipit tonë Emil: Babai na la!

Frenova makinën pa u kujdesur se ku ndodhesha. Qysh? Çfarë thua, more. Po unë dje fola me të. Nga ana tjetër e linjës arrin vetëm ngashërimi. Kalojnë ato çaste të para kur akoma nuk ke kuptuar vërtetë se çfarë të ka ndodhur. Lajmi të ka zënë në mes të rrugës. Me aq sa të ka mbetur prej arësyes arrin të zhvendosësh makinën drejt shtëpisë. Rruga është bërë e padukshme. Një ujvarë e pandërprerë që rrjedh nga poshtë vetullave të vesh shikimin. Fati të ndihmon të mos bësh aksident. 

Arrin të hapësh derën e shtëpisë e të plandosesh diku. Kërkon të rilidhesh me dikë. Të konfirmosh lajmin e pabesueshëm. Konfirmimi të arrin si një ortek. Nuk i shmangesh dot atij mali të dëshpërimit. Deri sa nuk të ka bërë copë.

Kjo ishte kronika e shkurtër e gjëmës së papritur. Me një përfundim tragjik: Nuk ishim më gjashtë. Kapiteni i skuadrës na kishte lënë.

Pas atyre orëve nis edhe kalvari i udhëtimit për në Shqipëri. Drejt një funerali në Lushnje. Pasiguritë me agjensitë e udhëtimit. Fantazma e Koronavirusit e kudogjendshme, edhe pse shpesh e neglizhuar. Më e rëndë se gjithçka më pas bëhet pritja e sjelljes së arkëmortit nga Roma. Ditë të gjata, shumë të gjata. Ditë pa natë. Një fiksim i vazhdueshëm i qiellit. Në pritje të përgjigjeve që kurrë nuk do të arrinin.

Pastaj ai pirg dheu, pranë nënës Shadie dhe babait Qemal. Lotë. Baltë nën këmbë. Lumë i turbullt në zemër. Qindra duar që ngushëllonin. Ashtu si vajtjeardhja e pafund e lushjarëve në ditët e pritjes. Që na bëri të mendojmë se Lushnja nuk kish rreshtur kurrë së dashuri familjen tonë.

Në një nga ato netë të pasvarrimit nëpër marrjemendjet e mia ishin ngjizur vetvetiu këto vargje: Lajmi i ngjyer në zift të shkrirë / më kullon akoma mbi mish. / Pezull – një sharrë elektrike e çmendur, / që vazhdon të më presë një këmbë, një krah. / Nëpër thonjtë e dhimbjes / më shuhet esenca e shpirtit në acid. / Hedh lakun e drithmës / në gançën e hënës mbi Lushnje / dhe var / gjysmën time të vdekur.

Ishin vargje – epitaf, të shkruar mbi një rriskë të qiellit të përmbledhur mes kodrave darsiane, në atë pjesë lugine të mbjellë me mermer. Një pitaf që e shpërndaja ndër njerëz e ëngjëj, të muzikuar nga peligorgat e shqetësuara të një përroi të pafjalë.   

Database familjare

Ç’na mbeti ne pesë të tjerëve veç dhimbjes ? E qeshura e tij e fortë, kudogjendja nëse, akoma të rinj e të papërvojë, kërkonim një mbështetje apo një të shtyrë para ngurimeve. Na mbeti sidomos portreti i një vëllai që ndikoi shumë në edukimin e vëllezërve e  motrave me dashurinë për punën, librin, muzikën, veshjen e zgjedhur me kujdes. Fatmiri ka qenë sqimatar i madh në të veshur. Donte gjithmonë të bënte figurë të bukur. Në vitet e kuq si edhe shumica e shqiptarëve të tjerë, kemi vuajtur dhe jo pak edhe nga pikëpamja ekonomike. Por le të thojë ndokush që paraqitja e atij burri nuk shquhej gjithmonë ndër të tjerët. Kjo që kur kish qenë nxënës në Shkodër e më pas student në Kamëz. Kaq shumë binte në sy saqë, edhe pse i shkëqyer në përgatitjen profesionale, pas Universitetit e dërguan në kufi me Beratin, edhe pse në Lushnje apo pranë saj, në ekonomi bujqësore më të rënëdësishme, kishte nevojë për njerëz të përgatitur si ai. Më vonë autoriteti i Komiteti Ekzekutiv që bënte emërimet, ia pohoi se e kishin emëruar aq larg sepse e konsideronin një mendjemadh që i ndronte kostumet si mbreti gratë. I shkreti Fatmir në atë kohë kishte shumë pak veshje, por i mbante chic dhe binte në sy edhe prej kollareve të bukura me të cilat i kombinonte. Kishte vërtetë këpucë lustrafin me porosi, por i vishte me raste, me aq pak kohë të lirë  sa i linte puna në kooperativë, me ikje në të gdhirë e kthim natën vonë, për të mos përmendur lejen e zakonshme që askush që punonte në ekonomitë kooperativiste nuk e gëzonte. 

Database kolegësh e miqsh

Nuk mbaj mend kolegët e Fatmirit kur punonte në Toshkëz. Atëherë isha gjimnazist dhe shkoja të rrija edhe një muaj të flija në një dhomë me të. Prej atyre qëndrimeve më kanë mbetur në kujtesë pjeshkët e stërmëdha me tul të bardhë të asaj zone dhe shoqëria me Sulën, një shok i im i gjimnazit, që banonte aty pranë. Kujtimi im gjallërohet ndërsa afrohen vitet kur tim vëlla e transferuan në Kooperativën e Golemit. Ditët e fundit, falë Whatsapp-it, munda fatmirësisht të kontaktoj Mustafa Çelën, kryeagronomin e asaj kohe, që ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë me Fatmirin dhe që u bë edhe mik shtëpie.

Muçi ruan nje foto të paparë të asja kohe, por, dhe sidomos, ka ende të freskët përvojën e atëhershme të eksperimenteve të Fatmir Sollakut në blegtori. Pasi ai, im vëlla, nuk ka qenë aspak një kuadër i zakonshëm i blegtorisë. 

Çfarë i vjen ndërmend kryeagrononimit të njohur Mustafa Çela

Kooperativa e Golemit ishte më e prapambetura në të gjithë rrethin e Lushnjes. 

Në dhjetor të vitit 1980 Komiteti Ekzekutiv vendosi të ndryshonte të gjithë kuadrot e asaj kooperative me qëllim që të përmirësonin  gjendjen e blegtorisë dhe bujqësisë.

Me ardhjen e kuadrove të rinj objektivat brenda vitit patën rritje deri në 60%. Fillimisht u bë riorganizimi i sektorëve të koperativës. U bë ndarja e tokës: 1600 ha për blegtorinë dhe1580 ha për bujqësinë. 

Fatmir Sollaku ishte kryetar i degës blegtorale. Ai sistemoi gjendjen e blegtorisë së pari duke ngritur në përgjegjesi të punës specialistë të mirë të blegtorisë. Ai ndërtoi gropat e silazhit sipas teknologjisë bashkëkohore, sistemoi administrimin për mbjelljen e tokës. Rezultatet e blegtorisë filluan të ecnin me shpejtësi drejt ngjitjes. Me këmbënguljen e tij Sollaku vendosi edhe qarkullimin në kulturat foragjere më në zë.                                                 Ai mbolli sojën, kaçkullën, tërfilin, jonxhën, loliumin, grurin foragjer dhe misrin foragjer. 

Ajo ndër më të rëndësishmet qe ngritja prej tij e  sektorit blegtoral në kushte naturale, pa stalla, jashtë në terren, në të ftohtë dhe në diell. 

Në vitet 1980-82 shumë toka ishin të përmbytura dhe nuk jepnin prodhim. 50 hektarë ishin të papunuar. Nisi menjëherë drenazhimi me tuba qeramike në thellësi 60 cm. I përfunduam brenda tre muajve. Këto toka na dhanë prodhime bujqësore e blegtorale të kënaqshme. 

Fatmir Sollaku filloi njëkohësisht realizimin e gropave të silazhit sipas teknologjisë bashkëkohore – 300 ton në 24 orë – duke futur grurin dhe misërin foragjer  me gjithë kallinj, në fazën e pjekjes. Si rezultat i kësaj pune në muajin e nëntë të vitit 1981 sektori i blektorisë arriti t’i përmirësojë rezultatet në 100%. Sektori i blegtorisë po ecte me hapa të mëdha, sepse kishin ndryshuar të gjitha parametrat e punës me të. 

Fatmiri filloi të bënte seminare ku shpaloste teknologjinë që kishte përdorur për prodhimin e qumështit dhe për sektorin e majmërisë së viçave, lopëve, deleve e pulave.

Koperativa e Golemit u bë një ndër ato me rezultate më të mira në rrethin e Lushnjes në saj të punës së palodhur të shokëve që kish afër si Tomor Kërçuku, Flamur Musaku, Vangjel Gjërmeni e shumë të tjerë.

Në Lushnje vinin për të marrë përvojë nga i gjithë vendi. Mishi i Golemit ishte më i pëlqyeri në Shqipëri.  

Rreth  punës në blegtorinë e Golemit u detyrua të diskutonte edhe Byroja Politike; kokat e atëhershme të shtetit vizitonin atë koperativë me synimin e shtrirjes në të githë vendin të metodave të punës së atjeshme.

Shtypi lokal dhe ai kombëtar, si edhe Televizioni shqiptar, u morën shpesh me eksperimente e Golemit…

Mustafa Çela nuk përmend veten në këto shënime. Po detyrohem unë të shtoj se Fatmir Sollaku nuk do t’i kishte arritur ato rezultate në prodhimin e mishit, nëse nuk do të kish patur si bashkpunëtor të ngushtë edhe Muçin, kryeagronomin e zotë, njeriun e mirë e të palodhur, me të cilin bashkërendonin punën që prodhonte ushqimin për kafshët.

 Shumë janë termat teknikë në rreshtat e mësipërm, shumë prej tyre të harruar apo që evokojnë dhimbje të një sistemi që vazhdimisht kultivonte vuajtjen.

Por ekzistenca e Fatmirëve, e Muçëve, e Tomorëve, e Flamurëve dhe e Vangjelëve ishte si melhemi mbi plagë, që lehtësonte shumë mbijetesën në kushtet e pamundura të koperativave socialiste.  

Illo Foto: Fatmiri i kryente paralelisht të dyja profesionet, zootekni dhe veterinari

I shkruajta mikut tim të hershëm, gazetarit të shquar Dalip Greca, nëse kishte të dhëna rreth bashkpunëtorëve të tim vëllai Fatmirit. Më përgjigjet:  “Mendoj se duhet të ketë të dhëna Illo Foto. Ai ka shkruar rreth 20 libra pas ’90-ës me temën e blegtorisë. Duhet ta ketë njohur Fatmirin dhe përvojën e tij”.

I nisa një mail të nderuarit Foto. Dhe përgjigja nuk vonoi. E shkruar me dashuri dhe kompetencë. Përzier me kujtime familjare njohjesh të hershme. 

“Fatmiri ka qenë miku ynë familjar. Kam pak kohë që kam marrë vesh shuarjen e tij. U hidhëruam familjarisht. Kur pashë mesazhin tënd, m’u duk sikur e takova. E kam pasur si vëlla. Ishte shoku im më i mirë në  Lushnje, megjithëse nuk kemi punuar  bashkë. 

Ai qytet na ka kalitur në punë shumë të vështira, por edhe na ka lidhur me shoqëri të paharruara. Nuk mund të harroj sidomos Fatmirin, që e veçoj për sinqeritetin, dashurinë për profesionin, për interesin që tregonte në rritjen e  prodhimit blegtoral, që ndikonte drejtpërdrejt në  përmirësimin e jetës së fshatarësisë të lodhur dhe të përbuzur  nga  regjimi. Në dukje ai regjim e kishte prioritet bujqësinë dhe fshatin. Në fakt të tërë peshën e marrëzive industriale e mbante në kurriz fshatarësia e rraskapitur. Ndihem mirë që kam shkruar disa libra duke e parë nga brenda jetën e fshatit të robëtuar. 

Më shkruan për ndonjë dokument të punës shkencore të Fatmirit, ndonjë fotografi e të tjera të ngjashme. E ku bënim ne fotografi, i dashur Shpend! Ne gdhiheshim  dhe ngryseshim ugareve dhe stallave. Edhe kështu nuk janë të pakët shokët tanë që u burgosën për “sabotim ekonomik”.

Ritheksoj se nuk kam punuar drejtpërdrejt me Fatmirin. Kemi qenë gjithmonë në ekonomi të ndryshme. Kur takoheshim qanim hallet, që ishin të përbashkëta. Ajo që spikaste në punën e tij  ishte se ai i kryente paralelisht të dyja specialitetet: zootekni dhe veterinari, edhe pse ishte diplomuar për veteriner. Edhe unë i kryeja të dyja, megjithëse isha  diplomuar për zooteknik. Si më ndodhi? Kur isha në Çermë Sektor, me  700 lopë, veterineri të shtunën ikte në familje, në Tiranë dhe kthehej të  hënën pasdreke. Unë banoja familjarisht në Sektor. Po të mos merresha me veterinari, sektorit i dilte flaka. Nën këtë prizëm, kemi qenë të  përbashkët me Fatmirin. Kur takoheshim, pinim ndonjë birrë tek “Myzeqeja”. Ky qe dëfrimi ynë, por na pëlqente njeri-tjetri. 

Ju falenderoj që më dhatë mundësinë të rikujtoj një mik të vyer, një koleg nga  më të shquarit që kam pasur në jetën time profesionale dhe shoqërore, në Lushnjen bujare dhe shumë njerëzore. Në kostelacionin  e miqve lushnjare ndrin emri i dashur i Fatmirit, që e shkriu jetën në punën e vështirë që na impononte ajo kohë.

Në kujtesën e Gëzim Barutit, intelektualit të internuar gjithë jetën

Edhe pse mjaft i zënë me librat e tij “Pushtimi i fundit” dhe “”Nga Shatobriani dhe Lamartini”, bëhet menjëherë i gatshëm të sjellë një copë zemër për Fatmir Sollakun. Ai shkruan: 

Një vit më parë humba një shok e mik të mirë, mungesën e të cilit do ta ndiej gjatë. Me ikjen e tij ndihem edhe më i vetmuar se më parë. Fatmir Sollaku, ky njeri i mirë dhe i virtytshëm, para syve të mi shenjtërohet i kompletuar në fushën e dijes. Shkalla e lartë e njohurive të tij më detyron ta quaj një enciklopedist ani pse i mërtiste dijet e tij duke u shfaqur si shembull në modesti. Njohuritë e tij dhe diapazoni i gjerë i tyre nuk njihnin kufi. Në retorikën e tij mbi shtjellimin e një teme shkencore apo letrare, ai diskurs konçiz e i zhdërvjelltë i tij ngjante si një krijim letrar didaktik prej të cilit mund të mësoje shumë. Nuk mund t`i harroj kurrë shijet e tij të veçanta artistike, në të gjitha zhanret, e sidomos ato letrare! Shkëlqente në profesionin e tij por drita që lëshonte ky shkëlqim ua vriste sytë cmirëzinjve të pushtetit komunist të asaj kohe. Mund të quhej, pa frikë, shkencëtar në atë mjeshtëri! Jam krenar që iu gëzova për një periudhë mbi pesëdhjetëvjeçare shoqërimit dhe miqësisë me Fatmirin. Thjeshtësia në sjellje po aq sa edhe në diskutimet e tij plot sharm, ravijëzonte konturin e lartësuar të individualitetit të veçantë të personalitetit të tij. Ndjej mall të pashuar për shokun e mikun tim të shtrenjtë, për njeriun e ndershëm e fisnik që nuk iu tremb syri kurrë prej të qënurit tim si i internuar i përjetshëm! Do të kujtohet gjatë edhe prej Elami Agollit dhe Dine Dines me të cilët shkonte po aq mirë i paharruari Fatmir Sollaku. Aeternum!

Mirënjoha pë veprat e mira asht e përjetshme *, shkruan Ilir Prifti

Iliri është djalë i lagjes. Iliri është njeri me shije të hollë artistike. Iliri është fotograf i talentuar. Iliri shkruan edhe vargje të bukura. Si këto të mëposhtmet, kushtuar ikjes së vëllait tim Fatmir. Vargjet janë të një ndjeshmërie që sfilit, ashtu si dhimbja për ikjen e vëllait të mikut të tij Shpend.

Beneficiorum gratia sempiterna est* 

Vëllai i madh tashma ka shkue  

dhe, veç  vetes, ka marrë edhe nji pjesë t’pandashme tonën.

Edhe n’u ndiefsh prapë ai çunaku i vogël, 

ai ka me ardhë me t’ndihmue n’hallin tand.

Ai prapë ka me ardhë,

kur ti, i lodhun prej ankthit  ke dash m’u ndie i sigurt n’dhomën tande.

Me u da prej tij,

s’asht si me nda dy kokrra molle t’ngjituna nji dege,

 asht nji shtatore  qi s’mundesh me ia hjekë gjysën 

pa lëndu pjesën tjetër,

përqafim i ngjizun  me shendin e brengat e fatit.

Ikja e tij, na la thellë vedit  nji  borxh t’ambël,

e  s’e shlyejm dot veç s’bashku. 

Kanata të hapura

Mua Shpendit më ka mbetur një loti i patharë nën qerpik. Një organo që regj në dhimbje hapësirën pa cak. Një cicërimë peligorge e mbetur në fyt. Një gjethe ende e gjelbër që nxiton t’i bashkohet dheut. Fluturza që sillen buzë përrroit, në një vorbullë që pështillet në prehër të kodrave të para të Darësisë, mbi korijen e mermertë.

Shpend Sollaku Noè. 

Shkruar në mbushjen e vitit nga largimi i vëllait për diku.

Diçiturat: 1- Fatmir Sollaku ne Rome, perpara Altarit te Atdheut – Vittoriano

2-Fatmir Sollaku me disa nga bashkepunetoret e tij ne Golem te Lushnjes, vitet 80:  Jashar Gaxho, Bajram Lulja, Vehip Ago, Bajram Turku, Kujtim Gjata  dhe Luljeta Alla   

3-Fatmiri me nje pjese te miqve ne Lushnje: Nasho Pupi, Vasil Marini, Gim Bedeni dhe Trifon Tashi 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fatmir Sollaku, Shpend Sollaku Noé/

Udhës së mërgimtarit

February 11, 2021 by dgreca

Nga Prend NDOJ*/

   Atë ditë gushti të vitit 1986 dielli ishte i fortë e gjinkallat zhuzhisnin ndër trungjet e qarreve. Toka etshëm kërkonte ujë, ndërsa fushave të gjëra dukej qartazi se kishte humbur freskia,  gjethet e lavitura e bari i përzhitur nën rrezet përvëluese të diellit, bënin që fshati ngado të ndjente lodhjen nga vapa. Duke ju fshehur kësaj vape, tufa delesh të mbledhura kokë më kokë, pasi shuanin etjen te përroi, që si një damar i jepte jetë tërë fshatit, turreshin të mrizonin nën hijet e lisave të mëdhenj që gjendeshin të shpërndarë anëve të arave.

   Ai përrua, që lakadredhas binte teposhtë, merrte jetë përtej grykave të thella e i rezistonte mrekullisht vapës. Nuk shuante vetëm etjen e bagëtive, por uji i tij i kulluar si lotët e ndonjë vashe, u jepte jetë arave në brigjet e tij. Me gurgullima, si të kërkonte legjendën e humbur, ecte teposhtë e unë tretja shikimin në udhën e tij. Por pjesa tjetër ishte e zhuritur e sikur kërkonte ndihmë e ujë të shuante etjen e vapën që digjte në çdo anë. Katundi më ngjau i ngrysur e as vetë s’e di pse ëndrrat, përrallat e brigjet të gjitha më ngjanë të humbura, e fjalët të gjitha të shurdhëta. Edhe pse e dija mirë se banorët e këtyre viseve ishin aty e kishin gjurmët e tyre të identitetit që në krijimin e njerëzimit, ndonëse s’i kishin munguar djajtë t’i suleshin nga të gjitha anët ta zhbënin e ta zhbinin, ta zhduknin e zhurisnin si vapa përvëluese e gushtit, t’ia zhduknin fe e atdhe, gjuhë e flamur. Por s’kishin mundur e s’ia kishin arritur pse banorët e këtyre anëve bashkë i kishin festuar gëzimet e bashkë kishin përjetuar e përballuar hidhërimet.

   E pra ky është vendi im i të korrave dhe i stuhive, i legjendave dhe dramave të mëdha. I halleve të shumta që shtoheshin edhe më tepër pasi padrejtësisht ishte shkëputur nga trungu amë e gjendej nën pushtimin serb.

Tej, në gji të shkëmbinjve, buronin kroje e gurra me ujë të kulluar. Kosova, një vend i mrekullueshëm e me bukuri mahnitëse, me gryka të thella e legjendare që s’kishte më të bukura në botë, me nëntokë të pasur e me fusha pa fund, që ishin një hambar i vërtetë e ku mund të prodhohej gjithçka. Por që kishte dhe rreziqe të mëdha për bijtë më fisnikë të saj.

Brenda meje zemra i ngjan bukës së posadalë nga furra, teksa në kujtesë sillja pushtuesit që shtrinin shtatin e tyre si një duhi e zezë mbi vendin tim, që e plagosnin e toka, po ta shtrydhësh, pikon gjak. Eh ç’kishte parë e jetuar Gryka e Kaçanikut, ku çdo shkëmb e gur ishte larë me gjak për të mbrojtur atdhe e flamur. Në mendje më vinin melodia dhe fjalët e asaj këngës së bukur, ku thuhet:

                               Ushton Gryka e Kaçanikut,

                               morën zjarr këta gurët e malit,

                               përmbi çallmat e Anadollit

                               ndizet huta e shqiptarit.

                               Kurrë nuk çarten kullat tona,

                               vendit tonë i dalim zot,

                               tirqe,zhguna e xhubleta

                               thur i kena me barot.                         

                               Hej Kaçanik, o shkëmb e gur,

                               vritesh e pritesh për flamur,

                               për flamurin e Skënderit

                               luftojnë djemt’ e Idriz Seferit…

       Këtë këngë e kishte kënduar grupi i Radio Shkodrës gjatë turneut në Kosovë dhe zërat e këngëtarëve të njohur Bik Ndoja,Shyqyri Alushi e Valdete Hoxha kishin ndezur flakë zemrat e një populli të tërë.

          Shekuj me radhë kombi ynë kishte përjetuar drama të mëdha e pabesi tragjike, sidomos prej fqinjëve tanë, që s’kishin asgjë të përbashkët as me lashtësinë, as me traditën, as me kulturën, as me fenë tonë të shenjtë, që ishte bërë shpesh mbrojtëse e denjë e qytetërimit dhe kulturës europiane.

   Tej shekujve dramat mbi këtë popull të lashtë e të shenjtë ngjanin si legjenda. Gjergj Kastrioti kishte ndalur e prerë hovin e hordhive arabo-osmane që turreshin ta kafshonin e shkatërronin Europën e qytetëruar, siç kishin bërë me arbërit e Arbërinë. E ndërsa maleve të Shqipëris derdhej gjak, fqinjët tanë hartonin pabesi e lidhnin krushqi me Sulltanët e Anadollit. Është i njohur kontributi i madh i shqiptarëve në betejën e Fushë Kosovës në vitin 1389, ku dihet që ishte një shqiptar ai që vrau sulltanin turk. Këto fakte qëllimisht i mohojnë ose fallsifikojnë serbët e lakejtë e tyre, por e vërteta është evidente. Në poezinë e tij kushtuar kësaj beteje historike, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare shkruan:

                      Fusha e mbytur në gjak e kllapi shumëgjuhëshe

                      Shtrihej tutje.
                      Bashkë me ditën, ballkanasit, u thyen. Medet!
                      Gadishulli i madh u gdhi Evropë e u ngrys Azi.

    E nëse ky pushtim, siç pohon Kadare, është nata më e errët dhe më e zezë e historisë së Shqipërisë, pushtimi serb është më i përgjakshmi e më e dhimbshmja plagë e hapur e gjakut e që buronte si gurrat e maleve e të Bjeshkëve të Namura apo të shenjta njëherësh. Çamëria ishte prerë në besë pikërisht prej fqinjëve të jugut. E Kosova vuante nën kthetrat e pabesisë e barbarisë sllave, që turrej të zhdukte e persekutonte, të dergjte burgjeve, të përndiqte, të torturonte e vriste bijtë më të mirë të Kosovës vetëm se ishin shqiptarë e bij shqiponjash legjendare. S’kishte nevojë për të bërë diçka se vriteshin e torturoheshin për të bërat e të pabërat, mjaftonte vetëm të ishe shqiptar….vetëm për ta përmendur “Kosovën Republikë” mbeteshe burgjeve të Serbisë si i ashtuquajtur irredentist për fjalën që ua kishin ndaluar e për të cilën u merrnin jetën.

   Të gjithë kishim të njëjtin hall, të gjithë e kishim kokën në rrezik dhe nuk mund të flitet për barazi shoqërore apo të drejta të barabarta, përkundrazi. Mendimet tona të lira, apo që kishin të bënin me interesat e kombit, mund të shpreheshin vetëm me shokët e afërt e konfidencialisht, pasi për to të ikte jeta. Por nuk ishte vetëm kjo, ishin të ndaluar libra të shumtë që i gjenim me mjaft vëshirësi, libra që përmbanin dëshmi apo vlera rreth të vërtetës së kombit tonë. Homerin e letërsisë shqipe e kishin shpallur ndër armiqtë më të rrezikshëm të historisë dhe letërsisë shqipe, as që guxohej të përmendej emri i tij, kështu që veprat e natyrës së “Lahutës së Malcis” qarkullonin fshehurazi dorë në dorë. Në atë kohë te rinia, te studentët besa ishte e plotë, vërtet përmbante në vete atë kuptimin e plotë të besës shiptare, ruhej si një kult që na bashkonte rreth vetes dhe që nuk dyshohej kurrë në të. Me njëri-tjetrin lirshëm qanim hallet e atdheut të robëruar, bënim organizime dhe në çdo shteg që ishte i kapshëm i tregonim armikut që ky popull shumë shpejt do ta shohë lirinë. Shpesh bashkë me guximin vazhdonin dhe ndëshkimet…

   Vizioni identik për lirimin e atdheut më kishte afruar më afër me shokun tim jurist Avdi Qevani, me të cilin bisedonim me orë të tëra për vuajtjet e Kosovës, për popullin në mjerim e përndjekjet, për vrasjet e persekutimet barbare nga një regjim i egër që nuk kishte kufi. Regjim që nuk ngopej me djersën dhe gjakun e popullit tonë. Avdiu ishte arrestuar disa herë e gjithnjë priste arrestimin e ndëshkimin e radhës, që mund të ishte dhe fatal për jetën.

   Në këto kushte për ne s’kishte rrugë tjetër që t’i shpëtonim kësaj të keqeje barbare e çnjerëzore. Sëbashku vendosëm të largoheshim për pak kohë nga vendi, por ky largim nuk ishte aspak i lehtë për asnjërin, por sidomos për atë që ishte edhe prind. Gjithësesi nuk kishte rrugë tjetër dhe largimi mund të ishte e vetmja shpresë e mundshme për të shpëtuar kokën.    Kishim kohë që përbluanim me njëri-tjetrin këtë ide, po s’kishim asnjë bazë ku të mbështeteshim. Dihet që mungonte mundësia e lëvizjes së lirshme, ishte e vështirë të pajiseshe me pashaportë apo me vizë të rregullt. Por ky mendim po konsolidohej gjithnjë e më tepër dhe e shihnim si të vetmen mundësi.

   Prej Amerike në Kosovë kishte ardhur M.B e me miqtë e tij të afërt në restorantin e qendrës së qytetit gjendej në një gosti familjare. Ishim të informuar për ardhjen e tij, kështuqë kërkuam të gjenim mundësinë ta kontaktonim e të bisedonim me të. T’i shtrinim dorën e t’i kërkonim që të na ndihmonte të largoheshim për pak kohë. Natyrisht që nuk mund ta sqaronim për kanosjen dhe rrezikun që kishim nga shteti dhe regjimi serbo-sllav, edhe pse largimi ynë për pak kohë ishte i domosdoshëm. Pas përpjekjeve të shumta kishim arritur të gjejmë mundësinë të takohemi.Takimi nuk e kishte pamjen e zakontë të shoqërisë time e më dukej që po futesha në fushën e një tregtie të panjohur apo të pazakontë për mua. Pas një prezantimi të shkurtër, filluam t’i shprehim qëllimet tona, dhe ai pasi e dëgjoi kërkesën tonë e pasi u mendua disa çaste, u shpreh:

    “Pas dy ditësh do të nisemi për udhë”.

    E dinim mirë se do të ishte një udhë e gjatë, e vështirë dhe e dhimbshme e do të na duhej të linim gjithçka. Kështu, pas dy ditësh, ai me rrjetin e tij të njerëzve kishte zgjidhur çështjen e dokumentacioneve dhe mënyrën e udhëtimit tonë. Po ashtu ai kishte zgjidhur dhe çështjet që kishin të bënin me largimin tonë nëpërmjet aeroportit të Beogradit.

   Mua më kapëloi, si mjegulla që të zhyt nëpër ulurima, një ndjenjë emocionale, keqardhje e dhimbjeje, një ndjenjë fajësie. Vetja m’u duk si zog shkretëtire e që s’isha më si ditët e mëparshme. Po si një pikë vese që mbërrin në zgripin e fletës së gjethes dhe pret të shkëputet nga gjethi, brenda meje diçka e padukshme rëndonte në shpirt. Më duhej të lija familjen time të shtrenjtë, vendlindjen e qytetin tim që e dënon dobësinë. E kisha kaq të vështirë të largohesha nga familja dhe të afërmit e mi, aq më tepër ta hapja këtë temë në familjen time e t’ia thoja nënës sime të shtrenjtë. E dija që do t’ia lëndoja zemrën rëndë. Por koha ecte e të nesërmen do të nisesha për udhë. Në lindje vinte udhës së vet mbrëmja e në perëndim dielli kaplonte malet. Muzgu, si një pelerinë e zezë, binte luginave, arave, livadheve, përrojeve, maleve, bjeshkëve. Ndërsa unë sikur isha bllokuar e s’po mundja të gjeja fjalët e duhura. Është e vështirë të përshkruhen ai moment dhe ato çfarë po përjetoja: minutat ecnin e brenda meje ngarkesa emocionale bëhej gjithnjë e më e madhe.

   U mblodhëm të gjithë bashkë. Familja ime e shtrenjtë ishte aty, e gjitha rreth meje. E unë duhej të flisja. Po a dilte fjala? Në prag të darkës, me zërin që më dallohej që rridhte me vështirësi e nuk artikulonte si më parë e që qartazi dukej se nuk ishte si gjithnjë, nisa të flas:

   -Të dashurit e mi… Kam diçka me rëndësi për të biseduar me ju. Pështyma më ishte tharë në gojë e fjala sikur më ishte lidhur nyje në gërmaz. Sapo vështrimin e kisha hedhur në fytyrën e mpirë të nënës, zemra e së cilës dukej se e parandjente dhe lexonte mendimin tim e në zërin tim që dridhej kuptonte atë që të nesërmen do të ndodhte. – Nuk e di as vetë se sa është e vërtetë e sa do mund të realizohet, por unë për një periudhë të shkurtër kohe edhe prej situatave të krijuara jam i detyruar të largohem nga vendi. Ju thashë se nuk e di as vetë se sa është e vërtetë e këtë ua thashë pse nuk doja që të rëndoja situatën e krijuar. Ju i dini problemet me të cilat ballafaqohem, e pra nëse është e vërtetë, unë nesër më duhet të vihem në udhë për t’u larguar. Më është dhënë një ofertë që të largohem për pak kohë. Por, po ju premtoj që për shumë pak kohë…Këto ishin të gjitha fjalët, aq sa munda të shqiptoj. Zemrën e ndjeja në grykë e lotët ishin gati të buronin, ndërsa familja më vështronte në heshtje.

   Asnjëherë s’më është hequr nga mendja e kujtesa ime ai moment i vështirë. Situata në familjen time kishte ndryshuar tërësisht. Fytyrat e njerëzve të mi ishin si të mpira. Në fytyrën e zbehtë në nënës, dhimbja dhe trishtimi dukeshin haptazi ndërsa në sytë e saj kishin marrë jetë dy lot si kristale. Fjalët e mia kishin rënë të papritura, por askush nuk mund të thoshte diçka, aq më tepër të kundërshtonte apo të kërkonte moslargimin tim. I dinin problemet e gjithkush në Kosovë përjetonte momente jo të mira.

   Askush s’u kujtua të hajë darkë e askush s’vuri gjumë në sy atë natë. Ndërsa unë ndjehesha si një copë druri që më duhej të lija mbrapa gjithçka. Biblioteka në dhomën time sikur kishte marrë një pamje tjetër, ishte e vetmja pasuri e imja e që nëna e dinte se ishte dobësia dhe meraku im. Për të realizuar atë e për të blerë disa nga librat e mi të shtrenjtë e kisha akoma një kredi të papaguar. Aq më tepër që shumë prej tyre tani ishte vështirë të gjendeshin. Pa folur pastaj për ato revista dhe libra që ishin të ndaluara të lexoheshin në ato kohë dhe që kur ziheshin nga regjimi i asaj kohe jo vetëm zhdukeshin por  dhe përndiqeshe e kishe pasoja serioze. Kishte pastaj dhe libra që ishin marrë nga biblioteka e Kishës së fshatit e që kishin vlera të mëdha historike, kulturore e kombëtare. Prifti fisnik i asaj kohe Prek Lazri m’i kishte besuar për t’i lexuar. E hodha vështrimin edhe një herë e sytë m’u mbushën me lot. E thirra vëllanë që ishte më i ri nga mosha, Skënderin, e i lashë porosi të veçantë për to edhe e udhëzova se si të vepronte e ku do t’i shpërndante një pjesë të tyre. Dy prej tyre i mora që të mund t’i lexoja gjatë udhëtimit tim.

   Pasi i kisha sistemuar ato pak gjëra të domosdoshme që më duheshin e kisha mundësi të merrja për udhë, mund të them se nata kaloi pa gjumë. E nesërmja zbardhi, por momenti i ndarjes qe edhe më i vështirë. U përshëndeta përmes lotësh me të gjithë njerëzit e familjes. E pastaj u ndala përpara nënës, si të ndalesha përpara një shtatoreje. Do të doja të isha skulptor e të ndërtoja një shtatore pikërisht me shprehjen e dobësisë dhe të madhështisë njëherësh të nënës sime. Do ishte një përmendore e pavdekshme e mallit të nënave që përcjellin bijtë në udhën e kurbetit. U pamë thellë në sy. Nuk kishte nevojë për fjalë. U kuptuam në heshtje. Ashtu në heshtje e përmes një përqafimi të gjatë që do të doja të mos mbaronte kurrë, mora bekimin e saj për udhën e largët. Në rrudhat e saj lexova merakun që ajo nuk e shprehu. Por unë do e merrja me vete, sëbashku me ngrohtësinë e atij përqafimi të paharrueshëm. Po nisesha shtegut të vetëm që më kishte mbetur hapur, por që po më shkëpuste nga rrënjët, nga rrënjët e genit, nga trungu, si shkëputet një gjethe prej pemës që bie e tretet. Por brenda meje ishin gdhendur fjalët e nënës në momentin e shkëputjes nga përqafimi:

   -Shko, o bir, po s’më gjete, mos u dëshpëro, ani se jam njeri i harruar në rrugën e vjeshtës. Ani ti s’po shqelmon të kaluarën-përrallat, verbimin mistik të gjyshërve të tu, por mos i harro vendlindjen, atdhenë… Aq sa e rëndonte largimi im, më shumë e rëndonte kur mësoi që do të emigroja përtej oqeanit… Rruga të qoftë e bardhë, biri im, sikur më thoshin sytë e përlotur të nënës sime. Ti shko, bir, po këtë vend mos e harro kurrë. Udha jote është si e mijëra bijve të tjerë të Kosovës, që kanë marrë rrugët e mbarë botës.

   Para meje, si në një roman që s’ia dija as fillimin as fundin, jeta merrte një rrugë të re e unë sikur isha bërë dy qenie, njëra ishte trupi e, tjetra, ikur prej tij, ishte shpirti. Trupi që ikte diku në udhën e largët, po shpirti kishte mbetur aty në truallin e të parëve të mi, në atdheun tim, në çdo gur e prag, në çdo arë e livadh, malli për të cilat kishte filluar të më gërryejë që në momentin e parë. Në mendje më vinin përrallat e dëgjuara në fëmijëri e ato të lexuara më vonë, më buçiste forca e eposit të Kreshnikëve e të bëmave të tyre për atdhe. Po ikja i zymtë, sikur isha mbështjellë prej një reje të zezë që vinte bashkë me mua mbushur plot me duhi, me ulërima e bubullima. Një re e zezë fatkobe, siç i kishin ardhur gjithherë retë fatkobe të pushtuesve të lindjes arabë e sllavë, barbarë gjakprishur e bisha që s’jetonin dot pa gjak. E derdhnin gjak të rracës sime fisnike e të shenjtë, të rracës më të bukur e më fisnike të botës për mua. Ishte pikërisht kjo re që më nxiste të merrja udhën e largët e të panjohur.

   Edhe pse s’doja të jepesha e mundohesha ta fshihja brenda vetes trishtimin, ndjehesha i vrarë në shpirt e zemra sikur më kishte mbetur pas, atje në pragun e votrës e brenda meje nuk e kishte më ritmin e zakonshëm, po regëtinte përvajshëm.

   Në mendje më vinte gjithnjë ai përqafim malli, dashurie, dhembjeje i nënës time të shtrenjtë. Ai lot i kulluar që merrte jetë në sytë e saj të thellë e thinjat e saj që dridheshin. Oh! kisha ofsha me vete e një drithërimë më kishte përshkuar gjithë trupin. Ajo ma kishte falur jetën, më kishte rritur dhe edukuar me shumë mundime që të më kishte pranë vetes si një shkop ku do të mbështetej në ditët e pleqërisë e tash më bekonte me fjalë zemre e lot malli në udhën time përtej shtatë deteve, udhën time atje në një cep të largët përtej oqeanesh dallgëshumë.

   Isha krejt i mpirë e dridhesha nëpër ankth, por sirena e trenit më dukej sikur më zgjoi nga kllapia e sikur ulëriti: – nisu tani, s’ke rrugë tjetër. NISU!

   Hapat e rëndë kisha nisur t’i hedh në rrugën e panjohur si të kisha gjithë vendlindjen time mbi shpinë. Bari i zhuritur kërciste nën këmbët e mia, ndërsa unë ecja drejt rrugës kryesore. Në të dalë të fshatit e ktheva dhe një herë kryet mbrapa të shoh. Të afërmit e mi, me shikimet e tyre të shtangura, përcillnin ikjen time. Unë po e lija mbrapa vendlindjen time në vapën e zhuritur e do ndjeja mall për të, për pranverat e gjelbërimin e pafund e të mrekullueshëm, për udhën e fshatit e barinjtë e saj urtakë që i doja aq shumë. E zemra ishte aty dhe pse trupi im kishte marrë udhën në ikje. E njerëzit e racës time të zgjedhur të atyre anëve sikur më thoshin: ndalu!, mos ik. Ku po shkon? Zëri i tyre më dukej se më ndiqte nga mbrapa si vaji i një qyqeje ngado në ikje e ajo thirrje më ka ndjekur gjithnjë brenda meje. Kudo e kurdoherë. MOS IK!

   Kampet e ndara në luftën e tyre të ftohtë s’e shihnin ralitetin që ndodhte aty në racën time njerëzore, ku drama të tmerrshme gjaku luheshin çdo ditë mbi djemtë më fisnikë të vendit tim. Po unë ç’përgjigje t’u jepja njerëzve të mi e bashkëfshatarëve të mi urtakë për heshtjen e botës së verbër që akoma s’e kishte parë, s’e njihte atë realitet të dhimbshëm e të frikshëm? E unë po shkoja të nisja një jetë të panjohur përtej oqeanit .

Zemra nuk e kishte ritmin e zakonshëm dhe i ngjante një daulleje alarmi që binte pa nda, si të ishte shkëputur prej meje e luhej në dorën e dhembjes e trishtimit, siç luhet një ritëm në dorën e një lodraxhiu.

   Marjani, im vëlla (arsimtar në atë kohë), me të cilin asnjëherë s’isha ndarë, më shoqëronte në atë copë udhë në ikje, e kur doja të shkëputesha prej tij sikur më shkulej diçka prej shpirtit. Por edhe në lotët e tij, që gjithnjë mundohej t’i fshihte, shihej ankthi dhe trishtimi, ajo copë e shpirtit që shkëputej e ikte prej tij bashkë me trupin tim. Kështu, pothuajse të heshtur e pa foluar, mbërritëm në zemër të qytetit, para pallatit të kulturës, ku kishim lënë të takoheshim me shokun tim, Avdi Qevani, me të cilin do të nisnim udhën tonë të panjohur.

   Asnjëherë në jetën time ajo copë udhë prej fshatit tim të lindjes deri në zemër të qytetit, s’më ishte dukur më e lodhshme e më e gjatë se kësaj here. E në fakt nuk e dija, po mund të ishte dhe e fundit. S’ishte e vështirë të kuptohej pse edhe tek Avdiu lexohej mirë përulja e dhimbjes dhe largimi që ia kishte zbehur krenarinë. Nuk kishte rrugë tjetër e ne kishim menduar se largimi ynë ishte i domosdoshëm e do të ishte i shkurtër, pra vetëm për një a dy vjeçarë.

   Disa miq na ftuan për kafe. Edhe ata e vunë re se qëndrimi dhe çehreja e fytyrës time nuk ishte si më parë. Kështu që Marjani u tha për largimin tim. Te të gjithë ndryshoi pamja e fytyrës. Ishim shokë. Shoqëria jonë ishte e pastër dhe e kristaltë, e sinqertë dhe e drejtë. E të gjithë e dinin atmosferën e krijuar në vend. Edhe pse brengosja dukej në fytyrën e secilit prej tyre, asnjëri nuk bënte asnjë pyetje, por veç më përqafonin me përlotje ndër sy. E me zërin që u dridhej më uronin udhë të mbarë.

   Anton Mirakaj diçka kërkonte nëpër xhepa e, si e nxori një stilolaps, e drejtoi drejt meje e më tha:

   – Merre ta kesh prej meje si dëshmi të respektit. Nuk më qëlloi diçka tjetër por shkruaj derisa t’i mbarojë boja…

   Edhe pse koha ecte, kam dashur me gjithë shpirt që ajo të ndalej në vend në ato momente e të qëndroja sa më gjatë me dy vëllezërit, Marjanin, Skënderin dhe shokët e mi, por erdhi minuti e mbërriti tregtari M. B. që kishte ardhur nga Amerika. Ishte me një pamje të zakontë dhe krejt i qetë e pamja e tij tregonte se gjërat i merrte me lehtësi. Na e tregoi gjithë itenerarin e lëvizjes dhe njerëzit që do të takonim.

   Në fshatin Xërrxë do të niste udhëtimi me tren drejt Beogradit, ku dikush do të na pajiste me dokumentet e udhëtimit e po ai njeri do të na përcillte deri në aeroportin e atij qyteti. Nga aty do të rrugëtonim drejt qytetit të Amsterdamit. Në kryeqytetin hollandez do të merrnim linjën ajrore për në Meksikë, ku do të na priste një tjetër njeri, i cili do të na mundësonte kalimin në Amerikë. Gjithçka në dukje ishte në rregull, por udha vade nuk ka e nuk i dihej. Megjithatë ne e kishim vendosur e tash ishim nisur udhës pa kthim.

   Kështu unë, Marjani, Skënderi, Avdi Qevani dhe shoku ynë i përbashkët, Osman Tafa, u nisëm të gjithë së bashku për në fshatin Xërrxë, ku gjendej një stacion i vjetër treni, që mua këtë herë më dukej krejt i mjerë, i zymtë i shkretë. Marjani u kujtua të merrte nga një pije freskuese, që në atë moment ishte më e domosdoshme se asgjë. U dëgjua sirena e trenit, që e shoqëronte një fërfëllimë tymi i zi, që dilte shtëllunga – shtëllunga prej lokomotivës. U përshëndeta përlotshëm me vëllanë, Skënderin dhe Osman Tafën, mikun dhe shokun tim të pandarë prej jetës sime që nga fëmijëria e hershme dhe pse tashmë kanë kaluar tridhjet e pesë vite pa e takuar. E kështu treni, si një përbindësh që na kishte marrë me vete, mori udhën drejt Beogradit.

   Unë e Avniu, të heshtur, vështronim anash rrugës, si të donim të merrnim me vete mallin, aromën e gjithçka në ato momente ikjeje. Kishte nisur kështu udha jonë me Avni Qevanin, por me ne, si një shqipe krahëthyer udhëtonte dhe Marjani, që kishte vendosur të na përcillte deri në Beograd. E kishim bërë një copë të mirë udhë në heshtje të plotë, por tash nuk ishte më koha që të shfaqej dobësimi im, as trishtimi, e duhej ta merrja veten e burrërisht duhej të triumfoja, duke sfiduar gjithë vështirësitë që do të shfaqeshin në udhën e re të jetës. E unë do të përulesha vetëm nëse mortja do të më mundte.

   E ngrita kryet dhe nisa bisedën që tash nuk doja të ndalej më mes nesh. Marjani, si të kishte lexuar mendimin tim, filloi të tregojë grimca humoristike e, pavarësisht ngarkesës së madhe emocionale, shpesh ia jepnim të qeshurës.

   Pasi mbërritëm në Beograd, ku do të na priste personi që do të na dërgonte deri në aeroport dhe që do të na pajiste me pashaporta, morëm vesh se bashkë me ne do të ishin dhe dy kosovarë të tjerë. Të gjithë djem të shkolluar e të diplomuar në universitete të ndryshme. Të gjithë iknin pse jeta e tyre ishte në rrezik e atë udhë e merrnin duke vënë jetën e tyre në rrezik, pa pasur asgjë të sigurtë e pa ditur çfarë do t’iu surprizonte jeta e re.

Mark Hajdarin, që ishte diplomuar në Universitetin Bujqësor për Agronomi, e kisha njohur edhe më parë, e ai ishte njeri me kulturë e dije të gjerë. Në fjalorin e tij, e sipas tij, nuk duhej të ekzistonte asnjë fjalë që nuk duhej thënë. Ja, këta ishin lulja e rinisë, e cila detyrohej të braktiste vendlindjen, Kosovën, për shkak se jeta e tyre vihej në rrezik pikërisht për idetë që kishin për një Kosovë të pavarur e Republikë. Edhe pse më vinte keq për ikjen pikërisht të djemve të shkolluar, u gëzova pse mendova që  këta njerëz do të ishin dhe shoqëria ime e re në Amerikë.

   Nuk më është shqitur kurrë nga mendja ai moment ndarjeje me Marjanin në Beograd, që për mua, e jam i sigurt se dhe për atë, ka qenë një moment shumë i vështirë. E kisha përqafuar shpejt që t’i qëndroja besnik burrërisë e që të tjerët të mos vinin re dridhjen e shpirtit. Por ajo ndarje e shpejtë ishte si ai tehu i mprehtë i thikës, dhimbja e të cilit ndihet më vonë.

   Personi që na priti në Beograd dhe që na pajisi me pashaporta ishte një tregtar nga një fshat i Pejës. Ai kishte shkuar shumë vite më parë në Amerikë e, nëpërmjet njerëzve të tij, na dërgoi në aeroport, ku do të na priste një tjetër person. Aty na ndanë në dy grupe. U ndamë me Avniun dhe nuk jemi parë më gjer në Amerikë. Personi që na priti në hyrjen e aeroportit ishte një grua. Ajo, pasi mori pashaportat tona, u largua disa çaste e pas pak kohe na tha të drejtoheshim drejt aeroplanit që do të fluturonte për në Amsterdam.

   Bashkë me avionin kisha marrë tashmë për herë të parë në jetën time udhën e qiellit. Edhe pse isha i lodhur nga pagjumësia, por më së shumti nga përjetimi i pazakontë i ikjes e duhej të flija pak kohë,  të bija në qetësi e të largohesha nga gjithçka kisha lënë pas, fillimisht nuk më kishte zënë gjumi dhe kisha dashur që të njoh atë komoditet të ri dhe atë udhëtim të ri. Por pas pak lodhja kishte bërë të vetën e më kishte kapluar gjumi. Kështu që atë udhë e kisha bërë në gjumë. Tani dëgjoja rrallë ndonjë fjalë në shqip e më duhej të flisja frëngjisht, gjuhë në të cilën kisha njohuri nga që e kisha mësuar që në shkollë. Fatkeqësisht anglisht dija më pak edhe pse ajo tash ishte gjuha që do më duhej më shumë.

   Në Amsterdam do të qëndronim një natë, pse të tilla ishin kombinimet e linjave ajrore e ne na duhej të ndërlidheshim me njerëzit e duhur siç e kishim lënë që në Kosovë. Kështu atë natë e kaluam krejt si të ishim turistë në hotel në Amsterdam të katërt së bashku. Por pa zbardhur mirë dita të gjithë ishim ngritur e sëbashku vizituam, duke shfrytëzuar maksimalisht çdo minutë dhe mundësi, qytetin e Amsterdamit. Ai është një qytet i bukur e modern, mjaft i preferuar nga turistë që vijnë nga e gjithë bota. Rrugët buzë ujrave, shtëpitë karakteristike me ngjyra të ndezura, lëvizja e turistëve e bëjnë atë një qytet shumë të gjallë e tërheqës. Kaloja bashkë me shokët rrugëve të tij, por emocionet dhe të panjohurat e udhëtimit që do të vazhdonte në mbrëmje, sikur ma zbehnin kënaqësinë që provonim. Në mbrëmje, pasi morëm një taksi, që na dërgoi deri në aeroportin e atij qyteti, e nisëm sërish udhën si zogj të natës nëpër terr drejt Meksikës, duke e rritur kështu gjithnjë e më shumë largësinë me Gjakovën time të dashur me Kosovën e Shqipërinë nënë.

   Kisha menduar se ai udhëtim do të ishte mjaft komod e se do të kalonte pa shumë lodhje, pasi me vete kisha dhe dy libra që mund të ma bënin më të lehtë udhëtimin tim. Por orët e udhëtimit s’kishin të mbaruar. I kisha lënë prapa Bjeshkët e Namuna dhe malet e mia të bekuara, grykat e shenjta e legjendëshumta të Kaçanikut e Caralevës. Të mahnitshmen grykë të Rugovës, burimin e Drinit të Bardhë, malet, bjeshkët, arat livadhet, po mbi gjithçka njerëzit e mrekullueshëm të racës time njerëzore e tash gjendesha mbi oqean e çdo kilometër i udhëtimit të atij aeroplani po e shtonte shkëputjen time nga vendlindja e atdheu im. Këtë gjendje timen shpirtërore mund ta kuptojë vetëm ai apo ajo që e ka ndërmarrë vetë këtë rrugë. E di,për fat të keq, përgjatë historisë, qindra e mijëra shqiptarë janë detyruar të marrin rrugët e kurbetit. Nuk jemi më kot 7 milionë në 5 kontinente. E të gjithë ata e kanë përjetuar atë shkëputje të dhimbshme nga toka nënë, e kanë ndjerë shpirtin copë e grimë rrugëve detare, tokësore apo qiellore nëpër të cilat i janë drejtuar një fati të ri. Edhe atje në hapësirat qiellore mbi oqean më shfaqej para meje fytyra e verdhë dhe lotët në sytë e nënës time të shtrenjtë. Brenda meje ndjeja sikur më merrte me mall në gji, sikur më ngrohte e më bënte shoqëri përqafimi i saj i paharruar dhe i bekuar. Por sa mendoja se largësia me të shtohej, zhurma e aeroplanit më dukej si një simfoni e trishtë. As vetë s’e di se si ai përqafim malli i nënës time m’u bë si brengë e një lot mori jetë në bebëzën e syve të mi.

   Në xhepin e këmishës e mora stilolapsin që më kishte dhuruar shoku im Anton Mirakaj e fillova të shkruaj në një letër poezinë “Lotë mbi oqean” e ky shumë vite më vonë u bë dhe titulli i librit tim të parë me poezi. Eh. Vetëm oqeani e di sa pika lotësh të tjerë kanë rënë mbi të,ashtu si lotët e mi.

   Pas atij udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, më së fundi mbërritëm në Meksikë. Një shtet i madh latinoamerikan, me hapësirat e pa mata që për ne ballkanasit duken irreale, me kontrastet e jetës së vet, ku resortet përrallore për pushime, ku shkojnë të pasurit e globit, bien në kontrast me lagjet periferike të qyteteve tërë baraka, varfëri e mizerje. Nga aeroporti i Meksiko Citty morëm një taksi që na dërgoi në hotelin e rezervuar për ne. U vendosëm në “Hotel Executivo”, ku ishte e garantuar gjithçka. Dhoma jonë ishte në katin e trembëdhjetë. Pas një pushimi, që ishte më se i nevojshëm pas atij udhtimi të gjatë, zbritëm në katin e parë të tij, ku gjendej kuzhina e mund të provonim e shijonim ushqimet e shumëllojta. Por mua aromat e shumta të pigmenteve ushqimore, që nuk kishin aromën dhe shijen e natyrës me të cilat isha rritur e isha mësuar të ushqehesha, më bënin të mbetesha pa ushqim. Pavarësisht larmisë dhe shumëllojshmërisë së ushqimeve, unë nuk kisha asnjë që të mund ta vija në tavolinë e të ushqehesha me të. Uji përmbante një aromë të rëndë që më pengonte jashtëzakonisht shumë, kështu që nuk konsumova asgjë. O zot,sa do kisha dashur ta shuaja etjen me ujin e burimeve tona të mrekullueshme apo të ndalesha te gryka e pusit, të hidhja kovën e të nxirrja ujin e kulluar si lot. Eh, por ato kishin mbetur kaq larg tashmë e unë po filloja të provoja shijen e hidhur të jetës së emigrantit. Të nesërmen, që të mos mbetesha pa ngënë, kërkova vezë që doja të ishin të papërziera me asgjë tjetër. Por prej mungesës e vështirësisë së komunikimit, ata të kuzhinës bënin të vetën e kështu mua m’u desh që me vështirësi të konsumoja diçka që të siguroja funksionin bazë të organizmit. Me mendimin se uji i gazuar mund të ishte një zgjidhje dhe se gazi do të largonte sadopak aromën e pakëndshme të ujit, kërkova ujë të gazuar.

   Në këtë situatë krejt të pakëndshme për mua, personi që kishte marrë përsipër të bënte të mundur kalimin e kufirit nga Meksika për në Amerikë na lajmëroi që ne duhej të prisnim për disa ditë në Meksikë. Ndonëse situata ishte krejt e pakëndshme dhe e paparashikuar e tek ne kishin nisur të shfaqeshin të panjohura që rrugën tonë e kishin ngërthyer mes hallesh, shumë shpesh triumfonte shakaja e gjithnjë harmonia vëllazërore. Kështu gjithë ditën patëm mundësi të shëtisnim në qytetin e Meksikos.

   Duke qenë se unë po pija vetëm ujë të gazuar e nuk po konsumoja asgjë tjetër, fillova të kem problem me shtangimin e muskujve të stomakut. Për fatin tonë të keq personi që do të na kalonte në Amerikë ishte kapur nga forcat e kundra emigracionit amerikan e për ne u krijua një situatë e re krejt e vështirë.

   Kështu mbetëm në një udhëkryq, pa mundur të ndërmarrim ndonjë hap më tej apo të vendosnim për një zgjidhje të situatës në të cilën gjendeshim. Jashtë çdo parashikimi dhe asaj që na ishte premtuar, na u desh të rrinim për pesëmbëdhjetë ditë në Meksikë, pra në kryeqytetin Meksiko.

   Nga leximet e mia e dija që ky qytet për hapësirën e tij metropolitane me gati 34 milion banorë është i dyti pas Tokios. Sa dëshirë do të kisha që për disa ditë të bëja i qetë turistin, të njhesha me vlerat e shumta kulturore të këtij metropoli, me qytetërimet maya. Ky qytet kaq i madh është i teti në botë për pasurinë.Një qytet kontrastesh të habitshme midis 500 grataçielave, pallateve e hoteleve luksoze e kasolleve dhe lagjeve të varfra ku uria e sëmundjet bëjnë kërdinë. Qytet trafiqesh të shumta, jo vetëm të Amerikës latine, por të të gjithë globit. Por si mund të bëja i qetë turistin, pa ditur çfarë po ndodhte e cili ishte e do të ishte fati ynë? Dy nga shokët tanë ishin të martuar e në Kosovë kishin lënë bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Ndaj gjithnjë mundoheshim të shmangnim tensionet, që ishin tashmë të natyrshme e që mund të vinin në rrezik jo vetëm udhëtimin e qëllimin tonë, por edhe vetë jetën tonë.

   Kjo situatë vështirësohej dhe më shumë nga pamundësia e komunikimit me familjet, të cilat nuk kishin tashmë asnjë informacion. E për shokët tanë që ishin të martuar shqetësimi ishte mëse i arsyetuar sesa për ne. Por tashmë ne ishim bërë shokë  të pandarë me njëri-tjetrin, kështu që u mblodhëm e biseduam të gjithë bashkë që të mund të gjenim një zgjidhje të pranueshme e të mundshme për t’u realizuar. Vendosëm që të bëjmë një hartë e një plan udhëtimi e duhej t’i afroheshim sa më shumë kufirit nëpërmjet mjeteve të transportit publik. Për t’u orientuar në udhëtimin pas kësaj faze, që do të ishte në vende malore dhe në këmbë, do të detyroheshim të blenim një busull e kjo ishte e vetmja zgjidhje, edhe pse ky plan kishte me vete gjithashtu shumë rreziqe të tjera të paplanifikuara, të pamenduara. Ishim krejtësisht në një botë tjetër,jo thjeshtë në një territor të panjohur.

   Në ditën e gjashtëmbëdhjetë, kur durimi ishte shuar, në derë trokiti njeriu që do na udhëzonte në rrugën tonë dhe ndërpreu në mes planin tonë dhe rrugën plot rreziqe. Ai,  pa na lënë më asnjë sekondë kohë tha: Tani menjëherë do të nisemi. E ne menjëherë u nisëm, nga qyteti Meksiko për në një aeroport afër kufirit, duke bërë thuajse  dy orë udhë.       Personi që  na shoqëronte nuk rrinte afër nesh, por vëzhgonte lëvizjet tona prej së largu. Ne nuk po kuptonim qëndrimin e tij larg shoqërisë sonë gjatë udhëtimit. Natyrisht nuk mund ta fsheh, por më dukej injorant e i papërshtashëm për t’u shoqëruar me të.

    Pasi dolëm nga aeroporti na priti një meksikan trupshkurtër me një kapele sa një rrotull qerreje në kokë e që bërtiste. Na uluriti që shpejt të futeshim në një makinë të madhe me ngjyrë të çuditshme e që i jepte pamje të zymtë. Dukej se ai njeri ishte i shqetësuar, se vështronte nga të katër anët e dukej qartë se kishte frikë se mos e ndalonte ndonje agjent i emigracionit. Pas një ore udhëtimi na afroi afër kufirit e aty na priste një meksikan tjetër që na afroi afër lumit Riogrande. Bazamenti i lumit ishte i shtruar me beton e uji lëvizte me shpejtësi shumë të madhe. Gjerësia e lumit ishte diku mbi njëzet metra. Nuk kisha frikë nga uji pasi not dija mirë. Në bregun e lumit priste një tjetër meksikan që mbante një gomë traktori e që e tërhiqte me litar nga ana tjetër e lumit. Lëvizjet tona kishin marrë pamjen e një filmi të Teksasit që e luanin aktorët maksikanë. Na sugjeroi që të shtrihemi përmbys mbi gomën që do të tërhiqej nga ana tjetër nga dikush. Kur këmbët u shkëputën nga bregu, gomën e mori shpejtësia e ujit saqë me zor e mbanin dy meksikanë që e tërhiqnin gomën me litar nga ana tjetër e lumit. Kështu që të katër, dy nga dy e kaluam lumin.

   Para nisjes nga Kosova, asnjëherë nuk e kisha menduar se rruga jonë do të kalonte përmes aventurash të rrezikshme, ku jetën tonë e kishin në dorë njerëz krejt të panjohur që mund të bënin çfarë të donin me ne. Me sa duket dëshpërimi nga njëra anë, por edhe besimi dhe shpresa nga ana tjetër bëjnë që jeta e emigrantit të varet shpesh në një fije peri për të arritur atje ku ëndrra troket në dyert e fatit apo të fatkeqësisë. Për fatin tonë të mirë, me gjithë të panjohurat e shumta të deritanishme, po spostoheshim gjithnjë e më shumë drejt pragut të ëndrrës.

   Pas kalimit të lumit kishim mbetur në një zonë neutrale, pa mundur të kalonim telat e kufirit amerikan. Pas një vështrimi të thellë e të vëmendshëm, nuk vumë re ndonjë levizje makine apo njeriu, por prapë duhej të bënim kujdes, pasi mund të ishte ndonjë makinë e forcave të antiemigracionit apo roje të kufirit. Tashmë shqisat tona ishin mprehur gjithnjë e më shumë, madje na ishte zhvilluar një shqisë e re në formën e një antene të padukshme,që na paralajmëronte për çdo rrezik. Pas përpjekjeve të shumta e vëzhgimit të kujdesshëm erdhi momenti dhe ne e kaluam kufirin dhe hymë në tokën amerikane.

    Toka amerikane. Ëndrra dhe shpresa e miliona njerëzve nëpër botë. Më shumë se 6 shekuj më parë atë e kishte zbuluar Kristofor Kolombi. Por ne po na dukej sikur po e zbulonim tani këtë kontinent të madh e të pasur, ku po ngulnim këmbën për herë të parë bashkë me shpresat tona për të ardhmen.

   Tashmë, si të na kishin hedhur me parashutë, ndodheshim të vetëm aty. Kishte mbaruar gjithçka me njerëzit që na orientonin,e tashmë secili prej nesh apo dhe të katërt së bashku nuk kishim më asnjë person që do të mund të na orientonte apo shoqëronte më askund.Tanimë ishte frika që ende ishim në zonë kufitare dhe në çdo moment mund të ndodhte që të ndesheshim me rojet e kufirit apo agjentët e emigracionit…Përbuzë kufirit me Meksikën, në tokën amerikane shtrihet një autostradë që ne duhej ta kapërcenim. Por për të kaluar atë duhej kujdes i madh pse kishte lëvizje të shumta dhe shpejtësia e makinave ishte e madhe. Pasi e kaluam autostradën, u futëm mes njerëzve, duke u munduar të mos binte në sy prezenca jonë nga një udhëtim i parregullt, kështu që filluam të flasim e qeshnim si të mos kishte ndodhur asgjë e pazakontë. Kaluam afër një fushe sporti e ne thuajse po e shijonim si gjithë të tjerët atmosferën e lojës.    Ashtu, duke ecur me një ritëm të ngadaltë, hymë në një fshat, ku një njeri në oborrin e tij rregullonte diçka në një makinë. Pasi e përshëndetëm, ashtu si mundëm i kërkova që të na çonte në aeroport. Ai kërkoj 100 dollarë e ne ramë dakort me të. Hypëm në makinën e atij fshatarit, i cili, pa vonuar shumë, na dërgoi gjer në aeroport, ku të katër së bashku mendonim që do të hypnim në aeroplan në drejtim të Nju Jorkut. Pasi hymë në aeroport nga çanta nxora një xhamper dhe e lidha për mes, që të marr pamjen e një djaloshi që shëtiste sipas dëshirës e jo për ndonjë hall siç në fakt  ne ishim. Edhe pse nuk dija të lexoja në gjuhën angleze, bleva gazetën që të merrja pamjen e një njeriu vendas që udhëton për çështje normale.

   Të ulur në rendin e ndenjëseve nisëm të bisedonim e bëmë sikur “lexonim gazetën”, si të ishim katër “turistë” të ardhur në aeroportin  El Paso për të marrë një rrugë të këndshme pushimesh. Pasi qëndruam pak dhe morëm veten, u ngrita dhe ecja mengadalë dhe kërkoja sportelet, që të mund të bënim rezervimet e biletave për në Nju Jork. Në një nga daljet lexova që shkruante New York. Shkova dhe po bisedoja me shokët: Atje është vendi ku ne duhet të bëjmë rezervimin dhe të udhëtojmë për në Nju Jork. Tani problemi ishte gjuha angleze. Aty e kishim të qartë se nëse gabonim do ta pësonim shumë keq, pasi ende ishim pothuaj në zonë kufitare dhe vende të tilla e dinim që kontrollohen shumë nga agjentet e emigracionit. Biseduam të gjithë sëbashku dhe i bashkuam fjalët më të duhura që dinim që të mund të bënim rezervimin e biletave.

   Iu afruam sportelit. Me një buzëqeshje të lehtë e përshëndeta ëmbël sportelisten, dhe pastaj ju drejtova saktësisht me këto fjalë: “Four tickets linea New York”. Dëgjova që më tha “Okay”.  Kjo “okey” më gëzoi shumë dhe më dha pak shpresë që do të kalonim me sukses situatën para së cilës ndodheshim.  Pastaj sportelistja më kërkoi pashaportat. Ia dhamë të katër. I mbajti në duar dhe për pak kohë i shfletonte të gjitha me radhë. E kisha kuptuar që kishte filluar dyshimi. M’u drejtua: “Visa?” Nuk dinim më të komunikonim apo të sqaronim për më tutje. Por e dinim që nga tani do të kishim probleme, pasi ne nuk posedonim viza hyrëse për në Amerikë. Na dha shenjë që të presim pak.  U ulëm që të prisnim një përgjigje,ndonëse në fakt e dinim se cila ishte ajo.

     Pas pak minutash pranë nesh erdhën tre persona. Me një gjuhë shumë të butë e komunikuese u prezentuan dhe na bënë me dije që ne duhet të shkonim pas tyre. Kështu,  pa rënë në syrin e publikut, të shoqëruar të gjithë sëbashku, shkuam në një dhomë të emigracionit, ku ata kërkuan gjithë informacionin e duhur nga ne. Pas sa orësh dy policë me uniformë më ndryshe na morën dhe na çuan në një dhomë të ngushtë me katër shtretër njëri mbi tjetrin, me një dritare që dukej si një frëngji. Po të mos ishim në Amerikë do mendoja se na kishin futur në burg. Aty na lanë tërë natën. Nuk më merrte gjumi asnjë minutë. Ndihej shumë edhe mungesa e ajrit. Nuk kishim as hapësirën e mjaftueshme për lëvizje. Mendoja që po të na linin për shumë kohë në këtë dhomë jeta jonë do të përfundonte.Vërtet me kaploi një ndjenjë e keqe. Nuk kishte mbetur asnjë ndjenjë gëzimi që të na sillte të paktën një buzëqeshje. Impakti me tokën amerikane kishte filluar në një mënyrë që na dukej e pashpresë. Nata e parë amerikane ishte më e gjatë se odisea e udhëtimit që kishim bërë për të arritur deri këtu.

   Por të nesërmen na morën dhe na dërguan për një intervistë të gjatë, ku përkthente një përkthys nga jugu i Shqipërisë. Aty ne e shprehëm tërë mllefin tonë, duke treguar hollësisht vuajtjet që kishim përjetuar e përjetonim nën pushtetin jugosllav. Folëm edhe për rrezikun që na kanosej në atë vend nga ai regjim.Treguam me fakte dhe dëshmi vuajtjet dhe zërin e mbyllur që nuk mund të depërtonte jashtë vendit për ta demaskuar pamjen e rrejshme të shtetit jugosllav që aq mirë e kishte stolisur para syve të botës. Duke i dëgjuar me radhë vuajtjet dhe problemet e kombit tonë,ata filluan të na trajtonin ndryshe, në mënyrë shumë më njerëzore. Aty e vërejtën që rangu ynë nuk ishte i njëjtë me atë të njerëzve që thyejnë kufinjtë për të ndërruar një vend apo për një standard më ndryshe. E kuptuan që ishte çështje për të shpëtuar jetën. Iu dhamë të kuptojnë që vetëm një shtypje e fortë e bën një intelektual të braktisë atdheun e të marrë një udhëtim të tillë me gjithë këto vuajte. Udhë që nuk i përket natyrës së njerëzve të arsimuar siç ishim ne.

   Pas asaj interviste të gjatë nënshkruam të gjitha të dhënat. Pas atij momenti gëzonim një respekt më të veçantë. Na bënë kontroll të rregullt mjekësor, çka ishte i detyrueshëm për të gjithë ata që kalonin nëpërmjet zyrave të emigracionit. Pas këtyre procedurave na dërguan në një kamp. Aty na dhanë uniformat e kampit dhe caktuan shtretërit ku do të flinim. Ne të katërt i kishim paksa më veçmas nga të tjerët. Ishim të vetmit shqiptarë aty e dallonim nga komunitetet e tjera edhe nga pamja, dhe gjithçka tjetër, por gjithësesi ne rrinim të pandarë. Kohën e kalonim duke lexuar, luanim shah e shihnim filma.Të tjerët luanin futboll.

   Falë dëshirës time të flaktë që të luaja futboll, kërkova nga ata që ishin të një rrace e që luanin bashkë që të më pranonin edhe mua të luaja në mesin e tyre. U gëzova që më pranuan të luaja sepse loja e futbollit më mungonte prej kohësh. Lojën e futbollit e fillova me shumë dëshirë. Por ajo dëshirë u shua shumë shpejt, askush nuk luante me mua, nuk ma pasonte topin askush. Mbeta i vetëm në lojë, isha i inatosur, nga mllefi e kapa topin dhe e hodha përtej telave të kampit. Ata tentuan të më sulmonin. Falë zhvillimit tim fizik, që ishte shumë më i fuqishëm krahasuar me zhvillimin e tyre, nuk ndodhi ndonjë e keqe.

   Aty qëndruam për afër dy javë. V. Gj. ishte me moshë më i riu ndër ne, njeri shumë i sinqertë dhe i afërt. Në çdo kohë ishte i gatshëm, me humorin e tij të na bënte të qeshim e mbante ndër ne gjallë shpirtin e humorit. Në një mëngjes dëgjova që në autoparlant thërritej emri im dhe i dy shokëve të tjerë. Na lajmëruan që duhej të paraqiteshim në zyrën e oficerëve të emigracionit. Ata na bënë me dije që duhet të bëheshim gati pasi atë ditë do të liroheshim e do të ishim të lirë të vijonim rrugën tonë. U gëzuam shumë për një moment, po kur u ktheva në dhomë pashë shokun tonë V. Gj., që nuk ia kishin thirrur emrin. Ai pra nuk do të lirohej. Ishte njeri i fortë, i përmbajtur. Gjithësesi vura re se u ndje i lodhur e i vrarë në shpirt, me një pamje të trishtuar. Kishte arsye, pasi do të mbetej i vetmi shqiptar në kamp, pa njohuri të gjuhës për komunikim me njerëzit që e rrethonin. Të mbeteshe i vetëm ishte tejet e rëndë dhe e vështirë. E pashë pamjen e tij e nuk doja ta shihja në atë gjendje.

   -Unë nuk do të dal nga këtu gjersa të dalim së bashku,- ju drejtova.

Pas një bisede dhe përpjekjeve e këmbënguljes së tij, ai më tha:

   -Nëse nuk lirohesh tani, ty do të të kthejnë pas. Ndërsa mua pas disa ditëve do të më lirojnë, kështu që ti duhet të dalësh dhe të vazhdosh më tej.

Këmbëngulja e tij ishte e fortë, ma mbushi mendjen dhe e pranova lirimin.     -Të premtoj që, sapo të takohem me njerëzit e duhur, edhe ti do të lirohesh menjëherë,- i thashë. Edhe pse isha i shqetësuar bashkë me shokët e mi, ne të tre e lamë portën e kampit.

   Pa e ditur për ku e në një drejtim të panjohur, ashtu ne ecnim në këmbë, kur një makinë ndaloi afër nesh. Ishte avokatja, që kishte marrë përsipër kujdesjen për lirimin tonë, e cila na dërgoi deri në aeroport dhe na i dha biletat e udhëtimit nga El Paso në Dallas dhe pastaj për në New Jersey.Tani në El Paso gjendeshim në të njëjtin vend, në aeroportin ku para 15 ditësh na kishin ndaluar. Por tani më të lirë, u prezentuam natyrshëm para sporteleve, duke paraqitur dokumentacionin që na kishte lëshuar zyra e emigracionit. Në mbrëmje vonë, pas 5-6 orëve pritjeje në aeroport, u nisëm nga El Paso për në Dallas. Të gjitha të hollat i kishim shpenzuar gjatë qëndrimit në kamp. Avokatja, që e kishte bërë rezervimin e biletave, ishte një avokate vendase dhe ajo, për një çmim më të lirë, kishte bërë rezervimet me pritje të gjata nëpër aeroporte dhe pa shërbim ushqimesh në aeroplan. Të nesërmen mbërritëm në Dallas. Ishim të uritur, pasi që nga mëngjesi i ditës së kaluar nuk kishim ngrënë asgjë.

   Fluturimin tjetër e kishim në mbrëmje për në New Jersey. Shoku M. H. e pinte duhanin, por kishte dy ditë që nuk e kishte ndezur asnjë cigare. Më tepër e rëndonte mungesa e cigares se sa e ushqimit. M.H. kërkoi nëpër gjepa dhe mblodhi ca cent që i bashkoi për të  blerë një ëmbëlsirë sa një petull e vogël, që e ndamë në tri pjesë. Ajo ishte mëngjesi, dreka dhe darka. Pritëm me padurim të hynim në aeroplan, që të paktën të ushqeheshim sadopak gjatë shërbimit me ushqime në avion. Por ndodhi krejt ndryshe. Në kohën kur të gjithëve po u shërbeheshin ushqime, ne nuk na ofruan këtë shërbim. I bëra pyetje stiuardesës pse nuk na shërbenin dhe ne si gjithë të tjerëve.  Mendja më thoshte se asnjë në aeroplan nuk e kishte më të nevojshme se ne një shërbim të tillë. Ajo më sqaroi se në biletat tona nuk përfshihej edhe ushqimi, por vetëm rrugëtimi. Kështu nisi dita e tretë pa ngrënë, përveç një mëngjesi të dobët që kishim ngrënë kur ishim në kamp. Në Amerikën e shekullit të njëzetë, më dukej absurde një gjë e tillë. Çfarë mikpritjeje kjo e amerikanëve…E kjo na ndodhte pikërisht ne shqiptarëve, që për mikpritje shquhemi në gjithë botën e jemi gati që të rrimë vetë pa ngrënë e kafshatën e vetme t’ia ofrojmë mysafirit.

   Kur arrita në New Jersey, iu drejtova personelit të informacionit, i cili më bëri të mundur që të kontaktoja me të afërmin tim A. N., që më priste në Bronx. Ai më rekomandoi që të merrja një taksi dhe më tregoi adresën e një kushëriri të dajës T. D. për ku po udhëtonim. Taksisti, pasi e kaloi New Jerseyn, e humbi rrugën, kështu që filluan orët e vona të mbasdites e ne endeshim rrugëve ende pa ngërne. Kur muzgu kishte filluar të mbulonte qytetin e Bronxit ne u gjendëm para shtëpisë, ku të afërmit tanë po na prisnin prej disa orësh.

   Pritja ishte madhështore, e ngrohtë e vëllazërore. Plaku 70 – vjeçar më pyeti për të madh e për të vogël një për një. Gjatë bisedës mendja më kalonte herë pas here se sa do të zgjaste koha që të na shërbenin kafe, pasi e dija që sipas traditës së pari do të na shërbenin nga një kafe. Ardhja e kafes qe dhurata më e mirë për momentin.

   Pasi hëngrëm mirë dhe u çlodhëm bisedat u gjallëruan. Në pamjen e plakut dallohej malli për vendlindjen, që e kishte braktisur shum vite më parë. Ishte moshatar i babait tim. Kishte mall të bisedonte për të kaluarën e familjes së tyre, familja Dakaj, që vërtet ishte një shtyllë e fortë me një histori që nga Zahrishti në Shqipëri, ku të parët e tyre ua kishin kthyer pushkën pushtuesve turq. Nga humbja e betejës me pushtuesit , Dakajt ishin detyruar të braktisnin vendin e tyre dhe të lëviznin fshehtas nëpër disa fshatra të Rrafshit të Dukagjinit dhe pastaj, më vonë vunë themelet e jetesës në fshatin Poterq, ku jetojnë edhe sot. Po të njëjtën gjë ata vazhduan kundër pushtuasit serb. Unë, si nip i tyre, dëgjoja me ëndje kur  daja Tomë tregonte ngjarjet dhe trimëritë e asaj kohe. E në veçanti ngjarjen e vrasjes së një pylltari serb sëbashku me njerëzit e tij.  Ky serbi, në pushtetin e asaj kohe famëkeqe të Rankoviqit, e kishte shtuar shumë zullumin ne disa fshatra të lugut të Drinit. Njerëzve iu kishte ardhur në majë të hundës prej tij e njerëzve të tij.  Si gjithmonë, dera e Dakajve pushkën e kishte në thumb për armikun. Edhe kësaj radhe Dedë Daka, Martin Daka, sëbashku me dhëndrrin e tyre, Rrustem Sokolin, dalin dhe e vrasin pylltarin famëkeq serb dhe sa të tjerë të sojit të tij. Por ndonjë spiun dhe lake i serbëve e kishte çuar lajmin në  UDB-në e Pejës, duke dhënë emrat e vrasësve.

   Që të tre u arrestuan e i çuan në burgun famëkeq të Pejës. Torturat mbi shqiptarët ishin ndër më çnjerëzoret, duke i lënë në ujë që ngrinte akull gjatë natës. Kur shkrinte, sëbashku me akullin ikte edhe lëkura e këmbëve. Ngjarje për të cilën isha i mirëinformuar, sepse nga ato pasoja të vuajtjeve i kishte ardhur vdekja babait tim, Rrustem Sokolit.Ai tregonte se si e kishte shitur të tërë pasurinë familja Dakaj, vetëm për t’ju ardhur në ndihmë që të shpëtoin nga pushkatimi dy nga Dakajt dhe miku i tyre.

   Me tema të tilla plaku nuk dinte të ndalej, ndërsa unë e kuptoja që ai me këto biseda lironte energjinë e mallit dhe të vuajteve të së kaluarës së tij. Por orët ishin të pakta për ta shprehur mllefin që kishte ndaj shkaktarëve të atyre vuajtjeve. Pas një pushimi dhe çlodhjeje, pas darke u ndamë me të dy shokët, pasi edhe ata do të shkonin te të afërmit e tyre që ishin në New Jersey.

   Atë natë e kaluam pa gjumë gjer në orët e para të mëngjesit…

   Të nesërmen mendonim që unë, sëbashku me djalin e axhës, i cili kishte ardhur nga Detroiti për të më takuar në New Jersey, të niseshim për në Detroit. Por unë kërkova që, para se të niseshim, të takohesha me shokun dhe bashkëvendasin tim, prof.Marjan Shabanin. Njeri i përndjekur politikisht nga vendlindja. Me të dëgjuar se kam mbërritur në New Jersey, erdhi dhe më takoi. Kishin kaluar afër 3 vite që nuk e kisha takuar. Komunikimi i vetëm gjatë kësaj kohe ishin shkrim-këmbimet dhe ndonjë herë rrallë me telefon. Këtë takim e prisja me padurim pas kaq vitesh . Pas një përqafimi vëllazëror, pas pak kohe filloi biseda për shumë gjëra që na rëndonin. Ai ishte intelektual i mirëformuar dhe atdhetar i zjarrtë. E kur ne po bëheshim gati të niseshim për Detroit, ai na u drejtua me një qëndrim të prerë: – Pa asnjë diskutim sonte jeni në shtëpinë time. Them të vërtetën atë edhe e dëshiroja, pasi kisha një kërkesë urgjente e për këtë më duhej ndihma e tij. Shkuam ata natë te prof. M. Sh., i cili  na priste bashkë me të dy vëllezërit e tij. Në shtëpinë e tyre kishte ftuar edhe disa vendas të tjerë nga trevat tona, që të na bënin shoqëri atë natë. Kaluam një mbrëmje të këndshme me biseda të larmishme, që nuk kishin të ndalur e të gjitha përshkoheshin nga malli për atdhe. Ai kërkonte të hapnim tema edhe më të imta, të informohej sa më gjerë mbi gjithçka e mbi ngjarjet e ndryshme që zhvilloheshin në vendlindje. Bisedat  zunë vend në shtratin e tyre aq rrjedhshëm, thuajse po i vazhdonim nga e djeshmeja e jo që kishin kaluar kaq vite.

   Gjatë tërë kohës që bisedonim nuk më ishte shqitur nga mendja e po ndihesha i obliguar të gjeja një mënyrë të ndihmoja shokun tim V. Gj. që kishte mbetur në kamp në El Paso. Aq më tepër që unë i kisha dhënë fjalën që në rastin e parë që do të më jepej mundësia  të takohesha me njerëzit e duhur do ta ndihmoja. Në orët e vona të asaj mbrëmjeje,të ftuarit u larguan dhe mbetëm unë, i afërmi im dhe tre vëllezërit Shabani që ishin të së njëjtës shtëpi.

   Pasi mbetëm vetëm ne, pas mesnate, kur biseda kishte marrë një temp të qetë, unë e mora fjalën dhe ju drejtova: u gëzova që ju pashë dhe që qënkeni mirë të gjithë. Sikurse edhe ju që para nesh e keni lënë atdheun e keni marrë rrugët e emigracionit pa dëshirë por prej dëbimit e dhunës së egër, ashtu edhe unë kam ardhur në këtë shtet nga halli e jo nga dëshira. Profesori e dinte mirë pasi mes nesh kishte pasur një letërkëmbim të rregullt edhe më parë kur unë gjendesha në Kosovë. Por mbi gjithë të tjerat, sot kam dhe një hall të veçantë. Kam lënë një shok në kamp në El Paso. Atij i duhet ndihma e avokatit, të cilit i duhet paguar një shumë të hollash që ta nxjerrë nga kampi. I kam dhënë fjalën se, në rastin e parë që do të kem qoftë dhe një mundësi, do ta ndihmoj. Të hollat e para që unë do mund t’i fitoj në këtë shtet do t’i kthej menjëherë, pa marrë parasysh se sa do të duhet shuma.

   Pa e përfunduar mirë fjalën, më ndërpreu vëllai i madh i Profesorit,Mhill Shabani.

   -Si quhet shoku dhe cila është adresa e qëndrimit në kamp?

   Nxora dokumentet e lëshuara nga zyra e emigracionit të El Pasos dhe ja treova.

   -Kumbarë, kjo është punë e kryer, ti mos u merr me këtë punë,- më  tha qartazi. – Nesër ai do të lirohet.

   Mora frymë i çliruar nga një barrë që më rëndonte e më kishte ngërthyer si darë. Isha i lumtur pa fund që dhe ai nuk do të ishte i vetëm në atë kamp pas ditës së nesërme.

   Kaluam atë natë me një mikpritje që nuk harrohej kurrë.

   Gjatë nëpër mendime e shpesh më vjen ai udhëtim i fillimit të jetës sime përtej detesh e oqeanesh e ajo natë e bardhë kur më kishin thënë se shoku im do të lirohej nga kampi e gjithnjë kam menduar se populli ynë mrekullisht ka cilësi fisnike e të mrekullueshme që nuk i gjen kund tjetër në botë. Pas asaj darke të mrekullueshme e heqjes së atij pengu për mikun tim, të nesërmen bashkë me A.N. u nisëm për në Detroit.

*Autori jeton në New York. Marrë nga libri me esse në proces botimi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Prend Ndoj, Udhës së mërgimtarit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 197
  • 198
  • 199
  • 200
  • 201
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT