• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Referendumi në Turqi, neootomanizëm apo rritje e autokratëve në Ballkan?

April 18, 2017 by dgreca

Nga Arber Vllahiu/

Referendumi në Turqi mund të nxisë rritjen e demokracive jo liberale dhe shtimin e liderëve autokratë në rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën, posaçërisht përmes shtrirjes së ndikimit jo vetëm politik por edhe atij ekonomik të Turqisë në rajon, thonë njohës të politikave ndërkombëtare.Sipas tyre vazhdimi i përplasjeve të politikës aktuale turke me Evropën do të mund të shtojë edhe frymën ‘anti-evropiane’ në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ndikimi turk është ende i madh.

Një referendum, i zhvilluar të dielën në Turqi, me të cilin shtohen përgjegjësitë dhe pushteti i presidentit të Turqisë, e nxori fitues me mbi 51 për qind të votave presidentin aktual Recep Tayyip Erdogan, që nxiti prej kohësh këtë hap.

Me rezultatet e referendumit, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ‘Turqia po i jep fund periudhës së një shteti properëndimor të Ataturkut’ dhe kjo, thotë ai, do të ketë efekte në Ballkan ‘në pjesën që njihej dikur si pjesa evropiane e ish Perandorisë osmane ku ndikimi kulturor ka vazhduar edhe pas largimit të saj’.

”Mendoj se tani vazhdimi i politikës agresive ndaj Evropës, nga ana e presidentit aktual, do të çojë sinjale inkurajuese tek rrymimet islamike që ekzistojnë në Ballkan, tek të gjitha shoqëritë dhe shtetet e Ballkanit, ku ka një shumicë të konsiderueshme myslimane dhe ky do të jetë efekti i parë. Për pasojë mund të rris tendencat anti-evropiane në këtë pjesë të Evropës”, tha Hasani.

Kjo në mënyrë të pashmangshme, thotë Hasani, do të përfshijë Kosovën meqë ‘Turqia përgjithësisht ka pasur ndikim këtu për shkak të politikave të jashtme’.

“Me ardhjen në pushtet të partisë së Erdoganit, ne kemi parë se në mënyrë graduale ka pasur edhe reflektime në Kosovë në kuptimin se është parë si një fytyrë tjetër, si një imazh i islamit politik, një version i tij, që mund të kultivohet në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan”, tha Hasani.

Ndikimi i islamit turk në rajon dhe posaçërisht në Kosovë është theksuar kohë më parë nga David Phillips, nga Universiteti Columbia në New York, i cili pati deklaruar se ‘Turqia, përmes Agjencisë turke për zhvillim ndërkombëtar (TIKA), si dhe përmes ambasadës së saj në Kosovë, ka krijuar pozicion të fortë dhe të dukshëm, por agjenda e saj’, siç ka thënë ai, “nuk është që t’i ndihmojë kosovarët, por që ta promovojë islamin turk në Kosovë”.

Shtrirja e ndikimit turk në Kosovë, ka nisur prej para shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2008, me hapjen e një numri shkollash fillore dhe të mesme dhe posaçërisht përmes rindërtimit të një numri xhamish, por ajo u shtua në vitet e para të pavarësimit të vendit, të cilën Turqia e njohu në mesin e shteteve të para.

Vetëm në një hark kohor prej 10 vitesh, ndërmjet viteve 2004 dhe 2014, Turqia thuhet se ka investuar në Kosovë mbi 360 milionë euro, ndërkohë që zyrtarisht thuhet se janë afro 700 kompani turke që veprojnë në Kosovë.

Tri fushat kryesore ku Turqia arriti të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë, janë infrastruktura rrugore – përmes ndërtimit të autostradave; ajo ajrore – me marrjen me koncesion të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës dhe në fushën e energjisë – përmes investimeve në sistemin e distribuimit.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës,Vigan Qorolli, i tha Radios Evropa e Lirë se referendumi në Turqi ‘mund të rris autoritarizmin në vendet e Ballkanit Perëndimor’.

“Kjo do të shkaktojë një valë të re të rritjes së demokracive jo-liberale dhe liderëve autoritarë në Evropë dhe pjesën tjetër të botës aty ku Turqia ka një lloj ndikimi dhe e manifeston patjetër këtë lloj ndikimi. Kjo vecanërisht mund të vërehet në Ballkanin Perëndimor në shtetet ku rritja e influencës turke bëhet kryesisht nëpërmjet ekonomisë”, tha Qorolli.

Sipas tij shtetet e Ballkanit Perëndimor ‘janë të varura ekonomikisht nga Turqia” që, siç thotë, ‘do të ngjallë reaksion zingjiror tek liderët që i besojnë Erdoganit” dhe sipas tij, edhe politikave neootomane’.

“Kohët e fundit Turqia është bërë një magnet për njerëzit politikë të Ballkanit. Vendet e Ballkanit Perëndimor sigurisht në aspektin politik do të jenë të varura edhe më tutje nga ekonomia turke sepse shtetet e perëndimit po hezitojnë të investojnë në shtetet e Ballkanit perëndimor dhe në Kosovë”, tha Qorolli.

Sidoqoftë, referendumi turk sado që mund të ndryshojë gjithë zhvillimet në vetë Turqinë do të ndikojë, thonë njohësit e zhvillimeve politike, mbi ndryshimet në qasjen dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit që synimet megjithatë i ka të orientuara drejt integrimeve evropiane.

Filed Under: Analiza Tagged With: autocrate en Ballkan, Referendumi ne Turqi

SHBA-Kore e Veriut: Në prag të luftës?!

April 18, 2017 by dgreca

Ne Foto:Koreja e Veriut ka treguar kapacitetet ushtarake në një paradë në Phenjan, më 15 prill./

Pak kohë pasi nënpresidenti amerikan, Mike Pence, deklaroi se “koha e durimit strategjik” ndaj Koresë së Veriut “ka marrë fund”, sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë tha se duhet pasur tolerancë edhe për pak durim.

“Mendoj se do të vazhdojmë të punojmë me Kinën, për të na ndihmuar që të gjejmë një rrugë përpara”, tha Sean Spicer në konferencën me gazetarë.Ai shtoi se administrata do t’i japë Pekinit kohë për të shfrytëzuar ndikimin e tij ekonomik dhe politik mbi Phenjanin.

Koreja e Veriut ka shpeshtuar provat e saj bërthamore dhe rakterore, viteve të fundit, pavarësisht dënimeve nga komuniteti ndërkombëtar dhe sanksioneve nga Kombet e Bashkuara.Qëllim i saj është të ketë kapacitet për të vënë kokat bërthamore në raketa balistike ndërkontinentale, të cilat mund të arrijnë caqe në gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara.Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe ka rritur presionin mbi Phenjanin.

Ai ka dërguar aeroplanmbajtëse drejt Gadishullit Korean, ndërsa SHBA dhe Koreja e Jugut kanë nisur të vendosin një sistem të mbrojtjes raketore.

Zëvendësambasadori i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Kim In Ryong, tha se SHBA po e shtyn Gadishullin Korena “në prag të luftës” dhe paralajmëroi se “lufta bërthamore mund të shpërthejë në çdo moment”.

Retorika e tillë agresive, megjithatë, është e zakonshme nga media shtetërore e Koresë së Veriut dhe vetë zyrtarët verikoreanë.

Por, vëzhguesit thonë se, pavarësisht tensioneve, Koreja e Veriut mund të kryejë së shpejti testin e gjashtë bërthamor. Ajo ka bërë përpjekje të testojë një raketë të dielën, por ka eksploduar vetëm pak sekonda pas nisjes.

Kina ka përsëritur thirrjet e saj për Phenjanin që të ndalojë të gjitha provat dhe ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang, tha se Gadishulli Korean është “shumë i ndjeshëm, i komplikuar dhe me rrezik të lartë” dhe se të gjitha palët “duhet të shmangin veprimet provokuese që derdhin vaj mbi zjarr”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se shpreson se SHBA nuk do të ndërmarrë veprime të njëanshme ushtarake kundër Koresë së Veriut, ashtu siç ka bërë së voni në Siri.

“Lëshimet aventureske raketore të Phenjanit i shohim si të papranueshme, sepse shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por, kjo nuk do të thotë se të tjerët mund të shkelin ligjin ndërkombëtar dhe të përdorin forcën ushtarake”, tha Lavrov.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, ka thënë se “Koreja e Veriut do të bënte mirë” nëse nuk do të testonte vendosmërinë e presidentit Trump ose fuqinë e forcave të armatosura të SHBA-së.

Sot në Tokio, Pence i siguroi autoritetet japoneze se SHBA është e angazhuar për të frenuar ambiciet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut, e cila po ashtu ka kërcënuar se do të shkatërrojë Japoninë.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Politike Tagged With: Në prag të luftës?!, SHBA-Kore e Veriut:

KOSOVA, PROGRAM KOMBËTAR PËR MSA-në

April 18, 2017 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës miraton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale/

-Miratohet Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për periudhën 2017-2021/
PRISHTINË, 18 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës miratoi sot me shumicë votash Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.
Deputetët shqyrtuan dhe miratuan Propozim – Programin e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017, i cili edhe në debat nuk u përkrah nga opozita, derisa po vazhdon sot me axhendë 13 pikëshe seanca e ndërprerë në mungesë kuorumi në 11 prill, me votimin dhe shqyrtimin e pikave të mbetura, me disa plotësime.
Seanca vazhdoi me shqyrtimin dhe miratimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për periudhën 2017-2021 dhe të Rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me Propozim-vendimin e datës 10 mars 2017 të Avokatit të Popullit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.
 
Kuvendi i Kosovës, i cili nesër zhvillon seancë tjetër të re, sot fillimisht kishte në axhendë votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, si dhe të Propozim-rezolutës në lidhje me arrestimet e aktivistëve  të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe pse në sallën e seancës plenare kishte numër të mjaftueshëm deputetësh në procesin e votimit rezultoi se nuk kishte kuorum-vota të mjaftueshme për t’i kaluar.
 
Në vijim të seancës, për herë të parë shqyrtohet Projektligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, ndërsa është paraparë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, si dhe i atij për automjete.
Do të shqyrtohen edhe raportet e dy komisioneve parlamentare:  Raporti i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me zbatimin e Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, si dhe raporti i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë.
Në axhendën e sotme të Kuvendit të Kosovës është edhe zgjedhja e një anëtar të Komisionit të Pavarur për Media.
 
 
Ambasadori amerikan Delawie përkrah miratimin e Ligjit të ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale
 
Ambasadori Amerikan në Kosovë Greg Delawie ka përkrahur miratimin e Ligjit të ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale,duke e vlerësuar si një hap konkret kundeër luftimit të korrupcionit.
“Me kalimin e ligjit mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, kuvendi mori hap konrekt ne luftimin e korrupsionit. Lajm i shkelqyeshem(shume i mire)!”,shkruan Delawie, në Twitter.
Ky ishte edhe njëri nga ligjet për të cilat ambasadori amerikan Delawie kishte bërë thirrje për t’u miratuar, duke theksuar se kjo është e duhur për të luftuar korrupsionin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bell Jashari, kosova, MSA, program kombetar

Ministrja Hoxha: Mënjanohet ndërhyrja në gjyqësor

April 18, 2017 by dgreca

-Pas aprovimit në Kuvendin e Kosovës të projektligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale/

-Ministrja Hoxha e vlerësoi si shumë pozitive ndryshimin e nenit 94 të Ligjit të deritashëm për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Sipas këtij neni, Ministri si i emëruar politik, kishte mundësi të pezullojë ekzekutimin e dënimit, kjo ishte parë si mundësi e ndërhyrjes së politikës në drejtësi/

Prishtinë, 18 Prill 2017/ Sot, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është aprovuar Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe me këtë rast, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka theksuar se aprovimi i këtij projektligji është i një rëndësie të veçantë sepse mënjanon ndërhyrjen politike në ekzekutimin e sanksioneve penale.

“Përmes këtij projektligji dëshmojmë se vërtet jemi për reforma, sundim të ligjit dhe për sistem mbi vlerat dhe parimet ndërkombëtare”, theksoi ministrja Hoxha.Me theks të veçantë, Ministrja vuri në dukje ndryshimin e nenit 94 të ligjit, sipas të cilit, Ministri si i emëruar politik, kishte mundësi të pezulloj ekzekutimin e dënimit dhe është vlerësuar si mundësi për ndërhyrje politike në drejtësi.“Kjo çështje tashmë është ndryshuar dhe një mundësi e tillë i është bartur gjykatës si institucion kompetent për çështje të tilla, dhe kjo konsiderojmë se pos që është në  harmoni me parimet kushtetuese, është edhe konform standardeve ndërkombëtare, si dhe është edhe një hap i rëndësishëm në drejtim të ndarjes së pushteteve, ku gjykata vendos për dënimin dhe për mundësinë e pezullimit, kurse Ministria e Drejtësisë vetëm e bën ekzekutimin e vendimeve të tilla”, theksoi ministrja Hoxha.

Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, ka filluar të zbatohet nga viti 2013 dhe gjatë zbatimit të tij, janë hasur disa pengesa dhe vështirësi të cilat përmes këtij projektligji Ministria e Drejtësisë kishte synim eliminimin e mangësive për ekzekutimin e sanksioneve penale.Projektligji përmban dispozitat që i referohen çështjes së lirimit me kusht, duke përfshirë përbërjen e Panelit për lirim me kusht, si dhe mundësinë e atakimit të vendimit të panelit, Përkujdesjes shëndetësore për të dënuarit, Dispozitat që i referohen pushimit në raste të jashtëzakonshme, Pezullimit të ekzekutimit të dënimit me burgim për arsye shëndetësore, Lirimi i parakohshëm i të dënuarit si dhe harmonizimi i dispozitave të këtij projektligji me reformat që parasheh ligji për kundërvajtje.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dhurata Hoxha, Ministry e Drejtesise

SHBA, kërkohet vrasësi i Ohajos

April 18, 2017 by dgreca

Një kërkim mbarëkombëtar po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, për të kapur personin e dyshuar, i cili qëlloi për vdekje një të moshuar dhe postoi pamjet në rrjetet sociale.
I dyshuari, Steve Stephens, deklaronte në një video tjetër se, kishte vrarë të paktën 13 persona, dhe se kishte ndërmend të vriste të tjerë. Ai qëlloi për vdekje me pistoletë 74-vjeçarin Robert Godwin në Ohajo, teksa ai shkonte në shtëpi pas drekës së Pashkës. Ndërkohë, edhe bordi menaxhues i Facebook, ku u publikuan pamjet, ka nisur një rishikim të procedurave pas kritikave se pamjet e vrasjes kishin qëndruar të publikuara për disa orë. Autoritetet policore u kanë kërkuar banorëve në Ohajo, Indiana, Miçigan, Nju Jork dhe Pensilvani që të tregohen të kujdesshëm pasi i dyshuari mund të jetë kudo. Departamenti i Policisë së Klivlendit ka shpërndarë edhe foto të Stephens, 37 vjeç, duke vënë në dukje edhe karakteristikat e tij: me ngjyrë, i gjatë 1.86 m dhe peshë 110 kg. 
Shefi i policisë së këtij lokaliteti, Calvin Williams, u tha gazetarëve se Stephens, i cili ka leje për armëmbajtje, është padyshim i armatosur dhe i rrezikshëm. Sinjali i celularit të tij ishte lokalizuar për herë të fundit ditën e diel, në Eri të Pensilvanisë.

Ky lajm është kujtesë dhe për shqiptaro-amerikanët. {Dielli}

Filed Under: Kronike Tagged With: kërkohet, SHBA, vrasësi i Ohajos

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2066
  • 2067
  • 2068
  • 2069
  • 2070
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT