• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BARAZI

February 8, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/Fjala nuk ndryshon, por ndryshon idea e saj dhe kushtet. Si rrjedhim, e njëjta fjalë interpretohet ndryshe. Koncepti i barazisë, për shembull, siç u shpreh në Deklaratën Pavarësisë më 1776, kishte si qëllim të përçonte të drejtën e Amerikës për të qenë e barabartë me kombet e tjerë. Ajo që Deklarata e Pavarësisë kishte për qëllim të deklaronte ishte fakt i qartë se një popull i ri po përgatitej të merrte statusin e vet të barabartë me kombet e botës. 
Por në dekadat pas pavarësisë, amerikanët filluan të lexonin pohimin e zhurmshëm se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” në terma të ndryshëm. Vizioni i ‘barazisë mes kombeve’ po i linte vendin ‘barazisë brenda kombit’. Kjo ishte mënyra sesi Abraham Lincoln ritheksoi paragrafin e Deklaratës së Pavarësisë që ‘të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë’ në Fjalimin e Getisburgut në vitin 1863, që ndihmoi për t’i thënë fund vizionit të ‘barazisë mes kombeve’ – që Thomas Jeffersoni e kishte artikuluar më 1776 – dhe tani po e njëjta shprehje sfidonte statusin politik, juridik e shoqëror të racës e gjinisë brenda kombit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Barazi

Vdes ish-Sekretari i Shtetit George P. Shultz

February 8, 2021 by dgreca

Nga Naser Sertolli/VOA-Ish-Sekretari amerikan i Shtetit George P. Shultz, një titan i jetës akademike, biznesit dhe diplomacisë amerikane i cili kaloi shumicën e viteve 80 duke u përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet e Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik e duke krijuar një kurs paqeje për Lindjen e Mesme, u nda nga jeta në moshën 100 vjeçare.

Zoti Schultz vdiq të shtunën në shtëpinë e tij e cila ndodhet në kampusin e Universitetit të Stanfordit. Ai ishte një bashkëpunëtor i shquar i Institutin kërkimor Hoover, e mbante titullin e profesorit në Shkollën Pasuniversitare të Biznesit në Stanford edhe pas daljes së tij në pension.

Instituti Hoover njoftoi vdekjen e zotit Schultz të dielën, por nuk bëri të ditur shkaqet e vdekjes.

Një republikan i përjetshëm, zoti Shultz mbajti tre poste të rëndësishme në kabinetet qeveritare gjatë administratave të drejtuara nga republikanët.

Ai ishte Sekretar i Punës, Sekretar i Thesari dhe drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit nën Presidentin Richard M. Nixon përpara se të shpenzonte më shumë se gjashtë vjet në detyrën e Sekretarit të Shtetit kur Shtëpia e Bardhë drejtohej nga Presidenti Ronald Reagan.

Zoti Schultz ishte sekretari Shtetit me kohën më të gjatë të qëndrimit në këtë detyrë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjatë jetës së tij, zoti Shultz pati suksese në pothuajse gjithçka që preku, përfshirë fushën akademike, mësimdhënien, shërbimet qeveritare dhe botën e korporatave. Ai u respektua gjerësisht nga kolegët e tij që i përkisnin të dy krahëve të politikës.

Pas hedhjes në erë në tetorit e vitit 1983 të kazermave ushtarake amerikane në Bejrut, ku si pasojë u vranë 241 ushtarë, zoti Shultz punoi pa u lodhur për t’i dhënë fund luftës brutale civile në Liban. Ai kaloi orë të panumërta duke shërbyer si ndërmjetës mes palëve në një përpjekje për të siguruar tërheqjen e forcave izraelite.

Përvoja e bëri atë të besonte se stabiliteti në rajon mund të sigurohej vetëm me një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez. Ai u nis për një mision ambicioz, por përfundimisht të pasuksesshëm për t’i ulur palët në tryezën e negociatave.

Megjithëse zoti Shultz nuk e arriti qëllimin e tij për ta futur Organizatën Çlirimtare të Palestinës dhe Izraelin në një kurs drejt një marrëveshje paqeje, ai formësoi rrugën për përpjekjet e administratave të ardhshme në Lindjen e Mesme, duke legjitimuar palestinezët si një popull me aspirata e interesa të vlefshëm në përcaktimin e së ardhmes së tyre.

Si kryediplomat i kombit, zoti Shultz negocioi traktatin e parë për zvogëlimin e arsenalit bërthamor të Bashkimit Sovjetik, megjithë kundërshtimet e ashpra nga udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev ndaj “Iniciativës Strategjike të Mbrojtjes” së Presidentit Reagan.

Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi i vitit 1987 ishte një përpjekje historike për të ndryshuar kursin e garës së armëve bërthamore, një qëllim të cilin ai nuk e braktisi kurrë në jetën private.

“Tashmë që dimë kaq shumë mbi këto armë dhe fuqinë e tyre”, tha zoti Shultz në një intervistë në 2008 “ato janë pothuajse armë që nuk do t’i përdorim, kështu që mendoj se do të ishim më mirë pa to”.

Ish-Sekretari i Shtetit Henry A. Kissinger, duke reflektuar në kujtimet e tij mbi atë që e ka cilësuar si “Shultzi shumë analitik, i qetë dhe altruist”, i dedikoi atij një vlerësim të jashtëzakonshëm në ditarin e tij: “Nëse do të zgjidhja një amerikan, të cilit do t’i besoja fatin e kombit në krizë, do të ishte George Shultz”.

George Pratt Shultz lindi më 13 dhjetor 1920, në qytetin e Nju Jorkut dhe u rrit në Englewood të Nju Xhersit. Ai studioi ekonomi, çështje publike e ndërkombëtare në Universitetin e Princeton-it, ku dhe u diplomua në 1942.

Pas Princeton-it, zoti Shultz iu bashkua trupave të Marinës dhe u ngjit në gradën e kapitenit si oficer artilerie gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në 1949 ai morri gradën e doktorit në ekonomi në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit (MIT) dhe dha mësim aty dhe në Universitetin e Çikagos, ku shërbeu si dekan i shkollës së biznesit. Përvoja e tij në administratë përfshinte një post si një nga ekonomistët kryesor të Këshillit të Konsuletëve Ekonomikë të Presidentit Dwight D. Eisenhower dhe si drejtor i Zyrës për Menaxhimin dhe buxhetin gjatë administratës Nixon.

Zoti Shultz ishte president i kompanisë së ndërtimit dhe inxhinierisë Bechtel Group nga 1975-1982 dhe dha mësim me kohë të pjesshme në Universitetin Stanford përpara se t’i bashkohej administratës Reagan në 1982, duke zëvendësuar Alexander Haig-un, i cili dha dorëheqjen pas përplasjeve të shpeshta me anëtarët e tjerë të administratës.

Në 1985 u shënua një mosmarrëveshje e rrallë publike mes zotit Reagan dhe zotit Shultz, kur presidenti urdhëroi me mijëra punonjës të qeverisë federale me qasje tek informacionet e sekrete, që të kryenin një test me aparatin që identifikon gjënjeshtrat, kjo si një mënyrë për të bllokuar rrjedhjen e informacionit. Zoti Shultz u tha gazetarëve se në atë “moment që kjo qeveri e ka humbur besimin tek unë do të jetë dhe dita kur unë largohem”. Shumë shpejt administrata e tërhoqi kërkesën. Një mosmarrëveshje më serioze ishte rreth shitjes sekrete të armëve Iranit në 1985 me shpresën për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane të mbajtur në Liban nga milicia e Hezbollahut.

Megjithëse zoti Shultz e kundërshtoi, zoti Reagan vazhdoi me marrëveshjen dhe miliona dollarë nga Irani shkuan tek guerilasit e krahut të djathtë Contra në Nikaragua.

Pasi Reagan u largua nga detyra, zoti Shultz u kthye tek kompania Bechtel.

Ai u tërhoq nga bordi i kompanisë në 2006 dhe u kthye në universitetin e Stanford-it dhe në Institutin Hoover.

Në vitin 2000, ai u shndërrua në një nga mbështetësit e hershëm të kandidimit për president të George W. Bush, babai i të cilit kishte qenë nënpresident ndërsa zoti Shultz shërbente si Sekretar Shteti. Zoti Schultz shërbeu si këshilltar jozyrtar i fushatës së tij.

Zoti Shultz mbeti një avokat i flaktë i kontrollit të armëve në vitet e tij të mëvonshme, duke folur kundër disa qëndrimeve kryesore të republikanëve. Ai shkaktoi polemika pasi e quajti luftën kundër drogës për qëllime argëtimi, të mbështetur nga zoti Reagan, një dështim dhe qortoi embargon e gjatë të Shteteve të Bashkuara mbi Kubën duke e cilësuar atë “të çmendur”.

Ai ishte gjithashtu një ithtar i shquar i përpjekjeve për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike, duke paralajmëruar se injorimi i rreziqeve ishte vetëvrasje.

Zoti Shultz, së bashku me ish-sekretarin republikan të Shtetit Henry Kissinger, tërhoqën vëmendjen e shtypit gjatë fushatës presidenciale të 2016, kur refuzoi të mbështesë kandidatin republikan Donald Trump. Ai u citua të thoshte “Zoti na ndihmoftë” kur u pyet mbi mundësitë e zotit Trump për të ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Shultz ka qenë i martuar me Helena “Obie” O’Brien, një infermiere e ushtrisë me të cilën u takua gjatë Luftën e Dytë Botërore dhe patën pesë fëmijë. Pas vdekjes së saj, në 1995, ai u martua me Charlotte Maillard, në vitin 1997.

Në 1989 zotit Shultz i është dhënë titulli më i lartë civil i kombit, Medalja Presidenciale e Lirisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: 100 vjeç, George P. Shultz, vdiq

Serge Métais : Të rikthehet procesi i gjykimit të UÇK-së në Prishtinë*

February 8, 2021 by dgreca

Serge Métais : Të rikthehet procesi në Prishtinë*

Gjykata e Posaçme për Kosovën i hodhi poshtë së fundmi kërkesat për lirim me kusht për Hashim Thaçin e të bashkakuzuarit e tij. Në stadin e sotëm, vendosmëria që ajo po tregon është shqetësuese. Ka rrezik që mekanizmi gjyqësor i ngritur në Hagë të shndërrohet së shpejti në mekanizëm djallëzor. A ka ende kohë për ta ndalur? Sado që mund të duket e çuditshme, përgjigja është se po. Gjykatën e Posaçme e ka krijuar Kuvendi i Kosovës dhe po ai mund të vendosë për fatin e saj: Çka është bërë me ligj mund të zhbëhet me ligj. Ky kuvend e ka në dorë që ta rikthejë procesin në Prishtinë.

Për ta kuptuar më mirë këtë sfidë, është e udhës të saktësojmë që Gjykata e Posaçme për Kosovën nuk është një gjykatë penale ndërkombëtare:

  • Ajo nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GjPNJ), e cila ishte e detyrueshme për të gjithë qytetarët e shteteve të dala nga Jugosllavia (Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi);
  • Ajo nuk është krijuar as përmes ndonjë traktati ndërkombëtar si në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), e cila bazohet në një traktat të quajtur “Statuti i Romës” e të hyrë në fuqi më 2002. Ajo ka për detyrë të gjykojë personat e akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid dhe është sot i vetmi juridiksion penal ndërkombëtar i përhershëm dhe me prirje të përbotshme[1].

Gjykata e Posaçme është krijuar, në fakt, vetëm nëpërmjet ligjit të votuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015 (nenit 162 të Kushtetutës dhe Ligjit nr. 05/L-053 “për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”). Ajo është pra një institucion gjyqësor i Republikës së Kosovës… i zhvendosur në Hagë.

Kjo krijesë shumë origjinale shpjegohet vetëm me emocionet që ngjalli raporti Marty, i miratuar në mënyrë masive nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në janar 2011. Pretendimet për trafik organesh njerëzore, që përmbante raporti, ishin me natyrë tejet çnderuese për rezistencën shqiptare: disa robërve serbë u qenkëshin hequr organe të cilat qenkëshin “eksportuar” pastaj përmes aeroportit të Tiranës për t’ua vendosur pritësve jashtë shtetit. Raporti hedh mendimin se kjo paskësh ndodhur me qindra herë. Krimi qenkësh i përbindshëm. Shumë tmerre ishin parë tashmë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, si masakra e Srebenicës, e kryer nga serbët dhe e cilësuar si gjenocid nga GjPNJ-ja. Mirëpo kësaj radhe do të shihnim që edhe shqiptarët nuk mbetkëshin prapa në punë tmerri: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) paskësh bërë tregti fitimprurëse me organe të marra nga robër serbë!

Raporti ishte, në të vërtetë, produkti i një prej operacioneve më të suksesshme të dezinformimit që prej shembjes së regjimeve komuniste. I kurdisur prej shërbimeve të fshehta serbe, ai mori një mbështetje vendimtare nga ana e shërbimeve ruse. Te një i zgjedhur zviceran, Dick Marty, ai gjeti një idiot të dobishëm mjaft efikas[2]. Raporti i tij është një përmbledhje e hartuar me dhelpëri duke u nisur nga shënimet e shërbimeve të fshehta serbe si edhe nga dosjet e akuzave të GjPNJ-së ose të gjykatave të Kosovës. Pak rëndësi kishte që ato dosje nuk kishin të bënin fare me trafik organesh njerëzore. I gjithë raporti Marty luan në thelb me sugjerimin, insinuatën ose probabilitetin.

Emocionet që ngjalli ky raport i shtynë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të krijonin, në shtator 2011, një “Grup Pune të Posaçëm Hetimor” (Special Investigative Task Force). U ra dakord për të caktuar në krye të tij në prokuror amerikan, Clint Williamson. Në maj 2012, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj për bashkëpunimin me këtë grup pune, çka i dha mundësi këtij të fundit të kryente një hetim penal të pavarur rreth pretendimeve që përmbante raporti.

Më 29 korrik 2014, pas më shumë se dy vjet hetimi, prokurori Williamson, gjatë një konference për shtyp në Bruksel, deklaroi që trafiku i organeve nuk mund të vërtetohej veçse në “më pak se dhjetë raste”. Ai shtoi: “Të ekzagjerohen shifrat ose të thuhet se çdo serb i vrarë apo i shpallur i zhdukur qenka bërë objekt i ndonjë heqjeje organesh nuk i shërben kurrfarë interesi, por vetëm sa shton dëshpërimin e familjeve të personave të humbur, sepse nuk ka asnjë provë të vetme”.

Si nata me ditën në krahasim me ato qindra raste që sugjeronte raporti Marty! Dhe, domethënia e fjalëve “më pak se dhjetë” mund të ishte fare “zero”. Mirëpo edhe kaq mjaftonte që aleatët amerikanë dhe evropianë të ndiheshin të detyruar që të ushtronin një trysni miqësore mbi udhëheqësit e Kosovës: këta duhej të votonin përmes Kuvendit të tyre një ligj për krijimin e Gjykatës së Posaçme.

Mes klasës politike kosovare debati qe i dhimbshëm, sepse thjesht ideja që të votohej për krijimin e një gjykate të posaçme ishte e padurueshme. Por mesazhi që po u jepej ishte i qartë: ose votoni ligjin e tregoni që nuk keni pse të trembeni lidhur me trafikun e organeve, ose mos pranoni dhe do të konsiderohet se jeni fajtorë për krimet e urryera që pretendohen në raportin Marty. Më në fund, me mbështetjen e pikërisht këtyre udhëheqësve që sot ndodhen të burgosur në Hagë, ligji për krijimin e Gjykatës së Posaçme u votua në Kuvendin e Kosovës me një shumicë prej dy të tretash.

Pikërisht kjo gjykatë e ka prodhuar aktakuzën kundër Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të lartë të UÇK-së, të bërë publike më 4 nëntorin e kaluar[3]. Një aktakuzë tek e cila nuk gjen dot absolutisht asgjë lidhur me pretendime për trafik organesh.

Vërtetohet kështu plotësisht që udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe amerikanët janë mashtruar keqas nga një operacion dezinformimi të përmasave të mëdha. Por, prapëseprapë, suksesi i këtij batakçillëku mbetet i plotë.

Ai qëndron në vetë ekzistencën e Gjykatës së Posaçme. Si edhe në një aktakuzë që, ndonëse nuk përmban asgjë lidhur me trafiqe të pretenduara organesh, mund të çojë megjithatë në dënime shumë të rënda. Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, sot të burgosur në Hagë, akuzohen në fakt se paskan krijuar një “sipërmarrje të përbashkët kriminale”. Sipas aktakuzës, ata “ngarkohen secili personalisht me përgjegjësi penale” për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga kjo sipërmarrje gjatë luftës, më 1998-1999, dhe në vitin 2000. Aktakuza as që do t’ia dijë fare se ata vetë nuk paskan qenë veprues të drejtpërdrejtë të atyre krimeve, as se një pjesë e atyre krimeve qenkan gjykuar tashmë në suazë të disa juridiksioneve të tjera, GjPNJ-së apo gjykatave të Kosovës. Ajo që paraqitet si një “sipërmarrje kriminale” është organizata e Rezistencës, kurse ata që shihen si penalisht përgjegjës për krime që ajo paskësh kryer janë ish-udhëheqësit e saj.

E gjithë kjo është e papranueshme. Është e papranueshme, jo sepse krimet e pretenduara në aktakuzë – keqtrajtim ndaj robërve, akte torture, ekzekutime pa gjyq, vrasje “tradhtarësh”, “bashkëpunëtorësh me armikun” apo kundërshtarësh politikë të hamendësuar – nuk paska sesi të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nuk u dashkan gjykuar. E papranueshme ajo është për dy arsye thelbësore. 

E para është se ekzistenca e Gjykatës së Posaçme në Hagë nuk përligjet dot përveçse me pretendimet për trafik organesh nga ana e raportit Marty. Mungesa në aktakuzë e trafikut të organeve e bën këtë gjykatë të papërligjur.

Arsyeja e dytë është se, duke gjykuar në Hagë, do të bëhej një padrejtësi. Gjykimi në Hagë do të nënkuptonte, faktikisht, që t’i jepet Gjykatës së Posaçme një status të cilin ajo nuk e ka: atë të një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo, në një gjykatë të tillë, nuk do të mund të gjykoheshin krimet e kryera nga Rezistenca shqiptare pa u gjykuar aty gjithashtu edhe krimet e kryera nga forcat e sigurisë, ushtria dhe paraushtarakët serbë në Kosovë. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që ata kanë kryer janë mjaft të shumta, masive dhe të dokumentuara mirë. Lënda nuk mungon aspak për të ngritur një dosje akuze, madje edhe për krim gjenocidi. Sidomos tani, njëzet vjet pas përfundimit të luftës, kur gati një mijë trupa shqiptarësh të Kosovës, të zhdukur në vitet 1998-1999, janë zbuluar në disa varre masive në Serbi, dhe kur së fundmi janë gjetur përsëri trupa të tjerë në një minierë kripe në afërsi të Rashkës. Në qoftë se do të gjykohej vetëm njëra nga palët – ajo e sulmuara, Rezistenca – dhe nuk do të gjykohej pala tjetër – ajo agresore, fuqia pushtuese –, atëherë do të bëhej një padrejtësi. Do të shkelej parimi i trajtimit të barabartë mes palëve, të cilin duhet ta respektojë çdo gjykatë penale ndërkombëtare.

Për këto arsye, por edhe për të ndalur atë që po shfaqet gjithnjë e më shumë si një mekanizëm djallëzor, duhet të merret një vendim: të mbyllet Gjykata e Posaçme dhe të transferohet dosja e akuzës në Kosovë. Këtë vendim, Kuvendi i Kosovës mund ta marrë. Nuk do të ishte fare fjala për të ndërprerë një procedurë gjyqësore. Thjesht, procesi që duhej të zhvendosej në Hagë, do të rikthehej në Prishtinë.

E mira do të ishte që nismën për këtë ta marrë Bashkimi Evropian. Ai mund të konsiderojë që përligjet një kërkesë për transferim të dosjes së akuzës drejt gjykatave të zakonshme të Kosovës. Këtë mund ta bëjë përpara se Kuvendi i Kosovës të shprehet vetë dhe të shkaktojë një krizë me aleatët e tij evropianë e amerikanë.

Të pranohet që procesi të mbahet në Hagë do të ishte një padrejtësi (shkelje e parimit të trajtimit të barabartë të palëve në konflikt). Për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kjo do të ishte njëlloj sikur ata të vazhdonin të pranonin që t’i tërhiqnin nga hunda. Mbyllja e kësaj gjykate të posaçme do të ishte gjithashtu më i pakti ndër sanksionet që meritojnë autorët e këtij mashtrimi të madh.

Serge Métais

Autor i librit Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Histori e shqiptarëve. Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës) të botuar në Francë më 2006 nga shtëpia botuese Fayard e të përkthyer edhe në shqip e në bullgarisht.


[1] Nga 193 vende anëtare të OKB-së, Statuti i Romës është nënshkruar dhe ratifikuar deri më sot nga 123 shtete, mes të cilave të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar. Ato nuk e njohin pra juridiksionin e GjPN-së, ashtu si edhe Kina (e cila nuk e ka nënshkruar fare).

[2] Shih artikullin tonë “Kosovë: Gjykata e Posaçme, pjellë e një mashtrimi të madh”, gazeta Dita, 5 dhjetor 2020.

[3] Aktakuza kundër Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të lexohet në sajtin “Kosovo Specialist Chambers and Specialist Prosecutor’s Office”. Shih çështjen me numër KSC-BC-2020-06.

****. 

INTERVISTA

Për çfarë e keni saktësisht fjalën kur flisni për “mekanizëm gjyqësor” i cili mund t’u shndërrohet në “mekanizëm djallëzor”?

Mekanizëm djallëzor unë quaj një gjykatë të posaçme që mund të katandiset të veprojë me gjaknxehtësi, me teprime, me pushtet të pakufizuar, me humbje të sensit të masës.

I tillë do të ishte, për t’i thënë gjërat më shkoqur, një dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit. E gjitha kjo është e mundshme, në bazë të një aktakuze që konsideron se ata kanë ngritur e drejtuar një “sipërmarrje të përbashkët kriminale” (UÇK-në?), fajtore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mospranimi për t’u dhënë të akuzuarve lirimin me kusht më duket se nuk ndjell asgjë të mirë.

Pse doni që të mbyllet Gjykata e Posaçme?

Më duket se e kam parashtruar qartë qëndrimin tim në artikullin që kam shkruar. Ka dy arsye thelbësore:

Së pari, mungesa e pretendimeve për trafik organesh, në aktakuzë, bën që Gjykata e Posaçme ta ketë humbur tashmë çdolloj legjitimiteti.

Së dyti, një proces në Hagë i jep faktikisht kësaj gjykate të posaçme një status të cilin ajo nuk ka sesi ta mëtojë, statusin e një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo është e paimagjinueshme që, në një gjykatë penale ndërkombëtare, të gjykohet vetëm njëra nga palët në konflikt. Në qoftë se gjykohet vetëm pala shqiptare, pa u gjykuar pala serbe, do të kishte një prishje të barazisë së trajtimit ndërmjet palëve. Kjo do të ishte një padrejtësi e kulluar.

Personeli i Gjykatës së Posaçme (gjyqtarë e prokurorë) është ndërkombëtar. Ndërkohë, ju keni mendimin që mbyllja e kësaj gjykate mund të vendoset nga Kuvendi i Kosovës. A e ka ky vërtet këtë kompetencë?

Gjykata e Posaçme nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Kombeve të Bashkuara. Ajo nuk është ngritur as nëpërmjet ndonjë traktati mes shtetesh.

Ajo është një institucion i Republikës së Kosovës. Është krijuar me një ligj të votuar nga Kuvendi i Kosovës. Gjithçka që është e bërë me ligj, mund të zhbëhet me ligj.

Nuk ka asnjë mekanizëm institucional mbishtetëror që të mund ta pengojë shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës te gjykatat e Kosovës, në Prishtinë. Dhe kjo, që nga momenti në të cilin Kuvendi i Kosovës do të votonte një ligj në këtë drejtim.

A nuk keni frikë se kjo gjë mund të shkaktojë një krizë midis Kosovës dhe aleatëve të saj, evropianë dhe amerikanë?

Sigurisht, kriza do të ishte serioze.

Idealja do të kishte qenë që nisma të vijë nga vetë amerikanët ose evropianët të cilët ranë në kurthin e mashtrimit të madh të raportit Marty. Por nuk duhet të kemi iluzione: ka fare pak gjasa që ata ta ndërmarrin vetë hapin e parë.

Kuvendi i Kosovës mund të veprojë në dy faza:

  • Si fillim, ai mund të votojë thjesht një rezolutë ku të merret në konsideratë mungesa e pretendimeve për trafik organesh në dosjen e akuzës. Dhe mjafton që kjo rezolutë të vendosë ngritjen e një komisioni të ngarkuar me hartimin e një projektligji për shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës në Kosovë.
  • Vetëm në një fazë të dytë, Kuvendi mund ta votojë pastaj ligjin që do ta zhbënte atë që është bërë me ligjin e vitit 2015.

Ndërkohë, kriza do të ishte hapur me aleatët. Ajo do të jepte rastin për një debat rreth mashtrimit të madh pjellë e të cilit është Gjykata e Posaçme, rastin për të rikujtuar kushtet tejet të veçanta në të cilat u ngrit kjo gjykatë, e kështu me radhë.

Kuptohet vetvetiu që kriza e çelur përmes votimit të rezolutës duhet të çojë në negociata me aleatët. Projektligji që do të votohej më pas mund të shfaqet atëherë si fryt i një marrëveshjeje.

A mendoni ju që do të mund të gjykohen ndonjëherë në Hagë krimet e kryera nga serbët në Kosovë?

Jo. Krimet e kryera nga ushtria, forcat e sigurisë dhe paraushtarakët serbë gjatë luftës së viteve 1998-1999 nuk mund të gjykohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, sepse kjo është krijuar vetëm në vitin 2002 dhe kompetencat e saj nuk janë prapavepruese. Madje, gjykimi i këtyre krimeve nuk është as në kompetencën e Gjykatës së Posaçme për Kosovën.

Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit të kryera nga serbët në Kosovë nuk do të gjykohen pra kurrë në Hagë. Nëse ato do të gjykohen ndonjëherë, kjo mund të ndodhë vetëm në suazën e gjykatave të Serbisë ose të Kosovës.

Pikërisht edhe për këtë arsye, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për të cilat akuzohen sot udhëheqësit e UÇK-së do të duhej të gjykohen në Prishtinë. Për sa kohë që ndaj tyre nuk është ngritur kurrfarë akuze lidhur me trafik organesh, nuk mund të ketë asnjë justifikim që procesi i tyre të jetë i zhvendosur në Hagë.

  • Perktheu :Arben Leskaj-E dergoi per Diellin : Bardhyl Mahmuti

Filed Under: Interviste Tagged With: Rikthim I procesit, Serge Métais, uck

Në Zelandën e Re,Takim i përzemërt me Ambasador Dr. Hajdin Abazi

February 8, 2021 by dgreca

Nga Sabit ABDYLI/

Auckland, 7 shkurt 2021- Me iniciativën e Vesa Lumës me bashkëshortin e saj Geri Xhari në restoranti “Safran” me pronarë shqiptarë, komuniteti shqiptar në qytetin e Aucklandit e kaloi gjithë mbrëmjen në darkë të përbashkët me ambasadorin jo rezident të Republikës së Kosovës për Zelanden e Re  Dr. Hajdin Abazin me bashkëshorten Fitoren i shoqëruar edhe nga konsulli i nderit për R. e Kosovës në Zelandën e Re Prof. Dr. Kenneth Jackson.  Me ketë rast Ambasadori Hajdini u falënderua për pritjen dhe shprehu kënaqësinë që ndodhej në mesin e bashkëpatriotëve të tij nga të gjitha tokat shqiptare. U ndjeva krenar, vazhdoi ai, që me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale në Wellington dëgjova fjalë të mira nga qeveritarët zelandez për Mërgatën shqiptare që në numër janë pak, më thanë ata,  por punëtor e sjellje komfort ligjeve të vendit. Pastaj vazhdoi prajshëm Ambasadori Hajdin Abazi, poet e diplomat, që me krismat e para për liri në Kosovë lash Suedin ku isha me leje qëndrimi, lash poezinë, rroka armët jo se  e doja luftën, por e doja lirinë e  ekzistencën e popullit tim në trojet hon e dan të  veta që kur mbiu lisi  Në bashkëbisedim gjatë darkës u prekë gjeografia e historia shqiptare, diaspora e kontributi i saj, qëndresa dhe lufta që na u imponua në fund të shekullit XX, konsolidimi i shtetit  të Kosovës, bashkëpunimi me diplomacitë e shteteve që na kanë njohur dhe dy shteteve tona shqiptare. Në ketë takim nuk munda të mos e pyesja Ambasadorin për fotografinë  me diplomatin amerikan Richard Holbrooke 1941-2010 në Junik (24 qershor 1998), fotografi kjo që entuziazmoi  shqiptarët për angazhimin e përkrahjen e administratës amerikane në zgjidhjen e çështjes shqiptare.Në ketë takim ishte edhe Konsulli i nderit Dr. Jacson për Republikën e Kosovës në Zelanden e Re, i cili në vitin 2016 ka punuar në një komision profesional në Parlamentin e Republikës së Kosovës për hartimin e raportit rreth industrisë së resurseve, minierave dhe ekonomisë dhe njohës i shkëlqyeshëm i situatës politike në Kosovë e përtej saj foli për marrëdhëniet e qëndrueshme e të ndërsjella mes Kosovës e Zelandës së Re. Qemajl Murati në emër të të pranishmëve shqiptaro-zelandez falënderoi Ambasadorin Abazi e Konsullin Jacson për punën e zellin e madh që po bëjnë në thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona. Me ketë rast bëmë edhe fotografi.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Aukland, Dr. Hajdin Abazi, Sabit Abdyli

Si lindi Gazetaria e verdhë në Amerikës

February 8, 2021 by dgreca

Nga Albana M Lifschin*/

Gazetaria e verdhë është një stil i informimit të ngjarjes për publikun ku sensacioni del mbi faktet. Ky term “yellow journalism” lindi në fund të shek të XIX në Nju Jork, gjatë konkurencës midis dy gazetave më të mëdha të kohës, New York World dhe New York Journal, me botues Joseph Pulitzer dhe Wiliam Randolph Hearst. Fillimisht gazetaria e verdhë nuk kishte të bënte me informimin e ngjarjes dhe përfaqsohej me karikatura nga jeta e Nju Jorkut në lagjet e varfëra, të botuara në New York World, skicime të Richard Outcauld, karikaturist i gazetës. Personazhi më i njohur i karikaturistit u quajt “yellow kid” për shkak të ngjyrës në botim, prej nga erdhi dhe termi “yellow journalism”.

Me qëllim që të rriste shitjen e gazetës së tij, “New York Journal”, në 1896 botuesi Wiliam Randolph Hearst ia mori karikaturistin gazetës “New York World” përmes një beteje të ashpër. Joseph Pulitzer, iu desh të gjente një karikaturist tjetër. 

Ndërkohë termi ‘yellow kid ‘ u bë term i ditës që nënkuptonte gazetarinë e verdhë e cila i jepte dorë sensacionalizmit në përshkrimin e ngjarjeve shoqëruar me skica e karikatura. Gazetaria e verdhë fitoi një ndikim të madh në zhvillimin e ngjarjeve. Rasti më i përmendur është ai i luftës midis Amerikës dhe Spanjës për çeshtjen e Kubës. Kuba ka qënë për një kohë të gjatë koloni e Spanjës. Në këtë koloni kishte filluar lëvizja revolucionare për shkëputje nga Spanja dhe fitimin e pavarësisë. Botuesit e dy gazetave më të mëdha të Nju Jorkut, Hërst dhe Pulitzer, i kushtuan vëmendje të madhe pasqyrimit të ngjarjeve në Kubë, shtypjes që i bëhej popullsisë nga qeveria spanjole, ndjekjen e atyre që kërkonin pavarësi deri tek internimi në kampe përqëndrimi. Disa herë nga gazetat u publikuan edhe ngjarje falso,( fake news) Ngjarjet e ilustruara dhe me tituj të dukshëm që tërhiqnin lexuesit, rritën e tirazhin e gazetave. Në shkurt të vitit 1898 marëdhëniet midis SHBA dhe Spanjës erdhën drejt përkeqësimit me shpejtësi. 

Ja një rast i ndikimit të medias së atëhershme amerikane në zhvillimin e ngjarjeve:

Një letër private e ambasadorit spanjol Dupy de Lome ku fliste keq për presidentin amerikan McKinley, ra në duart e Hërst-it dhe u bë publike në gazetën e tij. Qeveria spanjole tërhoqi menjëherë ambasadorin e saj dhe kërkoi ndjesë. Piku i konkurencës së dy gazetave më të mëdha arriti në 15 shkurt 1898, kur anija amerikane e luftës”Maine” u mbyt në portin e Havanës. Anija qe shpënë atje si demonstrim i forcës amerikane, pikërisht në kohën kur një anije spanjole kishte mbërritur në NYC. Në 15 shkurt anija Maine u shkatërua nga shpërthimi i një eksplozioni në bord, ku humbën jetën 260 detarë. Si Hërst ashtu dhe Pulitzer, deklaruan në gazetat e tyre që shpërthimi në anije qe rezultat i një komplloti spanjol. Megjithëse kjo nuk u provua, ky moment u kap dhe u zhvillua nga gazetaria e verdhë duke nxitur opinionin amerikan për luftë. Gazetat ndihmuan në krijimin e një klime të favorshme për shpërthimin e një konflikti ndërkombëtar dhe ekspansionit të influencës amerikane përtej kufijëve të saj. Shumë qytetarë amerikanë kërkuan të deklarohej Lufta.

Parulla e ditës u bë: “Mos harroni Maine!”

Në 11 prill presidenti McKinley i kërkoi kongresit lejen për përdorimin e forcës në Kubë. Në fillim të Majit të atij vitit, filloi lufta amerikano-spanjole. Ndërkohë Amerika deklaronte se ishte në favor të indipendencës së Kubës dhe jo aneksimit të saj.

( Marre nga libri “Perendimi mistik” 2016).

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albana M. Lifschin, Gazetaria e verdhë, në Amerikës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 203
  • 204
  • 205
  • 206
  • 207
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT