• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESMENI ELIOT L. ENGEL MBI POLITIKËN AMERIKANE NDAJ KOSOVËS

March 23, 2017 by dgreca

  Përgatitur nga Frank Shkreli/

Përfaqsuesi demokrat në Kongresin amerikan, njëherazi edhe nën-Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Politikën e Jashtme dhe njohës i mirë i çështjeve shqiptare në Ballkan, Eliot Engel mbajti të mërkurën një fjalim mbi politikën e Shteteve të Bashkuara karshi Republikës së Kosovës.

Fillimisht, miku i njohur i shqiptarëve numëroi ato që ai tha se janë suksese dhe arritje të viteve të fundit të shtetit më të ri në Evropë, duke përfshirë ndër të tjera medaljen e parë të artë olimpike të Kosovës, mbajtjen e konferencave me rëndësi ndërkombëtare mbi bashkpunimin dhe tolerancën në fushën fetare atje, antarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në ente të tjera botërore, si dhe njohjen diplomatike deri tashti të pavarësisë së Kosovës nga më shumë se 110 shtete të botës.   Ai theksoi në fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqsuesve, se këto janë vetëm disa prej arrijtjeve të deri tanishme të shtetit të ri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër të parat shtete që kanë njohur më së pari pavarësinë e Kosovës dhe sot jemi mbështetsi më i fortë i saj dhe me të drejtë”, nënvijoi kongresmeni Engel.  Së pari, Kosovën e njohu si shtet të pavarur  Presidenti Xhorxh Bush dhe marëdhëniet vazhduan të forcoheshin gjatë administratës së Presidentit Barack Obama. Si përfundim, Republika e Kosovës, theksoi ai, krenarisht e konsideron veten si mbështetsja më e fortë e Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Mirëpo, Zoti Eliot Engel nënvijoi se kjo nuk do të thotë se Kosova është një vend i përsosur në çdo pikëpamje. “As ne nuk jemi një vend i përsosur”, u shpreh ligjvensi amerikan, por “Korrupsioni në Kosovë duhet të luftohet dhe reforma në drejtësi po zhvillohet me një ritëm tepër të ngadalëshëm, ndërkohë që përqindja zyrtare e papunësisë sillet diku rreth 30 për qind. Si rrjedhim, është e qartë se në Kosovë mbetet shumë për tu bërë”, deklaroi njëri prej mbështetsve më të mëdhej të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithsi, në Kongresin amerikan.

Por, në fjalimin e tij mjaft të gjatë, Zoti Engel iu këthye përsëri optimizmit të tij mbi të ardhmen e Kosovës, duke thënë se nga vizitat e shumëta që i ka bërë atij vendi gjatë viteve, ai ka parë secilën herë përparimin e bërë atje, duke thënë se “Jam i bindur për të ardhmen e shkëlqyer të Kosovës.”  Ai u shpreh se siç e ka thënë shpesh herë, se kurdo që udhtojë nepër botë si shtetas amerikan, askund nuk më presin me më shumë dashuri e miqësi se ç’është rasti kur vizitoj Kosovën. “Njerëzit në Kosovë”, shtoi ai, “me të vërtetë i duan amerikanët dhe çdo gjë amerikane”.

Ai iu drejtua Dhomës së Përfaqsuesve të Shteteteve të Bashkuara duke thënë se në këtë moment, “Mënyra më e mirë për të ndihmuar Republikën e Kosovës është me mbështetje të fortë, ashtu siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara gjatë viteve”.  Por, ai tha se ekzistojnë pengesa të mëdha ndaj zhvillimit normal të Kosovës, shumica e të cilave vijnë nga jashtë kufijve të Kosovës.   Ai tha se Kosova dëshiron, ashtu si të gjitha vendet e rajonit, të bëhet pjesë e një Evrope të sigurt e të integruar, me antarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.  Si shëmbull i këtyre pengesave nga jashtë, ligjvensi amerikan përmendi mos njohjen e shtetit të Kosovës nga “Pesë vende evropiane dhe bllokimin e antarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve Bashkuara nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia”, u shpreh ai.

“Në fakt, Serbia po përpiqet të bllokojë Kosovën në çdo rast dhe kohët e fundit ka shtuar tensionet” në rajon u kujtoi ai kolegëve të tij.  Si masa tensioni të mbsëhtetura nga Serbia, ligjvensi amerikan Eliot Engel përmendi trenin propagandistik të mbishkruar në 21 gjuhë të huaja me fjalët, “Kosova është Serbi”, me qëllim për të shkaktuar trazira në radhët e popullsisë së vogël serbe në Kosovë — dhe ndërtimin e murit famëkeq në Mitrovicë.  Për më tepër, “Serbia, vazhdon tu mohojë drejtësinë familjeve shqiptare të qindra viktimave si rezultat i fushatës serbe të spastrimit etnik kundër shqiptarëve, përfshirë rastin e tre vëllëzërve Bytyqi, shtetas amerikanë”, theksoi Z. Engel.  Ai përmendi gjithashtu edhe urdhër arrestin e Interpolit serb për Ramush Haradinaj, i cili u arrestua nga autoritetet franceze, por i cili është gjetur dy herë i pafajshëm nga tribunali ndërkombëtar, theksoi Engel.  Franca, tha ai, “Duhet ta lejojë Ramush Haradinajn të këthehet në Atdhe. Mjaft është mjaftë”, deklaroi kongresmeni amerikan para Kongresit.

Në vijim, ai shprehu dyshimin e të ashtuquajturit sukses të bisedimeve, midis Beogradit e Prishtinës, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke thënë se “Serbia po pengon integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe se kësaj duhet t’i thuhet stop njëherë e mirë!”  Në fjalimin e tij, Zoti Engel iu drejtua kolegëve ligjvenës në Kongres duke thënë se, “Ju mund të habiteni të mësoni se pas 9 vjetësh si shtet i lirë e i pavarur, Kosova ende nuk ka një ushtri të vetën.  Pra, një shtet i pavarur e sovran, pa ushtri!  Kosova”, tha ai, “ka një Forcë Sigurie, por asgjë në krahasim me forcat e mëdha të armatosura serbe dhe të furnizuara mirë nga Rusia”, në kufirin e saj.  Ai theksoi se është aburd fakti që Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin, tani për tani, themelimin e një ushtrie të shtetit të Kosovës.   Është një qëndrim që duhet të ndryshojë sa më parë nga ana e Washingtonit, pasi armët dhe furnizimet ruse vazhdojnë të dërgohen pa pengesë në Serbi, me miratimin e Vladimir Putinit.

Megjithëtë, Eliot Engel theksoi se marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën janë të forta dhe e ardhmja e tyre është e shkëlqyeshme.  Duhet të qëndrojmë dhe të vazhdojmë në këtë rrugë, ka thënë ai.  “Si shtet i ri”, Kosova nënvijoi ai, “ka nevojë për ndihmë. Ne e dimë më mirë se çdo kush se sa e vështirë është të ndërtohet demokracia, nganjëherë haset në pengesa e herë të tjera është e mevojshme ndihma”, u shpreh ai para Kongresit.   Z. Engel nevijoi se mbështetja amerikane për Kosovën tani, është më e rëndësishme se kurrë më parë.   Kjo është arsyeja, theksoi miku i shqiptarëve në Kongresin amerikan, që Shtetet e Bashkuara të punojnë për thellimin e marrëdhënieve tona, të shtojmë mirëkuptimin dhe të vazhdojmë të mbështesim stabilitetin anë e mbanë gadishullit ballkanik.  “Kjo është mënyra e vetme për të garantuar një Kosovë më të begatshme, më demokratike dhe multi-etnike dhe kjo është mënyra që Shtetet e Bashkuara të krijojnë gjtihashtu edhe një rajon të lirë dhe në paqë në Ballkan, si pjesë e një Evrope të bashkuar.

Në fund të fjalimit, Elot Engel u bëri thirrje Shteteve të Bashkuar që të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës si shtet i lirë e i pavarur.  Për shumë vite, shtoi ai, popullit të Kosovës u ishin mbushur veshët me gënjeshtra e propagandë kundër Shteteve të Bashkuara gjatë sundimit të regjimeve komuniste shekullin e kaluar, por ata nuk i kanë besuar kurrë ato rrena, tha Z. Engel. “Populli i Kosovës, pohoi ai, është mirënjohës për të gjitha ato që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për atë vend në të kaluarën.  Është një popull të cilin e dua për mik, për miq të tillë kemi nevojë”, u shpreh Engel.

Zoti Engel e përfundoi fjalimin e tij të mërkurën, në sallen e madhe të Dhomës së Përfaqsuesve, me një mesazh për popullin dhe qeverinë e Kosovës, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë jush dhe do të jenë gjithmonë me ju”. Ndërsa iu drejtua qeverisë së Serbisë me këto fjalë: “Ne përkrahim aspiratat e popullit serb për antarësim në Bashkimin Evropian, por Serbia duhet të ndalojë menjëherë masat që ka ndërmarrë për bllokimin e antarësimit të Kosovës dhe të ndërpresi njëherë e mirë masat luftënxitëse kundër Republikës së Kosovës.” Të dy shtetet, tha në fund të fjalimit të tij Z. Engel, “duhet të antarësohen në Bashkimin Evropian dhe eventualisht në NATO, pa u penguar nga njëra tjetra.”

Përgatiti Frank Shkreli

 

Më poshtë teskti i plotë i fjalimit të Z. Engel në anglisht:

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kongresmeni Engel, kosova, politika amerikane

Në 18 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë: Binomi i pandarë – NATO dhe Kosova

March 23, 2017 by dgreca

Shkruan: Prof. Asoc, Dr. Enver Bytyçi/2 enver-Bytyci-1Nesër mbushen 18 vite nga koha kur avionët e NATO-s filluan bombardimet kundër caqeve ushtarake të Serbisë. Në orën 19. 45 të datës 24 mars 1999 avionët e Aleancës lëshuan mbi Jugosllavinë e mbetur bombat e para, duke shënuar fillimin e një fushate historike për t’i dhënë fund një konflikti më shumë se njëshekullor në Kosovë. Presidenti amerikan, Bill Clinton, atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se ai kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Duke njoftuar urdhërin e tij për bombardimet kundër Serbisë, Bill Clinton u tha amerikanëve se “Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Milosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftra të tmerrshmë në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”. Presidenti amerikan në atë fjalim para kombit amerikan përcaktoi dhe objektivat strategjike të operacioneve ushtarake, të cilat konsistonin në demonstrimin e forcës kundër agresionit të Milosheviçit në Kosovë, që ai të ndalë sulmet kundër civilëve të pambrojtur, si dhe të dobësohej fuqia ushtarake e Serbisë, me qëllim që ajo të mos mund të vazhdonte me tej agresionin e saj ushtarak në Kosovë. Dhe jo vetëm Bill Clinton… Thuajse në të njëjtën njëjtën orë dolën atë natë në ekranet e televizioneve kombëtare udhëheqësit kryesorë të Europës Perendimore për t’u kumtuar popujve të tyre vendimin për t’i ardhur në ndihmë një populli që po përndiqej, masakrohej dhe shpërngulej prej trojeve të veta, shqiptarëve të Kosovës. Tony Blair në Londër, Gerhard Schreoder në Berlin, Shirak në Paris e të tjerë burra shteti u detyruan të justifikonin aksionin ushtarak të ushtrive të tyre, me qëllim që ky aksion të merrte dimensionet e veta reale. Kancelarit gjerman i duhej të shpjegonte se pse Gjermania për herë të parëpas Luftës së Dytë Botërore do ta nxirrte ushtrinë e saj jashtë kazermave të mbyllura e do t’i bashkëngjitej veprimeve luftarake të Aleancës. NATO për herë të parë në historinë e saj 50 vjeçare u bashkua njëzëri për t’i dhënë një mësim të mirë agresionit serb në Kosovë dhe për të parandaluar katastrofën humanitare dhe zgjerimin e konfliktit në rajon. Ishte aksioni i parë ushtarak i Aleancës në një territor jashtë vendeve anëtare të saj. Ishte gjithashtu kthesa më e rëndësishme në vendosjen e rendit të ri botëror pas rënies së Murit të Berlinit. Ishte kjo një ndërmarrje ushtarake më e madhja në historinë e NATO-s, pas shterrimit të të gjitha mjeteve diplomatike e politike preventive për t’i dhënë fund terrorit serb të Milosheviçit në Kosovë. Katër ditë pas fillimit të bombardimeve,më 28 mars, ministri i Mbrojtes i Gjermanisë, Rudolph Scharping kishte folur për herë të parë “për krime kundër njerëzimit” të Beogradit në Koosovë. Ndërsa pak ditë më pas, ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, masakrat e dhunën e Milosheviçit në Kosovë i konsideroi si “Makineria e vdekjes e Milosheviçit” dhe foli për “SS-të serbë”, ndërkohë që kundështarët e sulmeve të NATO-s i quajti “përkrahës të fashizmit të ri”. Fischer shkoi më tej, kur masakrat në Kosovë i krahasoi me Aushvicin. Ai u shpreh se “Nuk kam mësuar vetëm nga nocioni “kurrë më luftë”, përkundrazi, kam mësuar nga nocioni “kurrë më një Aushvic i ri”. Po ashtu Tony Blair paralajmëroi se Europa nuk mund të pranonte që në fund të shekullit të XX të përsëritej koha e nazizmit. Nato vazhdoi bombardimet e saj kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë në një hark kohor prej 78 ditësh. Gjatë gjithë kësaj kohe Aleanca koordinoi jo vetëm programin e përditshëm të sulmeve ajrore, por edhe operacionin mediatik, me qëllim që opinioni publik të ishte gjithnjë i informuar dhe të mbështeste operacionet ushtarake të NATO-s. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bruksel dhe në disa qendra të tjera europiane u krijuan qendrat mediale të informacionit. Më e rëndësishmja prej tyre ishte Qendra Mediale e Operacioneve (Media Operations Centre – MOC) në selinë e NATO-s në Briuksel, ku u angazhuan së paku 20 ekspertët më të mirë të përpunimit të informacionit. Këtë qendër e drejtonte Alastair Campbell, një nga këshilltarët më të zotë te Tony Blair. U formuan gjithashtu kompanitë e performancës së imazhit të luftës. Të gjithë personazhet mediatikë, zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea, gjeneralët, ekspertët, politikanët, u angazhuan të argumentonin se “Përse kjo luftë kishte kaq shumë rëndësi për rendin e ri botëror”. Zëdhënësi Jamie Shea thoshte se “Kosova ishte e para luftë mediatike. Përdorimi i medias, beteja për përpunimin e opinionit ishin po aq të rëndësishme sa edhe sulmet ajrore”. Ndërkaq videokonferencat patën një efekt të jashtëzakonshëm sa i përket ritmikës së trajtimit të tematikave dhe proceseve. Megjithatë, siç ndodh në të gjitha rastet e konflikteve në botë, edhe në rastin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë konflikti çoi në polarizimin e palëve kundërshtare. Kundërshtarët e intervenimit të NATO-s në Kosovë e trajtuan konfliktin si pjesë të interesit dhe strategjisë së Perendimit dhe NATO-s, veçmas SHBA-ve, për zgjerimin e zonave të influencës. Organizatat e Lëvisjes për Paqen demonstruan dhe protestuan fushqishëm kundër luftës dhe ndërhyrjes së Aleancës në Kosovë. Në këto demonstrime kishte ndikim dhe intervenim nga pala kundërshtare Serbia dhe Rusia. Por pati gjithashtu raste kur kjo qasje u dekonspirua. Psh gjatë një proteste anti-NATO në Berlin protestuesit me kombësi serbe kishin hedhur parullat “Vdekje shqiptarëve”! Kjo e kompromentoi qëllimin e protestës, sepse në opinionin publik perendimor u dha mesazhi se “kërkohej ndalimi i përdorimit të forcës, për të legjitimuar dhunën e terrorin serb në Kosovë”. E gjithë dinamika e zhvillimeve të 78 ditëve të intervenimit ushtarak të NATO-s për Kosovën u zhvillua përmes debatit, nëse sulmet ajrore të saj ishin ose jo legjitime. E vërteta është se për këto sulme nuk pati një mandat të Këshillit të Sigurimit, siç edhe parashikohet në nenin 52 të Kartës së OKB-së. Kjo ndodhi për shkak se Rusia paralajmëroi veton e saj sa i përket autorizimit të aksionit ushtarak kundër Serbisë. Mungesa e një mandati të Këshillit të Sigurimit i çoi shumë ekspertë të konkludonin se bombardimet e NATO-s në Kosovë ishin të paligjshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Formalisht kjo ka një impakt jolegjitimiteti. Por në përmbajtje ekziston një e vërtetë tjetër substanciale. Kjo për disa arësye: 1. Masat e diplomacisë preventive të Bashkësisë Ndërkombëtare për ndërprerjen e dhunës serbe në Kosovë jane unikale, të papërsëritshme, së paku deri në këtë kohë. Për t’i dhënë fund këtij konflikti bashkësia ndërkombëtare, SHBA-të, NATO dhe BE punuan në koordinim me njëri-tjetrin në një periudhë kohore të gjatë. Ata u udhëhoqën nga përvoja e mëparshme e mosveprimit në Bosnjë, ku makineria ushtarake serbe shkaktoi terror masiv e masakroi mbi 150 mijë muslimanë, në emër të idesë së çmendur të “Serbisë së Madhe”. Cituar nga historiani me famë europiane, Holm Sundhaussen, Milosheviçi më 1989 kishte deklaruar se “Serbia ose do të bëhet e madhe, ose nuk do të ekzistojë fare”. Kjo formulë hitleriane e kishte zgjuar komunitetin ndërkombëtar. Prandaj bota demokratike krijoi instrumentet e parandalimit të dhunës e agresionit serb në Kosovë. U krijua Grupi i Kontaktit, në të cilin bënin pjesë SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Italia. Këshilli i Sigurimit e shqyrtoi situatën në Kosovë katër herë dhe në rezolutën 1190 të 30 shtatorit 1998 arriti në përfundimin se “Situata në Kosovë rrezikon një katastrofë humanitare dhe që ta përhapë konfliktin në të gjithë rajonin”. Ky konstatim, i votuar edhe nga Rusia, sipas kapitullit VII të OKB-së justifkon ndërhyrjen ushtarake për t’i dhënë fund konfliktit. Nëse Rusia nuk dha Ok e saj për këtë operacion, kjo ka të bëjë kryekëput me interesat e saj gjeopolitike, por jo me qëllimet dhe misionin që përcakton Karta e OKB-së. Kjo do të thotë se legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë e ka cënuar qëllimisht e drejta për veto e Rusisë. Ndërkohë përmbajtësisht ajo parashikohet në Kartën e OKB-së, përkatësisht në kapitullin VII të saj. 2. Legjtimitetin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë e përforcon fakti se para kësaj ndërhyrjeje u zhvillua në Ramboullet të Francës Konferenca për Kosovën, marrëveshjen e së cilës e firmosi pala shqiptare dhe e refuzoi pala serbe. Refuzimi i marrëveshjes nga Beogradi ishte fundi i një procesi dialogues dhe preventiv që konflikti të zgjidhej me mirëkuptim dhe në mënyrë paqësore. 3. Por këtë legjitimitet e përforcon gjithashtu fakti se në përfundim të luftës Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë të posaçme, atë me nr 1244, e cila e vuri Kosovën nën protektoratin ndërkombëtar dhe sigurinë e saj nën autoritetin e NATO-s. Kjo rezolutë e votuar edhe nga rusët pas kapitullimit të Milosheviçit e shndërroi në null gjithë procesin e mëparshëm, duke legjitimuar jo vetëm bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, por edhe duke përcaktuar të ardhmen e Kosovës sa i përket statusit dhe ushtrimit të vullnetit politik të shqiptarëve dhe banorëve të tjerë të saj. 4. Sa i përket legjitimitetit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ekspertiza mund të operojë edhe me një lloj deduksioni të tillë: Nëse Këshilli i Sigurimit do të autorizonte një ndërhyrje të forcës në Kosovë e ndërkohë NATO nuk do të donte ta ndërmerrte këtë aksion, cili do të ishte rezultatntja e një autorizimi të tillë? Eshtë krejt e natyrshme se Këshilli i Sigurimit nuk mund të impononte një aksion ushtarak të NATO-s. Helmetkaltërit e OKB-së do viheshin në situatën e masakrës së Sebrenicës. Prandaj më i rëndësishëm se një autorizim i KS ishte dhe mbetet vullneti i vendeve anëtare të NATO-s për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë. Kompaktësia e vendeve anëtare të NATO-s ishte suksesi më i madh i këtij aksioni. Duhet thënë se në këtë proces pati përpjekje për të ndaluar sulmet me rastin e festave të Pashkëve Ortodokse, por ato përpjekje dështuan. Një inciativë të tillë e ndërmori ministri i Jashtëm i Italisë, Lamberto Dini, i mbështetur nga Greqia dhe Franca, por Madllein Olbright dhe Joschka Fischer paralizuan përpjekjet e tyre për t’i dhënë Milosheviçit një sinjal se ai mund të tolerohej në terrorin që ushtronte kundër shqiptarëve në Kosovë. Më 9 qershor 1999 u nënshkrua në Kumanovë marrëveshja për paqen midis NATO-s dhe përfaqësuesve të Milosheviçit. Më 10 qershor u miratua në KS të OKB-së rezoluta 1244, e cila e shkëputi Kosovën përfundimisht nga Serbia dhe i dha asaj të drejtën për vetëvendosje. Më 12 qershor 1999 trupat ushtarake të NATO-s nën siglën e KFOR-it hyjnë në Kosovë dhe e vendosin atë përfundimisht në hartën e një vendi të lidhur me Aleancën Atkantike, Bashkimin Europian dhe vlerat amerikane të demokracisë. Pa këtë ndërhyrje Kosova nuk do të mund të shpallej e pavarur më 17 shkurt 2008. Megjithatë asaj i mbetet ende rrugë derisa të pranohet në OKB dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Kosova ka nevojë të integrohet në BE e sidomos në NATO. Institucionet e saj nuk duhet të harrojnë se mund të konsolidohen së pari përmes përkushtimit të politikës, por edhe përmes mbështetjes së vazhdueshme të NATO-s, SHBA-ve dhe Bashkimit Europian.

Filed Under: Featured Tagged With: 18 vjet, Dr. Enver Bytyci, kosova, NATO, Prof. Asoc

Shqipëri-Dita e Sulltan Nevruzit

March 22, 2017 by dgreca

Dita e Sulltan Nevruzit, presidenti Bujar Nishani uron nga teqeja e Ali Postivanit në Përmet/

1 Nishani Novruz

Presidenti Republikës, Bujar Nishani dhe zonja e Parë, Odeta Nishani morën pjesë në kremtimet e festës tradicionale të Sulltan Nevruzit në Teqenë e Baba Aliut, në Ali Postivan të Përmetit, duke uruar përzemërsisht këtë ditë të shenjtë të besimtarëve bektashinj.Me këtë rast Presidenti i Republikës dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” klerikun dhe udhëheqësin e shquar shpirtëror të bektashinjve, Baba Hekuran Nikollari me motivacionin: “Për kontributin e rëndësishëm në ringritjen, ruajtjen dhe përhapjen e besimit bektashian. Me vullnetin e Zotit si dhe talentin e përkushtimin e tij u ka ofruar besimtarëve bektashianë paqen fetare, dorën e ngrohtë, karakterin atdhetar, dashurinë hyjnore si edhe shpresë e besim tek mendimi filozofik që përfaqëson”.Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi:Së pari dëshiroj t’ju uroj nga zemra: Gëzuar festën e Festën e bekuar të Sulltan Novruzit, Gëzuar të gjithëve! Në këtë bukuri që të shikon syri këtu, s’ka sesi zemra të mos jetë njerëzore, e shpirti të jetë bujar.Jam shumë i lumtur që jemi sot së bashku në ditëlindjen e Imam Aliut, këtu në Teqen e Ali Postivanit, në këtë strehë piktoreske të Zotit, natyrës dhe njeriut.

3 Nevruzi

Jam shumë i lumtur të dashur miq që pata edhe ftesën, edhe dëshirën për të më mikpritur, por edhe të jem këtu sot së bashku me ju në një ditë të shenjtë, në një ditë të madhe, në një ditë të veçantë, në ditën e lindjes së Imam Aliut këtu në Teqenë e Ali Postivanit, në këtë strehë sa piktoreske të Zotit, aq edhe të njeriut. Është një kënaqësi për mua dhe një privilegj si President i Republikës, por edhe si një qytetar i thjeshtë, si njëri prej jush që ta uroj këtë festë gjithë bashkësinë e ndritur të bektashinjve, për të gjithë bektashinjtë shqiptarë e për të gjithë bektashinjtë anembanë botës dhe njëkohësisht të shpreh mirënjohjen e nderimin për punën e përkushtimin e klerikëve bektashinj, të cilët me aq pasion, me dashuri, me përunjësi dhe me besim, përpiqen çdo ditë për të lehtësuar vështirësitë, problemet e njerëzve tanë dhe për t’i orientuar ata drejt rrugës më të mirë, drejt rrugës së parimeve për të cilat në çdo kemi e do të kemi gjithnjë nevojë.2 Nevruz

Sot ne festojmë ditën më të rëndësishme të besimit bektashian, ditën e ringjalljes dhe shpresës dhe të gjithë ne lutemi për një të ardhme më të mirë për veten tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë, por ne lutemi për një të ardhme më të mirë edhe për të gjithë shqiptarët.

Kam ardhur këtu në Teqen e Alipostivanit, ë bashku me, pranë jush, sepse vetë besimi bektashi sikurse çdo besim tjetër merr vlerën e së vërtetës kur rrezaton edhe në zonat më të thella, anembanë trojeve tona shqiptare, dhe prek nga afër çdo zemër shqiptari, jo vetëm këtu në Alipostivan, jo vetëm në Përmet e në Këlcyrë, jo vetëm në Skrapar e Tepelenë, por deri në Amerikën e largët ku komuniteti bektashian shqiptar është aq i organizuar dhe aq kontribues.

Komunikimi sa më i mirë me besimtarët e vet ka bërë që teqetë e bektashinjve të jenë të shpërndara në pikat më atraktive dhe më dominante të relievit shqiptar, dhe kjo nuk është rastësi. Me ndërtimin e tyre plot finesë ato pasqyrojnë botën e pasur shpirtërore të bektashinjve shqiptarë. Teqetë shqiptare përfaqësojnë një arkitektonikë mahnitëse dhe krijojnë në tokën që jetojmë ne një kostelacion yjesh të përngjashëm me ato që i shohim në qiell.

Brenda këtyre strehave të kultit ato i japin jetë dhe shpresë shpirtit njerëzor nëpërmjet besimit tek Zoti, dijes, atdhedashurisë dhe kulturës që ato përhapin. Më shumë se fjalët këtë bashkëjetesë hyjnore të njeriut me Zotin dhe Atdheun e pasqyron rindërtimi i kësaj teqeje-monument këtu në Ali Postivan.

Prej këtij asambli të bukur e të mrekullueshëm arkitekturor vështrimi depërton përgjatë luginës së Vjosës e deri në Përmet, ngrihet lart në majat përreth dhe malet e Nemerçkës, Postenamit, Trebeshinës, Dhembelit deri tek Maj e Kokojkës, bukuritë që Zoti na i ka falur e duhet të jemi krenarë për to e duhet të punojmë t’i ruajmë fort ato. Teqeja e Alipostivanit nën shembullin e Teqes së Frashërit dhe gjithë teqeve simotra u krijua dhe hodhi shtat në një truall që gjithmonë ka reflektuar dashuri për pavarësinë, për mëvetësinë, arsimin dhe kulturën, për dijen, për qytetërimin e për përparimin.

Merita e baballarëve të saj të nderuar ishte se ata u bënë pjesë aspiratës të popullit që i përkisnin. Madje ata lanë gjurmë të fuqishme në luftrat e popullit të kësaj krahine për liri, shkollë shqipe e flamur kombëtar në të gjitha etapat. Teqetë e kësaj treve, si kudo në trojet shqiptare, krahas misionit fetar u shndërruan në vatra të vërteta atdhetare dhe emancipimi kulturor.

Nuk është rastësi që nga kjo krahinë janë edukuar dhe kanë dalë njerëz të shquar bektashianë si Frashërllinjtë e famshëm, Baba Alushi, Baba Aliu, Baba Abdullai, Dervish Selfo Merdini e shumë të tjerë para kontributit e kujtimit të të cilëve ne sot e përgjithmonë duhet të përkulemi me respekt.

Të dashur miq e besimtarë bektashianë,

Besimi bektashian, në gjirin e të gjithë besimeve të tjera, arriti të vendosë rrënjë të thella në shpirtin tonë e të kthehej në një burim jo vetëm tolerance e harmonie, por edhe në një faktor të qenësishëm kulture, patriotizmi, edukate dhe filozofie optimiste. Ky besim ia doli të japë fryte të shëndetshme në trojet tona, sepse krahas besimit hyjnor ai gjeti tek shqiptarët një shpirt të gjerë e mendje të hapur si dhe traditat më të arrira të burrërisë, nderit dhe krenarisë. Ndaj ky besim jo vetëm u mirëprit, por u hap gjerësisht dhe sot është një frymëzim i thellë njerëzor, patriotik, por edhe kombëtar.

Nga ana tjetër në Shqipëri teqetë ndihmuan në ndërtimin e paqes fetare dhe shpirtërore si dhe në ruajtjen e identitetit të gurrës së pasur etno-kulturore të besimtarëve shqiptarë. Nga gjiri i bektashianëve do të dilnin poetë, studiues, politikanë dhe letrarë të shquar. Gjenerata të tëra bektashiane të prirë nga burrat e familjes Frashëri i dhanë Atdheut shembuj të mëdhenj të qëndresës dhe diturisë si dhe kontribute të vyera në zhvillimin e konsolidimin e shtetit shqiptar.

Ideologët kryesorë të Rilindjes sonë kombëtare vendosën në themelin e shtetit shqiptar harmoninë fetare dhe platformën e një shteti me tipare evropiane, atë të shtetit dhe kombit unikal, por me dashuri reciproke midis feve.

Bektashizmi ishte dhe është një nga  katër shtyllat kryesore të kësaj harmonie.

Pjesëtarët e këtij komuniteti të prirë nga baballarët e tyre me zemër të madhe, ishin ndër ata shqiptarë, të cilët hapën rrugën për përparimin e gjithçkaje.

Bektashianët ishin dhe mbeten mbështetës në çdo aksion reformues për emancipimin e shoqërisë shqiptare. Kjo është edhe arsyeja se pas genocidit komunist të shkurtit të vitit 1967 kur teqetë si dhe objektet e tjera të kultit, u shembën, u rrafshuan, u dhunuan, u mallkuan, por përsëri besimi bektashian në zemrën e njrëzve nuk u shua, por mbijetoi.

Ai mbijetoi sepse ishte ngulur fort në mendjen dhe shpirtin e çdo besimtari shqiptare dhe nuk u mposht nga ateizmi, sepse në themel të filozofisë së tij ishte e mira e përgjithshme. Kështu 25 vjet më parë në 22 Mars të vitit 1992, bektashizmi u ringjall me një forcë të re edhe më të fuqishme se më parë për të zëvendësuar me shpejtësi, atë që ne shpesh e quajmë si kohën tonë të humbur në të shkuarën.

Edhe gjatë këtyre dy dekadave në udhëheqjen e të ndriturit Baba Reshat Bardhi ne i pamë bektashinjtë shqiptarë të ringjallur tek mblidheshin rreth vatrave të tyre të shenjta, kudo në Shqipëri, duke iu drejtuar Zotit për një jetë e të ardhme më të mirë, por edhe duke vënë vetën e tyre në gatishmëri dhe në shërbim për të arritur këtë të ardhme më të mirë. Historia dhe e tashmja e bektashizmit shqiptar ngelen përgjithmonë pjesë e ndërgjegjes së re që krahas ushqimit të filozofisë islame merr jetë edhe nga tradita shqiptare. Kjo është jo vetëm një krenari për të gjitha besimet, por kjo lidhje me interesat e kombit merr akoma dhe më shumë vlerë sidomos në kushtet kur në botë po fryjnë erëra fondamentalizmi, të cilat kurrë nuk kanë gjetur strehë në Shqipërinë tonë të dashur, në zemrën patriotike të besimtarëve tanë.

Një model si ky i bektashianëve, duhet të kthehet patjetër në një gurrë frymëzimi se si mund të jetë modern e njëkohësisht tradicional një besim i cili qëndron së bashku me ndjenjën dhe zakonet kombëtare.

Teqeja e Ali Postivanit është tashmë një strehë e ngrohtë besimi dhe shprese për shpirtrat e lënduar, për qytetarët në nevojë dhe për jetën e aspiratat e secilit prej nesh që dëshiron një Atdhe më të mirë, një familje më të begatë, një individ të sigurtë, e një tokë më të ndriçuar e një shpirt më bujar.

Qysh prej Baba Aliut, kjo teqe për fatin e keq është shkatërruar dhe djegur disa here. Por përsëri është ringritur, është rindërtuar e mbi të gjitha prej dashurisë njerëzore, prej besimit se e mira nuk mund të ndalet, se e mira nuk mund të zhduket. Ajo është ringritur sepse themelet e vërteta të saj janë në zemrën dhe vetëdijen e secilit prej jush, e secilit prej banorëve të kësaj krahine të mrekullueshme.

Të gjithë bashkë jemi dakord se, krahas vullnetit të Zotit dhe kësaj dëshire dhe angazhimi mbarëpopullor, një meritë të veçantë në lartësimin dhe ringritjen nga themelet të këtij asambli të mrekullueshëm ka dhe udhëheqësi i saj, i nderuari Baba Hekuruan Nikollari. Për këtë klerik dhe kontributet e tij tashmë flasin me shumë respekt gjithë banorët e Ali Postivanit, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës, Skraparit e Kolonjës. Merita, puna dhe sakrificat e këtij biri të Përmetit janë të jashtëzakonshme për kohën që po kalojmë. Udhëtimin e tij në rrugën e Zotit ai e ka përshkuar si një misionar i devotshëm, i cili nuk u nda asnjëherë prej halleve të njerëzve të thjeshtë dhe truallit që e lindi dhe edukoi.Kulturën, botëformimin dhe cilësitë hyjnore ai e vendosi në shërbim të të mirës së përgjithshme. Baba Hekurani në përmbushje të misionit të tij fisnik ka fituar dhe gëzon adhurimin e mbarë krahinës për pritjen e ngrohtë, dashamirësinë, shpresën dhe besimin që përhap ndër bashkëqytetarët e vet.

Sot në këtë ditë të bukur feste do të dëshiroja, duke përfituar nga privilegji i lartë që kam, fati i madh që më është dhënë, por edhe përgjegjësia që ndiej si President i Republikës por edhe si një qytetar i këtij vendi të nderojmë së bashku kontributin e Baba Hekuranit me një dekoratë që mban emrin e një biri të shquar të Përmetit dhe gjithë kombit shqiptar, Titullin “ Naim Frashëri”.

Do të doja gjithashtu që ky vlerësim institucional të shërbejë njëkohësisht si një gjest mirënjohje për kontributin e gjithë klerikëve bektashianë të gjithë kësaj zone, e të gjithë Jugut të vendit por edhe të gjithë trojeve shqiptare.

Në këtë ditë të bukur, të lumtur e të shenjtë feste ju uroj nga zemra edhe njëherë përshumë vjet gëzuar Sulltan Novruzin, shëndet, paqe e mbarësi në familjet tuaja!Rrofshi përherë! Paçi mbarësi dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë, kombin shqiptar, Këlcyrën, Përmetin, gjithë Jugun e Shqipërisë dhe këto vende të mrekullueshme që Zoti na i fali e të dijmë të punojmë të gjithë e t’i gëzojmë!”…

1 Meta

Meta uron bektashinjtë: Ditë e veçantë, ofron mundësi të shkëlqyer për reflektim

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Kryegjyshatën botërore të Bektashizmit në Tiranë me rastin e festës së “Sulltan Novruzit”.

Në këtë ceremoni, z. Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetësi ku i uroi të gjithë besimtarët bektashinj për më shumë paqe, harmoni dhe begati.Kryetari i Kuvendit u shpreh se “Sulltan Novruzi” është festa tradicionale e së djeshmes që vjen në të sotmen e secilit prej nesh si një triumf i ringjalljes dhe i ripërtëritjes së jetës.

“Është një ditë e veçantë që ofron mundësi të veçantë dhe të shkëlqyer për të reflektuar. Reflektim për nevojën e jashtëzakonshme që kemi si individ dhe si popull për më shumë dashuri e qetësi. Për më shumë qetësi dhe mirësi. Për më shumë mirësi në dashurinë, për jetë, respekt për të shkuarën dhe shpresë për të nesërmen. Për më shumë besim e forcë dhe për forcën që jep besimi në progresin e çdo ditë që vjen”, – tha z. Meta, duke shtuar se bektashizmi dhe tradita e tij është një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmës tonë.

“Është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për kontributin dhe veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga rilindja kombëtare nën emrin e vëllezërve të mëdhenj Frashëri e deri më sot. Që nga koha kur rilindi shpresa kombëtare dhe u rihodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria. Në atë projekt gjigant dashurie për atdhe është vëne mendja, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit, z. Meta.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta

Gëzuar festën e “Sulltan Novruzit”, këtë festë plotë dritë të pranverës dhe shpresës. Urimet më të mira për të gjithë ju për mbarësinë, mirëqenie, paqe dhe dashuri.

Urimet më të mira për të gjithë shqiptarët, që pavarësisht besimit, pavarësisht emrit me të cilin adhurojnë Zotin e tyre dhe që është një, janë sot bashkë duke u lutur për një të nesërme më të mirë, për veten, për fëmijët, për familjet për miqtë dhe për fqinjët e tyre.

Dita e sotme është festa tradicionale e së djeshmes që vjen në të sotmen e secilit prej nesh si një triumf i ringjalljes dhe i ripërtëritjes së jetës. Është një ditë e veçantë që ofron mundësi të veçantë dhe të shkëlqyer për të reflektuar. Reflektim për nevojën e jashtëzakonshme që kemi si individ dhe si popull për më shumë dashuri e qetësi. Për më shumë qetësi dhe mirësi. Për më shumë mirësi në dashurinë për jetën, respekt për të shkuarën dhe shpresë për të nesërmen. Për më shumë besim e forcë dhe për forcën që jep besimi në progresin e çdo ditë që vjen.

Bektashizmi dhe tradita e tij është një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmës tonë. Ai është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për kontributin dhe veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga rilindja kombëtare nën emrin e vëllezërve të mëdhenj Frashëri e deri më sot.

Që nga koha kur rilindi shpresa kombëtare dhe u rihodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria. Në atë projekt gjigant dashurie për atdhe është vëne mendja, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria.

Duke festuar sot duke uruar njëri tjetrin ne e shohim këtë festë edhe si një tjetër simbol të bashkëjetesës sonë të shlyer dhe tolerancës fetare. Kjo është një nga pasurit tona më të mëdha.

Ky është monumenti ynë më i rëndësishëm evropian ndaj në këtë ditë feste dhe besimi lutem dhe shpresoj për më shumë mbarësi për shoqërinë tonë, më shumë harmoni dhe punë të ndershme. Lutem, shpresoj dhe besoj për më shumë harmoni, bashkëjetesë dhe dashuri.

Filed Under: Komente Tagged With: Dita e Sulltan Nevruzit, shqiperi

“Eskobari i Ballkanit”, gjyqtari i Apelit përfitoi $ 47 Mijë

March 22, 2017 by dgreca

Hetimi pasuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit” përfshin edhe një pagesë prej 47 mijë dollarësh, që një gjyqtar i Apelit të Vlorës deklaron se ka përfituar nga puna si konsulent ligjor pranë kompanive të familjes “Balili”. Materiali në kuadër të bashkëpunimit të Zërit të Amerikës me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, është përgatitur nga gazetari Flamur Vezaj. 

***

 Hetimi pasuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur në kuadër të ligjit Antimafia ndaj të shumëkërkuarit Klement Balili ka vendosur nën prozhektor edhe një gjyqtar të Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Gjatë një hetimi paralel të vitit 2015, gjyqtari Petrit Aliaj deklaroi se kishte punuar si konsulent ligjor për vëllezërit Balili dhe ishte paguar 47 mijë dollarë prej tyre.

Të dhënat e deklaruara nga gjyqtari Petrit Aliaj dhe aktet hetimore që lidhen me burimin e kësaj pagese pritet të bëhen pjesë e dosjes së hetimit pasuror për familjen e Balilit, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej majit të vitit 2016 për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Një zyrtar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i tha BIRN-it se “pasi janë vënë në dijeni të faktit, kanë kërkuar pranë Prokurorisë së Elbasanit që të administrojnë deklaratën e pasurisë së gjyqtarit Aliaj si dhe hetimet e kryera mbi origjinën e 47 mijë dollarëve të përfituara prej tij”.

Petrit Aliaj u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 8 qershor 2015 për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit.

I kontaktuar me telefon nga BIRN, gjyqtari Petrit Aliaj refuzoi të komentonte lakimin e emrit të tij në hetimet për çështjen “Balili” si dhe rrethanat e punës së tij si konsulent ligjor.

“Nga organi i Prokurorisë janë kryer hetime të plota dhe të gjithanshme lidhur me pretendimet e ILDKP për pasurinë time dhe e njëjta përgjigje është edhe për pyetjet tuaja,” u përgjigj Aliaj. 

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në deklaratën e pasurisë së vitit 2006, gjyqtari Aliaj pati deklaruar se nga data 3 janar deri në 4 mars 2005 kishte përfituar 47 mijë dollarë nga puna e tij si avokat.

Në vitin 2009, gjyqtari Aliaj ka dhënë shpjegime pranë Inspektoriatit dhe e ka justifikuar këtë shumë parash me punën si konsulent i jashtëm ligjor pranë firmave Balili& Co dhe Vëllezërit Balili, të dyja me seli në Delvinë. Ai ka pretenduar gjithashtu se kishte punuar një vit për këto dy kompani dhe jo 3 muaj, siç kishte deklaruar më parë.

Aliaj ka paraqitur si provë dy vërtetime të lëshuara në janar dhe shkurt 2008 nga kompanitë Balili& Co dhe Vëllezërit Balili, të cilat zotërohen nga rrethi i ngushtë familjar i Klement Balilit.

Në vërtetime pranohet se Aliaj ka përfituar rrogë vjetore prej 24 mijë dollarësh për secilën kompani dhe se pagesa ishte bërë çdo muaj dorazi. Megjithatë, pagesa sipas tyre nuk është pasqyruar në Tatime apo Sigurimet Shoqërore.

Akuzat e ngritura nga ILDKPKI ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj u hetuan dhe më pas u rrëzuan nga Prokuroria e Elbasanit. Në vendimin e Prokurorisë që BIRN e disponon, argumentohet se nuk provohet vepra penale nga ana e gjyqtarit.

Në vendimin e pushimit, Prokuroria arrin në përfundimin se Çështja e mosdeklarimit të aktivitetit të avokatit për periudhën përkatëse ekziston si problematikë, por e konsideron atë një lapsus material.

Përveç pagesës së mësipërme, gjyqtari Aliaj u akuzua edhe për fshehjen e burimeve financiare për ndërtimin e një vile në Sarandë, shkollimin e vajzës në Amerikë dhe një depozite në bono thesari në Bankën e Shqipërisë. Gjithashtu, gjyqtari dyshohet se kishte përdorur transaksione të dyshimta bankare dhjetra mijëra dollarëshe si garanci për të siguruar disa viza amerikane për veten dhe familjarët.

Pavarësisht deklaratave kontradiktore të dhëna gjatë viteve të ndryshme përballë inspektorëve të ILDKP, Prokuroria gjykoi se këto lloj deklarimesh nuk e ekspozojnë gjyqtarin përballë përgjegjësisë penale dhe vendosi të pushojë çështjen kundër tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Eskobari i Ballkanit”, gjyqtari i Apelit, perfitoi $ 47 Mije

4 të vrarë, dhjetra te plagosur, në një akt terrorist pranë Parlamentit në Londer

March 22, 2017 by dgreca

Shtatë të arrestuar pas sulmit në Londër/

Parlamenti britanik është mbyllur pas dy përpjekjeve të koordinuara për incidente të dhunshme, të cilat policia tha se po i trajtonte si sulme terroriste.Policia e Londrës ka konfirmuar se katër persona janë vrarë në Londër – përfshirë këtu edhe një sulmues të dyshuar- nga sulmi në parlamentin britanik dhe në Urën Westminister.Policia tha se një sulmues i veshur në të zeza hyri brenda perimetrit të Pallatit Westminster në Londër dhe theri me thikë një polic në afërsi të hyrjes që shfrytëzohet nga anëtarët e Parlamentit. Polici më pas ka ndërruar jetë nga plagët e marra.Autoritetet thanë se sulmuesi u vra nga zyrtarët e sigurisë jashtë ndërtesës së parlamentit.

Një grua është vrarë kur një sulmues goditi me veturë 12 kalimatarë në Urën Westminister, në afërsi të Parlamentit dhe të Kullës Big Ben të Londrës. Ndërkaq edhe një person tjetër ka vdekur në Urën Westminister.Ndërkaq, të paktën 20 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.Zyrtarët spitalor thonë se dhjetra persona, që u goditën nga vetura e sulmuesit kanë pësuar lëndime “katastrofale”.

Një grua është nxjerr e gjallë nga Lumi Thames në Londër, pas sulmit në Urën Westminister, ka thënë për Reuters një zëdhënës i Autoritetet i Portit të Londrës.“Një grua është nxjerr nga uji në afërsi të urës Westminister. Ajo është e gjallë por ka lëndime serioze”, ka thënë zëdhënësi, duke shtuar se ajo tashmë është duke marrë trajtimin e duhur mjekësor.

BBC raporton se një grup i studentëve francezë, në kohën e sulmit me veturë, ishin duke ecur në pjesën verirore të Urës Westminister. Ata janë në mesin e të lënduarve nga ky sulm.Kryeministri francez, Bernard Cazeneuve ka konfirmuar se në mesin e të lënduarve janë tre nxënës francezë, të moshës 15 dhe 16 vjeçare.

Një polic është goditur me thikë brenda Parlamentit britanik, tha kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit, David Lidington.Ai u tha ligjvënësve se “sulmuesi i dyshuar është qëlluar nga policia e armatosur” pas “incidentit serioz”.Stafi brenda Parlamentit është urdhëruar të qëndrojë brenda zyrave, raporton BBC.

Policia tha se është thirrur për një incident me armë zjarri në Westminster, brenda Londrës.

Raportohet për disa persona të plagosur.Stacioni i metrosë në Westminister është mbyllur, me kërkesë të policisë.

Kryeministrja Theresa May u pa të jetë shoqëruar në veturën e saj pas të shtënave që u dëgjuan në Parlament, gjatë incidentit.Një burim nga kryeministria ka konfirmuar se kryeministrja Theresa May ishte mirë, shkruan BBC.

Zoti Lidington tha: “Duket se një polic është goditur me thikë dhe se sulmuesi i dyshuar u qëllua nga policët e armatosur”.

“Ka njoftime për incidente të tjera të dhunshme në hapësirat e Pallatit Westminster por shpresoj se kolegët nga të gjitha palët do të mirëkuptonin se do të ishte e gabueshme për mua që të jap më shumë hollësi deri sa nuk kemi një konfirmim të policisë dhe nga autoritetet e Sigurisë së Parlamentit për çfarë bëhet fjalë”.

3 terrorizem 2Shtëpia e Bardhë i ka ofruar mbështetjen e plotë amerikane Londrës në përgjigje të sulmit terrorist pranë parlamentit britanik ku gjetën vdekjen katër vetë dhe u plagosën mbi 20 të tjerë.1 Londer

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se Presidenti Trump kishte folur me Kryeministren Theresa May lidhur me ngjarjen dhe i kishte ofruar ndihmën amerikane për të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë. Sipas zëdhënësit, Shtëpia e Bardhë përgëzon Britaninë për reagimin e shpejtë ndaj incidentit.2 gruaja e plagosur

Një sulm i përgjakshëm në kompleksin e parlamentit britanik në Londër ka lënë të vrarë 4 persona, ndër të cilët edhe një polic.Kreu i anti-terrorizmit në Departamentin Policor të Londrës e cilësoi aktin një sulm terrorist dhe konfirmoi se ndër të vrarët përfshihen autori i sulmit dhe një polic.2 terrorisem

Mark Rowley tha se rreth 20 vetë janë plagosur dhe policia ka rrethuar dhe bllokuar parlamentin. Autoritetet po kontrollojnë zonën, për të garantuar se nuk do të ketë sulme të reja në zonë, megjithëse policia beson se vetëm një person ishte i përfshirë në këtë sulm.3 terrorisem

Zoti Rowley tha se polici i vrarë ishte një ndër rojet e armatosura të parlamentit. Viktima tjetër ishte lënduar nga sulmi në urën Westminster.

Një person, që sipas njoftimeve ishte një burrë në moshë të mesme, qëlloi me armë të ftohtë policin brenda perimetrit të parlamentit, para se të qëllohej me armë zjarri nga policia.

Një zyrtar i lartë i policisë tha për Zërin e Amerikës se autoritetet besojnë që një person ishte i përfshirë në një sulm me tre etapa.

Incidenti filloi me një makinë në urën Westminster pranë Parlamentit Britanik. Makina hipi në trotuar dhe goditi disa këmbësorë.

Policia metropolitane tha se po e heton incidentin si akt terrorist, deri kur të dihen hollësi të tjera, duke shtuar se situata është në zhvillim dhe duke u bërë thirrje njerëzve të mos afrohen tek skena e ngjarjes.

Kryetari i Dhomës së Komuneve në parlament, David Lidington tha se ka pasur njoftime për akte të dhunshme brenda kompleksit të organit legjislativ britanik. Ai konfirmoi se personi i dyshuar si autor i sulmit është vrarë nga forcat e rendit. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve dhe fotografive nga skena e ngjarjes, në zonë duken dy viktima të përgjakura pranë urës Westminster, ku sipas njoftimeve policia reagoi ndaj një “incidenti me armë zjarri”.Dëshmitarët njoftuan më pas se kishin parë një makinë në lëvizje që goditi disa persona mbi urë. Në fotografi shihen një numër viktimash mbi urë.

Shtatë të arrestuar pas sulmit në Londër/

Policia britanike tha të enjten se ka arrestuar shtatë persona në lidhje me sulmin e së mërkurës afër parlamentit britanik në Londër, që la pas vetes katër të vrarë, përfshirë edhe sulmuesin.

Mark Rowley, shefi i kundër terrorizmit në policinë e Londrës, tha se arrestimet pasuan kontrollet në gjashtë adresa të ndryshme dhe se kërkimet në Londër, Birmingham dhe pjesë tjera të vendit po vazhdojnë. Ai nuk saktësoi nëse të arrestuarit kishin lidhje me sulmin e së mërkurës.

“Ne besojmë, në bazë të hetimeve se sulmuesi ka vepruar i vetëm dhe ishte frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar”, u tha ai gazetarëve, duke refuzuar të publikojë emrin e sulmuesit gjatë asaj që ai e cilësoi “fazë të ndejshme” të hetimeve.

Hetimet janë përqendruar në motivet, përgatitjet dhe mbështetjen e sulmuesit i cili goditi këmbësorët me makinë në urën Westminster, pastaj qëlloi me thikë për vdekje një oficer të sigurimit para se të qëllohej dhe të vritej nga një oficer tjetër i policisë.

Rowley tha se 29 veta janë dërguar në spital, shtatë prej të clëve në gjendje të rëndë. Ai tha se numri i atyre që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore është i paqartë.

Rowley më herët e identifikoi oficerin e vrarë si 48 vjeçarin, Keith Palmer, që kishte shërbyer për 15 vjet në radhët e policisë.

Filed Under: Featured Tagged With: 20 the plagosur, 4 the barre, Akt terrorist, Londer

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2120
  • 2121
  • 2122
  • 2123
  • 2124
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT